Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së) të cilat i përkasin vitit 1963 dhe janë shkëputur nga një dosje ku ndodhet një korrespodencë me informacione, raporte, relacione, letra, telegrame, raport-informacione etj., midis Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me ambasadat shqiptare të akredituara në disa vende të botës dhe Drejtorisë e Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së. Siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, titullarët e ambasadave shqiptare të akredituara në disa vende të botës, kryesisht ato të Vjenës, Romës dhe Parisit, informojnë eprorët e tyre pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe nëpërmjet tyre Komitetin Qendror të PPSh-së, lidhur me artikujt e ndryshëm të botuar në shtypin perëndimor, (si gazeta “The Observer”, “Die Press”, “Stuttgarter Zeitung”, “Ilustër Kronen Zeitung”, “Industriekurier”, “Die Velt”, etj.) të cilat trajtonin dhe pasqyronin vijën politike, që ndiqte udhëheqja e lartë komuniste e Partisë së Punës së Shqipërisë e Tirana zyrtare, pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale, që mbizotëronte në vend, marrëdhëniet e saj me fqinjët, kryesisht me Jugosllavinë e Josif Broz Titos, nga ku si rezultat i klimës së terrorit që ushtronte udhëheqja e Tiranës, shumë shqiptarë kalonin ilegalisht kufirin dhe arratiseshin për në Jugosllavi, marrëdhëniet dhe raportet e Partisë së Punës së Shqipërisë, me partitë komuniste marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të Europës, si dhe shenjat e ftohjes dhe largimit që po dukeshin ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës së Mao Ce Dunit, për arsye të qëndrimit të tyre të ndryshëm në lidhje me vrasjen e Presidentit të SHBA-ës, Kendit, për të cilin “Zëri i Popullit”, i kushtonte një artikull, ku e çmonte veprën e tij, etj. Një nga temat kryesore që ka trajtuar shtypi perendimor, (kryesisht ai britanik e më pas ai gjermano-perendimor dhe austriak), në shumë nga artikujt e botuar përgjatë periudhës gusht – shtator – tetor 1963, është dhe ai ku thuhej se; në Shqipëri po përgatitej një kryengritje nga ana e ushtarakëve të lartë me në krye ministrin e Mbrojtjes Popullore, gjeneral-lejtnant Beqir Balluku, për rrëzimin e kreut të shtetit, sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhës. Pas këtyre artikujve, një vend kryesor në artikujt e ndryshëm të shtypit perëndimor për gjendjen politike në Shqipërinë e asaj kohe, zënë edhe ato ku trajtohet prishja e marrëdhënieve zyrtare të Tiranës me Moskën, si dhe dënimin që i bëri udhëheqja e lartë e PPSh-së dhe personalisht Enver Hoxha, anëtares së Byrosë Politike dhe sekretares së Komitetit Qendror të PPSh-së, Liri Belishova dhe Koço Tashko, (ish ambasador në Moskë), duke i akuzuar ata si mbështetës të vijës politike të Moskës zyrtare të udhëhequr nga Nikita Hrushovi. Për më shumë rreth këtyre temave dhe ngjarjeve që ka trajtuar shtypi perëndimore në vitin 1963, lidhur me Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, na njohin relacionet dhe raportet sekrete të dërguara në Tiranë, nga ana e ministrit fuqiplotë shqiptar në Vjenë, Gaqo Nesho.
Dokumenti sekret i përpiluar nga Dega e Shtypit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, dërguar Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, me relacionin e ambasadorit shqiptar në Vjenë, Gaqo Nesho
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E P. TË JASHTME Tiranë, më 15-II-1964
DEGA E SHTYPIT Ekz.
Nr. 47
LANDA: Dërgohen kopje të relacioneve të përfaqësive
KOMITETIT QENDROR TË P.P. SHQIPËRISË
(Drejtorisë së Jashtme)
T I R A N Ë
Bashkëngjitur, po ju paraqesim kopjen e relacioneve si më poshtë:
RELACION MBI PROBLEMET QË KA TRAJTUAR SHTYPI AUSTRIAK, I GJERMANISË PERËNDIMORE, I REPUBLIKËS DEMOKRATIKE GJERMANE DHE AI I ZVICRËS, GJATË MUAJIT NËNTOR NË LIDHJE ME VENDIN TONË
Gjatë këtij muaji shtypi i vendeve të lartpërmendura ka botuar 51 njoftime dhe tre artikuj. Këtë muaj na kanë ardhur gjithashtu edhe 16 njoftime dhe artikuj, në të cilat vendi ynë përmendet vetëm një herë. Nga 51 njoftimet, 33 janë të Austrisë, 10 të Republikës Demokratike Gjermane, 5 të Gjermanisë Perëndimore dhe 3 janë të Zvicrës, tre artikuj janë të shtypit austriak.
Njoftimet kanë shkruar mbi artikullin e gazetës “Zëri i Popullit”, datë 10/11/’63, me titull: “Kthesë historike në jetën e Partisë dhe vendit tonë”. Ku ndër të tjera demaskohet veprimtaria e Hrushovit, i cili me ndihmën e Liri Belishovës, u përpoq të minonte unitetin e Partisë sonë, mbi përfaqësinë kubane që u ngrit në Shqipëri, mbi demaskimin që i bëri Radio-Tirana, Hrushovit lidhur me lirimin nga burgu të profesorit amerikan, Bargohorrn, i cili u kap nga organet sovjetike për veprimtari spiunazhi, mbi urimet që i bëri “Zëri i Popullit”, “Rote Fahnes”, organit të komunistëve anti revizionistë austriakë, mbi urimet që Këshilli i Shtetit dhe Këshilli i Ministrave i Republikës Demokratike Gjermane, i dërgoi vendit tonë me rastin e 19 vjetorit të çlirimit, mbi vizitën e Titullarit dhe të sekretarit të parë në Grac dhe në Klangenfurt, mbi delegacionin tregtar të Republikës Demokratike Gjermane, që zhvilloi bisedime në Tiranë në lidhje me shkëmbimin e mallrave për vitin 1964, ndërmjet R.D. Gjermane dhe R.P. të Shqipërisë, mbi protestën që i bëri Ministria e Punëve të Jashtme e Jugosllavisë, të ngarkuarit me punë, a.i. të R.P. të Shqipërisë, në lidhje me demaskimet që i bëri shtypi ynë renegatit Tito, gjatë udhëtimit të tij nëpër Amerikën Latine dhe në SH.B.A.-së, mbi lidhjen telefonike Zvicërr-Shqipëri, mbi ndeshjen e futbollit, Danimarkë-Shqipëri, etj.
Nga artikujt: Një është shkruar nga Kurt Vessely, bashkëpunëtor i Institutit të Lindjes, mbi çështjen ekonomike të vendit tonë, një është shkruar nga korrespodenti Nerbert Trost, i cili përdor shpifje shumë të ulta kundër vendit tonë dhe një është shkruar nga gazeta “Illustr Kronen Zeitung”, në të cilën shpifet se në marrëveshjet në mes Shqipërisë dhe Kinës, po duken shenja largimi, për arsye “të qëndrimit të tyre të ndryshëm në lidhje me vrasjen e Kenedit”! (Në këtë artikull, thuhet se “Zëri i Popullit”, i kushtonte Kenedit një artikull ku ai e çmonte veprën e të ndjerit).
Shtypi borgjez, me qëllim që të tregojë se edhe në Partinë tonë ka pasur njerëz të Hrushovit dhe me qëllim që të tregojë se ç’bëhet me Liri Belishovën, këtë muaj falsifikoj shkrimin e “Zëri i Popullit”, datë 10/11/’63, me titull “Kthesë historike në jetën e Partisë dhe vendit tonë”, duke shtuar përveç atyre që thuhen në këtë artikull për Liri Belishovën, se ajo do të dalë në gjyq.
Gazeta “Di Press” e datës 12/11/’63, duke bërë fjalë në lidhje me këtë, shkruan si vijon: “Organi qendror i Partisë Komuniste Shqiptare “Zëri i Popullit”, shkruan se kryeministri Hrushov, ka tentuar para disa kohe që garniturën e udhëheqjes në Tiranë, ta rrëzojë me ndihmën e një funksionare të lartë shqiptare të partisë. Fjala është për anëtaren e Byrosë Politike, zonjën Liri Belishova, të cilën Hrushovi e ka përdorur me qëllim, që të shfrytëzojë “Mosmarrëveshjet me Partinë Komuniste Shqiptare, për të përcaktuar unitetin e saj dhe për të likuiduar udhëheqjen marksiste-leniniste”.
Liri Belishova u përjashtua nga Byroja Politike para tre vjetësh për “gabime të rënda” të papërcaktuara nga afër. Siç njofton gazeta, ajo do të përgjigjet tani para gjyqit, “për komplot kundër udhëheqjes së Partisë”. Këto fjalë të fjalisë së fundit, nuk janë thënë në artikullin e “Zëri të Popullit”, datë 10/11/’63, por shtypi i ka shtuar ato, për ato qëllimet që përmendëm më sipër.
Ky njoftim, u pasua nga gjashtë gazeta të tjera borgjeze austriake dhe nga dy gazeta të Gjermanisë Perëndimore. Edhe televizioni e Radio-Vjena, patën gjatë këtij muaji një koment në lidhje me përjashtimin e Liri Belishovës dhe të Koço Tashkos, nga Partia. Duket se është përgatitur ndonjë artikull nga revizionistët sovjetikë dhe është paguar publikimi i tij.
Nga artikulli që shkruajti Norbert Trost, doli edhe njëherë se shtypi borgjez austriak, i ka vënë detyrë vetes të shpifë në mënyrë të paskrupullt kundër Partisë tonë. Në këtë artikull, autori është përpjekur me të gjitha mënyrat që të diskreditoj vendin tonë, si nga pikëpamja politike, ashtu dhe nga pikëpamja ekonomike.
Në artikullin e tij, N. Trost, prerjen e ndihmës sovjetike për vendin tonë, e paraqet si diçka katastrofale. Duke bërë fjalë për këtë, ndër të tjera ai shkruan: “Deri në kohën e prishjes me Moskën, ekonomia popullore shqiptare, qe orientuar nga Rusia. Rusia e përkrahte vendin e vogël në Adriatik, të cilin donte ta kthente në një “Zvicër Komuniste”, si asnjë satelit tjetër.
Shqipëria që ekonomikisht ndodhej thellë në mesjetën turke, duhej që për një kohë të shkurtër të bëhej një shtet imperialist modern. Në të hyrë të Tiranë ndodhet Kombinati i Tekstileve “Stalin”, i cili me rreth 15.000 punëtorë që ka, plotëson në mënyrë të mjaftueshme nevojat e tregut shqiptar. Çdo vidhë e kësaj fabrike, ka ardhur nga Rusia dhe makinat mund të zëvendësohen vetëm me pjesë këmbimi ruse.
Prerja e plotë e marrëdhënieve ekonomike në Rusinë, vuri në dyshim funksionimin e kësaj fabrike dhe gjithë industrisë së re shqiptare, për arsye se edhe në vendet e tjera komuniste që në fakt vazhdojnë të bëjnë tregti me Shqipërinë, me dëshirën e Moskës, nuk lejohen të livrojnë asnjë nga këto pjesë këmbimi. Sa kohë nuk mund t’i plotësojë Kina këto mungesa, Shqipëria është e varur nga partnerët perëndimorë, të cilët duhet të vënë në dispozicion mallra produktive dhe pjesë këmbim të origjinës sovjetike, çfarë vështirësi e çuditshme…”!
Shtypi borgjez ka disa kohë që përpiqet të vërtetojë se Kuba, po merr anën e Kinës dhe po i prish punët me Hrushovin. Këtë muaj, për të vërtetuar këtë, ai morri si shembull ngritjen e përfaqësisë kubane në vendin tonë, vajtjen e një delegacioni kuban në Shqipëri. Në lidhje me këtë, gazeta “Illustr Kronen Zeitung”, e Vjenës e dt. 19/10/’63, botoi këtë njoftim: “Fidel Kastro po kalon gjithnjë e më shumë vijën e Pekinit. Një fakt për këtë, iu dha botës nëpërmjet lajmit, se në Tiranë arriti një delegacion kuban, i cili duhet të përgatisë hapjen e ambasadës kubane. Siç dihet, Moska i ka prerë marrëdhëniet me Shqipërinë në vitin 1961”.
Për këtë kanë njoftuar edhe 11 gazeta të tjera të Austrisë, dy të Gjermanisë Perëndimore dhe një e Zvicrës.
Në lidhje me sa thamë më sipër, ka shkruar edhe gazeta e Hamburgut “Die Zeit”, dt. 9/ 11/’63, si vijon: “Spekullimi, sipas së cilës, Hrushovi dhe Kastro do t’i prishin marrëdhëniet midis tyre, u forcua përsëri. Pasi lajmi për një shkurtim të madh të ndihmës ekonomike sovjetike për Kubën, duket po vërtetohen, nuk e fshehin më as përfaqësuesit e regjimit të Kastros, simpatinë për kinezët. Një delegacion kuban i cili u kthye nga Shqipëria, lëvdoj “Sukseset Shqiptare në rrugën e marksizëm-leninizmit”, dhe “Udhëheqjen e mençur të gjeneral Enver Hoxhës”.
Qëndrimi armiqësor i shtypit austriak kundër vendit tonë doli më i qartë gjatë këtij muaji”. Ai nuk shkruajti asnjë fjalë me rastin e 19 vjetorit të çlirimit, bile nuk dha asnjë lajm të shkurtër, siç është zakon të bëhet në Austri, për pritjen që dha përfaqësia jonë, dhe as u dërgua telegram urimi. Por edhe më armiqësorë qe qëndrimi kundër vendit tonë, i udhëheqësve revizionistë të Partisë Komuniste Austriake.
Gazeta “Volkastkimme”, datë 30/11/’63, botoj vetëm tetë rreshta e gjysëm me rastin e 19 vjetorit të çlirimit të R.P. të Shqipërisë, të marra nga “Pravda”, kurse për 20 vjetorin e krijimit të Jugosllavisë, shkruajti plot një faqe e gjysëm gazete! Shtypi borgjez ka çmuar gjithashtu të fusë ndonjë pykë në marrëdhëniet në mes R.P. të Shqipërisë me R.P. të Kinës, për këtë, ai morri si shkak vrasjen e Kenedit, duke theksuar se Kina e shau presidentin amerikan, ndërsa Shqipëria e çmoi veprën e tij”!
Gazeta “Illustr Kronen Zeitung”, datë 30/11/’63, duke bërë fjalë në lidhje me këtë, ndër të tjera shkruan: “…Veçanërisht bien në sy komentet e shtypit të Bllokut të Lindjes. Kina e Kuqe, shpërthen si edhe më parë më sulme urrejtje kundër SH.B.A.. Radio Pekini e cilësoi Kenedin si një “Burrë të keq”. Shqipëria nga ana tjetër, deri tani vasale e Pekinit, ndoqi kësaj here rrugën e vet.
Ndërsa Radio-Tirana, Kenedin deri tani e pati cilësuar vetëm si: “vrasës”, “kriminel” dhe “gangster”, me një artikull mbi ngjarjet në Dallas, ai u cilësua për herë të parë “Zoti President”. Gazeta e Partisë Shqiptare “Zëri i Popullit” i kushtoi Kenedit një artikull të gjatë, në të cilën ajo çmonte veprën e të ndjerit.
Akoma është për të shënuar që gazeta komentet perëndimore në lidhje me vrasjen e Kenedit, i botoi pa i shkurtuar. Në Moskë, reaksioni Shqiptar në lidhje me vrasjen e Kenedit, u regjistrua me saktësi. Diplomatët besojnë që qëndrimi krejt i ndryshëm i Shqipërisë dhe Kinës në lidhje me presidentin e vrarë, mund të jetë një simptomë e “largimit” të dy shteteve…”!
Me rastin e 29 nëntorit, ne kërkuam që të shkruanin artikuj mbi vendin tonë, nga Profesor, Babinger, Dr. Robert Schwanke, Dr. Ernest Viese dhe Dr. Kurt Vessely, (Bashkëpunëtor i Institutit të Lindjes). Tre të parët, nxorën pretekste të ndryshme, dhe nuk shkruajtën asgjë mbi vendin tonë, ndërsa Dr. Kurt Vessely, duke u bazuar kryesisht në materialet tona, shkruajti një artikull mbi çështje ekonomike, pa thënë asgjë mbi 19 vjetorin e çlirimit!
Ky artikull i cili u botua nga gazeta “Di Press”, dt. 29/11/’63, në përgjithësi përmban gjëra pozitive mbi vendin tonë. Por megjithatë, autori, duke u bazuar në të dhëna ekonomike të O.K.B.-së mbi vendin tonë, pati si qëllim të vërtetonte, se në krahasim me planin e dytë pesëvjeçar, rritja e prodhimit në planin e tretë pesëvjeçar, ka rënë.
Gazeta “Di Press” e datës 29/11/’63, duke bërë fjalë për këto, ndër të tjera shkruan: “Në komunikatën për muajt e parë të vitit 1963, njoftohet se plani u realizua 101/66 %. Prodhimi industrial u rrit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me 6.66 %, që është më shumë se sa ishte parashikuar për gjithë vitin 1963. Natyrisht, konstatohet një ngadalësim i rritjes (së prodhimit). Ndërsa prodhimi në planin e dytë pesëvjeçar, u rrit mesatarisht 16.95 % çdo vit, në vitin 1963, ai u rrit vetëm 7.2 % dhe në vitin 1962, 6.4 %. Gjithashtu dhe në planet më afatgjatë, shikohet një tendencë ngadalësimi.
Por megjithatë, kjo tempo është shumë e mirë, aq më tepër që Shqipëria, për arsye të prishjes së marrëdhënieve me shtetet e Bllokut të Lindjes, që e detyruan të riorganizonte strukturën e tregtisë së jashtme….”!
Gjithashtu revista e Institutit të Lindjes, “Pasqyrë e shtypit të Lindjes, Ekonomi”, në numrin e muajit nëntor, botoi tekstualisht komunikatën e Drejtorisë sonë të Statistikave, për realizimin e planit të nëntë muajve të parë të vitit 1963. Për përmbajtjen e kësaj reviste, përgjigjet Dr. K. Kenssely, dhe me iniciativën e tij, kanë filluar të botohen në revistën e lartpërmendura komunikatat mbi realizimin e planit që nxirren nga Drejtoria jonë e Statistikave. Ky është i interesuar për artikuj aktualë me karakter ekonomik.
Qëllimi i Institutit të Lindjes dhe i Dr. Kurt Vessleyt, është padyshim që të masë pulsin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe të vendeve të tjera socialiste. Megjithatë, ne jemi të mendimit që qendra të na dërgojë vazhdimisht artikuj, ku flitet për zhvillimin e degëve të industrisë ose të bujqësisë në vendin tonë, pasi revista e lartpërmendur, i boton gjërat tekstualisht dhe shpërndahet në shumë kuadro të lartë austriake dhe në shumë firma të mëdha tregtare.
Gjatë këtij muaji, duke u bazuar në materialet tona, shokët e redaksisë së “Rohte Fahnes” (“Flamuri i Kuq”), botuan një artikull mjaft domethënës mbi vendin tonë, ku flitet për luftën heroike të popullit tonë për çlirim, për sukseset e tij në ndërtimin socialist të vendit dhe luftën që zhvillon ai kundër imperializmit dhe revizionizmit modern.
Gjatë këtij muaji ne shpërndamë buletinin special me rastin e festave si edhe artikuj të ndryshëm që na u dërguan nga qendra. Me vizitat që u bënë Titullari dhe sekretari i parë në Klagerfurt dhe në Grac, iu dha rasti gazetave lokale që të shkruajnë për këtë vizitë dhe të botojnë edhe fotografi.
Gazeta “Shqipëria e Re”, nuk na ka ardh, gjë që ka penguar punën e kundër propagandës me elementin reaksionar. Memorie.al
MINISTRI FUQIPLOT
(Gaqo Nesho)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016