Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e njëzetetre
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Prenga u bë anëtar i Kabinetit vetëm në dhjetor dhe bashkëpunimi me Ismail Qemalin e Qeverinë e Përkohshme, filloi disa muaj përpara se ai të merrte portofol qeveritar. Pas Lezhës, ishte menduar të bëhej një mbledhje tjetër në Lezhë, ose Shkodër. Më 30 gusht 1913, në një letër që Luigj Gurakuqi, i drejton Ismail Qemalit, theksohet se; mbarë popullsia e Veriut, do të mblidhet në Shkodër ose në Lezhë, që t’i japin besën Qeverisë së Përkohshme: “Të gjithë kanë dëshirë për paqe, për bashkim”. Mirdita u bashkua me Qeverinë Shqiptare në shtator, në praninë e Prengë Bibë Dodës dhe me këtë rast, u falën gjaqet. (468)
Në shërbim të unitetit kombëtar, Ismail Qemali kishte menduar, që së bashku me Prengë Bibë Dodën, të bënin një vizitë punë në Shkodër. Nga korrespondenca e Konsullit të Austro-Hungarisë me Vjenën, mësojmë se; “Luigj Gurakuqi, që ndodhej në Romë, i kishte dorëzuar një memorandum Markezit San Xhuliano, ku bëhej fjalë, për të njohur në heshtje ose gjysëm zyrtarisht, qeverinë provizore të Vlorës, e të favorizohej udhëtimi i Ismail Qemalit dhe i Preng Bib Dodës në Shkodër, pasi ata duan që të bashkëpunojnë, me komandantin e trupave ndërkombëtare në Shkodër”. (469)
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, është edhe telegrami që më 20 tetor 1913, Ismail Qemali, i dërgon Klubit “Lidhja Kombëtare” në Shkodër, ku i fton anëtarët e tij, “të japin mendime për marrëveshje e bashkim”. (470)
Duket se afrimi midis Prengës dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Vlorës, ka qenë i natyrshëm dhe miqësor. “Si erdh Prengë Bibë Doda në Shkodër, ku i gjithë populli e priste me padurim, e ku pati nderime të mëdhaja, të pjekurat e marrëveshjeve tona, u bënë më të pjekura e më miqësisht. Ditë për ditë mbledhje të mëdha u bane, ja në klub t’Shkodrës, ja në shpi t’Prengë Bibë Dodës, e në të gjitha bisedimet që u bane, u pa qartë dëshiri i paqit, i bashkimit, i lidhjes…”!
Faktori ma i madh e ma i lartë i bashkimit dhe marrëveshjes në krahun e Shkodrës, asht sot për sot i për ndershmi Prengë Bibë Doda i Mirditës, i cili përveç emnit e nderimit që ka kudo në ato vise, ka dhe një mënyrë të arsyeshme, që afron, lidh dhe bashkon”. (471)
Interesimi ndërkombëtar për Bibë Dodën, nuk u ndikua nga prania në poste zyrtare, pasi ai konsiderohej si njëri nga politikanët me të ardhme në Shqipëri. Që me 25 gusht, vetëm dy javë pas arritjes në Shkodër, ai organizoi një ceremoni zyrtare pritje, për nder të ushtarëve italo-shqiptarë, të detashmentit italian në prezencë të admiralit Patrio, Konsullit të përgjithshëm, Galli dhe komisarit të kufirit, zotit Nataflni.(472)
Prenga u bë Zëvendëskryeministër, vetëm me 25 dhjetor të vitit 1913 dhe me atë rast, Ismail Qemali, e ngarkoi me problemet e Veriut të vendit. Kundër këtij vendimi, protestoi Austro-Hungaria, për të cilën Kapidani Gjonmarkaj, ishte i papranueshëm, pasi kishte dashur të shpallte “Principatën Katolike të Veriut”. Në relacionin për Ministrinë e Jashtme në Vjenë, austro-hungarezi Petroviç, i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, shkruan: “Prengë Pasha, nuk do të mundet praktikisht në Qeveri, të ushtrojë ndonjë ndikim armiqësor ndaj nesh”. (473) Burimet diplomatike austro-hungareze, shkruajnë se; “me 6 janar 1914, Prengë Pasha, niset për Vlorë”. (474)
Ka mundësi që ajo të jetë dhe data zyrtare e fillimit të punës, si Nënkryetar i Qeverisë. Situatën politike në këtë periudhë, e përshkon një frymë e përgjithshme pajtimi. Prengë Pasha, e shfrytëzoi në mënyrë të shkathët gjendjen ekzistuese, duke e transformuar nga një situatë spontane që qëndronte pezull, në një lëvizje të fuqishme, për bashkimin e të gjitha viseve katolike të Shqipërisë së Epërme. Ndërkohë, nuk munguan kundërshtimet.
Mbështetësit e Esad Pashës ndër malësorët e Shkodrës, kërkuan t’i mbanin trevat veriore të shkëputura nga Qeveria e Përkohshme. Pati edhe ndonjë atdhetar të spikatur, që mospajtimet me Ismail Qemalin, i çoi deri në atë shkallë, sa të lidhej me Esad Pashën. Konsulli austro-hungarez në Shkodër, Zambaur, njofton nga Kastelnovo, Ministrin Erental, se; “Faik Bej Konica dhe Dervish Hima, kanë ardhur në Shkodër dhe po bëjnë hapur propagandë në favor të Esad Pashës, kundër Qeverisë Provizore të Vlorës dhe sidomos, kundër përfaqësuesit të saj, Prengë Pashës. (475)
Duket i çuditshëm ky qëndrim i dy atdhetarëve të shquar të Lëvizjes sonë Kombëtare, por për të vlerësuar qëndrimet e politikanëve shqiptarë atëherë, duhet të shihen edhe marrëdhëniet personale. Mesa duket, marrëdhëniet e Konicës dhe Himës me Ismail Qemalin, nuk ishin të mira dhe ata po shkonin te Esadi, si i thonë; “për inatë të tij”.
Ne emër të mirëkuptimit, bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve, Prenga siguroi mbështetje të madhe për projektin e tij dhe autoriteti që kishte në masën e njerëzve, u rrit shumë. Sipas Zambaur; “”një opozitë kundër tij, do të ishte e pakrahasueshme me të, ngado që t’i vijë”. (476)
Por Prenga lëvizte në dy plane, si përfaqësues i bashkimit të të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine dhe feje, por edhe për bashkimin e katolikëve, ndërmjet vetes. Kujtojmë se deri në atë kohë, krahinat kishin bërë jetë ekonomike dhe shoqërore të mbyllur. Bashkimi i katolikëve ishte i dëshirueshëm, por i theksuar shumë, nuk i bënte mirë klimës së përgjithshme të bashkimit kombëtar, ndërkohë që i shërbente të ardhmes politike të Prengës. Një “politikë katolike”, ishte e dëmshme sidomos në qytetin e Shkodrës, ku po bëheshin përpjekje për bashkim dhe mirëkuptim midis qytetarëve me besime të ndryshme fetare, në kushtet e një ekuilibri delikat, që mund të prishej me një veprim të pamenduar mirë të politikanëve.
Kjo është arsyea që shumë shpejt, ndërhyn diplomacia austro-hungareze, për ta penguar veprimin politik mbi baza fetare që po bënte Prenga, duke ushtruar presion ndaj tij, që të tërhiqet nga bashkimi i shqiptarëve mbi baza fetare.
Sapo u kthye në vendlindje, Prenga mendoi për të ndërmarrë një veprim kundër serbëve, që ndodheshin në fshatin e tij të lindjes; një detashment serb, ishte vendosur mbi Orosh. Kujtojmë se dikur, vetë Prenga, kishte bërë një marrëveshje, me anë të cilës; “serbët do të kalonin nëpër Mirditë, për të luftuar turqit dhe pastaj do të tërhiqeshin”. Sipas burimeve diplomatike austro-hungareze: “Lajmet e ardhura prej Mirdite, thonë se Prengë Bibë Doda, së bashku me bajraktarët e vendit, kanë vendosur të kundërshtojnë me armë, një pushtim të Shqipërisë nga ana e shteteve ballkanike”. (477)
Meqenëse forcat serbe ishin në numër të madh, “pretendimet që kishin mirditasit për t’i sulmuar, dukeshin të pamundura, jo vetëm për shkak të mungesës së armëve”. (478)
Situata me serbët, nuk kishte kaluar pa incidente, malësorë të Fanit, kishin shkëmbyer të shtëna me serbët. Prengë Pasha, dërgoi përfaqësues te komandanti serb dhe mori shpjegimet e mëposhtme: “Ushtria serbe, nuk ka ndërmend të luftojë me të krishterët shqiptarë, por vetëm kundër turqve (lexo: shqiptarët myslimanë).(479)
Sidoqoftë, në këtë periudhë, Prenga kishte marrë qëndrim anti-serb, por nuk i pati forcat e nevojshme për të vepruar kundër tyre. Shqetësim për Qeverinë e Vlorës, në fund të mandatit të saj, u bënë xhonturqit dhe politika e tyre e pandryshuar ndaj Shqipërisë, edhe pse realitetet ishin krejt të ndryshme. Nga Stambolli në Shqipëri, po infiltroheshin agjentë xhonturq dhe persona të dyshimtë, që punonin për llogari të tyre. Nga kontrolli që iu bë vaporit të Llojdit, “Meran”, u gjetën 202 komitaxhinj dhe 6 oficerë. Me kërkesën e Qeverisë Provizore, vapori vazhdoi për në Trieste, prej ku udhëtoi për në Stamboll. (480)
Në krye të këtyre forcave, ishte një ushtarak shqiptar, me emrin Beqir Grebeneja. Ngjarja, ia shkurtoi ditët që i kishin mbetur, Qeverisë së Vlorës. Pas komplotit të Beqir Grebenesë, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, përqendroi të gjithë pushtetin në duart e tij, duke e detyruar Ismail Qemalin, të jepte dorëheqjen me 22 janar 1914. (481)
Ismail Qemali dhe Prengë Bibë Doda, punuan vetëm tre javë së bashku, por nga dokumentet që vijnë nga ajo periudhë e shkurtër del se, marrëdhëniet e tyre, qenë shumë miqësore. Sejfi Vllamasi, duke folur për qeverisjen e asaj periudhe, e konsideron Prengën; “patriot të dalluar dhe mbështetës të Ismail Qemalit”. (482)
Prova e besnikërisë ndaj Kryeministrit, duket edhe në përgjigjen që Prenga i jep Esad Pashës, në lidhje me propozimet që ai i bënte për ta rrëzuar qeverinë e Vlorës dhe Ismail Qemalin. Esadi, i shkruante Prengës: “Si ministër i Brendshëm, erdha të punoj në Durrës, se me Ismail Qemalin nuk punohet. Pra të vini e të bisedojmë, për një princ turk”. Përgjigja e Prengë Bibë Dodës, ishte: “Nuk e shoh të arsyeshme, që në Durrës të ngrihet një qeveri e re, pse bën një përshtypje të keqe në botën e jashtme, në dëm të Shqipnisë, ashtu si me dashtë unë me ngritë një qeveri në Mirditë, sikur Gjeto Coku, ëndërronte ta ngrinte në Lesh, gjë që na diskrediton jashtë. Unë mendoj dhe ju ftoj juve si ministër i Qeverisë së Vlorës dhe unë si nën kryeministër, të mblidhemi së bashku, e të diskutojmë me anë të rrugës legale”. Në pamundësi që ta kishte me vete, Esadi kërkoi që së paku Prengë Bibë Doda, të qëndronte asnjanës. (483)
Një provë tjetër besnikërie e Prengës ndaj Plakut të Vlorës, është edhe qëndrimi i tij pas dorëheqjes së Ismail Qemalit. Kur Ismail Qemali ishte larguar dhe jetonte në ekzil, Prengë Bibë Doda me shokë ,vendosën të dërgojnë një komision të përbërë prej Sheh Musa Prizrenit dhe Dan Hasanit, në Nisë të Francës, që në emër të tij dhe të Bajram Currit, t’i luten të vijë në Lezhë,
për të ngritur përsëri qeverinë e Vlorës, mbasi Shkodra ishte e okupuar prej fuqive ndërkombëtare dhe duhej kundërshtuar politika e Esad Pashës. Ismail Qemali, i cili po e ndiqte me vëmendje situatën, nëpërmes dy të dërguarve, ua kishte kthyer përgjigjen: “Djemtë e mi, Shqipëria me gjak humbet, prandaj gjakun duhet ta evitojmë. Më puthni Prengë Pashën dhe Bajram Currin”. (484)
Për bashkëpunim të Preng Pashës me Ismail Qemalin, kundër Esad Pashës, në dhjetor të vitit 1914, flitet edhe në dokumentet diplomatike italiane. Marrja e funksionit të lartë të Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Vlorës, për një kohë të shkurtër, për Princin e Mirditës kishte më shumë kuptim simbolik. Mirdita kishte luftuar për ta ruajtur lirinë e vet dhe kishte bërë sakrifica të panumërta, deri në shpalljen e Pavarësisë. Pavarësisht nga statusi i veçantë që kishin, mirditasit u qenë bashkuar kryengritjeve që shpërthyen në Kosovë në vitin 1910 dhe në kryengritjen e vitit 1912 ,qenë në marrëveshje me Shqipërinë e Mesme. Emërimi i Kapidanit të Mirditës, si Zëvendëskryeministër, ishte një vlerësim për popullin e kësaj Krahine, për sakrificat dhe kontributet e tij.
Kandidat për Fronin mbretëror të Shqipërisë
Duke patur parasysh prejardhjen familjare dhe rolin që kishte luajtur si figurë e rëndësishme politike, Prengë Bibë Doda, u përgatit të paraqiste kandidaturën e tij për Fronin Mbretëror të Shqipërisë. Lëvizjet e tij politike gjatë kësaj periudhe, e kishin çuar ndonjë diplomat të bënte parashikimin se ai po pretendonte për Fronin e Shqipërisë. “Ka mundësi që princi (Prengë Bibë Doda), të zgjidhet si pretendent, prej Kuvendit Kombëtar. Pretendenti shqiptar, Princi, Prengë Pashë Bibë Doda, nuk e zhvilloi udhëtimin e tij në Shqipëri. Ai qëndroi këtu, deri para disa ditëve, për t’u kthyer më pas në Romë“. (485)
Ndërsa në një relacion tjetër diplomatik austro-hungarez, shkruhet: “Prengë Bibë Doda, ka ambicie për postin e Kryetarit të Shqipërisë. Flitet për një takim të tij me Abat Doçin, në Tivar, i cili nuk është mbajtur akoma”. (486)
Ndërmjet pretendentëve të shumtë, vetëm ai dhe Esad Pasha jetonin në Shqipëri. Për të qenë kandidat me peshë, Prenga kishte punuar të bashkonte popullsinë katolike dhe të paraqitej si propozim i të gjithë katolikëve të vendit, por kjo mënyrë e trajtimit të Kurorës që përfaqësonte unitetin kombëtar, kundërshtohej ashpër nga Vjena. Në një mbledhje të vitit 1913, parësia e maleve të Dukagjinit dhe të Mirditës, kishin lidhur besën për ta njohur si kryetarë të tyre, (487) duke e fuqizuar edhe më shumë politikisht, por duke e larguar edhe më shumë nga austro-hungarezët.
Mbështetësit e tij përdorën edhe shtypin për të shtuar ndikimin e Prengës te njerëzit. Në gazetën “Besa Shqiptare”, ishte botuar një artikull, në të cilin bëhej propagandë për caktimin e Prengë Bibë Dodës, “Princ të Shqipërisë”. Flitet se ky artikull, ishte inspiruar prej profesorit italo-shqiptar, Zef Skiroi. (488)
Ndër përpjekjet e Prengës në drejtim të realizimit të këtij objektivi, përmendim Kuvendin e Lezhës. Në një letër të Shtjefën Gjeçovit, të datës 17 shtator të vitit 1913, drejtuar Gjergj Fishtës, flitet për atë kuvend, që u mbajt me 7 shtator të vitit 1913, ku doli edhe propozimi që Prenga, të bëhej Princ i Shqipërisë./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Shqipëria e Re, Nr.25, 28 shtator 1913,f.2
- Ismail Qemali (përmbledhje dokumentesh), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Tiranë, “8 Nëntori”,f.314.
- Ismail Qemali (përmbledhje dokumentesh), f.314
- Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj.
- HHStA-PA-VJ.-23-10-1066. Nr. 20, Shkodër më 23 gusht 1913. Raport i Konsullit Majerhauserit –Kontit Bertald, Vjenë.
- Relacion i Petroviç drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Vlorë dhjetor 1912
- HHStA-PA-A, Vj.24-33-3379
- Luigj Martini, Princi pa kurorë i Mirditës,… f.218
- HHSTA PA A, Vj.23-15-1587Telegram shifër i Konsullit Zambaur dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme, Kontit Berchtold në Vjenë, Katelnovo 16 gusht 1913
- HHStA-PA-A-Vj, 23-12-1235, Antivari 6 janar 1913
- HHStA-PA-A-Vj, 10-1082, Relacion i Konsullit austro-hungarez në Shkodër drejtuar Minsitrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, 28 gusht 1913
- Luigj Martini, Princi pa kurorë i Mirditës, …,f.225
- HHStA-PA-A, Vj.24-11-1180
- Esilda Luku, Diplomacia europiane dhe Shqipëria në periudhën në mes të dy konferencave të paqes (1914-1919-1946, dizertacion, Tiranë 2012, f.X-XI
- Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 1995, f.51483. Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri,….f.59
- Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri…. f.60
- Njoftim nga përfaqësuesi diplomatik austr-hungarez në Bari për ministrin e Jashtëm, kontin Berchtold, në lidhje me anulimin e udhëtimit për në Shqipëri, të Prengë Bibë Dodës, Nr. 21/politik, Bari, më 28 nëntor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.372
- HHStA-PA-A-Vj,23-12-1237, Telegram Nr.4 i diplomatit Ledinegg drejtuar Minsiatrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë 12 janar 1913
- AQSH, Fondi 50, Dosja 2, f.1 488. HHST-PA-Vj.23-5591, Radio-telegram shifër No.69 prej Majerbausout. Ref. I.V. Dep.V. No.281, Kastelnuovo për Shkodër
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016