Nga Mehmet LATIFI
Memorie.al / Ndër delegatët pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, me rastin e shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912, ishin edhe shtatë delegate nga Struga e Ohri, duke mos llogaritur edhe djalin e telegrafistin e Ismail Qemalit, Qazim bej Qemal Vlora dhe Bejzat Saliun (telegrafist). Duke shikuar me kujdes dokumentin me nënshkrimet e nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë, latohet edhe emri “Dr. H. Murteza”!? Struga dhe natyrisht struganët, krenohen me të gjitha figurat dhe personalitetet e Rilindjes Kombëtare, e bashkë ata edhe me Dr. Ali Murtezain, jo vetëm delegate por edhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë në Kuvendin e Vlorës, më 28.11.1912.
Deri më tani, nuk është publikuar diçka më shumë për këtë personalitet, ose së paku autori i këtyre rreshtave nuk ka hasë në shënimet dhe publikimet për këtë figurë të historisë shqiptare në përgjithësi. Zbardhja e figurës dhe personalitetit të Dr. Ali Murtezait, fillon aty, prej nga nis jeta e tij dhe veprimtaria shoqërore, profesionale dhe politike – në Strugë!
Rastësia është mbret i botës – thotë një fjalë popullore dhe krejt rastësisht, në qytetin e Strugës, kam takuar Dr. Genc Struga nga Tirana. Mbiemri i tij Struga, më bëri kureshtar, të di se kush ishte Dr. Genc Struga. Edhe vetë ai ishte kureshtar edhe më i madh, për të ditur se kush ishte? Për veten e tij u shpreh: “Jam mjek, kam mbaruar Fakultetin e mjekësisë në Tiranë dhe kam specializuar neurologjinë në Angli”.
Në mungesë të informacioneve më të hollësishme, dinte vetëm se është me prejardhje nga Struga, ndaj dhe mbajnë mbiemrin e qytetit buzëliqenas. Rrëfimin e tij, Dr. Genc Struga e filloi duke me fjalët: “Gjyshi im, i quajtur Zenel Struga, ka ardhur nga Struga në Tiranë, që para Luftës së Dytë Botërore. Ai ka mbaruar studimet për farmaci në Austri. Ndërkaq, vëllai i tij, (xhaxhai i babait tim), Ali Murtezai (Struga), ka qenë mjek, që po ashtu ka mbaruar studimet në Austri apo Rumani (!?) dhe ka shërbyer si mjek në Strugë.
Se Dr. Ali Murtezai, ka shërbyer si mjek në Strugë, e dëshmon edhe autori i librit monografik kushtuar shëndetësisë në Strugë, Dr. Stojçe Kovaçevski, duke thënë mes tjerash se; ‘ka qenë mjeku i parë shqiptar në këto troje’. Kanë ardhur në Tiranë dhe ka hapur një farmaci-barnatore dhe ordinancë mjekësore. Kaq dijë për gjyshin. Babai më ka lindur në Tiranë dhe kështu…”!
Edhe i ati i Dr. Gencit, Gëzim Struga, (me të cilin asokohe biseduam përmes telefonit), nuk dha ndonjë sqarim të plotë për familjen, pos që na udhëzoi që të takojmë Ismail Ate! Ismail Ate, na sqaroi për aq sa kishte njohuri, duke thënë se kjo familje është autoktone strugane!
Pohimi për autoktoninë strugane të kësaj familje, paksa e dezorjentoi kërkimin. Për t’i rënë në gjurmë familjes së Dr. Genc Struga (pasardhësit të Dr. Zenel dhe Dr. Ali Murtezait-Strugës), u drejtuam tek shumë njerëz, kronist të lëvizjeve, dyndjeve dhe migrimeve të struganëve, por edhe atyre që janë marrë me kërkime historike dhe historiografike.
Në këtë drejtim, pa dyshim ndihmesë të madhe na dha Prof. Dr. Nebi Dervishi, i cili me të përmendur emrin, me plot respekt dhe krenari u shpreh: “Zejnel Efendiu (Struga), siç e kanë njohur bashkë-kohanikët, ka qenë farmacist. Ndërkaq, vëllai i tij, Dr. Ali Myrteza Efendiu (Struga), me profesion mjek, ka qenë një nga delegatët pjesëmarrës strugan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë.
Të dy vëllezërit, Zeneli dhe Ali Myrtezai, janë nga një familje e nderuar arsimdashëse, intelektuale dhe me tradita e taban kombëtar. Sipas shënimeve që posedoj, në vitin 1935, në Strugë kanë hapur një barnatore (farmaci)…” – theksoi mes tjerash Prof. Dr. Nebi Dervishi.
Duke vazhduar interesimin e kërkimit të zbardhjes së plotë të identitetit të kësaj familjeje, arritëm të konkludojmë (?) se kjo familje në Strugë ka ardhur nga Dibra dhe është degë e patriotit Hoxhë Vogli, Said Najdenit – “Hoxhë Voka” apo “Vogli” njëri nga veprimtarët e dalluar të rilindjes kombëtare!
Ç’ndodhi me këtë familje? Si erdhi nga Dibra në Strugë? Si e braktisën Strugën? Kush e “trashëgoi” shtëpinë dhe pronën e tyre, janë pyetje që kërkojnë një kërkim të përkushtuar nëpër dokumentet arkivore, por atë që për momentin dihet është kjo:
Dy vëllezërit, Zejneli-farmacist (ka mbaruar studimet për farmaci në Austri), dhe Ali Myrtezai-mjek, (ka mbaruar studimet e mjekësisë në Austri ose Rumani), kanë ardhur në Strugë dhe kanë jetuar deri rreth viteve 1936-‘37, kur janë shpërngulur në Tiranë-Shqipëri, ku kanë hapur barnatore dhe aty kanë ngelë.
Shtëpinë e tyre, shumë afër lumit Drini i Zi, dhe shumë afër shtëpisë së Dr. Ibrahim Temos, pas largimit të tyre, e ka “blerë” ose e ka “nacionalizuar” ose përvetësuar i ashtuquajturi Mitre Radozhda! Poashtu edhe tokën që e kanë pasë në Strugë, e ka “përqafuar” po ai Mitre Radozhda, që sipas dëshmitarëve, ka qenë një nga zyrtarët me ndikim dhe “autoritet” në komunën e Strugës. Siç pohuan dëshmitarët, shkolla fillore “Vëllezërit Milladinovci”, është ndërtuar në tokën që ishte pronë e familjes së Zejnel dhe Ali Myrteza Strugës.
Kjo pak a shumë hedh dritë mbi figurën dhe personalitetin e Dr. Ali Murtezait, një nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912, duke qenë përfaqësues dhe delegate nga Struga e Ohri, bashkë me delegatët tjerë, me në krye Ismail Kemal (Qemali), dhe delegatët tjerë:
Kaçorri (Dom Nikollë Kaçorri), Abdul Aziz Vehbi (Vehbi Dibra), Jorgji Karbunara, Elmas Boco, Vehbi Harçi, Qazim Kokoshi, Josif Minga, Rexhep Mitrovica, A. Rruçi, Abdi Toptani, Abas Dilaver (Çelkupa), Mid’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abas Kanina, Xhelal Kopernacka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani, Iljas Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Berati, Dhimitër Emanuel (Mborja?), Dimitri Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luz (Luigj) Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro (Don) Ilo, Tanas Floqi, Lef Nosi, Mustafa Asim Kruja, M. Ferid Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemaledin Deliallisi, Nebi Sefa-Lushnja si dhe delegatët nga Struga e Ohri:
Nuri Sojliu, Zyhdi Ohria, Xhemal Beu, dhe Dr. Ali Murtezani, (që në të gjitha publikimet e gjertanishme shënohet si Dr. H. Myrteza) edhe pse nga Struga kanë qenë edhe delegate të tjerë si p.sh. Murat Barutçiu, Hamdi bej Ohri, Devish Hima (?) dhe natyrisht Qazim Bej Qemal Vlora, djali i Ismail Qemalit, shef i kabinetit të Ismail Qemalit. Poashtu, duhet përmendur edhe Bejzat Saliun nga Ohri, i cili sipas pohimeve ka qenë telegrafist në Vlorë, (detyrë që e ka ushtruar edhe në Ohër)./ Memorie.al














