Nga Prof. Dr. ALEKSANDER MEKSI
Memorie.al / Libri “Shqiptarët”, është prodhim i penës së një personaliteti të fuqishëm, me përgatitje të gjithanshme, që zotëronte disa gjuhë të huaja, me një kulturë enciklopedike, i Mit‘hat Frashërit, i njohur në letra me pseudonimin “Lumo Skëndo”, i cili bënte dallim të dukshëm nga intelektualët dhe patriotët bashkëkohës. Si pinjoll i fundit i familjes së shquar kombëtare, të Frashëllinjëve, Mit‘hat Frashëri, nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do të ecte në rrugën e të parëve të tij, që jetën, aftësitë dhe talentet i shkrinë për atdheun, duke u kthyer në simbole të patriotizmit e të kulturës kombëtare.
Njësoj si Samiu, Naimi e Abdyli, ai do të ishte në ballë të luftës për zgjim kombëtar, për liri e përparim të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë dhe do të ndikonte fuqishëm me veprimtarinë e dendur politike e publicistike për ta kthyer Shqipërinë feudale, me mendësi të Perandorisë Osmane në kulm të dekadencës, në një vend të zhvilluar, që do të bashkëjetonte në harmoni me fqinjët e saj, gjithnjë pretendues. Ai nuk rendi pas pasurisë, por u përpoq për Shqipërinë dhe përparimin kulturor të vendit.
Vepra u publikua për herë të parë në gjuhën frënge në vitin 1919, me titullin origjinal “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”. Ajo është përkthyer nga Ferdi Tirana, e botuar nga Shtëpia Botuese “Zenit” në vitin 2002, e cila duhet përgëzuar për këtë nismë me vlera. Libri iu dërgua në formë esseje ballkanistit të shquar, Eugene Pittard, profesor në Universitetin e Gjenevës, me pretekstin e “verifikimit të vlerave” të veprës së tij, te një historian i njohur.
Por, përveç kësaj, mendoj se ishte dhe një tërheqje vëmendjeje, një apel që u bëhej autoriteteve shkencore evropiane, në prag të Konferencës së Paqes, për mbrojtjen e çështjes së nëpërkëmbur shqiptare nga Fuqitë e Mëdha në hartimin e Traktatit të Paqes, pas rënies së siparit të Luftës së Parë Botërore.
Mit‘hat Frashëri kishte qëlluar në shenjë; Pittard u bë një nga mbrojtësit e flaktë të çështjes shqiptare. Ai përgjigjet: “Presidenti Willson është sot arbitri i botës. Ai ka në shkallën më të lartë sensin e drejtësisë. Uroj me gjithë zemër që ju, me anë të historisë, të mund t‘i ngjallni atij interes për Shqipërinë dhe për fatin e saj. Po kështu, edhe të gjithë Aleatëve bashkë me të, gjë që është e domosdoshme për sigurimin e të drejtave tuaja.”
Nuk e dimë nëse Mit‘hat Frashëri ua shpërndau veprën e tij delegacioneve në Konferencën e Paqes, por është fakt se vetëm Presidenti amerikan, Willson, këmbënguli në të drejtën e popullit shqiptar, për të pasur një shtet në kufijtë e tij natyror, e drejtë që u mohua nga makinacionet e vendeve evropiane, të lidhura për interesat e tyre me fqinjët tanë oreks-mëdhenj. Veprën “Shqiptarët”, autori, sigurisht që duhet ta kishte punuar prej kohësh, sepse krijime të tilla kërkojnë vite të tëra pune kërkimore dhe studimore nëpër arkiva, biblioteka dhe kancelari, por ai e nxori në dritë vetëm atëherë kur duhej për vendin.
Më vonë, “materialet” që kishin “lindur” dhe frymëzuar essenë “Shqiptarët”, të plotësuar dhe të zgjeruar, “pa ndërhyrje dhe komentime”, autori i botoi në revistën që drejtonte vetë, “Dituria”, nga viti 1919, deri në vitin 1930, në një rubrikë të veçantë, që pritej me shumë interes nga lexuesi i kohës. Ndonëse e shkruar afro një shekull më parë, vepra “Shqiptarët” ka një kompozim tërheqës dhe sot.
Në të janë shkrirë në një formë të veçantë ngjarja dhe fakti historik dhe shënimet e udhëtimit me ngjarje dhe ndodhi nga më të ndryshmet, dhe raportimet e një konsulli mendjemadh e dritëshkurtër, dhe një agjent tregu që rendiste të dhëna ekonomike, tregjet e zejet, me synimin se ç‘mund të shitej e të blihej, në këtë vend të pasur nga burimet ekonomike.
Por në vepër kemi edhe shënimet e një studiuesi, që mblidhte fjalë e shprehje të një gjuhe të rrallë që nuk e klasifikonte dot, doke dhe zakone të një komuniteti origjinal me gjen aristokratik, deri atëherë i harruar dhe i panjohur në mes të Evropës. Larmia e formave të “lëndës së parë”, nuk e ka penguar autorin që t‘i vërë me paanësi në një emërues të përbashkët, duke krijuar një vepër homogjene, edhe pse shkrimet përfshinin një hark kohor prej disa shekujsh.
Pra, ishte një “material” i veçantë, historik, letrar, shkencor etj. Gjithsesi, qëllimi i hartimit dhe i publikimit të saj mbetej i njëjtë; nëpërmjet thënieve, konsideratave të të huajve, objektive dhe dashamirëse të kombit, t‘i bënte të vetëdijshëm shqiptarët për intelektin, forcën, karakterin, energjitë e tyre, që jo vetëm mund ta nxirrnin vendin nga prapambetja, por ta bënin atë “më të bukurën e të bukurave”.
Ata jo vetëm që nuk kishin gjë mangët nga popujt e tjerë, por shquheshin edhe për veti të çmuara, që ndonjë rast u mungonin atyre, si besa, ndershmëria, qëndresa etj. Lumo Skëndo nuk shkruan për të magjepsur, por nga halli që e kishte zënë popullin, që siç thotë bashkëkohësi i tij i madh, Fan Noli, “pranë dijes i panxënë, pranë sofrës i pangrënë”, hall që vazhdon dhe sot, por tashmë si një dëshmi absurde në shërbim të fqinjëve dashakeqës e, larove të tyre në politikën shqiptare.
Sigurisht, autori me tendencë ka renditur vetëm thëniet e mira, konsideratat më pozitive për ta, aq sa veprën mund ta quajmë një katalog të vetive të spikatura të shqiptarëve dhe kjo jo për t‘u mburrur apo për krenari, që është gjithashtu, një veti e shqiptarëve, të cilën e hasim dhe tek arbëreshët e Italisë. Mund të duket edhe ndonjë ekzagjerim a hiperbolizim, por të vërtetat janë të sakta dhe të verifikueshme.
Veçse jemi të vetëdijshëm; shkrimet kundra janë më të shumta, plot shpifje, ekzagjerime e shtrembërime, që vijojnë dhe sot me perifrazime OJQ-sh dhe liderësh. Armiqtë tanë i kishin mundësitë dhe mjetet për të nëpërkëmbur kombin shqiptar, që kalonte nga kriza në krizë, nga konflikti në konflikt, shoqëruar nga varfëria kronike dhe hemorragjia e përjetshme – emigracioni.
Zmadhimi i të këqijave, fyerjet dhe denigrimet në shekullin e XIX-të, kur formohen shtetet ballkanike, por edhe më parë e më pas, përgjithësisht gatuheshin në kuzhinat e shovinistëve fqinj apo të miqve dhe mbështetësve të tyre evropianë. Në këto sipërmarrje të zeza nuk pati munguar dhe atëherë “ndihma” e politikanëve vendas, të cilët gjithnjë kanë qenë të zellshëm për t‘i vënë kazmën vendit të tyre, më shumë se vetë pushtuesit, mjafton që të përfitonin.
Edhe sot, në kohën e televizionit dhe internetit, nuk mungojnë shpifjet, trillimet, shtrembërimet, ndonëse më të sofistikuara dhe më të shumëfishuara, por, që nuk lënë përshtypjet e dikurshme. Televizioni, masmedia elektronike ka zhdukur në të njëjtën kohë kufij të kohorë dhe vendorë.
Një nga mendimet që përfton qysh në leximin e parë të veprës, është fakti se asnjë popull në Evropë, nuk është përpjekur e munduar për liri dhe pavarësi, kaq shumë dhe kaq gjatë sa populli shqiptar. Vetëm tani, pas afro një shekulli kur u shkrua kjo vepër, duket se shqiptarët, po munden të jenë më pranë realizimit të një pjese të ëndrrës së tyre të dikurshme.
Çdo vepër me karakter historik, vlerësohet në shumë drejtime, nga dokumentet që ofron, nga mendimet që kumton dhe nga vërtetësia me të cilën ajo sjell kohën për të cilën flet. Vepra “Shqiptarët”, vërteton thënien se historia është pjesë e së sotmes dhe të ardhmes. Ajo ka me të vërtetë një rezonancë të fuqishme aktuale dhe nuk është vështirë të vësh re se mjaft dukuri të së sotmes, gjejnë shpjegim në të shkuarën.
Në kushtet e eksodeve dhe emigracionit masiv, të papunësisë dhe mungesës së perspektivës, shqiptarët janë të detyruar të dalin nga natyra e tyre dhe në kushtet e varfërisë ekstreme dhe të depresionit, të bëjnë edhe veprime jashtë kodeve dhe konstitucionit të tyre moral e historik, të pakta në numër, por që amplifikohen nga të huajt e interesuar për keq.
Prandaj, edhe autori, më tepër sesa prezantimin e veçantive natyrore, gjeografike, politike, ekonomike e fetare i kushton më shumë vëmendje cilësive shpirtërore të shqiptarëve, figurave të ndritura në botë, kontributi i tyre veçanërisht në kuadrin e Perandorisë Osmane dhe në vendet fqinje.
Numeracioni është i pasur; shqiptarët e mëdhenj kanë bërë histori gjithandej, kanë qenë Papë, Perandorë, strategë ushtarakë, familje mbretërore, 35 Sadrazemë (Kryeministra) të Perandorisë Osmane, qindra Pashallarë, Dukër dhe Kontër në Evropën katolike, themelues shtetesh, Mehmet Aliu-Egjipt, heronj revolucionesh, si në Greqi dhe Rumani… sa shumë. Shqiptarët ishin të mirët e botës dhe të zitë e vetes.
Nuk është zor të kuptosh se Turqia kishte ushtruar pushtetin e saj sovran në Shqipëri dhe më tej me vetë shqiptarët që punonin për të, që më shumë se kombëtar, kishin vizion perandorak. Duke e ditur këtë fakt, për të larguar rrezikun e mundshëm të zgjimit të tyre kombëtar, perandoria u bëri pjesë në tortën e pushtetit, një pushtet që shtrihej në tri kontinente dhe po mbijetonte në shekullin e XX-të, falë rivaliteteve të superfuqive të kohës.
Prandaj, është e shpjegueshme edhe shkëputja e vonuar e Shqipërisë, që më tepër ishte një sakatim i trojeve të saj. Në kohën kur jetonte Mit‘hat Frashëri, periudha e fundit e Rilindjes Kombëtare, Shqipëria për shumë të huaj, më tepër perceptohej nga bëmat legjendare të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, dhe nga tregimet ekzotike për Ali Pashë Tepelenën.
Autorët e huaj, të cituar, komentuar dhe perifrazuar, të tërë vënë në dukje një fakt: Shqiptarët kanë një identitet (fjalë në modë sot) që është i qartë e i dallueshëm nga fqinjët dhe sunduesit, ata janë trima; pikërisht kjo cilësi i bëri ata ushtarë jo vetëm në krahina të ndryshme të perandorisë, por edhe të mbushnin legjione të tëra pranë mbretërve dhe princërve si në Itali, Spanjë etj.
Ushtarët shqiptarë apo mercenarët, rojat apo shërbëtorët, shoqëruesit apo udhërrëfyesit, ishin më të preferuarit në ato kohë, sepse përveç trimërisë, kishin edhe veti të tjera të çmuara si: ndershmërinë, besnikërinë, të zellshëm dhe të durueshëm, plot energji të pashtershme për t‘u ringjallur dhe për t‘u përtërirë. Shqiptari zgjidhte këtë “zanat” për të mbijetuar e, për të mposhtur varfërinë që i siguronte vendlindja, por kurrë nuk ka qenë barbar dhe agresiv apo i dhunshëm, veti që spikasin në shumë nga shkrimet e përzgjedhura në vepër.
Shqiptarët e kanë shumë të fuqishme ndjenjën e familjes. Përpos atyre që janë shkruar apo thënë në kanunet apo në të ashtuquajtura “ligje të maleve”, familja shqiptare ka një organizim të veçantë, ku mbretëron rregulli dhe rendi i sendeve, ndjenja e solidaritetit dhe e sakrificës midis anëtarëve. Për mbijetesën e familjes, shpesh burrat marrin rrugën e mundimshme të mërgimit për vite të tëra. Dhe kursimet e pakta, të tëra, i sjell në familjen e tij të madhe. Kulti i familjes është i pandarë nga kulti i shtëpisë, i vatrës apo oxhakut, një veti që spikat edhe sot në të gjithë vendin.
Një vend të dukshëm, Lumo Skëndo, i ka kushtuar shqiptarit si punëtor, si blegtor i mirë, si bujk i ditur, si punëtor ndërtimi që guxonte të merrte përsipër dhe vepra të mëdha kulti që sot janë kthyer në monumente të kulturës botërore. Në këto ndërtime spikasin emrat e dhjetëra arkitektëve të famshëm, duke filluar qysh nga arkitekt Kasemi. Dihet mirë se blegtoria, ndërtimtaria dhe shërbimi ushtarak me pagesë ishin profesionet bazë të shqiptarëve përgjatë mesjetës dhe në ushtrimin e tyre ata u dalluan e krijuan traditë, edhe pse ato profesione ishin më të vështirat. Një cilësi tjetër që del nga të huajt dhe që autori i ka lënë vend në vepër është edhe mungesa e fanatizmit fetar te shqiptarët.
Lumo Skëndo ka një pendë të zhdërvjellët dhe shkruan një prozë të gjallë dhe dinamike, plot nerv dhe temperament. Disiplinat e ndryshme janë shkrirë në një dhe ne e lexojmë me kënaqësi; edhe si histori ekzotike edhe si tregim bashkëkohor, edhe si traktat etik a sociologjik. Ky është tregues i një talenti dhe eruditi të madh, që nuk e zotëron kushdo edhe sot në kohën kur letërsia dhe artet kanë hequr barrierat midis tyre dhe janë gjithnjë në kërkim të identiteteve të reja.
Mit‘hat Frashëri i ka parandier “rrymat e ardhshme”. Në formë të tërheq vëmendjen edhe raporti i bukur i faktit historik dhe komenti apo trajtimi i mençur dhe objektiv që i bën autori. Çdo gjë është e saktë dhe në vendin e vet, bindës dhe argumentues. Tregimet e vogla, ndodhitë e një udhëtimi të vështirë, stoicizmi dhe ndershmëria e shoqëruesi shqiptar, mund të shërbejnë si pikënisje, si nxitje për vepra origjinale në prozën e shkurtër.
Botime të tilla kanë vlerë të pallogaritshme për shqiptarët e këtushëm, por edhe më tepër për ata që kanë zgjedhur mërgimin. Një vlerë të veçantë, libra të tillë kanë dhe për të huajt, e sidomos për ata që duan të njohin Shqipërinë e shqiptarët, siç janë në të vërtetë. Por një vlerë më të madhe në këndvështrimin patriotik kanë dhe për ata që përgojojnë Shqipërinë dhe shqiptarët për llogari të të huajve, në këto vite të trazuara të evropianizimit të Ballkanit që nuk po i duket fundi, e të kërkesës për zgjidhje të çështjes shqiptare, që kohët e fundit nuk po e dëgjojmë të flitet në të dy anët e kufirit të përbashkët (duket ka ende vlerë parimi arbëror: më mirë i pari i fshatit se i dyti në qytet).
Ky libër të shtyn të mendosh se si shqiptarët e sotëm, ashtu dhe të huajt, lipset të njohin vendin dhe banorët e shekullit të XIX-të (pse jo dhe më parë) dhe fillimit të shekullit XX-të, nga penda e udhëtarëve dhe studiuesve të huaj, që kanë kaluar dhe jetuar në Shqipëri. Botimi shkencor i veprës së tyre, d.m.th. me komentar dhe hollësira sqaruese të nevojshme sot, do të ishte i dobishëm për Gillat me shokë që shkruaj në për llogari të qeverive të tyre dhe të fqinjëve tanë. Dhe jo vetë ata, por ne do të kuptojmë më mirë veten tonë, historinë tonë dhe të tjerët do të na njohin dhe kuptojnë më shumë. Në këtë mënyrë, do të hiqet dorë nga gjykimet shabllone keqdashëse apo jo të sakta, por edhe do të merren të dhëna dhe nga historianët e vjetër.
Për fat të keq, një punë e tillë është lënë në dorë të rastit dhe dashamirësisë e atdhetarisë së botuesve të veçantë, ndërkohë që strukturat shtetërore, nëpërmjet fondacioneve dhe programeve të hapura, duhet të mundësonin botime të tilla në nivel të lartë, një pjesë e mirë e ekzemplarëve të të cilëve duhet të kalonin në shkolla e biblioteka, përndryshe do të vazhdojmë të dëgjojmë përralla me shqiptarë, qoftë këtu e, qoftë në gjuhë të huaj me aspak dobi. Mendoj se ka ardhur koha që të kryhen studime për këto veçanti, karakteristika apo aspekte, shkaqet e lindjes së tyre, shtrirjen në hapësirën shqiptare, ndryshimet që kanë pasur në kohë dhe mbi të gjitha rrugët e luftimit të tyre dhe pasojave të veprimit të tyre.
Po kështu, duhet të ketë studime, me të dhëna të sakta për veprime e dukuri negative (krahas atyre pozitive) të shqiptarëve në dhe të huaj e këtu dhe jo përralla OJQ-sh të mirë-paguara. Rezultatet e këtyre studimeve, duhet t‘i bëhen të njohura si opinionit publik vendas, ashtu dhe të huajve, sepse ekzagjerimi i dukurive negative ndikon në zhvillimin e vendit, integrimin në Evropë dhe në përgjithësi në qytetërimin përparimtar.
Shqiptarët kanë treguar gjatë historisë të tyre të trazuar, por po tregojnë dhe sot, se janë një popull i veçantë me fytyrë të tyren, me mendësi, doke dhe zakone të qarta, i dallueshëm nga të tjerët, por që ka ditur të bashkëjetojë me ta kur kjo u është dashur apo nuk shmangej dot, por asnjëherë nuk kanë synuar t‘i asimilojnë apo zhdukin ata. Shqiptarët, edhe pse me vështirësi, kanë ndryshuar e përparuar në kohë (më shumë ata që kishin kontakte me botën e përparuar, më pak ata të izoluar).
Një gjë e tillë shihet më së miri sot, kohë përmbysjesh të mëdha, veçse duhet bërë në mënyrë jo kaotike, por duke gjykuar çfarë është e mirë dhe e dobishme si për individin, ashtu dhe për shoqërinë. Në këtë drejtim, roli i shtetit me të vërtet ligjor e demokratik, krahas arsimit dhe kulturës në nivele me të vërtetë bashkëkohore janë dhe duhet të jenë udhërrëfyes dhe vendimtarë.
Thënie të ndryshme për shqiptarët dhe Shqipërinë:
“..Sa i bukur duket pranë tyre shqiptari me veshje të kuqe, tek vjen para nesh madhështor mbi kalin e vet, pushkën të vendosur anash shalës, me një pamje prej fitimtari dhe me ecje prej zotnije. Ai vjen nga Korça dhe pa asnjë pasuri tjetër përveç pushkës dhe trimërisë, shkon të kërkojë fatin në Stamboll. Ai do të bëhet zaptije, prefekt, ambasador, mbase veziri i madh dhe kudo do të mbajë rangun e vet”.
Viktor Berardi
“Qoftë Vezir i madh në Stamboll, apo bari në vetminë e Pindit, shqiptari është një aristokrat, një njeri i lirë, një fisnik”.
Rene Pinon (1917)
“Shqiptari është një popull fëmijë. Një shtytje energjike i duhet dhënë me kujdes, me mend në rrugën e rendit dhe të arsimit dhe askush nuk mund të dyshojë se ai do të marrë shpejt vendin që i takon në mes të vendeve të qytetëruara. Të mos harrojmë se shqiptarët janë shumë të zgjuar”.
E. Reclues, Geographie universelle, Paris 1836
“Shqiptarët kanë jetuar shumë pak për veten e tyre. Veprimtarinë e tyre, gjakun e tyre, talentin e tyre e kanë përfituar fqinjët. Ata kanë flijuar esencën më të mirë të tyre për të mirën e të tjerëve”.
M. Bernardit
“Shqiptarët janë ndoshta raca më e bukur e Turqisë… do të gjesh midis tyre tipa të denjë për t‘u marrë si model për Afërditën dhe Apollonin”.
D‘Ami-Boue, Turqia evropiane. Paris 1840, vëllimi i dytë
“…se Shqipëria, tek e cila nuk ekziston asnjë mendim pushtimi, nuk synon gjë tjetër, veçse të ruajë kufijtë e saj historisë së kohës (kufijtë e saj të lashtë ishin më më të mëdhenj) dhe të reformojë në paqe Shtetin Shqiptar, i cili më mirë se në çfarëdo formë qeverisjeje, do t‘u sigurojë të gjithë qytetarëve të saj maksimumin e lirive individuale”./ Memorie.al
Eugen Pittard (1919)