Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Jo! u përgjigj, pra, Eqrem Vlora, për pyetjen time jo diskrete nëse huat italiane e kanë shndërruar Shqipërinë, në një shtet të bindur fashist. Çfarë duhej të përgjigjej ai? Ka natyrisht çaste, kur edhe një burrë i tillë i ndershëm, si Vlora, duhet të lejojë të vërtetën, t’i nënshtrohet qëllimeve të larta patriotike.
Por ai duhet të kishte thënë: po! Edhe pse kundër dëshirës, me gjithë kundërshtimin e tij, Shqipëria është pra në rrugë të rrëshqitjes, në pronë të Musolinit. Por duhet edhe të theksohet, se Roma, nuk ka një lojë të kollajtë me këtë popull të vjetër luftarak. Diplomatët fashist, kanë pas dhe kanë gjithnjë momente nervoze, për shkak të Shqipërisë dhe ndoshta mundet të shihet një rreze shprese, në këtë marrëdhënie. Tragjedia e madhe e Shqipërisë, qëndron në fakt, tek vetmia e saj. Nuk ka asnjë shtet, që interesohet për të, në atë mënyrë që të mundet të kthehet lirshëm, nga kthetrat e shantazhit italian. Dhe me gjithë këtë, që shumë shtete për shkak të sigurisë së tyre, duhet të kishin gjithë arsyet të interesoheshin, në një mënyrë më aktive.
Italia duket se sillet si të dojë, në këtë pjesën e rëndësishme të Ballkanit. Fjalë paralajmëruese, janë ngritur nga njohës të shquar të politikës së jashtme moderne, të paktën deri tani por më kot. Italia bën ato malet e pa pushtueshme, akoma më të pa pushtueshëm, nëpërmjet fortifikatave dhe pozicioneve, nëpërmjet rrugëve strategjike, parapërgatit një marshim italian, nëpërmjet propagandës, të ndikojë në atmosferën e popullit, në atë masë sa të dojë. Evropa rri urtë dhe shikon. Pyetje për hua refuzohen me një tallje keq ardhëse edhe pse Shqipëria, me gjithë qejf nuk do tjetër, veçse të shkëputet nga kamat-marrësja, në anën tjetër të Adriatikut. Evropa ka për të pas së shpejti, arsye t´i pendohet kësaj politike.
Ballafaqimi im i parë me këtë Shqipërinë italiane, ndodhi pikërisht këtu në “Kursal”. Mua më prezantuan me redaktorin e gazetës italo-shqiptare, një nga fjalë mëdhenjtë dhe frazave të bukura, të kalorësit të vogël, i cili nuk mund të ngushëllohej mjaftueshëm, që ishte detyruar të kalonte jetën në Tiranë, kur babai dhe nëna e tij, bënin jetë të këndshme dhe jetën e besimit fashist në Romën e bukur. Gazeta e tij, shtypej në Brindisi, si në shqip dhe italisht, e transportohej me aeroplan postar, për Tiranë. Ajo kishte një obligim propagandistik të rëndësishëm për të përmbush, por mu nuk më shpëtoi të konstatoja, që toni në kolonat e sajë, ishte mjaft i qetë. Makineria e propagandës fashiste, nuk guxon të shkruaj tepër ashpër, kur trajtohet fjala e shkruar. Atëherë është më mirë të ndërtosh rrugë dhe fortifikata, nën pretekstin e zbukurimit.
Redaktori italian fërkoi flokët e vajosur dhe tha:
-Shqipëria ka marrë një sasi paresh hua. Rezultati nuk ka munguar: miqësia midis popujve vëllezër të Italisë dhe Shqipërisë, është i thellë dhe i sinqertë.
Miqësia është e njëjtë sikurse midis shtypësit dhe viktimës. Çështja italiane, shqetëson gjithë popullin e Shqipërisë dhe përbën pengesën më të rrezikshme të mbretit Zog.
Interesi italian për brigjet shqiptare e ka prejardhjen prej kohës së synimeve ekspansioniste të perandorisë Romake dhe ka vazhduar pa ndërprerje, ta mbaj po atë qëndrim deri më sot. Kur pavarësia e Shqipërisë, pa dritën pas mbarimit të Luftës Botërore, Italia parandien shans të ri. Ky shteti i ri, kishte nevojë për pare, por nuk mund të gjente kredi. Roma vendosi shpejt t’i japë huan e parë. Në vitin 1925, u nënshkrua një marrëveshje, hua – bankare. U themelua një Bankë Kombëtare, ku 51 përqind të aksioneve, i mbajti ‘Credito-Italiano’ e filiali i sajë dhe më 1926-ën, i’u dha një hua amortizimi në 50 milion franga flori për qëllime ndërtimi, të cilat kontrolloheshin më imtësisht nga ajo, për arsye të veçantë të formimit të shoqërisë anonime, SVEA (Societa per lo Sviluppo Economico dell´Albania).
Por Roma natyrisht u interesua, që kjo të mos bëhej pa kundër rezultate. Një numër i madh trupash e inxhinierësh, hynë për të udhëheq konstruksionet e rrugëve të rëndësishme me karakter strategjik, sipas urdhrave sekrete, të dhënë nga ministria e luftës në Romë. Një komision ushtarak italian, mori në dorë stërvitjen e ushtrisë. Por në fakt 50 milion, nuk është fare ndonjë shumë e madhe, kur flitet për një punë të këtij dimensioni, për ç’ka bëhej fjalë. Më 1931-in, mbaruan paret dhe Shqipëria, kishte nevojë për kredi të reja. Roma qe prapë e gatshme, këtë herë me 100 milion franga flori, të cilat do të paguheshin, nga 10 milion në vit. Por për të bërë debitorin më bashkëkooperues, Italia e ndryshoi këtë marrëveshje.
Në vend të 10 milionëve për çdo vjet, jepeshin paret sipas rastit, diçka që në të vërtetë jepte gjerësisht mundësi më të mëdha, porsa i përket përqindjeve të kamatës dhe planeve të amortizimit e para së gjithash, një kontroll më të mirë mbi përdorimin e pareve. Dhe këtë kontroll e vuan në përdorim më së miri. Fortifikata hipermoderne u ngritën nëpër male, ura madhështore lidhën pika të rëndësishme, rrjeti rrugor u shtua milje pas milje. Në bujqësi dhe industri u investua shumë pak, se sa populli priste. Duhet të kuptohet se në çfarë pozicioni jashtëzakonisht të vështirë, ndodhej qeveria shqiptare.
Populli as nuk mund dhe as do ta kuptojë, se pse ndërtimet ushtarake, duhet të kenë përparësi para atyre ekonomike dhe kulturore. Mbreti Zog nga ana e tij, duhet të zbatojë kushtet e huas, ato sekrete dhe ato zyrtaret. Fshatari sheh aeroplanët elegantë italian të trafikut, të cilët ushtojnë midis Tiranës e Shkodrës dhe mendon, nëse nuk do të ishte më mirë pa aeroplanë, por me takse më të ulëta. Qytetarët vështrojnë oficerët elegantë italian dhe mendojnë, pse nuk kanë ardhë ekspertë neutralë ushtarak, për të marrë në dorë stërvitjen e ushtrisë. Për Mbretin Zog është e nevojshme ta ketë mirë me të gjithë palët. Në të gjitha rrethanat ai ka, pra, përparësinë që të mund të dëshmojë, për ngritjen kulturale dhe ekonomike, që pa asnjë dyshim ka ngjarë edhe pse, kjo ngritje do të ishte më e madhe me, si p.sh. një ushtri më pak të shtrenjtë.
Por kjo është fare e natyrshme, që Shqipëria liridashëse, nuk kënaqet me këtë miqësinë e detyruar italiane. Urrejtja për të huajt rritet gjithnjë e më shumë. Deri diku duhet edhe të fillojnë për të dëgjuar zëra jugosllave dhe të hetojnë nëse me anë të ndihmës së kësaj fuqie, t´i shpëtoj influencës italiane. Bëhen edhe përpjekje me ato mundësi që janë, t´u nxjerrin italianëve vështirësi të ndryshme. Krejt pa pritur u shpall një dekret, sipas të cilit shteti shqiptar, mori për sipër të gjitha shkollat private, pra edhe ato italiane, të cilat krejt natyrshëm përbënin pikëmbështetje të mrekullueshme, për propagandën fashiste.
Mbreti Zog, i cili krejtësisht pa dyshim është një burrë i fortë, i një kalibri të jashtëzakonshëm, ka mund edhe të veprojë në mënyrë, që komisioni ushtarak italian, të largohet nga vendi. Por liridashja merret me gjëra të jashtme të pa rëndësishme, me qëllim qetësimi të opinionit të përgjithshëm. Realiteti është se pozita e Italisë, është e njëjtë ose këto vjetët e fundit, akoma edhe më shumë është përforcuar. Çfarë mund të bëjë Mbreti Zog? Pjesa më e madhe e pakrahasueshme nga eksporti i Shqipërisë, konsumohet nga Italia. Shtetet e tjera të mëdha evropiane, tregohen gjithnjë të pa interesuar për ndonjë dhënie krediti.
Nën këto kondita qëndrimi i prerë i Shqipërisë, gjatë shumë të përfolurës vizita e flotës italiane, në Durrës më 1 qershor 1934, duhet të zgjojë përkushtim, respekt dhe admirim. Një vizitë e flotës së huaj, duhet sipas etiketës internacionale të paralajmërohet në kohë. Në mëngjesin e 1 qershorit, ministri italian kërkoi audience tek Mbreti Zog dhe lajmëroi, se një pjesë e madhe e flotës italiane, do të bëjë një vizitë në Durrës brenda 20 minutash. Njëkohësisht ministri ç’frytëzoi rastin të paraqesë disa kërkesa: shkollat italiane, duhet të hapeshin prapë, komisioni ushtarak të lejohet të kthehet, pakti Ballkanik të mos përkrahet, konçensioni i trafikut ajror të zgjatej. Kërcënimet e ministrit nuk ishin fjalë boshe. Pas një gjysmë ore, erdhi një lajm telefonik prej Durrësi: një numër i madh vaporësh të mëdhenj ushtarak, kryqëzor dhe vaporë gjuajtës, kanë hedhur spirancat në molo. Qytetin po zinte nga psikoza e panikut.
Nuk është e kollajtë të thuash, se çfarë mendonte Mbreti Zog dhe këshilltarët e tij në ato momente. Por çfarë bënë ata, qe një mrekulli e madhe. Qe sikur shpirti i Skënderbeut, prapë u ringjall, sikur rezistenca e dëshpëruar e heroi kombëtar, kundër një superfuqie shumëfishëse turke, paraqitet në ndonjë vizion inkurajues. Ministri mori një përgjigje kategorike, ‘jo’, të kërkesave të tij. Shefi i mbrojtjes së bregdetit në Durrës, mori një urdhër të shpejtë: çdo përpjekje për zbarkim në tokë, do t’i përgjigjesh me kundërshtim të armëve! Dhe ndërsa kryqëzorët e mëdhenj ushtarak, atje në ankorim kanë drejtuar topat e fuqishëm drejt qytetit, komandanti i Durrësit, në krye të një trupi, drejtohet për në port dhe zuri post në skele.
Atje më tutje gjendej siç thash ajo flota, që një ekspert marine anglez, e ka cilësuar si më e rrezikshmja dhe më modernia e Evropës. Komandanti, natyrisht duhet t´a ketë pasur krejt të qartë, se po të fillonte pushka, çdo rezistencë ishte e kotë. Por kjo është njëherë kështu, se një shqiptar kurrë nuk dorëzohet vullnetarisht, superfuqia e armikut, kurrë nuk është aq e madhe për të. Nga pikëpamja morale, komandanti kishte në dorë nderin e atdheut të tij dhe për këtë nder, mendonte edhe të luftonte, sado e pashpresë të dukej lufta. Vaporët lëshuan një numër barkash në det dhe pushkët e marinarëve shkëlqyen në diellin e fortë të qershorit. Barka e parë u lidh në skelë. Qe një minutë historik.
Komandanti thërret:
-Unë kam urdhrin e qeverisë! Ndal ose unë do qëlloj!
Mbrojtësi i Durrësit dhe oficeri italian i marinës, i cili kishte komandën e barkës parë, i ngulën sytë njëri tjetrit. Pastaj oficeri dha urdhër, që të ktheheshin prapë për në vaporin luftarak dhe barkat e tjera, ndoqën shembullin e të parës. Instruksionet nuk ishin aq të qarta. Admirali nuk e pati parashikuar trimërinë e komandantit, kur ai kishte urdhëruar një marsh paqësor, por respekt tregues nëpër rrugët e qytetit. Admirali mendohet thellësisht dhe me sa duket me siguri dërgoi një radiogram në Romë.
Më pastaj zbarkimi u anulua. Vizita kërcënuese e flotës, shkaktoi një sensacion të vogël në shtypin botëror dhe Italia u kritikua me fjalë të ashpra dhe të hidhura, për sjelljen mendjemadhe të saj. Il Duçe, u detyrua të bëj një deklaratë zyrtare. Unë besova se me të vërtetë, ne ishim aq miq të mirë me shqiptarët, që ne mund të bënim pak lëshime në formalitetet, tha diktatori, por nuk korri ndonjë sukses me ato fjalë. Qe Shqipëria, e cila qeshi nga kjo. Dhe atmosfera anti-italiane, mori më shumë gjallëri.
Rezultati i vendosmërisë së sjelljes së Shqipërisë, përballë topave të vaporeve luftarake italiane, u bë një zbutje e konsiderueshme e kërkesave, të paraqitura nëpërmjet ministrit në Tiranë. Përsa i takon shkollave, Mbreti Zog pranoi një kompromis: shkollat italiane, nuk do të rihapeshin, por gjuha italiane, të futej e obliguar në të gjitha shkollat shqiptare. Kjo qe në fakt e gjitha, që u arrit dhe në Romë, mallkuan me një potere të madhe, mbi këtë këmbënguljen shqiptare.
Por edhe pse Musolini, këtë herë t’ue marrë parasysh armiq më të fuqishëm, nuk guxoi të veprojë plotësisht dhe të ndërmarrë një okupacion të rregullt, por ngjarja hodhi një dritë të pamëshirshme, mbi qëndrimin e diktatorit, kundrejt Shqipërisë dhe mbi të drejtat italiane në këtë vend. Ai u referohet nevojave të ekspansionit italian, ky ekspansion i çuditshëm, i cili siç dihet, qëndron më lart se të gjithë ligjet morale. Fjala mistike ekspansioni, justifikon çdo gjë, sipas pikëpamjes italiane.
Nuk e kanë llogaritur vetë shqiptarët, se vendi i tyre, mund të ushqej një katërfish më shumë banorë? Kjo ofron pra, mundësi të shkëlqyera, për një vërshim imigrantësh italian në të ardhshmen. Kjo është e një rëndësie të madhe, për arsye të pozitës strategjike. Italia mundet me e fut Shqipërinë krejtësisht në dorë, kështu njëkohësisht ka formuar një kufi tokësor, jashtëzakonisht të vlefshëm kundrejt Jugosllavisë. Dhe kështu që Shqipëria, ka nevojë të madhe për civilizacion. Nga civilizacioni italian, nota bene.
Se çfarë nënkuptohet me civilizacion modern Italian, e kemi marrë vesh neve të gjithë këto ditë. Shqiptarët janë në shumë pikëpamje, shumë më lart si popull se italianët, por jo më pak i mëshojnë gjithnjë asaj “nevojës së civilizimit”. Mund të thuash se nuk ka ndonjë komb, që e ndien veten kaq të indinjuar moralisht, mbi atë që populli abisinian, ecën me këmbë zbathur sikurse Italia, gjithashtu nuk ka as edhe ndonjë komb, i cili është aq i tronditur, deri në atë gradë mbi rastet e gjakmarrjes ose incidentet e revoltave të kota shqiptare.
Vetëm me ndihmën e Italisë, mund të bësh njerëz edhe nga shqiptarët. Dhe se kjo pikëpamje përbën një pjesë shumë të rëndësishme të propagandës fashiste, kështu në bisedë me italian, të paraqesin një pamje mjaft të veçantë, për popullin shqiptar: një popull i ulët barbar me karakter të dobët, por fal civilizacionit fashist dhe efektivitetit të shëlbimit të botës, një herë do t´i shndërrojë në njerëz punëtorë dhe të dobishëm. Është prandaj dhe vetëm prandaj, që Italia është e gatshme në shërbim me pare dhe këshilla, në këtë mënyrë kaq bujare.
Thuaj pastaj, se nuk ka raste, kur civilizacioni mund të shkatërrohet më barbarisht se barbarët!
Që Shqipëria nuk ka mund të pakësoj influencën italiane në mënyrë vendimtare, dëshmojnë ngjarjet e kohës së fundit. Lajme nga Greqia, thonë se qeveria shqiptare i ka dhënë leje Romës, të përforcojë disa krahina bregdetare, në afërsitë e Vlorës dhe Sarandës, fortifikata shumë të rëndësishme, ku ngushtica midis ishullit Sazan, i cili është italian dhe tokës shqiptare, përbën çelësin e detit Adriatik. Me këtë ngushticë në dorë të tij, Il Duçe, “tapon” fare Adriatikun, në çdo çast që ai të dojë. Me të vërtetë informacionet greke, përsa i përket situatës shqiptare, duhen marrë me shumë kujdes, por s´ka ndonjë tym, kur s´ka pas zjarr. Refuzimi i Shqipërisë të mbështesë sanksionet kundrejt Italisë, është një shembull tjetër. Si mund të mos refuzonte? Por tani nëse jo përpara duhet, që italianët me të vërtetë të jenë të kënaqur, nga ullinjtë shqiptar dhe nga djathi i dhive shqiptare.
Politika italiane përbën pra rrezikun e madh, për pozitën e Mbretit Zog. Monarku shqiptar me të vërtetë nuk e ka të lehtë. Brenda vendit bajraktarët e malësisë, rivalizohen për pushtetin, kurse nga ana tjetër e Adriatikut, shantazhi me qesen e parave. Urrejtja për Italinë rritet në fuqi për çdo ditë dhe simpatizuesit e Jugosllavisë, fitojnë terren. Aktin e ekuilibrit, që Monarku shqiptar ka mbajt dhe mbanë, është një numër imprensionues i artit virtuoz. Kjo tregon se Mbreti Zog, justifikon një karakteristikë e cila shpesh, i ka ra atij për pjesë: koka më e ndritur brenda politikës moderne të Ballkanit.
Jo pak demonstron ai politikën e tij elastike, brenda shtypit mjaft të censuruar. Kur Shqipëria tani në fund mori 3 milion nga huaja e madhe 10-milionëshe, u ballafaquan banorët e Tiranës, me një artikull në “Besa”, e cila sigurisht bëri të shtrembërojnë buzët. Ka të ngjarë që edhe Mbreti Zog vetë, ka qesh.
“Besa” shkroi:
“Krejtësisht spontanisht dhe si një shenjë për miqësinë e thellë, e cila mbretëron midis dy vendeve tona, qeveria italiane ka pasur mirësinë, të vejë në dispozicion të vendit tonë 3 milion franga flori.
M.T. Mbreti Zog, në emër të popullit i ka dërguar një letër kryeministrit italian, ku ai e falënderon, për ndihmën bujare të Italisë dhe nënvizon, vendosmërinë absolute të lidhjeve miqësore dhe interesin reciprok, që bashkon popullin e Shqipërisë, me atë italian”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016