Memorie.al publikon një studim të panjohur të historianit dhe albanologut të famshëm gjerman, Johan George von Han, i cili pas hulumtimeve të shumta bërë vite me radhë, në librin e tij me titull “Shqipnia tash njëqind vjet”, ka pasqyruar me detaje dhe hollësira të gjithë situatën ekonomiko-politike të Shqipërisë, që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII dhe dhjetë dekada më pas. Nga ai libër, pjesë të të cilit u botuan fillimisht në vitin 1943 nga revista periodike “Leka” që dilte në Tiranë, kemi përzgjedhur disa kapituj, që po i botojmë më poshtë në këtë shkrim, duke i përshtatur në gjuhën e sotme.
Albanologu gjerman Johan George von Han: Eksportet e drithërave dhe lëkurëve
Na duket me vend ta plotësojmë këtë shkrim edhe me disa vërejtje mbi artikujt kryesorë të eksporteve që kemi përmendur më lart. Eksportimi i misrit dhe i prodhimeve të tjera bujqësore mund të ishte më i madh po të zbatoheshin krejtësisht reformat me legjislacionin e Tanzimatit dhe traktatet e nënshkruara, të cilat i siguronin çdo shtetasi lirinë tregtare. Përkundrazi, shpesh herë eksportimi i drithërave bllokohej, gjë e cila vinte nga kundërshtimet e sundimtarëve dhe interesave të tyre. Një rëndësi të madhe kishte eksportimi i lëkurëve. Lëkurat e dhelprave, vjedullave dhe shqarthit, për t‘u përpunuar më tej, dërgoheshin në Bosnjë dhe prej andej vinin në Shkodër dhe në vende të tjera të Rumelisë (pjesa e Turqisë që shtrihet në kontinentin evropian, shënimi ynë), sipas nevojave që kishin ato vende. Kufizimi i eksportit të lëkurëve të lopës, cjapit dhe dashit, varej nga përdorimi i tyre për opinga dhe nevoja të tjera që kishin vendet që i importonin. Për përpunimin e atyre lëkurëve ishin ngritur dhe punonin disa fabrika në Prizren, Pejë, Gjakovë, Shkup, Ohër, Manastir dhe Shkodër.
Vaji i ullirit dhe gjuetia e peshkut
Vaji i ullirit i qarqeve të Ulqinit dhe të Tivarit eksportohej në Austri, ndërsa ai që prodhohej në Lezhë, shkonte i gjithi për nevojat e vendit në Shqipëri. Gjuetia e peshkut ishte një e drejtë monopol i qeverisë, e cila ia jepte të drejtën ndonjë sipërmarrësi, i cili duhet të paguante 100000 piastra (kartëmonedhë e kohës), në vit. Prodhimi vjetor i kalonte nevojat e vendit dhe kështu që ai çohej nëpër krahinat e tjera më të afërta. Po kështu edhe gjuetia e saragave (sardeleve, shënimi ynë), ishte gjella e zakonshme e popullsisë katolike për festa. Në netët e errëta të vjeshtës, fshatarët që banonin në bregun e liqenit, ndiznin zjarre të mëdhenj. Kjo bëhej me qëllim për të tërhequr drejt bregut tufat me sardele që vinin me shumicë në disa vende të veçanta të ngritura enkas nga peshkatarët, të cilat më pas me rrjetat e tyre i kapnin ato pa vështirësi. Prodhimi vjetor i sardeleve shkonte në rreth 2 deri në 3000 okë, e cila përveç një sasie të vogël, eksportohej e gjitha në Dalmaci dhe në Itali. Ndërsa sasia që mbetej për nevojat e vendit, shitej në Shkodër dhe rrethinat e saj me ½ grosh oka. Vendi më i pasur me sardele ishte bregu i Malit të Zi, kështu që gjuetia e sardeleve ishte një nga aktivitetet më fitimprurëse dhe të majme të Vladikës. Edhe në kohërat e luftërave në mes Stambollit dhe Malit të Zi, kur në vend mbizotëronin vrasjet, djegiet, plaçkitjet e tmerret e luftës, bregu i liqenit gëzonte një qetësi të madhe. Dhe shqiptarë e malazezë gjuanin bashkërisht peshk dhe fitimin e ndanin si vëllezër. Qefulli gjendej me shumicë jo vetëm në liqenin e Shkodrës, por edhe në liqenet e tjerë më të vegjël që ndodheshin në anën e djathtë e të majtë të Bunës dhe ai shitej deri në 1 grosh oka. Putarkat e qefullit thaheshin në diell dhe më pas eksportoheshin në Stamboll dhe Venedik. Më të mira ishin ato që kapeshin në muajin tetor, kurse ato që kapeshin në periudhën e verës ishin më të mëdha, por më pak të shijshme. Po kështu edhe ngjalat vinin me shumicë nga deti, sidomos në periudhën e vjeshtës. Peshkimi i tyre bëhej duke ngulur në lumin Buna (në vendin afër urës që gjendet te pazari), disa vargje hunjsh, të vendosura në një kënd të mprehtë 30 gradë, me majë nga deti. Krahët e koshave ishin të mbyllura dhe ndërsa uji kalonte, ngjalat ngecnin brenda rrjetës apo thesit që vihej nga peshkatarët në majën e koshave. Në këtë mënyrë ngjalat që donin të dilnin nga liqeni për në drejtim të detit, binin në ato kosha.
Tregu i mëndafshit në Shkodër
Shkodra ka qenë dikur edhe një treg i mirë i mëndafshit, madje ndër më të mirët e Rumelisë, por aty nga viti 1830 pësoi një rënie të madhe, e cila erdhi si shkak i konkurrencës së madhe të bërë nga fabrikat e Selanikut dhe të disa firmave tregtare franceze që operonin në Edrene (Adrianopuli). Aty nga viti 1845, nga Filipopoli, Ternovo, e sidomos nga panairi i Edrenesë, vinte në Shkodër një sasi e madhe mëndafshi, e cila punohej ose nëpër shtëpitë e shkodranëve, ose në 200 fabrikat e vogla që lulëzonin asokohe në atë qytet. Këto fabrika, popullsia e besimit mysliman i mbante si një monopol të tyre, dhe popullsia e besimit katolik ishte përjashtuar nga ai lloj aktiviteti industrial, edhe pse reformat e Tanzimatit ua lejonin atë gjë. Kjo u kishte sjellë katolikëve një dëm të madh, pasi përdorimi i mëndafshit dhe shitja e tij ishte shumë e përhapur. Në atë kohë, jo vetëm shtresat e pasura apo aristokratët, por edhe shtresat e mesme të popullsisë së Shkodrës, i përdornin shumë artikujt e mëndafshit, si: këmisha, facoleta, mbulesa shtretërish e tavolinash etj., dhe një sasi e madhe e këtyre artikujve eksportohej edhe në Bosnjë, Dalmaci, Trieste, Venedik etj.
Eksporti i lëndës drusore në Francë e Spanjë
Një rëndësi të madhe në atë kohë kishte edhe eksporti i shqemes, dru i cili gjendej dhe mblidhej sidomos në zonën e Mirditës. Më pas, rreth 100-150000 okë në vit dërgoheshin në Shëngjin, për t‘u eksportuar në Francë (Marsejë e Nicë), Spanjë (Barcelonë), ku i përpunuar në pluhur ai përdorej për prodhimin e bojërave të ndryshme. Çmimi i atij lloji druri ishte 3 pare oka, ndërsa gjethet e tij shiteshin shumë më shtrenjtë, duke arritur deri në 12 pare për okë. Kjo gjë vinte pasi gjethet e drurit të shqemes kishin një veti ngjyruese shumë herë më të madhe se kërcelli i drurit. Në kohët më të vjetra, një sasi e madhe lëndësh drusore për ngrohje dhe ndërtim eksportohej deri në Maltë e Tunizi. Por kjo lloj tregtie më pas u ndërpre për arsye të ndryshme që vinin nga politika e këtyre shteteve.
Tregtia detare e Shqipërisë së Veriut
Në tregtinë detare që zhvillohej në Shqipërinë e Veriut, pjesën më kryesore e zinin ulqinakët, të cilët këtë lloj tregtie e kishin ushtruar që në kohë të vjetra nën Turqinë. Gjë e cila kish bërë që ata të ishin tmerri i Adriatikut dhe me veprimet e tyre u kishin shkaktuar pakënaqësi të mëdha vezirëve të Stambollit dhe atyre të Shkodrës. Për këtë arsye, Stambolli kishte urdhëruar disa herë që të shkatërrohej e të rrënohej plotësisht flota e ulqinakëve, por gjithmonë ajo gjë kishte dështuar, pasi në momentet e fundit mbërrinte në kohë një kundër urdhër që anulonte të parin. Por një ditë, Sulejman Pasha, armik i deklaruar i ulqinakëve, porsa mori në dorë urdhrin e Portës së Lartë të Stambollit, veproi me shpejtësi të madhe, duke e djegur dhe shkatërruar të gjithë flotën e ulqinakëve që gjeti në gjirin e Valdanozit. Disa kohë më vonë, diku aty nga viti 1830, ulqinakët mundën të rindërtonin dhe rimëkëmbnin përsëri flotën e tyre, duke bërë që në vitin 1845 ata të kishin rreth 53 njësi të vogla, me 14 brigandina, 12 trabakuj, 20 fëllunga (lloje anijesh e varkash) e 7 barka të tjera, të cilat ishin ndërtuar të gjitha prej vetë ulqinakëve. Pjesa më e madhe e anijeve dhe e varkave që kishin ulqinakët merrej me transportimin e kripës dhe një pjesë tjetër (me personel krejtësisht shqiptar) merrej me transport udhëtarësh nga Ulqini në vijën Shkodër-Trieste, Shkodër-Venedik e anasjelltas. Kjo gjë bënte që flota e ulqinakëve t‘i krijonte një konkurrencë të madhe flotës tregtare të Austrisë. Të gjitha këto të krijojnë një habi të madhe, po të kihet parasysh se shqiptari, i cili larg atdheut të vet, mbi anijet luftarake dhe tregtare të Turqisë apo Egjiptit, u tregua detar i aftë dhe tepër guximtar, si Hydriot e Speciot, zemra e flotës greke, në atdheun e vet, duket se nuk ka për detin veçse një apati e ftohtësi të madhe.
Shqipnia etnike, Gjirokastra
Krahina e Gjirokastrës është ndër më interesantet dhe më të populluarat e Shqipërisë. Popullsia e saj, për nga ana e besimeve fetare, ndahet në ortodoksë e myslimanë. Ortodoksët gjenden në fshatrat e katundet e Lunxhërisë e të Rrëzës, ndërsa myslimanët gjenden në Nepravishtë, Kardhiq dhe Kurvelesh. Po kështu ajo ka dhe popullsi të përzier me myslimanë dhe ortodoksë, e cila gjendet në Gjirokastër dhe Labovë. Në Gjirokastër banojnë pronarët e tokave të fshatrave të gjithë asaj krahine. Shtëpitë e tyre janë ndërtesa të larta dhe të forta. Ndër katet e poshtme ato nuk kanë dritare, por vetëm disa frëngji. E kundërta ndodh me katet më të larta, të cilat janë të pajisura me dritare të mëdha dhe fusnin dritë e gjallëri brenda tyre. Oborret e tyre janë të rrethuara dhe të mbrojtura me muret e larta e me dyer të sigurta, të cilat e shpien vizitorin në fillim në një para oborr të vogël, prej nga ku, të zotët e shtëpisë nga frëngjitë e tyre shikojnë dhe kontrollojnë gjithçka. Porta apo dera tjetër mund të hapet nga të zotët e shtëpisë, vetëm pasi ata janë të siguruar se cilët janë miqtë dhe qëllimin e vizitës së tyre, e pastaj nga oborri ata mund të hyjnë brenda në shtëpi. Stili i këtyre ndërtesave, pak a shumë është i njëjtë me ato të kështjellave, pronë e shtresave aristokrate të Evropës Perëndimore në periudhën e Mesjetës. Edhe jeta e banorëve të tyre nuk është e ndryshme nga ajo e kreshnikëve të kohës së Mesjetës. Çdo zotni i përdorte të ardhurat e veta për të mbajtur sa më shumë shërbëtorë që të kishte mundësi dhe me ta të shkonte edhe në luftë kur t‘i dërgonte fjalë Sulltani, apo dhe të hynte në shërbim të ndonjë Pashe a zyrtari tjetër të Perandorisë Osmane. Ndër kohë të vështira, kur qyteti ishte ndarë në grupe të ndryshme që luftonin njëri-tjetrin (gjë e cila pothuaj ishte e zakonshme), secili zotni, i mbyllur në shtëpinë e tij, mundohej me pushkë dhe me barut, e me çdo mjet tjetër, që të dëmtonte kundërshtarët e vet. Por duke qenë se edhe ky ruhej mirë në shtëpinë e vet, këto luftëra zakonisht nuk ishin shumë të përgjakshme. Aty këtu fshatarët jepeshin edhe mbas plaçkitjeve, por kjo ndodhte me fshatarët e vegjël, dhe kur u qeshte shpresa për një fitim të madh dhe të fshehtë ajo ishte shumë më pak se bujaria e dikurshme e aristokracisë së Perëndimit.
Aristokracia e Gjirokastrës, si ajo e Perëndimit
Aristokracia shqiptare, përkundrazi, përveç luftës, merrej shumë edhe me pagesën e taksave dhe të dhjetat e monopoleve. Kjo ishte si një industri, një monopol i aristokracisë tonë (Perëndimit), gjë të cilën ata (gjirokastritët) e kryenin me një zell të madh e të papërshkrueshëm. Për këtë gjë u ngritën shoqëri të vërteta që pasqyronin natyrisht frymën politike të pjesëtarëve të tyre, duke shkaktuar edhe në këtë fushë një konkurrencë të dëmshme dhe të rrezikshme. Populli jetonte në shërbim të aristokracisë, si ushtarë a taksambledhës, apo duke u dhënë mbas blegtorisë, bujqësisë, tregtisë apo zejtarisë. Në shërbim të klasës aristokrate hynin zakonisht myslimanët, ndërsa të krishterët merreshin me punë të tjera. Kështu, popullsia e Libohovës dhe e Nepravishtës, si dhe ajo e anës lindore të luginës së Gjirokastrës, ishte e lidhur ngushtë me besimin, zakonet dhe grupimet politike të aristokracisë të qytetit të Gjirokastrës. Popullsia myslimane e Kardhiqit, si dhe ajo e krishterë e Hormovës, emër tashmë i famshëm mbas kërdive mizore të Ali Pashë Tepelenës, e nxjerrin jetesën e tyre tërësisht nga shërbimi ushtarak që ata kryejnë, sikurse edhe popullsia e Himarës dhe e Zagorisë. Popullsia e Kurveleshit, e cila është tërësisht e besimit mysliman, merret me blegtori dhe bujqësi, por mezi e siguron jetesën, pasi toka nuk është shumë pjellore, gjë e cila bën që ajo të nxjerrë bukën vetëm për 8 muaj në vit, dhe në vitet më të këqija, vetëm për 4 muaj. Një tipar karakteristik paraqet popullsia e besimeve të përziera, e cila është e shpërndarë në nëntë katunde të Lunxhërisë.
Burrat dhe djemtë gjirokastritë në emigracion
Mbasi toka nuk është pjellore, burrat ua lenë atë nën kujdes grave e pleqve, dhe vetë ata shkojnë për të punuar në emigracion, ku në më të shumtën e rasteve duke punuar si kopshtarë në Stamboll. Kështu ndodh edhe me 11 katunde të krishtera të Rrëzës. Edhe atje burrat ua lenë pleqve dhe grave kujdesin për familjet dhe tokat e tyre dhe vetë ata shkojnë për të punuar në emigracion. Ndërsa dy katunde janë të specializuara për punime hidraulike, duke bërë që në kohët më të vjetra, me ferman të posaçëm të Sulltanit, ata të punonin në ndërtimin e ujësjellësve të Stambollit. Burrat e katundeve të tjerë ishin të specializuar sidomos si tregtarë shëtitës të pëlhurave. Zakonisht këtë zanat të burrave të fshatrave të Gjirokastrës e ndiqnin edhe djemtë e tyre, por kjo gjë nuk funksiononte gjithmonë. Në disa familje ndodhte që të trashëgohej edhe profesioni i mjekut popullor, gjë e cila është e përhapur edhe në vende të tjera të Shqipërisë dhe të Lindjes. Shpërngulja e përkohshme për në emigracion e burrave dhe djemve gjirokastritë ka ndodhur edhe në krahinat e tjera përreth. Burrat e Zagorisë dhe të Himarës shkonin larg Shqipërisë si ushtarë, ndërsa burrat e Delvinës si bujq dhe kopshtarë. Kështu, banorët e katundeve që shtrihen nga ana lindore e qytetit të Janinës janë gati që të gjithë furrtarë, tregtarë, pijeshitës, mjekë e taksambledhës shëtitës. Në Turqinë evropiane, në Greqi e në Azi të Vogël, s‘ka qendër me rëndësi të madhe që të mos ketë një koloni të vogël zejtarësh shqiptarë. Vetëm në Stamboll e në rrethe të tjera të saj gjenden më shumë se 6000 punëtorë shqiptarë.
Emigracioni i mjeshtërve dibranë dhe kolonjarë
Një interes të veçantë meriton shpërngulja e dibranëve dhe kolonjarëve. Ajo nuk është një shpërngulje e pak vetave, por e organizuar, shpërngulje që përfshinte të gjithë burrat e vendit. Siç dihet, profesioni karakteristik i dibranëve është ndërtimi. Dibranët lindin muratorë. Kështu është sot, kështu ishte dhe tash njëqind vjet. Ndërtesat që ngriheshin, pyjet që priteshin, dërrasat e trarët që përgatiteshin për në Ballkan, gjithçka ishte gati pa përjashtim fryt i punës dhe i veprimtarisë së palodhshme të shqiptarëve. Shembulli i shkëlqyer i fuqisë punëtore dhe i lulëzimit të lidhjeve shqiptare ishte dhe fakti se dibranët bashkoheshin në shoqëri dhe nën udhëheqjen e një mjeshtri, shpërndaheshin në vende të ndryshme ku kërkohej puna e mjeshtërisë së tyre. Nisja zakonisht ndodhte ditën e Shën Dimitrit (8 tetor) dhe ata ktheheshin ditën e Shën Gjergjit (më 23 prill), sepse besonin se për të qenë të shëndoshë duhej të kalohej gjithmonë stina e verës nëpër bjeshkë të freskëta dhe me ajër të pastër. Dhe ndoshta ata kishin arsye për këtë, pasi vendet e Greqisë, Thesalisë, e të Maqedonisë ku do të punonin, ishin shpesh herë vende malarike dhe tepër të rrezikshme për shëndetin e tyre. Rregullisht, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë, ata punonin një vit në një vend, e një vit në një vend tjetër. Për këtë arsye mjeshtri dibran vizitonte më parë vendet e punës që u ofroheshin atyre, bënin kontratat përkatëse sipas nevojës, në mënyrë që çdo grup prej tyre ta kishte të sigurt punën për gjithë vitin në të njëjtin vend. Tregtarët dhe zejtarët nuk niseshin dhe nuk ktheheshin në shtëpi në një kohë të caktuar, si muratorët e përmendur, por më parë dhe më vonë, më shpesh sipas rrethanave që u paraqiteshin. Disa prej tyre rrinin jashtë Shqipërisë edhe për shumë vjet, pa u kthyer kurrë në shtëpitë e tyre, si rasti i një tregtari nga Zagoria, i cili u nis vetëm disa ditë pasi u martua, dhe u kthye në shtëpi vetëm pas 12 vjetësh.
Shqiptarët e jugut, njerëz të qetë
Shqiptarët e jugut janë në përgjithësi njerëz të qetë e korrektë, dhe nisur nga ky fakt, kur dalin jashtë Shqipërisë, fitojnë shpejt aq para sa u duhen për t‘i siguruar familjes së tyre jo vetëm jetesën, por edhe një gjendje ekonomike mjaft të mirë. Për këtë arsye ata kanë shtëpi të mira, të mëdha dhe me një arkitekturë të bukur, vishen me rroba elegante dhe shumëngjyrëshe, kurse fshatarët e tjerë kanë rroba të trasha dhe banojnë nëpër shtëpia të vogla dhe në varfëri. Nisur nga ky fakt, kuptohet se këta të mjerë nuk janë pronarët e tokave që punojnë, por vetëm argatë që marrin 2/3 e të korrave, ashtu si edhe në vende të tjera të Lindjes. Dhe sado që në Perandorinë Otomane nuk ka skllavëri, me gjithë këtë, ndonjëherë buqit janë të nëpërkëmbur më keq se skllevërit prej pronarëve të tyre, të cilët arrijnë t‘ua çnderojnë edhe gratë dhe vajzat e tyre. Bujqit shikonin tek ata këshilltarët dhe mbrojtësit e tyre më të fuqishëm kundra padrejtësive së të afërmve smirëzinj, apo të zyrtarëve gjakpirës. Ishte një kohë e mjerueshme, në të cilën, për pakujdesinë e vazhdueshme të qeverisë qendrore, në Shqipëri sundonte e drejta e forcës, e jo forca e së drejtës./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016