Nga KRISTAQ JORGO
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në vite, nuk ka qenë temë debati vetëm figura dhe personaliteti i ndërlikuar i Konicës, por dhe krijimtaria e tij. Si model, shërben, “Dr. Gjëlpëra”, një vepër e konsideruar si e lënë përgjysmë nga mendimtari i madh. Shkrimi i mëposhtëm është një sprovë për të vërtetuar të kundërtën. Biografi i parë i Faik Konicës, Qerim M. Panariti, do të shkruante më 1957: “Vepra e tij më e fuqishme është pa dyshim romani Dr. Gjilpëra, e cila zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, ku ai u bën një anatomi të pamëshirshme sëmundjeve shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë. Kjo vepër satirike nisi në një seri shkrimesh në “Dielli” më 1924, por u ndërpre, pasi Konica u rendit me Zogun.
Por, nëse vepra në gjendjen që njohim është e përfunduar, si do të shpjegohej atëherë shënimi në fund të fragmentit të fundit, atij të 1 nëntorit 1924; “vijon në një numër të arthmë”? Pikërisht në ditët kur përfundon (siç kemi bindjen) apo “ndalet” botimi i “Dr. Gjëlpërës”, rihapet në Tiranë gjyqi për organizuesit dhe vrasësit e Mamurrasit.
Konica rifillon të shkruajë për “dramën”, madje boton në disa numra të “Diellit”, në dhjetor 1924, “Raportin zyrtar të hetimeve mi ngjarjen e Mamurrasit”. Mos vallë Konica ka pasur idenë që gjithçka e shkruar prej tij rreth kësaj teme dhe vetë ky raport, do të duhej të konceptoheshin në njëfarë mënyre si të lidhur me veprën, në mos po si pjesë të saj?
Por këtu jemi në kufijtë e supozimit të mirëfilltë. Të përpiqemi të përfytyrojmë arsye më të ngjashme që do të mund të përligjnin tezën tonë se, edhe përkundër shënimit; “vijon në një numër të arthmë”, kemi të bëjmë me një vepër, nga pikëpamja autoriale, të përfunduar. Dhe mundësitë janë disa:
Shënimi në fund të fragmentit të fundit, është një lajthitje e redaktorit apo e radhitësit, ndryshe e lexuesve të parë të tij, pasi, siç e pamë, në vetvete dhe nga një vështrimi i përciptë, ai nuk ka kur njëfarë natyrë përmbyllëse; shënimi është pjesë e tekstit, e menduar nga autori, i cili, përmes këtij vijimi virtual të veprës, mund të ketë dashur t‘i bëjë me dije lexuesit, se një aksion qytetërues, siç është ai i Dr. Gjëlpërës, nuk mund dhe nuk duhet të “përfundojë”.
Shënimi është një provokim elegant që Konica mund të ketë pasur trillin t‘i bëjë horizontit të pritjes të publikut. Shënimi lajmëron vërtet një fragment vijues dhe më përmbyllës të veprës, por i cili – e Konica mund të ketë arritur në këtë përfundim pas daljes së numrit të 1 nëntorit – do ta mediokrizonte në një farë kuptimi veprën.
Nëse gjithë kjo që u tha deri më tash provohet në thelb si e paqortueshme, si mund të shpjegohet një gabim i bërë kaq herë?! Ka, sipas nesh, dy arsye, një të përgjithshme e një konkrete.
Arsyeja e përgjithshme është, ndër të tjera, rrjedhojë e atij që ne e kemi emërtuar kompleks i superioritetit të mendjes meta-letrare, ndaj mendjes letrare shqiptare, të cilit i rri pranë një tjetër kompleks, ai i superioritetit të mendjes së sotme, ndaj mendjes shqiptare të mëhershme.
Arsyeja, apo më mirë përligjja konkrete, e gabimit të gabuar kaq herë lidhet me një ndryshim radikal të perspektivës së receptimit: lexuesi historik di pothuaj gjithçka për dramën e Mamurrasit, por thuajse asgjë për rrënjët e saj, në kuptimin e shkaqeve të thella historike, politike, psikologjike etj., që e ushqyen, ashtu siç kanë ushqyer dhe vazhdojnë t‘i ushqejnë me qindra e mijëra dramat e vogla e të mëdha shqiptare.
Ndërkohë, lexuesi i sotëm di pothuaj gjithçka për këto rrënjë, por thuajse asgjë për “dramën” e përveçme të Mamurrasit. Është e natyrshme, në këto rrethana, që lexuesi historik të mos presë gjë për këtë dramë, ndërkohë që lexuesi i sotëm të kërkojë të mësojë nga vepra pothuaj vetëm për të. Me fjalë të tjera: për lexuesin historik, drama e Mamurrasit është e pranishme në para-tekst (titull), e papranishme në tekst dhe e gjithë-pranishme në kontekst.
Për lexuesin e mëvonshëm e të sotëm, drama e Mamurrasit është e pranishme në para-tekst, e papranishme në tekst dhe aq më fort e papranishme në kontekst. Në këtë mosprani të dyfishtë tekstuale e kontekstuale, e ka burimin edhe kërkesa e ngulmët e lexuesit dhe e studiuesit të sotëm, i cili pret me domosdo “shfaqjen” e Mamurrasit në vepër.
Le të lemë mënjanë tezën e Michel Buttor-it, pas të cilit mospërfundimi nuk është veçori e një a disa veprave të dhëna, por tipar in-koherent i veprës letrare moderne. Le të pranojmë si plotësisht të mirëqenë edhe mitin a gjysmë të vërtetën se; Faik Konica na ka lënë vetëm vepra të papërfunduara!
Një fakt nuk mund assesi të mohohet: Tekstet koniciane, edhe ato “të papërfunduarat”, apo ato vërtet të tilla, janë paradoksalisht elementë të një makro-teksti të përfunduar.
E kemi fjalën në radhë të parë te koherenca në kohë e botë-vështrimit të përgjithshëm të Konicës. Ky pohim yni – jemi të vetëdijshëm – është në kundërshtim flagrant me opinionin zotërues, i cili nënvizon pikërisht mos-koherencën, si një ndër tiparet themelore të autorit të “Dr. Gjëlpërës”.
Të kuptohemi: Konica demonstron mos-koherencë magjistrale, veçse, dhe kjo është thelbësore, në çështje të dorës së dytë e të tretë. Në çështjet e dorës së parë, dhe kjo vlen për ne të përfillet, koherenca e tij mund t‘i ketë të rralla shoqet në historinë moderne të Shqipërisë.
Cilët janë ata personalitete shqiptare që mund të “mburren” se kanë ngulmuar në mënyrë të përsëritur e të palëkundur, për kaq e kaq vjet a dekada, të rrënjosin në botën shqiptare një të njëjtë ide?: “E kam thënë njëzet e tetë vjet me radhë dhe e përsëris dhe një herë:
Shqipëria ka nevojë për një revolucje morale për një ndrim të çeteleve, për një kuptim të ri të së mirës e, të së ligës, një kuptim jo vetëm të ri, por më të fortë, më të thellë, më të gjallë”. (“Dielli”, 19 korrik 1924, f. 4).
Nga perspektiva e kësaj koherence themelore të botë-vështrimit, mund të thuhet pa teprim, se; gjatë jetës së vet Faik Konica njëmendësoi, si rrallëkush në botën kulturore shqiptare, në vija të përgjithshme, një vepër të vetme, një korpus (me një koherencë të brendshme të fortë) pjesësh, të cilat i lidhin me njëra-tjetrën e të tërën raporte ndë tekstore të dendura.
Për të cikur veç ndonjë shembull: “Lulia e malit”, “përralla” e shkruar rreth tri dekada para “Dr. Gjëlpërës”, ka në thelb të njëjtën strukturë fabulore me të, është një lloj arkiteksti i saj, siç ka me “Dr. Gjëlpërën” – dhe kjo është vërejtur – lidhje të forta, “Një ambasadë e Zulluve në Paris” e po ashtu “Shqipëria si m‘u duk”.
Konica kujdeset ta përmbyllë veprën e vet të vetme letrare-jetësore, madje tekstualisht, me “Testamentin”, i cili, po ashtu, bën fjalë për një kthim – siç kthehet, me një mision qytetërues, Toskua (“Lulia e malit”), siç kthehet Plugu (“Një ambasadë e Zulluve në Paris”), siç kthehet Dr. Gjëlpëra – tash kthehet ati i tyre vetë dhe përfundimisht.
Është shenjë gjenialiteti padyshim, jo aq fort përmbyllja e ngurtë e pjesëve, sesa përmbyllja e hapur e së tërës, pjesët e së cilës shfaqen si variante të gjeneruara prej një matrice të vetme thelbësore.
Koherenca bazale e së tërës, nga një anë, ia ka mundësuar Konicës “luksin”, të mos shqetësohet shumë për t‘i “përfunduar” punët, nga ana tjetër kjo koherencë ka aftësinë, në një kuptim, “t‘i përfundojë” edhe “të papërfunduarat”. Duke u mbështetur edhe në përfundimet e mësipërme, dy fjalë tani lidhur me vendin e Konicës e, të aksionit të tij në kontekstin e së tërës shqiptare.
Në krye të herës, ia vlen të shohim ç‘është e tëra, a tërësia shqiptare për vetë Konicën: “Inglizët kanë një fjalë popullore, që njeriu i cili ndodhet në mes të një pylli nuk e sheh dot pyllin po sheh vetëm ca lisa.
Fjal‘ e drejtë. Pyllin munt t‘a shohin vetëm ata që qëndrojnë jashtë pyllit. Vëzhgonjës si i nënshkruari, të cilët rrojnë lark Shqipërisë, munt të lajthiten në ‘details‘ lokale përmi Hasanin ose Gjergjin, po shohin shumë më mirë e më kulluar se të brendëshmit tërësinë (l‘ensemble).
E dini si duket Shqipëria nga jashtë? Duket si një vent i turbull e i trazuar e i erët, pa dritë udhëheqëse, pa qëllime të caktuara, ku sicilido lëfton për kockën e tij, ku interesat lëftojnë kundr‘ interesave, dhe ku poshtërsia dhe balta bërtasin se janë të larta […]. Ashtu duket Shqipëria nga jashtë. Dhe në qoftë se s‘jam i verbër, ashtu është. Një tragjedi pa emër”. (“Dielli”, 29 korrik 1924, f. 5)
Po, e vërtetë, thënë ndryshe, një varkë e shkalafitur. Veçse këtu Konica lajthit. Lajthit, pasi Shqipëria nuk është vetëm kjo që “është”. Shqipëria është edhe ajo që ka qenë; pos kësaj Shqipëria është, për shembull, edhe Konica.
Shqipëria nuk është, pra, veç varka e shkalafitur. Shqipëria është varka e shkalafitur, e cila – nuk dihet sesi – i qëndron një tallazi dy-tre a kushedi sa mijëvjeçar, dhe të cilën – prapë nuk dihet sesi – një fill i hollë, por i pashkëputshëm, e mban lidhur me shkëmbin më të epërm të qytetërimit. Kjo është Shqipëria, e trefishtë: shkalafitje, qëndresë, orientim. Shkalafitje e skajshme, qëndresë e paçbëshme, orientim epror.
E sikur të mos mjaftonte kjo, një individ, një ide, një aksion në botën shqiptare, jo rrallë, për të mos thënë shpesh, i ndih njëherësh edhe shkalafitjes, edhe qëndresës, edhe orientimit. Në këto kushte mbetet të përcaktohet, edhe pse nuk është e lehtë, se cili është funksioni dominant i individit, i idesë, i aksionit në këtë botë të trefishtë dhe të ngatërruar shqiptare.
Natyrisht, jo i funksionit të idesë, individit, aksionit në vetvete, pasi funksion në vetvete nuk ka, madje as i funksionit të pjesës në raport me pjesën, se ky e tregon të deformuar tablonë, por i funksionit të tyre në të tërën.
Konica, dhe kjo është një ndër të veçantat e tij, është partizan jo i sinkretizmit, por i diferencimit të funksioneve. Funksioni i tij është ai më i vështiri, funksioni i orientimit, i fillit të pashkëputshëm, që e mban varkën e shkalafitur që reziston, lidhur fort me shkëmbin më të epërm të qytetërimit.
“Dhe Faiku faqe ndron”- po, e vërtetë; “Dije shante, sot lëvdon”- kështu ka qenë; “fryn bulçitë e trumbeton / se katrani zbardhëllon”, – po s‘e luan as topi. Të gjitha të vërteta. Çështja është se këto janë të vërteta më fort emocionale se racionale, që pjesa ia thotë pjesës, sot për sot, brenda varkës së shkalafitur që mbijeton e që përpiqet të orientohet.
Mjafton ta zgjerojmë horizontin, të dalim nga varka e shkalafitur, t‘i largohemi asaj, ta rrokim të plotë së largu e së larti pamjen e Shqipërisë së trefishtë, e Shqipërisë-në-botë-dhe-në-kohë, dhe atëherë do të kuptojmë, se në optikën e kësaj të tëre, Konica nuk është thjesht një personalitet, qoftë dhe “një nga më të shkëlqyerit bij të Shqipërisë”, me përkufizimin e Nolit; ai është një përbërës a më mirë një dimension i botës dhe i qytetërimit shqiptar.
Pa të Shqipëria e gjysmës së parë të shek. XX është kryesisht shkalafitje dhe qëndresë. Jo vetëm me të, por në radhë të parë me të, Shqipëria e gjysmës së parë të shek. XX është shkalafitje, qëndresë, orientim. Varka e shkalafitur që tallazitet doemos e ndeh, e tund, e tërheq, e vërtit sa në një anë në tjetrën fillin që e lidh atë me shkëmbin më të epërm të qytetërimit; mund ndoshta ta këpusë.
Përderisa filli ka zgjedhur pozicionin e qëndrueshmërisë së palëkundshme, përderisa ai nuk do dhe nuk mund të epet, ai do t‘i përjetojë në mënyrë të natyrshme të gjitha këto tensione.
Pjesa më e madhe e kompleksit të pafund të veseve, të mëkateve, të gabimeve që i vishen Konicës, parë jo nga një vështrim psikologjik-vetjak, se kjo nuk na thotë gjë, por nga një vështrim sistemik i së tërës shqiptare, nuk është gjë tjetër veçse kundërpesha e pashmangshme e pozicionit të tij të qëndrueshmërisë së palëkundur, idesë së tij të vetme, i ëndrrës së tij të jetës, i funksionit të veprës së tij, të cilat qëlluan të jenë jo thjesht ëndrra e tij, vepra e tij, ideja e tij, por një përmasë e botës shqiptare.
U përpoqëm të vërtetojmë thuktas se; “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, në pikëpamje fabulore nuk ka të bëjë fare me dramën e Mamurrasit, se e ashtuquajtura ndërprerje e saj nuk ka ndodhur më 24 dhjetor 1924, por dy muaj më parë, se ky fakt nuk ka kurrfarë lidhje me të ashtuquajturin ndërrim të kursit politik të Konicës e, renditjen e tij krah Zogut, se, përderisa vepra tre muaj para se të nisë botimi e, për një varg arsyesh të tjera letrare e jashtë-letrare, dëshmohet e përfunduar, ajo nuk ka se si dhe pse të quhet e papërfunduar!
Se në vështrim të përkatësisë zhanrore – ne nuk u ndalëm në këtë pikë – vepra nuk duhet të vlerësohet në mënyrë të ngurtë, pasi është një shembullim i shkëlqyer i dinamikës dhe i kompleksitetit të evolucionit të sistemit të gjinive në letërsinë shqipe, se të gjithë përbërësit e veprës, në të tërë nivelet shqyrtimi i thelluar do të mund t‘i dëshmojë organikisht funksionalë, se të ashtuquajturat të meta të rënda të Konicës, dalin të rëndësishme vetëm nëse shqyrtohen përmes një optike jo të rëndësishme, se; “Dr. Gjëlpëra”, ashtu si gjithë aksioni i Konicës në botën shqiptare, më në fund e thënë përmbledhtas, nuk është një vepër e pakryer, por e kryer, madje diç më shumë, e përkryer.
Kjo fjalë e fundit na sjell ndër mend edhe njëherë Qerim Panaritin, njeriun që e nisi i pari atë historinë e gabimit të përsëritur të gabimit të gabuar, dhe i cili, si për ta shlyer atë mëkat, na ka lënë cilësimin më lapidar që i është bërë ndonjëherë atit të Dr. Gjëlpërës, “shqiptarit më të përkryer”, Faik Konica. / Memorie.al