Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU KADRI HAZBIU: Është fakt ky, shoku Mehmet, kështu ka ndodhur. Pastaj i kthyem ne ato në civilë. Po kështu ka pasur raste të tjera të kësaj natyre, që flasin për një nënvleftësim të rrezikshmërisë të veprimtarisë armiqësore. Unë, kur ka qenë reparti dhe ja kam kundërshtuar këto mendime, megjithatë, disa herë ai e kishte përsëritur pikëpamjen që: “Ç’kini, ç’i doni gjithë këto roje, në të burgosurit, edhe në ikshin, kudo të venë këta”?!
Ashtu siç janë vërtetuar të shkëputura këto raste, nuk kanë ndoshta rëndësi, por të lidhura tani në tërësi, flasin për atë që kemi të bëjmë me një prirje për zbutje të luftës së klasës nga ana e shokut Mehmet. Dhe ja, edhe tani ne ndeshemi me të njëjtin qëndrim të këtij karakteri.
Më kujtohen gjithashtu edhe qëndrimet të nxitura dhe ekstreme nga ana e tij në procesin e gjatë të luftës klasore. Dihet se këto janë fenomene të mungesës së ekuilibrit të plotë në zhvillimin e drejtë të luftës së klasave, për ç’ka mendoj se shoku Mehmet, duhet t’i marrë seriozisht kritikat dhe të mos e konsideroj veten si njeriun absolut kompetent në këtë çështje.
Të jetë i kujdesshëm dhe më i thellë në çdo mendim dhe veprim, nga ana tjetër të jetë edhe më i predispozuar të mësojë nga vetë dinamika e jetës dhe nga lufta, qëndrimet e vërejtjet e Partisë dhe të shokëve, të çdo rangu qofshin ata. Jo vetëm sepse parimisht nuk ka njerëz të imunizuar, por edhe sepse në praktikën dhe në jetën e shokut Mehmet, ka pasur dhe ka lëkundje në këtë çështje.
Kam reflektuar vetë edhe mbi atë se si e kam mbrojtur unë Partinë, duke luftuar kundër çdo shfaqjeje që bie në kundërshtim me vijën dhe me normat e saj, si në marrëdhëniet me shokun Mehmet, po ashtu dhe me shokët e tjerë që Partia na ka zgjedhur në udhëheqje dhe siç gjykoj deri tani, unë do t’ju them mendimet e mija. Nuk e ndjej në ndërgjegjen time, që kur kam diktuar gjithçka jo të drejtë, ta kem kaluar në heshtje, për hir të shumë influencave.
Kam pasur mundësinë ta them dhe ta denoncoj atë akt, por në të njëjtën kohë, krahas kësaj, nuk mund të them se i kam vlerësuar kurdoherë drejt gjërat dhe duhet thënë se në rastet të veçanta, jam mjaftuar vetëm me vënien në dukje të rastit, pa u thelluar dhe pa i lidhur këto raste, gjë që kjo që do të ishte më e drejtë dhe do të ishte dhënë mundësia të forcoja kritikën dhe qëndrimin ndaj këtyre shfaqjeve në përsëritje.
Në marrëdhëniet me shokun Mehmet, siç gjykoj unë, nuk më ka munguar as predispozicioni, as kurajoja, për t’ja thënë mendimet e mija hapur, edhe për çështjet që lidhen me të metat dhe gabimet e tij, apo dhe me jetën familjare. Nuk vlen të numërohen rastet e shembujt, por ajo që më del tani më qartë në evidencë, lidhet nga një anë me mungesën e predispozicionit të shokut Mehmet, për të përfituar nga këto vërejtje, megjithëse, aty për aty nuk është krijuar përshtypja se atij i kanë vlejtur, kurse nga ana tjetër, vetë unë, nuk i kam lidhur edhe më mirë këto, e në mënyrë të partishme të forcoja, siç thashë, qëndrimin në vazhdimësi.
Me gjithë këto, nuk e gjej të drejtë plotësisht e të ligjshme, atë që thotë shoku Mehmet, se shokët mund të më ndihmonin. Fjala është këtu për rastin e fejesës së djalit, për rastin e këtij gabimi. Këtu të mos i ngatërrojmë gjërat, mendoj unë, sepse për fejesën, unë nuk kam ditur më parë, se sa të më thosh shoku Enver, kur u ktheva nga shërbimi. Kjo në mos gabohem, ishte nja dy tre ditë, mbasi shoku Enver më pyeti, nëse dija gjë për këtë çështje.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ti m’u përgjigje se nuk dije gjë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Kështu si unë edhe të gjithë shokët e tjerë, pa përjashtuar shokun Enver, është e qartë që nuk kanë ditur dhe kur nuk na pyet, kur e mban të mbyllur hermetikisht çështjen, atëhere si mund të kërkosh ndihmë nga ana e shokëve?! Është fakt se kur u mësua ngjarja, kjo ndihmë t’u dha. Por mbyllja juaj, shoku Mehmet, nuk është e shpjegueshme lehtë.
Ajo ju ka çuar në nënvleftësimin e rregullit normal të jetës sonë komuniste, ju ka shkëputur nga shoqëria, deri në një farë mase edhe nga njerëzit, ju ka futur në një rëndim të regjimit të jetës dhe të sigurimit tuaj, ju ka çuar në atë që t’i shihni gati me dyshim gjërat. p.sh., mua, disa herë ju më keni vënë pyetjen: “Mos na përgjohen telefonat”?!
SHOKU ENVER HOXHA: Çfarë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Më ka folur për përgjimin e telefonave tona.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kush të na përgjonte?
SHOKU KADRI HAZBIU: Sigurimi.
SHOKU MEHMET SHEHU: Armiku, sepse, më prisheshin telefonat vazhdimisht.
SHOKU ENVER HOXHA: Cili armik mo?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Cili armik? Armik u thua ti organeve të Punëve të Brendshme?
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, organeve të Punëve të Brendshme.
SHOKU ENVER HOXHA: Po kush atëhere?!
SHOKU MEHMET SHEHU: Kam kërkuar të më kontrollonin telefonat, se më prisheshin vazhdimisht.
SHOKU ENVER HOXHA: Po ata që na i vënë neve telefonat, edhe na i kontrollojnë. Kemi të tjerë specialistë të tjerë neve, që na i kontrollojnë?
SHOKU MEHMET SHEHU: Po unë nuk e kam thënë në atë drejtim, po telefonat mua më prisheshin vazhdimisht dhe kam thënë që të vijnë dhe të më kontrollojnë telefonat e mi, se më prisheshin.
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse prisheshin të tuat e nuk prishen edhe tonat?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Por edhe kur prishen shoku Enver, asnjëri nga ne nuk e ka shtruar çështjen kështu si shoku Mehmet, “U prish telefoni, pse u prish”?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, se çështja shtrohet m’u prish telefoni, ju lutem shikojeni pse prishet, po të thuhet shikoni se mos më përgjojnë?
SHOKU MEHMET SHEHU: Po ju kam thënë 100 herë, prish, prish, prish se mos ka ndonjë defekt.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, nuk është kështu Mehmet. Si është e mundur të kemi ne dyshime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ose që në shtëpinë time, p.sh., është futur një agjenturë, se nuk ka kush hyn tek unë që të më prishë telefonat.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, jo, se janë përjashta linjat telefonike.
SHOKU ENVER HOXHA: Po armiku ka mundësi që të ndërhyjë në ato, po nuk ta prish linjën këtu. Ai ndërlidhet që nga jashtë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo shoku Mehmet, unë mendoj që mos i bëni hyzmet kësaj pune për t’i zbutur gjërat, kjo nuk është kështu…!
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk i zbus, po flas për qëllimin…!
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, jo, mirë xhanëm, mbase me atë qëllim, nuk më thanë, po ju keni thënë shiko se…, kjo do të ishte trockiste, po të përgjoheshim ne. Dhe, deri sa unë ju kam thënë juve në qoftë se nuk keni besim, urdhëro tani të ndërrojmë njerëzit, ose të ngarkohen të tjerë. Po, kështu ka qenë. Këtë gjë ju e keni vazhduar edhe më vonë, siç më kanë thënë shokët, edhe pasi kam ikur unë si ministër i Brendshëm.
Po çështjen e kam këtu, ky dyshim mund të shkojë shumë larg, jo vetëm ndaj normave që kemi vendosur, por edhe ndaj atyre që janë ngarkuar për zbatimin e tyre.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Jo, jo, ky shkon më tej, jo te togeri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në qoftë se nuk kemi besim në Partinë dhe në organet tona.
SHOKU ENVER HOXHA: Të reflektojmë një çikë këtu, Mehmet, se është shumë e rrezikshme, është shumë e rëndë kjo e telefonave, kjo atëhere, do të thotë që ne nuk kemi besim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në armën e Partisë sonë. Ky dikaster, e ka nën ndikimin e kontrollin e saj ndërlidhjen tonë dhe e ka merak vetë këtë çështje.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë them sinqerisht këtu, përpara Byrosë Politike shokë, që edhe kur u është prishur shokëve telefoni direkt me dy numra, që është kryesori, asnjëri nga ne nuk e ka shtruar këtë problem. Ju them sinqerisht, edhe unë vetë që isha Ministër i Brendshme, e që shpesh herë funksioni të bënte t’i shikoje gjërat me këmbë përpjetë, nuk më kish shkuar ndërmend se këto defekte, mund të ndodhin për arsye se mos na është futur njeri i huaj dhe na përgjon telefonat.
SHOKU ENVER HOXHA: Në aparatet tona të vjetra…!
SHOKU KADRI HAZBIU: E nuk përjashtohet kjo, luftë klase është, po nuk thuhet kështu bum, nuk shtrohet kështu çështja.
SHOKU ENVER HOXHA: Po na i shpjego, Mehmet, se na vë edhe neve në dyshim, domethënë na krijon një situate, që të dyshojmë edhe te këmisha jonë, se kështu është, domethënë të kemi dyshim te kuadrot e organeve të Brendshme, se po na survejojnë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë u kam thënë vazhdimisht shikoni, shikoni, shikoni telefonat, se po më prishen. Tashti ka një kohë që nuk prishen. Si duket i kanë gjetur defektet.
SHOKU ENVER HOXHA: Tjetër punë është kur thua shikoni për defektet dhe tjetër është kur thua se po na përgjon armiku. Kjo do të thotë, sikur kemi armiq brenda.
SHOKU KADRI HAZBIU: Mua, nuk e di është likuiduar ajo ose jo, se nuk merren më me Ministrinë e Punëve të Brendshme, shoku Enver e shokë të Byrosë Politike, por, kur ka rënë rasti, kam biseduar me Feçorin për këto gjëra dhe më ka thënë se të njëjtën gjë i kemi thënë edhe shokut Mehmet, deri sa është detyruar ai dhe ju ka bërë proces-verbale, të cilat jua ka paraqitur, duke ju siguruar se nuk ka asnjë rrezik në këtë mes.
SHOKU ENVER HOXHA: Si jua ka bërë këto proces-verbale?
SHOKU KADRI HAZBIU: I ka bërë një proces-verbal për hapjen e centralit, i cili është i mbyllur hermetikisht, domethënë nuk hapet veçse nga një grup njerëzish të caktuar. Kjo është kërkuar, nuk e di, Feçori më tha, se unë nuk jam futur në hollësi, po ai më tha që Mehmeti më kërkoi se dëshiron ta dijë me siguri që eskludohet një gjë e tillë dhe unë, tha ai, ngarkova specialistët, hapën centralin, e panë dhe i kam paraqitur proces-verbalin shokut Mehmet.
SHOKU ENVER HOXHA: I ke kërkuar proces-verbalin ti Feçorit, nëse e bëri ai këtë punë apo jo?
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, unë i kam kërkuar që të më sigurojë që telefonat janë apo nuk janë në rregull, se gjithmonë më prisheshin dhe i kam thënë, ma jepni këtë me shkrim, se telefonat gjithmonë më prishen.
SHOKU ENVER HOXHA: Po ja unë ta jap ty proces-verbalin, po çështja është nga kush, nuk kemi ne besim? Centrali është hermetikisht i mbyllur dhe specialist e kontrollon atë që është vazhdimisht i mbyllur.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, jo për këtu, por armiku jashtë, pse linja nga centrali, deri sa vjen tek unë, kalon nëpër rrugë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë more Mehmet, më duket sikur ti i di mirë këto punë, por del që nuk i di hiç mirë. Edhe unë nuk pretendoj se i di këto gjëra. Ti thua se linja kalon nëpër rrugë dhe me që kalon nëpër rrugë, ai më dëgjon mua. Mirëpo kemi lexuar gjithashtu që armiku i ka të gjitha mjetet dhe nga 200 metra larg mund të kapërcejë murin me vibracione, e mund të dëgjojë çfarë themi ne këtu. Këto i kemi dëgjuar dhe i dimë të tëra edhe pse specialist nuk jemi, por në këtë mënyrë, siç ke vepruar ti, më duket nuk është hiç e drejtë, është shumë e gabuar.
Në qoftë se qëndrojmë në këto çështje, atëhere telefonat e t’u duhet të jenë special, se tonat nuk kam parë që të na prishen shpesh. Unë mbase nuk telefonoj shumë, po pastaj teknikë është, edhe mund të prishet ndonjëherë telefoni.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe prishet, shoku Enver, po çështja është këtu se, kur prishet, njeriu thotë pse më prishet, merrni masa e na e ndreqni. Kjo është gjuha që flasim ne. Po të them unë, ore: shikojeni se mos më kontrollohet telefoni. Atëhere lind pyetja: kush ta kontrollon këtë telefon?
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë e kam fjalën te armiku.
SHOKU ENVER HOXHA: PO të kërkohet nga specialistët, Mehmet, se po na përgjon armiku nëpër fije, nuk prishet telefoni. Përkundrazi, ai i merr zërin pa prishur telefonin, se do të ta mbajë mirë atë e të të dëgjojë ty çdo minutë, prandaj nuk ta prish ai telefonin. Në asnjë mënyrë nuk ta prish. Përkundrazi, ai do ta ketë vijën të hapur, këtë interes ka, si të të dëgjojë ç’flet ti.
SHOKU KADRI HAZBIU: Si? More shoku Mehmet, ju e kini shtruar kështu problemin që shikoni, shokë, se mos na ndodhë gjë, apo e keni shtruar po qe se ka përgjim është trockizëm? Po ja kështu kemi biseduar bashkë dhe unë kështu të kam thënë. Mbase faji im është këtu, që nuk kam ardhur e të informoja më lart. Po juve ju kam thënë hapët: Në qoftë se është çështja kështu, urdhëroni të kontrollojmë atëhere! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016