• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, January 20, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia

“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia
“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia
“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia
“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia
“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia
Fotot e panjohura: Kur Enver Hoxha priste grupet marksiste-leniniste: ‘Nga Ernest Aust, Raul Marko e Fosko Dinuçi, te afrikanët që merrnin pjesë në kongreset e partisë dhe…’
“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia
“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia
“Shoku Rexh Bërç që prita sot, më tha se djali i tij, kirurg, ishte ngjitur në një majë mali në Groenlandë, ku kishte vënë librin ‘Historia e P.P.SH-së’…”/ Zbulohet ditari i Enverit, shtator ’73, për mikun nga Anglia

Nga DASHNOR KALOÇI

Memorie.al/  Ishulli akullnajor i Groneladës, më i madhi në botë, i cili gjendet ndërmjet Oqeanit Arktik dhe atij Atlantik, me një sipërfaqe prej 2.166.086 km² dhe popullsi prej afro 70 mijë banorësh, i cili prej disa ditësh është bërë një “mollë sherri” dhe kryefjala e pjesës më të madhe të mediave botërore, për shkak të deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për ta kaluar atë nën administrimin e SHBA-ve, për Shqipërinë e pas viteve ’90-të, pothuajse ka qenë fare i panjohur, apo më saktë jashtë “radarëve” të politikës së jashtme të saj. Por kjo gjë nuk mund të thuhet për Shqipërinë e para viteve ’90-të, kur ajo udhëhiqej nga diktatori komunist Enver Hoxha dhe pasardhësi i tij, Ramiz Alia. Kjo gjë bëhet e ditur nga disa dokumenta arkivore që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku gjenden edhe ditarët politik të Enver Hoxhës.

Po t’i referohemi ditarëve politikë të tij, do të shikojmë se edhe ishulli i Groenlandës, figuron në kujtimet e tij dhe kjo i përket tetorit të vitit 1973, kur ai (Enveri) bashkë me Nexhmijen, ka pritur në një takim, kryetarin e Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Britanisë, Rexh Bërç (Reginald Birch) me bashkëshorten e tij, të cilin më parë e kishte pritur Ramiz Alia. Por disa vite më vonë, pikërisht pas prishjes së marrëdhënie të Tiranës zyrtare me Republikën Popullore të Kinës, Rexh Bërç, nuk do të ishte më një “mik” i Enver Hoxhës, por një “agjent i imperializmit anglez”! Për më shumë rreth këtyre takimeve dhe bisedave të zhvilluara mes tyre, ku flitet dhe për Groenlandën, na njohin shënimet e mbajtura nga Enver Hoxhë në ditarët e tij politik, si dhe proces-verbalet e takimeve të Enver Hoxhës me sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat publikohen për herë të parë bashkë me faksimilet dhe fotot përkatëse, nga Memorie.al

DITARI POLITIK I ENVER HOXHËS NË TETOR 1973, KU FLET PËR TAKIMIN E TIJ ME KRYETARIN E PARTISË KOMUNISTE MARKSISTE – LENINISTE TË BRITANISË REXH BËRÇ DHE BISEDA PËR GROENLADËN

Gjithashtu mund të lexoni

“Njëri nga rojet e burgut, i dorëzoi Annës sendet vetjake të Xhulios, në një kuti kartoni, por kur ajo shkoi në shtëpi dhe e hapi…”/ Historia e trishtë e italianes bukuroshe, me studentin shqiptar

“Kur gjermanët i shkuan në shtëpi, Xhulio vuri dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, pasi përkthyesi, ish-shok klase me të në Itali…”/ Historia e trishtë e italianes bukuroshe, me studentin shqiptar

E MËRKURË

26 SHTATOR 1973

                      ERDHI REXH BERÇI

Erdhi në Tiranë për vizitë dhe për bisedime Kryetari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Anglisë, Rexh Bërç.

Nesër, ai do të bëjë bisedimet e para me Ramizin.

E PREMTE

28 SHTATOR 1973

S H Ë N I M

Shoku Ramiz Aiia më raportoi për bisedën që bëri me kryetarin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Anglisë, shokun Rexh Bërç.

Ishin dakord për të gjitha problemet që u diskutuan.

Të martën që vjen, do ta pres edhe unë.

E MARTË

2 TETOR 1973

TAKIM ME REXH BËRÇIN

Prita sot Kryetarin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (marksiste-Ieniniste) të Anglisë, shokun Bërç, që ka ardhur në vendin tonë për vizitë dhe për bisedime me ne.

Biseda qe e ngrohtë dhe miqësore. Ai shoqërohet nga gruaja e tij, militante edhe ajo. Merrte pjesë edhe Nexhmija.

Shoku Bërç më tha se djali i tij, kirurg dhe alpinist, në një majë mali të pazbuluar në Groenlandë, u ngjit i pari, nguli aty flamurin shqiptar dhe depozitoi të mbështjellë me celofan Historinë e Partisë së Punës të Shqipërisë. Majës groenlandeze, i vunë emrin “Maja e Shqiponjës”. E falënderova dhe e ftova djalin e tij të vizitojë vendin tonë dhe Alpet e Veriut.

DOKUMENTI SEKRET ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E TAKIMIT TË ENVER HOXHËS ME DY SEKRETARËT E KOMITETIT QENDROR TË PPSH, HEKURAN ISAI DHE PROKOP MURRA, LIDHUR ME REXH BËRÇ

Pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, të cilat u bënë publike në 29 korrikun e vitit 1978, kur udhëheqja e lartë komuniste e Tiranës botoi në gazetën “Zëri i Popullit” një letër të gjatë si kundërpërgjigje ndaj notës zyrtare të kinezëve (ku njoftohej prerja e ndihmave dhe kredive për Shqipërinë), të dorëzuar në ambasadën shqiptare në Pekin në 7 korrikun e atij viti, shumë krerë të partive komuniste marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, të cilët deri në atë kohë kishin pasur lidhje të ngushta si me udhëheqjen komuniste të Tiranës, ashtu dhe me atë të Pekinit, u prononcuan publikisht duke mbajtur anën e Partisë Komuniste të Kinës e, duke dalë hapur kundër Enver Hoxhës dhe PPSH-së.

Një ndër ata ishte dhe Rexh Bërç, kryetari i Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Britanisë dhe njëkohësisht kryetar i sindikatave në atë vend, i cili me anë të një artikulli të botuar në gazetën angleze “The Worker” (organ i partisë që ai drejtonte), i kundërvihej vijës ideologjike dhe kursit politik që po ndiqte P.P.SH-ja me në krye Enver Hoxhën, duke i demaskuar ata nga pozitat e një partie komuniste motër.

Kjo gjë shihet më së miri edhe në disa dokumente arkivore Të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi i P.P.SH-së), ku në një mbledhje ditore me sekretarët e P.P.SH-së, Enver Hoxha i informon ata për artikullin e Bërç (i cili merrte në mbrojtje Mao Ce Dunin), duke u bërë një analizë të hollësishme akuzave që ai ngre në adresë të tij dhe njëkohësisht duke iu kundërvënë atij si “agjent i imperializmit botëror”. Disa pjesë nga proces-verbali i asaj mbledhjeje po i publikojmë në këtë shkrim, ku veç të tjerash, Enver Hoxha ka shfaqur pikëpamjet e tij edhe për metodat e disa “Brigadave të Kuqe”, të cilat hynë të armatosura në Parlamentin e Nikaraguas dhe urdhëruan të gjithë parlamentarët të ngrinin duart lart. Ndonëse ish-diktatori komunist i Shqipërisë, në atë mbledhje është shprehur kundër këtyre metodave terroriste, ai bënte të kundërtën, duke i financuar ato me qindra e mijëra dollarë, me anë të Fondit të Solidaritetit që ai dhe P.P.SH-ja kishin ngritur prej vitesh enkas për atë gjë.

Por ajo që bie në sy në këtë takim të Enver Hoxhës me sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai dhe Prokop Murra, është mungesa e sinqeritetit të Enver Hoxhës me dy bashkëpunëtorët e tij, të cilëve gjatë bisedës, nuk u tregon se ai e ka pritur dhe takur në një audiencë të veçantë, kryetarin e Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Britanisë së Madhe, Rexh Bërç, më 2 tetor të vitit 1973, por u thotë atyre se atë e ka pas takuar vetëm “shoku Ramiz”! Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh proces-verbali i takimit të Enver Hoxhës me dy sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai dhe Prokop Murra, i cili publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al

SHOKU ENVER HOXHA: Mbrëmë lexova një artikull të “Zhenmin Zhibaos”, në të cilin kritikoheshin Lin Biaoja dhe “banda e të katërve”. Në këtë artikull thuhet që “çdo fjali është e vërtetë”. “Çdo fjali që thotë kryetari Mao, është e vërtetë dhe mban një peshë të tillë, sa për dhjetë fjali të zakonshme”. I tërë ky artikull është përgatitur kundër nesh, se Lin Biao-ja përdoret vetëm si kokë turku dhe po të lexohet me kujdes, dallon se ky artikull puqet plotësisht me artikullin e Rexh Bërç.

SHOKU HEKURAN ISAI: Unë nuk e kam lexuar artikullin.

SHOKU ENVER HOXHA: Rexh Bërç ka botuar një artikull më 10 gusht të këtij viti në organin e partisë që udhëheq. Kur ishte këtu, ai pat biseduar me shokun Ramiz, i cili i tha mendimet që kishte lidhur me vërejtjet që Bërç kishte bërë për librin “Imperializmi dhe revolucioni” dhe kur iku, ai i la me shkrim pikëpamjet e tij. Tash që isha me pushime në Pogradec, meqenëse rishikoja librin “Imperializmi dhe revolucioni”, kërkova të më dërgonin vërejtjet që më kanë bërë rreth këtij libri shokët e partive marksiste-leniniste, të cilëve ua dhamë për ta lexuar. Unë i lexova me kujdes të gjitha vërejtjet e bëra prej tyre. Por kur lexova se ç’kishte thënë Bërç, vura duart në kokë. Duket qartë se ai është një agjent i imperializmit anglez. Bërç del kundër kritikës që i bëhet Mao Ce Dunit.

“Pse e shkruani ju këtë material,- pyet Birch,- ju takon juve ta bëni këtë”, thotë ai. Dhe më poshtë vazhdon: “Unë i njoh se jam takuar me Mao Ce Dunin dhe me Çu En Lain dhe më kanë bërë përshtypje të mira”. Pak më poshtë, Bërç, vazhdon: “Po pse merreni ju me fantazmat?” Domethënë, sipas tij, të tërë këta, që nga Stalini, Kominterni e deri te Mao Ce Duni, po ua zure emrin në gojë janë fantazma. Të gjithë, sipas tij, janë njerëz të vdekur etj.. Vërejtjet e bëra nga Rexh Bërxh, tregojnë se ai është një njeri i maskuar, një revizionist. Pasi u njoha me vërejtjet e tij, i shkrova nga Pogradeci, një letër të gjatë Ramizit, se edhe ky nuk i kishte lexuar dhe i analizoja të gjitha ato çka kishte thënë Rexh Bërxh. Pra, siç ju thashë më lart, artikulli i Rexh Bërxh u botua në gazetën angleze “The Worker”.

Ç’përmbajtje ka ky artikull reaksionar? Në fillim thuhet se pushteti i sovjetëve ishte pushteti i parë i proletarëve, i themeluar dhe udhëhequr nga Lenini, rrugën e të cilit e vazhdoi Stalini, që e drejtoi popullin punonjës të Bashkimit Sovjetik drejt fitoreve socialiste dhe luftës kundër fashizmit etj.. Kjo ishte njëkohësisht një fitore e madhe për të gjithë klasën punëtore dhe për revolucionin botëror, thotë artikulli. Pastaj atje hidhen poshtë përpjekjet e ca intelektualëve borgjezë revizionistë, shërbëtorë të fundit të imperializmit për të rehabilituar grupin e Buharinit e të antimarksistëve të tjerë që janë përpjekur të errësojnë veprën e Stalinit të madh, i cili udhëhoqi popujt në luftën e tyre për çlirim etj.

Dhe pavarësisht nga tradhtia e revizionistëve Hrushovian, – thotë artikulli,- pushteti i sovjetëve dhe vepra e madhe e Leninit e Stalinit mbetet e pashlyeshme, e pamohueshme. Mirë deri këtu. Një fitore tjetër e madhe e pamohueshme për klasën punëtore dhe për revolucionin,- shkruhet më poshtë në këtë artikull të Bërç,- është lufta e popullit shqiptar, i cili pa ndihmën e kurrkujt mposhti armiqtë, bëri këtë dhe atë vepër, ndërtoi socializmin, kështu dhe ashtu. Iku dhe kjo. Në artikull fliste për Kinën. Populli kinez, nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit, luftoi për çlirimin e vendit nga agresioni imperialist, bëri revolucionin dhe Kina 800-milionëshe zhduku urinë, shporri varfërinë, sëmundjet dhe gjithë të këqijat e tjera.

Dhe në fund vjen “buketa”: Duke pasur parasysh situatat që kanë kaluar, domethënë daljen në skenë të revizionistëve në Kinë, do të jetë një punë armiqësore që të akuzohet Mao Ce Duni dhe Çu En Lai, se nuk kanë qenë në rrugën e marksizëm- leninizmit. Kjo është një shpifje e madhe, thekson ai. Ata bëjnë një gjë të tillë, ideologjikisht hyjnë në radhën e elementëve buharinistë, të inteligjencës revizioniste që është vënë në shërbim të kapitalit etj. Dhe konkluzioni i gjithë artikullit të Birch është ky: Shokët rusë dhe kinezë na kanë hapur rrugë të reja, nëpër të cilat do të ecim të gjithë ne.

SHIKU HEKURAN ISAI: O…, qenka shumë i poshtër ky!

SHOKU ENVER HOXHA: Posi, shumë i poshtër është. Duket qartë, i shkrova edhe Ramizit për këtë, në letrën që i dërgova nga Pogradeci, që Bërç është një variant i Hillit të Australisë ose që të dy janë agjentë të “Inteligjencë Servisit”, sepse borgjezisë i duhen të tillë njerëz, asaj i intereson ta mbrojnë Mao Ce Dunin. Të kthehemi prapë tek artikulli i “Zhenminzhibaos”, që u dha nga HSINUA-ja. Është po kjo pikëpamje. Kinezët shtrojnë problemin që marksizëm-leninizmi dhe idetë e Mao Ce Dunit janë një, që marksizëm-leninizmi dhe maocedunideja është një sistem i plotë dhe integral dhe kush e ndan këtë në fraza e në fjali, ai sipas tij është antimarksist.

E gjithë kjo tregon se kinezët janë në dijeni të analizës që u kemi bërë ne këtyre problemeve në materialin tonë dhe ata duan të shpjegojnë këtë me mënyrën e zhvillimit antagonist të gjërave, domethënë fitore-disfatë, disfatë-fitore, eksperiencë praktike, nxirr ligje, siç ka thënë Mao Ce Duni, turbulloje ujin etj., etj.. Lin Biaoja dhe “banda e të katërve”,- vazhdon artikulli,- është e vërtetë që kanë bërë shumë gjëra të këqija gjatë Revolucionit Kulturor. Kështu, për shembull, thënien e Maos në vitet pesëdhjetë se; “rreziku kryesor është empirizmi”, gjoja për të kundërshtuar empirizmin idealist, ata e paskan përdorur në vitet shtatëdhjetë për të kundërshtuar kuadrot revolucionare që kishin eksperiencë të madhe. Kuptohet qartë se me këtë revizionistët kinezë duan të thonë se empiristët idealistë nuk janë këta që kanë ardhur në fuqi, por Lin Biaoja me “katërshen”, se pragmatistët nuk janë këta, por Lin Biaoja me shokë.

Kjo tregon se ata janë në dijeni të goditjeve tona drejtuar kundër teorisë së Mao Ce Dunit, që është eklektizëm me brirë. Udhëheqësit aktualë kinezë përpiqen të shpjegojnë gjërat me proceset e zhvillimit të kontradiktave, me të famshmet kontradikta vulgare të Mao Ce Dunit! Pra, këto gjëra, për të kapur hallkën kryesore në ngjarjet që zhvillohen për ecjen në këtë mënyrë të revolucionit kinez, derisa të gjejnë vend, sipas tyre, na qenkan normale. Tani, çështjen e kam këtu, që Birch mban qëndrim kundër udhëheqësve aktualë kinezë, të cilët kanë devijuar nga marksizmi. Ai thotë se ata janë tradhtarë, por nga ana tjetër del pro Mao Ce Dunit me shokë, të cilët sipas tij, janë të gjithë marksistë-leninistë. Po kështu dhe Lenini me Stalinin janë marksistë të mëdhenj, kurse udhëheqësit e sotëm revizionistë sovjetikë janë tradhtarë, thotë Birch.

SHOKU HEKURAN ISAI: Bën analogji ai me këtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, bën analogji dhe vazhdon: Cilët janë ata që kanë sharë Leninin e Stalinin? Buharinistët. Kështu është dhe tani, ata që kritikojnë Mao Ce Dunin, janë buharinistë!! Po ne e dimë fort mirë se ç’është buharinizmi dhe ç’thotë Lenini për buharinistët. Por sulmi i Bërç e ka burimin te çështjet se ne i kemi thënë atij dhe kemi shkruar në librin “Imperializmi dhe revolucioni”, që sindikatat aktuale në vendet borgjeze janë nën drejtimin e kapitalit, të borgjezisë dhe të aristokracisë. Nuk jam dakord, na tha neve Bërç, për këtë gjë ju jeni kundër organizimit të klasës punëtore, jeni buharinistë etj. Lufta tani do të bëhet rreth kësaj çështjeje. Këta, Ten Siao Pini me shokë, u dogjën, prandaj duhet mbrojtur maocedunideja, se kjo i duhet borgjezisë ta ruajë për qëllimet e veta.

SHOKU PROKOP MURRA: Po, sepse udhëheqësit revizionistë kinezë, që kanë ardhur në fuqi, u diskredituan konkretisht dhe tashti bëhen përpjekje që të kapen dhe të ruajnë mirë idetë e Mao Ce Dunit.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, të ruajë maocedunidenë, sepse kjo është tani e vetmja teori revizioniste e veshur me rroba marksiste për të gënjyer proletariatin dhe botën. Revizionizmi sovjetik është demaskuar, titizmi po kështu është demaskuar, siç është demaskuar edhe eurokomunizmi. Edhe revizionizmi i Hua Kuo Fenit po demaskohet me të gjitha këto gjëra që bëjnë ai me shokë, prandaj maocedunideja duhet ruajtur. Kjo është, pra, rruga e amerikanëve dhe e kapitalit. Hilli është në bllok me Hua Kuo Fenin dhe me Mao Ce Dunin. Birch dhe klientët e tij ndahen në këtë çështje, ata janë pro Mao Ce Dunit, pra, nuk janë dakord me ne, ata janë edhe kundër “katërshes”.

SHOKU HEKURAN ISAI: Në këtë rast, edhe borgjezia bën politikën e saj, që në qoftë se digjet Hilli, që është në bllok me kinezët, atëherë ka si rezervë për ta nxjerrë kundër nesh Birch e shokët e tij.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, i ka ndarë ata.

SHOKU PROKOP MURRA: Tamam, kjo është strategjia e tyre e madhe, duhet të ruhet maocedunideja.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, duhet të ruhet maocedunideja dhe për këtë po përdoren të gjitha mënyrat. Do gjendet patjetër një arsye, ja siç kapen pas Mao Ce Dunit. Me këtë do të përpiqen ata të përçajnë lëvizjen punëtore dhe partitë marksiste-leniniste. Dhe ata do të bëjnë paralelizma absurde për këtë. Ashtu si hrushovianët sulmuan Stalinin, edhe ju po sulmoni Mao Ce Dunin, do të na thonë. Hrushovi ishte revizionist, por edhe Ten Hsiao Pini me Hua Kuo Fenin janë revizionistë dhe kjo është e qartë, po pas këtyre ne ndahemi me ju, vazhdojnë ata, sepse ju sulmoni Mao Ce Dunin, gjë që nuk duhet ta bëni. Pse i sulmoni ju këto fantazma, na thonë? A ju takon juve të merrni mbi vete këtë barrë kaq të rëndë, thotë Bërç. Dale, se ju jeni të vegjël! Pse filloni të atakoni ju Mao Ce Dunin? Është e qartë se tani kinezët e panë që Hilli u dogj dhe nuk e dëgjon më njeri, prandaj i thanë Bërç të dalë, se mbase frenohen shqiptarët, mbase ty të kanë mik.

SHOKU HEKURAN ISAI:
 Ky, siç duket, nga këto që thoshte, ka pasur edhe planin e vet strategjik me ne. Një herë thoshte mos sulmoni Kinën, pse ta merrni ju përgjegjësinë. Pra, Birch na i paska qarë shumë hallin neve!

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk duhet menduar kurrë që Birch i thoshte sinqerisht ato gjëra, se na qante hallin. Jo, ore jo, ai është njeri i borgjezisë, i sindikatave të drejtuara nga borgjezia angleze për të realizuar qëllimet e saj! Për një moment, për të shkaktuar një përçarje, ta nxjerrë tjetrin sikur është një marksist leninist i kulluar, pastaj prapë bën të sajën, ja siç po bën për shembull me Rexh Bërç. Borgjezia i thotë këtij nuk ka se si ta kundërshtosh ti Maon, neve na duhet ky, prandaj medoemos duhet të mbrohet Mao Ce Duni për të mashtruar njerëzit e ndershëm.

Një gjë e tillë kërkon që ne të jemi shumë vigjilentë, kurse ne shokët e partive marksiste-leniniste, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të matur dhe të duruar, sepse midis tyre ka shokë të mirë, por ka edhe shokë, të cilët akoma nuk e kanë të qartë në tërësinë e tij rrezikshmërinë e revizionizmit kinez. Ka pastaj edhe njerëz si Bërç, për të cilin jam i bindur me plot ndërgjegje, se është i lidhur me borgjezinë, është bile një agjent i saj. Por mund të ketë edhe njerëz që nuk janë agjentë, por janë prapa, nuk e kuptojnë mirë teorinë shkencore të marksizëm-leninizmit. Ne u themi se janë bërë të gjitha këto gjëra në Kinë, që nuk janë në rrugën marksiste-leniniste, kur në krye të Partisë Komuniste ishte vetë Mao Ce Duni. Pra, si u bënë këto? Po ata thonë se edhe në Bashkimin Sovjetik, si u bënë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Pastaj ne kemi parasysh që fshatarësia jonë kishte disa karakteristika të tjera.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu është, fshatarësia jonë kishte karakteristika të tjera. Por, edhe sikur të kishte vetëm ndjenjën nacionale, revoltën kundër okupatorit, prapë partia do të luftonte ta kishte me vete fshatarësinë, ashtu siç luftoi ta ndriçonte me idealet e klasës punëtore, me teorinë marksiste-leniniste. Prandaj, themi se punëtorët duhet të luftojnë për të arritur fitore politike dhe ekonomike, por sidomos në fushën politike. Kështu duhet të veprojnë punëtorët dhe të bëhen të ndërgjegjshëm për forcat e tyre, se një grevë e madhe e punëtorëve të qymyrit u bë në Angli dhe atje u paralizua gjithë jeta e vendit. Po sikur të ngrihen në grevë dhe sektorët e tjerë, pa të shikosh se si do të bëhet puna pastaj.

Pa zapto fabrikat e kapitalistëve ti, klasë punëtore, dhe u thuaj atyre që ne nuk i lëshojmë, pa të shikojnë se ç’bëhet pastaj. Në vendin tonë, klasa punëtore ishte e vogël në numër, në krahasim me fshatarësisë, kurse në vendet e tjera ajo ishte shumë e madhe, prandaj duhet punuar shumë me ta. Por ka terror të egër në qytete, mund të thonë disa. Natyrisht, ta merr mendja që ka terror, por ne duhet të bëjmë luftë kundër terrorit, kundër terrorit të bardhë dhe kundër terrorit “të kuq”. Ja dy-tri brigada të kuqe, për shembull, në Nikaragua u futën në Parlament dhe i urdhëruan tërë parlamentarët: Ngrini duart lart! Ne jemi kundër këtyre formave të luftës, çështja është të luftohet në bazë të një platforme e në bazë të një plani.

Duhet ecur përpara në luftë. Nuk duhet të veprohet siç vepron Birch, që është kryetar i sindikatave në Angli dhe kryetar i Partisë Komuniste të Britanisë (marksiste-leniniste), siç është Austi në Gjermani. Kur i thuhet Birch ajo që ka thënë Engelsi në kohën e tij, në një letër që i dërgonte Marksit, se vetë klasa punëtore angleze po borgjezohet, pa lëre pastaj aristokracinë e kësaj klase, ai na thotë se unë nuk jam dakord. Por ne nuk jemi kundër klasës punëtore, por kundër aristokracisë së klasës punëtore dhe kundër shtypjes që i bën kapitalizmi asaj klase. Prandaj, themi se punëtorët duhet të luftojnë për të arritur fitore politike dhe ekonomike, por sidomos në fushën politike.

Mirë, mirë shokë, ditën e mirë. / Memorie.al

                                                                                             Mbajtësi i procesverbalit

                                                                                                            Haxhi Kroi

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Ndalova më gjatë tek pjesa e muzeut ku ishin një seri ‘vip’ nga ‘Flamuri i kuq’, njëra prej të cilave në vitet ’60-të, erdhi si dhuratë për Enver Hoxhën...”/ Refleksionet e gazetarit të njohur nga vizita në Kinë

Artikuj të ngjashëm

“Për ish-oficerin e Marinës, xha Dauti tha; Larg spiunit, është hafije i Sigurimit, mos e afro, se sa ka ardhur ai në burg, veç birucë më birucë ka bredhur! Turpi i Beratit dhe…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik   
Dossier

“Njëri nga rojet e burgut, i dorëzoi Annës sendet vetjake të Xhulios, në një kuti kartoni, por kur ajo shkoi në shtëpi dhe e hapi…”/ Historia e trishtë e italianes bukuroshe, me studentin shqiptar

January 19, 2026
“Ata vinin nga një vend fqinj me Italinë, që Anna kishte dëgjuar prej të atit të quhej; ‘Vendi i Shqiponjave’ dhe ata vetë, quheshin…”/ Historia e panjohur e bukuroshes italiane me studentin shqiptar
Dossier

“Kur gjermanët i shkuan në shtëpi, Xhulio vuri dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, pasi përkthyesi, ish-shok klase me të në Itali…”/ Historia e trishtë e italianes bukuroshe, me studentin shqiptar

January 19, 2026
“Një komunitet armenësh u vendosën në vitet ‘20-të në Durrës dhe ata ishin pjesë aktive, si në jetën ekonomike, tregtare, kulturore e sportive, si Grigor Bodikian, i cili…”/ Reportazh nga qyteti bregdetar
Dossier

“Një komunitet armenësh u vendosën në vitet ‘20-të në Durrës dhe ata ishin pjesë aktive, si në jetën ekonomike, tregtare, kulturore e sportive, si Grigor Bodikian, i cili…”/ Reportazh nga qyteti bregdetar

January 19, 2026
Pamje të qytetit bregdetar të Durrësit dhe limanit të tij
Dossier

“’Sefer Efeniu’, është rruga më tipike në kujtesën e durrsakëve, legjendare, me shumë histori, me njerëz të veprimit, të patriotizmit, të kulturës dhe qytetarisë, të sportit dhe…”/ Reportazh nga qyteti bregdetar

January 19, 2026
“Ata vinin nga një vend fqinj me Italinë, që Anna kishte dëgjuar prej të atit të quhej; ‘Vendi i Shqiponjave’ dhe ata vetë, quheshin…”/ Historia e panjohur e bukuroshes italiane me studentin shqiptar
Dossier

“Ata vinin nga një vend fqinj me Italinë, që Anna kishte dëgjuar prej të atit të quhej; ‘Vendi i Shqiponjave’ dhe ata vetë, quheshin…”/ Historia e panjohur e bukuroshes italiane me studentin shqiptar

January 19, 2026
Denoncimet e B.p. “Shkëmbi”, burgu i Burrelit, ’83: /“Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Kapllan Resuli, Bebi Konomi, Luan Burimi, Skënder Shatku, etj., flasin kundër udhëheqësit të partisë, duke thënë…”
Dossier

“Haxhi Shaban Sula, pasi iu afrua rojës i maskuar, e goditi atë dhe e rrëzoi në kanal, i mori mitrolozin me municion dhe…”/ Zbulohen dokument e Sigurimit, për tetë arratisjet e bujshme nga burgjet komuniste

January 17, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme