Nga Ahmet Bushati
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Shtypi në Shkodër gjatë muajve të parë të 1945-ës
Shtypi përmes gazetës “Koha e Re” që dilte përditë në Shkodër, kishte për detyrë kryesore që të vinte në dukje sukseset e Pushtetit Popullor dhe forcimin e tij të vazhdueshëm. Përgjithësisht faqet e kësaj gazete ishin të pushtueme prej artikujsh që glorifikojshin vëllaznimim e popullit tonë me atë jugosllav, si dhe rolin që luejshin në këtë drejtim udhëheqësit Tito dhe Enver. Përditë gjithashtu në atë gazetë, nën titujt ma bombastikë, do t’u flitte për sukseset e Ushtrisë së Kuqe në Frontin e Lindjes, suksese që iu kushtojshin “Mendjes gjeniale të Stalinit, strategut ma të madh që kishte pa ndonjiherë bota” e, vetë Ushtria Kuqe, t’u quente “e lavdishme”, “çlirimtare e popujve”, … e Stalinit…” etj.
Për nderë të nji përvjetori të saj, që po na ishte me 23 Shkurt, qysh disa ditë ma parë, shoqata, organizata e institucione të ndryshëm të qytetit, ishin detyrue të bajshin mbledhje, në të cilat, si mbas atij shtypi, t’u shprehte mirënjohja e thellë për sakrificat që ajo ushtri po bante në emën të lirisë së popujve të shtypun prej zgjedhës së Fuqive të Boshtit, e ku në mbyllje, si rregull, t’u kërkonte gjoja nga vetë populli për t’i dërgue telegram urimi Stalinit. Ka mundësi që nji festë e tillë, në raport me vendin, mos të kishte marrë as në Moskë ato përmasa e atë pompozitet si në Shqipni. Si mbas shtypit, deri edhe Malsia e Madhe, që ende vazhdonte të nxirrte tym e flakë për vete, kishte qenë mbledhë e se gjoja vetë ajo, kishte kërkue me dërgue telegram urimi në Rusi e deri edhe vetë Stalinit!
Me nji adhurim prej skllavësh, do t’u flitte për Stalinin e ndoshta po aq edhe për Titon, por me ndryshimin se notat për ketë të dytin, nuk do t’ishin ma si për nji mbinjeri, por si për nji udhëheqës ma njerëzor, ma të afërm e të prekshëm, dorën e ngrohtë të të cilit na e kishim pasë ndie qysh gjatë Luftës, përfshi edhe ndihmën e dhanë prej tij me rastin e problemit të bezdisshm të Kosovës, me “popull reaksionar e të pandreqshëm”.
Gjithashtu, nuk do të kishte ditë që t’mos u shkruente në gazetë për “reaksionin” e “reaksionarët”, denigrimi e diskreditimi i tejskajshëm i të cilëve nuk do të vuente asnjiherë për shumë hapsinë në gazetën “Koha e Re” të Shkodrës. Ndër artikujt e saj vazhdonte me mbizotnue nji stil i randë e ai zhargon bajat, i mbartun që nga viti i fundit i Luftës, ku kundërshtarët e vjetër e të rinj u paraqitshin si fantazma të rrezikshme, që msheftas po kërkojshin me prishë jetën e të gjithëve, e që në kësi rastesh, do t’u etiketojshin si “të paprinciptë”, “hileqarë”, “demonë” etj.
Në atë shtyp do t’u flitte edhe për “Frontin e Dytë” të mbizotnuem prej luftës së popujve të Jugosllavisë, kurse për “Frontin e Prendimit”, ku në fakt luftojshin me shumë sukses forcat aleate nën komandën e gjeneralëve të shquem, Ajzenhauer e Mongomery, përkatësisht i Amerikës dhe i Anglisë, do t’u flitte si me korrektesë hipokrite, sa për të kalue radhën.
Shpirti i gazetës “Koha e Re”, do të ishin Gjovalin Luka e Arif Gjyli, të cilët ndër raste lavdrimi apo denigrimi figurash, do të shfaqshin shumë sentimentalizëm revolucionar, pa kursye emën as epitet. Nji herë Arifi, për t’i provue opinionit ndryshimin cilësor mes dy regjimeve, atij reaksionar të së kaluemes dhe tjetrit, të popullit, i kishte pasë shkue mendja që krahasimin mes tyne ta bante tue i pasë rreshtue të dy palët e ministrave përballë njeni-tjetrit, si t’ishin dy ekipe futbollistësh, dhe në përfundim, si mbas Arifit, ndryshimi mes tyne do t’ishte si ai i ditës me natën. Atë artikull Arifi do ta mbyllte me fjalët: “… se ata qenë” – asht fjala për ministrat e të kaluemes -“monopolizonjës të nacionalizmit shqiptar, të lidhun bythë e krye me çdo okupator”.
Do të vinte nji ditë jo e largët, që si ish-studentit idealist, Gjovalin Lukës, i cili kishte qenë frymëzue dikur shumë prej romantikës së ideve komuniste, ashtu edhe Arif Gjylit, – njenit prej ma aktivëve të luftës në qarkun e Shkodrës dhe vëlla e dajë i dy prej dëshmorëve ma në shenj të qytetit, Esat Gjylit e Naim Gjylbegut, – që Enver Hoxhën ta zbuste sadopak në qëndrimin e tij të pabesë ndaj tyne: Gjovalinin do ta mënjanonte politikisht, ta mbyllte në vetmi e nën nji presion të vazhdueshëm, nga e cila gja ai mandej, për pasojë, të vuente fenomene të forta nervore, e nji ditë të vdiste pa qenë kujtue ma prej askujt, kurse mbi duart e Arifit, do të bijshin papritmas nji ditë prangat, për gjoja se kishte tentue t’u arratiste për në Greqi. Përralla me mret!
Kështu pra, Gjovalin Luka, Arif Gjyli, sikurse para tyne Xhemal Broja, Zef Mala, apo edhe ish krerë të tjerë komunistë kudo nëpër Shqipni, sido që përgjithësisht me nivele të mesëm kulture, do t’ishin të detyruem që të provojshin fatin, njashtu si vetë ato ide që dikur ata i kishin pasë marrë me shumë përzemërsi, përmes nji literature romantike e me frazeologji revolucionare.
Tue iu rikthye shtypit, çdo realizim i çfarëdo fushe e t’ishte, do t’u reklamonte si shumë i randësishëm, tue u vue rregullisht në dukje faktori politik që kishte mundësue suksesin e atij realizimi. Sukses do t’u quente prej shtypit fakti se mbas pak ditësh do të kishte katër orë ndriçim në natë; sukses do t’u quente edhe rifutja në punë e nji fabrike të vogël edhe për shkak se ajo nuk do të kishte ma fatin me qenë “private”, si deri para pak kohë, e sukses do t’u quente edhe ndërtimi i nji ure kanali në nji x katund e çdo gja tjetër, tue u vlerësue gjithmonë si; “rezultat vije i Pushtetit Popullor”.
Filmit të parë sovjetik, “Kutuzof”, i ardhun në atë kohë në Shqipni, i qe ba jehonë e madhe qysh disa ditë para shfaqjes së tij të parë, tue u pasë quejte në shtyp si; “realizim madhështor i kinematografisë sovjetike”. E reklamojshin edhe si nji dhuratë të randësishme që me atë rast po iu bante kulturës tonë, edhe pse u dinte se populli i Shkodrës, kishte kenë mësue prej shumë vjetësh, që në kinematë e tij “Rozafat”, “Gloria” e “Verore”, të shikonte kulme të kinematografisë botnore.
Tue fillue nga ajo kohë e mbrapa, qytetarët shkodranë, do të kishin fatin që të shifshin vetëm filma me “jetë” e “realizime prodhimesh bujqësore” ndër “kolkoze” e “sovkoze” ruse, ku heronj muzhikësh po u sakrifikojshin për interesin e miliona njerëzve të tjerë, gjoja pa dashtë me ditë për të vetin, filma për të cilët, njerëz prej popullit, shpesh herë tue dalë prej kinemasë, do t’u ndigjojshin të thoshin: “Me t’vu në gjumë”, ose “Uuuu, ça paskam fjetë”! Qysh në këtë kohë, “stereotipia” shqiptare, do të shikonte lindjen e vet të shëmtueme, gja që sidomos në shtyp, do t’u pasqyronte pa rezervë.
Artificialja, irrealja, hiperbolizimi, deformimi apo mohimi i fakteve, bashkë me hipokrizinë e falsitetin, do të ishin disa prej atyne elementëve të pamoralshëm, që diktatura para gjithë të tjerëve, do t’ua kërkonte në nji mënyrë a në nji tjetër, shërbyesve të shtypit të saj. Kështu p.sh. Fjalimin e mbajtun në Tiranë nga i pashkolluemi Koçi Xoxe, me rastin e përvjetorit të parë të “Masakrës se 4 Shkurtit”, gazetari do ta quente “historik”, e kjo për faktin banal, se fjalimi ishte i numrit dy në hierarki. Do t’u quejshin shumë të rëndësishëm fjalimet standard të mbajtun nga ana e oficerëve si Shefqet Peçi, nënkolonel Beqir Balluku e nënkolonel Esat Ndreu, me rastin e dekorimit të disa ushtarakëve për merita lufte.
Në të rrallë, ndonji poezi kushtue dëshmorëve të luftës prej Vehbi Balës, Llazar Siliqit, apo edhe Mas’har Bekteshit, sikur thyejshin e zbutshin disi notat e ashpra të shtypit të përditshëm, me slogane sa radikale, aq edhe euforike të asaj kohe.
Përgjithësisht qëndrimi i qytetarëve shkodranë ndaj regjimit komunist në ditët e tij të para
Ditët që kalojshin, merrshin me vete gjithnji e ma tepër pakënaqësinë e ankthin e nji populli me jetë të nxime prej ngjarjeve të kohëve të fundit. Do të ishte gja shumë tronditëse për qytetarët tonë në atë kohë, të cilët, thuejse mëngjes për mëngjes, do të ndigjojshin breshni automatikësh që vijshin nga ana e Zallit të Kirit, ku rregullisht u pushkatojshin kundërshtarë politikë të regjimit e, ma shumë njerëz të thjeshtë, për të ashtuquejtunit faje të ditëve të fundit, krisma e vrasje, si të dojshin me i thanë Shkodrës: “Ul kryet”!
Ma tepër se prej qytetit, u pushkatojshin njerëz nga zonat rreth e rrotull Shkodrës, sidomos nga malet. Po krahas dënimeve me burg a pushkatim për motive politike, u dënojshin qytetarë me vite burgu e me vdekje, madje edhe për faje që s’ishin politike, por që ai pushtet me qëllim i politizonte e autorët e këtyne të ashtuquejtunve “faje”, t’i quente me atë rast “anmiq” e “sabotatorë” që kishin kërkue me diskreditue, apo edhe me rrëzue, “Pushtetin e Popullit”. U dënojshin njerëz në atë kohë, në se në shtëpitë e tyne kontrolli t’u kishte gjetë sadopak ushqime mbi normën e lejueme, artikuj manifakture ose tjetër gja, që me ligj duhet të ishin dorëzue, paçin kenë ato edhe fuçija bosh, si vërtetë pat ndodhë në nji rast, për të cilat mbrapa do t’u njoftonte edhe në shtyp.
Që prej atëherë e në vazhdim, populli i Shkodrës asnjiherë nuk do t’u pajtonte me politikën e regjimit komunist, përkundrazi, komunizmin ai do ta konsideronte si nji gja të huej e, gjithmonë të keqe, që ia kishte prishë me themel rrjedhën e jetës së tij të qetë e, relativisht të mirë që kishte pasë.
Për realizimin e “verbit” komunist, koha në Shkodër do t’u kërkonte me punue ma shpejt e ma fort, se në çdo pjesë tjetër të vendit tonë, e diktatura këtu do të shtrinte thellë kthetrat e saj, aq sa në krye të tre-katër vjetëve, ajo të kishte zhdukë pothuejse deri edhe gjithë ish-udhëheqjen e Luftës Nacionalçlirimtare të Shkodrës, sepse siç pamë edhe pak ma sipër, deri atëherë kishte mbrrijtë ajo kohë që ma s’duhej t’u përkiste atyne që e kishin fillue, idealistëve, të cilët si mbas radhës, do të digjeshin njeni mbas tjetrit në atë zjarr, që ma së parit e kishin pasë ndezë vetë.
Lufta kundër Shkodrës, për shkak të botkuptimit të saj të mirëfilltë Shqiptar e shpirtit të paepun për liri, do t’ishte vazhdimisht sistematikë e intensive. Tue fillue q’athere e vazhdimisht mbrapa, shkodranët do t’i pëshpëritshin njeni-tjetrit në vesh: “S’e kanë të gjatë këta hora”, “shkojnë dy muaj e këta dalin, etj., etj., ose edhe “Anglia e Amerika nuk na lajnë nën kambë të këtyne”. Fakti që shkodranët shkuen nji jetë pa pasë vue në gojë të tyne fjalët “pushtet”, “çlirim”, e vetëm në raste të rralla zyrtarë fjalët “shok” e “shoqe”, tregon mospajtimin e tyne të vendosun me normat e pushtetit komunist. Kështu fjala “çlirim”, do t’u kujtonte me hidhnim gjatë gjithë jetës, vetëm si dita e parë e tyne nën zgjedhën e egër komuniste.
Sa herë që qytetarëve shkodranë t’u dilte nevoja me iu referue kësaj ngjarjeje, ata, tue mos dënjue me shqiptue atë emën, si gjaja ma e pavertetë që ishte për ta, do tẽ kërkojshin me e zavendësue me nji ekuivalent të tij, tue futë në punë togje fjalësh, që si mbas rastit, do t’ishin, si: “Kur patën hi k’ta”, në vend që të thojshin; “në ditën e çlirimit”, ose; “Mbasi patën hi k’ta”, ose ose; “pak pa hi k’ta”, tue e pasë fjalën për kohët “para” dhe “mbas” çlirimit, ku të heq vërejtjen përemni i theksuem diftor me semantikë të fortë mospërfillëse e përbuzëse, për ngjarjet e njerëzit e pushtetit të urryem komunist, si shkaktarë të përhershëm të fatkeqësisë së tyne që ishin.
Do të kalojshin vite e dekada, e fjalët e imponueme “shok” e “shoqe”, që siç e përmendëm pak ma parë, jashta rasteve të rralla zyrtare, nuk do t’u përdorshin prej qytetarëve shkodranë, si hipokritë e jashta etikës së sjelljes së tyne që u konsiderojshin, ndërsa, si ndoshta ndoshta në asnji vend tjetër të Shqipnisë, edhe mbas gati pesëdhetë vjet regjim komunist, fjalët “zojë” e “zotni”, do t’i ndigjojshe tue u përdorë me delikatesë, jo vetëm mes njerëzve të njohun, po edhe në dyqan, autobus, rrugë e kudo, edhe pse mes të panjohunish.
Edhe rasti kur të baheshe komunist, do të merrej si nji sfidë ndaj nji opinioni mbarë qytetar, gja që u provonte edhe prej faktit se vetë personi që “me” ose “pa hir”, ishte ba komunist, do të kërkonte me e mshehë para tjerëve “identitetin” tij të ri, prej të cilit do të dallohej me gisht për të keq e, vetë të ndjehej i turpnuem. Ka pasë disa raste kur nji personi t’i ishte kërkue me u ba komunist, e ai dhe familja e tij me atë rast, t’ishin përfshie prej nji mundimi të paparashikuem e nji dileme tepër të vështirë për tu zgjidhë: Të rekrutoheshe si komunist, do të thonte me iu kundërvue paciptas nji Shkodre konservatore, me kërkesat e saj të rrepta morale, njashtu si n’anë tjetër, kundërshtimi i “ftesës” për t’u ba komunist, do të ishte si me pranue mandej pasojat e nji regjimi aq të rrezikshëm e hakmarrës, siç ishte ai komunist.
Zakonisht sugjerimet që në nji rast të tillë do t’i jepeshin nga familja, nga ndonji i afërm i shtëpisë apo shok i personit të thirrun për t’u ba komunist, fillimisht do të ishin ato të tërheqjes, mundësisht pa pasoja, që ma së shumti do të konsistojshin në pretekste të pabesueshme e banale, si “ankesa shëndetsore”, “ngarkesa të papërballueshme familjare”, “prind të moshuem e të sëmurë”, “gjendje e keqe ekonomike”, etj., etj., e të përfundonte shpesh herë edhe në deklarata idiote e hipokrite si “…..më vjen shumë keq, por s’kam asnji mundësi, sepse po të jap unë fjalën, mandej s’ka ma familje e, asgja tjetër për mue”.
Kam parasyshë p.sh. nji rast, kur nji familje, mbas disa ditësh shqetsimi të madh, e ndoshta edhe netëve me pak gjumë, për njenin djalë qe ia kërkojshin me u ba komunist, ma në fund, tue mos ia pasë dalë me thye me justifikime nga ma te ndryshmet kambënguljen e njeriut “ferre” të Partisë, nji dite i ati, i dalun qejfit edhe prej vetes si burrë e si prind, i ishte drejtue të birit me këto fjalë: “S ‘kena çka me ba, pranoje veç nji herë, e rueju t’mos na e marrë vesht kush”!
Në nji rast tjetër, do të çuditeshim të gjithë kur të ndigjojshim se nji djalë i lagjes time – që kishte kenë dallue për natyrë te butë e të qetë, si dhe shembullor në mësime- se na ishte pasë ba komunist, i ati i tij, nji burrë “esnafë”, e që me vështirësi po rriste shumë fëmijë njëherit, kishte kenë dëshprue aq shumë, sa ne bisedë me tim atë, me të cilin kishte miqësi, do të lëshonte me atë rast mallkimin ma të randë të tij të mundshëm si prind për të birin: “Mos e paça”, ndonëse mund ta kishte fëmijë të parë dhe ashtu si e kishte dishrue.
Për t’mos u zgjatë, po tregoj edhe nji rast tjetër, atë të nji shoku tim të fëminisë, Hysen Raboshtës, i cili, pak mbasi unë te kisha dalë prej burgut, do të më fliste kështu nji ditë: “Ahmet, ti qe ba shkak, që unë pata pshtue pa u ba komunist. Disa ditë para se të të arrestojshin, me qenë vardisë shumë për të më ba komunist. Për gjatë disa ditëve me radhë, si unë ashtu dhe vllaznit e mij, ishim shumë të tronditun prej asaj gjaje. Me i kundërshtue, kisha frikë se më hiqshin prej punës, në nji kohë që gjendja e jetesës në shtëpi tonë ishte e mjerueshme, por mundohesha me u dredhue me fjalë.
Kur mandej, mbas disa ditësh mjaft të vështira për mue, ndodhi që u arrestove ti, e qẽ unë me vllazën, përfundimisht shpëtuem prej atij “sikleti” të madh: Me thirri në zyrë drejtori i ndërmarrjes ku unë punojsha si magazinier, e më pyeti: E ke pasë shok Ahmet Bushatin? Dhe unë, që të përfitojsha nga rasti, mezi ç’prita që t’i përgjigjesha: ‘Po, unë e kam pasë shumë shok dikur Ahmet Bushatin, megjithëse isha pak ma i madh se ai, sepse edhe gjatë Luftës, ka kenë ai që na ka pasë mbledhë në lagjen tonë’. Kështu pra, unë me qëllim nuk e mohova shoqninë me ty, e ata qysh atëhere m’u hoqën qafet e unë pshtova”!
Qëndrimi kundër regjimit komunist i qytetareve shkodranë, do t’ ishte konsistent qysh nga fillimi i diktaturës e, deri në “grahmat” e tij të fundit. Ai, si nji za i tyne i brendshëm, do te gjente shprehjen e vet të kundërshimit në mjete e mënyra nga ma të ndryshmet, përfshi edhe barsoletat, barsoletat e famshme shkodrane, të cilat shpeshherë do të rezultojshin “xhevahire të vërteta për nji ndërtim të tyne konciz e me finesë, si edhe për nji lustër të hollë alegorie, nën të cilën maskohesh gjithë ajo ironi e humor, që do të tallte e fishkullonte atë regjim që aq shumë u a kishte nxi jetën te gjithëve.
Barsoletat e reja shkodrane do të përcilleshin me shpejtësi “gojë m’ gojë e vesh n’vesh”, prej njenit te tjetri, aq sa në krye te tri-katër ditëve, ato t’ ishin mësue prej gjithë nji qyteti. Ndodhte që nji shok a i njohun, të kishte ndigjue nji barceletë të re, dhe mandej ai, edhe pse mund të të shihte në mes të piacës me të tjerë, tue të luejte me seriozitet gishtin tregues nga vetja, do të ndante prej tyne, dhe sa t’i afroheshe, do t’u drejtonte si me seriozitet: “A don me ta diftue nji”?
Dhe në fund, si të mbaronte së pëshperituni barceletën, nën efektin provokues e të papërmbajtshëm të saj, ata do të ndaheshin tue qeshë me të madhe, si gjoja për nji gja ge s’kishte pse t’i mshehej askujt. Për rastin tim, nji ndër “furnizuesit me të reja të këtilla, që disa herë ishte edhe autor i tyne, ka kenë ish-profesori i matematikës i dalë në pension, Taho Shkreli. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016