Dashnor Kaloçi
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.
Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 10 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj”.
TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 10 SHTATOR 1983
Tepër Sekret
Në këtë takim, në të cilin morri pjesë edhe shoku Hekuran Isai, u diskutua fillimisht mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj, për edukimin e tyre me frymë të shëndoshë partie, për nevojën e gjithashtu të gërshetimit me kujdes të kuadrove të vjetra me të reja edhe në organe të tjera, mbi domosdoshmërinë e vendosjes së një pune të partishme në organet e Punëve të Brendshme dhe mbi kujdesin që duhet të bëhet për të dalluar vërejtjet e drejta nga prirjet me qëllime armiqësore, për kujdesin e një pune parandaluese e shëruese me njerëzit në frymë partie, mbi sigurimin e udhëheqjes së Partisë në organet e Punëve të Brendshme, si dhe për strukturën dhe kompetencat në organet e Sigurimit.
SHOKU ENVER HOXHA: Po të lindë nevoja, Partia në ndonjë rast, mund të japë edhe urdhër Sigurimit që, të arrestoj ndonjë person që ka mbushur kupën, ose të mos pranojë propozimin e Degës së Brendshme, që të arrestohet një tjetër, që ajo gjykon që nuk ka ndonjë faj të rëndë.
Vendos pra Partia, që të arrestohet ky apo ai person, të futet apo jo në hetuesi, të mbahet atje për disa ditë, të pyetet për këtë apo atë çështje, pastaj t’i jepet gjyqit, ose të gjykohet i lirë, kur nuk e sheh të nevojshme të arrestohet.
Çështja është që, të ndërtohet një punë e shëndoshë nga ana e Partisë me rrjetin e informacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim që në organet e saj, të zhduket çdo frymë e sëmurë.
Çështjen e kam këtu, që paskëtaj, është e domosdoshme të rrënjoset një frymë e shëndoshë, një metodë pune e përshtatshme dhe një kuptim i drejtë në Parti, për çështjet e Sigurimit.
Por edhe Sigurimi duhet të ketë një kuptim të drejtë për popullin, për Partinë, për Frontin, për organizatën e gruas dhe për të gjitha organizatat e tjera.
Punëtori i Sigurimit duhet të mos mendojë, siç është menduar deri tani, se është i plotfuqishëm, se atij mund t’i thyhet çdo gjë dhe të bëjë si të dojë.
Jo, atij s’ka pse t’i thuhet çdo gjë nga Partia. Kur diçka është e rrezikshme, mund dhe do t’i thuhet, por kur Partia gjykon se nuk është e rrezikshme, asgjë s’i thotë.
Kurse Sigurimi, në qoftë se e shikon vetë një situatë të sëmurë, e ka vetë për detyrë që të vejë në dijeni Partinë, pse kjo ka më shumë sy, nuk mund t’i dalë asaj Sigurimi përpara me pretendimin se i di të gjitha, kurse Partia s’di gjë. Në qoftë se nuk di gjë Partia, as Sigurimi nuk mund të dijë gjë.
Dhe në qoftë se lind nevoja për ta ndrequr situatën diku në një drejtim, këtë në radhë të parë, do ta ndreqë Partia, kurse ata njerëz që, me gjithë përpjekjet e bëra, shihen se nuk e ndreqin, partia ngarkon sipas rastit organet e Sigurimit apo të Policisë, që ta çojnë në gjyq çështjen e tyre dhe sipas shkallës, të këshillohen, apo të futen në burg për riedukim. Është një frymë e tërë kjo që duhet parë dhe shëndoshur.
SHOKU HEKURAN ISAI: Po, ekziston fryma që thatë ju, shoku Enver. Deri para pak kohësh, siç e dinë të tërë shokët, Punëtori i Policisë i zonës ose i lagjes, quhej: “i plotfuqishëm”.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Po, ashtu quhej ai. Në lidhje me bashkëpunëtorët që kanë punonjësit e Degës së Punëve të Brendshme në rreth, ka një defekt, që ka të bëjë me atë që vutë në dukje ju, shoku Enver.
Punonjësit nuk duan të dinë se cilët ka bashkëpunëtorë Dega e Punëve të Brendshme. Mirëpo, mënyra se si bëhen bashkëpunëtorët, bëhet shumë hapët, gjë që në shumë raste nuk lë përshtypje të mirë në masat.
Në qoftë se Punëtori Operativ shoqërohet gjithë kohën me bashkëpunëtorët e vet, në kooperativë ose në ndërmarrje, masat e marrin me mënd që këta janë bashkëpunëtorët e Sigurimit.
Ka pastaj, edhe një të metë tjetër në këtë çështje, të paktën siç e kam parë vetë kur isha në Lushnje dhe për këtë u kisha bërë vërejtje punëtorëve të Degës së Punëve të Brendshme atje.
Pavarësisht se herë i merrnin parasysh dhe herë nuk i merrnin parasysh kritikat që bëja, një pjesë e Punëtorëve Operativë, aktivizonin si bashkëpunëtorë të tyre, njerëz me përbërje të keqe politike, jo të ndershëm, nga ata njerëz që në ndërmarrje apo në kooperativë, nuk i kish me sy të mirë fjala vjen, që nuk mban qëndrim korrekt ndaj gruas, një tjetër që nuk mban qëndrim të mirë në shoqëri, me një fjalë njerëz me vese, prandaj thanë: pse të jetë Sigurimi njerëz të tillë si bashkëpunëtorë?!
SHOKU ENVER HOXHA: Drejt mendohet, pse të ketë Sigurimi njerëz të tillë që nuk gëzon besimin e punonjësve?!
SHOQJA LENKA ÇUKO: Pse të dalë në xhiro, punonjësi i Sigurimit me një njeri jo të mirë? Ka edhe raste të tilla.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ja, në Mirditë kështu na doli!
SHOQJA LENKA ÇUKO: Nuk është vetëm në Mirditë kjo gjendje, edhe në Lushnje ku isha unë, kisha vënë re se ndonjë nga bashkëpunëtorët, njihej nga masat, prandaj ishte bërë për të vërejtje nga shokët me përgjegjësi, si sekretar byroje, që thoshin: “Po ç’na mbajnë afër njerëz të tillë punonjësit e Degës”?!
Në qoftë se i duhet ndonjëri Degës për problemet e punës, fundja le ta mbajë, por duke qenë politikisht dhe moralisht njeri jo i përshtatshëm, një punonjës i Degës nuk duhet të dalë në xhiro dhe të pijë kafe me të, mund të gjenden plot forma të tjera që të mos biem fare në sy të masës.
Këtu del edhe një problem tjetër, që ju e keni ngritur disa herë, shoku Enver, duhet bërë shumë kujdes me ata nga të cilët punonjësit e Sigurimit, marrin informata, duhet parë me sy kritik, kush i jep këto?
Në këtë drejtim ka gjithmonë mendime dhe vlerësime subjektive. Duke u mbështetur në vendimet që ka caktuar Byroja Politike, ka pasur raste që, në bazë të informatës së dhënë, është thirrur për këshillim ndonjë njeri që është menduar se ka gabuar, mirëpo ky ka mohuar të ketë folur kështu dhe ashtu.
Pasi dëgjonim përgjigjen e këtij personi, ne i vinim në dukje kryetarit të Degës, se ky nuk pranon të ketë folur ashtu si na keni informuar.
-Jo, ngulte këmbë kryetari i Degës, e kam të vërtetuar unë këtë.
-More, me cilin e ke të vërtetuar?!
-Nuk e tregoj, ja priste shkurt ai, se më digjet bashkëpunëtori, por këtë e kam të vërtetuar me një njeri. Prandaj duhet parë me shumë kujdes çdo informatë, se informatori mund të niset nga prirjet e tij subjektive për ta denigruar një njeri.
Siç thoni ju, kur ky i fundit nuk pranon në asnjë mënyrë atë që ka sjellë në Degë informatori, prandaj Punëtorët Operativë të rretheve në këto raste, duhet të instruktohen të bëjnë shumë kujdes.
SHOKU ENVER HOXHA: Informatorët nga radhët e armiqve, mendoj të mos shikohen në asnjë mënyrë në popull, krah për krah me punëtorët e Sigurimit.
SHOKU HEKURAN ISAI: Kështu e kemi dhënë tani porosinë shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Kur nevojitet, edhe një element nga radhët e armiqve që e kemi bashkëpunëtor, duhet përdorur dhe aktivizuar, por kjo, të mos bjerë në sy të popullit.
Elementi armik që pranon të vihet në shërbim të Sigurimit, jo vetëm që të mos dalë në asnjë rast në shëtitje me Punëtorët e Sigurimit, por të mos u jepet e drejta që t’u japë informatë organeve të Sigurimit, për njerëz të ndershëm të popullit, lëre pastaj siç ka ndodhur që të mbajë edhe kobure në brez.
Populli nuk duhet të njoh të tillë njerëz që janë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Në të kundërt, ai duhet të vazhdojë ta njohë një elementë të tillë, ashtu siç është, armik i deklasuar, vagabond etj.
Për këtë arsye, nuk i duhet dhënë asnjë mundësi, që të informojë për ngjarje që ndodhin në popull, qofshin të mira, qofshin të këqija. Këtë njerëz duhet të përdoren, vetëm kundër elementëve armiq. Megjithatë, një praktikë e tillë deri tani është ndjekur.
SHOKU HEKURAN ISAI: Në Mirditë shoku Enver, njerëz të tillë kishte bashkëpunëtorë Dega e Brendshme.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, në këtë drejtim, duhet të jenë bërë gabime të mëdha.
SHOKU ENVER HOXHA: Është vepruar kështu, se e tillë ka qenë koka e ministrisë, prandaj siç thatë ju, në këtë drejtim janë bërë gabime të mëdha.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ajo që thoni ju, është shumë e drejtë, më duket mua. Përse të rekrutojmë një element armik, si bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit?
Një njeri të tillë mund ta rekrutojmë vetëm në ato raste kur tek ai, jemi të bindur se mund të ketë besim armiku, me qëllim që të futet në radhët e tij dhe të na informojë që të mësojmë qëllimet që ndjek ai.
Ky pra, të jetë i destinuar vetëm për kontingjent armiqësore, të mos lejohet të na flasë për njerëzit e ndershëm. Në rast se do të përpiqet të na thotë se këtë gjë e dëgjova nga filan njeri, t’i thuhet se; ty nuk të ka ngarkuar njeri për atë punë, prandaj nuk po të dëgjoj fare në këtë drejtim.
SHOKU ENVER HOXHA: Në asnjë mënyrë nuk duhet aktivizuar një element i tillë dhe këtë e ka në dorë vetë Punëtori i Sigurimit. Kjo praktikë e tillë nuk duhet lejuar, sepse për vetë këtë element armik që të sjellë “informatën”, ka në dorë fakte që nesër mund ta fusësh në burg e jo më që t’ja dëgjosh fjalën.
Ty, do t’i thuhet këtij, të kemi rekrutuar vetëm në bazë të fakteve që ti i di shumë mirë, prandaj do të punosh për të ndjekur atë objekt që do të kemi caktuar.
Kur Punëtori i Sigurimit nuk ka më punë me të, ai duhet të lihet që të shikojë punën e vet, të punojë tokën, ose të kryej rregullisht punën në ndërmarrjen ku është caktuar që të shërbejë dhe të porositet që të mbyllë gojën.
Asnjë favorizim nuk duhet t’i bëhet këtij njeriu, nga Dega e Punëve të Brendshme, vetëm që të urdhërohet që të futet në disa ambiente e rrethe njerëzish të caktuar që bëjnë pjesë në kontingjenti armiq, punë kjo që tani nuk bëhet kështu.
SHOKU HEKURAN ISAI: Në rrethin e Mirditës, vetëm në Tregti, Dega kishte 30 bashkëpunëtorë të kësaj kategorie, bërnut fare ishin ata nga ana e përbërjes politike dhe morale.
Atje, në vend që punonjësit e Degës së Brendshme të rrethit të mbanin sekret lidhjet, shoqëroheshin hapët me këtë njerëz, bile u kishin dhënë të mbanin edhe revole. Këtë ishin për vete hajdutë. Po a mund t’i besoj tjetri një njeriu të tillë? Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016