Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.
Dokumenti me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 15 maj 1982, lidhur me takimin e Ramiz Alisë me Ernst Aust, kryetar i partisë marksiste-leniniste të Gjermanisë Perëndimore
TAKIMI DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 15 MAJ 1982
Në takim marrin pjesë shokët: Enver Hoxha, Ramiz Alia, Hekuran Isai, Foto Çami, dhe Vangjush Cërrava. Shoku Ramiz, informoi për problemet që i kanë ngritur shokët e Partisë Komuniste të Gjermanisë (marksiste-leniniste) ku u diskutua për bisedimet me qeverinë e Republikës Federale Gjermane, për marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, si dhe për rënien e prodhimit të energjisë elektrike në hidrocentralin “Drita e Partisë”, për shkak të pakësimit të prurjeve në lumin Drin.
SHOKU RAMIZ ALIA: Isha në takim me shokët gjermanë. Ata, më informuan për gjendjen e brendshme në Gjermani, si dhe për punën që bën partia e tyre për probleme të ndryshme. Shokët gjermanë, theksuan se kryesore është për ta, lufta në kushtet e krizës ekonomike, e cila në Gjermani është rënduar akoma dhe më shumë kohët e fundit.
SHOKU ENVER HOXHA: Është rënduar kriza ekonomike?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, shoku Enver, është rënduar. Shokët gjermanë, shpjeguan se kjo duket edhe në sulmin që po u bëhet në këtë vend, të drejtave të klasës punëtore. Në këto kushte, theksuan ata, puna dhe lufta e tyre zhvillohet në tre drejtime. E para, në ruajtjen e fitoreve sociale të klasës punëtore, sepse kanë filluar t’i godasin dhe t’ua marrin punëtorëve dhe ato pak të drejta që kishin fituar më parë.
E dyta, në ruajtjen e nivelit të jetesës, i cili po bie për shkak të rritjes së çmimeve e cila, është më e madhe se rritja e pagës, dhe diferenca midis tyre vetëm në muajt e fundit është 3 përqind në dëm të pagës reale. E treta, në frenimin e papunësisë sepse, paçka se zyrtarisht, thuhet se numri i të papunëve në Gjermani është 1 milion e 200 mijë punëtor, efektivisht tani atje ka mbi 2 milion të papunë.
SHOKU ENVER HOXHA: Në këtë shifër, nuk mbahen parasysh të huajt?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, këtu ata e kanë fjalën vetëm për gjermanët, pra dy milion të papunë janë vetëm punëtor gjermanë.
SHOKU ENVER HOXHA: Kjo do të thotë që po të numërohen edhe të huajt, numri i të papunëve del akoma më i madh.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani, ka filluar dhe ulja e pagës që u jepet të papunëve. Më përpara të papunëve, u jepej 68 përqind të pagës që merrnin, kur ishin në marrëdhënie pune. Kjo pagë vazhdonte t’ju jepej për gati dy vjet, kurse tani për 1 vit ju japin 60 përqind të pagës dhe më pas nuk ju japin më asgjë.
SHOKU ENVER HOXHA: “Integracione” siç e quajnë italianët.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ‘casa d’integrazione’. Kjo, jua ka ulur fare këtë përqindje të papunëve. Shokët gjermanë theksuan se, përgjithësisht ata bëjnë përpjekje por forca e partisë sonë është akoma e vogël, dhe nuk influencon dot si duhet. Si çështje të dytë, shtruan problemin e lëvizjes për paqe. Ata thanë se kjo lëvizje në Gjermani, është shumë e përhapur dhe se partia e tyre merr pjesë në të.
Por kjo lëvizje, thanë ata, ka dobësitë e veta. Së pari, ajo nuk ka karakter politik dhe më tepër ka karakter pacifist pasi, lufta e tyre drejtohet kundër garës së armatimeve dhe jo kundër politikave të luftës. D.m.th., nuk shkohet deri tek demaskimi i imperializmit amerikan apo i social-imperializmit sovjetik por, veprohet vetëm kundër garës së armatimeve.
SHOKU ENVER HOXHA: Pra flasin, vetëm për balancimin e armatimit të superfuqive?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po shoku Enver, dhe kjo është një nga dobësitë e tyre. Dobësia tjetër, ka të bëjë se në gjirin e kësaj lëvizjeje, nuk tërhiqen shumë elementë nga klasa punëtore, por më shumë ka intelektualë, pacifistë, gra, dhe studentë.
Gjithashtu një tjetër dobësi ka përsa i përket qëndrimit ndaj social-imperializmit sovjetik i cili, nuk demaskohet si fuqi imperialiste, por tek ai më tepër përqendrohet urrejtja antikomuniste. D.m.th., ndaj Bashkimit Sovjetik, mbahet një qëndrim si ndaj një vendi komunist, dhe jo si ndaj një fuqie që ka synime agresive, etj.
SHOKU ENVER HOXHA: Bashkimi Sovjetik, na u paraqitka si një vend ku ekziston “komunizmi” ndërsa udhëheqja atje është antikomuniste?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, ashtu është shoku Enver. Shokët gjermanë, thanë se do punojnë që në lëvizjen për paqe të marrin pjesë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur dhe se ata, do të bashkohen me të gjitha ato grupe apo parti që janë kundër luftës, por vetëm në ato platforma që nuk bien në kundërshtim me pozitën politike dhe me vijën e partisë së tyre. Këtu, theksuan ata, nuk marrin parasysh nëse këta pjesëmarrës në lëvizjen për paqe janë revizionistë e çfarëdo qoftë tjetër, kur platforma e tyre ju përgjigjet parullave e qëndrimeve të partisë marksiste leniniste. Këtu më duket se e kishin drejtë.
Ata, sollën një shembull të freskët të këtij bashkëpunimi por, që nuk ishte realizuar. Thanë se nuk kishin rënë dakord me platformën e propozuar nga revizionistët për qëndrimin që do të mbahej ndaj vizitës së ardhshme të Presidentit amerikan Regan në Republikën Federale Gjermane. Për këtë qëllim ishte organizuar një mbledhje, në të cilën merrnin pjesë 800 pjesëmarrës nga organizata të ndryshme, si ekologjistë, pacifistë, klerikë, revizionistë, e gjithë të tjerët me radhë si këta.
Ne, na njoftuan shokët gjermanë, nuk ramë dakord me ta sepse, ndërsa ne donim që të hidheshin parulla kundër NATO-s, kundër politikës agresive të imperializmit amerikan, kundër armatimit të superfuqive që rrezikojnë botën, shumica ra dakord që të mos flitej fare për NATO-n, dhe as kundër Reganit, por vetëm të rekomandohej bisedimet e Gjenevës për çarmatimin. Me një fjalë, çdo gjë do të ngelej në kuadër të pacifizmit.
SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë, në platformën e qeverisë së Shmidit?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Tamam ashtu, në platformën e kësaj qeverie. Shokët gjermanë, natyrisht që nuk e kishin nënshkruar këtë platformë, por në demonstratat që do të bëhen ata do të marrin pjesë me parullat e tyre.
SHOKU ENVER HOXHA: Ky qëndrim, është në rregull nga ana e tyre.
SHOKU RAMIZ ALIA: Këto ishin, përsa i përket problemit të lëvizjes për paqe. Lidhur me situatën politike në Gjermani, sipas tyre del që qeveria federale e Shmidit, aktualisht ndodhet në krizë. Ka qarqe të ndryshme, dhe këto qarqe po shtohen, që favorizojnë CDU-në, d.m.th., partinë e Shtrausit. I pyeta shokët gjermanë, se si e mendojnë ata perspektivën e kësaj gjendjeje?!
U përgjigjën duke më thënë se, ka shumë mundësi që qeveria e Shmidit, të binte. Por jo tani, por pas nja dy vjetësh kur të përfundonte mandati i saj. Këtë e mbështesin pasi sipas tyre Partia Ekologjiste “Të gjelbrit” po merr gati 5 përqind të votave që duhen. Kjo do të ndikojë në ndryshimin e raporteve midis Partisë Social-demokrate të Shmidit dhe asaj Kristian-demokrate të Shtrausit.
E dyta, Gensheri si udhëheqës i Partisë Liberale, ka filluar që të anojë më shumë nga Shtrausi. Mesa duket ai e gjykon të nevojshme që të bëjë ndryshme në qëndrimin e vet aktual, pra ekziston mundësia që ai të kalojë nga kjo anë. Duke biseduar për çështjen e marrëdhënieve tona me Gjermaninë Federale, Austi tha se, përsa i përket marrëdhënieve me Shqipërinë, janë të interesuar në mënyrë të njëllojtë të dyja palët.
Madje ka mundësi që Kristian-demokratët e Shtrausit të jenë më të interesuar, sesa social-demokratët, pasi përfaqësuesit e kësaj që e mbajnë veten për socialistë, nuk janë shumë dakord me socializmin që ndërtohet në Shqipëri, përkundrazi janë kundërshtarë të tij. Ky qëndrim vjen nga fakti që ata jo vetëm janë antikomunistë, por ndërtimin e socializmit në Shqipëri, ata e shikojnë si një sfidë ndaj socializmit të tyre. Prandaj nga kjo pikëpamje siç tha Austi, ata nuk kanë shumë simpati për vendin tonë.
Austi, e argumentoi mendimin e tij edhe me faktin se, gazetat që shkruajnë më mirë për Shqipërinë, janë ato që ndodhen nën ndikimin e CDU-së, pra të partisë së Shtrausit, gjë që unë nuk e dija. Ja p.sh., gazeta “Frankfurter-Allemaine” që ka shkruar artikuj pozitivë për vendin tonë, qenka nën ndikimin e tyre, kurse, “Der Shpigeli” dhe “Shterni”, që kanë shkruajtur artikuj të këqij për vendin tonë, janë nën ndikimin e social-demokratëve.
Shokët gjermanë, theksuan se, përsa i përket Jugosllavisë, social-demokratët gjermanë janë më të lidhur me të, pasi socializmin e tyre, e shikojnë të afërt me socializmin jugosllav. Kështu e shpjeguan ata këtë çështje. Për gjendjen e tyre të brendshme, foli dhe shoku Kohn.
SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë, ishte dhe Kohni me Austin?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po shoku Enver. Ishte edhe ai, bashkë ishin të dy. Për çështjen e lëvizjes marksiste-leniniste, dhe të taktikave në këtë lëvizje, foli Austi, i cili theksoi se kemi të njëjtin mendim se, ndikimi i partive marksiste-leniniste në masat, është relativisht i vogël dhe po vërehet se nuk po rritet me shpejtësi. Natyrisht, tha ai, këtu ndikojnë disa faktorë, dhe përmendi midis të tjerave dhe tradhtinë e revizionistëve, zhgënjimin që kanë pësuar pas kësaj masat e njerëzve, klasa punëtore, etj.
Pastaj ai, u fut në disa probleme të taktikave të ndryshme të partive marksiste-leniniste, që sipas mendimit të tyre edhe kjo, ndikon negativisht. Për këtë çështje, përmendi se ka disa parti, siç konstatojnë gjermanët, hezitojnë të futen dhe të punojnë në gjirin e sindikatave revizioniste ose reformatore, dhe kërkojnë që çdo veprim, ta bëjnë jashtë tyre. Austi, shprehu mendimin se atyre, i dukej jo i drejtë ky qëndrim pasi, në këtë mënyrë ato, nuk do të kenë mundësi për t’u futur në gjirin e klasës punëtore.
Për këtë problem ai, citoi dhe pjesë nga materialet tuaja, shoku Enver. Pra ai, shtroi nevojën e futjes së marksistë leninistëve, në gjirin e masave, nëpërmjet sindikatave. Ernst Austi, theksoi se për këtë çështjen ka disa koncepte të veçanta siç është ai i marksistë-leninistëve danezë, që mendojnë të ndërtojnë një sindikatë të re. Shokët gjermanë, nuk ishin për këtë rrugë dhe ata arsyetonin se, të fillosh për të ndërruar një sindikatë të re dhe të mos punosh me sindikatat ekzistuese, nuk është e drejtë pasi, shkëput partinë nga masat, dhe nuk e lejon atë të bashkohet me to.
Po kjo situatë, tha ai, është edhe përsa i përket organizatave të masave. Ekzistojnë organizata të ndryshme masash dhe partitë marksiste leniniste, duke u munduar që të krijojnë të tyret, nuk po futen në organizatat që ekzistojnë. Në fund, dhe siç duket, kështu ishte tërë qëllimi i tij Austi, shtroi problemin e taktikave të partive marksiste-leniniste për frontin unik. Ai tha se, sipas mendimit të tyre, një pjesë e partive hedhin poshtë apriori, çdo mundësi bashkëpunimi, çdo marrëveshje me forca të ndryshme, nëse këto kanë brenda tyre dhe revizionistë.
Në këtë drejtim, tha ai, pikëpamja e Partisë Komuniste Marksiste -Leniniste Gjermane, është se asnjëherë nuk e kanë menduar dhe nuk do ta pushojnë luftën politike ndaj revizionistëve, madje theksoi se, do ta intensifikojë atë. Por në këtë luftë, duhet të marrin pjesë të gjitha forcat lëvizëse të masave, qofshin këto dhe revizionistët, por duke ruajtur pikëpamjen dhe platformën e partisë.
Austi më tha se për këtë çështje, ka pasur disa keqkuptime me partitë homologe, pasi ka parë se këto nuk janë fleksibël, aq sa i kanë akuzuar gjermanët për të djathtë, dhe për mungesë konsekuence në luftën kundër revizionizmit, etj.
Në veçanti, theksoi ai, janë shprehur kundër nesh partitë e Danimarkës, e Kanadasë, dhe e Spanjës. Madje Partia Komuniste e Spanjës, ka shpërndarë dhe materiale në partinë tonë, ku na akuzon për oportunistë të djathtë. Natyrisht, u shpreh ai, se ne e kuptojmë që kjo parti ka mendimin e vet. Ajo e ka publikuar atë në shtyp, dhe ne jemi dakord ta botojmë këtë në gazetën tonë, dhe për këtë çështje ju përgjigjëm me një artikull shumë korrekt.
Pra mendoj se këto, rrjedhin më tepër nga opinioni sektar që kanë këto parti, dhe nga kuptimi i ngushtë i tyre për revizionizmin. Këto ishin çështjet e përmbledhura, për të cilat na folën shokët gjermanë, shoku Enver. Përshtypja ime, të paktën nga të gjitha ato që u thanë, është se shokët gjermanë, nuk i shikojnë keq çështjet. Edhe taktika e tyre, për mendimin tim, është e drejtë, përderisa këta përpiqen që të hyjnë tek masat, pa humbur identitetin, parullat e tyre politike, dhe opinionin e tyre marksist leninist.
SHOKU ENVER HOXHA: Po.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kurse partitë e tjera marksiste leniniste që u përmendën, në veçanti spanjollët, e shohin pak ngushtë këtë problem dhe tregohen sektarë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, po mesa dimë ne, edhe vetë spanjollët po bëjnë një politikë të tillë me masat.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ata, e bëjnë një gjë të tillë, veçanërisht me forcat e tjera.
SHOKU ENVER HOXHA: Me cilat forca të tjera?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Përshembull, me ish socialistët e vjetër.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, po këta ish-socialistët e vjetër, çfarë janë tani?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Forca që nuk janë futur në Partinë Socialiste të sotme. Me partinë e Karriljos, ose me atë të Gonzalesit, këta marksistë-leninistë nuk flasin fare, nuk duan të merren vesh me ta për ndonjë veprim, si për çështjen e pagave, për papunësinë, për paqen, për çështjen e bazave të NATO-s në Spanjë, etj.
SHOKU ENVER HOXHA: Por kur këto forca, manifestojnë kundër uljes së pagave, forcat marksiste-leniniste nuk marrin pjesë në to?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, marrin pjesë, por jo me ata.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Organizojnë, aksione më vete, ata?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, më vete.
SHOKU ENVER HOXHA: Si, manifestojnë vetëm?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, vetëm.
SHOKU ENVER HOXHA: Jeni të informuar mirë për këtë?! D.m.th., kur dalin dhe manifestojnë në rrugë 800 mijë veta, marksistë- leninistët nuk dalin fare?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, këta mund të dalin, por jo me parullat dhe platformë të përbashkët me forca të tjera.
SHOKU ENVER HOXHA: Mund të mos kenë platformë të përbashkët, dhe as shokët gjermanë nuk janë shprehur për platformë të përbashkët…!
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, ata thanë se kanë dhe platformë të përbashkët me forcat e tjera.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, ka raste që edhe mund të mos kenë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ka edhe raste të tilla. P.sh. në rastin konkret që përmendën ata, nuk ishin dakord me platformën pacifiste të forcave të tjera për kundërshtimin e vizitës së Reganit në Republikën Federale Gjermane.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, nuk ishin dakord, prandaj dhe nuk e nënshkruan platformën.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk ishin dakord, dhe do dalin me parullat e veta.
SHOKU ENVER HOXHA: Në parim forcat marksiste-leniniste, duhet të futen tek masat, ndryshe nuk kanë sesi të lidhen me to.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po kjo varet dhe nga rrethanat, dhe nga kushtet konkrete. Në qoftë se revizionistët spanjollë ithtarë të Karriljos me shokë, janë aq të diskretituar në popull, mendoj se marksistë leninistët spanjollë bëjnë mirë që nuk bashkëpunojnë me ta.
SHOKU RAMIZ ALIA: Duke mbajtur këtë qëndrim ata nuk duan të diskreditojnë veten, dhe të komprometohen me revizionistët.
SHOKU ENVER HOXHA: Posi, ata më lehtë mund të shkojnë në një demonstratë kundër Reganit, me një ruajalistë liberal sesa, me Karriljon që është diskretituar fund e krye, sepse është një agjent me damkë i borgjezisë brenda klasës punëtore. Pra qëndrimi që do të mbahet varet nga situatat.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është.
SHOKU ENVER HOXHA: Mendoj se në vija të përgjithshme shokët gjermanë, i kanë shtruar drejt çështjet.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe mua kështu më duket shoku Enver, në vija të përgjithshme drejt e kanë.
SHOKU ENVER HOXHA: Përsa i përket mënyrës se si do ti mbajnë marrëdhëniet këto parti midis tyre, kjo është një çështje tjetër. Ne mbajmë marrëdhënie shoqërore me të gjitha këto parti, dhe shprehim në parim mendimin tonë kur shokët e këtyre partive, na shtrojnë çështje. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016