Nga Kreshnik KUÇAJ
Memorie.al / Gjergj Bubani, është një gazetar i njohur i viteve ’20-’30 –të në Shqipëri. Pas një veprimtarie të dendur publicistike në Rumani, ai rikthehet në vitet ’30-të në Shqipëri, duke u aktivizuar në shtypin e Tiranës e, duke mbajtur edhe detyrën e drejtorit të parë të Radio – Tiranës. Në shkrimet e tij, ai lëvron gjerësisht në fushën e satirës . Ai ka lindur në vitin 1899, në Boboshticë të Korçës dhe është ndarë nga jeta, në vitin 1954. Në vitin 1915, ai studioi në Athinë, në Akademinë e Industrisë së Tregtisë dhe më pas emigroi në Rumani, ku u aktivizua në shtypin shqiptar të atjeshëm, duke mbajtur një linjë nacionaliste të fortë.
Atje ai shkruante me pseudonimin; “Guri Malësori” dhe “Malësori”. Në vitet 1924-1927, ai ishte kryeredaktor dhe drejtor politik i gazetës “Shqipëri e re” dhe korrespondent në shtypin shqiptar. Në vitin 1938, kur u krijua Radio-Tirana, ai emërohet drejtori i parë i saj. Kur Shqipëria po pushtohej nga forcat fashiste italiane, ai doli në mikrofon dhe në gjuhë të huaja, bënte thirrje ndaj Fuqive të Mëdha, që të ndërhynin e të ndalonin pushtimin. Pas pushtimit, ai jep dorëheqjen e kërkoi të shkonte në Rumani, te familja e tij, por nuk lejohet. Gjatë pushtimit gjerman, arrestohet së bashku me stafin e Radio – Tiranës dhe dërgohet në zonën e Bregut të Lumit në Tiranë, për pushkatim, por që do të shpëtonte si rrjedhojë e një ndërhyrje të shpejtë, që solli anulimin e urdhrit.
Pas Luftës, arrestohet nga komunistët dhe dënohet me 15 vite burg, nga të cilat vuan vetëm 6 vite dhe pasi del nga burgu në vitin 1950, kalon një gjendje të rënduar shëndetësore, që në fund i sjell edhe vdekjen, në vitin 1954. Përveç shumë reportazheve, intervistave, eseve e shkrimeve problemore për fusha nga më të ndryshmet e, me rëndësi të spikatur për zhvillimin e vendit, si; ekonomia, reforma arsimore, reforma agrare, kultura, etj.
Bubani kishte një krijimtari të dendur në fushën e satirës, ku shkruante me pseudonimin “Brumbulli”. Më poshtë, është një cikël reportazhesh të publikuara në gazetën “Drita”, në dhjetorin e vitit 1936 në Tiranë, ku ai shkruan me pseudonimin “Brumbulli” dhe e quan; “reportazh banal”, e me një sens të hollë ironie, ku prek tematika të forta sociale e ekonomike. Shkrimet e tij janë përmbledhur në një cikël vëllimesh të botuara nga ‘OMSCA’, nën kujdesin e Loredan Bubanit.
Shënime udhëtimi, Tiranë-Shkodër
Shënime udhëtimi….reportazh banal…!
Gjithë bota e ka bërë udhën Tiranë-Shkodër. Dëshmitarë më qoftë vetë ajo, udha, q’është bërë fryta-fryta (lëçitni, gropa-gropa), nga e fërkuara e madhe e automobilave. Sidoqoftë, mund të ishte në gjendje pak më të mirë, aq më fort se udhët kanë pasur gjer dje-pardje ministër shkodran. Reportazh banal pra, mos prisni gjëra të mëdha. Do të kapim nga ndonjë aspekt këtu-këtje, dhe kurrgjë më tepër. Një përrallë. Do të nisesha që në mëngjes. E shkruante edhe gazeta. Dhe një punë që shkruan gazeta, s’mund të jetë veçse ashtu siç u shkrua. Ama do të më thoni: “gazetat shkruanin edhe për të tjerë, se do të niseshin për në Amerikë, po nuk u nisën”.
Thoni z.juaj ashtu, se nuk i dini hallet e botës. Ose, më mirë, ju nuk e dini përrallën e atij…që zuri një hajdut në mal. Doni ta dëgjoni? Ishin dy vëllezër dhe shkruan në mal për dru. Atje u ndanë. Njëri ia mori këndej e, tjetri andej. Kur po prisnin rehat drutë, njërit syresh, më të voglit kujtoj, i doli përpara një hajdut. Ky, që ta trembë, i thërret të vëllait: – “O Nabul, o”! – “Ç’është, more Leko”?-përgjigjet Nabuli, nga maj e kodrinës tjetër. – “Eja, eja, se zura një hajdut”! – “E zure, a? Mirë! Sille ketej, në e zure”! – “Por, s’do që të vijë”! – “Atëhere lërë! Lërë, në s’do që të vijë”! Dhe i gjori Leko, i llaftarepsur, gjegjet! – “More unë e lë, po s’po më lë ai…”! …Thonë, valla, se hajduti i përrallës ishte, kësaj here, fajdexhi. Adio, Amerikë!
Kënaqem me Shkodrën
Po unë, ala s’kam zënë asnjë hajdut, se mezi kam filluar të shkruaj. Kështu, pra, unë mund të lëviz i lirë, ku të më dojë qejfi. Ç’është e drejta, n’Amerikë s’kam ndërmend të vete. Se sindozot e dini edhe z.juaj, Amerika tani, merr dhe nuk jep. Shkruan ato kohët e bekuara, kur gazetarët shqiptarë, mblidhnin në Amerikë, tagare me dollar. Asokohe kishte zbritur Perëndia mbi tokë dhe qentë gjezdisnin rrugëve me gjevrekë të varur në bisht, në Amerikë. Sot, atje, ka vetëm shomerë dhe shqiptarë që s’gjejnë dot navllon, të kthehen në shtëpi. Dhe unë s’kam para të paguaj navllon. Prandaj, s’vete në Amerikë. Kënaqem me Shkodrën.
Një vapor e një shërbëtor
Po e zgjatëm tepër fjalën. Po e bëjmë reportazhin tërkuzë, si atë të famshmin “J’accuze”, që nisi vjet dhe ala s’ka mbaruar. Tani le të lemë mënjanë hallet e botës dhe le të vijmë në hallet tona. Do të nisesha që në mëngjes. U rrojta, u kreha, u pispilosa dhe çova shërbëtorin e Zyrës, të më gjejë një makinë, ose më shqip, një vend në makinë, se s’ia kemi ngenë. E njihni shërbëtorin tim? Është ai që u ndan (kur i do qejfi) gazetën pajtimtarëve të Tiranës, me biçikletë. Është i shkathët, shpuzë sade, të gjitha punët i mbaron….përgjysmë. E kemi trashëguar, bashkë me një vapor, nga një ish-simotër. Prandaj drejtori ynë, e ruan si koqe-hajmali, ndonëse unë do të isha i mendjes, të mbarkoja ndonjë ditë në vapor dhe t’i jepja udhë në…Erzen.
Një shërbëtor shpuzak dhe një shofer rrenacak
I thashë:
– “Dëgjo këtu biri im (shprehjen ma ka dhënë hua z. Lumo Skëndo). Ec të më gjesh një vend në një makinë, në të parën makinë, që niset për Shkodër. Por hap sytë mirë, se shoferët e kanë zakon të gënjejnë. Të thonë se do të shkojnë tani dhe nisen nesër në mëngjes. More vesh, biri im”? Pas dy minutash-se ju thashë që është shpuzak dhe ka biçikletë-“biri im”, ishte prapë në zyrë. Mezi merrte frymë. – “Gjeta. Niset më 11 tamam. Dhe i thashë se do ta prisni në ‘Kursal’”.
– “More, fole mirë? U shpjegove? I the që duhet të nisem medoemos se …e ka marrë dhe gazeta”? – “Si urdhëron”! Dhe më 11 pa 10, u mbërtheva në “Kursal”. Dhe u mbërtheva për bukuri, se ndenja atje, duke pritur, gjer më 2 pas dreke. Bereqaversën, që më erdhi pranë, miku im simpatik dhe fort i çmuari artist dhe professor skulpture z. Kolë Shala, se përndryshe do të tërbohesha.
Shqiptari s’është ingliz
Kur shoh se zuri të ngryset dhe makinë s’ka, ia pres fjalën maestrit. – “More Kolë, more shpirt. Ora dy e kusur dhe ai dreqi s’ka të vijë”! – “Ç’i pandeve shqiptarët? Inglizë”? – “Jo xhanëm, s’thotë njeri njeri të jenë inglizë (atje u qoftë, që lenë goxha kurorë për një copë dashuri), por unë duhet të nisem për në Shkodër, se përndryshe drejtori më zë pas veshi…Lamtumirë, maestro”. Dhe dola. Dola të kërkoj automobilin, por gjeta vetëm…shoferin. – “Po, po. Me mue ka folë çuni. Por ma vonë me thanë se keni shkue me Postën dhe unë e kam pas nisë makinën…”! Një tjetër, që i rrinte prapa, ma bëri me isharet: “të gënjen!”
Isha i bindur. Por nuk kisha kohë për fjalë. Më tej shoh njëfarësoj automobili, që nuk ishte as voaturetë as, autobus. Diçka mes të dyjave, ta quajme nënautobus (si nënministër) pashë vetëm që ishte i vjetër, karakatinë, brenda kishte katër-pesë veta dhe përjashta një shofer, të parrojtur, por shumë simpatik. – “Për ku”? – “Për Shkodër”. – “Dhe kur nisi”? – “Njitash”. Pas pesë minutash, në lëkundjet e nënautobuzit, fluturoja për në Shkodër.
“Addio, Tirana!
Tiranë-Shkodër
Lamtumirë, Tiranë!
Lamtumirë, Tiranë”!
(Nuk shkruaj më “adio”, se korrektori ma bën me dubël d dhe unë e kam zët). Nënautobuzi, porsi një 50 vjeçare nazatare, shket duke u lëkundur mbi rrugën e Durrësit. Shket, i shkreti, sa mund, por kur dolëm jashtë Tiranës, fillon të hidhet, si ndonjë dhi, çka dëshmon se, dikur, do të ishte i markës “Chevrolet”. Sot ai është një trazim dërrasash, teneqeje dhe xhamash të thyer, dhe që lëvizin në drejtime të ndryshme, diametralisht të kundërt njeri-tjetrit, që prodhojnë një sensacion të çuditshëm, e një zhurmë infernale.
Por motori duket mjaft i shëndoshë, frenat të disiplinuara dhe dora e shoferit dinamike dhe diktatoriale dhe, të drejtën t’ju them, këto mua më interesojnë më shumë sesa dukja e jashtme. Dy devollinj, që rrinë në bankën e dytë, diçka flasin në mes tyre. Nuk i dëgjoj dot, por as ata s’e kanë dëgjuar akoma, njëri-tjetrin. Kanë 20 minuta që po flasin dhe nga toni i zërit kuptoj, se ata nuk janë marrë vesh.
“Maksusie”
Automobili ia ktheu më të djathtë. Marrim udhën e Shkodrës. Shoferi don të më thotë diçka. Foli nja 3-4 fraza, por unë kappa vetëm një fjalë, nga e cila nxorra nji kuptim. Më dinte se jam jabanxhi dhe desh të më thoshte, se ai vendi ku udha e Shkodrës ndahet nga e Durrësit, quhej Pig…! – “Qysh i the”?! – “Pigza”. Sa ecim, shoferi më duket më simpatik dhe automobili më pak i keq. Bile, bile, mund të them se ecën fare shpejt; ua mori përpara dy makinave, shumë më pretencioze në pamje dhe ndonëse matës kilometrazhi nuk ka, tani jam i sigurtë se ecim me 35 kilometra në orë! Vendosa pra t’ia këmbej emrin. S’dua t’i them më, as nënautobuz dhe as karakatinë. Do t’i gjej një emër më fisnik dhe më tingëllues. Dhe e pagëzova “Maksusie”.
Ekspresi i Stambollit
“Maksusie” pra, që, që tani e tej. Dhe është pikë e goditur emri. Ky emër u gjend ashtu, fol e qesh, por ka kuptimin e vet dhe historinë e vet. Dhe, meqenëse, në reportazhin banal të këtij udhëtimi, kanë hyrë dhe të tjera historira, le ta tregojmë këtë: Dyzet e pesëdhjetë vjet më parë-s’e mbaj mend mirë-vendosën edhe turqit, të blenë një vapor të tyre. Gjer atëhere, në Stamboll araksnin vetëm vaporë të huaj, francezë, inglizë, italianë dhe të tjerë. Vapor turk, s’kishte.
Blenë pra edhe turqit një vapor të vjetër, të cilin e përdorën për vijën Stamboll-izmri. Një herë në javë nisesh, ky vapor nga Stambolli dhe pas tri ditësh, soste shëndosh e mirë në Izmir. Vaporët e huaj këtë udhëtim, e bënin vetëm në një ditë. Por kjo nuk i pengonte turqit, të mburren me vaporin e tyre dhe të dalin, një herë në javë, në buzën e detit, të presin me nderime të posaçme, kur shëndoshë e mirë, kthehej nga udhëtimi. Dhe a e dini se si ia kishin venë emrin këtij vapori? “Maksusie”, që domethënë evropalisht “ekspres”!
Vlera e “Maksusie”
E patë, pra? Me një histori, me një mesele, shkurtuam aq udhë! Në fund, si ndoca viganë, vizatohen malet e Matit dhe të Krujës. Njëri pas tjetrit, suksedohen peisazhet piktoreske. Shqipëria e tërë është e bukur, por udha e Shkodrës, ka diçka të sajën, diçka të veçantë që të megjeps. Peisazhet këmbehen dendur, nuk të lodhin dhe nuancat e ngjyrave, i gjen më lehtë nëpër tablora fantazie, sesa në çipa natyre. Ja dhe Kruja, e shpërndarë dhe e mbërthyer atje, mnd në mes të malit. Bukuri e rrallë.
Mezi tani po marr vesh pse tanët, posa vjen ndonjë vizitor i huaj, shpejt e shpien në Krujë. Domethënë, s’qenka vetëm për gostitë e pashoqe, q’u afrohen të huajve në Teqenë e Krujës, ndënë hijen e lisave shekullorë, nga Baballarë dhe Dervishlerë mirëpritës, gosti me famë të përbotshme, nga dita që kaloi andej dhe i ndjeri ish-kryetar i Zyrës Ndërkombëtare të Punës, Albert Thomas i cili, muaj me radhë, vazhdonte në Gjenevë t’u tregonte diplomatëve, se s’ka në botë çorbë, si çorba që hëngri në Krujë!
S’qenkan pra vetëm gostitë dhe vlera historike e kalasë legjendare, shkaqet e këtyre vizitave, por qenka dhe bukuria e peisazheve! Dhe, sa vetë, kjo bukuri shtohet duke u ndryshuar tablotë. Shkurt: Kush nuk e ka bërë këtë udhë, duhet ta bëjë, por të zgjedhë një ditë të bukur me diell. Edhe një këshillë: Jo me automobil nga ata që nxitohen, se është gjynah të mos i shijoni sa më mirë këto peisazhe. Me “Maksusien”, po, me “Maksusien” time, të cilën, tani që ia gjeta vlerën, s’e ndërroj as me automobilin e z. Fortuzi.
“Maksusia” ecën me vitezë (shpejtësi) të plotë dhe udha shkurtohet gjithmonë. Më të djathtë, majë një kodrine, një grumbull i bukur shtëpiash. Në fund, malet masive. Një grua, nuse e re, me një foshnje në krah dhe një sëpatë në krahun tjetër traverson (kapërcen) xhadenë. Veshur me petka kombëtare dhe me fytyrë të zbuluar, të bukur, e bardhë, e kuqe dhe plot shëndet, shkon për dru në pyll. Kjo duhet të jetë shqiptarja e vërtetë, shqiptarja nga e cila ky komb pret rigjenerimin e tij.
As nga pamja, as nga veshja, as nga ecja kjo sorkadhe s’ka kurrgjë të përbashkët me gratë e qyteteve tona dhe sidomos me ato që hasim në Tiranë, Shkodër, Elbasan e, gjetkë, të veshura si goxhomela, për të trembur galat. Malësorja nuk mbulohet, nuk është mbuluar kurrë. Mbulimi i grave është një zakon i huaj. Na e kanë prurë turqit. Sot turqit e lanë këtë adet por ne vazhdojmë ta ruajme. Dhe do ta ruajmë për shumë kohë, se është provuar që jemi kokëfortë në prapanikërinë tonë.
Vetëm mua me dil mbuluar
Por, kështu siç ia nisëm, reportazhi po bëhet me të vërtetë banal. Hajt t’i japim pak ngjyrë shakaje. Fjalën e kemi te mbulimi i grave. Shumë vjet më parë, një miku im liberal, u martua kundër dëshirës së tij, me gruan që i zgjodhën prindërit. Mundet të ish dhe jo aq e shëmtuar e gjora, por mikut s’ia mbushi dot syrin. Disa ditë pas martesës, gruaja që ishte rritur me zakonet e qyteteve shqiptare, e mbyllur në kafaz dhe e mbuluar me çarçaf, e pyet të shoqin, se kujt t’i dalë zbuluar e, kujt jo. Dhe ai-një shpuzak i rritur nëpër sallonet e Europës-pa një pa dy, i thotë: – “Gjithë botës t’i dalësh zbuluar, vetëm mua me dil e mbuluar”!
“Maksusia” dhe kollokosdrumi
Qendruam. Ç’ka ngjarë? Nevë kurrgjë, as “Maksusisë”, por udha është e zënë nga një kamion i madh, sa një vagon ferrovije, që ka ngecur në mes të shoshesë, se mbeti pa benzinë. Deri te depoja më e afërt benzine, janë 10 kilometra. Shoferi i shkathët ka dërguar ndihmësin më këmbë, me një teneqe dhe pret derisa t’i vijë benzina. Ndihmësi ka një orë që është nisur dhe po të mos gjejë ndonjë automobil e, të jetë i detyruar të vejë e të vijë me këmbë, pas 3 orësh mund të kthehet. Pata rastin të krenohem, kur pashë se ‘Maksusia” jonë e vogël, nxorri nga barku i saj dy litra gjak të bardhë, t’ia huajë kollokosdrumit-kamion.
Kamioni lëvizi nga vendi dhe “Maksusia” fluturoi sërish. Nga ana e majtë një peisazh përralle. Në majë të kodrinës së bleruar, duket një xhami dhe një sahat. –“Preza”! – më shpjegon shoferi. Dhe kur kalonim afër Prezës, nga ana e djathtë e udhës, shoh ndihmësin me teneqenë në dorë. Na bëri shenjë ta marrim edhe atë. Por ne i treguam në fund të udhës kamionin e tij, që ishte nisur dhe po na binte pas. “Bërë keq që i dhe benzinë”, – i bërtas në vesh shoferit. “Jo, xhanëm! Gjynah”! “Keq bërë, usta! Më mirë e lidhnim kollokosdrumin prapa ‘Maksusisë’ dhe e tërhiqnim, nj’ashtu, ta bënim rezil. Unë ju nxirrja në kadro dhe e vinim në gazetë. Do të ishte një reklamë për ‘Maksusien’”.
Llastika e rraskapitur
Mbërritëm te Ura e Zezë. Qendruam. Këtu tjetër batare. Një autobus pasagjerësh-që transporton edhe postën-ka ngelur se iu shpuan llastikat. Rezerva nuk ka dhe shoferi i shkretë, bashkë me ndihmësin, po përpiqen të arnojnë një llasgtikë të rraskapitur. Pasagjerët grinden. Disa duan të vijnë me “Maksusien”, por transportin e kanë paguar dhe shoferi s’ka para, t’ua kthejë.
Marrim vetëm një kapter-xhabaxhi ai, atje dhe këtu-dhe lamtumirë Zonja Postë, që u nise nga Tirana, 2-3 orë përpara nesh. Po të deshe benzinë, të jepnim, por llastikat i kemi për vete. E lëmë me të djathtë udhën që këputet për në Krujë, kalojmë pranë Teqesë së famshme dhe fluturojmë përpara. – “Të lutem z. kapter, pak më andej pushkën, se e kam zët me të gjithë shoferët… se 3-4 herë në ditë udhëtonte nga një fshat në tjetrin. Ishim në juridiksionin e tij dhe nga pak sa më tha shoferi më vonë, ishte treguar shumë i zoti në detyrë.
E thyem Ramazanin
Më shpejti vetëtime, kaluam nga Uji i Qelbur. Filloi të ngryset dhe ne tani kemi hyrë në ngushticën që formohet mes malit dhe lumit. Këtu, një qendër e bukur, godina të reja, diçka si Librazhdi. Kalojmë disa minuta mbi ngushticën dhe, në të kthyer të malit, na del përpara ura madhështore, “Zog I-rë”. E traversojmë dhe ndiej sikur përçajmë ndonjë bulevard Tirane. Lumi ka mbytur një fushë të tërë, por nuk duket mirë, se u ngrys. Matanë urës, hasim nja 3-4 gra. Të ngarkuara me dru, po kthehen nga mali për në fshat. Pamje rustike, por keq e shëmtuar; tregon brutalisht vobekësinë tonë. – “Sa të jetë ora”? – pyet shoferi. –“Pesë pa pesë”, – i përgjigjem.
– “Do të ketë rënë topi pra”. – “O sigurisht. Është mjaft vonë”! Shoferi e vë dorën në xhep dhe na jep të gjithëve nga një mollë-i kishte blerë në Mamurras – që ta thyejmë ramazanin. Devolinjtë thurën cigaret dhe i ndezën. Dhe pas aq orësh abstenimi, e thëthinin tani tymin me një shije që ne s’jemi në derexhe ta njohim kurrë. Urdhëratat më inteligjente të fesë muslimane mbeten Ramazani dhe e lara. E dyta pastron trupin, kurse e para është një ushtrim i mrekullueshëm i vullnetit për t’u abstenuar, plus dietë, pastrim i stomakut dhe fuqizim i oreksit. Por ja se ku mbërritëm në Lesh. Këtu na pret restoranti, me tërë të mirat.
Natë Ramazani
Vonë natën, mbërritëm në Shkodër dhe qëndruam përpara në hotelin “Park”. Me mallëngjim u ndava nga ”Maksusia” e dashur. Unë u drejtova për në hotel dhe shoferi vajti të rruhet. Natë Ramazani. Dritëra dhe lëvizje boll, n’atë copën e vogël që formon qendrën e Shkodrës. Kush nuk e njeh Shkodrën dhe bije befas, një ndajna herë, kushedi se në ç’qytet të famshëm Europe. Po unë Shkodrën e kam njohur edhe herë tjetër, me gjithë cilësitë dhe mungesat e saj. Megjithëkëtë, veshja e kremtimit që ka marrë, më tërheq dhe më pëlqen.
Daulle dhe këmbana
Tjetër herë, më ora 8 të akshamit, jeta ka pushuar në qendër të Shkodrës. Shkodranët – konservatorë me fame – janë hequr nëpër shtëpitë e tyre dhe, në të 2-3 kafenetë më të mira të qendrës, rrallë e tek do të shohesh ndonjë grup myshterinjsh të vonuar. Por sonte ndryshon. Janë netët e fundit të Ramazanit dhe në kohë Ramazani, lëvizja në qendër të Shkodrës, vazhdon deri afër mesnatës. Në punë feje, Shkodra mban rekordin në Shqipëri.
Nuk dua t’i hyj më thellë këtij bisedimi, se është tepër delikat. Dhe s’do ta çikja fare, sikur të mos më ish prekur drejtëpërdrejt, qetësia dhe gjumi. Sidomos gjumi. S’munda të fle gjithë natën. Se kur pushuan daullet e Ramazanit, filluan kambanat. Dhe pa dashur, vura re se Shkodra ka edhe daullet të forta, edhe këmbanat të mëdha.
Hotel “Park”
Shkodra ka një hotel, që s’e ka asnjë qytet i Shqipërisë. Bina e bukur, modern, dhoma të mëdha, me ujë të rrjedhshëm, banjë, mobilje të mira. Vetëm një gjë i mungon, që të quhet hotel i mbaruar; kaloriferi. Edhe hoteli “Park”, ngrohet sipas sistemit të “Internacionalit”: dy stufa në korridor dhe dyert e dhomave të hapura. Më në fund problemi zbërthehet me një tagar qymyr të ndezur. Dhe tagari jo vetëm që është i rrezikshëm, por i prish gjithë bukurinë hotelit.
Poshtë, kafeneja e hotelit, e ndarë në dy pjesë, paraqitet si një lokal i mbaruar. Në fund restoranti me 6 klientë dhe me një kamerier me famë ndërkombëtare, Pjetrin. Pjetër dhe jo pjepër. Pjetri, kamerieri i restorantit “Park”, ka siç e thamë famë ndërshqiptare. Por është tepër i zemëruar me gazetarët. Se një tjetër gazetar që kaloi andej disa muaj më parë, e paska pagëzuar; “pjepër”! Dhe që atëhere, Pjepër i thërresin të 6 klientët e rregullt të restorantit. Pjetri i shkretë hidhërohet por nuk e tregon, që të mos i prishë qejfin botës.
Dhe që ta shuajë marazin, ndalet hera herës prapa paravanit të hyrjes dhe e mbyt hidhërimin, me një gotëz uji të gjallë dhe të fortë rrushi. Kur pesëdhjetëshi i tahinit të rregullt zbrazet, kamarierit i ndryshohet fytyra. Mund ta thërrasësh tani pjepër dhe laknor, po të duash. Nuk zemërohet më. Ka qejf përfjalë dhe, po e more me të mirë, di të të kallëzojë edhe fatin, duke këqyrur fundin e filxhanit të kafesë.
Dy sisteme
Midis 6 myshtërinjve të rregullt-pardon 7, se jam edhe unë tani, është edhe një profesor i Gjimnazit, djalë i ri dhe simpatik, me kulturë të shëndoshë. Ka disa muaj që ka ardhur prej Amerike, ku mori doktoratën në shkenca natyre. Pjetri më shpjegon në vesh: “Profesor i mirë, por ka dy kusure: Kur ha kos ose pilaf, na e than sheqerin dhe në shkollë, kur mbaron mësimin, u thotë nxënësve; Ju faleminderit! Dhe nxënësit ia krisin gazit. Se nuk janë mësuar me fjalë të bukura”.
– “Por si thua o Pjetër? Bën mirë a keq”? – “Pasha Zotin, unë i kam thënë se keq bën, por ai nuk më dëgjon. Don, thotë, t’i bëjë nxënësit miq edhe shokë. Se ashtu e lyp sistemi pedagogjik, që ka mësuar në Amerikë! Sistem i gabuar, zotëri dhe kryekëput në kundërshtim me sistemet tona. Unë i di këto sistemet tona se kam qenë një vit nxënës në gjimnazin e kryeqytetit…”! Pjetri di të bëjë edhe shaka.
Duhet bërë diçka për Shkodrën
Pazari i Shkodrës, është në kundërshtim flagrant me urbanizimin e qendrës. Dyqane të vegjël, të shtrembër, dyqanxhinj me fytyra të vrenjtura nga shkaku i krizës. Shkodra vuan shumë ekonomikisht. Më shumë se çdo qytet tjetër i Shqipërisë. Se interlandi që i ka mbetur, është tepër i kufizuar. Ose më mirë, Shkodra është tepër e madhe për të. Por shkodranët, u mësuan të vuajnë dhe nuk grinden aq tepër. Kjo dëshmon se janë patriot. Megjithëkëtë, Shkodrën nuk duhet ta neveritim në duart e fatit. Diçka duhet bërë për ta shpëtuar këtë qytet të bukur dhe të moçëm, nga dekadenca.
Për industri, Shkodra është ideale. Liqeni, lumenjtë, lidhja e tyre me detin, janë avantazhe të mëdha. Kaiket dhe vaporët të ngarkuar në buzë të Bunës, mundin të komunikojnë lehtë me gjithë limanet shqiptare dhe me botën e jashtme. Sot Shkodra ka vetëm një industri të shënuar: ‘Portland Çimenton’. Shpresojmë se në të ardhmen, do të lulzojnë në atë qytet dhe industri të tjera-punimi i drurit, i leshit, i lëkurëve, etj. Dhe kështu Shkodra do të ringjallet. Shkodra s’ka trafik, por malësitë s’kanë bukë.
Por nëse Shkodra vuan nga mungesa e trafikut, malësitë e saj vuajnë nga mungesa e copës së bukës – kallamoqi. Bukë e krypë. Këtu përmblidhen gjithë pretencionet që lypin nga jeta dragonat e atyre maleve. Por as këto s’mund t’i kenë. Të izoluar nëpër maja bregoresh shterpë, malësorët tanë duan të punojnë, por u mungon toka. Këtu-këtej disa fusha toke, 5-6 brazda të shkurtra të hequra me shumë zor e mundim nëpër të tatëpjeta, mezi i sigurojnë familjes disa tagare misër. Ushqimin për 3-4 muaj. Por viti ka dhe 8 muaj të tjerë, dhe barku don përditë.
Vjen Qeveria – pastë hair – me ndihmën e saj u ndan malësorëve nga 2-3 kile kallamoq dhe kështu mbulohen hallet për 2-3 muaj të tjerë. Pastaj malësorët zbresin nëpër qytetet, sidomos në Shkodër, çajnë dru, fitojnë 1-2 lekë në ditë dhe blejnë kallamoq. Por drutë për t’u çarë janë më pak, se malësorët që kërkojnë punë.
Një formulë shpëtimtare
Në kafen e hotelit “Park”, muhabeti vërtitej rreth krizës, malësorëve, druve për t’u çarë, kallamoqit dhe urdhërave qeveritare, për të ndaluar zbritjen e katundarëve nëpër qytete. Flet zoti M.K., ekonomist me famë. – “Urdhërat nuk janë të këqinj, por qysh i bëhet hallit, që katundarët e maleve tona s’kanë bukë”? – “T’i kolonizojmë nëpër fusha”. – “I kolonizuam në Myzeqe dhe na i hëngri malarja”. – “Atëhere qysh mendon zotrote”? – “Shqipëria është e ngushtë dhe e gjatë. Nga mallet e saj këputen katër lumenj që derdhen në Adriatik. Këta lumenj janë rebelë, na mbytin fushat dhe na lenë pa bukë”.
– “E, pra? – Të mblidhemi të gjithë, një milion veta sa jemi, të lemë çdo punë tjetër mënjanë dhe brenda në disa vjet, të godisim të katër kanalet që naduhen. T’i disiplinojmë dhe t’i vëmë në zap lumenjtë tanë. Po e bëmë këtë shpëtuam nga vobekësia”. – “Por a realizohet dot praktikisht ky plan”? – “Po, mjafton të duam dhe ta vendosim të përdorim, për këtë qëllim fuqitë e ushtrisë, popullin e papunë edhe punëtorët e detyrueshëm. Kapitale fort të mëdha, nuk duhen. Krah kemi boll”. Unë, që nuk jam edhe aq fort kompetent në punë ekonomie dhe sidomos për kanalet, e regjistrova formulën me gjithë rezervat. Memorie.al
“Brumbulli”, dhjetor 1936