Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e dy
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me ekstraktin e nxjerrë nga Punëtori Operativ Et’hem Bakaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Bredhi”, i cili ishte dërguar për të përpunuar Shefqet Kelmendin, në dhomat e izolimit të Degës së Punëve të Brendshme të Krujës ku ai mbahej i arrestuar
Sekret
Ekzemplar 1
Tiranë më 4.4.1984
E K S T R A K T
Nxjerrë nga raporti agjenturor i B.p. “Bredhi”, datë 4.4.1984, që përpunon në dhomat e izolimit objektin Shefqet Kelmendi,m në 2/A, si agjent në shërbim të Zbulimit Jugosllav.
….Gjatë bisedave, Shefqeti i foli atij për Selimin, duke i thënë se ka pasur shok të ngushtë, Myrteza Bajraktarin. Kur u arrestua Myrtezai, Selimi me një grup shokësh, i dërguan gruas së Myrtezait, 600 lekë në muaj, deri kur u lirua ai.
Po kështu, Selimi nuk pranoi të dilte dëshmitar kundër Myrtezait, me gjithë kërcënimet që i bënin, por mua dhe Selimit, na bëri përshtypje që, mbas gjyqit, një oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme që drejtonte punët e Kosovës, Skënder Backa, e takoi Selimin dhe e falenderoi për qëndrimin burrëror që mbajti dhe tha se: “Kosovari, është turp t’i dalë dëshmitar kosovarit”.
Ne, vazhdoi Shefqeti, kemi pasur shoqëri të ngushtë edhe me Rustem Gjatën (unë dhe Selimi), që tani është në Gjykatën e Lartë, Rustemi na fliste me respekt për Skënder Backën dhe na tha se doli në lirim, për arsye shëndetësore, se do e dërgonin me punë ambasador në disa shtete, por shtetet nuk e pranuan. Kam shumë shpresë se procesin tonë, do ta ketë Rustemi, se është njeri i mirë, e kemi pasur shok dhe do të na favorizoi.
Në një rast, Shefqeti i shpjegoi atij, se Dega e Punëve të Brendshme e Lezhës, ka propozuar me dhjetëra herë, arrestimin tim, por ministria nuk jua ka pranuar. Mua, prej kohësh dikush në Ministrinë e Punëve të Brendshme, më ka përkrahur dhe jam i sigurt, se Skënder Backa e Feçor Shehu, kur ishin në pozitë…..Skënder Backa, në një rast i tha Selimit se: Shefqeti e ka punën keq dhe Selimi i alarmuar erdhi dhe më tha, por asgjë nuk ndodhi deri tani vonë…!
“BREDHI”
Punëtori Operativ
Et’hem Bakaj
Dokumenti sekret me raportin e përpiluar nga Punëtori Operativ, Et’hem Bakaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Bredhi”, i cili ishte dërguar për përpunimin e Shefqet Kelmendit, që mbahej i izoluar në dhomat e izolimit të Degës së Punëve të Brendshme të Krujës
Dha: B.p. “Bredhi”
Mori: P.Op. Et’hem Bakaj
Raporti i datës 16.4.1984
Burimi informon se më datën 14.4.1984, pyetjeve të Shefqet Kelmendit në birucë, për hetuesinë, ai ju përgjigj se: hetuesi më doli tek plikot që merrja në kufi. Unë në fillim i mohova, por, siç të kam thënë, nuk dua t’a prish me hetuesin dhe i thashë se do të mendohem e do të japë përgjigje. Shefqeti tha se: po e pe se problemet kanë dalë, apo dalin, më mirë përgjigju drejt.
Në vazhdim të bisedës, Shefqeti i tha atij se: edhe unë marrëdhëniet me hetuesin i kam të mira dhe nuk kam leverdi t’i prish, por për rezistuar, do të rezistoj. Sot më pyeti përsëri për shokët e Selimit dhe shokët e mi dhe për vendin e takimit.
Për shokët i fola pak, kurse për vendin e takimit i dhashë përgjigjen e parë “në veturë’, por hetuesi nuk e pranoi. Unë e shoh se për shokët, do të detyrohem të flas. Kështu për Namik Lucën, do të them të vërtetën, se është i arrestuar dhe do të flasë edhe ai.
Do të shpjegoj se pasi kam marrë detyrën nga Qamil Muhaxhiri dhe Ramizi, kam shkuar në shtëpinë e Namikut dhe kam biseduar. Namiku, kur mori vesh se edhe Selimi ishte dakord, pranoi. Ne jemi takuar disa herë dhe kemi vendosur për të bërë terrorin ndaj udhëheqësit kryesor të Partisë dhe për ambasadën.
Namiku ishte i pakënaqur, në të gjitha anët dhe u tregua i gatshëm, por nuk ishim të zotët të bënin asgjë. Edhe për Estrefin, do të jap disa shpjegime, megjithëse disa gjëra i kam thënë, por do të pranoj se unë ja kam komunikuar detyrat dhe se së bashku kemi bërë përpjekje.
Keq e kam punën për Myrteza Bajaraktarin, në fakt Myrtezai ishte i pakënaqur, por unë rrallë jam takuar me të. Më tepër është takuar Selimi se e kishte shok të ngushtë dhe Selimi më thoshte se Myrtezai, është dakord me detyrat dhe i gatshëm të bashkëpunojë me ne.
Hetuesi më pyeti edhe për Kristina Palin. Në fakt, Kristina ka biseduar me Selimin për arratisje dhe flisnin hapur kundra Partisë dhe shtetit. Po t’i thoshte Selimi, kryeje këtë punë, qoftë edhe me qëllu me armë udhëheqësin, ajo e bënte, por nuk di e bisedoj Selimi këtë punë me të, apo jo?!
Unë do të pranoj se ajo vetëm agjitacion ka bërë kundra Partisë dhe shtetit. Për të tjerët, të japi shpjegime Selimi, po pati. Ai i tha: po për Bardhylin, a të pyeti? Shefqeti u përgjigj se, jo. Në fillim pyetën, por tani jo, ishalla shpëton se është njeri me halle.
Më datën 15.4.1984, kur u kthye nga hetuesia, Shefqeti i tha atij se: hetuesi më pyeti dhe më mori katër proces-verbale: Për Ramizin, për Namikun, për Kristinën dhe të fundit për Myrtezain.
Unë dhashë shpjegime dhe hetuesi mbeti disi i kënaqur, por më tha se i shpjegon shkurt dhe unë në të vërtetë, shkurt u përpoqa të flasë. Për Ramizin, fola gjatë duke përmendur ato që m’u kujtuan, kurse të tjerët, u përpoqa t’i mbroj, por nuk kam se çfarë t’i bëj.
Kur flas për veten time, as që do të pyes shumë për të tjerët. Më i kursyer u tregova për Kristinën dhe për Myrtezain. Për ata le të flasë Selimi, se i ka pasur më të afërt. Po i mbrojti ai, ata nuk arrestohen, ose në të kundërt, do të arrestohen.
Shefqeti tha se: shpesh më shkon goja dhe them se viti 1973, dhe në një rast, hetuesi më tha që: a mos vallë ka lidhje viti 1973 me fillimin e aktivitetit? Unë ja mohova. Bisedën për terrorin ne e kemi bërë në verën e vitit 1982 dhe e lamë që terrorin ta kryenim në inagurimin e Muzeut të Skënderbeut në Krujë, më 17 janar 1983.
Për këtë punë, kemi biseduar edhe herë të tjera, por mbetën fjalë. Pra ne kemi kryer dy faza të krimit: atë të bisedës dhe të përgatitjes, kështu që e kemi të lehtë për dënimin, se nuk kaluam në faza të tjera, si tentative etj.
Duke folur për vendin e takimit, Shefqeti i tha atij, se: do të këmbëngul që takimin e kemi bërë në veturë. Ti e kupton ku e kanë hallin këta, dyshojnë se takimin e kemi bërë në ndonjë shtëpi, por kaq lehtë nuk do t’ju flas për këtë problem. Ai e pyeti se si është puna? Shefqeti tha se: ti e kupton, por unë nuk do të flas për tjetër vend, vetëm po këmbëngulën gjatë.
Në një rast Shefqeti, e pyeti atë, se: UDB-ja a organizonte sabotime ekonomike? Ai tha se, po. Shefqeti në vazhdim shpjegoj se në fshatin Shën-Koll të Lezhës, është një stallë për rritjen e kuajve. Para dy tre vjetësh, u helmatisë shumë kuaj dhe nuk u përcaktua qartë se cili ishte shkaku.
Bile, u dënuan disa vetë, për mos kujdesie dhe u gjobitën me miliona lekë. Kuajt i binin me kokë ndonjë guri dhe ngordhnin. Nuk u përcaktua se cili ishte shkaku, por ndonjë helmim duhet të ketë qenë. Ai i tha se: ndoshta është dora e tanëve. Shefqeti tha se: edhe mundet, nuk i dihet.
“Bredhi”
Detyra:
-Duke qenë se Shefqeti flet shkurt për probleme të hetuesisë së vet, edhe ti mbas kthimit, i thuaj se: sot pranova se tek kutia merrja dhe lija edhe pliko, të cilat m’i sillte, ose ja jepja Aliut….! Hetuesi pyeste për kë ishin plikot, por unë i thashë se detyra ime ishte vetëm që t’ja jepja Aliut. Hetuesi nuk u kënaq, por unë këmbëngula. Hetuesi më tha: mendohu se do të të marr përsëri nesër…!
Vlersim:
-Të dhënat kanë vlerë. Objekti Shefqet Kelmendi, implikon në veprimtari të përbashkët armiqësore, Namik Lucin, për aktin e terrorit, Kristina Palin, për tendencë arratisje e dyshime për terror, e Myrteza Bajraktarin, për të cilët thotë se në hetuesi i kam mbrojtur, duke mos shpjeguar tamam, ato që kanë kryer.
-Shefqeti thotë se ka dijeni për diversion me anë helmi në stallat e kuajve në Lezhë dhe e lidh këtë bisedë me detyrat që jep UDB-ja, por pa dhënë shpjegime, për autorin.
Masat Operative:
Raporti u shtyp në shtatë kopje, për Shefqet, Selim dhe Estref Kelmendi,, Namik Lucin, Myrteza Bajraktarin, Kristina Palin dhe dosjen agjenturore.
-Do të nxirret ekstrakt për Bardhyl Kelmendin dhe t’i dorëzohet Degës së Punëve të Brendshme, Durrës.
-Të nxirret ekstrakti për helmimin e kuajve e t’i dërgohet Degës së Punëve të Brendshme Lezhë, për verifikim e, për t’u vendosur në dosjen e kërkimit të autorit.
-Me të dhënën do të njihen drejtuesit, kurse me përmbajtjen e saj, t’i bëhet informacion hetuesit.
Punëtori Operativ
Et’hem Bakaj
Shënim:
Myrtezain ta marrim prapë në survejim. Ta gjejmë Ismail Tërshanën e ta …..! Ky ka lidhje të ngushtë me Aishe Shimën, kështu që nëpërmjet kësaj ose direkt, mund ta drejtojmë tek Myrtezai, megjithëse nuk ka raporte për të.
Arifi
4.5.1984
Dokumenti sekret me raportin e përpiluar nga Punëtori Operativ, Simon Qirici, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Galeci”, i cili ishte ngarkuar për ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit, në qytetin e Tiranës
Mori: P.Op. Simon Qirici
Jep: B.p. “Galeci”
SEKRET
Datë, 28.2.1984
Raporti i datës 28.2.1984
Burimi, sipas porosisë që kishte, me 24.12.1983, i shkoi për vizitë në shtëpi, Myrteza Bajraktarit. Atje gjeti dhe një grua tjetër, të cilën Myrtezai ja prezantoi, se ishte Aishe Shima, me punë sekretare në Gjykatën e rrethit.
Myrtezai i tha asaj se: me këtë kemi qenë bashkë në atë vendin e bukur (fjala ishte për Semanin, ku burimi me Myrtezanë, kanë qenë të internuar), pastaj Myrtezai vazhdoi duke treguar për internimin e tyre në Seman të Fierit, duke thënë se: para se të largoheshin nga kampi, shkoi atje gjeneral Nevzat Haznedari me ish-Kryetarin e Degës, Abedin Tajarin.
Bënë një mbledhje me kosovarët që kishin mbetur, Nevzati u tha se kampi do të prishej, kush është për shkollë të të vazhdonte, kush është për punë, do t’i jepej punë dhe kështu, na çuan në Çermë të Lushnjes. Një kosovar, i quajtur Musa Bërdyna, i cili vuante nga sistemi nervor, u çua dhe tha: “Deri tashti, na keni thënë jugosllav, tani na thoni vëllezër kosovar, shkollë ishte kjo që bëmë këtu për tetë vjet, tani na lini të ikim në vendin tonë”.
Abedini, i bëri me shenjë Nevzatit, për t’i treguar se Musai ishte i metë. Musai e pa këtë gjest dhe ju kthye duke i thënë: “Mos je vetë budalla”? Burimi ka qenë vetë në atë mbledhje, por një gjë e tillë, siç e tregon Myrtezai, nuk i kujtohet të ketë ndodhur.
Në një moment, burimi e pyet Myrtezain, duke i thënë: “Po, a është vëllai i Ymer Kelmendit, që ka pasë në dhomë ky budalla”?
Myrtezai e kuptoi se ishte fjala për Selim Kelmendin që është arrestuar dhe ju përgjigj shkurt: “Po, ai është”. Burimi i tha se: sikur kanë qenë tre vëllezër? Po, tha Myrtezai, por njëri që ishte në Shkodër, është kthyer.
Ndërkohë, gruaja e Myrtezait, solli diçka për qerasje dhe Myrtezai, ndërroi bisedën, duke folur për shtëpinë që kishte marrë në pallatin ku banon, Myrtezai tha se kishte vuajtur shumë për të marrë këtë banesë. Në Komitet, i kishin thënë se nuk ke pasaportizimin e përhershëm. Myrtezai u ishte përgjigjur se me të vërtetë pasaportizimin e përjetshëm e kishte në Shkup, po edhe këtu ka njëfarë pasaportizimi. Memorie.al
“Galeci”
Punëtori Operativ
Simon Qirici
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016