Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e tetë
Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i ‘Lidhjes Shqiptare në Botë’, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Shahin Matrangasi, me të dhënat e agjentes së Sigurimit me pseudonimin “Pianistja”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit, Aishe Shimës dhe shtetasit turk, Rexhep Ay Lajçi
Marrë nga P.Op. Shahin Matrangasi
Asistoi Zv/Kryetari i Degës së K/Zbulimit
Sh. Gëzim Bejko
Dhënë nga agjentja “Pianistja”.
Tiranë më 12.2.1987
R A P O R T
Burimi njofton se rreth datës 5.2.1987, bashkë me Aishe Shimën, Kimete e Myrteza Bajraktarin, dhe Shpresa Toptanin, ishin tek Idriz Zeqiri, meqë ai kishte mbushur 40 vjeç. Në këtë ambient feste, bisedat ishin të ngrohta dhe të çiltra. Në kohën që dëgjohej muzika kosovare nën interpretimin e këngëtarëve kosovarë (incizimet Idrizi, i kishte marrë tek Zana Gërvalla me të cilën kishte miqësi), Aishja tha: “Sa bukur i këndojnë këngët me shumë ndjeshmëri, ndryshe nga këngëtarët tanë”. “Ashtu është” tha Myrteza Bajraktari, “kanë pastërti e sensibilitet”. “Po,- tha Aishja. – Edhe gjuhën kur e flasin më pastër i shprehin më bukur mendimet e tyre”.
Ne sa ishim e miratuam këtë mendim. Në bisedë e sipër burimi tha: “Kam kërkuar dokumentet nga njerëzit e mi në Turqi, kështu që ka mundësi që të shkoj në Stamboll dhe ne të dy ka mundësi të shihemi atje me atë tjetrin (Rexhepin), ai do t’ju takojë patjetër”. Kjo bisedë i interesoi Idrizit dhe Aishes, ndërsa të tjerët nuk folën. Gjatë bisedave u përmend Bardhyl Kelmendi që ishte alamet burri dhe e katandisën në faturino. Aishja përmendi virtytet e tij. Myrtezai shtoi se dhe i vëllai i tij u vra në Kosovë. Në bisedë e sipër Idrizi kaloi në kujtimet e vendlindjes së tij Rugovës.
Pastaj ata, dëgjuan lajmet e Kosovës dhe Aishja, Myrtezai, dhe Idrizi, i komentuan ato. Kur Aishja përmendi sëmundjen e babait të Minës, kujtoi dhe vdekjen e Rajko Zajkoviçit, në varrimin e të cilit, shkuan së bashku dhe Aishja kishte thënë: “Sa e tmerrshme që po varroset në dhe të huaj”. Gjatë bisedave Idrizi, tha se në vitin e ri, 15 kosovarë ishin bashkë me të fejuarat e tyre tek hotel “Arbëria”. Më pas ai kujtoi një kosovar që ka vuajtur shumë këtu dhe thoshte që: “kur të shkoj në Stamboll, do dal tek ura e Gallatës të lyp lëmoshë”. Por as kjo dëshirë nuk ju plotësua. pasi ai vdiq këtu.
“Pianistja”
Sqarim:
Myrteza Bajrajtari, Bardhyl Kelmendi, Idriz Zeqiri, dhe Aishe Shima, ndiqen si agjentë të mundshëm të Zbulimit Jugosllav në problemin e centralizuar “Gorrilla”, kurse Shpresa Toptani dhe Kimete Bajraktari, janë kontigjente.
Vlerësim: E dhëna ka vlerë pasi tregon se B.p., po futet në shoqërinë e tyre dhe aty përmendet dhe Bardhyl Kelmendi, si lidhje.
Detyra:
B.p., ju dha detyrë që t’ju qëndrojë sa më afër këtyre objekteve me qëllim, që të fitojë besimin e tyre. Po kështu ju dha si detyrë që, të shkojë në shtëpinë e Aishe Shimës dhe të bisedojë me të. Do i ngarkohet vijë sjelljeje dhe bisedat do regjistrohen me T.O.
Masat Operative:
E dhëna do të shtypet sipas përkatësisë dhe do të vendoset në dosjen e gjithsecilit. Aishe Shimës, do t’i instalohet në shtëpi T.O. dhe Shpresa Toptani do të studiohet nga ana operative.
Punëtori Operativ Zv. Shefi i K/Zbulimit
Shefqet Matrangasi Gëzim Bejko
Dokumenti sekret me vendimin e hartuar nga Punëtori Operativ, Oltion Frashri dhe shefi i Seksionit, Nuro Sako, i miratuar nga Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Agron Tafa, për zgjatjen edhe me gjashtë muaj të përpunimit aktiv 2/A, të Myrteza Bajraktarit
Sekret MIRATOHET
Ekzemplar i vetëm NGA DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME
Tiranë më 18.6.1987 Agron Tafa
V E N D I M
Për zgjatjen e afatit të përpunimit aktiv 2/A të objektit Myrteza Bajraktari dhe me gjashtë muaj të tjerë.
Unë, Punëtori Operativ Oltion Frashër i D.P.B. të Tiranës, ana e Sigurimit, mbasi studiova materialet e dosjes formulare 2/A në ngarkim të objektit 2/A Myrteza Bajraktari, gjeta se:
Myrteza Fahri Bajraktari, i datëlindjes 1933, lindur në Gostivar dhe banues në Tiranë, me origjinë shtresë e varfër, i dënuar një herë me tre vjet burg për agjitacion e propagandë, i martuar, i pa organizuar, me punë furnitor në shkollën Komunale, me kombësi e shtetësi shqiptare.
I përmenduri në datën 17.6.1952, ka kaluar kufirin ilegalisht dhe ka ardhur nga Jugosllavia në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe qëndrimi i tij nuk ka qenë i mirë dhe ndaj tij kanë dalë materiale që, ai është vënë në shërbim të Zbulimit Jugosllav dhe zhvillon agjitacion e propagandë. Mbi këtë bazë në vitin 1970, arrestohet së bashku me Kapllan Resulin dhe dënohet me tre vjet burg.
Më 30.6.1977, merret në përpunim 2/A si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav, në bazë të të dhënave të B.p. “Ylli”. Por nga kombinacioni i zhvilluar, rezulton që Myrtezai reagon mirë dhe ulet në kontroll operativ 2/B.
Nga të dhënat e B.p. “Furtuna”, që përpunon objektin 2/A Estref Kelmendi, krijohen dyshime se Myrtezai zhvillon aktivitet spiunazhi nëpërmjet agjitacionit dhe propagandës dhe në datën 25.5.1982, ngrihet sërish në përpunim aktiv 2/A.
Gjatë përpunimit të mëtejshëm të tij, dalin materiale të tjera, se Myrteza Bajraktari ka rënë në pozita armiqësore dhe çështja e tij ndiqet në problemin e centralizuar “Gorrilla”, po mbi bazën e këtyre materialeve.
1 – Në proces-verbalin e pyetjes së të pandehurit Selim Kelmendi në datën 18.2.1984, ai pohon: “Veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe shtetit kam kryer me Myrteza Bajraktarin. Tek ai që në takimin e parë konstatova që kishte pakënaqësi kundër pushtetit popullor. Në vitin 1974, në një bisedë që kam bërë me Myrtezain tek Kafe “Flora”, unë i kam thënë Myrtezait se: kjo gjendje e keqe në Shqipëri, ka ardhur se në krye të vendit është një diktator dhe se pa u likuiduar fizikisht ai, nuk mund të mbahen shpresa për ndryshimin e gjendjes politike dhe ekonomike në vend.
Unë për vete e kam ndarë mendjen që do të bëj diçka për likuidimin e tij dhe i thashë Myrtezait që dhe ai të jepte kontributin e tij në këtë gjë. Ai në fillim nuk foli, por më pas u shpreh se ishte dakord që të merrte pjesë në vrasjen e Udhëheqësit Kryesor të Partisë dhe Shtetit. Unë i thashë se vrasjen do ta bënim me armë dhe për këtë duhet të gjenim armët. Ai, gjithashtu ra dakord që ti gjenim ato”.
2 – Në proces-verbalin e pyetjes së të pandehurit Shefqet Kelmendi, në datën 13.4.1984, ai pohon: “Pas marrjes së detyrës nga punonjësi i ambasadës jugosllave në Tiranë, Qamil Muhaxheri për të realizuar detyrën e vrasjes së Udhëheqësit Kryesor të Partisë dhe Shtetit, së bashku me kushëririn e tij Selim Kelmendi, kanë biseduar disa herë për kryerjen e kësaj detyre dhe personat që do aktivizonin në të. Selimi më tha se, mund të aktivizonim në këtë detyrë shokun tim Myrteza Bajraktari. Pra Selimi, duke pasur njohje e besim tek Myrtezai, me propozoi mua që të bisedoja çështjen e atentatit ndaj Udhëheqësit Kryesor, me Myrtezain, duke qenë i bindur se do tregohej i gatshëm”.
Gjatë kësaj periudhe, janë drejtuar shumë B.p., si “Gama”, “Pashtriku”, “Furtuna”, por këta nuk kanë dhënë ndonjë gjë me interes që, të çojnë përpara përpunimin e objektit. Kohët e fundit në drejtim të tij, kemi tërhequr B.p. me pseudonimin “Flutura”, të cilën kemi mundësi ta fusim në përpunimin e tij. Sa më sipër dhe me qëllimin që të dokumentojmë aktivitetin armiqësor të objektit Myrteza Bajraktari.
Vendosa:
Të zgjas afatin e përpunimit dhe me 6 muaj të tjerë, duke bërë ndryshimet përkatëse në Kartotekë.
Shefi i Seksionit Punëtori Operativ
Nuro Sako Oltion Frashri
Zv/Drejtori i D.P.B. të Tiranës
Dashamir Bimi
Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Fuat Zyka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Flutura”, nga baza “Ekonomisti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit, Aishe Shimës dhe shtetasit turk, Rexhep Ay Lajçi
Marrë P.Op. Fuat Zyka
Asistoj Shefi i Sektorit, Nuro Sako
Dhënë B.p. “Flutura”
Baza “Ekonomisti”
Më 25.2.1987
R A P O R T
Burimi informon se ka shoqëri me Myrteza Bajraktarin dhe Aishe Shimën. Marrëdhëniet e tyre janë shoqërore dhe në mes tyre nuk ka ndonjë bisedë që t’i ketë tërhequr vëmendjen.
Në bisedat që ka arritur të bëjë me Myrtezain, ky i fundit tregohet si një patriot i flakët dhe bënë një jetë normale në familje. Myrtezai i ka thënë burimit se, pret që t’i vijnë vizitorë nga Jugosllavia, të motrat.
Burimit i kujtohet se në vitin 1985, ka ardhur si vizitor në shtëpinë e Aishe Shimës, Rexhap Ay, i cili ka shkuar për vizitë edhe në shtëpinë e burimit. Aishja shkoi me Rexhepin në plazhin e Durrësit, ku me ta ishte dhe Myrteza Bajraktari. Burimi ka parë që Myrtezai dhe Rexhepi, rrinin shpesh bashkë, por nuk di se çfarë ata bisedonin me njëri tjetrin. Burimi Aishen e njeh si grua serioze dhe me partishmëri.
“Flutura”
Sqarim:
Aishe Shima, Myrteza Bajraktari dhe Rexhep Ay, ndiqen në përpunim aktiv në 2/A. si agjent të mundshëm të Zbulimit Jugosllav. B.p., është tërhequr kohët e fundit në bashkëpunimin he është raporti i parë i saj.
Vlerësim:
Në të dhënën tregohen marrëdhënien midis objekteve Aishe Shima, Myrtezait dhe Rexhepit.
Detyrë:
B.p. ju dha detyrë që të forcojë shoqërinë me Aishe Shimën, në bisedat me të, të mësojë rreth marrëdhënieve të saj me Rexhepin, nëse ka bërë kërkesën për të ardhur vizitor Rexhepi. Po kështu, të forcojë shoqërinë edhe me Myrtezain.
Punëtori Operativ
Fuat Zyka
Shënim i shokut Dashamir Bimi:
Kjo është bashkëpunëtore e re, deri sa ajo të japë, nuk duhet të ekspozojmë shumë gjëra, sepse akoma nuk e kemi shumë të qartë perspektivën e saj.
Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Shefqet Matrangasi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Pianisti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit, Idriz Zeqirit, Agim Gjakovës, Valdete Gjinalit, Aishe Shimës dhe shtetasit turk, Rexhep Ay Lajçi
Marrë nga P.Op. Sh. Matarangasi
Asistoj Zv/Kryetari i Degës së Zbulimit, sh. Gëzim Bejko
Dhënë B.p. “Pianisti”
Tiranë, më 12.6.1987
R A P O R T
Burimi informon se është takuar disa herë me Idriz Zeqirin, Myrteza Bajraktarin dhe Aishe Shimën. Në biseda me Aishe Shimën, ndër të tjera ra biseda për Valdete Gjinalin, që ka shkuar para ca kohësh në Turqi. Ajo kishte takuar Rexhep Ay (Lajçin), në Turqi.
Aishja e porosit burimin, duke i thënë: “Mos i thuaj njeriut, se është takuar me Rexhepin, dhe ai kishte bërë nder të madh, kurse Rexhepit, i kishte bërë përshtypje, se si kjo, nuk i kishte dërguar asnjë kartolinë, për ta falënderuar, për nderin që i kishte bërë. Nuk e di se çfarë njeriu qenka ajo, se mbeti duke sharë Turqinë dhe jetesën që bëhej atje, por përse vërejnë kaq shumë moj motër. Ajo këtu kishte prurë plaçkat e dynjasë!
Në vazhdim të bisedave, ra fjala për Idrizin, ku Aishja tha: “I shkreti ai, në vendin e tij, është i dënuar, prandaj edhe nuk shkon, se ka qenë në ‘Grupin e rinisë së Kosovës’, ka qenë aktivist shumë i fortë”. Po, si e futën në burg, pyeti burimi. Aishgja tha” edhe këtu, është dënuar kot, është dënuar në kohën e Feçor Shehut, ju sulën këtu dhe ky e pësoi.
Burimi ka shkuar në shtëpinë e Myrtezait, për të parë gruan e tij, Kimeten, e cila ka qenë e sëmurë. Gjatë bisedave, Myrtezai tha: “E kam vizituar Kimeten, ata e shtruan, por doktorët, asnjë mendim nuk dhanë, se nuk dinë këta. Kanë çuar doktorë fëmijët e të mëdhenjve, të cilët nuk janë inteligjentë” dhe qeshën. “Se mos i thua njeriu për këtë, ne të kemi si njeriun tonë dhe prandaj të na vish, e të rrish si në shtëpinë tënde”.
“Pianisti”
Sqarim:
Idriz Zeqiri, Myrtezai dhe Aishja, ndiqen në përpunim aktiv 2/A. si agjent të mundshëm të Zbulimit Jugosllav. Rexhep Ay, është me origjinë nga Kosova, me banim në Turqi, ka ardhur në vendin tonë si vizitor, dhe është ndjekur në përpunim aktiv 2/A, si agjent i dërguar me detyra nga Zbulimi Jugosllav. Valdete Gjinali, nuk njihet nga ana e jonë.
Vlerësimi:
E dhëna ka interes operativ, se bën fjalë se Aishe Shima, i merr në mbrojtje dënimin e objekteve të mësipërme dhe e quan të padrejtë dënimin e tyre. E dhëna ka rëndësi, se bën fjalë për takimin që ka marrë Rexhep Ay (Lajçi) në Turqi, me Valdete Gjinalin.
Detyrë:
B.p. ju dha detyrë, që së bashku me objektet e mësipërme, të shkojë me ta për vizitë në shtëpinë e Agim Gjakovës, me qëllim që të hyjë në biseda me të dhe për të mësuar më shumë rreth tyre. Memorie.al
Punëtorët Operativ
Shefqet Matrangasi, Gëzim Bejko
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016