Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe që i përkasin vitit vitit 1982, ku ndodhen disa raport informacione të anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Vangjel Çerrava, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, Enver Halili etj., dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e komiteteve të Partisë së Pogradecit dhe Korçës, Degëve të Punëve të Brendëshme të këtyre rretheve etj., ku ata kishin marrë pjesë si të deleguar të Komitetit Qëndror. Çfarë u diskutua në ato mbledhje ku u analizua letra e Enver Hoxhës lidhur me “Tablonë sinoptike”, për “armiqtë e tradhëtarët, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., si dhe raport-informacione nga instruktorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me letrat denoncuese që kishin ardhur në sektorin që ata mbulonin, për “krerët kryesorë të grupit armiqësor” me në krye Kadri Hazbiun!
Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 40 vjetësh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qëndror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë në mbarë vëndin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej: “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, për armikun Mehmet Shehu”, të cilat do t’i shërbenin më pas Enverit për të shkruar: “Tablonë Sinoptike për poliagjentin Mehmet Shehu”?!
Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentash me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetra emra, si; ushtarakë, qeveritarë, funksionarë të lartë partiakë, etj., etj.
Po kështu, këto mbledhje u intesifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tre dekada me rradhë kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), Ministri i Punëve të Brendëshme, Feçor Shehu, Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, zv/ Ministri i Punëve të Brendëshme për Sigurimin e Shtetit, Mihallaq Ziçishti, etj., ku dhe ndaj tyre u përsërit e njëjta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu.
Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas i’a kanë dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, Memorie.al disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qëndror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qëndror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty.
Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë, gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qëndror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendëshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte ushtria shqiptare asokohe.
Nga kjo dosje voluminoze në numrat e kaluar kemi publikuar raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qëndror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25 shtator të vitit 1982. Për të vazhduar në vijim, (në tre shkrime rradhazi) me raport-informacionin “Tepër sekret” të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së (personalisht Enver Hoxhës), lidhur me punën dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit në rrethin e Korçës, si dhe “implikimin” e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut etj., me punonjës të Sigurimit e persona të tjerë në atë rreth dhe më gjerë.
Nga kjo dosje voluminoze që Memorie.al e disponon të plotë, në numrin e sotëm po e fillojmë publikimin e disa dokumenteve që i përkasin Komitetit të Partisë së Korpusit të Fierit (Rep. 6561), të nënshkruara nga sekretari i partisë së kësaj njësie, Andon Dollaku, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe Enver Hoxhës.
Vijon nga numri i kaluar
Raport-informacioni i sekretarit të Komitetit të Partisë së Korpusit Ushtarak të Fierit, Andon Dollaku, për Komitetin Qëndror të PPSH-së
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Sekret
KOMITETI PARTISE
Nr. 957 prot. REP. 65.61 Fier, më 25 tetor 1982
I N F O R M A C I O N
MBI DISA PROBLEME QE DOLEN NGA MBLEDHJA E ORGANIZATAVE BAZE TE PARTISE TE SHTABEVE DHE KOMITETIT TE PARTISE SE KORPUSIT GJATE DISKUTIMIT TE MATERIALIT TE BYROSE POLITIKE TE K.Q. TE PARTISE “MBI MUNGESEN E THEKSUAR TE VIGJELENCES DHE GABIMET E RENDA TE KADRI HAZBIUT NE KOHEN QE ISHTE MPB” DHE KONKLUZIONET TE PLENIUMIT TE 5-të TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
T i r a n ë
Për armiqtë e Partisë dhe të popullit.
– Për Kadri Hazbiun:
– Kur nga një punëtor operativ është ngritur problem se armiku Haxhi Hajdari shkonte tek një i riatdhesuar politik në kohën kur ishte akoma pa u demaskuar si armik, e ka ndëshkuar këtë punëtor operativ, duke i thënë se; kush ta jep ty të drejtën se çfarë bën Haxhi Hajdari?! Gjithashtu kur po ky punëtor operativ, ka ngritur problemin se Mihallaq Ziçishti është shoqëruar në kufi me një mjek që më vonë u arratis, kjo u mbyll prej tij.
– Duke qenë nënkryetar i Komisionit të Internim Dëbimeve, ka lejuar që në vënd të tij të firmosi Feçor Shehu.
– Ka zbatuar poltikë personale për kuadrin duke sjellë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, të afërmit dhe miqtë e tij e njerëz nga krahina.
Për Veli Llakën
-Ka qenë imoral e karierist, nuk përfillte njerëzit, ishte arrogant e prepotent. Ai ka këmbëngulur për ndryshimin e ngjyrës së uniformës ushtarake. Njerëzit e tij i ka futur në ushtri, si vëllain e tij të cilin e titulloi oficer, në Degën Ushtarake Vlorë, kushërinjtë e tij, Enver Beja, i ka titulluar oficer dhe ka shtuar organikën në degën ushtarake Fier.
Shtëpia e Veliut ka qënë bazë për Mehmet Shehun gjatë Luftës Nacional – Çlirimtare.
Ka denigruar Myfit Bardhin, komandant Korpusi, duke i thënë se me ty nuk merrem vesh.
Ka grumbulluar në Tiranë njerëzit e tij. Ai ka pasur lidhje me njerëz me përbërje jo të mirë në Divjakë, si me Emin Sina. Ky lëshonte fletë-hyrje vetë personalisht njerëzve me përbërje jo të mirë për gjueti në Divjakë. Ai u merrte armë të gjuetarëve në Divjakë dhe ua rregullonte në Uzinën e Artilerisë në Tiranë. Ky ka dhënë urdhër të mbahej në ushtri L.S. femër imorale që bredh poshtë e lartë, e që injoron rrobën ushtarake.
Kur ka qënë komandant Korpusi në Fier, ka mbuluar gabimet që bëheshin, rendte pas gjahut dhe jo pas punës, në këtë fuste dhe kuadro të tjerë. Kur ka qënë komandant Korpusi në Fier, Veliut i është dhuruar një komutator telefonik nga Lipe Nashi, pra ai ka qënë i lidhur me të.
Më 31 Mars 1975, Veli Llaka ka ardhur nga Tirana, pa ndonjë detyrë në Korpus dhe ka bërë xhiro para turizmit (është takuar me Piro Gushon), këtij më 26 Mars i kishin dalë kritikat.
Veli Llaka për një kohë ka qënë adjutant i Petrit Dumes. Gruaja e tij ka përbërje të keqe familjare. Mbante një kalë të dhuruar nga Petrit Dume. Ka shkuar në varrimin e të vjerrës kulake.
Veliu në Mallakastër vinte si soditës, fliste për bukuritë dhe kufijtë e Mallakastrës, pra nxiste ndjenjë shoviniste. Ai thoshte “Këto m’i ka dhënë Mehmeti mua”.
Ka dëmtuar elementët e gatishmërisë luftarake, ka dhënë urdhra që repartet e buzës së ujit të venë me punime në thellësi.
Veli Llaka në Qershor të vitit 1982, është interesuar e ka urdhëruar që djali i Hito Çakos të vendoset ushtar në B.R.L.L.K. pranë familjes së tij.
Në Libofshë të rrethit të Fierit, ka urdhëruar që të vendoseshin qëndrat e zjarrit në një luginë, të cilat të mos maskoheshin, se i kërkonte Mehmet Shehu në fotografi.
Për Nazar Berberin
Është njeri frikacak e servil, shumë herë ka premtuar për prodhim armësh e mjetesh, instrumentesh etj. Ka thënë do t’i sjellim që nga viti 1976 e deri në vitin 1982, e asnjë nuk pruri. Ka sabotuar në drejtim të armës së artilerisë, duke i reduktuar organet e drejtimit. Ka dëmtuar gadishmërinë luftarake. Ka lejuar që në uzinat e prodhimit të armëve të ketë shumë skarcitete. Sidomos në ato 10-she. Ka sabotuar në prodhimin e armëve 20-she dhe në cilësinë e llojet e barutit. Bashkë më Kadri Hazbiun, ky dha urdhër që të copëtohej arma e A.B.D. dhe tërheqja e saj në thellësi. Ka qëndruar larg problemeve e detyrave të ushtrisë. Ka sabotuar në ndërtimin e pozicioneve të artilerisë tokësore (tip tuneli).
Për Maliq Sadushin
Në Shkodër nuk shkëlqente. Ai u përkrah nga disa kuadro të pa disiplinuar. Ka qënë fodull e mëndjemadh në marrdhëniet me kuadrot. Ai ka qënë tipik si Petrit Dumja, ndaj të shikohet puna e tij. Kur erdhi në Vlorë për problemin e nëndetses, u shpreh: “Pse se zbuluat ju të kundërajrorit me lokatorët tuaj, na latë mishin pa ngrënë“. Në një seminar për problemin e shkollave të mesme, kur ne diskutonim e jepnim mendime ai u shpreh: “Thoni si të doni, atë e kemi vendosur ne”. Ka bërë ndërhyrje për lëvizje kuadrosh të fisit të tij, si Gjon Vajza, megjithëse kandidat për antar partie dhe jashtë profilit të tij, gjithashtu Komiteti i Partisë i Korpusit, e ka propozuar për ulje në detyrë të Dalip Pashës. Dhe ky propozim u kthye edhe njëherë nga Maliq Sadushi. Për komisarët kishte mendimin se ishin të paaftë dhe se punë e bëjnë komandantët.
Për Feçor Shehun
Përçmonte masën e kuadrove, rriste kultin e atyre që ishin servilë. Ai, kuadrove të Sigurimit të Ushtrisë u thoshte: “Ju jeni elifmatrak”, “s’ merrni vesh nga normat e punës”! Ai gjithashtu është shprehur se: “Nuk e kuptoj dot Ministrinë e Brëndshme pa Kadri Hazbiun ministër”. Ka qënë prepotent, njeri që fuste frikën dhe imoral.
Vërejtje për Komitetin e Partisë të Korpusit
Komiteti i Partisë i Korpusit, kritikohet se nuk ka ndjekur si duhet punën për vendosjen e kuadrove, se në të janë zbatuar disa porosi që ka dhënë drejtoria e kuadrit, duke mos respektuar kriteret. Pati kritikë për të ushtruar kontroll të vazhdueshëm mbi kuadrot për zbatimin e vendimit të Byrosë Politike, si dhe për një punë më të kujdesshme për dekorimet. Aparati i Komitetit të Partisë, duhet të ndihmojë e kontrollojë komandën e Korpusit.
Vërejtjet për komandën e Korpusit
Në metodën e punës së saj ka patur diferencime. E ka ngarkuar me shumë R16AJA me dy batalione MITKA-4 dhe punime fortifikuese. Instruktorët e shtabit të Korpusit të stërvitjes dhe të artilerisë, të marrin pjesë më shumë në stërvitjet e SHLU dhe në ato të kompletimit. Të qarkullojnë shefat në shtabin e Korpusit që kanë mbi 10 vjet.
Për shokun Andon Dollaku
Të jetë këmbëngulës në zbatimin e kritereve për lëvizjen e kuadrove se ka patur ndonjë rast që janë lëvizur kuadro pa plotësuar kriteret. Të ndihmojë e të kontrollojë më shumë komandat e njësive dhe reparteve për zbatimin e vendimit të Byrosë Politike për kuadrot.
Për shokun Hysen Kambo
Të luftojë që të zbatohen normat e politikës së kuadrit të ndihmojë organizata bazë të partisë për njohjen e normave në metodën e punës së aparatit të ketë më shumë dinamizëm dhe instruktorët të ndjekin stërvitjen.
Për shokun Kujtim Pulaj
Në metodën e punës së aparatit të ndihmojë për njohjen e detyrave, instruktorët të ndihmojnë më shumë në stërvitje, të organizojë edukim konkret në ato njësi e repartee që ka problem, të luftojë më shumë për t’u dhënë në kohë përgjigje problemeve që propozohen nga njësitë e repartet.
Për shokun Myfit Bardhi
Kritikohet për rastet të ironisë, i pëlqen mendimi i tij nuk përfill njerëzit për probleme pune. Nuk u vete njerëzve në vizita, sidomos në hidhërime. Të jetë më komunikues me vartësit e t’u kërkojë atë që i takon kuadrove. Ka raste të shkeljeve të vendimit të Byrosë për lëvizjen e kuadrit. Ka ndryshuar profilin pa marrë miratim nga lartë. Ka veshur nën-oficera jashtë rregullave, si magazinierin e Kimisë në Korpus. Të aktivizojë të gjithë shefat. Në dhënien e urdhrave të kihet parasysh edhe sigurimin e kushteve për tu zbatuar me bazë materiale. Shoku Myftit, të trajtojë e ndihmojë më shumë kuadrot e rinj.
Për shokun Lili Bullari
Kritikohet se në mbledhje të ndryshme të ndërhyn shpesh nuk të lë diskutosh, flet vetë më shumë dhe kur i kërkon takim për një çështje (për atë që e kritikoj) nuk e pret, ofendon njerëzit pa të drejtë e nuk përfill mendimet. Ka maninë të flasë vetëm vetë në mbledhjet që zhvillohen. Ka pasur shkelje të vendimit të Byrosë Politike për nomeklaturën e kuadrove, për ndërrim profile etj. Ka veshur nënoficera jashtë rregullave në Shtabin e Korpusit.
Për shokun Asllan Hysi
Si anëtar i forumit në njësinë e tij duhet të luftojë më tepër për të forcuar rregullin e disiplinën, sepse ka pasur raste të shkeljes së rregullave në ruajtjen e kufirit.
Për shokun Xhevat Kalemi
Të bëjë përpjekje më të mëdha lidhur me edukimin ideo-politik me problemet shqetësuese që ka njësia. Të punojë në mënyrë të diferencuar me disa kuadro që kanë problem.
Për shokun Nebi Çela – Komandant i R55ABD Vlorë
Të luftojë më tepër për forcimin e disiplinës në repart. Si kandidat i Komitetit të Partisë, të bëjë përpjekje më të mëdha që në repartin e tij të ketë rregull dhe disiplinë.
Për shokun Kostaq Goga – Sekretar i byrosë së Partisë Br.1S.
Të zgjidhë problemet e shqetësimet e të mos lërë ato të shtohen. Të ndërtojë raport të drejtë, zyrë-bazë.
Për shokun Rait Haska – Komisar i Br.1S
Nuk i zgjidhin problemet me kohë, nuk i ndihmojnë SHLU. S’kanë kërkesë llogarie.
Për shokun Përparim Kodra – komisar i Br.1S
Nuk i zgjidh problemet në kohë, nuk ndihmon SHLU, s’ka kërkesë llogarie.
Për shokun Luftar Osmëni – Komandant i Br.60K
Të luftojë “unin”. Kritikat që i bëhen t’i mirëpresë dhe të mos i marrë për keq. Të marrë më mirë parasysh kërkesat e vartësëve, duke i vlerësuar më mirë problemet që shtrohen.
Për shokun Gafurr Çuçi
Në një bisedë që është bërë në Fier për kuptimin e situatës politiko-ushtarake, është shprehur: “Ju oficerët na jeni bërë si burri i nënës, prandaj nuk ua jap dorën”. Po në këtë mbledhje, u bëri thirrje organeve të pushtetit për t’u kërkuar llogari kudarove të ushtrisë. Në një bisedë tjetër, u shpreh: “Tani kur u dhanë makinat, u prishën njerzit”. Shpesh përdor shprehjet: Kolopuça, e keni mëndjen tek xhixhat. Eshtë shprehur se komandantët duhet ta kenë zyrën më të mirë, ata duhet të hypin në makinë më të parët. Pati kritika që shoku Gafurr, të tregohet më vigjëlent në zbulimin e veprimtarisë armiqësore në Ushtri.
Për shokun Ali Vukatana
Kritikat që bëheshin për kuadrot e MMP jashtë i përkrahte, ndërsa kur vinte në mbledhje, mbante qëndrim të kundërt.
Për shokun Bajo Topulli
Në shërbimin shëndetësor ka lejuar që në rezervën e 101/K të ketë akoma materiale shëndetësor të “UNRRA”, prodhim i viteve të Luftës, ose para 1940. Këto mungesa i janë bërë të njohura Bajo Topullit dhe masa nuk ka marrë./Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE REP.6561
ANDON DOLLAKU
Vijon nesër
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016