Nga Elez Osmani
Pjesa e dytë
Jusuf Azemi: “Po ta kem edhe një jetë, unë përsëri do të bëja luftën time për kombin dhe popullin shqiptar, për një Shqipëri Etnike”
Memorie.al / Në fillim të vitit që lam pas, me 12 shkurt 2023, në moshën 103 vjeçare, ka ndërruar jetë veprimtari më i vjetëri diasporës shqiptare në Amerikë, Hafëz Jusuf Azemi, i cili ka lindur në vitin 1920, në fshatin Dobrosht të komunës së Tetovës. Aty e kreu shkollën fillore, në gjuhën serbo-kroate, ndërsa në Tetovë e ka vijuar edhe shkollën e mesme, medresenë, të cilën për shkak të fillimit të Luftës së Dytë Botërore edhe nuk mundi ta përfundonte. Aty e filloi hifzin (memorizimin e Kuranit), dhe e përfundoi në Damask. Hafëz Jusuf Azemi, si i ri ishte frymëzuar me ndjenja kombëtare, dhe e ka dhënë betimin publikisht për organizatën ‘Balli Kombëtar’, në lokalet e shkollës fillore në fshatin Dobrosht.
Kongresi i Parë Botëror i “Lidhjes Kosovare”
Kongresi i Parë Botëror i “Lidhjes Kosovare”, mbajtur në hotelin “Conrad Hilton” të Çikagos, më 24 e 25 nëntor 1973, ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Pjesëmarrësit që u panë për dy ditë, dhe në darkën përmbyllëse, nuk ishin më pak se 500 veta. Kongresi u nderua prej personaliteteve politike, si me prezencën e tyre, ashtu edhe me një numër të madh telegrame urimesh. Mjerisht, gazetës i mungon vendi që të shtrihet në këtë lëmë.
“LIDHJA KOSOVARE” nxori pikat që pati Kongresi nga bota e lirë, e që janë pesë pikat e parimeve të “Lidhjes Kosovare”:
- “Lidhja Kosovare” është një lëvizje e gjerë, e cila kërkon t’i bashkojë kosovarët në mërgim, dhe t’i bashkërendojë përpjekjet e tyre për ta ndihmuar mbrojtjen e të drejtave kombëtare të Kosovës;
- Qëllimi i “Lidhjes Kosovare” është t’i japë zëmër qëndresës së grupit etnik shqiptar në Jugosllavi, për t’i mbrojtur të drejtat e tij kundër shtypjeve të autoriteteve jugosllave;
III. “Lidhja Kosovare” do të kërkojë që të gjithë shqiptarët në Jugosllavi, do të thotë në krahinën autonome të Kosovës, krahinën shqiptare të Maqedonisë, me krahinat shqiptare të Malit të Zi, si dhe në krahinat shqiptare të ngjitura me Republikën e Serbisë, të mblidhen të gjithë bashkë, dhe atyre t’u njihet e drejta e formimit të një administrate autonome, në shkallë të barabartë me kombësitë e tjera dhe në pajtim me vetë kushtetutën e shtetit federalist jugosllav;
- “Lidhja Kosovare” do të kërkojë që pas një bashkimi të tillë, të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi t’u njihet e drejta e vetëvendosjes së popujve, sipas parimeve të shpallura me Kartën e Atlantikut dhe të pranuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuar;
- “Lidhja Kosovare” fton çdo kosovar shqiptar të Jugosllavisë, që të marrë pjesë në përpjekjet e veta për arritjen e këtyre qëllimeve.
Fjala e Hafëz Jusuf Azemit, kryesues në Kongresin e “Lidhjes Kosovare”
(Çikago, 25 dhe 25 Nëntor 1973)
“Me shumë përvuejtuni due të falënderoj Kongresistat për këtë nderë të madh që më bajnë tue më zgjedhë të kryesoj këtë mbledhje historike, Kongresin e Parë Botnuer të Lidhjes Kosovare. Nuk due të marr kohën e vlefshëme të Kongresit me historinat e ngjarjet të cilat folësit e shquem përpara meje i përshkruen ma së mirit.
Nuk ka fjalë që të përshkruej njeriu të gjitha heroizmat, të përmendi të gjithë emnat e dëshmorëvet që kanë ra dhe po bijnë çdo ditë për mbrojtjen e të drejtave të shejta Kombëtare dhe njerzore. Le të përulemi para kujtimit të tyne dhe t’i lutemi Perendisë që të na bajë të denjë të ndjekim udhen e tyne për të çue në vend Amanetin e tyne të shenjtë.
Ju faleminderit!
Por përpara mbylljes së seksionit të parë të Kongresit me lejoni të përmendi, me nderimin më të madh, disa nga herojt që meritojnë, dhe luftërat e tyne për të cilat kam dijeni personale”.
Hafëz Jusuf Azemi, çdoherë kur kishte mundësi, e ngiste zërin për kauzën kombëtare. Kështu, i revoltuar për gjendjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ai shpeshherë u shkruante edhe strukturave të larta shtetërore në Amerikë. Ja një rast:
Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, protestojnë çdo lloj ndihme ekonomike diktatorëve komunistë jugosllavë. Shtetet e Bashkuara, duhet ta informojnë nën-kryeministrin Jakov Sirtkoviç, se persekutimet e dy milion e gjysmë shqiptarëve në Serbi, Malin e Zi dhe Maqedoni, ndodhin çdo ditë.
Shëmbulla I. Më 23 tetor 1972 në Shkup, Sadush Velija (Azemi) dhe Rexhep Nuredini, u dënuan me tre vjet e gjysmë burg për arsye se, më 1971, kaluan dy ditë me kushërinjtë e tyre në Suedi.
Shëmbulla 2. Në Tetovë nxënësi Ekrem Kadria, sepse shkroi në maqinë vjersha shqipe, u dënua me 8 muaj punë të rëndë në kamp. Këto janë vetëm dy nga krimet e shumta kundër popullit tonë që nuk ka zë proteste.
N’emër të Zotit dhe të ‘njerëzimit kërkojmë që ju të mos ndihmoni me asnjë formë këta kasapë, por të ndërhyni duke ndihmuar t’ashtuquajturë të burgosurit politik të përmendur më sipër, dhe të ndihmoni që Shqiptarët në Jugosllavi të gëzojnë të njëjtat të drejta civile, të cilat i kanë vetëm në kartë, sa për të treguar jashtë Jugosllavisë, e janë si nënshtetas të klasit tretë, pa të drejta njerëzore.
Aktiviteti i begatshëm i organizatave politike, sikurse “Balli Kombëtar”, “Lëvizja Kosovare”, si dhe i të tjerëve, hafëz Jusufin e mbushte me shpresë se një ditë do të zgjidhej çështja shqiptare në Ballkan. Prandaj ai edhe nuk e kursente veten, duke qenë aktivisti kryesor në territorin e Çikagos dhe më gjerë, i cili jo vetëm që ka organizuar aktivitet me përfaqësues të administratës amerikane, por ka qenë edhe dora e djathtë e Abaz Ermenjit dhe Luan Gashit.
Nëse u referohemi kronikave të kohës, del se Hafëzi ishte në ballë të demonstratave që organizoheshin edhe në Uashington, në Çikago dhe në Nju Jork, si dhe në shumë vende të tjera. Xhelal Rushiti, që jeton dhe punon në Çikago, tregon se ky burrë nuk e kursente kohën, mundin e as pasurinë e tij për çështjen kombëtare. Ai mund të ushqehej shumë thjeshtë, i hante shujtat e tij me sandviçë, mirëpo i paguante shpenzimet e (aeroplanëve charter) për anëtarët e “Lëvizjes Kosovare” dhe të “Ballit Kombëtar”, si dhe për aktivitete të ndryshme gjithëkombëtare.
Edhe studiuesit e pangarkuar me premisa ideologjike, e kanë të qartë se emigracioni politik shqiptar i vendosur në shtetet e Evropës Perëndimore, ShBA dhe në Turqi, pas Luftës së Dytë Botërore, pati një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë komuniste. Në mesin e të tij, ishte edhe “Lidhja Kosovare”, me në krye Hafëz Jusuf Azemin. Ja si e raporton një rast gazeta “Flamuri”:
Një demonstratë madhështore
Ditën e hënë, më 19 të tetorit, në Çikago, shqiptarët kanë bërë një tjetër demonstratë kundër shtypjes së shqiptarëve në Jugosllavi, kundër përzierës së njerëzve të konsullatës jugosllave në Çikago, në punët e brendshme të bashkësisë shqiptare, me anë kërcënimesh. Demonstrata është organizuar edhe këtë herë nga “Lidhja Kosovare”, ndërsa kanë marrë pjesë më shumë se 400 veta, me parulla antishoveniste, antikomuniste, dhe me flamuj shqiptarë që valëviteshin në ajër.”
Në fillim të vitit 1982, “Lidhja Kosovare” e ndërmori një aksion edhe më të gjerë, me qëllim të organizimit sa më të mirë të mërgatës shqiptare në ShBA dhe Kanada, si dhe për krijimin e një platforme të përbashkët të organizatave politike shqiptare në mërgim, pa marrë parasysh dallimeve të tyre politike e ideologjike. Kështu, më 28 mars 1982, nën organizimin e “Lidhjes Kosovare” e të “Legalitetit”, në hotelin “Ruzvelt”, në Nju Jork, në prani të mbi 500 pjesëmarrësve, u mbajt akademia përkujtimore kushtuar njëvjetorit të demonstratave shqiptare në Kosovë.
Fjalë hyrëse pati Luan Gashi, ndërsa prijësit fetarë, Imami Isa Hoxha dhe prifti Prenk Camaj, kënduan lutje dhe mbajtën ligjërata, duke i “mallkuar të gjithë ata shqiptarë që në çfarëdolloj mënyre punojnë për Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe janë kundër kombit të tyre, si dhe shkelin mbi gjakun shqiptar të derdhur në Kosovë”.
Në tubim folën edhe Hafez Jusuf Azemi, Nderim Kupi, Ali Klisura, Adem Çela, etj., të cilët vunë në dukje se; “ndaj shqiptarëve në Kosovë kryhet gjenocid; 3.000 të vrarë, 2.000 të plagosur, 1.800 të burgosur… etj.”, se ata janë të vendosur në “kërkesat e drejta për krijimin e Republikës së Kosovës, se opinioni publik botëror, është me shqiptarët nga Kosova, etj.”
Hafëzi ka bashkëpunuar edhe me personalitete të ndryshme të diasporës antikomuniste, të cilët jetonin në Perëndim, mirëpo edhe me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan, administrata e të cilit i mbështesnin politikisht, materialisht dhe moralisht lëvizjet antikomuniste.
“Lidhja Kosovare” , e ngre zanin nalt
Në universitetin Shtetnuer të Ohajos, në Columbus, Ohajo, më 7, 8 dhe 9 të prillit, asht bamë një mbledhje e gjanë, ku janë rrahë shumë çështje që kanë, të bëjnë me shumë anë të jetës kulturore, politike, ekonomike e shoqërore të Evropës Lindore. Aty kane marrë pjesë dhe kanë folë profesorë të përmendun.
“Lidhja Kosovare” ka dërguar aty njerëzit e saj, qëllimi i të cilëve ka qenë, pjesëmarrësit mos të dëgjojnë vetëm anën zyrtare pro-qeveritare jugosllave. Për këtë arsye ata banë një radhë takimesh me profesorë si edhe me shumë pjesëmarrës…! Aty u shpërndanë libra te Lidhjes dhe Ballit fletore dhe harta gjeografike e Shqipërisë Ethnike. Ne mbledhje, merrte pjesë edhe kryekonsulli i Jugosllavisë, Dimçev”.
Me të patën polemika të nxehta për sa i përket gjendjes së Kosovë. “…Ne atë mbledhje me rëndësi “Lidhja Kosovare”, ia doli t’i përgënjeshtrojë thëniet jugosllave, sikur gjoja Jugosllavia na qenka nji “shtet model”. Shqiptarët kudo i përgëzojnë njerëzit e Lidhjes, që ia dolën ta çojnë zanin nalt, tu e i mbrojt të drejtat e shqiptarëve të Kosovës”.
Aktivitetin e “Lidhjes Kosovare”, sidomos gjatë periudhës kohore të viteve 1981-1990, kur në ballë të saj qëndronin atdhetarët dhe veprimtarët e shquar të kauzës shqiptare, nuk kishte kaluar pa e vërejtur dhe vënë në shënjestër edhe diplomacia Jugosllave.
Në këtë punim po e bëjmë publike një nga njoftimet e shumta te Shërbimit për Hulumtim e Dokumentim, pranë Sekretariatit për Punë të Jashtme të RSFJ, dërguar shërbimeve përkatëse republikane e krahinore, në të cilin këta të fundit informohen për aktivitetin, përkatësisht “manifestimet anti-jugosllave” të “Lidhjes Kosovare” në ShBA, gjatë periudhës kohore 21 mars-13 prill të vitit 1981.
BEOGRAD, 21 MARS 1981: Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e “Lidhjes Kosovare”, mbajtur më 21 km, në Aurorë, në të cilën kanë marrë pjesë: Jusuf Azemi, Azem Aliu, Ismail Kashtanjeva, Olloman Rushiti, Ajet Rushiti, Naci Korati, Ilmi Hasani, Sadri Shariu, Ismail Osmani, Hysen Ismaili, Shefaki Ismaili, Halil Felbehari, Mulla Nimeti, Nafez Jusufi, nuk u bë fjalë për ndonjë ftesë apo pjesëmarrje eventuale, në demonstrata të emigracionit nacionalist ustash, të caktuar për 10 prill.
Përkundrazi, u shqyrtua mundësia e mbajtjes së demonstratave të veta, për pjesën e parë të prillit (në Uashington apo në Nju Jork), me rastin e burgosjes së studentëve në Prishtinë dhe Prizren, lidhur me çrregullimet kohë më parë në Universitet. Motoja bazë e demonstratave është: shkelja e “të drejtave njerëzore” në Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës dhe “ajka” komuniste, ndaj inteligjencës së re shqiptare, nga ana e policisë brutale jugosllave. Në to, siç thuhet, do të marrin pjesë degët nga Çikago, Nju Jorku e Uashingtoni.
Paralelisht me organizimin e demonstratave, u bë fjalë edhe për zgjedhjen e një delegacioni të Lidhjes Kosovare, i cili me të njëjtin rast, do ta vizitonte senatorin Persi, eventualisht kryetarin e ShBA, ku do tu dorëzohej peticioni adekuat. Mbledhja mbaroi pa vendime konkrete”.
“Komunistët e Beogradit, Shkupit e Prishtinës, për ta përcjellë veprimtarinë e Jusuf Azemit dhe të Luan Gashit, i kishin angazhuar 88 bashkëpunëtorë, të cilët ishin shpërndarë nëpër disa qendra nga më të rëndësishmet botërore, sikurse në Çikago, Nju Jork, Detroit, Toronto, Kopenhagë, Bruksel, Paris, Stamboll, Ankara, Munih, Romë, etj.
Mirëpo, përkundër përpjekjeve të shumta të qeverisë jugosllave, që t’i njollosë figurat udhëheqëse të “Lidhjes Kosovare”, veprimtaria e saj nuk u shua asnjëherë, por falë punës së palodhshme të tyre, arriti që problemi shqiptar në Jugosllavi të marrë karakter ndërkombëtar. “Lidhja Kosovare”, në krye me Jusuf Azemin dhe Luan Gashin, për 40 vjet me radhë e mbajti gjallë çështjen e pazgjidhur shqiptare në ish RSFJ”.
Hafëz Jusuf Azemi i mbylli sytë në Çikago, më 12 shkurt të vitit 2023, dhe është përcjellë me nderime prej familjarëve, shokëve dhe bashkëvendësve të tij. Me rastin e varrimit në Çikago, prof. Skënder Karaçica do të shprehej:
“Mërgata shqiptare në Amerikë, po ndahet sot nga veprimtari më i vjetër në mërgatë, Hafëz Jusuf Azemi dhe, siç thuhet me gjuhën e De Radës, këndej detit, në Amerikën e largët, me kujtimet tona, se e patëm për nder të punojmë e të veprojmë afër me zemër dhe me shpirt për atdhe, siç Hafëzi shpeshherë na thoshte: Po ta kem edhe një jetë, unë përsëri do të bëja luftën time për kombin dhe popullin shqiptar, për një Shqipëri Etnike në Ballkan”!
Përfundim
Me besim të patundur në Zot dhe vetëmohim të pashoq, hoxha i Diasporës, Hafëz Jusuf Azemi, gjatë terë jetës së tij shekullore, në mërgim, asnjëherë nuk e ka pushuar aktivitetin kombëtar në ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare.
Ai ishte njëri prej themeluesve të “Lidhjes Kosovare”, nga viti 1949, pjesëmarrës i rregullt në Kongreset e Bashkimit Federal të Grupeve Etnike të Evropës, si dhe njëri prej themeluesve të degës së Lobbyt Shqiptaro-Amerikan në Çikago.
Gjithashtu ka pasur takime të shpeshta me përfaqësues të lartë të Administratës amerikane; senatorë, kongresmenë, sekretarë dhe kryetarë të ShBA-ve, lidhur më çështjen e Kosovës dhe shtypjen e shqiptarëve, që u është bërë nga regjimi komunist në Jugosllavi.
Hafëz Jusuf Azemi ishte edhe pjesëmarrës i të gjitha demonstratave që janë organizuar në Çikago dhe nëpër vende të tjera në ShBA, lidhur me sensibilizimin e çështjes shqiptare në opinionin amerikan; ai ishte organizator dhe pjesëmarrës i shënimit të Ditës së Flamurit në Çikago dhe qytete të tjera të ShBA-ve, dhe ishte drejtues i Kongresit Botëror të “Lidhjes Kosovare”, të mbajtur në Çikago, më 1973.
Pas rënies së sistemit monist-komunist në Shqipëri, ai ishte drejtues i Kongresit VIII të “Ballit Kombëtar”, të mbajtur në Tiranë, më 1993. Po në këtë vit e vizitoi edhe vendlindjen, pas afro një gjysmë shekulli. Ndërsa Kosovën, pas migrimit, e vizitoi më 1999. Pati fatin ta shohë Kosovën e lirë, për të cilën u mundua NJË JETË TË TËRË, PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE NË HAPËSIRËN ETNIKE DHE ÇLIRIMIN E KOSOVËS.
U dekorua prej presidentit të Shqipërisë. Ndërroi jetë në Çikago, në moshën 103 vjeçare. Memorie.al
Marrë nga Gazetadielli.com