Nga Vasil QESARI
Pjesa e parë
– Shënime rreth dy audio-kasetave të panjohura me fjalën e Fan S. Nolit, mbajtur në 80 – vjetorin e lindjes së tij –
Memorie.al / …Mbrëmë, gjer nga ora tre e mëngjesit, kam qenë në një gjendje shpirtërore, pothuaj surealiste. Kam ndenjur pranë Fan S. Nolit. Po…! Po ! Pranë vetë Hirësisë së Tij, Fan S. Noli! Po si ndodhi vallë?! Shoqja ime, e mira dhe e sjellshmja Monda Moisiu në SHBA-ës, më bëri kohët e fundit një të papritur të veçantë. Më dërgoi dy audiokaseta, ku qenë regjistruar fjala e Fan S. Nolit me rastin e 80-vjetorit të lindjes, 50-vjetorit të themelimit të “Vatrës” si edhe e një konference për shtyp dhenë po prej tij, në anglisht. Regjistrimi i kësaj ceremonie, mbajtur në vitin 1962, është një dokument i panjohur gjer tani e, nuk dihet se në ç’rrethana e nga kush është bërë. Cilësia e tij, është mjaft e pastër dhe është ruajtur gjer në ditët tona, nga atdhetari i njohur, 76 vjeçari shqiptaro – amerikan, i nderuari Thanas Laskaj.
-Kur ringjallen idolet, e bashkë me to edhe Njeriu…!-
Pra, siç thashë, po dëgjoja zërin e Nolit në atë shirit të bekuar magnetik dhe krahas emocioneve, shumë gjëra më befasuan! Së pari, nga që nuk më besohej se isha duke dëgjuar vërtet, për herë të parë në jetën time, zërin e tij. Sepse, ka disa gjëra në jetë të cilat njeriu i përfytyron përgjithmonë të humbura, të shuara, të pamundura për t’u ringjallur e që, natyrisht, as që mendon kurrë se mund të ndodhë edhe e kundërta.
Ka disa gjëra, të cilat konsiderohen e kujtohen si të ngrira në kohë (diçka e tillë e ngjashme na ndodh, bie fjala, kur shohim bustet apo monumentet e njerëzve të shquar, ndërkohë që ata hedhin atë vështrimin e tyre të ftohtë, të ngrirë, indiferent, të metaltë apo të mermertë e, nga ai vështrim, kujtimi i vetëm që na mbetet është jehona e jetës së tyre). Shkurt muhabeti, është e pamundur që i vdekuri të ngrihet nga varri e, të na fanepset para syve, por ja që mua atë natë, m’u ngjall e më doli përpara vetë hirësia e tij, Fan S. Noli…!
…Po dëgjoja pra, i përhumbur, zërin nga magnetofoni e, vetja m’u duk sikur isha në shtëpizën e tij të thjeshtë në Fort Lauderdale aty ku në muzgun e një jete vërtet të jashtëzakonshme, ai kalonte muajt e dimrit e, njëkohësisht, fundin e tij. E dëgjoja e, para sysh m’u shfaq imazhi që më kish ngelur i pashlyer qysh nga vitet ’80-të, kur Noli ish shfaqur për herë të parë i “gjallë”, në një copëz filmi dhjetë sekondëshe të cilin televizioni shqiptar i asaj kohe, nuk di se ku e në ç’rrethana e pat gjetur dhe e pat dhenë në një emision kushtuar jetës së tij.
Aso kohë, ajo sekuencë e shkurtër filmike pa zë, e cila paraqiste Nolin në kopsht para shtëpisë, më kish lenë pothuajse pa frymë. Ato kuadro filmi të xhiruara, padyshim nga një amator, patën lenë te unë një efekt të mrekullueshëm ngazëllues e, në të njëjtën kohë, pothuajse hyjnor. Pamja e gjallë e rilindasit e atdhetarit të madh, idolit tim, të bindjes se si një shqiptar i vërtetë, duhej të punonte për kombin; e mjeshtrit dhe eruditit të shquar, shkrimtarit, historianit e studiuesit të rrallë, kish marrë në mendjen time, dimensione të reja.
Qe krijuar kështu një imazh i ri, i ndryshëm nga pamjet e fotove të tij të zverdhura nga koha si dhe nga shkrimet që kisha parë qysh kur isha adoleshent, në faqet e gazetës “Kombi”, të cilat i ruante plot fanatizëm në një baule të vjetër, miku im i femijnisë, Sotir Koçi. Ai, të cilin e quaja ndryshe “Bukinisti Mendel”, nga që ish vërtet i fandaksur pas kërkimit të librave e botimeve të paraçlirimit…!
… Qe pra pothuajse në të aguar, që shtrirë në divan, larg Shqipërisë e kujtimeve djaloshare, aty në shtëpinë time në Avenue de l’Université të Bordosë, po përjetoja sërish, pothuaj të njëjtat ndjenja e emocione, si ato që kisha provuar kur kisha parë për herë të parë, imazhin e tij të lëvizshëm filmik.
Dhe e ndjeva veten edhe një herë gjimnazist, si atëherë kur, një foto të Nolit, të cilën e kisha grisur fshehurazi nga një album i 60-vjetorit të pavarësisë, e kisha ngjitur me zamkë në faqen ballore të tekstit tim shkollor, të Historisë së Letërsisë. Si atëherë kur, në një ditë marsi të vitit 1965, zemra e tij kish pushuar së rrahuri larg, në dhé të huaj e kur mësuesi ynë i letërsisë, në shenjë homazhi e zie, na kish komentuar poezinë “Anës lumenjve”…!
…Pra qeshë kthyer prapa në kohë, pikërisht në vitin 1962, e po dëgjoja Nolin, tamam si të ndodhesha dhe unë aty, në atë sallë të madhe ku komuniteti shqiptar i Amerikës, ish mbledhur e kremtonte 80-vjetorin e tij të lindjes. Dëgjoja zërin e tij e mendoja: Si qe e mundur që ai, të ish zëri i një njeriu aq të moshuar?! Sepse ish zë energjik, kumbues, plot timbër, me shumë djalëri brenda. Zë i cili nuk t’a jepte aspak përshtypjen, e një 80 vjeçari. Me diksion prej aktori. Herë i fortë e me tone të lartë, herë i ulët e, me tone të butë. Me një të qeshur e cila i delte thellë nga shpirti, shoqëruar me një tingëllim të çiltër, të ngrohte e, njëkohësisht, tepër fisnik…!
Po ligjërimi, fjala e fjalori i tij i mrekullueshëm?! Një gjuhë me nuanca të bukura, paksa të përafërt me të folmen korçare-kolonjare, shoqëruar shpesh me pauza të shkurtra. Gjuhë e pastër shqipe! Nga frazeologjia e thjeshtësia e fjalës, nga mënyra e të rrëfyerit e argumentimit të ideve, kuptova edhe një herë qe ish plotësisht e vërtetë, se Noli i Madh, oratori i shquar, e kish pasur forcën e fjalës, pikërisht te thjeshtësia e saj. Tek aftësia magjike për të komunikuar, me çdo lloj dëgjuesi, pavarësisht nga shkalla e intelektit.
Nga ajo veti e rrallë, për të bërë për vete shpirtrat e njerëzve. E, pastaj, humori i tij i hollë! Ai humor, gjithmonë popullor, i mbrujtur nga jeta, përvoja dhe ngjarjet e përjetuara nga vetë ai apo i dëgjuar e i treguar nga të tjerë. Humor që përbën, ndofta, një nga vetitë më pak të njohura të Nolit, për të cilin është shkruar shumë, si Akademik i Rilindjes e Kulturës Shqiptare, por fare pak, për aspekte të tij intime. Pra, për Njeriun. Për një njeri tepër modest, të thjeshtë e popullor…!
“VATRA” E “DIELLI”: In gloriam!
… Pas kalimit të emocioneve e dëgjimit “horizontal”, me ngut e si i babëzitur të shiritave magnetikë, i thashë vetes t’i dëgjoja edhe herë të tjera, për vetë faktin se regjistrimi ish bërë në mënyrë të çrregullt e, kjo gjë e bënte të vështirë renditjen e tij kronologjike.
Pra, ju vura punës të “zbardh” kasetat, idetë e komentet, fjalët e replikat, duke i hedhur ato, shënim pas shënimi, në letër. E duke kryer këtë punë, vetja m’u duk si një antropolog, i cili pas kërkimesh të shumta, arrin të gjejë një copë eshtër të lashtë e, pastaj i vihet studimit dhe me laps në dorë, nis të skicojë, së pari kafkën, e pastaj gjithë skeleton e një qenie njerëzore, që ka jetuar mijra vjet më parë.
…Që në fillim të fjalës, (i cili me sa dimë është edhe fjalimi i fundit publik, që Noli ka mbajtur tre vjet para vdekjes në mars të vitit 1965), të bën përshtypje fakti se, edhe pse ceremonia në fjalë qe organizuar për 80-vjetorin e lindjes së tij, ai i shmanget çdo lloj lëvdate e glorifikimi, duke u bërë jehonë vetëm ngjarjeve më të rëndësishme, të lëvizjes sonë kombëtare.
Në fjalën e tij të gjatë e cila, për nga evokimet e porositë për të ardhmen e “Vatrës”, i ngjan një Testamenti, ai vlerëson së pari pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve në atë jubile, i cili nuk qe vetëm i tij, por edhe i shumë ngjarjeve të tjera të shënuara historike. Ai e fillon fjalën e tij kështu:
” …Sivjet rastis që të kemi nja katër aniversarë të ndryshmë. Aniversari i parë është aniversari im. Aniversar tjatër, është ai i kllasit të dymbëdhjetë (1912), kllas shumë i madh në Harvard University, me njerëz që janë bërë shumë të dëgjuar. Nuk do përmënd shumë emëra, po mund t’u thom që i ati i presidentit të sotëm, (Xhon Kenedi – shenim im, V.Q.) ishte një nga shokët e kllasit tonë…!
Tashi, nga një anë, është një gjë e çuditshme, që të rroç tetëdhjetë vjet, aq sa kam rrojtur unë, se tamam tetëdhjetë, jam tani. Nga një anë është trimëri, po nga ana tjetër, është një mjerim. Një mjerim i cili, mund të përshkruhet shumë bukur me atë meselenë e Luigjit të 14-të të Francës. Ai qe një nga mbretërit më të dëgjuar po, në fundin e mbretërisë së tij, pati shumë mjerime. Edhe disa nga luftërat e tij, në fund, i humbi.
Një herë, një nga ata gjeneralët që humbi luftën me të fundme, vajti që ti bëjë një raport dhe, i shkreti, s’dinte si t’a niste për të treguar mjerimin që pësoi ushtria frënge. Luigji i 14-të, i tha: Urdhëro, thuaji, sado lajme të hidhura që të jenë se, në vërsën tonë, s’ka lajme të mira. (…) I treti aniversar, është aniversari i “Vatrës”, që është krijuar në qershor 1912. Aniversari tjatër, është ai që do të na vijë më 28 nëndor, pra aniversari i indipendencës shqiptare…”!
Pastaj, ai evokon e ngre lart rolin që luajti “Vatra” në historinë e shqiptarëve të Amerikës dhe të vetë Shqipërisë:
“… Vatra, në qershor të vitit 1909, themeloi gazetën ‘Dielli’ që jeton qysh prej 53 vjetësh. S’ka asnjë gazetë tjatër shqiptare, që të ketë një jetë kaq të gjatë. (…) Para e gjatë Luftës së I-rë Botërore, ‘Vatra’ luajti rolin e një qeverie shqiptare’ në mërgim.
Delegatët e mbrojtjes së çështjes shqiptare në Evropë, Konica e Turtulli, kur fati i ekzistencës së saj ishte në rrezik të madh, i mbajti ‘Vatra’. E jo vetëm ata, por edhe përfaqësuesit e tjerë të kolonive shqiptare. Më 4 korrik 1918, ish ‘Vatra’ që e përfaqësoi Shqipërinë përpara presidentit amerikan Willson, duke fituar kështu një nga miqtë më të mëdhenj, i cili e shpëtoi atë nga copëtimi i armiqve.
Në Kongresin e Lushnjës, ‘Vatra’ s’kish delegatë, por ç’ngjau?! Fryma e saj ishte atje. Ca nga njerëzit që zgjodhi ai kongres, ishin njerëz të ‘Vatrës’ përsëri. Kongresi i Lushnjes, bëri një Këshillë të Regjencës dhe, një nga pjesëtarët e tij, qe doktor Turtulli, delegat i ‘Vatrës’. Kur formuan kabinetin, ministri i Punëve të Jashtme ishte Mehmet Konica, përsëri delegat i ‘Vatrës’.
Pas Kongresit të Lushnjës, ngjau lufta heroike për të dëbuar italianet nga Vlora. Fryma e ‘Vatrës’ qe atje. Edhe kënga “Vlora, Vlora”, sikundër e dini, është bërë nga një përfaqësonjës i ‘Vatrës’ që e kemi këtu në mes tonë. Ja dini emrin, për ata që s’e dinë, do t’a thom: profesor Thoma Naçi.
Pasi u çlirua Vlora, u nisa edhe unë të veja në Shqipëri, diç të bënja atje dhe, me çfarë pasaportë shkova?
A ka ndonjë njeri që e mban mënd këtu? Nuk besoj, veç nja dy a tre. Me pasaportë që m’a ka dhënë Çekrezi, si përfaqësonjës i ‘Vatrës’ në Washington. Në Gjenevë, kur u pranua Shqipëria si pjesëtare e Lidhjes së Kombeve, më 17 të dhjetorit 1921, kryetari i dërgatës, ishte përsëri një përfaqësonjës i ‘Vatrës’, besoj që e njihni! (Fan S. Noli – shënim im, V.Q.).
“Tashi, dy fjalë për ish kryeministrin e Shqipërisë që e keni këtu – thotë me humor Noli – S’është fjala që të lëvdohem për veten time, po dua t’u thom këtë gjë: A ka shumë kombe në të cilët, shumica të jenë muhamedanë e të zgjedhën për kryeministër një prift të krishterë?! Kjo më duket është lëvdata më e madhe, që mund t’u bëjmë shqipëtarëve. (…) ‘Vatra’, pastajza, ka bërë një punë të lavdëruar, duke botuar libra. Libra tashi botohen shumë dhe kjo s’ju duket ndonjë gjë me rëndësi. Por librat që botoi ‘Vatra’ ishin libra që botoheshin për herën e parë shqip.
(…) Këto janë ca nga shërbimet e ‘Vatrës’ në kohën e shkuar. Shërbimet e ‘Vatrës’ në kohën e tanishme’ mund të përmblidhen me fare pak fjalë. ‘Dielli’, vazhdon e ndriçon opinionin publik të shqiptarëve edhe u jep atyre një tribune, ku të shfaqin e të këmbejnë mejtimet për punet e Shqipërisë. Edhe, mos e kujtoni se ‘Dielli’ e ‘Vatra’ e kanë jetën të shkurtër. Kemi ca miq, ca miq shumë të çmuar, dorëhapur, të cilët kanë bërë pllane që të shigurojnë përjetësinë e Diellit edhe të Vatrës…”!
SHQIPERINE, TE MIRE A TE LIGE, NE E BEME!
Dhe ju a lamë të tjerëve që ta mirësojnë…!
… “Tashi, çdo të bëjë Vatra këtu e tutje? – pyet Noli, duke vijuar më tej me nevojën e vlerësimit të veprës së personalitetit të shquar të rilindjes, mikut të tij, Faik Konica e duke ja lenë amanet këtë punë, intelektualit e publicistit të njohur, Qamil Panariti. “A ka ndonjë punë për të bërë ‘Vatra’? Po, ka! Disa punë që mund të bëjë, do t’u a numëroj. ‘Vatra’ ka punë për të bërë në fushën e botimeve.
Për shembëll, në Harward, kemi koleksionin e gazetës ‘Albania’ të Faik Konicës, ndjestë paste”! (‘Albania’ e nisi botimin më 1897 dhe u mbyll më 1909 – shenimi im. V.Q.). Botimi i një përmbledhje të këtij koleksioni të çmuar, do kish rendësi të madhe, sepse siç shprehet Noli: “… Historia e Rilindjes Shqiptare, mund të gjëndet vetëm në ‘Albanian’ e Faikut”.
Dhe më tej, ai, vazhdon: “…Tjetër gjë që mund të bëjë ‘Vatra’, është ribotimi i disa librave, që sot s’gjenden më, për shëmbëll ‘Kalendari’ i ‘Vatrës’. Nëqoftëse nuk mund të botohet i tërë, të botohet një përmbëledhje, një broshurë.
Puna më e madhe që mund të bëjë tashi ‘Vatra’, është të vëmë përsëri Qerimin (Panariti) e të na bënjë një përmbledhje të materialit, i cili ndodhet në koleksionin e ‘Diellit’. Atje ka një thesar për historinë e Shqipërisë. Përpiquni që këto libra, t’i botoni edhe i thoni Qerimit, të mos shkojë në xhenet, përpara se të mbaronjë këto libra. Kjo është këshilla ime”!
… Dhe, është ndërkohë që përfundon t’a quajmë “pjesën” e parë të fjalës së tij që Noli, në të vetmin rast të ligjëratës jubilare, ngre tonet e zërit të tij dhe ankohet.
Qarja në fjalë, sipas tij, bën pjesë në “temën e ditës”. Por, edhe pse ai nuk i drejtohet kurkujt direkt, nuk zë emra në gojë e, nuk vë dorën mbi “plagë”, mendoj se kjo ankesë, ka të bëjë ndofta me sulmet që atij i qenë bërë disa here, si drejtues i Kishës Ortodokse, si person apo si kryetar i ‘Vatrës’, lidhur me të ashtuquajturin “kult” të lëvdatave apo, me heshtjen që kish mbajtur ndaj disa çështjeve politike.
Asokohe, në ‘Vatrë’, Noli kish edhe kundërshtarë e armiq e, në fjalën e tij, sqaron më poshtë shumë gjëra. Në rradhë të parë’ faktin që ai, (për mendimin tim me plot të drejtë), e vë veten në radhët e Rilindësve e, jo në atë të politikanëve “modernë” të shqiptarëve.
Si rilindas i fundit, ende i gjallë, ai bëhet kështu zëdhënësi i gjithë atdhetarëve të shquar, që në programin e madh të punës së tyre, në kuadrin e angazhimit në lëvizjen tonë kombëtare, si kryefjalë të saj, kishin bërjen e Shqipërisë. Në këtë drejtim, e vetmja meritë vetiake, për të cilën Noli bën aluzion e shprehet direkt, është përmbushja me sukses e një tjetër misioni specifik të tij: “bërjen” e Kishës Autoqefale Shqiptare, merita për themelimin e konsolidimin e së cilës, është në mënyrë të pa diskutueshme, vepër e tij.
Ja, si shprehet ai, më tej: “… Tashti të vijmë në themën e ditës. Shumë nga shqiptarët, na qahen me këtë mënyrë: Ore, ç’keni bërë, që lëvdoheni kaq shumë?! Edhe, kur t’a thonë në këtë mënyrë është, natyrisht, sikur të presin gjuhën. Se s’kemi lënë kusur, i kemi bërë që të gjitha, pothuajse ç’kishim në program të bënim…! Kishim në program, të bënim një Shqipëri indipendente, e bëmë!
Të mirë a të keqe, e bëmë! Nuk mund të presim nga foshnja, që t’i ketë të gjitha mirësitë. Foshnjës, duhet t’i jepet kohë të rritet e, të tregojë se ç’është. Si mund t’i qortosh prindërit, e t’u thuash: Ç’keni bërë me këtë foshnjë këtu?!
Duhet të presësh sa të rritet foshnja e, të tregojë se ç’lule është. Shqipërinë kishim në program t’a bëjmë, e bëmë! Kishim në pllan që të bënim një kishë autoqefale të Shqipërisë, e bëmë! Të mire a të ligë, e bëmë! U a lamë si barrë të tjerëve, që ta mirësojnë. Po ne e bëmë”! (…)
BIÇAKXHINJTE DHE KALEMXHINJTE
ose Noli pacifist …
…Tjetër gjë, e cila më la jo pak përshtypje gjatë dëgjimit të audiokasetave në fjalë, qenë idetë e tij pacifiste. Dihet se Noli, gjatë gjithë jetës së tij e, veçanërisht kur u angazhua në veprimtari politike (gjer sa arriti të bëhej edhe kryeministër i Shqipërisë), nuk u njojt kurrë, për veprime violente e, as për politikë force e dhune.
Pikërisht ky shpirt e, kjo veçori e karakterit dhe personalitetit pacifist, shprehet edhe në fjalën e mbajtur prej tij. Por, ndërkohë të mos harrojmë se kjo fjalë, ky regjistrim i përket vitit 1962, pra një kohe kur; a) Makartizmi, b) Lufta e Ftohtë dhe 3) Kriza e Karaibeve (konflikti i instalimit të raketave sovjetike në Kubë) ishin ne kulmin e tyre.
Bota kërcënohej nga një luftë tjetër e re, kësaj radhe me rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore…! Qysh në nëntor të vitit 1962, në bazë të zbulimit ajror, presidenti amerikan Kenedi pat qenë informuar për nismën sovjetike mbi instalimin e raketave me mbushje bërthamore në Kubën e Fidel Kastros. Ishte për herë të parë pas luftës së dytë botërore që një krizë e tillë mund të çonte drejt një konfrontimi dhe përdorimi të armëve atomike mes dy superfuqive.
Kjo ngjarje plot tension, u përjetua plot panik nga popullata amerikane e cila i trembej kërcënimit sovjetik prej vendosjes së raketave fare afër, disa qindra kilometra larg vendit të tyre. Ngjarja në fjalë, përveç kësaj, ndezi edhe më shumë atmosferën e lëvizjes pacifiste në botë e cila u karakterizua nga organizimi i manifestimeve e protestave të fuqishme në shumë vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dhe, është pikërisht në këtë kontekst social – politik që Noli në këtë fjalë, shpalos pikëpamjet e tij për këtë çështje e më tej. Prej mendimeve e ideve të tij kuptojmë se ai gjer në fund të jetës, mbeti një njeri me botëkuptim të theksuar social-demokrat.
Por, siç thamë edhe me lart, të mos harrojmë gjithashtu se aso kohe në Perendim ekzistonte një lëvizje mjaft e fuqishme pacifiste e cila mbështetej nga shumë personalitete të shquar të kulturës botërore që ishin përgjithësisht, me ide të majta e siç duket Noli, ishte plotësisht nenë ndikimin e ideve e pozicionimit të tyre …
Përveç kësaj, Noli, i cili me sa dukej dëshironte që t’a mbante Vatrën larg përçarjeve e konflikteve të brendshme që vazhdonin të mbeteshin vazhdimisht rreziku i parë e kryesor i shuarjes së saj, nuk u prononcua as rreth gjendjes në Shqipëri, lidhur me pyetjen se ç’duhej të bënte Vatra për këtë qëllim edhe pse, në fakt, ndihet që nga të pranishmit në sallë pritej një gjë e tillë.
Por, Noli, i cili qe në korrent të konjukturave ndërkombëtare shpalos thjesht e bile me humor, pikëpamjen e tij: “theorinë” siç e quan ai të dy shkollave apo të dy rrymave që ekzistonin aso kohe në politikë: asaj të një lufte të mundshme mes dy kampeve kryesore në botë, atij kapitalist dhe komunist. Pra, nga një anë, të konfrontimit të mundshëm me armë bërthamore dhe nga ana tjetër, të zgjidhjes paqësore të problemeve, për një bashkëjetesë mes popujve pavarësisht nga sistemet dhe ideologjitë e tyre.
Noli shpalos ashiqare pikëpamjet e tij, mes këtyre dy rrymave të kundërta. Mes atyre të cilët ai i quan “biçakxhinj” e, të tjerëve që i cilëson si “kalemxhinj”. Nga fjala e tij mësojmë se pa asnjë rezervë, ai, linte të kuptoje se, bënte pjesë në radhët e pacifistëve e, jo të mbështetësve të luftës. Por, shtrohej pyetja: në këtë kontekst politik, ç’mund të bëhej për Shqipërinë? Për Shqipërinë e cila, për fat të keq ish vendosur prej vitesh në kampin tjetër, pra në atë komunist, fati i saj sipas Nolit, ishte tragjikisht i lidhur, me atë të kampit ku ajo bënte pjesë:
“Ç’mund të bëjmë ne sot për Shqipërinë? – pyet ai – “Tashi, përpara se të bisedojmë këtë problem, duhet të dimë një gjë, të cilën pothuaj që të gjithë e harrojmë ose, s’i japim rendësi të mjaftë. Problemi i Shqipërisë, nuk është një problem që t’a zgjidhën shqiptarët sot. Edhe kur thom këtë, nuk dua që të poshtëroj shqiptarët, se nuk janë si kombet e tjera. Asnjë komb sot, nuk mund t’i zgjidhë problemet e tij, vetëm. Çdo problem i çdo kombi në këtë botë sot që është bërë një është problem, vetvetiu, ndërkombëtar që në krye gjer në fund. Problemi i Shqipërisë do të zgjidhet, kur të zgjidhen të gjitha problemet e botës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm