SPARTAK TOPOLLAJ
Sergej Viktoroviç Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë prej 9 marsit 2004, kryediplomati 72-vjeçar armeno-rus, i lindur në Moskë në familjen Kalatarian ardhur nga Tbilisi, që zëvendësoi në këtë funksion Igor Sergejeviç Ivanovin, shërben prej plot 18 vitesh në këtë detyrë, nën 5 Kryeministra (Fradkov, Zubkov, Putin, Mjedvjedjev dhe Mishustin) dhe dy Presidentë (Mjedvjedjev dhe Putin). Ai barazohet vetëm me Andrej Andrejeviç Gromikon, për kohëqëndrimin në këtë post, i mbiquajtur dhe “gaspadin njet” nr. 2 (“Zotëria jo”, si Gromiko).
Pas tyre, dy herë ministër i Jashtëm i BRSS, me 13 vite në detyrë, vjen Vjaçesllav Mihajlloviç Molotov (Skrjabin), ndoshta i vetmi ndër udhëheqësit e vjetër bolshevikë, që i mbijetoi purgës staliniane, i njohur edhe si nënshkrues, bashkë me Ribentropin, i Paktit të Mossulmimit Sovjeto-Gjerman të 1939-ës, që de facto ishte pakti famëkeq: Stalin-Hitler !!!
Molotovi për 11 vite kish qenë edhe kryetar i Këshillit të Komisarëve të Popullit (Kryeministër) i BRSS.
Lavrovi, pas mbarimit të shkollës së mesme në Noginsk dhe diplomimit për Marrëdhënie Ndërkombëtare më 1972, në Universitetin Shtetëror të Moskës, emërohet në MPJ dhe në disa misione diplomatike, derisa në radhët e diplomatëve i ngjiti shkallët e karrierës, duke ardhur në krye të diplomacisë ruse. Ai shërbeu në Sri Lanka (Cejlon) në OKB si Këshilltar i Misionit, në MPJ, me disa funksione, ambasador në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (disa herë kryetar i KS të OKB-së) dhe zëvendësministër i Jashtëm nën Jellcinin. Ministër i Jashtëm i Federatës Ruse emërohet më 9 mars 2004 nga Presidenti Vladimir Vladimiroviç Putin.
Në dhjetorin e 2006, revista autoritare e botës financiare të Rusisë, “Expert Magazine”, e shpalli atë njeriun e vitit.
Në gusht të 2008, gjatë konfliktit rusogjeorgjian në Osetinë e Jugut, Lavrovi pati raporte të ndera me dy sekretarët e Jashtëm, Kondolisa Rajs të SHBA-së dhe Dejvid Miliband të Britanisë së Madhe.
Ndërsa mes viteve 2008-2012, nën presidencën e Mjedvjedjevit, që duhet pranuar se ishte më liberal se paraardhësi e njëkohësisht më pas, edhe pasardhësi i tij Putin (edhe aktualisht President, e me Kushtetutën putiniane, mund të qëndrojë në krye të Federatës Ruse, deri më 2036)?!!!
Sergej Lavrov pati zgjuarsinë të tregohej më i matur, teksa mbajti një pozicion gati abstenues gjatë kritikave për ndërhyrjen franko-britanike në Libi në vitin 2011, duke shkuar më tej, madje deri në kundërshtimin e disa prej ligjeve antiamerikane, që miratoi asokohe Duma ruse (Parlamenti i Federatës).
Duke filluar nga gushti 2013, Lavrov investohet fuqishëm në politikën e diplomacinë ndërkombëtare si apologjet i regjimit gjakatar e diktatorial të Bashar al Assadit, teksa refuzoi propozimin perëndimor për një ndërhyrje ushtarake, që do të mund të ndalte luftën civile në Siri, shpërthyer jo pa rolin e rebelëve ekstremistë islamikë të ISIS.
Lavrovi në fund refuzoi të nënshkruajë një rezolutë dhe të bënte një Marrëveshje në Zhënevë, me homologun e tij amerikan, John Carry, për të mbajtur nën kontroll përdorimin e armëve kimike nga Assadi.
Por më 2015, kuotat politiko-diplomatike të Lavrovit ngrihen lart, si mediator i negociatave për ndalimin e luftimeve në Siri, sidomos pas ndërhyrjes ushtarake ruse atje, kur ata forcuan dhe shtuan praninë e tyre në Bazën e Latakias dhe në Alepo duke ndërhyrë haptazi ushtarakisht.
Vrasja e mbi 250.000 njerëzve gjatë konfliktit nuk mund të falen. Shkatërrimet e tmerrshme arritën kulmin në Damask e kudó, por dëmi kolosal, e ndoshta asnjëherë i rikuperueshëm, iu bë Palmirës, monumenteve arkeologjike mijëra e mijëravjeçare, të një prej qytetërimeve e kulturave më të lashta e më të zhvilluara botërore.
Ashtu si Gromiko, kryediplomati sovjetik i Luftës së Ftohtë (1957-1985) dhe kryetar i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS (1985-1988), që ishte një politikan dhe një diplomat i drunjtë përballë demokracive perëndimore e diplomacisë së tyre, edhe Lavrovi filloi ta imitojë idhullin e tij dhe t’i shkojë ç’do ditë e më tepër, pas valles së Shefit të tij të ri, neostalinistit të ardhur nga bodrumet e errëta të Lubjankës (Selia famëkeqe e KGB-së, quajtur më pas FSB), Vladimir Vladimiroviç Putin.
Se kush është Lavrovi i vërtetë, nga 2014, kur rusët forcërisht morën Krimenë, e deri këto ditë të agresionit, gjenocidit, masakrave, përdhunimeve, deportimit me dhunë të gati 5 milionë njerëzve nga trojet e tyre, e tregoi shovenizmi agresiv e barbar i Rusisë në Ukrainë.
kte dhe argumente, SHBA, akuzuan Rusinë putiniste, se sipas një skenari të mirëmenduar (prej tyre), po fuste agjentë e provokatorë rusë në Ukrainë (të tillë, gjenden me shumicë edhe brenda saj), për të krijuar alibinë e provokimeve ukrainase me flamurin verdhë e kaltër, kundër Rusisë?!!!
Lavrovi i quajti këto të pavërteta, madje dhe shaka e budallallëqe të amerikanëve.
Rusët, mjeshtwr të manipulimeve, përgatitën deri edhe një video, ku “vërtetohej” se ukrainasit sulmonin Donbassin, që qeveriset prej separatistëve rusë?!!!
Nga ana tjetër, edhe pse përgatitjet e ethshme ushtarake në mjete e njerëz, po bëheshin gjithnjë e më të qarta, çifti Putin – Lavrov, deklaronin publikisht, se Rusia nuk ka ndërmend kurrë të sulmojë e pushtojë Ukrainën dhe se propaganda e amerikanëve dhe e NATO-s, donte ta fuste Rusinë në një luftë, të cilën ajo as që e kishte ndërmend?!
Por prognoza e Perëndimit ishte e saktë.
Putini dhe Lavrovi filluan agresionin e egër ushtarak dhe Luftën ndaj Ukrainës vetëm me dy ditë vonesë nga parashikimi amerikan.
Në kulmin e euforisë ata deklaruan se do futen në Kiev brenda 48 ose 72 orëve dhe në rastin më të keq, për 120 orë!
Republikat Autonome të Donbassit dhe Luhanskut me popullsi ruse në maxhorancë do t’i “çlironin” nga “naziskinët” ukrainas, që gjoja kishin kryer krime e gjenocid ndaj popullsisë ruse atje?!
Më 10 shkurt, Lavrov takon Sekretaren britanike për Punët e Jashtme, Liz Truss, dhe i kërkon asaj që Britania të njohë sovranitetin rus të dy provincave, Voronezh dhe Rostov mbi Don, duke bërë një lojë, me shpresën se Sekretarja Truss do ngatërrohej, por ajo ia ktheu prerazi se Britania e Madhe, nuk do të njohë kurrë asnjë sovranitet rus mbi territoret ukrainase.
Mbi 130.000 trupa, mijëra tanke, blinda kamionë, artileri e rëndë, qindra aeroplanë e dhjetëra anije lufte e nëndetëse e sulmuan Ukrainën, kryesisht nga territori Bjellorus i Lukashenkos, diktatorit tjetër stalinist, ndër të paktët aleatë të Putinit, si edhe nga Deti i Zi dhe Azov.
Populli, ushtria dhe Presidenti trim, Zelenskij i Ukrainës, po i bëjnë një qëndresë heroike agresorëve rusë, duke fituar simpatinë e përkrahjen e popujve të botës.
Në OKB, 141 shtete anëtare votua për dënimin e agresionit rus në Ukrainë.
Një gjysmë votimi bëri edhe Serbia e Vuçiçit, Gëbelsit të Milosheviçit, mikut serb të Edi Ramës, por ajo është deklaruar publikisht kundër sanksioneve ndaj Rusisë?!
E gjithë bota demokratike, NATO dhe SHBA po ndihmojnë me armë, tanke, raketa, ushqime, veshmbathje dhe miliarda € e $.
Rusët dështuan me sukses të plotë.
Ata kanë humbur mbi 20.000 ushtarë dhe kanë pësuar mijëra të plagosur, pa folur për humbjet e mëdha në mjete dhe armatime.
Fundosja e krenarisë së flotës ruse, goditur me raketa në Detin e Zi, Kryqëzorit MOSKVA, 12.500 tonë, 186 m. i gjatë, me ekuipazh 510 marinarë, i ka tërbuar rusët.
Ata duan të sjellin aty një tjetër kryqëzor, akoma më të të madh (“Pjotër Velikij”- Pjetri i Madh, 27.000 tonë, 250 m i gjatë).
Disa herë, Putini në dëshpërim të thellë dhe paranojën e një diktatori ka kërcënuar Perëndimin dhe Botën me katastrofën bërthamore.
Nga skena publike, janë zhdukur ministri i Mbrojtjes, Sergej Kuzhugetoviç Shojgu, dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Aleksandër Vasiljeviç Gerasimov, si edhe janë arrestuar krerë të Shërbimit Sekret dhe të Ushtrisë, nën pretekstin e shkaktarëve të dështimit me turp dhe disfatës.
Gjenerali gjakatar, famëkeq për krimet në Çeçeni, e sidomos i njohur si kasapi i Sirisë, Aleksandër Vladimiroviç Dvornikov (“Hero i Rusisë”), është vënë në krye të forcave pushtuese.
Në ndihmë të rusëve kanë ardhur paradoksalisht rreth 10.000 çeçenë ekstremistë islamikë të Kadirovit, të shitur té Cari i ri, në vendin e të cilëve, rusët e Putinit kryen krime të tmerrshme, dhe mercenarë të degjeneruar, pijanecë dhe të droguar ordinerë e të indoktrinuar trushpëlarë të mirëpaguar?!
Gjenocid, masakra, krime lufte, përdhunime, deportim të dhunshëm të rreth 5 milionë njerëzve, këto mbron e justifikon kryediplomati Lavrov?!
Ai e ka ulur piacën deri aty, sa thotë që të vrarët me plumb mbas koke dhe duar të lidhura mbrapa, janë aktorë, ose ukrainas që aktrojnë dhe simulojnë sa për t’u filmuar dhe pastaj, publikuar e propaganduar videot?!!!
Vetëm fëmijë janë rreth 200 të vrarë. Masakrat në Bucha, Kramatorsk, Harkiv e Lviv kanë tronditur botën. Ata gati sa nuk rrezikuan me bombardimet e tyre, përsëritjen e katastrofës bërthamore në Centralin atomik të Çernobilit!
Lavrovi bën sikur nuk e di kërcënimin rus, ndaj dy shteteve më paqësore të Europës, Suedisë dhe Finlandës, të cilat iu dashka t’i marrin leje Rusisë, nëse mund të futen në NATO?! A thua Lavrovi po bën komikun në këtë tragjedi?!
Vërtet ai ngjan me aktorin e madh komik francez, aq të dashur e të respektuar, Fernandél (Fernand Joseph Désiré Contandin), por ai vetëm në filma bënte komikun dhe ishte një nga aktorët më seriozë e paqësorë në jetë, ndërsa e kundërta po ndodh me Sergej Komikun, i cili në çështjet më serioze, ku diskutohet jeta apo vdekja e miliona njerëzve, na bën për të “qeshur” me përrallat ruse dhe doktrinën e Ministrit të Jashtëm rus të Car Aleksandrit II, nga 1856- 1882 Aleksandër Mikhailoviç Gorçakov, i cili ishte protagonist i Perandorisë Ruse për ekspansion në Azinë Qendrore!!!
Trojka Putin-Mjedvjedjev-Lavrov rreken më kot të krahasojnë të pakrahasueshmen KOSOVË me rastin Ukrainë, apo të flasin për kriminalitet të mafies shqiptare, e papërfillshme me mafien ruse në botë. Por kjo do të shënojë edhe fundin tragjik të trojkës Putin, Mjedvjedjev, Lavrov!
* DIPLOMAT