Nga Eugjen Merlika
MUSTAFA KRUJA
(Formimi, karakteri, personaliteti në shoqëri e ne familje)
Memorie.al/ Kanë kaluar plot 50 vite nga ajo mbrëmje e 27 dhjetorit 1958, kur në një klinikë amerikane, n’afërsitë e ujëvarës së famshme të Niagarës, mbyllte sytë përgjithmonë Mustafa Merlika Kruja. Një ndërhyrje kirurgjikale në tëmth, në dukje e thjeshtë, shënoi fundin e parabolës së një jete të ndërlikuar, të filluar në një natë marsi me stuhi të 71 viteve më parë, në Krujën legjendare të kryetrimit t’Arbërit, të ndërthurur me shumicën e ngjarjeve të trazuara të të parit shtet të bashkuar e të pavarur në historinë e shqiptarëve e, të përfunduar në vetminë trishtuese të një mërgimi të gjatë nëpër vende të ndryshme, deri në strehimin mikpritës të vendit simbol të demokracisë.
Në qytetin ku lindi kaloi vetëm fëmijërinë, por Kruja mbeti në zemrën e Mustafait, jo vetëm si vendi me të cilin u lidhën kujtimet e para e të pashlyeshme fëminore, të shoqëruara nga portretet e familjarëve, ndër të cilët spikat ai i nënës me dhimbjen e thellë të largimit të saj të parakohshëm, por edhe sepse emri i saj, i u bashkëngjit mbiemrit të tij për të formuar atë tog fjalësh, që do të dukej në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, duke u bërë një pikë referimi në jetën politike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë.
Në moshë ende të njomë, n’agim të djalërisë, mori rrugët e botës për të studiuar, më parë në Janinë e më pas në kryeqendrën e Perandorisë Turke, në një periudhë vendimtare për formimin e vetëdijes kombëtare dhe themelimin e Shtetit shqiptar. Djaloshi nga Kruja, i kaloi me sukses të gjitha provat shkollore, duke ngjitur një nga një shkallët e dijes, në sajë të një vullneti të hekurt, të një zgjuarsie mbi normalen e të një vendosmërie të pazakontë për të arritur synimet. Këto ishin disa nga tiparet më të spikatura të personalitetit të fortë të Mustafa Merlikës. Një ligj madhor hipotetik kompensimesh të mundësive potenciale e të kushteve reale, në rastin e tij ndoshta shërbente si një shtysë e fuqishme për të shkuar përpara.
I lindur në një familje të mesme krutane, pa ofiqe e pa pasuri, i vetëdijshëm se vetëm me forcat e tij do të hapte rrugën e jetës, u shqua që në të ri për horizontin e gjerë të interesave kulturore në fusha të ndryshme të dijes.
Poezitë e Naim Frashërit, “lyriku shqiptar mâ i kënduemi, mâ i ndiemi, mâ i kuptuemi e mâ i çëmuemi”, e traktati i Sami Frashërit, “mâ i madhi dijetar qi ka pjellë deri sod raca e jonë”, mbi Shqipërinë e mbanin të lidhur me vendin e lindjes, por frëngjishtja e mësuar herët i hapte horizontet e Iluminizmit, e fuste në shtigjet e eseizmit të shekullit 17 (La Bruyère, La Rauchefoucauld), madje dhe në teoritë e socializmit. Shkolla turke që ndiqte i jepte mundësi të depërtonte në fushat e gjëra të kulturës arabe, persiane e orientale në përgjithësi.
Me këtë pasuri kulturore në mëndje, në moshën 23 vjeçare, u diplomua në Mylkijen e famshme të Stambollit për Shkenca Politike e Administrative. Veprimtaria atdhetare, e nisur me shkrimet në fletoret turke të kohës, që nga ai çast trupëzohet e merr formë me kthimin n’Atdhe e, mospranimin e postit të zv/guvernatorit të një province të Perandorisë.
Mbi veprimtarinë e Mustafa Krujës në fushën politike, të studimeve gjuhësore e historike, e mbi mendimin e tij politik, folën studiuesit e shquar në Konferencën shkencore përkujtimore, të mbajtur në Tiranë, në ditën e 50 vjetorit të largimit të tij nga jeta tokësore. Un do të mundohem të ravijëzoj këtu portretin e njeriut Mustafa Kruja, një portret i skalitur më së miri nga autoritete të kulturës shqiptare si Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Tahir Kolgjini, Lazër Shantoja etj., që e njohën nga afër e bashkëpunuan me të.
Un kam fatin të mbaj në deje gjakun e tij, jam nipi i lindur n’atë vit në të cilin ai u largua përfundimisht nga Atdheu. Isha vetëm pesë muajsh, kur gjyshi u nis me nxitim për në Austri, ku xhaxhai im i vogël, Besimi, ishte shumë i sëmurë në një klinikë të Vjenës. Para se të nisej, në një ditë fundi gushti 1944, më mori në krah, më puthi, e me një ofshamje dëshpërimi pëshpëriti: “Të mijtë nuk i rrita dot vetë, as këtë nuk do të mundem t’a rris”. N’albumin e vjetër të vitit të parë të jetës është një fotografi e tij me mua në krahë. Kështu, “i mërguemi i përhershëm”, siç do t’a përkufizonte Koliqi, filloi ciklin e fundit të mërgimit të tij, atë më të dhimbëshmin e më të vështirin. E përballoi me forcën e karakterit dhe me ndershmërinë, për të cilën ishte shquar që në të rit e tij.
Nëse do të hartohej një listë e cilësive vetjake të Mustafa Krujës, mendoj se në krye të saj do të ishte ndershmëria, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Ishte një cilësi e lindur por edhe kultivuar në një familje patriarkale, ku vlerat njerëzore i mëkoheshin fëmijës që kur thithte qumështin e nënës. Ishim një popull i varfër në mjete të jetesës, në përvojë qytetërimi e në kulturë, por i pasur në tradita, parime e vlera njerëzore siç ishin besa, mbajtja e fjalës së dhënë, respekti për të moshuarin, për familjen, për prindërit, për mikun e dashamirin.
Mustafa Kruja ishte bir i kësaj Shqipërie që, fatkeqësisht, është në grahmat e fundit. Gjatë gjithë jetës së tij punoi që këtë Shqipëri t’a fuste në hullinë e qytetërimit t’Evropës e, të zhvillimit bashkëkohor, kryelartë e pa kompleksin e përulësisë, në sajë të ruajtjes së atyre vetive. Krenaria për virtytet njerëzore të popullit të tij e shoqëroi kudo e kurdoherë. Çaste të shfaqjes së saj i gjejmë tek “Kujtimet …” e tij, që nga episodet e tregtarëve të Vjenës e të Selanikut e, deri tek “Bujtina” e Krujës, e kujtimet e Dom Nikoll Kaçorrit.
Ndershmëria, e shfaqur në të gjithë çastet e jetës së tij vetjake, familjare e shoqërore, ishte një motiv krenarie për gjithë fisin e Merlikve që e deshi deri n’adhurim “Lalën” e tij. Në vitet e gjata të mërgimit, në “vetmitoret” e Egjyptit, të Italisë, të Francës apo të SHBA-së, ai i thoshte motrës Haxhire, apo djalit Bashkim, të vetmit familjarë pranë, që ta thërrisnin “Lalë”.
Kështu, thoshte ai, më duket se kam pranë gjithë familjen e fisin…! Ishte një formë vetë hipnotizimi, për të lehtësuar sado pak dhimbjen e thellë që kishte në shpirt. Ndershmëria e tij admirohej nga miqtë e bashkëpunëtorët por vlerësohej edhe nga kundërshtarët. Ndershmëria ishte korrektësi e përkryer në marrëdhëniet me të tjerët, por ishte edhe respekt i bindjeve që ai i shfaqte hapur në lojën e ndërlikuar të politikës. Ka mbetur proverbiale korrektësia e tij në kuadrin e jetës bashkëshortore.
Në “Kujtimet e vegjëlisë e të rinisë”, tregohet një episod i një bisede të autorit me Luigj Gurakuqin e At Gjergj Fishtën, në një restorant të Parisit, pikërisht mbi këtë temë. Luigj Gurakuqi ishte beqar, ishte një burrë i hijshëm, shpirtmadh, i lakmuar nga gratë. Në jetën e tij vetjake, sidomos n’Itali, këto të fundit nuk i mungonin. Megjithëse Luigji për Mustafain ishte një idhull ai, nuk i’a kursente kritikat n’atë drejtim e shoku, “i martuar me Shqipërinë”, i kujtonte atij “gabimin” që kishte bërë, duke krijuar familje në një vend në të cilin shpesh pasojat e veprimeve të politikanëve, binin mbi familjarët e tyre. Por për Mustafain familja, ishte institucioni më i domosdoshëm e më i respektuar në jetën e njeriut, një detyrë së cilës nuk duhej t’i shmangej në çfarëdo rrethanash.
Kështu vërejtjes së të birit, Petritit, mbi papërshtatshmërinë e aktit të martesës në periudhën e luftës, ai i u përgjigj me një letër të gjatë, në të cilën mbronte tezën se luftërat nuk kanë qenë asnjëherë në historinë e njerëzimit, pengesa për martesat e njerëzve dhe lindjet e fëmijëve. Kështu ngulmimi i tij arriti synimin t’a martonte të birin me vajzën e mikut të tij të vjetër, Sotir Gjikës, Elenën. Kjo qe nusja e vetme që ai pati në shtëpi, një nuse që në pak kohë u bë për të një bijë e vërtetë, jo rastësisht ishte e vetmja në familje që e thërriste “Babë”, duke gjetur në të dashurinë e munguar të të atit që e la jetime në moshën 7 vjeçare.
Dhe ajo e deshi dhe e respektoi me gjithë forcën e shpirtit të saj e, gjatë kalvarit më se dyzetvjeçar të përndjekjes komuniste, i përballoi vuajtjet e gjata kryelartë sepse, ishte e reja e Mustafa Krujës. Zemra prej prindi u gëzua shumë kur mori vesh se edhe djali i dytë, Fatosi, ishte martuar me mbesën e një miku e bashkëpunëtori, të Kolë Bibë Mirakajt. Ai nuk arriti të marrë me vete gëzimin e martesës së djalit të tretë, Bashkimit, por letrave të nuses së ardhshme, i përgjigjej gjithmonë me ngrohtësinë e prindit.
Në moshën 25 vjeçare, në Vlorë, ishte sekretar i Ismail Qemalit, për të cilin ruajti gjithmonë respektin e bindjen se: “Plaku i Vlorës”, ishte një atdhetar i panjollë që punonte për Shqipërinë. Besnik i kësaj bindjeje, u kundërvu ndaj Esat Pashë Toptanit, njeriut që kishte vendosur drejtimin e shkollimit të tij, gjë të cilën për pak e pagoi me kokë. I dorëzuar tek Esati si pasojë e kërcënimit të tij për të vrarë të gjithë meshkujt e familjes, nuk nguroi t’i thotë atij në sy arsyen e qëndrimit të tij.
Para një rreziku vdekjeje, duhej guxim e kurajo të shpalosje bindjet dhe armiqësinë ndaj të fuqishmit, duke patur duart e lidhura. Guximi dhe kurajoja ishin pjesë përbërëse të karakterit të tij, që nuk parapëlqente dredhat dhe transformimet e politikës. Ishte më shumë një Burrë Shteti se sa një diplomat, punonte më shumë i shtyrë nga parimet e bindjet se sa nga interesat vetjake. Madhore për të ishin vetëm interesat e Shqipërisë, ashtu siç i konceptonte ai.
Para tyre mund të sakrifikoheshin të gjitha: fitimi, pozita madje edhe familja. Për të mbrojtur ata interesa, nuk nguron të sfidojë opinionin publik, të rrezikojë “komprometimin” e të verë në lojë karrierën e mirëqenien. E bëri më 1915-ën përballë Esat Pashës; më 1922-in kur organizoi me Zija Dibrën kryengritjen e marsit; më 1927-ën kur u largua nga KONARE-ja, mbasi pa të mbizotëronte në të fryma filo sovjetike; më 1936-ën, kur i’u drejtua shokëve të mërgimit me një letër, në të cilën propozonte ndryshimin e qëndrimit ndaj Mbretërisë Shqiptare, mbas ardhjes në fuqi të Qeverisë së Mehdi Frashërit; më 1938-ën, kur përfaqësuesit të qeverisë italiane në bisedime, i’u drejtua me fjalët: “Le të qëndrojë Zogu edhe njëqind vjet të tjera në qeverisjen e Shqipërisë…”; në nëntor 1941, kur mori përgjegjësinë e qeverisë nën pushtim, me të vetmin qëllim për të shmangur një fitore të komunizmit n’Atdheun e tij; më 28 nëndor 1942, kur i priu demonstruesve në Vlorë me flamurin në dorë; në janar 1943, kur dha dorëheqjen si Kryeministër, në shenjë thyerjeje të bashkëpunimit me italianët; më 1952-in kur i’u drejtua Departamentit Amerikan të Shtetit për strehim politik, duke argumentuar arsyet e qëndrimit pro boshtit në Luftën e Dytë Botërore.
Sa i vendosur ishte të mbronte bindjet e tij politike, shkencore apo morale, po aq i gatshëm ishte t’i diskutonte ato hapur, ndershmërisht. I ndjeri Mark Temali, më tregonte në kampin e Gradishtës, se si një bisedë prej dy orësh me ish-kryeministrin, e kishte kthyer nga një kundërshtar të Qeverisë në një bashkëpunëtor të saj, duke pranuar detyrën e federalit në Korçë.
Mbas fjalimit në kinema “Savoja”, me titull “Në hullí të historisë”, qe i gatshëm të priste këdo që dëshironte të bisedonte sy më sy me të për problemet e Vendit dhe rrugët e zgjidhjes së tyre. Nuk kishte paragjykime t’asnjë forme, prandaj ishte i gatshëm të dëgjonte pikëpamjet e të tjerëve, të çdo moshe, të çdo sëre, të çdo krahine, të çdo bindjeje politike, mjaft që t’i shërbenin çështjes shqiptare.
Ishte një njeri që i pëlqente rregulli në jetën e zakonshme dhe serioziteti në punë. I përkushtohej skajshmërisht çdo lloj aktiviteti që ndërmerrte, si atij intelektual e shkencor apo politik, si dhe çështjeve familjare, të farefisit apo të rrethit shoqëror e miqësor. Ishte një kundërshtar i vendosur i anarkisë, i çrregullimeve, i punës shkel e shko, i mungesës së seriozitetit. Në konceptet e tij për jetën publike një vend të veçantë zinte elementi disiplinë, pa të cilën ai nuk e kuptonte mbarëvajtjen e Shtetit dhe të institucioneve të tij. Disiplina nuk ishte një nënshtrim i verbër ndaj autoritetit epror, por një ndjenjë respekti ndaj detyrës që kishte secili, një ndjenjë përgjegjësie ndaj zbatimit të rregullave e ligjeve të miratuara nga institucionet.
Një veti tjetër e karakterit të Mustafa Krujës ishte, mungesa e ndrojtjes për të njohur gabimet edhe në hapësirë kohe. Në “Kujtimet..” ai, djegien e shtëpisë në Krujë, mbas dështimit të Lëvizjes së Marsit 1922, nuk i a vesh “barbarisë” së Shtetit, por fajit të tij. Në fakt atë lëvizje, së bashku me Revolucionin e Qershorit 1924, mbas kalimit të viteve, i quajti veprime të dëmshme për ecurinë demokratike të jetës politike shqiptare. Në këtë kuadër mund të vendosen edhe ndryshimet e qëndrimit ndaj kundërshtarit të rreptë të tij, Ahmet Zogut.
Tërësia e marrëdhënieve të tyre, që nga njohja në moshë fare të re në një shkollë të Stambollit e, deri tek fqinjësia vëllazërore n’Aleksandri t’Egjyptit, përmban në vetvete gjithçka nxori në pah politika shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të shkuar. Ajo ishte shprehje e idealeve por dhe e interesave, e respektit ndaj kundërshtarit por edhe e luftës së pamëshirshme ndaj tij, e vlerësimit të tij privatisht por edhe e denigrimit publik, e qëndrimit ngulmues në bindjet por edhe e ndryshimit të përkatësive politike.
Në vjeshtën e vitit 1943, kur u pa se fitorja e Boshtit, me të gjitha përfitimet e Shqipërisë etnike, po largohej gjithnjë e më tepër, ndërsa ajo e Aleatëve, me rrezikun e mbizotërimit të komunistëve në strukturat e qëndresës antifashiste, bëhej më e prekshme, Mustafa Kruja arriti në përfundimin se Shqipëria kishte vetëm një rrugë shpëtimi: mobilizimin e të gjitha forcave të shëndosha të Kombit, nën drejtimin e Mbretit të mërguar. Që nga shtëpia e Kapidan Gjonit në Shkodër, niset mesazhi për kundërshtarin e shumë viteve: “Si mue, si Kapidanin e Mirditës, do t’na kesh bashkëpunëtorë e përkrahës”!
Ishte dora e shtrirë Mbretit dhe njohja e vetëdijshme e rolit dhe aftësive të tij, jo për komoditet politik apo përfitim vetjak, por për një bindje të thellë se kjo ishte rruga e shmangies së një katastrofe, të cilën ai e kishte paralajmëruar në të gjitha mënyrat. Para këtij synimi të gjitha vlerësimet, qëndrimet, mëritë e së shkuarës liheshin mënjanë, i dorëzoheshin kohës e historisë. Ishte pa dyshim një tregues burrërie e shqiptarizmi, ashtu siç kishte qenë, një vit më parë, mbrojtja e tezës se Shqipëria e bashkuar me Kosovën në gjysëm lirie ishte më e pranueshme se ajo pa Kosovën në liri.
Kjo ishte me pak fjalë figura e Mustafa Krujës, mbi të cilën është hedhur sistematikisht balta e shpifjeve dhe diskreditimit. Ajo është e lidhur me një epokë, tashmë të largët, me një mendësi, një mënyrë të konceptuari të çështjes shqiptare, në një nga periudhat më të ndërlikuara të një shekulli të shënuar nga tragjedi të të gjitha niveleve. Ashtu sikurse ajo mendësi, në tërësinë e saj, po ashtu edhe ajo figurë presin sot një rivlerësim objektiv e të paanshëm, nga sita e historisë së vërtetë.
Fatkeqësisht strukturat shkencore, politike, kulturore të vendit tonë, nuk janë ende në gjendje t’a bëjnë, ato mbeten të ngujuara në kullat ideologjike të mendimit komunist. Konferenca përkujtimore në sallën ‘Balsha’ të Hotel Tiranës, qe një hap i fuqishëm n’atë drejtim. Kumtesat e mbajtura në atë sallë, nga studiuesit e shquar që shpalosën opinionet e tyre janë një dëshmi. Atyre u shkon falënderimi i përzemërt jo vetëm i familjes e farefisit të Mustafa Krujës, por dhe i atij opinioni shoqëror që, është i etur të njohë, në termat e tij të vërteta, të shkuarën e Vendit të tij.
Rishkrimi i historisë, kryefjala e këtij tubimi, duhet të jetë një proces i thellë, i pandërprerë, i tejdukshëm, cilësor, në vazhdimësi, një proces rindërtimi mbi kritere të së vërtetës të së shkuarës sonë, dukuri kjo e domosdoshme për të davaritur mjegullnajën e stërmadhe të mashtrimit që, për më shumë se gjysëm shekulli, ka errësuar mendjet e shqiptarëve duke çoroditur idetë e tyre. Memorie.al
Dhjetor 2008
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016