Nga BUJAR QESJA
Pjesa e parë
Memorie.al / Jeta ime tashmë e ka bërë kreshendon dhe si një avion, vjen e ulet në pistën e fazës përmbyllëse të saj. Mosha 70-vjeçare, është peshë e rëndë, për të formuluar mendime me ngarkesë shprehëse dhe qartësuese, për temat që vendos në shënjestër. Durrësin tim, Durrësin e vendlindjes time, Durrësin e varreve të prindërve të mi, Durrësin e të afërmve, të miqve dhe të shokëve, e shikoj pa u lëkundur të guxoj të heq një presje, nga orientimet e hershme, apo thënë ndryshe popullore. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Janë ndërtuar pallate shumëkatëshe. Janë transformuar rrugë dhe sheshe. Durrësi është rritur dhe zgjeruar. Të ardhurit kanë krijuar edhe figuracionin “Durrësi i ri”. Një shqipfolës, jo i rritur në Shqipëri po më thosh: ku është “Durrësi i Detit”. E kishte fjalën për plazhin.
Eci rrugëve të vendlindjes time dhe në imagjinatë dëgjoj të qarat e një foshnje, që lindi në gushtin e vitit 1951. Shikoj gjurmët e fëmijërisë së tij, të rinisë, formimit e pjekurisë. Ndërtimet e shumta me kriter e pa kriter, këtij ‘51-shi tentojnë t’ia çedojnë memorien. Ndaloj dhe kërkoj të lëviz ingranazhet, ende të fuqishme të memories. Dua të kujtoj. Dua të rrëmoj. Dua të shfaq njëherë si në një kohë, tablo të hershme, me emra njerëzish të larguar me kohë nga kjo botë, por edhe rrugësh, vende e pikëtakimesh tradicionale. E dua tani më shumë se kurrë, këtë lloj historie. Pasi besoj se kështu i ofrohem kujtimit të prindërve të mi, të njerëzve të mallit të rrugës time, të lagjes time, të qytetit tim.
Shumë i vogël, nuk mund të mendohej se do të fiksoja pamjet, që më duhen tani më shumë se kurrë. Janë pamje të jetës time, por edhe të jetës tonë. Është ajo jetë e thjeshtë, e varfër disi, pse jo dhe me pak brenga dhe halle, por shumë e ëmbël, shumë e bukur, shumë e dashur, shumë e shtrenjtë. Kam kërkuar foto të hershme. Diçka gjeta, por jo tamam siç i doja. Të tjerat i kam plotësuar vetë, por të kohës së sotme. Tani zor se gjen ndonjë pamje që të kujton traditën, e të mos ketë një makinë përpara. Qyteti ka ndryshuar, po zor se ndryshon kujtesën tonë.
Së bashku me ty lexues nxitës i krijimtarisë time, të ecim, të prekim pak nga e kaluara jonë dhe të ritheksojmë mjaft emërtime të hershme, por joshëse edhe se viti 2021, nisi t’i kafshojë dhe t’i largojë nga vetja, ditët e para të startit të gjatë 12 mujor. Janë marrë vendime, janë përpiluar shkresa, janë vendosur tabela në çdo cep a qoshe rruge, por ne vazhdojmë njëlloj si më parë. Kur na pyesin se ku ndodhet kjo rrugë, qendër pune a institucion tjetër, menjëherë reagojmë me emërtimet e hershme dhe tradicionale. Kjo mbetet një forcë zakoni e fuqishme, por edhe se mjaft emra të reja të vendosura, nuk i bindin shumë njerëzit. Ato ndjehen më të lehtësuar, kur i thjeshtojnë me emrat e mëparshëm, që kujtesa popullore as ka ndërmend t’i shkisë nga vetja.
Do të merremi në këtë material super ekstra, me shumicën e emrave që banorët e vjetër, por mbase edhe të ardhurit prej kohësh në Durrës, janë mësuar të orientohen në jetën e tyre të përditshme. Shkrime të tilla janë të lodhshme dhe gjithnjë lejnë diçka mangët, për ta plotësuar publiku i gjerë. Por ajo që vlen është fuqia e palëkundur e sigurisë së qytetarëve, që të mos lëkundet në emrat e vjetër të emërtimeve, ndonëse Durrësi i tanishëm me atë të mëparshmin ka ndryshuar dhe po ndryshon rrënjësisht.
“Sefer Efendiu”, banjo publike, “Pusi i Topanasë”, gjykata, punishtet, Befotrofi
“Sefer Efendiu”, apo thënë durrsakshe “Sefer Efeniu”, rruga më tipike në kujtesën e durrsakëve. Rrugë legjendare, me shumë histori, me njerëz gjigantë të veprimit, të patriotizmit, të kulturës dhe qytetarisë, të sportit dhe civilizimit, të punës dhe ndërtimit, të qëndresës dhe historisë më pikante të Durrësit tonë. Rruga “Sefer Efeniu”, më duket sikur është vetë Durrësi. Nuk e rrah shpesh tani. Zemra ime e lodhur disi, e riparuar nga dëmtimet serioze, nuk e mban tatëpjetën. Për herë të fundit u ngjita, kur u ligështova nga largimi nga jeta i mitikut Rruf Kazazi. Është i nipi, i të famshmit luftëtar, patriot, erudit, fantazisë dhe transformues i natyrës, Sefer Kazazi, pasi Efendi iu dha si titull nga fillimi i shekullit të kaluar.
Është ky Efeni (shqipërimi “madein” durrsakshe), që u vendos në këtë kodër dhe duke e kthyer në një vend që këndonin bilbilat. Historia Sefer Kazazit na bën nder të gjithëve. Pas mbarimit të Akademisë ushtarake në Stamboll, emërohet komandant i trupave turke në Urën e Mostarit në Bosnje Hercegovinë. Në njërin prej lokaleve më të preferuara të elitës ushtarake turke, ai filloi të këndojë një këngë shqiptare. Por një kolonel turk iu shpreh: “Pis arnaut, Shqipëria nuk ekziston”! Kaq iu desh Seferit, të nxirrte shpatën dhe t’ia prente kokën turkut kërcënues. E dënuan me vdekje. Florinjtë e dhënë nga familja dhe ndërhyrja e mikut të tyre Gani Toptanit, që ishte në shërbim pranë oborrit të Sulltan Hamitit, ndikuan në faljen e jetës.
Burg i përjetshëm në Çad të Afrikës, ishte dënimi më i butë që iu dha. Arratiset dhe vjen në Durrës, ku ishte djegur nga malli për të. Bleu kodrën që mban emrin e tij dhe e bëri një kopsht të lulëzuar. Hapi puse, mbolli frutikulturë dhe e ktheu në një kopsht të lulëzuar. Banorëve u fali troje dhe e bëri këtë zonë shumë të famshme, famë të cilën e gëzon edhe tani. Kjo mburrje e durrsakëve, nuk ka për t’u zbehur kurrë. Këtu lindi futbollisti me nam, Panajot Pano. Këto ka banesën i nipi i Sefer Efeniut, i paharruari Ruf Kazazi dhe të tjerë emra me nam si; Abdulla Duma, Shazivar Gruda, Fatos Muço, Bernardina Qerraxhia, Burhan Truma, notarët Kapexhiu dhe fise të tjera të njohura si; Novat, Ferrat, Rubjeka, Xhenetët, Kuqët, Rrogozhinat, Kollakët, Xhaxhiu, Reçët, Jasinët, Voglët, Pusët, Kapllanët, Gjepalët e shumë e shumë të tjerë.
“Pusi i Topanasë”, është qindra vjeçarë. Është vlerë hulumtimi, historike dhe kulturore. Por durrsakët ndjehen të lehtësuar kur thonë, që kjo që kërkoni ju është pranë “Pusit të Topanasë”, apo pranë gjykatës së qytetit. Para rrugës së “Sefer Efeniut”, në krahun e majtë, kur po lëviz drejt muzeumit të qytetit, kanë qenë me radhë punishtet e ëmbëlsirave, të qumështit dhe të bozës. Duke shtuar këtu edhe ish vendndodhjen e dikurshme banjon publike (përballë gjykatës së qytetit), kemi të bëjmë me orientime popullore nga durrsakët. Edhe kujtesa popullore, nuk ka hequr presjen nga tradita.
Muzeleumi, Rruga e “Stanit”, Kodra “Moisive”, Kopështi “1 Qershori”, Haznedarët
Durrësi natyrisht nuk ishte ky i sotmi, as në sipërfaqe, as edhe në numrin e banorëve. Ishte shumë më i zvogëluar në këto dy tregues, por çuditërisht vendasit nuk heqin dorë nga e kaluara e tyre. Kanë amanet nga disa breza që nuk jetojnë, por edhe e kanë prekur në fëmijërinë e tyre, atë “zakon” që nuk e heqin as sot. Nisim me Mauzoleumin e Luftës, që është shkurtuar në fjalën Muzeum. Me këtë vendndodhje kuptohet e gjithë sipërfaqja, që përfshin baret dhe lulishtet pranë, pika e kalimit të këmbësoreve dhe automjeteve, kthesat përkatëse në drejtim të spitalit, drejtorisë së policisë, apo në krahun e kundërt nga gjykata, Qarku dhe Prefektura, Pallati i Kulturës, Shamia dhe Bashkia e qytetit.
As mos u lodh kot, se do të kuptoj ndokush po t’i tregosh, se ku ndodhet iks rrugë. Pranë muzeumit ndodhet rruga e famshme e “Stanit”, rrugë karakteristike, me një tatëpjetë që të nxjerr mall. Kjo rrugë që nga mosha e hershme e brezit tim, por e shtyrë edhe më tej në kohë, përdorej edhe si një kthim kur kaloja lart mbi Currila, duke përshkuar Kodrën e Vilës, ecje pranë kodrës së “Moisiut” dhe prekje asfaltin puq me muzeumin. Dhe kjo rrugë në zbritje kaq e përmallshme, quhet rruga e “Stanit”.
Kuptimi i kësaj fjale është thjesht stani. Vend ku rritej dhe mbarë-shtrohej bagëtia. Sipas Nastës, mikeshës tonë nga familja e njohur e Martikëve, më kujtoi shumë stanorë, që janë pjesë historisë së qytetit dhe hershmërisë së banorëve të tij. Nga këto kujtojmë mbiemrat e njohur; Martika, Kulja, Teodori, Bihiku, Arapi, Zaka, Heba, Prifti, Lito, Unçi, Lepuri, Pizha, Driza, Shima, Mima, Koraqi, etj. Pranë qendrës së rrugës së “Stanit”, shfaqet gjelbërim i i një kodre dominuese. Është kodra shumë e njohur e “Moisive”. Aty janë ngulitur prej kohësh, njëri prej fiseve më të vjetër të Durrësit, me format tradicional. Familja e gjeneral Soiro Moisiut, apo i mjekut të njohur, Koçit, janë degëzime të të njëjti trung. Durrsakët e mi, e kanë Kodrën e “Moisiut” pika tradicionale orientuese.
Kopshti “1 Qershori” dhe Haznedarët janë dy referime të tjera. “1 Qershori” është kopshti im, është kopshti i shumë brezave. Tërmeti që ra, i krisi muret e kopshtit tonë, por nuk i lëvizi nga vendi kujtimet, ato kujtime që kanë të bëjnë me vetë jetën e qytetit. Pranë kopshtit, është një vend shumë i njohur për durrsakët. Është shtëpia ku kanë jetuar dhe jetojnë Haznedarët. Një fis i urtë, punëtorësh dhe qytetarësh të formuar. Një mbiemër dominues, si vetë historia e tyre. Një fis me krushqira të gjëra dhe me miqësi me rrënjë e me degë, të lidhura me shumë fise në Durrës. Kopshti “1 Qershori” dhe Haznedarët janë të famshëm në orientimet e vendasve, madje dhe e të ardhurve.
Çezmja Ferrës, Tod Trungu, magazinat tek policia e vjetër, depo e lëkurave
Nuk i shkon kujt ndërmend të kujtojë emrin e rrugës, kur është fjala për të kaluar në bllokun e shtëpijave pranë ish shkollës “Naim Frashëri” dhe sot “Eftali Koçi”. Menjëherë në gjuhën e një vendasi, reagohet shkurt “Çezmja e Ferrës”. Kuptimi është zbatimi formal i fjalës. Sipas banorëve të zonës, kjo është një pjesë e qytetit mbushur kohë të shkuara me ferra dhe driza. Shpyllëzimi i saj me sa duket përbën vetë historinë e zonës dhe është kthyer si një shenjë dalluese “Çezmja e Ferrës”. Interesant është referenca e shtëpisë së një individi, me emrin Tod Trungu. Me sa duket, shtëpia e tij ndodhej në periferi të një Durrësi që ishte i mbledhur. Ai trajtohej si pika më e largët. Janë ndryshuar disa breza, por ajo që nuk lëviz as sot, madje as edhe nesër mbetet shprehja tek“shtëpia e Tod Trungut”, për të shpjeguar vendasit se ndaj pyetjes që u është bërë, duhet të marrin atë drejtim.
Pranë këtij Tod Trungu, është shpjegimi tjetër i ndërtesës së policisë së vjetër dhe magazinës së frutave zarzavateve. Pavarësisht se ato janë tjetërsuar nga ndërtime çpërfytyruese, mbeten orientime aktive, ku durrsakët i japin drejtim njëri tjetrit. Mos u lodh kot të kalosh e të përmendësh emrin e rrugës, se menjëherë atë që ke takuar të jesh i sigurtë do të të ngrejë shpatullat dhe do të thotë “nuk e di këtë se ku ndodhet”. Përballë rrugës që të çon tek “Çezmja e Ferrës”, ka qenë dikur depo e lëkurave. Por sa i freskët është emërtimi i saj edhe tani.
“Lagja e re”, Parku Sportiv “Nako Spiru”, Pallati i Sportit, “Pallati i Shijakut”, “Dovanat”
Durrësi është i “copëtuar” me ndarjen popullore territoriale. Emra të shumtë janë hequr. Emra të shumtë janë vendosur me shkresa dhe vendime. Por populli i thjeshtë mbetet i njëjti. Edhe se ndryshimi i lekut është bërë që në vitin 1964, gati të gjithë ne hesapet i bëjmë me lekun e vjetër dhe zor se lëvizim nga ky pozicion edhe për mjaft kohë. “Lagja e Re” është shumë e njohur në Durrës. Ciganët e ardhur aty, thuhet se janë një etni e vjetër në Durrës. Por ishte bërë problem strehimi i tyre. U deshën të organizohen aksione të fuqishme popullore, që kjo lagje të bëhej me të vërtetë e re, me ndërtime dhe infrastrukturë. Dy formulime të fuqishme janë këtu. E para tek dyqani i gëlqeres, tek Isuf Xhymerti dhe e dyta tek ciganët, në “Lagjen e Re”.
Kufizim aktiv mbetet edhe Parku i famshëm Sportiv “Nako Spiru”, megjithëse është transformuar dhe tjetërsuar, është vendosur i gjallë në memorien e durrsakëve. Kam prezantuar pamjen e jashtme, ku kanë qenë zyrat e Klubit Sportiv “Lokomotiva” dhe ato të Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Rrethit të Durrësit. Punonjës të kësaj administrate, kolosë të sporteve. Kujtoj; Dhimitraq Gogën, Milorad Jeremiqin, Dilaver Carën, Tom Gjirin, Mustafa Çelkupën, Anesti Petanin, Lluka Priftin, Rexhep Bagojin, Fatmir Shytin, Petrit Kërtushën, Ruzhdi Demirin, shefin e financës Milto Spiron, Serie Verzivollin, Drita Mustafën etj. Po dua të përmënd edhe punëtorët që lanë kujtesë si Fatime Kuminin, Halit Strugën (qerosin), xha Fronen etj. Mall për to.
Po kështu edhe Pallati i Sportit i lojërave me dorë, mbetet emblemë e pik-takimeve të vendasve. Përbri këtij pallati sportiv, qëndron si dëshmi e kujtesës pallati i Shijakut, qendër e tregtarëve të vjetër durrsakë me të njëjtin mbiemër, që merreshin me blojën e drithërave të bukës. Pallati i “Shijakut” arkivë më vete. Hershëm aty ka qenë edhe restorant peshku. Në pjesën anësore të këtij pallati, ku është vendosur Banka Tirana, doli edhe një formulim i ri alla durrsakshme: 21-15, vlera e kafes dhe e konjakut.
Pasi bën një kapërcim në distancë, ndeshesh me një tjetër emër të famshëm. Pallatet e Dovanave. Njëri disi më në miniaturë, është në ish ekspozitën bujqësore dhe tjetri më i madh në hapësirën ku është tani Raifajsen Bank. Pallati i Dovanës, sa pranë shpirtit tonë orientues. Dovanat janë një fis shumë i njohur në Durrës. Tregtarë të zot. Më të spikaturit ndër to portieri i njohur Niko Dovana, emri i të cilit i është vënë stadiumit të qytetit dhe shkrimtari e përkthyesi Alfons Dovana.
Fabrika e miellit, Centrali, Hotel “Durrësi”, Gastranomi, Fermentimi, dyqani Kadriut
Vijmë tek një grupim tjetër tradicional. Ecim nëpër rrugët e Durrësit. Teksa më shfaqen vitet e para të jetës, më dalin në ekranin gjigant të memories, e cila ende punon me kapacitet të mjaftueshëm, emra ku kemi caktuar pozicionin e vendodhjes të lëvizjeve tona. Fabrika e miellit. Ende në foton që prezantojmë, nuk është hequr fjala “Silos”. Kanë qenë dy të tilla, që bluanin drith. Janë që nga vitet ‘20-të në zotërimin e tregtarëve vendas. Në afërsi është edhe Centrali Elektrik, aq i lakuar për banorët. Historia është e njohur. Nga pak orë drita në ditë nga vitet ‘50-të dhe deri tek pagesat, sektorët dhe drejtoria e “korrentit” në Durrës.
“Kërcejmë” pak në distancë. Dhe përballemi me hotelin e njohur me emrin e qytetit “Durrësi”. Dikur ishte edhe drejtoria e NTUS-it. Shumë i rrahur në fjalorin e përcaktimit të vendndodhjes nga vendasit. Përballë pjesës anësore të këtij hoteli shtrihet ish gastronomi. Sa jehonë pati kur u ndërtua! U bë edhe si një vet-shërbim. Sipas modelit rus aty ishin të përqendruara të gjitha njësitë ushqimore, nga buka, mishi, bulmeti, ushqimet etj. Sa kujtime! Këtu shitej e famshmja buka 52 lekëshe, qahi, panine, bukë misri etj. Dhe gastronomi veç kësaj habie, u kthye edhe në një mjet ku liheshin takimet, apo përcaktoheshin kalime të ndryshme.
Ecim. Marrim drejtimin nga “Flegshipi” dhe “Blu-Stari” i sotëm. Ishte ndërtesa gjigante e fermentimit të duhanit. Durrësi ishte qendër aktive dhe e rëndësishme e prodhimit të cigareve dhe manipulimit të duhanit. Dhe përballë këtij fermentimi, mbetet i pacenuar e njohura, e famshmja, e hijshmja “Dyqani i Kadriut”, lidhur me emrin e një shitësi emblematik në Durrës. Sa takime qytetarësh, të ardhurish dhe vendas liheshin këtu. Madje edhe tani vazhdon tradita dhe më duket sikur Kadri Ngjela, ka për të mbetur kurdoherë i gjallë në kujtesë.
“Pranvera”, Lulishtja “1 Maji”, Posta, Rruga “Kumini”, “Furri i Bidulëve”
Sheshi “Pranvera” u bë i njohur veçanërisht pas ndryshimit të sistemeve. Me sa duket pikënisje ishte, një kafe bar me emrin tërheqës “Pranvera”. Duke qenë edhe një qendër, ku gërshetoheshin këmbësorët dhe pikë qëndrimi taksish dhe automjetesh të ndryshme, linja urbanesh, vendasit e kaluan në vëmendjen e tyre. Dhe kur thoje takohemi tek “Pranvera”, ishte e qartë për cilindo. Sheshi “Pranvera” zëvendësoi orientimin e hershëm tek “Merkata e vjetër”. Kjo merkatë, kishte pika tregtimi të frutave perimeve të ndërmarrjeve tregtare shtetërore, por ishte edhe tregu fshatar. Një treg origjinal, shoqëruar edhe me burime ujore me ornamente të lindjes. Vendndodhja e kësaj merkate, qëndron shumë e freskët në memorien tonë.
Gati ngjitur me tregun e vjetër fshatar, përballë njëra tjetrës qëndrojnë Posta Qendrore e Durrësit dhe lulishtja e famshme “1 Maji”, por që tani është zëvendësuar me një pallat gjigant, duke i prerë përfundimisht shanset për ta kthyer në një zonë të gjelbër. Por lulishtja “1 Maji” mbetet një mall i pashuar për durrsakët, për fëmijërinë dhe rininë tonë, madje edhe të paraardhësve tanë. Edhe Posta Qendrore është kthyer në domosdoshmëri, ku do t’i referohesh shpesh si pikë takimi.
Dhe vijmë tek Rruga apo rrugicat e “Kuminit” të famshëm, të kësaj rruge që gati çdo durrsak e përmend tërë kohën. Një rrugicë, që shërben si një nyje lidhëse shumë e rëndësishme, për të kaluar nga shtëpia e Tivarëve, e për të dalë në rrugën kryesore pranë Bllacave, rrugës “Sefer Efeniu”, gjykatës së qytetit dhe ish banjos publike. Do të përmend vetëm disa mbiemra, duke i kërkuar ndjesë të tjerëve. Niset kjo rrugë me Kovaçët, familjen e Remzi Tivarit, me thellë kalon tek Kost Loni, Currët, motrat Bushi, për të qenë e fundit nga e nisa të njohurit Çumashët. Kam prezantuar me këtë rast tre pamje të kësaj rruge, që sipas informacioneve që kam mbledhur, ka të bëjë me punime balte, kumi, tulla e punime të tjera qeramike. Poshtë në themele ka gjurmë kumini./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












