Nga Aida Harka
Memorie.al / Në raportin sekret të CIA-së së 15 nëntorit të vitit 1951, bëhet e ditur se dy drejtuesit kryesorë të regjimit komunist, Enver Hoxha dhe ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, kishin një kontroll të vazhdueshëm nga Kremlini. Sipas raportit në fjalë, Hoxha dhe Shehu, kanë mundur që të sundojnë vendin nëpërmjet metodave të zakonshme komuniste të terrorit policor dhe politikave të ngurta ekonomike. Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh raporti i CIA-s, që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim.
Raporti i CIA-s për situatën në Shqipërinë e Enver Hoxhës
“Nga ana politike Shqipëria është e rëndësishme për Bashkimin Sovjetik, pasi konsiderohej si bastion i komunizmit. Bashkimi Sovjetik do ta quante humbjen e saj si një goditje për kampin sovjetik, veçanërisht pas largimit të Jugosllavisë nga kampi dhe dështimit të përpjekjeve komuniste në Greqi. Nga ana ekonomike Shqipëria është totalisht e varur nga Bashkimi Sovjetik. Ndërsa nga ana ushtarake Shqipëria ka një rëndësi më të vogël për Bashkimin Sovjetik, megjithëse ka një pozicion strategjik në hyrjen e detit Adriatik nën kushtet moderne, kapacitetet e saj ushtarake janë të kufizuara.
Ishulli i Sazanit dhe Porti Vlorës kanë një vlerë potenciale si baza për mbajtjen e anijeve, nëndetëseve etj. Ishulli i Sazanit ka qenë një bazë e vogël nëndetësesh italiane, ndërkohë që flitet, por kjo nuk është e konfirmuar se në vitet e para të pasluftës, sovjetikët kanë filluar t‘i rindërtojnë këto objekte. Që prej prishjes me Jugosllavinë, Shqipëria ka humbur shumë prej rëndësisë së saj strategjike për shkak të mungesës së lidhjes tokësore me bllokun sovjetik. Megjithatë, Shqipëria do të ishte e rëndësishme për luftimet në Ballkan. Nëse një operacion i përbashkët me Bullgarinë do të ishte i suksesshëm, atëherë kjo do të ndante Greqinë nga Jugosllavia.
SITUATA NË SHQIPËRI
Deri në shkëputjen e Jugosllavisë me Kominformin në vitin 1948, Shqipëria ishte shumë e lidhur si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht, me qeverinë e Titos. Në këto kushte, Hoxha në vend që të ndiqte herezinë e mareshalit Tito, zgjodhi kampin sovjetik dhe filloi një fushatë të ethshme për eliminimin e elementëve “nacionalistë” në Shqipëri. Hoxha jo vetëm që shkëputi çdo lidhje me Jugosllavinë, por pati sukses në eliminimin e konkurrencës serioze për udhëheqjen brenda vendit. Edhe ai rivalitet që thuhet se ekziston ndërmjet Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu, nuk shfaqet i rrezikshëm, pasi të dy janë totalisht të kontrolluar nga Kremlini.
Me mbështetjen sovjetike, Hoxha dhe Shehu deri tani kanë mundur që të sundojnë vendin, nëpërmjet metodave të zakonshme komuniste të terrorit policor dhe politikave të ngurta ekonomike. Mbështetja sovjetike për Shqipërinë nuk përfshin një pakt të ndihmës reciproke, ndoshta sepse Bashkimi Sovjetik dëshiron që t‘i lërë gjërat të paqarta, si dhe të shmangë disa detyrime, përmbushja e të cilave nuk do të realizohej kurrë nga ana e Shqipërisë.
Sidoqoftë, çdo ndryshim në situatën shqiptare, që mund të kërcënonte kontrollin sovjetik, automatikisht do të përbënte problem për prestigjin sovjetik në një zonë ku tashmë njëri prej satelitëve (Jugosllavia) e ka sfiduar Kremlinin. Në këto rrethana, një ndryshim i tillë ndoshta do të ndodhte vetëm me mbështetjen e një ose më shumë shteteve fqinje. Një zhvillim i tillë domosdo që do të çonte në një përkeqësim të situatës ndërkombëtare.
REZISTENCA NDAJ REGJIMIT AKTUAL
Ka disa pakënaqësi mes shqiptarëve dhe për pasojë ka pasur shenja të dukshme rezistence gjatë viteve të fundit. Vetë autoritetet shqiptare kanë pranuar ekzistencën e elementëve diversionistë dhe sulmet kundër objekteve ushtarake. Incidenti më dramatik i aktivitetit të rezistencës, ishte vënia e bombës në ambasadën sovjetike në shkurt 1951. Por vrasjet e pushtetarëve lokalë, si dhe sabotimet ekonomike, kanë qenë sfida më e efektshme ndaj autoritetit komunist. Deri tani regjimi i Hoxhës është përballur me lëvizjet e opozitës, duke shtuar masat represive.
Për shembull: Shehu ka organizuar batalionet speciale ndëshkimore, të cilat veprojnë në zonat malore kundër grupimeve të rezistencës. Sipas të dhënave që raportojnë refugjatët politikë në Shqipëri, ka disa grupe lokale të rezistencës si për shembull: “Lidhja Kombëtare e Maleve”, “Liria”, “Skënderbeu”, “Kushtrimi”, “Bashkimi kombëtar”, por nuk ka informacion specifik, lidhur me këto grupe. Gjithashtu nuk ka të dhëna për ndonjë bashkëpunim të mundshëm ndërmjet grupeve disidente, pavarësisht dëshirës së tyre të përbashkët, për të çliruar Shqipërinë nga regjimi i Hoxhës.
Për sa u përket grupeve të rezistencës në emigracion, më e fuqishme prej tyre është “Komiteti për Shqipërinë e Lirë”, një degë e komitetit Kombëtar për “Evropën e Lirë”, me qendër në Romë. Komiteti përbëhej nga tri grupe: Partia Demokratike Agrare Kombëtare-Balli Kombëtar, që ka mbështetjen më të madhe në Shqipërinë e Jugut; Partia e Legalitetit (mbështetës të Mbretit Zog), e cila është shumë e fuqishme në Shqipërinë e Mesme; si dhe Lidhja Fshatare (Partia Agrare), që ka një mbështetje të madhe në zonat e thella veriore dhe në provincat jugosllave të banuara nga shqiptarë.
SULMET
Megjithëse këto grupe kanë objektivin e përbashkët për të krijuar një Shqipëri të pavarur dhe sovrane, ato kanë divergjenca mes tyre për sa i përket tipit të qeverisë. Aktivitetet e Komitetit brenda Shqipërisë, janë të kufizuara në propagandë dhe në disa përpjekje subversive nga agjentët. Deri tani operacioni i saj më i efektshëm, ka qenë hedhja e fletushkave propagandistike. Këto fletushka kanë shkaktuar irritim brenda vendit, të shoqëruar me disa nota zyrtare proteste ndaj qeverisë italiane, meqë ata i nxisin shqiptarët që të arratisen.
Përveç këtyre organizatave të brendshme dhe Komitetit për “Shqipërinë e Lirë”, brenda Shqipërisë veprojnë përfaqësues të grupeve të emigracionit pro-italian, pro-jugosllav dhe pro-grek. Pavarësisht opozitës së tyre ndaj regjimit aktual, objektivat e tyre pasqyrojnë interesat e kundërta të këtyre tri vendeve. Përpjekjet e grupeve të brendshme të rezistencës, si dhe organizatave të emigracionit, janë të pakoordinuara dhe objektivat e tyre shpesh herë janë kontradiktore. Këta faktorë e kanë thjeshtuar punën e organeve të sigurimit të shtetit për të izoluar dhe eliminuar këto grupe.
SHTETET FQINJE I RUHESHIN NJË NDËRHYRJEJE TË SECILËS PREJ TYRE, PRANDAJ PRANUAN REGJIMIN E HOXHËS
Interesat kontradiktore të fqinjëve: Italia, Greqia dhe Jugosllavia, “ok” status quosë së Shqipërisë. Prej kohësh Shqipëria ka qenë një mollë sherri për fqinjët e saj. Interesat e tyre përplasen në një shkallë të tillë, që edhe në rrethanat aktuale problemi i Shqipërisë, i komplikon marrëdhëniet e mira ndërmjet Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Probleme të tjera si Triestja dhe Maqedonia kanë një rëndësi të madhe në marrëdhënie ndërmjet këtyre vendeve, por çështja e Shqipërisë do të bëhej tepër kritike, në rast të një rrëzimi të mundshëm të regjimit komunist.
INTERESAT ITALIANE
Objektivi italian në Shqipëri gjithmonë ka qenë kthimi i vendit në një sferë italiane influence, si dhe për të parandaluar çdo fuqi tjetër, që të hyjë në interesat italiane në detin Adriatik. Për këtë qëllim Italia e mbështeti krijimin e një Shqipërie të pavarur në vitin 1912, dhe më vonë më 1914, ajo pushtoi ishullin e Sazanit dhe Portin e Vlorës. Trupat italiane e mbajtën të pushtuar zonën deri në vitin 1920.
Italia atëherë u detyrua që të tërhiqej nga territori shqiptar, por mbajti ishullin e Sazanit, të cilin e ktheu në një bazë nëndetësesh. Nëpërmjet një pakti sigurie dhe miqësie në vitin 1926, Italia krijoi një bazë ligjore për ta përfshirë Shqipërinë në sferën e saj të influencës. Ky ndikim kishte të bënte me dhënien e huave, menaxhimin e të gjitha ndërmarrjeve të rëndësishme ekonomike, trajnimin dhe pajisjen e forcave të armatosura.
Në vitin 1939 Musolini e pushtoi Shqipërinë dhe e bashkoi atë me Italinë. Në 1940 ai nisi pushtimin e Greqisë nëpërmjet territorit shqiptar. Ndërsa me nënshkrimin e traktatit të paqes në 1947, Italia njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe hoqi dorë nga ishulli i Sazanit, si dhe nga të gjitha pronat publike dhe private, koncesionet dhe pretendimet e tjera në Shqipëri.
Objektivat e Italisë ndaj Shqipërisë ishin: e para që të mos lejonte asnjë fuqi tjetër të hynte në Shqipëri dhe rikthimin e influencës italiane në politikë dhe ekonomi. Në deklaratat e saj zyrtare Ministria e Jashtme italiane, ka theksuar vazhdimisht se pavarësia e Shqipërisë dhe integriteti i saj territorial përputhen me interesat italiane. Megjithatë përpjekjet e Italisë për të përmirësuar marrëdhëniet me regjimin komunist, nuk kanë bërë ndonjë hap para.
Italia synon që të rivendosë influencën e saj nëpërmjet grupit në mërgim pro-italian ose “Blloku i Pavarur Kombëtar”. Në fakt, udhëheqja e këtij grupi ka bashkëpunuar me Italinë para dhe gjatë luftës dhe gëzon mbështetjen e qeverisë aktuale italiane. Italia është e shqetësuar se në rast të rrëzimit të qeverisë së Hoxhës, Jugosllavia do të ishte më e favorizuar ndaj fuqive të tjera, duke u futur në territorin shqiptar.
Dëshira e italianëve për të shmangur influencën e një fuqie tjetër në Shqipëri është kaq e madhe, saqë ajo më mirë preferon vazhdimin e status quos, sesa krijimin e një vakumi pushteti, që Greqia dhe Jugosllavia, do ta kishin më të lehtë ta mbushnin.
INTERESAT GREKE
Interesat greke në Shqipëri përqendrohen në pretendimet e tyre për Vorio-epirin, një territor të cilin grekët e kanë pushtuar në periudhën 1912-1916 dhe vazhdimisht e kanë pretenduar mbi baza historike, etnike, strategjike dhe ekonomike. Grekët gjithashtu nuk harrojnë se Shqipëria ka shërbyer si bazë për sulmin italian mbi Greqinë në vitin 1940 dhe në vitet e pasluftës, për operacionet guerile komuniste kundër Greqisë. Edhe në momentin aktual, Shqipëria është një bazë nëpërmjet së cilës agjentët infiltrohen në Greqi.
Ashtu si Italia dhe Jugosllavia, Greqia po përpiqet që të ushtrojë politikën e saj nëpërmjet refugjatëve shqiptarë. Këta emigrantë janë kryesisht nga Shqipëria e Jugut dhe ndodhen në kampe të ndërtuara në afërsi të kufirit shqiptar. Deri tani përpjekjet e tyre kanë qenë në fushën e spiunazhit, propagandës dhe nxitjes së popullsisë për t‘u arratisur. Ka të dhëna se një numër emigrantësh në kampin e Janinës, kanë formuar njësi ushtarake për t‘u përdorur për operacione ushtarake në Shqipërinë e Jugut.
Grekët ndoshta e shikojnë ndarjen e Shqipërisë, ndërmjet Greqisë dhe Jugosllavisë, si një zgjidhje ideale të problemit. Ata janë të shqetësuar për një dominim të mundshëm jugosllavo-italian dhe në rast të një sulmi jugosllav në Shqipëri, ata do të kundërpërgjigjeshin duke pushtuar Vorio-epirin. Sidoqoftë Greqia preferon vazhdimin e status quosë për sa kohë që regjimi i Hoxhës nuk u jep një mbështetje të gjerë guerilasve grekë.
INTERESAT JUGOSLLAVE
Serbia e kundërshtoi parimin e një Shqipërie të pavarur në periudhën 1912-1918. Pas Luftës së Parë Botërore, jugosllavët mbajtën të pushtuar Shqipërinë veriore deri në vitin 1921. Në vitin 1926, Jugosllavia më në fund pranoi kufirin shqiptar si ishte përcaktuar nga fuqitë e mëdha në 1913. Deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, çdo influencë jugosllave në Shqipëri pengohej nga dominimi italian.
Kjo situatë ndryshoi në mënyrë rrënjësore gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Tito nëpërmjet komunistëve shqiptarë, arriti të ushtronte kontroll të plotë mbi Lëvizjen Nacional-çlirimtare. Kontrolli i Titos, u bë kryesisht nëpërmjet emisarëve të atashuar pranë Shtabit të Ushtrisë Nacional-çlirimtare dhe nga 1944 deri në 1948, Shqipëria ishte thjesht një kukull e Jugosllavisë. Në vitin 1948, Hoxha shkëputi çdo marrëdhënie me Jugosllavisë, pas prishjes së Titos me Kominformin.
Që prej vitit 1948 Tito ka mbështetur në mënyrë të dukshme parimin e një Shqipërie të pavarur dhe sovrane dhe ka dënuar të gjitha pretendimet territoriale greke, si dhe ndonjë propozim grek për ndarjen e Shqipërisë mes dy vendeve. Jugosllavia është e shqetësuar veçanërisht për kthimin e dominimit italian në Shqipëri.
Gjatë muajve të fundit, propaganda jugosllave ka akuzuar Italinë se ka nxitur planet e të arratisurve shqiptarë për një Shqipëri “etnike”, e cila do të përfshinte provincat jugosllave të Kosovës dhe Metohis, kryesisht të banuara nga shqiptarë. Objektivi aktual i Titos është krijimi i një regjimi antisovjetik, pro Titos në Shqipëri dhe rikthimi i gjendjes së viteve 1944-1948.
Për këtë qëllim u krijua dhe “Lidhja e refugjatëve politikë shqiptarë në Jugosllavi”, në maj të vitit 1951. “Lidhja”, që pretendon se përfaqëson rreth 5 mijë refugjatë shqiptarë, kontrollohet nga komunistët shqiptarë që janë arratisur nga Shqipëria në vitin 1948. Ajo u krijua nga Beogradi si një instrument i politikës jugosllave, pavarësisht nga demagogjia për një “Shqipëri të pavarur, të lirë, të pandashme, demokratike dhe republikane”.
Kjo “Lidhje” kryen veprime spiunazhi sabotimi dhe propagande. Megjithatë, zyrtarët jugosllavë kanë shprehur frikën se çdo përpjekje e mundshme për të përmbysur regjimin e Hoxhës, mund të merrej nga Bashkimi Sovjetik, si një pretekst për operacione ushtarake kudër Jugosllavisë”. /Memorie.al