Nga Ahmet Bushati
Pjesa e katërt
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Vigjilje e turbullt në Shkodër, largohen kundërshtarët e regjimit të ardhshëm!
Qysh në muejin tetor e gjatë gjithë muejit nandor të 1944-ës, Shkodra, edhe pse pa aksidente të dukshme, në fakt po përjetonte nji gjendje të vërtetë kaosi dhe anarkie. Derisa në qytetin e Shkodrës t’mos ishin futë brigadat partizane, ajo do të vazhdonte të ziente nga turma të shumta nacionalistësh të armatosun, të mbledhun këtu në Shkodër nga të gjitha viset e Shqipnisë, sidomos nga ato të Jugut, pushkëve të të cilëve vazhdonte t’u vinte ende era barot, nga lufta vëllavrasëse që ata kishin zhvillue deri ditët e fundit me komunistët e tyne.
Megjithatë, jeta në qytetin tonë duhet thanë se vazhdonte të rridhte disi e qetë, përderisa njerëzit vazhdojshin të jetojshin si ma parë, të visheshin mirë e t’i mbushshin kafet e qytetit, e po ashtu edhe të shëtitshin si përherë në pjacën e tyne të dashtun, në kohë që edhe tregu gjithashtu vazhdonte të ishte plot me mallna e blerës të shumtë. Të gjitha këto ndodhshin në Shkodër atëherë, pavarësisht atmosferës së randë politike, që u pasqyronte heshtazi në ndërgjegjen e çdo qytetari.
Ishte ajo kohë dhe ajo gjendje kur Shkodra do t’i ngjiste nji stacioni të madh për të gjithë ata që me të kishin lidhë fatin e largimit të tyne nga Shqipnia, tue pasë të përbashkët të gjithë ata burra, pushkët dhe automatikët që vazhdojshin me i mbajtë mbi supe, trishtimin e rreziqet që kishin lanë ndër shtëpijat e tyne të mjerueme, si dhe fatin që “ata” dhe “ato” i priste. Tue përjashtue ata, të cilëve detyra e ashpër e luftës u kishte pasë veshë që me kohë rroben e blertë të ushtarit, ndër ato ditë syni do të të zinte vazhdimisht njerëz që për nga veshjet karakteristike të viseve prej kah vijshin, paraqitshin nji mozaik të vërtetë veshjesh, tue spikatë ma së shumti ato të leshtat e murme të toskëve të dhimbshëm, me kapicat e tyne të bardha mbi krena.
Xhandarmënia nën komandën e ushtarakëve legaliste, Llesh Marashit e Shaban Elezit, vazhdonte ta kryente detyrën e saj në ruejtje të rendit, po si ma parë. Kishte dhe kategori tjera policësh e xhandarësh, si ata me rroba të errëta që u quejshin të Mato Muratit, – simbas emnit të kuestorit të tyne – që po shtyjshin me shqetësim, por pa probleme, ditët e fundit të karrierës së tyne të shkurtë. Kategori tjetër xhandarësh, do të ishin edhe ata që u quejshin të Hasan Isufit, të mbledhun nga katundet e Anës së Malit, katunde të juridiksjonit shqiptar që në atë kohë u zgjaste deri në rrethinat e Ulqinit e Tivarit. Kishte po ashtu mirditas, që t’veshun me do rroba ushtarake ngjyrë mjaltë, përshkojshin tash e parë rrugët e qytetit në grupe të çrregullt e, që u quejshin të Gjonit Marka Gjonit. Kishte së fundi postrribas e grupe të vegjël malcorësh të tjerë, sikurse edhe dibranë etj., që u shkojshin mbrapa krenëve të ndryeshëm.
Ditët kalojshin me shpejtësi e rrëmujë, dhe u besonte nga të gjithë, se si të tilla, duhet të ishin të numrueme. Gjithçka rreth e rrotull do të të dukej sikur koha kishte ndalue në vend e humbë çdo pikë durimi, që mund të shpërthente nga çasti në çast. Të ngjallshin ndjenja mëshire e dhimbjeje, pamjet serioze dhe të pezmatueme të shumë prej komandantëve e krenëve të ndryeshëm, si dhe të besnikëve të tyne të fundit që u shkojshin përmbrapa.
Tek i shifshe ashtu të trishtueme fytyrat e tyne, përnjiherë të shkonte mendja te ndamja e fundit që ata duhet të kishin pasë me vendet e familjet e tyne të pikllueme, tue të ngjallë kështu njifarë respekti e dhimbje të vërtetë për fatin e tyne, për luftën që kishin ba, e ndoshta ma shumë, për humbjen e saj, e natyrisht, ende pa dijtë si duhej, se ç’fat po u rezervonte komunizmi barbar familjeve të tyne për ma vonë. Po ndërkaq, natyrisht që kishte nji masë të konsiderueshmë populli, që në mbarim të luftës, priste të merrte frymë lirisht, gja që siç dihet, s’do të ndodhte asnjiherë, sepse shumë shpejt shpresat ma të ndirtshme të luftës, do të mbyteshin me masakër e tirani.
Në javën e fundit të nandorit, ata me radhë, nisën ta zbrazshin Shkodrën në mënyrën ma të dhimbëshme. Nji pjesë e tyne po u largonte tue u tërheqë përmbas autokolonash gjermane përgjatë territorit jugosllav, me peripeci të shumta luftash e nën nji dimën jashtzakonisht të ashpër. Të tjerë, mes të cilëve edhe Mit’hat Frashëri, Sali Efendi Myftia, Hasan Dosti etj., që, tue u pasë besue do barkave të vjetra ulqinakësh, muejtën me përshkue në mënyrë aventuroze, por me sukses, Adriatikun e minuem prej forcave aleate e, me dalë shëndosh e mirë në brigjet e lira të Italisë. Mbas nji a dy ditësh tjera, në gjurmë të tyne, nji grup tjetër i madh, – por që tue mos pasë ma fatin e pararendësve të tyne – do t’u bllokojshin prej grykave të mitralozave të forcave partizane të porsa ardhuna nga Jugu, që msheftas, kishin qenë vendosë me kohë në ato pika ku dy brigjet e lumit Buna, u afrojshin ma shumë mes tyne.
Këta fatkqij, të ramë befasisht robë ndër duert e partizanëve komuniste, mbas nji ose dy muejsh, do të ishin ndër viktimat ma të para të famëkqijve “Gjyqe të Popullit”, përfundue në plumb ose litar, disa prej të cilëve tue pasë njeni prej dy grupeve ma të fundit që po e linte Shkodrën, do të ishte ai që muer rrugët e vështira të Dukagjinit, mes të cilëve edhe trimi me fletë, profesor Alush Lleshanaku, me shpresë që të kapshin Kosovën, por ku ishte folë se në bashkëveprim me vëllaznit kosovarë, ata do të realizojshin atë rezistencë të madhe, e cila do të bante të mundun mbajtjen e nji zone të lirë nga juridiksioni serb e komunist, derisa atje të vijshin aleatët, simbas premtimit që këta të fundit u kishin ba vetë me anë të nji misioni të tyne në Kosovë, fare pak ditë ma parë.
Qenë të shumtë ata burra që nuk pranuen t’u largojshin nga Shqipnia për arësye moshe, si edhe për mentalitetin se “nuk duhet lëshue vendi”. Kishte të tjerë që s’u larguen prej Shkodret, të bindun se komunistët nuk do ta kishin “të gjatë”, sikurse do të kishte edhe asi trimash, që si Kazazët e do të tjerë, që nuk do t’u largojshin prej saj, si detyrë që ia kishin pasë vue vetes, për me ba në vend qëndresën e armatosun.
Të gjithë ata burra që me atë rast qenë largue nga Shqipnia, nuk do të kishin fatin kurrë me e pa ma vendin e tyne e, të mbetshin për jetë në dhë të huej me kujtimin e mallit e të lotëve që kishin pasë marrë me vete atë ditë të fundit, kur ata ishin pasë nda përgjithnji nga njerëzit e nga ajo tokë e tyne e namun. Si nuk duhet ta kishin besue ma parë, ata, të shpërndamë gjithandej nëpër botë si ç’do të ishin, do të shkojshin nji jetë të tanë, jo vetëm me mallin e njohun të mërgimtarëve, por edhe të vuejshin, bashkë me fatin e familjeve të tyne, edhe mundimin e nji zhgënjimi të thellë, dhe të pangushlluem vazhdimisht prej fatit, të mbyllshin nji ditë sytë përfundimisht në vetmi.
Ma të shumtët e nacionalistëve që patën mbetë mbrenda vendit, ose do t’u vritshin në përpjekje me forcat e “Mbrojtjes Popullore”, që nga ana e tyne do t’i ndiqshin kamba-kambës, ose t’u kapshin deri edhe me tradhëtinë e tyne që si askujt tjetër ua patën besue jetë e nderë, ose-ose, t’u dorëzojshin me rastin e shpalljes së amnistisë, për të kalue vite të shumtë burgu, brenda të cilit, shumë prej tyne edhe do të vdisshin. Mbetet për t’u shënue se në njenë prej atyne ditëve të turbullta, në rrethana enigmatike, do të binte viktimë e kohës Sait Sekiniqi, njeni prej djelmëve ma simpatikë mbrenda nji rrethi shokësh, përgjithësisht universitarë, e nji ndër ma aktivet e entuziastët e të rinjve nacionalistë të Ballit Kombëtar në Shkodër.
Falë guximit dhe sakrificës së disa robëve italianë, Shkodra shpëtoi nga nji katastrofë e sigurtë!
Gjermanët, në vijim të tërheqjes së tyne strategjike, për muej e muej me rradhë, kishin sjellë municion të shumtë në livadhin e njohun në Shkodër me emnin “Livadhi i Sylço begut”, që u ndodhte në anë të lagjes “Perash”, përfund kodrave të lagjes “Draçin”, prej ku mandej u furnizonte me municion ushtria gjermane kudo ku ajo t’u ndodhte nëpër Ballkan. Livadhi në fjalë, përveç sipërfaqes së madhe që kishte, ishte i rethuem me shelg të dendun e të zhvilluem dhe i mbrojtun prej kundërajrorëve gjermanë, të vendosun sipër ndër kodra. Pamvarësisht tërheqjes së herëmbashershme të municionit nga ana e ushtrisë gjermane, sasia e mbetun aty do të ishte gjithmonë shumë e madhe. Shpërthimi i tij ditën kur t’u largojshin gjermanët, qëndronte mbi kryet e qytetarëve shkodranë, si kërcënimi i frikshëm i nji apokalipsi tëe pashmangshëm.
Me atë rast, për të shpëtue prej rrezikut të mundshëm, disa familje lanë qytetin e u nisën drejt katundeve të afërme. Edhe gjermanët nga ana e tyne, do të lajmoshin disa herë popullatën, që në kohën kur t’u hidhte në erë municionin, dyerët e dritaret e të gjitha shtëpive të qytetit, duhet të ishin të hapuna e vetë njerëzit të dalun jashta tyne. Familjarët e shtëpive rreth e rrotull livadhit, ishin lajmue me kohë prej gjermanëve, për braktisjen e domosdoshme të tyne, mbasi shembja e tyne do të ishte e sigurtë. N’anën tjetër gjermanët, nga keqardhja për ça do t’i ndodhte Shkodrës me rastin e shpërthimit të municionit, ftojshin popullatën që të largonte prej livadhit, sa ma shumë municion që të ishte e mundun. Sado që disa qytetarë përditë me rradhë u morën me largim municioni, me anë të nji kamionçini e të ndonji prej atyne karrocave të mëdha që në atë kohë u quejshin “sharabajka”, prapseprap duhet thanë se sasia e hedhun prej tyne në lumin e Bunës, ka qenë fare, fare e papërfillshme.
Kishin qellue njimbëdhetë italianë, ndër të cilët edhe nji me emnin Conti dhe nji tjetër me emnin Bacherino, specialistë të ish-xhenios italiane, të cilët qysh me kapitullimin e Italisë, kishin mbetë rob e në shërbim të ushtrisë gjermane, aty në Livadhin e Sylço begut, ku i gjithë ai municion kishte pasë kalue nëpër duert e tyne. Kishin qenë gjithmonë ata që kishin seleksionue municionin në kohën kur ai ishte shkarkue dhe që e kishin sistemue, e mbrapa, nën mbikqyrjen e gjermanëve, edhe që e kishin minue.
Në orët e vona të nji nate të errët andej kah mesi i nandorit, të njimbëdhetë italianët, me ndihmën e familjes së Xhemil Bushatit, – që me shtëpi u ndodhte ngjite me livadhin – e drejtëpërdrejtë me anë të të birit të saj, Vehbisë, i cili ishte njohë e lidhë prej kohësh me ta, u zhdukën nëpër terr të natës, tue mësye shtëpinë e Hamit Bërdicës, që do t’i strehonte në kullë të sanës, ku ata italianë do të qëndrojshin për disa ditë të mbyllun, me impenjimin e tyne të vendosun, që Shkodrës në prag të rrezikut, t’i ishin të dobishëm. Mbas dy-tri ditësh, po në këtë shtëpi, do t’u strehonte edhe vetë familja e Xhemil Bushatit, mbasi që kishte braktisë të veten, simbas lajmrimit të gjermanëve.
Si kaluan edhe ditët e mbetuna të nandorit dhe pikrisht në mbasditen e fundit para të të ashtuquetunit “çlirim”, pra datë 28 nandor 1944, qytetarët e Shkodrës panë me sytë e tyne se gjermanët po e braktisshin qytetin, se si ata me mjetet e tyne të motorizueme, përfundimisht po merrshin rrugën e Koplikut. Kështu që kur pat ra nata, të gjithë njerëzit besuen se në qytet nuk kishte mbetë kambë gjermani, por natyrisht, pa harrue për anji çast, municionin e minuem atje në livadhin e Sylço begut.
Ajo natë e ngarkueme me frikë e mister, si koha para nji stuhie, kishte ba që njerëzit edhe pse në mungesë të gjermanëve, prej frikës, t’u mbyllshin ndër shtëpija si ma parë, në orën e caktueme të “koprifuokos”. Po ashtu, atë natë, grupe të rinjsh, të nxjerrë nga “Këshillat e lagjeve”, do të lëvizshin si hije kudo nëpër rrugët e errta të qytetit, dhe ndërsa nata ma e heshtun e solemne si asnjiherë tjetër po u shtynte ngadalë-ngadalë, asnji qytetari shkodranë nuk mund t’i shkonte ndër mend, se pikërisht në atë kohë, të njimbëdhetë italianët e mbyllun prej dy javësh në shtëpinë e Hamit Bërdicës, të kishin dalë prej saj si cubat prej guvet, e të primë prej Vehbi Bushatit, si dhe pa u vërejtë prej askujt, të shpejtojshin për te livadhi me municion, ku ishte varë fati i tanë nji Shkodre.
Të bindun se gjermanët nuk do t’u largojshin prej Shkodrës pa hedhë ma parë në erë atë municion, ata italianë, pa hjeke për asnji çast dyshimin për mundësinë e pranisë së ndonji gjermani të mëshehun diku aty në hymje të livadhit, mbas nji ferre të madhe, lanë si roje Vehbinë, kurse vetë, tue u marrë vesht mes tyne me shenja e mimike, u drejtuen për në mbrendësi të livadhit.
Sistemi i ndezjes së municionit ishte i komplikuem. Ai ma së pari u zgjaste nëpër nji rrjet që përshkonte nji pjesë të mirë të perimetrit të livadhit, ende pa pasë kthye në pjesët e tij të mbrendshme, ku u ndodhshin vatrat e mëdha të municionit. Sistemi në fjalë ishte ndërtue në mënyrë që gjermanët, tue përfitue prej intervalit të zgjatun, mes momentit të ndezjes së municionit në periferi të livadhit e, atij të shpërthimit në qendër, në kohën e largimit të tyne prej Shkodret, të mujshin me u ndodhë sa ma larg saj e, pa pësue gja.
Kështu, ata italianë, të sigurtë se gjermanët nuk u largojshin pa e pasë hedhë në erë municionin, – që si rregull i tyne, nuk duhet të binte asnjiherë ndër duer të kundërshtarit e n’anë tjetër, që vetë këta italianë të mos u diktojshin prej tyne për punën e mshehët e të rrezikshme që po kryejshin, nuk i prekën fare fijet e rrjetit anësor – ku municioni kishte fuqi shumë ma të paktë se sa në mbrendësi- por u angazhuen me këputjen e fijeve të zonave të mbrendshme, që paraqitshin rrezikshmëni të naltë, tue ba që kështu Shkodra përfundimisht të shpëtonte prej nji katostrofe të sigurtë, gja që edhe vetë gjermanët e kishin parafolë.
Megjithatë, nuk mund të thuhet se Shkodra me atë rast shpëtoi pa u prekë: nuk qe ba ende mesnatë, kur i gjithë qyteti u trondit shumë prej shpërthimit të asaj sasie municioni relativisht të vogël, të cilën specialistët italianë nuk e kishin prekë, me qëllim që t’mos u zbulojshin prej gjermanëve. Sidoqoftë, prej tronditjes së fortë që ndodhi, u thyen xhamat e shumë shtëpive të qytetit, ranë ose u damtuen tavane e sergji dhomash ndër disa shtëpi, kurse ato pranë livadhit, si shtëpitë e mëdha të Bushatlijve, u shembën krejt.
Pak kohë mbas shpërthimit të municionit, Shkodra jo pa tronditje, do të ndigjonte edhe tre shpërthime të tjera të njimbasnjishem: Forcat gjermane, të dislokueme qysh në mbramjen e asaj nate diku mes Shkodrës e Koplikut, ndoshta diku rreth katundit Vrakë, kishin kthye për në Shkodër nji triçikël të tyne, me mision që të hidhte në erë tri urat që lidhshin gytetin me rrugët e jashtme të tij e simbas radhës: atë të Baçallekut, të Bunës e të Kirit.
Mund t’u thonte se mbas gjithë sa ma sipër, ma në fund i gjithë qyteti, disi i lehtësuem, ra të flinte, por që megjithatë, pa pasë ba përsëri gjumë të qetë. Kështu pra, vazhdonte t’ishte nji natë së cilës nuk mund t’iu besonte.
Rreth orës tre mbas mesnate, nji triçikël gjerman ishte fute me shpejtësi e poterë të madhe nga ana e “Rusit”, në rrugën e “Mehallës së Çakajve”, dhe pak pa dalë në rrugë të spitalit, nji njeri që në atë moment kishte përshkue si hije atë rrugë të ngushtë e, zhdukë me të shpejtë mbas derës së nji shtëpije përballë, kishte ba që gjermani të besonte se kishte ra në pritë, e me atë rast të hidhte rufeshëm nji nga ata bombat e tyne të fuqishme, tue vra qytetarin Qamil Berberi, që sapo kishte dalë në derë, për të vërejtë se mos kishte ndonji gja të dyshimtë rreth e rrotull shtëpisë së tij, mbrenda se cilës bujtshin disa partizanë, si në shumë shtëpi të tjera shkodrane ate natë. Bashke me Qamilin, u vra me ate rast edhe e ama, qe i kishte shkue përmbrapa të birit, për t’mos e lanë të vetëm. Nji motër e tij, që në marak për të vëllanë ishte nisë edhe ajo mbas s’amës, kishte mujtë të shpëtonte, por jo pa pasë marr disa plagë të randa në trup.
Ndër ato ditë, do t’u fliste nëpër qytet edhe për dy italianë të tjerë, edhe ata ish- specialistë të xhenios italiane, që falë guximit e shpirtit të tyne human, kishin pasë këputë ato fije të rrezikshme korrenti, që do të hidhshin në erë spitalin e minuem nga gjermanët, si edhe shtëpitë rreth e rrotull tij. Të nesërmen e asaj nate, tue pasë qëllue edhe nji ditë e butë e me diell, qytetarët shkodranë, të shtyem nga kureshtja e ngjarjeve të nji nate ma parë, si dhe për të rejat eventuale të ditës së re, kishin dalë qysh herët prej shtëpive e të mbledhun grupe-grupe ndër qendra lagjesh, do të bisedojshin gjallnisht mes tyne.
Pa qenë në gjendje me tregue se ç’mund të ketë ndodhë në të njajtën kohë ndër lagjet e tjera të qytetit, në ato të “Dudasit” e “Kirasit”, u shquejshin shumëe fytyra të njohuna e të panjohuna partizanësh të armatosun dhe, pikërisht në atë të Dudasit, të gjithë ata që në ato çaste u ndodhën në rrugë, do t’u çuditshin shumë, kur papritmas të shikojshin nji veturë ushtarake gjermane me nji oficer mbrenda.
Për të ardhë deri aty, ajo makinë e guximshme kishte përshkue jo pa rrezik rrugët e ngushta e me dredha të lagjeve “Rus” e “Dërgut”, kishte kalue si në paradë atë të lagjes “Dudas” me popull e partizanë, ishte futë në nji rrugicë e ndalue përfundimisht para shtëpisë së nji qytetari: nuk i kishin ba kambët atij oficer gjerman me vazhdue rrugën bashkë me ushtri, për pa kthye edhe nji herë në qytetin e Shkodrës, ku kishte për t’i kthye nji borh të mbetun kuzhinierit, me emnin Met Matlia. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016