Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË HAMIT ARFIF MYRTJA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU MË DATËN 7 TETOR 1976
PROÇES-VERBAL
Sot më datën 7.10.1976, unë Jake Tefiku, hetues në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, mora në pyetje të pandehurin Hamit Arif Myrtja.
Pyetja filloi në ora 16.00
Pyetje: Vazhdoni të tregoni itinerarin, për në drejtim të kalimit të kufirit!
Përgjigje: Siç shpjegova edhe paradite, sapo dola në liqen dhe u nisa për në drejtim të ujërave të pjesës Jugosllave, pikërisht në kohën që isha duke kaluar Shirokën, filloi shiu e era. Menjëherë i thashë gruas sime, Hasijes, të nxirrte velën për ta vendosur në lundër, mirëpo atë e kisha harruar në Qendrën e Peshkimit, sepse e harrova dhe nuk e gjeta në lundër, e unë kisha kujtuar se e kisha marrë.
Gruaja më tha se çantën nuk e ke në lundër. Nga që ishte kohë e mirë kur u nisa nëpër liqen, nuk e mendova që të merrja enë si kovë, ose send tjetër për ta pasur gjatë rrugës për shkarkimin e ujërave që mund të më futesh në lundër. Nëpër liqen kaloja afër tokës në një largësi afër 700-800 metër, orientohesha me dritat e fshatit Zogaj.
Duke vazhduar rrugën nëpër liqen, pengohesha shumë nga era që na vinte e shtrëngata më shumë, shiu gjithashtu vazhdonte të binte e shtohej në formë shtrëngatë, mirëpo nuk kisha ndërmend që të afrohesha tokës e të zbrisja, për të shpëtuar veten dhe jetën e fëmijëve, sepse ishte në buzë të kufirit shtetëror shqiptar, kisha mendimin që sa të kaloj Zogajn, e pastaj t’i afrohesha tokës për të zbarkuar aty.
Ndërsa vazhdoja udhëtimin në drejtim të pjesës Jugosllave, lundra sa vinte dhe mbushej me ujë, isha vetëm në rremë, gruaja ishte strukur në mes të lundrës duke mbajtur të tre fëmijët e vegjël për t’i mbrojtur nga shiu dhe nuk më ndihmonte aspak në lundrim për t’u çlodhur. Kur pashë se lundra po mbushej plot e për plot me ujë shiut që binte me rrëmbim, mendova që për shkarkimin e saj të përdor çantën e dorës së gruas që e kishte marrë me vete, menjëherë pa humbur kohë vura në përdorim atë, mirëpo ajo nuk më dha rezultat, pasi nga brenda kishte astar dhe nuk më ndihmonte për shkarkimin e ujit.
Ndërsa bëja luftë edhe në drejtimin e lundrës dhe në shkarkimin e saj, nga ujët e shiut që vazhdonte të binte si asnjëherë tjetër, pashë se kisha lënë postën e kufirit të fshatit Zogaj, duke u orientuar nga dritat elektrike, mirëpo nga shkreptimat dhe furtuna, pashë se dritat për pak sekonda u fikën dhe nuk u ndezën më, kjo më çorientoi fare dhe humba drejtimin, duke mos ditur se ku jam. Gjendja e kohës sa vinte dhe keqësohej, lundra mbushesh me ujë.
Sipas mendimit tim, them se në këto çaste qe bërë krejt mjegull, bubullima dhe shiu binte pa pushim e me shumë presion, duhet të isha në buzë të kufirit, gjendja e lundrës ishte tepër e rënduar, vetë isha shumë i lodhur dhe i rraskapitur, shpresa ishte shumë e pakët për shpëtim, vendosa që për të shpëtuar gjendjen e lundrës, të hidhja në ujë dyshekun që kisha marrë për shtrim fëmijëve, të spostoja fëmijët dhe gruan nga bishti i lundrës dhe t’i jepja asaj me dorë, që duke e zbuar sa të mundja, mbarimin pjesërisht të ujit.
Nuk kishte mbetur vetëm 10-15 cm. pa u mbushur me ujë, i thashë gruas se u mbytëm, pak shpresë shpëtimi kemi, gruaja thirri me zë të ulët, ku ku për ne, menjëherë i kapi fëmijët, mendova në këto çaste të hidhesha me not për të lehtësuar gjendjen e lundrës dhe të vija atë në funksion lundrimi, nuk shkelja në brinjën e lundrës se anohej e mbytej krejtësisht, por e kapërceva atë dhe fillova ta shtyj nga prapa, me qëllim animi, t’i thosha gruas që t’i spostonte fëmijët e vetë nga pjesa ime, ndërsa unë pregatitesha që t’i thosha gruas që të vinte në drejtim të bishtit të lundrës, ajo ra në krahun tjetër në ujë, kurse fëmijët në krahun tjetër duke qarë.
Zhurma filloi me të qara, unë nga frika se mos diktohesha, m’u prenë fuqitë dhe me vrap me not shkova drejt fëmijëve, mirëpo nuk pashë vetëm si hije të zeza nëpër liqen, nuk munda të kap asnjërin prej tyre nga furtuna që i rrëmbeu u ktheva nga në anën tjetër të lundrës dhe pashë gruan që donte me notue në luftë me shpëtue, unë ju afrova asaj dhe me qëllim që ta kap nga prapa prej flokësh, se kisha frikë se mos më kapte dhe mbyteshim, mirëpo ajo nga që donte të bënte not, më goditi në brinjë me këmbë dhe më shkaktoi dhimbje, nuk e mbajta dot veten shkova ashtu i hutuar e u mbështeta në brinjën e lundrës që në këto çaste qëndronte plot e përplot me ujë, gruaja humbi në errësirën e natës dhe nuk e pashë më.
Në këto çaste hutimi e lodhje, kisha humbur shpresën se do mund të shpëtoja fëmijët, e mblodha vetën dhe rashë në zhyt, duke i lënë kohë vetes për të hequr teshat e trupit se ato më pengonin shumë në not, me një dorë bëja not dhe me tjetrën zhvesha të gjitha teshat që kisha, mendoja gjithmonë se mund të gjeja gruan të pa mbytur akoma, ose ndonjë nga fëmijët për t’i shpëtuar, kjo ishte me sekonda, vazhdova kërkimin me not në një sipërfaqe të madhe, koha ishte shumë e zymtë dhe errësirë, furtuna vazhdonte pa pushim, shiu gjithashtu dhe këto më pengonin shumë për të mundur të shpëtoja ndonjërin prej tyre.
Vazhdova kërkimin sa që pashë se nuk kisha më shpresë dhe çdo gjë kishte përfunduar, isha lodhur aq shumë sa që ishim gati të më linin fuqitë e mija, po rrezikohesha për t’u mbytur vetë. Nuk orientohesha dot ku isha, nuk gjeja dot tokën dhe na cili krah e kisha. Ndërkohë që vazhdoja kërkimin e gruas dhe fëmijëve, pa pritur më doli lundra para, ju afrova asaj se mendova se mos ishte kufoma e gruas, por më kot, ishte lundra, mendova se mos këtë e lashë prapa, kjo më doli përpara, këtu e humba se nuk dija, isha në ujërat shqiptare, apo Jugosllave!
Lundrova me not duke i dhënë vetes kurajo, nga vetëtima pashë në largësi, por jo i sigurt tokën, isha mjaft larg saja, mora drejtimin për të dalë, më pengonte vazhdimi i furtunës dhe shiut, shkova drejt saja dhe më në fund mbërrita në buzë të liqenit në tokë, aty dola gati pa frymë, qëndrova gati 15 minuta i shtrirë.
Këqyra rreth e rrotull ku jam, por nuk e dija nëse isha në tokën Jugosllave apo shqiptare, mendova dhe mblodha veten, se liqeni për të kalua në tokën Jugosllave, duhet lënë në anën e djathtë. Pra vendosa që të kaloj nëpër tokë, duke mos ju larguar shumë buzës së liqenit, kalova një copë rrugë me kujdes në errësirën e natës, mirëpo toka kishte shumë pengesa me gurë dhe shkurre, këto më shkaktuan gërvishte dhe dhimbje në këmbët që ishin të zbathura, pas kalimit të një cope rruge, dallova një gardh, 1/2 metra lartësi, pak më tej një fener drite, kuptova se isha në gardhin e kufirit të vijës fatale.
E kapërceva atë me kujdes pa e prekur, hyra në pjesën tjetër që ishte tokë jugosllave, por përsëri i sigurt nuk isha, kalova disa ferra e shkurre që më shkaktuan çarje dhe gjak në kofshë dhe në këmbë, vazhdova rrugën buzën e liqenit të gjejë ndonjë strehë, ose kllapa guri për t’u mbrojtur nga shiu i madh që vazhdonte të binte pa pushim, shkova dhe u futë në një skutë guri, por ajo nuk më mbronte, filloj të zbardhte, lëviza përsëri drejt bregut të liqenit.
Harrova të them se kur dola në tokë nga uji, pashë sahatin e orës në dritën e vetëtimës dhe ishe 03, dhe pashë të kishte mbetur nga që i kishte hyrë ujë, kuptova se që prej qendrës së Peshkimit e, deri aty, e kisha bërë tre orë. Aty kuptova se në kohën që më ishin mbytur fëmijët dhe gruaja, isha në buzë të kufirit dhe se puna kishte qenë me sekonda për të zbritur në tokën jugosllave, por koha më pengoi dhe më shkaktoi të gjitha këto. Deri sa zbardhi drita, ndërrova disa vende e streha guri anës liqenit, sepse mbërdhija se isha krejt zheshur dhe vetëm në mbathjet. Kur zbardhi drita, vëzhgova me kujdes ku jam. Sipër vendit ku qëndroja, pashë një grumbull pemësh e sipër pemëve disa shtëpia. Gjithashtu vërejta përfund të fshatit në largësi se ishte një molo, këtu e kuptova se kisha hyrë në pjesën jugosllave të tokës.
Vendosa të shkoja në fshat, u ngjita drejt atyre shtëpive, pa mbërritur në fshat, u futa në disa bahçe e aty mora pak rrush dhe e hëngra, më pas kalova në disa rrugina të fshatit e msyna drejt shtëpive. Ishin orët e para të mëngjesit që sa kishte zbardhur plotësisht dita, ndërsa unë shkoja drejt shtëpive, pashë një djalë 17-18 vjeçar që lëshoi delet e tij dhe vinte në drejtim tim. Kur u afrua dhe më pa zhveshur, për një moment shtangu e u frikësua, më foli nashke, i thashë se jam shqiptar dhe se vij prej Shqipërie, i thashë se sot këtu poshtë në liqen, më është mbytur lundra dhe tre fëmijët e gruaja, dua të dorëzohem në organet jugosllave. Prej aty ai u thirri pjesëtarëve të familjes së tij.
Menjëherë drejt meje erdhën tre burra, kur u afruan pak afër, nuk më takuan, por komunikuan me atë djalin nashke, dhe siç e kuptova unë, i thanë me shenja me dorë, çoje tek X. Ay djali më mori dhe më çoji te një person, që siç mësova më vonë, kishte qenë komunist jugosllav, emrin e tij nuk munda ta mësoj, ishte rreth 45 vjeç. Kur mbërritëm aty, më dha dorën, djali që më shoqëronte i tha shqip, se ka ardhur prej Shqipërie e kërkon të dorëzohet në organet jugosllave, ky më futi brenda në shtëpi, më dha një palë tesha për t’i veshur e pikërisht këto që kam veshur, më ftoj të haja bukë, por unë nga që isha shumë i mërzitur për atë që më ndodhi, nuk hëngra.
Ky komunisti më pyeti se përse isha arratisur, dhe unë i shpjegova me hollësi për mënyrën e arratisjes dhe për shkaqet që më shtynë të bëja një gjë të tillë. I shpjegova atij edhe për ndodhinë e gruas dhe të fëmijëve. Djali që më shoqëroi bëri të dalë dhe në fakt doli, ky komunisti i tha; shko e hajde se ashtu e kërkon puna, ay i premtoi, pa kaluar shumë sekonda aty mbërritën tre burra të tjerë të atij fshati dhe pasi mësuan ngjarjen dhe qëllimin tim të arratisjes, më thanë se po shkojmë drejt liqenit dhe fëmijët mund t’i gjejmë dhe t’i shpëtojmë, u thashë të tre fëmijët dhe gruaja nuk janë më gjallë, dhe për këtë jam i sigurt, por prej jush dua të më ndihmoni të gjeni kufomat e tyre.
Duke vazhduar bisedën me këtë komunistin, më pyeti dhe u interesua, nëse kisha apo jo njerëz në Jugosllavi me qëndrim, më pyeti me hollësi se prej cilit vend isha dhe unë i tregova me hollësi. Nuk u interesua por të pyetur për ndonjë person këtu në Shkodër. Më tha se do të shkojmë të dy dhe do të dorëzojmë në organet jugosllave në Tivar. Erdhi dhe ay djali që më shoqëroi në fillim, të tre së bashku shkuam në këmbë nëpër një rrugë të re që kishin hapur për automjetet.
Aty mësova se fshati ku unë u paraqita, quhej “Skije”, udhëtuam gati nja rreth 1 orë në këmbë, rrugës ata u interesuan nëse kishte kisha dhe xhamia, nëse kishte apo jo toka private dhe unë u tregova se nuk ka të tilla. Kur mbërritëm në vendin ku më çuan e që sipas tyre ishte dhe quhej Tivar, ky ishte fshat me disa shtëpi, me terren malor, aty ku më futën ishte një godinë dykatëshe, poshtë ishte klub, përpara klubit shiteshin e tregtoheshin pemë e fruta, nuk kishte shumë shtëpi dhe qendra të tjera. Edhe ku unë hipa në katin e dytë, nuk kishte shumë zyra, mund të ishin dy – tre të tilla.
Më morën në pyetje dy persona, njeri prej tyre dinte shqip, ndërsa ay tjetri nuk dinte, se çfarë ishin këtë, të pushtetit a të UDB-së, nuk jam në gjendje të shpjegoj, ishin civilë. Më pyetën me hollësi pse isha arratisur, i shpjegova se më janë ulur të ardhurat si peshkatar, dhe isha keq nga gjendja ekonomike, i shpjegova se shtëpi nuk kisha të banoja, u tregova mënyrën e arratisjes nëpër liqen, vrasjen e rojës, marrjen e lundrës, dhe mbytjen e gruas dhe fëmijëve në liqen.
Ata në fillim nuk më besuan dhe më bënë thirrje për të treguar të vërtetën, kur unë u tregova hollësi për mbytjen e rojës nga unë, ata filluan dhe qeshën me njëri tjetrin, duke mos më besuar këtë dhe thanë se si është e mundur që të mbysësh rojën, roja nuk ka kenë vetëm por vetë i dytë, unë u mundova t’i bindja për vërtetësinë e thënieve të mija. Pasi m’i morën këto me shkrim, më ftuan që t’i nënshkruaja. Ato ishin shkruajt nashke dhe unë nuk e di nëse shkruan apo jo fjalët e mija. Unë i nënshkrova me firmën time.
Në orët e pasdites të po asaj dite, kanë ardhur dy vetura me dy civilë e policë dhe më morën prej aty e më çuan në Ulqin, kështu dëgjova se i thonin vendit. Kur mbërrita aty më kontrolluan dhe pastaj më thirrën dhe më pyetën, më ftuan të haja bukë. Edhe këtyre ju thashë ashtu siç kisha shpjeguar në Tivar. Në orët e mbrëmjes më njoftuan, se gruaja dhe dy fëmijët janë gjetur, kurse vajza nuk është gjetur, më pyetën nëse dëshiroja t’i shihja dhe unë u thashë se kam qejf për t’i parë.
Më morën me dy makina dhe më çuan aty të shoqëruar me disa civilë dhe roje ushtarake (polic) shkuam në anën e liqenit, afër fshatit që u paraqita në mëngjes. Kur mbërrita aty, pashë kufomën e gruas dhe dy djemve, ata i futën në një shtëpi të vjetër, dhe i kyçën me dryn e thanë se ditën e dytë, do t’i fusim në dhe, rashë dakord. Më morën dhe përsëri më çuan në Ulqin.
Kur më pyetën në Tivar, ishin dy veta, njeri prej tyre dinte shqip, midis të tjerëve më pyetën nëse njihja ose jo një fotograf që kishte qenë në Shkodër dhe ishte arratisur në Jugosllavi, bile ma përmendën edhe emnin, por mua nuk më kujtohet, mbaj mënd se kishte emën myslimani, u thashë se nuk e njoh. Më thanë se si është e mundur që të jesh shkodran dhe të mos e njohësh këtë person?! Për asnjë person apo emër tjetër nuk më pyetën.
Më pyetën se sa orë punojnë njerëzit në Shkodër dhe unë u thashë se punojnë 8 orë, më pyetën dhe u interesuan të dinin nëse kishte prona private, më pyetën për ushtri dhe për numrin e reparteve, për kuadrot drejtuese të këtyre reparteve, më pyetën se kush ishte kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, më pyetën për oficerët e Sigurimit që njihja, më pyetën për drejtorin e Peshkimit se kush ishte, më pyetën se ku e bëja zborin dhe sa ishte, për programet mësimore të zborit, më pyetën për armatimin që kishin repartet, më pyetën për ruajtjen e kufirit dhe ushtarët nëse kishte shumë të tillë.
Për të gjitha këto, unë u kam treguar për ato që dija, numrat e reparteve nuk i dija, po ashtu dhe komunistët e reparteve dhe kryetarin e Degës. Kurse për zborin dhe armatimin që dija, ua tregova. Ditën e dytë rreth orës 10 paradite, më kanë marrë me makinë dhe më kanë çuar tek kufoma e gruas dhe e fëmijëve, për t’i varrosur. Ata i shtrinë në dhe së bashku me disa fshatarë të Skjejit.
Shpenzimet e varrimit, nuk e di se kush i bëri. Pra aty në atë fshat, në afërsi të një shtëpie, kam varrosur gruan dhe dy djemtë, kurse vajzën nuk e gjetën. Pas varrimit të gruas dhe fëmijëve, më kanë marrë dhe më kanë çuar në Ulqin, të shoqëruar me civilë dhe ushtarakë. Në orët e mbrëmjes të po asaj dite, më kanë marrë me makinë dhe më shoqëruan në Titograd, ku më çuan fill e në burg.
Procesi u ndërpre, ku pasi u lexua, u nënshkrua. Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
(Hamit Myrtja) (Jake Tefiku)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016