Adnan Muka
Pjesa e nëntë
(103 letra nga burgjet komuniste)
Letra nga burgu i Burrelit 1953- 1965
Memorie.al/E diel 29.01.1967, ende pa ague dita, e errësina ishte drejt largimit, kur s’u shifte njeri i gjallë në rrugë, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan, në lagjen “Arra e Madhe” të qytetit. Duel roja (apo portjeri).
– Kërkoj Padër Frano Kirin.
– Asht fjetë, – m’u përgjegj.
– Çojeni, due me e lajmue për vdekjen e nji miku e shoku!
Mbas pak kohe dera u rihap e u përballa me Padër Franon. Sapo më pa, i ndrroj fëtyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për nji çast, e së fundi pa më ngushllue, më tha: “Bir, ju ka lanë të pasun!”. Rrugës me biçikletë për kthim në shtëpi, ku më priste nji mal me punë e probleme, fare pak mendova për fjalët që ndigjova. Ashtu shpejt e shpejt e pyeta vehten: Ç’pasuni na la? Na asht konfiskue pasunija e luejtshme dhe e paluejtshme, na u konfiskue…kishim mbetun vetëm na, familja e tij: halla, e motra, grueja me tre djelm e dy varza.
Trashigimni e mirë e e lakmueshme…, po mbi të gjitha na la emën të mirë: punë të lavdueshme në dobi të Atdheut, arsimit kombëtar, kulturës e fees islame. La vepra konkrete, shkrime të botueme, dorëshkrime…po, po, na la edhe letrat nga burgjet komuniste me atë shkrim të bukur, tue shprehë dashnin ndaj familjes në mënyrë të përkryeme artistikisht.
Këto 103 letra u ruejtën si gja e shtrejtë, si relike, si thesari ma i madh i lamun prej tij. Kur mbrrita në shtëpi, në lagjen Parrucë, isha i qetësuem e i gjallnuem. U mbusha plotë me energji për me përballue atë ditë mortore, që njiherit ishte edhe ditë fitoreje, sepse na: baba dhe familja, mbrritme me triumfue mbi 7000 ditë vuejtjesh me privim lirije, në kampe pune të detyrueshme e burgje, dhe për afro 500 ditë (mbas daljes gjallë nga burgu) bashkëjetuem shumë gëzueshëm në shtëpinë mbi 200 vjeçare të Mukejve, në Shkodër.
Në vitin 1997, prof. Vehbi Hoti, pedagog i Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, letrat nga burgjet i ka përkufizue në këtë mënyrë: “Letër-këmbimi me familjen … janë shprehje e personalitetit të tij të gjithanshëm. Janë prozë me frymëzime poetike, shumë emocionuese dhe edukative. Me plot të drejtë ato mund të quhen si një “doracak” për edukimin në përgjithësi dhe edukatën familjare në veçanti. Përfaqësojnë një bashkëbisedim intim me familjen, veçanërisht me fëmijët e vet. I këshillon dhe i udhëzon, u kërkon dhe i nxit për të ecur gjithnjë përpara. “108 Letrat nga burgjet, janë nji prej mënyrave që i burgosuni kishte mundësi me komunikue kryesisht me familjen. Për me dalë në “liri” ato duhet të plotësonin kërkesat e rregullores: t’ishin të shkurtra, rreth 1 faqe letre fletoreje shkrimi, të shkruheshin qartë e të kuptueshme, për çështje që kishin të bajnë me shëndetin e nevojat e të burgosunit; 1 letër në muej lejohej. Letra mbasi u kontrollonte, fati i sajë për t’i shkue familjes ose jo mbetej në gjykimin e operativit… Shumë herë letrat s’kanë ardhë, sepse në situata të caktueme, sidomos
kur të burgosunit ishin në kampet e punës, ose kur i burgosuni dënohej për “thymje të rregullores”, ndërpritej komunikimi dhe marrjet e letrave dhe ushqimeve. (Kjo ka ndodhë shpesh në burgun e Burrelit), prandaj dhe letrat s’janë rregullisht krye çdo muaji. Gjatë kohës që Sheuqet Muka ka vuejt dënimin në Shkodër, ka dërgue pak letra. kjo sepse bajshim takim mbas 1 palë hekurash të trashë në distancë 1 metër larg. Nga burgu i Shkodrës në këtë libër paraqiten 12 letrat e para (20.IX.1951- 15. III. 1953), ndërsa 91 letrat e tjera janë nga burgu I Burrelit (1953 – 1965).
Letërkëmbimi nga burgu i Burrelit, që ishte mbi 100 km larg Shkodrës, ka qenë më i shpeshtë. Për afër 19 vite burg, familja e tij ka muejt me ruejt 103 prej tyne. Mungesat si rrjedhim: s’janë lejue me u dërgue (janë ndalue) ose s’kanë muejt me u ruejt nga ana e jonë. Këto që janë ruejt, po botohen të gjitha, pa asnji ndryshim e nji pjesë e tyne (ato të lexueshmet, që s’janë shkrue me lapsë plumi), të skanueme. Qëllimi me kuptue disa aspekte të kushteve, po dhe me tregue si arritme me komunikue, pandërpremje, me babën në burgje, tue mbajtë të lidhun me ne, tue i dërgue në vitet e fundit të burgimit çdo javë (të hanen) nji letër dhe çdo mes muaji nji telegram me përgjigje. Komunikimi e mbajti gjallë dhe mirënjohja e këtij të burgosuni politik të ndërgjegjes, asht e pakufi, siç do të lexohet e përshkruhet me fjalë prekëse të bukura në këto letra. Këjo rregullsi me letra, telegrame komunikimi të thjeshtë familjar, u ba objekt vlerësimi nga komanda e burgut dhe i’u rekomandohej të burgosunve si shembull për t’u ndjekë.
Dërg. nga Rep 321, Burrel
Letrat nga burgjet, që fillojnë në vitin 1951 dhe mbyllen me letrën 1 gusht 1965, janë të rralla në llojin e vet e ndoshta dhe të vetmet, që janë ruejt e po botohen. Vlerësimi i tyne i takon lexuesit.
Me zarfin derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit) Shkodër me siglen në krye të çdo letre V.F.L.P. (Vdekje –Fashizmi, Liri-Populli). Dërgue nga Rep 321 Burrel (adresa e këtij burgu A.M.)
Letra nga Burgu i Burrelit
Letra Nr. 46
20. 03. 1959
I dashtuni vëlla Zija;
Jam mirë. Kët uroj edhe për ju të gjithvet. Megjithse nuk ju pritshe të vini, kur u thirra me dalë në takim mendova mos kish ardhë Symja me Uranin. S’gjejë shprehje me çfaqë gëzimin t’em qi ndjeva, kur pava Hamidin e halla Sebijes. E falnderoj shum e shum. Besoj t’a keni marrë letrën e fundit. Un për çdo dy javë, ju kam shkrue, kurse vetë, prej jush, gjatë kohës qi ndodhem në spital, kam marrë vetëm letrën t’ande. Operacioni mund të bahet mbasi të ngrofet koha mirë. Prandaj deri më 15 Prill të mos vini, vetëm së pakut pa ndonji kartpostal mos më leni. Lutjen të m’a ndiqni. Sikur të kishe fatin të lirohem, me mue bashkë, do t’u gëzojshi edhe ju të gjithë edhe vetë do të i u shtrojshe operacionit ma me qejfë. Të fala të gjithvet: shpís s’eme e të s’atës, gjithashtu asajë të Myhsinit, të Ragipit, të Vishos e të Domnorvet. Me kaq po e mbyll letrën tue ju urue Bajramin të gjithvet. Lirijen e Tijen veçanarisht i u puthi edhe faqet.
Me, 20 Mars 1959
Sheuqet Muka
Letra Nr. 47
Me, 20 Maj 1959
I dashtuni Meserret;
Që prej datës 8 të këtij moji qi dola nga Spitali Civil, ndollem i shtruem n’infermjerin e Repartit 313 këtu në Tiranë. Kam dy muej pushim. Mjekimi i plagës më bahet rregullisht. Plaga pothuej se m’ âsht mbyllë e, me t’i ramen drecka, kam me qenë i shëruem mire. Më vjen sikur kam le për së dyti. Kam pas qenë në hall të madh, por shyqyr me operacionin qi m’u ba u kalue. Fetja, Samiu e Adnani, u gëzuen tepër qi më gjetën mirë. Herën tjetër kur të vini, keni me më gjetë edhe ma mirë. Mbas halla Xhevas, Lirija do të jetë shendue ma tepër për pshtimin e sherimin t’em. Si kësaj, si Tijes u puthi sŷt e faqet. Prej Zijas, gjatë këtij moji s’kam pasë letër. Pritshe se do të më shkruente rreth lutjes. Letrat e mija të datës 20 Prill a 5 Majë, besoj t’i keni marrë. Përveç duhanit, për asnji send s’kam nevojë. Letra cingaret s’ âsht nevoja të më sillni për këtë herë. Të fala e të rrokuna, përqafime e të puthuna të gjithvet. Nëse kam fatin të lirohem kondicionel, atëherë kam m’e numrue vedin të lem për së tretit.
Baba i yt
Sheuqet Muka
Letra Nr. 48
Me, 05 Qershor 1959
I dashtuni Meserret;
Uroj të ju kemë mirë të gjithvet. Edhe vetë kam qenë mirë. Plaga m’ âsht mbyllë. Dita ditës e ndi vedin shum ma letë. Eci lirisht e s’kam asnji pengesë. Deri sa të plotësoj kohën qi m’ âsht caktue për pushim, do të kujdesem m’u ruejtë siç duhet. I baj njimi shyqyre në ditë, qi e hoqa qafet operacionin. Si e kam halla Xhevan? M’a doni fort e të, m’a rrokish fort e fort prej mejet. Nexhatijes i uroj të ketë sukses në provimet. Në qoftë se ka ndjekë porosit qi paç dhanë në fillim të vitit mësimuer, sigurisht diftesën e shkollës ka m’e pasë me nota të mira. Po Lirija, qi âsht shendue shum për pështimin t’em, pse nuk m’uroj me nji letër. Unë me anë të kësaj letre, po i puthi dy faqet. Ragipit, Myhsinit, Zijas, Domnorvet e familjevet të tyne shum të fala. Gjithashtu Fetes, Symes, Tijes, Uranit e Adnanit, Hakas me djelm e varza, dhanduer e reja e gjith tjervet qi pvesin për mue. Hamidin e Fatimen i përqafoj në mënyrë të posaçme e, Xhemës, i sjellë urimet e mija për lirimin e Burrelit. Të puthë e të rrokë përmallshëm.
Baba i yt
Sheuqet Muka
Letra Nr. 49
Burrel, me 25/ VI /1959
I dashtuni Meserret;
Sod më bahen tri javë qi jam këthye këtu në Burrel, mbas operacionit qi bana në Spitalin e Përgj. Civil në Tiranë më 27 Prill të këtij viti. Jam shndosh e mirë dhe krejtë i qetë sa s’kam qenë kështu asnjiherë. Sikur ju kam shkrue ndër letra qi ju kam çue prej Tirane, deri tash jam shum mirë e shpresoj se do të jemë gjithnji në këtë mënyrë. Megjithse plaga m’ âsht mbyllë krejtë, anima un mjekohem krye dy ditësh n’infermjeri e do të vazhdoj të ruhem, deri sa të plotësoj pushimin qi m’ âsht caktue. Prandaj me anë të kësaj letre, kërkoj me qenë edhe ju të qetësuem e të freskuem për mue e mos me pasë kurrfarë meraku e kasaveti. Kam marrë telegramin e Adnanit, të Zijas dhe at t’andin. Edhe letra me datë tetë të këtij moji, më ka ra në dorë. U gëzova qi ishi mirë. Uranit, shpresoj t’i ketë shkue të lodhtit. Më ra shumë keq për at udhëtim të gjatë q’i kish takue me ba. Nexhatija shpresoj t’a ketë kalue klasën. M’i çoni notat qi ka fitue ndër mësime, mbasi ajo vetë nuk më shkruen. Ndoshta ka frigë se i ap notë moskalimi në hartim. Si kësaj si Lirijes u puthi gushë e faqe. Prej Adnanit, në rasë se ka mundësi, kishe me dishrue të regjistrohet si student me korrispondencë për n’universitet. Ti me Uranin si shkon me punë? Me hardhi a thue e ke punën mirë? Po dhitë si i kanë Lirija e Adnani? Halla Xhevan, Feten e Symen uroj t’i kemë mirë. Jam shmallue me to, qi i pava në Tiranë. M’i rrok fort e fort prej meje. Edhe Zijan me familjen e tij, m’a përshndet. Të fala edhe Ragipit, Myhsinit, Vishos, Domnorvet e familjeve të tyne. Gjithashtu Danit e Xhevatit, Qazimit e Hamidit e së motrës e gjith tjervet qi pvesin për mue. Ju rroki përmallshem si ty, Uranin e Adnanin.
Baba i juej
Sheuqet Muka
Letra Nr. 50
Me, 16. 08. 1959
I dashtuni Meserret;
Uroj të ju kemë mirë të gjithvet. Edhe vetë jam mirë, mund të tham edhe ma mirë se më la Adnani qi më pa ditën e takimit. Nesër më bahen plotë 4 muej qi jam operue. Kam gëzim të madh në shpirtin t’im, kah shof vedin se jam shërue njiherë e përgjithmonë. Le të gëzohuni edhe ju me halla Xhevan, Feten e Symen në krye. Sikur i thaçë edhe Adnanit në takim, lutja e paraqitun Presidiumit të Kuvendit Populluer më 8.VII 1959, i qe këthye Komandës së Repartit t’onë për të plotsue vertetimin e për të i a përcjellë përsëri. Prandaj nuk qe nevoja të baj lutje tjetër. Qazimi m’ âsht dhimtë mjaft. Me të kam pasë shoqëni që prej bankave të shkollës, pa u prishë në mes vedit asnjiherë. Familjes së tij dhe Rrustemit m’i sillni ngushllimet e mija. Për në takim s’ka nevojë të vini para 10 Tetorit, s’âsht nevojë të sillni as qymyr, pse kam mjaft. Harrova m’e pvetë Adnanin se çë keni ba për punë të dhivet. Uranin e falnderoj për hallvën qi më çovi. Ditëlindjen e festoftë për vjetë ma me zemër të mirë. Në takimin qi shkoj, kujtojshe se âsht Fetja, kur më duel Adnan dusha. Kam arsye me pasë marak për Feten, mos e kam pa qejfë. Sa për me më pa, ajo e ka rekordin, se ka hjekë me mue, ma tepër se gjith ju të tjerët. M’a rrok fort e fort prej meje! Hakas nderimet e mija. Uroj të jetë mirë me djelm e varza me reja e dhanduer e me nipa e mesa. Ragipit, Zijas, Myhsinit, Domnorvet e familjevet të tyne shum të fala. Hafiz Abdullahit e Hamidit, për të cilët edhe mue më ka marrë malli, më i u sjell përshndetjet e përzemërta. Edhe ilakave, kojshivet e dashmirsvet qi pvesin për mue m’u ban të fala. Po mbylli letrën tue të rrokë fort e fort e, me erën t’ande pranë meje po puthi Uranin, Adnanin dhe Lirijen e Nexhatijen.
Burrel, me 16. VIII. 1959
Baba i yt Sheuqet Muka
Letra Nr. 51
Me, 26. 09. 1959
E dashtuna Perteve;
“T’uroj martesën e Verës. I martofsh vetë edhe tjerat ashtu edhe Tanushin e i paç me jetë! Nesër keni celebrimin e martesës së Verës të dashtun. T’u trashigoft! Që prej ca ditësh e deri në këtë çast qi po të drejtoj këtë letër urimi, menden e zemrën e kam pasë gjithnji te ti. E ç’ka s’m’u përshkue nëpër mend? Si nji film erdhën e m’u çfaqen të gjitha përpara syvet të mi deri vdekja e papritun qi na muerr gjallë në dhé, njiherë e përgjithmonë Hakin t’onë! I marr me mend travajet e tua, nëpër të cilat je përshkue, pse të rá mbi supe para kohet m’u ba përnjiheri edhe babë e fëmivet tu. Por ti, shyqyr, ke qenë e gjallë gjithëherë e prandaj që e zonja m’u mbajtë e me përballue nevojët e jetës, ashtu siç i ka hije nji sokoleshe. Sod i a dole me martue Verën e urtë. Nji nga nji së shpejti edhe tjerat, së mbramit edhe Tanushin qi e kemi për dishirë, të cilit tue i puthë faqet, po i sjelli dhe urimet e martesës së motrës. Për Bardhen u gëzova shum që âsht ba mësuese shkolle. I uroj edhe kësaj, suksese të plotë në të kryemit të detyrës. Sado qi për Dhuratën s’më shkruen ma, unë edhe kësaj po i sjellë urimet e rastit. Gjithashtu të më uroni n’anë t’uej, vllan e motrat e tua për këtë rast gëzimi që ndjeni në shpirtë për martesën e mesës
dhe m’i përshndetni. Hyrija shpresoj të jetë ba mirë e të ketë dalë nga spitali. Përsa më pvetë Zijaja, po i përgjigjem me nji po. Ju kam dhanë me kohë pëlqimin t’em për kësi punësh.
Kam marrë edhe 2 letrat e Adnanit. Me anë të kësaj letre, po përshndes edhe gjith pjestarët e familjes s’eme, të Ragipit e Myhsinit e të Vishos edhe gjith ata qi pvesin për mue. Të rrokë me mallë.
Kushrini i yt,
Burrel, me 26. IX. 1959
Sheuqet Muka
Letra Nr. 52
Me, 25. 11. 1959
I dashtuni Meserret;
Kam marrë letrën e Uranit, ato t’Adnanit e sa më ka shkrue Zijaja. Letra qi të pata shkrue me rastin e ditëlindjes ka qenë ajo ma e bukra qi të kam dërgue deri sod. Ishe në qejf kur morra me shkrue e prandaj duel aq shprehse, saqi edhe sod e kam të gjallë e të fresktë në mendjen t’eme, pse qe për ty, për loçkën e zemërs s’onë, qi bani shyqyr të madh gjith far e fis e t’afërmit, kur leve ti. Të paçim me jetë me gjith vllazën e motra! Vetë jam rahat e mirë. Pra asnji marak e mërzi mos të keni për mue, mbasi jam i qetë edhe shpirtnisht, kah ju kam të gjithvet mirë. Halla Xhevas qi më ka rritë, motrës Fete qi e due fort, Symes, prej së cilës më dau fati i lig I emi, po i u uroj të gëzojnë gjithnji shndet të plotë e, Lirijes e Tijes qi i laçë të vogla, po u puthi faqet përmallshëm. Gjylfirozës qi erdh e më pa vjet, kur ishe I shtruem në spitalin e Tiranës e Irfanit të Myhsinit qi m’uruen telegrafisht pështimin, po u puthi sŷt tue I rrokë edhe këta fort e fort. Më ra keq për Jakupin. Ishen t’eme e Nurin qi kishin qenë pa qef, por n’anë tjetër u gëzova qi ishin ba mirë. Me këtë rast, po u sjelli edhe të falat e mija, ashtu edhe Sabrijes e Sutës. Kësaj here me kaq. Të fala të përzemërta të gjithvet nji nga nji me Ragip e Zija, Uran e Adnan, Myhsin e Hamid, Visho e Sami, e Elez Barbullush.
Baba i yt,
Me 25. XI. 1959
Sheuqet Muka
Megjithse paç shpresë të madhe se lirohem, prej amnistis qi u ba, përfitova vetëm në zbritje. Mos u dispronu.
Letra Nr. 53
Me, 15.12. 1959
Kopja e lutjes së paraqitun: Prokuroris së Përgjithshme Tiranë
I nënshkruemi Sheuqet Ahmet Muka, nga Shkodra, datëlindjes 1887, dorëzue me 21, X, 1946 e dënue konformë vendimit nr. 195 datë 23.VI. 1947 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, merr lirin me paraqit sa vijon: Megjithse 72 vjeç, mbet pa u amnistue, tue i u thane se ka ushtrue aktivitet politik para çlirimit. Gjatë okupacionit fashist ka qenë i pezulluem: tue u burgos, internue e mbajtë gjithnji nën survejim. Edhe rreth okupacionit nazist âsht mshefë dy herë, pse pat frigë arrestimi, kështu që rrotull këtyne dy okupacioneve, ka kalue nji jetë plot vuejtjesh e trazimesh me okupatorët, përveç urrejtjes s’e ka lidhë gja prej gjaje e jo ma të ketë bashkëpunue a të jetë qenë në kontakt me ta. Jo ma gjatë okupacionit nazi-fashist, por as gjatë jetës së tij, s’ka vra e pre njeri, s’ka grabitë e shnderue kend, as të ketë qenë ndonjiherë agjent i të huejvet as qi marrë me spijunazhë, por âsht përpjekë m’u mbajtë e me qindrue, ashtu siç i ka hije me qenë nji shtetasi të ndershëm. As kundër lëvizjes Nacionalçlirimtare s’ka nji veprimtari anmiqsore, por përkundrazi ka jetue n’armoni, jo me partizanët që ishin ende legal, por edhe me ata qi ishin të mshefun e kërkoheshin m’u arrestu, bile ka qi kanë qenë edhe në shpí. Pra, në sjelljen e tij në këtë mënyrë, s’duhet të ekzistojë pengesa qi parashef neni 77 i kodit penal, por si rrjedhim të gëzojë beneficin e nenit 7 të dekretit t’amnistisë i cili amniston të dënuemit burra me 60 vjet e lart. Rreshtue këto oroe, lutet qi me pasë mirësin me rishqyrtue çashtjen e tij, mbasi veç moshës qi parashef dekreti për amnistimin e tij, me 27 Prill të këtij viti e qe nënshtrue nji operacioni në Spitalin Civil të Tiranës, nga i cili, ndoshta, ma vonë mund të lindin pasoja të karakterit tumor, ose të formacionit kanceros.
Me nderime:
Me 15 Dhetuer 1959
Sheuqet Muka
Letra Nr. 54
Me, 20.02. 1960
Me Meserretin në krye, gjith të dashtunve të mi
Qi jam mirë, më pa në takim Adnani, fjalës së cilit ju i besoni, ashtu siç i besova un, kur më tha për ju, se u kishe mirë të gjithvet. Edhe un kam qenë mjaft në marak t’uej, pse s’pata prej nji kohe të gjatë asnji lajm prej jush. Kur mora pakon e parë, paret e telegramin disi u qetësova, por letrat qi paç rreth këtij moji, më gëzuen pa masë. Ju paça përherë mirë. Për Feten më ka marrë malli ma shum, pse më ka mësue me e pa shpesh. Përderisa të ngrohet koha mirë, s’due qi të vijë për m’u takue. Le të shpresojmë të marrim lajm të mirë edhe prej Nazimit t’onë. E paçim me jetë si na don zemra. Mbas kërkesës qi bana, Reparti i ynë më njoftoj se lutja âsht çue direkt me anën e postës e pra advukati duhet t’a kërkojë lutjen pranë Prokuroris. T’i shkrueni Haritos, tue i çue edhe kopjen e lutjes e, mbrapa, n’e shifshi t’arsyeshme, le të shkojë edhe Zijaja. M’i bani edhe të fala. Deri mbas Bajramit, s’âsht nevoja qi të vini. Edhe për pak qymyr qi porosita Adnanin, s’mbetet nevojë. Na âsht dhimtë të gjithvet Xhemal Sinani. Ka qenë xhevahir burrë. Ngushllimet e mija familjes së tij. Rrgostën e 10 pulla 1,5 centimësh, mos harroni, kur të vini. Halitit të fala. Ju uroj Ramazanin, të ju gjejë mirë e t’a kaloni ma së miri. Përqafime sa të përzemërta aq të përmallshme të gjithvet. Përshndetjet e mija edhe ilakavet, kojshivet, shokvet e gjith atyne qi pvesin për mue.
Baba i juej:
Me 20 Fruer 1960
Sheuqet Muka
Letra Nr. 55
Me, 01. 05. 1960
Gëzimi ynë Meserret! “Adnanit i uroj ditëlindjen!”
Kam marrë edhe letrën më d.15 Prill qi më çonte Adnani, ditëlindjen e të cilit, u a kam lakmi qi e kremtoni së bashkut. U gëzuesh pa masë qi u kishe pasë mirë të gjithvet. Kënaqësinë qi pata në takim, kur pava Feten e Uranin qi erdhën me më pa m’a shtoj edhe ma tepër telegrami yt, i cili më dha sihariqin e mërritjes së tyne mbrenda ditës. Më 27 të mojit të kaluem kam pasë përvjetorin e operacionit q’i m’u ba vjet në Tiranë, i cili fatbardhësisht më duel me sukses të plotë. Megjithse jam krejt mirë, n’anë tjetër, nga maraku qi kam, dishroj t’a pyetni dr. Mborjen, në ka nevojë m’u ba ndo’i kurë. Edhe me kambë kam qenë fare mirë. Ndonse vjet s’mora vitamina, as qi bana gjylpana, reumatizma s’ka pasë të bajë faret me mue. Me nji fjalë, fizikisht jam krejt në rregull në sa vjetvet të moshës qi më randojnë mbi supa s’kam çë me i u ba, edhe këtyne, shndeti qi gëzoj, më kurajon m’u përballun. M’i thuej halla Xhevas se deri sa të baheni njiqind vjeçe, do t’i qindrojmë pleqnis e s’do ta lamë me na mposhtë. Adnanin e falnderoj edhe për urimet qi më suell me rastin e 50 vjetorit qi kam si arsimtar. Paç mbledhë mjaft landë për letrën qi mendojshe m’I shkrue kësaj herë, por e laç për nji herë tjetër. Besoj se me kaq ka me mbetë prap i kënaqun. Adnani m’ep shpresë se ka me u ba shkrimtar i mirë, pse rruga qi ka zgjedhë me vazhdue, ka me i a pregatitë terenin mâ së miri. Për këtë jam i bindun, prandaj edhe po i uroj. Prej Zijas, ka kohë qi s’kam letër. Uroj të jetë mirë. Lekët qi më ka çue, i kam marrë. Për asgja, s’kam nevojë. Në se më sillni iç mishi, m’i shtini pak vjamë, pse pa të, verës myket me’i herë. Groshë e makarona kam boll, prandaj, pa ju kërkue mos më bieni. Qymyr pak ma tepër për këtë herë. Po pat mundësi edhe pak kos. Me kaq e po uroj qi të jeni e të ju kemë pasë gjithnji mirë. Të gjithvet nji nga nji të fala e përqafime. Lirijes, Nexhatijes, Gjylferozës, Irfanit, Tanushit e Vildanit u puthi faqet. Përshndetjet e mija edhe Hamidit, dajavet, Ruzhdisë, Sheuqetit e tjervet. Raufi âsht mirë e i u ban të fala. Pres letër.
Baba i yt
Me, 1.V.1960
Sheuqet Muka
Letra Nr. 56
Me, 01. 06. 1960
Sokoli ynë Meserret;
Me rastin e Bajramit të gjithve urime për nji jetë të lumtun e të gëzueshme! As vetë s’dij, pse m’u tek kësaj here me mendue për Symen se mos do të shoqnonte ty në ditën e takimit. Po të ngjiste këjo, atëherë parandjenjës do t’i besojshe ma tepër. Sado qi un shkruej e sado qi ju më shifni herë pas here e i diftoni se jam mirë, asajë kujtoja prapseprap s’I bahet me besue për mue se më ka shum mirë. Prandaj thojshe me vedi se mos i mbushet mendja e vjen me më pa, pse në takimin e fundit qi paç me të nji vit ma parë, në krye të tre ditëve t’operacionit, më pat gjetë të lodhun: të dobësuesm e të pa rruem. Kah e dij se s’i bahet kur hyp n’automobil, un s’e kqyri, ma sa shiqoj halla Xhevan qi digjet për mue, bile as Lirija e Nexhatija qi u dishruesh për to, se më kande qi të vijnë. Me këtë bashkë, bashkëshortes s’eme, për mâ tepër edhe për hatrin t’and, po i uroj ditëlindjen qi e ka në këtë muej. Sikur letra mos të këndohej prej tjervet e të mbetej në mes meje, teje e të sajë, do të kishe përdorë nji shprehje qi do t’ishe kënaqë, por drue Uranin e jo aq Adnanin, se do të niste me çilë gojën siç e ka zakonin. Fete le të shpresojmë të marrim lajm të mirë për Nazimin. Kam marrë para tri ditësh letrën e Zijas bashkë me kopjen e lutjes t’Adnanit, por ndoshta ep rezultatin e mirë. Le të shpresohet! Advukati e din vetë si m’e mbrojtë çështjen t’ime. Po të kishe pare kopjen e dënimit t’em, lutjen Adnani do t’a përpilonte edhe ma mirë. Un lutjen q’i paraqita Prokurorisë së Përgjithshme e bana mbas shqyrtimit të nenit 77 të Kodit Penal, e kaq gja duhet t’a kish marrë me mend Zijaja, q’i mâ kujton mue e aq ma tepër për çka i ka shkrue advukatit. Qazim Faslisë shum e shumë të fala. Parvjet më kujtoj me cingare qi më çoj, vjet qi ishe në Tiranë, m’uroj Vitin e Ri e, kësaj herë me anën e nji kartoline, çfaqë përgëzimet e veta qi jam mirë. Me kët rast m’i kumtoni familjes së tij përshndetjet e mija së parit, s’amës, mandaj Muharremit e Shekos e bashkshortevet të tyne e së fundit Qazos i urojsha së shpejti edhe martesën. Prej Xhelos ka të fala. Edhe Ruzhdis e Sheuqetit qi më kujtojnë, shum të fala, bashkë me falnderime. Me dr. Mborjen duket se keni harrue me folë me të, përsa ju paç shkrue, qysh se në letër, s’më shkruente gja Zijaja. Të gjithvet të fala emën për emën, ashtu edhe ilakavet, kojshivet e miqvet/ Jakupit, i uroj shëndet.
Me 1. VI. 1960
Baba i juej,
Sheuqet Ahmed Muka
Letra Nr. 57
Me, 01.07. 1960
Ora e parë e shpis s’onë Meserret;
Kam marrë të gjitha letrat që më keni çue ju e Zijaja, bile edhe atë të 20 Korrikut, ashtu edhe urimet e Sheuqetit, të cilin e falnderoj. Telegramin e Bajramit e mora ditën e parë kuer ishe tue hanger drekën. Sa u gëzova! Edhe vetë deshta të bajshe mafishe, por hoqa dorë, pse ishe i bindun se nuk më dalin si të Fetes e të Symes. Në se Urani ju âsht dukë se e ka teprue Adnani, duhej t’a merrte me mend se aj ka hanger pjesën që më takonte mue. I paçin ba mirë. Mandej s’duhet harrue edhe fjala popullore që thotë: ç’ âsht njiherë s’âsht përherë. Elbete, Bajram ky, e pra lypsej harushallek edhe pak gaz, kuer të jemi midis vedit. Ju paça të gjithvet mirë e vitin tjetër ma pritëshi ma gëzueshëm. Jam mallëngjye shumë nga letrat, pse tue I këndue, më dukej vedi se ndodhem pranë jush kahë po bisedojshim. Oh, sa mallë! Adnani nuk duhet me u shqetsue pse s’i a del sot për sot me u shprehë kjartë ashtu siç i dishron shpirti e ankesën duhet t’a zevendsojë me studime veprash letrare e kryeveprash, sepse pa nji kulturë të gjanë letrare s’ka mundësi njeriu me qenë elokuent, me u ba i zoti i nji pende së mprehtë e me pasë nji shpirtë kritik e frymë polemizuese. Stilist, don ende kohë me u ba këjo. Asht heret për moshën e tij e prandej, s’duhet me u ligshtue. Un, nga ana e jeme, e njehi nji sukses për të. Këtë mungesë që e ndien, të cilën jam i bindun se me vullnetin e fortë që ka, do t’a shkapërcejë. Vullneti i burravet ka zhgulë e vazhdon gjithënji të zhgulë mallet. Kështu edhe vullneti i Adananit tonë, do t’ia dalë e do t’ia mërrijë qëllimit. Për kët sukses që ka me pasë, qysh tash i sjelli urimet e mija. Sa ma tepër që mëson njeriu, aq ma mirë e njef jetën e luftën e sajë. Un që njof deri diku mire gjenezën e familjes sonë, mukejt e mukeshat kanë qenë përherë të gjallë e, në mes të tyne s’ka pasë parasit. Ramadan Muka i dytë, i biri i tij Mysliu e i nipi Babushi qi âsht gjyshi i juej, kanë qenë ndër ma të gjallët e ma punëtorët. Sidomos stërgjyshi i ynë, për të cilin mund të ju flasë edhe halla Xhevja, ka qenë tejet i gjallë e guximtarë në punë. Jo ma mbrenda kufijvet, por ka rrahë rrugën sa herë për në Bukuresht e ju duhet t’a merrni me mend se sa I vështirshëm e i rrezikshëm ka qenë udhëtimi n’atë kohë qi s’kishte as rrugë siç janë sot. Që të keni nji orientim ma të gjanë mbi gjenezën e mukejvet të Shkodërs, po marr nji farë zotimi për me ju shkrue ma me hollësi rreth kësajë pike, me rastin e ditëlindjes s’Uranit. Me shëndet jam mirë. Lirijen, Nexhatije e Gjylen i puthi me mallë. Jue tjervet, êmën për emën të fala të përzemërta, ashtu edhe gjithë të mijvet e kojshivet.
Baba i juej
Burrel, 1. VII. 1960
Sheuqet Muka
Letra Nr. 58
Me, 01.08.1960
Fort i dashtuni Uran,
Puntorit të dalluem e të palodhun baba përmallshëm i uron ditëlindjen. Data 16 Gusht, âsht ditë gëzimi jo vetëm për ty qi ke ditëlindjen, por edhe për gjith familjen t’onë e rrethin familjar t’onin. Sado qi larg jush prej kaq vitesh, prap se prap un s’kam se si të mos kemë atë pjesë të madhe gëzimi që ndieni ju së bashku në këtë ditë, e prandaj, âsht e natyrshme qi urimet e duhuna në këtë rast për ty nga zemra e jeme, jam plot i bindun se ke m’i pritë disi ma ndryshe e ma me qejf, mbasi s’më ke edhe bri vedit, siç ke fatin e bardhë me pasë gjith tjerët qi të rrethojnë. Jo, ka diçka ma tepër se kaq, pse janë urime prindi qi bahen për nji loçkë zemre, qi shpirti i njeriut i ndien, i shijon e i prêt ma hareshëm e ma mallëngjyeshëm. Për vjetë m’a pritësh ma gëzueshëm ditëlindjen t’ande e përherë edhe ma n’armoni me vëllazën e motra gjithnji i bindun e i dashtun ndaj Xhevas, Fetes, Symes, Hakas e tjervet me radhë qi të duen aq fort, tue m’u ba edhe ti, 100 vjeç, si stërgjyshi i ynë. Letrën qi paç pregatitë kësaj here të i a çoj Zijas, për hatrin t’and, m’u desht m’e lanë për mojin tjetër. Letra përmban pak landë për Historinë shndetsore të Shkodërs, qi asht tue u përpunue. Dika Begu operator Hysametdini e dr. Fejzullahu, para 50 vjetve, kan qenë ndër ma të përmendunit. Un për vedi i detyrohem Met Heqimit qi i a duel me më çue në kambë. Ky s’qe xherah (kirurg), por nji ndër berberët ma të mirë të vendit. Kam pasë qenë ba sakat faret, sa s’muejshe me luejt vendit e më qitshin para duerve për me ndejë në çardak. Mbi këtë gjë pvetni halla Xhevan. Unë, përkundrazi kam mbetë i kënaqun në takimin qi paç me Adnanin. Pra mue, më duket se e kam pritë ma serbes se tjera herë, bile kam dalë vetëm në kmishë e pa xhaketë, siç kish ardhë aj i veshun me nji kanatjer. Dje mora telegramin dhe letrën e fundit të datës 20 korrik. U gëzova që ju kishe mirë. Me të m’u komunikue refuzimi, do t’i telegrafoj direct advukatit. Le t’a bajë me dijtë Adnani. Tash për tash s’kam nevojë për asnji send. Multivitaminat, tash m’i sillni në Shtatuer, kur të më bini ushqimet. Makarona kam. Ma tepër për groshë, patlixhana e speca kam nevojë. Domate e rrush, shpresoj se do të kemi me pasë këtu. Tahir Isufit e vllaut të tij e familjeve të tyne të fala. Tahirit veçanarisht i uroj edhe fejesën e vajzës e i martoftë nji nga nji vetë. Kësaj herë s’paç se si me shkrue mbi gjenezën e familjes s’onë sikur kjeç zotue. Me shndet jam faret mire e s’kam asnji ankesë. Prandaj Adnani duhet të jetë I qetësuem. Të fala të gjithvet, Lirijen e Tijen i puthi e i rroki ma me mallë. Po të merrni ndonji lajm të mirë për Nazimin, më bani me dijtë me’i herë.
Baba i yt
Me, 1 Gusht 1960
Sheuqet Muka
Letra Nr. 59
Me, 01.10. 1960
Fort e dashtuna halla Xheva;
“Djalit të parë të nipit t’uej, babushit t’onë, me rastin e ditëlindjes qi ka po t’i sjelli urimet mâ të përzemërta. Na u baftë njëqind vjeç, tue gëzu rinin e vet e gjith jetën e tij siç e dishroftë zemra e shpirti. Në këtë ditë hareje, kur t’i bani urimet e Jueja m’a rrokni e m’a puthni bashkë me Feten e Symen e me Hakan edhe për mue! Edhe Urani me Adnanin e Lirija me Nexhatijen, lindjen e vllaut të tyne, e pritshin gëzueshëm e me përqafime! Jam gëzue shum qi ishe bâ mirë, mbas tronditjes së madhe qi pate prej dy vdekjeve piklluese: e para e papritun, ajo e djaloshit njizet e pesë vjeç, qi banonte në shtëpinë t’onë e e dyta, ajo e Jakupit qi e keni dasht aq shum! Bunë e Liqe, Kirë e Dri, s’ka vjetë qi shkurtojnë jeta njerzish, tue lane në mjerim edhe shpijat e tyne. Familjes së Ali Haxhisë, qi pat rrezikun e madh me i u mbytë djali burrë, m’i sillni ngushllimet e mija. Edhe Jakupi i jonë paska qenë jetëshkurt. M’ âsht dhimbtë edhe mu tepër, shum tepër. Sa të jemë gjallë s’do të më hiqet mendësh e shpirtin e ambël të tijin, do t’a kujtoj gjithnji. Adnani më shkruen se kishe pasë fuqi m’e e njehë ma së miri. Me folë të drejtën, m’erdh mirë, pse çdo t’i keshë përmendë, ka pasë hije, si tezja e tij e si djali i motrës s’uej e i halla Kijes s’onë të paharrueshme. Ju makare e keni qa, e njehë, tue i a pa dekën e tue qenë pranë dyshekut të tij, e jo si un këtu, qi edhe tash qi po shkruej këto rreshta, sytë po më mbushen në vajë e po më pikojnë. Lotët s’kanë si priten tash për tash, pse s’ka veç gjashtë javë qi u nda përgjithmonë prej nesh. Rahmet pastë! Rasim Agës e Hyrijes m’u sillni urimet e mija e uroj qi t’i martojnë vetë ashtu siç i rriten e i bânë synet. Më ra shum keq për Ruzhdi Çobën q’i kish vdekë e ama. Njeni prej djelmvet ose Shuajbi të m’i bajë ngushllimet prej meje, tue e falnderue edhe për të falat qi më ka çue. Kam marrë të gjitha letrat e Adnanit. I lumshin duert e i u prarofshin. Sjellja e mirë e tij ashtu edhe e të vllazënvet, më gëzojnë e m’a bâjnë jetën t’amël. Edhe qindrimi shembulluer i Lirijes s’eme e aj i Tijes s’urtë, m’a zgjasin ymrin, më bajnë të lumtun e më shtyjnë me I lutë jetë vedit e ju të tjervet. Adnani s’ âsht nevoja të shkojë në Tiranë, vetëm t’i shkruej advukatit qi t’interesohet me m’u ba komunikimi nga Gjykata edhe t’a pvesë se për çë shkak u refuzue kërkesa. Telegrami me përgjigje skadon në fund të këtij moji. Zijas, a i u dha puna qi ka kërkue? M’i ban të fala, ashtu edhe familjes së tij e Perteves me gjith fëmi. Vetë jam mirë. Për asgja s’kam nevojë. Kur të vini, mos harroni për pak kumbulla të thata e çajë. Përmallshëm përqafoj gjith rrethin familjar dhe nxehtësisht përshndes gjith ata qi pvesin për mue.
Nipi i juej
Me 1 Tetuer 1960
Sheuqet Ahmed Muka
Letra Nr. 60
Me, 01 Nëntor 1960
Duervet t’arta: Uranit e Nexhatijes;
Ju lumtë! Lavdi ju përket vetëm juve dhe gëzimi qi ju ngufon në zemër, e marr me mend se âsht tejet i madh, sa kalon çdo kufi, njiherit edhe shlodhës, kah shifni të kryeme kullën vigane qi ndreqët me duert e jueja t’arta. Këtyne duerve t’afta e mjeshtresha s’u thohet u praroshi, pse janë vetë prej ari qi shkëlqen e shndritë vetiut, pa pasë ma nevojë m’u lustrue për jashtë. Edhe gëzimi ynë qi ndiem në këtë rast na tjerët e sidomos un për dy shpirtnat e mi, s’ âsht aspak ma i vogël e këtë, e provon ma së miri letra sihariqdhanëse e Adnanit, ajo e datës 26 shtatorit. Uran, qysh në vogjli, të kam pasë thirrë pehlivan, por se do të dalë ndër mukesha pehlivaneshë edhe Nexhatija e bukur sa edhe e urtë e qi, edhe kah virtytet ia del bukuris së hanës pesëmëdhetshe, s’pata rast m’e pasë këtë bindje qi kam sod, pse e laç tepër të vogël e me të jetova ma pakë se me ju të tjerët, tue mos e shijue për s’afërmi erën e amël të sajë, në mos sa t’uejen. Tue e lanë këtë pikë në nji ânë, tashti shpirtin e kam të qetë e zemrën të ramun fashë, pse me folë të drejtën, un kam qenë shqetësue shumë, kur kjeç lajmue se kullën e prishun, kishe vendue m’e rindertue bytevi ju vetë pa ndihmen e kuej e nga ky shkak, kam pasë qenë ba krejt njashtu si ato nanat e dikurshme qi shqetësoheshin për djelmët e tyne, kur rrahshin rrugët e gyrbetit e prej kasavetit të tyne qi kishin për ta thojshin: “Ja Rabbi u baftë si ndjellin e mendojnë rejat!” Për këtë sukses t’uejin, po përsëris edhe njiherë përgëzimet e mija e po ju shtërngoj duert përzemërsisht tue ju puthë e rrokë edhe përmallshëm. Jam mâ se i bindun se edhe engjullesha e jonë Lirija, bashkë me të vllan Meserretin, pa dyshim do të jenë entuziazmue e gazmue edhe ma tepër se orrli Adnan, i cili aksionin t’uej e ka përshkrue bukur e mirë, tue ja thurë lavd e tue e çue zanin për ju deri në kupë të qiellës. Jo ma pakë se na tjerët do të jenë përgëzue e kënaqë me ju edhe të dashtunat t’ona halla Xhevja me Feten motër, Hakja me bijen e vet e nanën t’uej Symen, gjithashtu Ragipi, Zijaja, Myhsini e dajat me teze e tjerët të rrethit t’onë, tue ju thanë edhe marshallah u qoftë duervet t’ueja. Arsimi i mesëm qi patët fatin e mirë me marrë në shkollë edhe shërbimi ushtarak qi u krye me nderë e faqe të bardhë prej teje e vllazënvet të tu, janë dy faktorët mâ kryesorë qi ju kanë bâ t’aftë e të shkathtë për luftën e jetës, sa sod s’ju tutet syni për asnji punë m’e përballue e me qitë në dritë. Së mbramit po ju uroj të keni gjithnji sukses në jetën t’uej e kohën e lirë, të i a kushtoni pa ia nda studimevet. T’ecni përherë përpara pa u ndalë e, kurr njiherë mos numëroni në vend, pse sikur e dini edhe ju vetë, dekadenca fillon që prej ditës së ndalimit. Kurajon mos e humbni kurr, por të keni besim të patundshëm në forcat t’ueja të përbashkëta. Para pêsë ditëve i telegrafova advokatit qi s’ m’ âsht komunikue refuzimi i lutjes e i u luta m’u interesue. Të gjithvet të fala të përzemërta. Kojshivet e tjervet qi kontribuen në mbulimin e kullës edhe falnderimet e mija. Pa marrë letrën e Dhetorit mos eni për takim./Memorie.al
Baba i juej
Burrel 1. XI. 1960 Vijon në numrin e ardhshëm
Sheuqet M
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016