Nga Zylyftar Hoxha
Memorie.al / Sa herë shikoj filmin “Njeriu me Top”, me skenar sipas romanit të Dritëro Agollit, më kujtohet italiani që kemi mbajtur në shtëpinë tonë, në Qafë të Skraparit, në kohën e Luftës. Çuditërisht, ato që tregon filmi, unë i gjeja te ato që më rrëfente gjyshi im, Rushani. Italiani ynë quhej Mario dhe ishte nga Italia e Veriut. Gjyshi, me sa dukej e kishte dashur shumë, se fliste me pasion për të, duke i mburrur cilësitë njerëzore: mbi të gjitha, i urtë-dele dhe shumë punëtor. I vinte inat që, megjithëse e pyeste çdo ditë, nuk mbante mend emrin e ngatërruar të vendit nga ishte Mario. Bashkë me Marion, Rushani hapi një arë të re 4-5 , që ne e quanim “Pusez”.
Megjithëse i thoshte italianit në drekë kur vinte të merrte bukën në shtëpi të pushonte, ai s’ulej asnjëherë. Bënte punë skllavi i shkreti dhe në darkë flinte në plevicën e kashtës, pasi ne nuk kishim shtëpi, pasi na i kishte djegur gjermani. Nga Mario, fshati ynë, sidomos shtëpia jonë, që ishte në lartësinë 900 m. mbi nivelin e detit, kishte dhe një kujtim, ai kishte mbjellë për herë të parë domate, për të cilat të gjithë thoshin se nuk i “bënte vendi”, por që ai ia kishte arritur. Që atëherë, domatet tona, sidomos të vjeshtës, “zemër-kau”, linin nam.
Kur kishte ikur, Mario i ishte hedhur në qafë gjyshit dhe kishte qarë si kalama. Nuk ishte përmbajtur dot as Rushani, që, siç mburrej, nuk kishte qarë kurrë ndonjë herë, por ai “lanet” e kishte bërë të derdhte lot. Ndaj për të justifikuar atë çast dobësie, ai shpesh thoshte: “Ishte me të vërtetë flori djalë, ia vlenin lotët që më rrodhën për të”!
Fundi i luftës, 8 shtator 1943
“Ju flet gjenerali Ajzenhauer! Qeveria italiane iu është dorëzuar pa kushte forcave tona të armatosura…që sot veprimet luftarake mes forcave të Kombeve të Bashkuara dhe atyre italiane, ndërpriten menjëherë…”! Valët e Radio Algjerit përhapën në të gjithë botën atë ditë lajmin e kapitullimit të Italisë fashiste dhe njëkohësisht fundin e aleancës të Italisë me Gjermaninë naziste.
Në fakt, kapitullimi kishte ndodhur që më datën 3 shtator, 5 ditë para, me nënshkrimin e armëpushimit midis mareshalit Badolio dhe gjeneralit Ajzenhauer, në Italinë e Jugut. Ky kapitullim i kishte dhënë shenjat që një muaj e gjysmë më parë, më 25 korrik 1943, kur Mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III-të, nën presion të fortë të Gran Consilio del Fashismo, kishte shkarkuar Musolinin nga detyra dhe e kishin zëvendësuar atë me mareshallin Pietro Badolio.
Pas kapitullimit të Italisë Fashiste, Shqipëria u pushtua nga ushtria gjermane, Wehrmacht. 90.000 italianë ranë rob në duar të gjermanëve, rreth 45.000 u shpërndanë nëpër vend. Oficerët britanikë dhe udhëheqësit komunistë u përpoqën të bindin italianët, që t`ia jepnin armët e tyre partizanëve. Sukses patën vetëm tek divizioni “Firence”, prej të cilit rreth 1.500 – 2.200 veta, iu bashkuan Luftës Nacional-Çlirimtare, duke krijuar batalionin “Antonio Gramshi”. Njësitë e tjera italiane u përpoqën të arrinin bregdetin shqiptar, për të shkuar prej atje në Itali. Njësi të tjera italiane, nuk iu dorëzuan as gjermanëve as partizanëve, por krijuan qendrat e veta të rezistencës, kundër gjermanëve. Në fund të luftës në Shqipëri, ndodheshin rreth 20 mijë ushtarë italianë.
Mbreti, ia mbath në ditën më të vështirë!…
Menjëherë pas kapitullimit, qeveria dhe vetë Mbreti, të pasigurt aty, shkuan në Jug, në Brindizi dhe më pas në Salerno, duke e lënë Veriun në mëshirë të fatit, në dorë të nazistëve gjermanë, që brenda një muaji rreshtuan 17 divizione dhe mbi 150 mijë vetë të tjerë jashtë radhëve të ushtrisë. Edhe në Jug, megjithëse kishin zbarkuar Forcat Aleate, u deshën përpjekje të njëpasnjëshme Forcave Aleate me ato naziste, që kjo pjesë të ishte e lirë. Në fund të vitit 1943, Italia jugore, ku ishte përqendruar qeveria dhe Aleatët, ishte në nën kontroll. Qeveria e re i shpalli luftë Gjermanisë dhe nga aleatët u njoh si bashkëluftuese.
Në prag të një lufte tjetër, tashmë luftë civile
Që në fund të 1943, partitë antifashiste u organizuan dhe krijuan aleancën “Komiteti i Aleancës Nacionale” (CLN), ku muarrën pjesë shumë nga besnikët e Monarkisë sabaude dhe ish-ushtarakë të ushtrisë së rregullt, të cilët patën ndikim negative në zhvillimet e mëvonshme. Situatë krejt tjetër ishte në Italinë e Mesme e në atë të Veriut, ku ligjin e bënin nazistët gjermanë.
Më 11 shtator, ata liruan nga burgu Musolinin dhe me të formuan një qeveri kukull, që u mbush me ekstremistë fashistë dhe që vepruan me egërsi e shtazëri, mbi të gjithë territorin që sundonin. Episodet në Italinë e Veriut, ishin njëri më tragjik se tjetri, deri në çlirimin e plotë. Fshatra të tëra u rrafshuan, nuk iu kursye jeta çdo njeriu të gjallë, deri dhe te pleqtë e fëmijët, nga nazistët në tërheqje e sipër.
Konfigurimi i drejtimit të Italisë pas lufte, ishte një luftë tjetër, gati në prag të luftës civile, ku forcat që u bashkuan me fashizmin, u vunë në antagonizëm të plotë më ato forca që u bashkuan me partizanët dhe që sollën çlirimin e vërtetë të vendit dhe, në bashkëpunim me Aleatët, hodhën themelet demokratike të vendit. Ashtu siç ndodhi edhe me Greqinë pas Luftës, që frytet i shijuan të tjerët, ata që jo vetëm nuk kontribuuan, por bashkëpunuan me armikun, edhe në Itali pushtetin politik, e morën forcat e djathta. Sidoqoftë, Italia nxori mësime, atë që ndodhi në vitin 1943, e paguan të gjitha palët dhe të gjitha palët u hodhën në rimëkëmbjen e vendit.
Luftërat, çmim i shtrenjtë për popujt
Pjesëmarrja dhe veprimtaria luftarake, lufta dhe vetëmohimi i luftëtarëve të huaj, apo i formacioneve të krijuar prej tyre në përbërje të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe në interes të lirisë të popullit shqiptar, u pagua me çmimin e gjakut. Por, padyshim, kjo pjesëmarrje ishte mesazhi dhe ura e ngritur për bashkimin midis popullit italian dhe atij shqiptar, që u dëshmua më vonë.
Italianët në formacionet partizane shqiptare
Pjesëmarrja e ushtarëve italianë në formacionet partizane ka qenë një dukuri tepër interesante, një vepër e spikatur internacionaliste dhe idealiste në luftë kundër një armiku të përbashkët të njerëzimit, siç ishte fashizmi, të cilit ata i kishin shërbyer deri para pak ditësh.
Shumë ushtarë dhe oficerë italianë me ide komuniste, që e urrenin fashizmin, kishin filluar më parë se Italia të kapitullonte, të dezertonin e të vinin të rreshtoheshin në radhët partizane, për të luftuar kundër armiqve tashmë të përbashkët naziste. Ardhja e tyre kishte ndodhur që herët, me fillimet e LANÇ-it në Shqipëri, qysh në kohën e çetave, kur ende nuk ishte formuar Ushtria Nacinal Çlirimtare Shqiptare.
Sipas të dhënave, numri i tyre deri para kapitullimit të ushtrisë fashiste italiane, ishte rreth 120-130 veta. Më pas kjo u kthye në fenomen me përmasa më të mëdha, më të dukshme, deri më 8 shtator të vitit 1943, kur Italia fashiste kapitulloi pa kushte dhe ushtria nuk komandohej më nga qendra, nga Italia.
Sipas të dhënave të asaj kohe, një masë mjaft e madhe, prej afro 15.000 ushtarakësh, kryesisht ushtarë, por edhe shumë nënoficerë dhe oficerë, iu dorëzuan forcave partizane dhe komandave të vendit. Nga masa prej 15.000 vetash, që u dorëzuan pranë formacioneve partizane, vetëm ata më të vendosurit, një numër prej 2.150 ushtarakësh, u futën në përbërje të formacioneve të UNÇ-së. Sipas të dhënave të asaj kohe, është nxjerrë se nga numri i mësipërm, 472 italianë u rreshtuan në përbërje të brigadave sulmuese, 401 të tjerë hynë në shërbim të prapavijës, kurse pjesa tjetër prej 1.277 vetash, u angazhuan pranë komandave të vendit.
Këto formacione, me veprimtarinë e tyre luftarake shpesh herë të spikatur e të specializuar, e merituan nderin dhe respektin e popullit shqiptar, kundër të cilit regjimet e tyre fashiste i kishin dërguar për të luftuar. Nga radhët e tyre, 73 luftëtarë ranë gjatë veprimeve luftarake kundër pushtuesëve nazistë dhe u shpallën “Dëshmorë të Shqipërisë”. Kur u poqën kushtet këto forca shkuan më tej, drejt krijimit të formacioneve luftarake të shkallës taktike dhe të organizmave drejtuese të tyre, pranë vet formacioneve luftarake të UNÇ-së shqiptare. Rasti më tipik ishte kur ushtarakët italianë vendosën të krijonin një batalion më vete brenda Brigadës së Parë Sulmuese, ide kjo që u pëlqye dhe u miratua nga ish-ushtarakët italianë të ardhur në brigadë.
Batalioni partizan “Antonio Gramshi”
Më 9 tetor 1943, u krijua batalioni me emrin e udhëheqësit komunist italian, me origjinë shqiptare, “Antonio Gramshi”. Drejtuesit e batalionit të ri ishin vetë oficerët italianë, komandant batalioni, nënoficeri Tercilio Kardinali, komisar politik, Alfredo D`Angelo, nënkomandant, Xhuzepe Monti, zëvendëskomisar, Dominiko Bogatai etj. Veprimtaria e përditshme dhe ajo luftarake e batalionit drejtohej nga shtabi i tij, i cili përbëhej nga 5 anëtarë.
Me çlirimin e plotë të Shqipërisë, Komanda e Përgjithshme e UNÇ-së, urdhëroi që, mbi bazën e batalionit “Antonio Gramshi”, të thirreshin e të organizoheshin përreth kësaj bërthame, ish-ushtarakë italianë të shpërndarë anembanë Shqipërisë. Kështu lindi brigada “Antonio Gramshi”. Pak kohë më pas kjo brigadë u shndërrua në divizion, i cili mbante të njëjtin emër. Në muajin maj 1945, më në fund, kjo njësi ushtarake me kombësi italiane, nën kujdesin dhe me interesimin e Komandës së Përgjithshme të UNÇSH-së dhe të qeverisë shqiptare, në marrëveshje me qeverinë italiane të pasluftës, u riatdhesua në Itali, e përcjellë me një ceremoni të posaçme.
Nën shembullin e batalionit “Antonio Gramshi”, pranë disa brigadave sulmuese të UNÇ-së, u formuan dhe vepruan edhe formacione të tjera të përbërë nga ish-ushtarakë italianë. Një ndër to ishte Brigada III Sulmuese, në përbërje të së cilës u organizua një togë me 27 luftëtarë, me emërtimin italian “Mateotti”.
Një nënrepart i përmasave të vogla me emrin “Xhiakomo Matteoti” u formua në përbërje të Grupit IV, të emërtuar “Çamëria” të Zonës Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Në dhjetor 1944, në kohën kur vepronte në trevën e Kosovës, gjatë një riorganizimi të kryer atje më 24 nëntor 1944, në Brigadën V-të Sulmuese, u përurua Batalioni VI-ët, me 200 ish-ushtarakë italianë. Komandant i batalionit u caktua Ernesto Kebastura, komisar politik, Xhorxhio Gluo.
Antonio Gramshi, komunist i gjithë botës, por jo i Shqipërisë
Gjatë socializmit, të orientuar nga fryma e internacionalizmit proletar, u mbajtën të gjalla disa kujtime dhe emra personalitetesh të spikatura komuniste, ndërsa për Antonio Gramshin, nuk u bë asgjë, nuk u emërtua asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë fabrikë, asnjë institucion, asnjë hidrocentral, përveç emrit të një formacioni partizan gjatë LANÇ-it, me italianët e mbetur antifashistë.
Dhe vetëm kaq. Ne nuk kemi informacionin e duhur, por gjykojmë se arsyet e heshtjes për Antonio Gramshin në Shqipëri, duhen parë në ish-Bashkimin Sovjetik. Pas prishjes së marrëdhënieve shtetërore dhe partiake me Bashkimin Sovjetik, udhëheqja politike e Partisë Komuniste Italiane dhe sidomos Palmiro Toliatti, u lidh më shumë me Nikita Hrushovin dhe pothuajse i prishi marrëdhëniet me ne. Memorie.al