Nga Ilia S. Karanxha
Pjesa e dytë
Memorie.al / Emri i Dora d’Istrias zuri një vend të nderuar qysh në periudhën e Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe mbeti i pa prekur deri në ditët tona. Qysh kur ishte gjallë dhe pas vdekjes shkrimet lavdëruese, studimet apo monografitë që vokalizonin aspekte të veçanta apo komplekse të jetës e veprës së saj, nuk kanë munguar në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera e në veçanti: Rumani, Greqi, Itali, Francë e gjetkë. Fama e saj u përhap shumë shpejt në Evropë dhe fill pas saj edhe përtej oqeanit. Në SHBA-ës gjatë vizitës që bëri në verën e vitit 1880, ajo u prit me nderime të veçanta dhe gjatë takimit që pati tek shkrimtari i shquar amerikan Henry Longfelloë (1807-1882), ai ju zotua asaj se do të shkruante një poemë për Skënderbeun.
Në polemikën e saj kundra luftës janë botuar artikujt apo studimet: ‘Lufta’ (Ahinë 1870), ‘Politika e burrave dhe politika e grave’ (Costandinopoli 1871), ‘Lufta dhe gratë’ (New York 1870), ‘Lufta’. (Firence 1871), ‘Feja dhe lufta’ (Athinë 1870, ‘Costandinopoli’ 1871), ‘Çështja e Alabamës’ (Athinë 1871, ‘Kostandinopoli’ 1871), ‘Paqja dhe civilizimi’ (1882).
Në pjesën e katërt kushtuar ekonomisë politike dhe agrikulturës mund të shënojmë mes të tjerave shkrimin: “Shoqëria amerikane e shkencave shoqërore” (1871), ndërsa pjesën e pestë Cechetti ja kushton shkrimeve të Elena Gjikës mbi disa figura të artit, si p.sh. Giovanni Dupre (Athinë 1870), një skulptor i shquar në Firence, i cili thuhet se ka realizuar edhe një bust të Dora d’Istrias. Pastaj një studim mbi Artistët grekë (1871) e, më tej një përshkrim nga një vizitë që ka bërë në Muzeun e Felice Schiavoni-t. Ky piktor ka qenë edhe autori i shumë portreteve që ne trashëgojmë sot nga Elena Gjika, i cili në ndonjë rast ka bashkëpunuar edhe me piktorin parizian, Adolfo Salmon.
Gati në të gjitha jetëshkrimet dedikuar Dora d’Istrias, theksohet edhe kontributi i saj si piktore e pjesëmarrja e saj në ekspozita, mirëpo deri më sot ka qenë a pamundur të demonstrohet ndonjë vepër e realizuar prej dorës së saj. Në lidhje me shkrimin: “Një verë në brigjet e Danubit”, Cecheti na thotë se ai është shoqëruar me një dizenjo nga një pikturë e Dora d’Istrias e titulluar: Pamja nga Borçia – Rumani. Ky artikull i botuar në revista ‘Illustration’ (9.II.1861), vërtet e kishte këtë dizenjo, por veç portretit të Dora d’Istrias të mirënjohur gjetëm aty edhe tre grafika të tjera që ilustronin shkrimin e saj dy prej të cilave janë të firmosura nga autorë të tjerë.
Një informacion të ngjashëm Cechetti na referon edhe për shkrimin “Kryengritja kreteze” e cila është publikuar në të njëjtën revistë më 10 e 26 janar të viti 1867. Koleksionin që mundëm të shfletonim i mungonin këto data megjithatë për këtë fakt Cechetti shkruan se aty: janë stampuar disa dizenjo të vend-fushimeve të kryengritësve të Kandia-s të nxjerra nga fotografi të dërguara nga autorja. Të jenë këto dizenjo të realizuara nga vetë Dora d’Istria? Apo ajo ka bërë thjesht fotografitë? Pavarësisht nga këto njoftime të pakta, Dora d’Istria kishte zakon t’i shoqëronte shpesh shkrimet e saj edhe me ilustrime, shumë prej të cilave janë piktura apo grafika.
Në tetor të vitit 1870, ajo u stabilizua në Firence dhe fill më 1871, filloj të blejë terrenet rreth e rrotull shtëpisë për ngritjen e kopshtit të saj. Projekti me këtë rast, sipas fjalëve të Prof. Dot. Dimetrio Bargellini, u realizua nga një prej arkitektëve më të shquar të Parisit. Pra siç shihet raportet e Dora d’Istrias me artin mbeten akoma një kapitull i pashkrojtur.
Duke u kthyer tek bibliografia e Cechettit, në pjesën e gjashtë trajtohen artikujt me karakter politik, ku na ka rreshtuar 13 shkrime. Mes atyre që kanë pasur më shumë jehonë gjejmë: “Mbi bashkëvllazërinë e popujve latinë dhe vepra e tyre në zhvillimin e njerizimit” (1856); “Përgjigje deputetit grek që erdhi nga Triestja në Venedik” (1867); “Letër Dhomës Legjislative të Athinës” (1867) “Përgjigje komiteti të grave epirote-thesale-maqedone” (1867); “Panhelenizmi” (1867).
Pjesa e shtatë dhe e tetë i dedikohen historisë dhe udhëtimeve. Në total janë 50 publikime të karakterit të ndryshëm gjë që tregon edhe për impenjimin e veçantë të Dora d’Istrias në këtë drejtim. Ndër shkrime apo studime që panë dritën edhe si vepra më vete mund të shënojmë: “Gratë në Orient” (Zurig 1860), “Shqiptarët në Rumani” (Firence1873) e “Heronjtë e Rumanisë” (Firence 1887), që u botua nën kujdesin e P. Mantegazza. Mes artikujve apo studimeve më në zë të kësaj periudhe janë: “Ishujt jonianë” (1858), “Kombi helen sipas historianëve” (1860); “Kryengritje kombëtare serbe, sipas këngëve popullore”, (1868), “Gratë në perëndim”, (1860-1861), “Vasiliqija”, (1868 e më 1869) “Kleftët e Greqisë moderne”, (1868), “Gratë në Indi”, (1871), “Roma kryeqytet” (1871), “Azija dhe aziatikët”, (1871) etj.
Mes veprave historike zënë vend studimi për Bushatllinjtë e Shkodrës (1868) dhe për Ali Pashë Tepelenën (1870), të dyja nën titullin e përbashkët “Shqiptarët myslimanë”, të botuar në revista “Nuova Antologia e Firences”. Mbi familjen Gjika ajo trajtoi gjatë në studimi “Shqiptarët e Rumanisë” i cili pasi u botua në rivista “Europea” (1871-‘73), doli edhe si vëllim më vete i përkthyer në italisht nën kujdesin e vetë B. Cechettit (1873). Fill me daljen e librit kemi dhe recensionet e para të botuara në revista “Cornelia” (16 gusht 1874) nga C.F. Gaba.
Një përmbledhje studimesh ku trjatohet edhe ky problem kemi së fundi nga Kristia Maksuti (2001). Në kjo vepër preket edhe origjina e kësaj familje për të cilën Elena saktëson se Gjikat kanë prejardhje shqiptare, duke shmangur kështu të gjitha hipotezat që pretendonin të devijonin origjinën e kësaj familje. Mirëpo tregohet e rezervuar të fiksojë, se nga cila zonë e Shqipërisë është familja e saj dhe për çfarë arsye të parët e Gjikajve u shpërngulën në Azinë e Vogël. Mbi këtë çështje ajo shkruan:
Kur të njihen më mirë klanet e Shqipërisë të padepërtueshme, historianët mundet të gjurmojnë më mirë, se cilit prej tyre i përkisnin të parët e Gjikaive. Deri tani është e ditur se ndër Klemendasit, një nga fiset më të shquara të Gegërisë, gjenden Gjokajt (Giocai), e meqenëse Gjoka e Gjika janë sigurisht një emër identik, mund të hamendësohej që Gjikajt të rridhnin nga fisi i Kelmendit, të cilët për traditë mbahen me origjinë veneciane.
Vepra “Shëtitje në Rumeli dhe në More” (Zurig 1863) ku flitet edhe për shqiptarët e Greqisë, u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku. Pjesë të saj filluan të përktheheshin e të ribotoheshin në periodikë të ndryshëm, mirëpo në Kostandinopojë botimi i saj i përkthyer greqisht në revista “Evridiki”, u ndërpre me urdhër të Sulltanit.
Ndër përshkrimet e udhëtimeve vendin e parë që e bëri të njohur në Evropë, e zë vepra “Zvicra gjermane” dhe ngjitja në Mönch (Paris, Genevra 1856) e cila u përkthye në anglisht dhe gjermanisht, ndërsa më 1857-‘58, pati një ribotim të përpunuar e me shtesa në frëngjisht. Sot jo të gjithë janë dakord se Dora d’Iastria e ngjiti me të vërtetë majën e Monk-ut mbasi edhe një nga udhërrëfyesit nuk pranoi ta nënshkruante dëshminë që ajo publikoi në këtë vepër. Mirëpo pavarësisht nga këto debate të sotme, vepra në atë kohë bëri një bujë të madhe dhe Helena diti me mjeshtëri artistike të tërhiqte rreth vetes së saj vëmendjen e gjithë evropianëve.
Mjaft shkrime të kësaj natyre filluan të botoheshin në vazhdim si: “Zvicra italiane”, (1856), “Tiçino”, (1856), “Lugano”, (1856), “Ngjitja në San Salvador”, (1859), “Peizazhe dhe dhurata nga Zvicra italiane”, (1860), “Një shëtitje në brigjet e Lago Maggiore”, (1864), “Shëtitje në Toskanë”, (1868, “Gjiri i Species”, (1867), “Kujtime nga Kanton Tiçino”, (1867), “Një ekskursion nëpër Itali” -I. “Një shëtitje në Pompei” -II. “Montenero” – III. “Firence”, (1869), “Një dhuratë nga Spezia”, (1869), “Një pelegrinazh në vari i Dantes”, – (1869), “Venecia 1867”, (1870), “Alpet”, (1870), “Pegli”, (1872), “Gjiri i Rapallos”, (1873), “Karnavalet e Venecies”, (1867) etj., të cilat gjithashtu ishin të mirëpritura nga shumë lexues, për të cilët përshkrimet gjeografike ishin mjaft të modës.
Pjesa e nëntë dhe e dhjetë e bibliografisë të Cechetit përmbledh romancat dhe shkrime të ndryshme. Mes tyre gjejmë shkrimin “Projekte shqiptare”, (“Esquisses albanaises”) të botuar në revista Gréce e Athinës në janar dhe shkurt 1868. Duke kultivuar interesa të ndryshme, Dora d’Istria nuk la mënjanë as pasionin e saj të madh për kopshtarinë e drurët e rrallë dekorativë. Kjo filloi nga momenti që u vendos në Firence (1870) dhe vazhdoi deri në fund të jetës së saj. Një vepër të veçantë për këtë qëllim i ka dedikuar Prof. Dot. D. Bargellini (1887), drejtor i Institutit Botanik të Firences, i cili u përqendrua në përshkrimin e 60 drurëve më të veçantë që ishin rritur nën kujdesin e vetë Dora d’Istrias dhe i jepnin kopshtit një hijeshi madhështore, të cilët sipas fjalëve të vetë Prof. Bargellini-t (Barxhellinit), i bëjnë nder qytetit tonë, dhe Asaj që me aq dashuri e mençuri i ka mbledhur dhe i ka kultivuar.
Më 17 nëntor 1888, ditën e shtunë në ora 6 e mbrëmjes në rruga “Leonardo Da Vinçi” nr. 10 (“Villa Istriana”) – Firence, vdes para-kohe princesha Dora d’Istria, në moshën 60-vjeçare, pas një sëmundje që e bënte të vuante prej vitesh. Dëshirat e fundit në testamentin e saj të shkruar me dorën e vet (9 janar 1886), ishte që funerali të zhvillohej me një ceremoni të thjeshtë civile, ndërsa trupi të kremohej në varrezat e Trespinianos (Firence), ku ruhet edhe sot e kësaj dite urna e saj. Tregonte kështu edhe me vdekjen e saj, një akt të lartë civilizimi, por edhe humanizmi të shquar, kur shkruante se: “Je donne a l’école des sourds muets ma maison et mes jardins sis Rue Leonardo da Vinci nr. 10 et Viale Militare”.
Instituti Kombëtar i shurdhmemecëve, ndodhej pikërisht në të njëjtën rrugë dhe kishte nisur jetën e vet dy vjet më parë se Dora d’Istria të shkruante këtë dëshirë në testamentin e saj. Mirëpo nga ana tjetër, nuk la pa shpërblyer nga pasuria e saj ngërzit e familjes, madje deri tek kopshtari i devotshëm që i qëndroi besnik gjithë jetën. Mbas disa vitesh administrata e Institutit vendosi ta shiste “Vilën Istria” dhe kopshtin për rreth saj, deri sa më 1932, duke kaluar dorë më dorë këto pasuri u prishën, për të zënë vend ndërtesa të reja.
Filologu dhe orientalisti i shquar A. De Gubernatis, për një nga takimet e tij të para me Dora d’Istrian, do të shkruante: “Unë nuk e kam njohur si princeshën Elena të Rumanisë, por nga korret e himneve të bukurisë së saj greke, që më kumbojnë rreth e rrotull, himne princash dhe peshkatarësh, poetësh dhe kritikë, e sarmati-ve të ashpër dhe latinëve të këndshëm, duhet të pranoj që nuk bëhet fjalë për një bukuri të stisur, të një Diana të zbehtë, të një lulele të fishkur, por ama të një flake të fortë e të fshehur, gjithmonë e ndritshme e gjithmonë plotë jetë…”!
Rumenë, shqiptarë, grekë, sllavë, latinë e trajtojnë dhe e respektojnë si bashkëqytetaren e tyre të palodhur Dora d’Istrian, sepse ajo ka bërë të tingëllojë në Perëndim fjala e saj e këndshme, e ndjeshme, e gjallë dhe elegante në dobi të të gjithëve: për Orientin e pastaj për latinët ajo shpjegoi cilësitë e gjermanëve, të skandinavëve, të fimaingëvë dhe të anglo-saksonëve, me qëllim që progresi të mos mbetej privilegj i vetëm disa popujve…(rivista “Contemporanea Nazionale Italiana”, Torino, prill 1869). Në vazhdim të këtij mendimi të vyer të Gubernatit, nuk na mbetet gjë tjetër të themi për këtë princeshë, veçse një nga pionieret e para të Evropës së Bashkuar./ Memorie.al












