Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Aksidentet tragjike të ndodhura mbrëmjen e së dielës, më 22 mars 2026, në harkun e pak orëve – i pari në afërsi të Drashovicës përgjatë aksit Kotë–Vlorë me tre viktima dhe i dyti në Divjakë – si dhe goditjet e njëpasnjëshme rrugore në këto tre muaj të parë të vitit në rrethe si Malësia e Madhe, Shkodra, Puka, Lezha, Mirdita, Tirana, Librazhdi, Elbasani, Lushnja e deri në Tepelenë, duket se janë kthyer në një “refren” apo një “rutinë” të frikshme që po merr jetë njerëzish me përmasat e një bilanci lufte. Viti 2026 nisi me këtë shije të hidhur që në ditën e tij të dytë. Mëngjesin e së premtes, 2 janar, një përplasje e fortë mes dy mjeteve në aksin Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Gocaj, u mori jetën bashkëshortëve Elona dhe Petrit Florini, 45 dhe 53 vjeç, me profesion mësuese dhe punonjës policie.
Ndërsa me këtë “listë të zezë” të aksidenteve ne njihemi çdo ditë përmes raportimeve në kohë reale të mediave, duhet theksuar se ngjarje të tilla, shpesh me përmasa po aq tragjike, kanë shoqëruar vendin edhe para viteve ’90-të. Gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, qindra persona humbën jetën në rrugët e Shqipërisë, por siç dihet, ato ngjarje nuk bëheshin kurrë publike. Përkundrazi, konsideroheshin “Sekret Shtetëror” dhe mbi to mbretëronte heshtja absolute.
Nisur nga kjo analogji tronditëse, në këtë shkrim po publikojmë disa prej aksidenteve automobilistike të ndodhura në rrethe të ndryshme të vendit gjatë viteve ’70-’80-të, ku mbetën të vdekur me dhjetëra persona. Përmes këtyre dokumenteve arkivore, do njihemi me emrat e dhjetëra shqiptarëve që humbën jetën në kthesat e Gomsiqes në Pukë, Krrabë të Elbasanit, Potom të Skraparit, Batër të Dibrës, Shpal të Mirditës, Kudhës të Himarës, apo greminat e Leshnicës në rrethin e Sarandës etj., duke plotësuar një kapitull të dhimbshëm dhe pak të njohur të jetës së përditshme në Shqipërinë e gjysmëshekullit të kaluar.
Për këto tragjedi të dikurshme, na njohin dokumentet arkivore sekrete të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme (tashmë të deklasifikuara), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME E DATËS 30 NËNTOR 1977, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN FIERZË – SHKODËR, KU HUMBËN JETËN 5 VETA DHE U PLAGOSËN DISA TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 6.11.1978
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 262
PUKA
Më datën 4.11.1978, ora 12.00, makina “Lumverdhë” që drejtohej nga shoferi Luç Nikoll Turumani, vjeç 32, lindur dhe banues në Shkodër, me punë në Parkun e Fierzës, duke udhëtuar nga Fierza në Shkodër, në fshatin Dardhë, u rrëzua rreth 300 metra në greminë, dhe si pasojë gjetën vdekjen; Agostin Kol Prenga, vjeç 26, nga fshati Raj i Tropojës, Bib Mark Ndoci, vjeç 26, nga Fushë – Arrëzi, teknik në PT Fushë-Arrëz, Fran Pren Dukati, vjeç 24, lindur dhe banues në fshatin Qaf-Mal, polic në Degën e Punëve të Brendshme Pukë, Pal Pren Dukati, vjeç 38, lindur dhe banues në Qaf-Mali, kryetar i Këshillit Popullor (vëllai i Franit), Gani Murat Lumica, vjeç 40, lindur në fshatin Geg-Hysen Tropojë, dispeçër në parkun e Fierzës, ndërsa shoferi është plagosur rëndë dhe është shtruar në spital. Grupi operativ konkludoi se ngjarja ka ndodhur për faj të shoferit.
KRYETARI
PILO SHANTO
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 10 DHJETOR 1980, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN KOMAN-SHKODËR, KU HUMBËN JETËN GJASHTË INXHINIERË TË HIDROCENTRALIT TË KOMANIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 10.12.1980
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 292
SHKODRA
Më 9.12.1980, rreth orës 16.30, në rrugën automobilistike Koman Shkodër, 500 metra afër Urës së Spatharit, u rrëzua në lumë mikrobusi me targa 81-96 e H/C të Fierzës, që drejtohej nga shoferi Ramadan Gjakoviçi. Në të kanë qenë 10 persona. Nga kjo u mbytën inxhinierët e Komanit; Rruzhdi Bazhdari, nga Shkodra, Jorgo Plaku nga Tirana, Ilir Prevazi nga Durrësi dhe Naim Mlloja nga Shkodra, i cili nuk është gjendur ende, si dhe vetë shoferi. Në vend shkoi grupi operativ dhe po merret me gjetjen e kufomës së Naimit.
ZËVENDËSKRYETARI
ALI KORBI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 12 JANAR 1977, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN E BATRËS, KU HUMBËN JETËN 5 DREJTUESIT E NDËRMARRJES GJEOLOGJIKE TË RRETHIT TË MATIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 12.1.1983
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 8
BURRELI
Më datën 10.1.1983, në orën 11, në vendin e quajtur Zona e re e minierës së Batrës, u rrëzua dhe ra në humnerë automjeti “BÇ” me targë MT-98 90, e drejtorisë Gjeologjike të Matit, që drejtohej nga shoferi Bajram Idriz Lika, vjeç 31, banues në fshatin Gurrë e Madhe.
Nga ky aksident mbeti i vdekur shoferi dhe katër veta të tjerë që ishin në makinë: Jani Mihal Alabaku, vjeç 36, drejtor i ndërmarrjes Gjeologjike Mat, anëtar partie; Gaqo Nasi Semini, vjeç 44, sekretar i byrosë së partisë të ndërmarrjes, Ali Çel Raçi, vjeç 32, teknik gjeolog dhe Medi Aqif Çela, teknik ndërtimi. Shkaku i aksidentit ishte dalja e kokës së zbarës nga grupi i timonit. Çështja hetohet.
ZËVENDËSKRYETARI
ALI KORBI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 27 GUSHT 1983, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN PUKË – SHKODËR, KU HUMBËN JETËN 6 VETA, EFEKTIVË TË MINISTRISË SË BRENDSHME E SHËNDETËSISË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 29.8.1983
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 204
Më 27.8.1983, ora 16.30, në rrugën Pukë – Shkodër, makina “Aro” me targë TR 68-98, në vendin e quajtur Qafë-Qeli, u rrëzua nga një lartësi prej 200 metro. Nga kjo mbetën të vdekur: Hektor Muntaz Shehu, vjeç 36, banues në Tiranë, hetues në Degën e Punëve të Brendshme Pukë, Agron Xhevdet Miloti, vjeç 34, banues në Tiranë, punëtor operativ në Degën e Punëve të Brendshme Pukë, Romeo Lena, banues në Tiranë, mësues në Pukë, Dallandyshe Mehmet Çaka, vjeç 30, banuese në Tiranë, me punë në Ministrinë e Shëndetësisë, Vasilika Premti, banuese në Tiranë, mjeke në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Hasan Hoxha, shofer në Ministrinë e Shëndetësisë.
KRYETARI
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 24 SHTATOR 1983, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN RRËSHEN – SHPAL, KU HUMBËN JETËN 4 PUNËTORË TË MINIERËS SË SPAÇIT DHE U PLAGOSËN 5 TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 24.9.1983
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 227
MIRDITA
Më 23.9.1983, ora 9.30, në rrugën automobilistike Rrëshen-Shpal, në vendin e quajtur “Shkalla e Madhe”, automjeti “Skoda”, me targë PU 55-56, me rimorkio i Parkut të Fushë-Arrësit, që drejtohej nga shoferi Ndue Pjetër Nikolla, vjeç 25, banues në fshatin Gojan Pukë, duke u këmbyer me automjetin “Skoda” të Parkut të Mirditës, me targa MR 63-59, që drejtohej nga shoferi Pal Vnela, vjeç 33, ka rënë në greminë.
Nga kjo mbetën të vdekur Mark Preng Brozi, vjeç 40, banues në fshatin Gëziq Mirditë, punëtor në SMT; Nik Mark Brozi, vjeç 13, banues në fshatin Gëziq Mirditë, nxënës, Hil Ndue Gjeçi, vjeç 23, banues në fshatin Gëziq Mirditë, punëtor në Park dhe Pashk Mark Marku, vjeç 18, banues në fshatin Gëziq Mirditë, punëtor në minierën e Spaçit, si dhe u plagosën Tonin Mark Marku vjeç 18, banues në fshatin Gëziq Mirditë, punëtor në minierën e Spaçit, si dhe u plagosën Tonin Mark Doka, vjeç 19, banues në Fushë-Mirditë, punëtor në bonifikim, Mëhill Frrok Marku, vjeç 18, banues në fshatin Gojan-Pukë, dhe shofëri Ndue Pjetër Nikolla, punëtor në Bonifikim, banues në Mirditë, dhe shoferi Ndue Pjetër Nikolla, të cilët u shtruan në spital. Shoferi është ndaluar.
KRYETARI
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 7 KORRIK 1985, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN BURREL – ULZË, KU HUMBËN JETËN PESË PERSONA DHE U PLAGOS RËNDË SHOFERJA E AUTOMJETIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 7.7.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 161
BURRELI
Më datën 6.7.1985, në rrugën automobilistike Burrel-Ulzë, në vendin e quajtur Ura e Karicës, automjeti me targë KR 75-20, që drejtohej nga Drita Rakip Disani, vjeç 28, banuese në Laç, ka goditur karrocerinë e një zetori, i cili është rrëzuar 100 m. poshtë rrugës dhe për rrjedhojë gjetën vdekjen Mark Jak Gjini, vjeç 30, banues në fshatin Fushë-Baz, dhe Ismail Xhafer Ibrahimi, vjeç 28, banues në fshatin Karicë, Llesh Pal Sokolaj, vjeç 32, banues në fshatin Baz, Gjet Kol Gjini, vjeç 35, banues në fshatin Fushë-Bazë, Gëzim Rami Marku, vjeç 30, banues në fshatin Karicë, traktorist, kurse traktoristi i zetorit, Faslli Hyseni, është shtruar në spital, në gjendje të rëndë, për këta, shoferja u ndalua.
ZËVENDËSKRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
GJERGJI THANO
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 4 KORRIK 1987, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN ULZË – SKURAJ, KU HUMBËN JETËN KATËR PERSONA DHE U PLAGOS RËNDË TRE TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 4.7.1987
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 156
MATI
Më datën 3.8.1986, në rrugën Ulzë-Skuraj, në vendin e quajtur Ferr-Shkopet, doli jashtë rruge automjeti “Tatrra” targë 40-16 që drejtohej nga shoferi Haxhi Hysen Hoti, vjeç 24, me punë në ndërmarrjen e transportit të ndërtimit Shkodër, e për rrjedhojë gjetën vdekjen Lulzin Xhevdet Koçi, vjeç 19, nga Ostreni i Madh Dibër, punëtor, dhe Skënder Adem Kurti, nga fshati Prell Mat, vjeç 19, si dhe dy persona të tjerë të paidentifikuar. Janë plagosur edhe tre të tjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut. Nga hetimet paraprake, del se shoferi është verbuar nga shkarkimet atmosferike para automjetit. Shoferi u ndalua.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 5 DHJETOR 1987, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN RRËSHEN-MILOT, KU HUMBËN JETËN PESË PERSONA DHE U PLAGOS RËNDË DISA TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 7.12.1987
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 289
MIRDITA
Më datën 5.12.1987, në rrugën Rrëshen-Milot, në fshatin Fierzë, është rrëzuar makina “Saurrel” e Parkut të Krujës, ku ishin 11 pasagjerë, nga të cilët pesë veta vdiqën, midis tyre dhe shoferi Avdulla Qamil Hoxha, 2 janë shtruar në spital në gjendje të rëndë. Shkak ka qenë kryqëzimi me “Saurrelin” 52-61 që drejtohej nga Ndue Prenga, i cili u ndalua./ Memorie.al
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
Vijon numrin e ardhshëm















