Nga Arben Pustina
Pjesa e dytë
– Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
PARATHËNIE
Memorie.al/ Ky libër synon të përcjellë te publiku imazhin e një njeriu perfekt, i cili jetoi në kohëra të tjera, por që ishte shembulli më i mirë, jo vetëm i asaj që mund të përfaqësojë një njeri i zakonshëm, por, në radhë të parë, si shembulli i një shtetari fisnik, të shquar, të gjithëdijshëm e, mbi të gjitha, të ndershëm. Duke pasur në gjene virtytet fisnike të prejardhjes së tij, duke u formuar si personalitet në një ambient të mrekullueshëm, siç ishte Shkodra e fillimit të shekullit XX-të, dhe duke u diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të Europës, siç ishte ai i Vjenës, Rrok Gera kishte gjithë potencialin për të qenë një ndër figurat e rëndësishme, që i dhanë hov një zhvillimi të vrullshëm nëpërmjet reformave të gjithanshme në Shqipëri, në vitet ’30-të të shekullit të kaluar.
Ky zhvillim arriti kulmin me qeverinë e Mehdi Frashërit, e cilësuar ndoshta si qeveria shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave, e formuar në pjesën më të madhe nga persona jopolitikë, mes të cilëve ishte edhe Rrok Gera. Për 10 vjet, apo më shumë, si ministër apo në funksione të tjera të larta shtetërore, ai punoi me bindje se po ecej në rrugë të drejtë për konsolidimin e shtetit shqiptar, proces për të cilin thoshte se nuk kishte kohë për të humbur. Ekonomist, financier, diplomat, jurist, Gera ishte një specialist që çau përpara drejt majave me profesionalizmin e tij në një ambient ku tarafet e vjetra, që ishin pothuaj mbizotëruese në politikë e në qeverisje, erdhën duke humbur terren përballë njerëzve të rinj e të arsimuar mirë.
KTHIMI NË SHQIPËRI DHE AKTIVIZIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE
Në vitet 1928-1929, Shqipëria reflektonte krizën e rëndë ekonomike (më të rëndën që njeh historia e ekonomisë së tregut), e cila kishte mbërthyer krejt botën e zhvilluar. Përveç ndikimit të krizës globale, vendi ynë ndiente edhe prapambetjen e trashëguar nga pushtimi osman dhe luftërat pa fund që vinin për shkak të lakmisë grabitqare të fqinjëve tanë. Më 1929-ën, reformat sapo kishin filluar të merrnin hov dhe, për t’i dhënë drejtim zhvillimit të gjithanshëm të vendit, nevojiteshin njerëz të rinj, të shkolluar mirë e me mjaft ide në kokë. Por, siç do shohim edhe më vonë, “të rinj” e “të vjetër” do të ishin vazhdimisht në një lloj rivaliteti, ku këta të fundit kishin më shumë përparësi.
Ndaj “të rinjtë”, ndonëse përfaqësonin maksimumin në planin profesional dhe intelektual, e kishin të vështirë të çanin përpara. Kështu shpjegohet dhe fakti që Rrok Gera, megjithëse ishte diplomuar shkëlqyeshëm në Austri, priti dhjetë muaj për t’u punësuar, pas kthimit të tij nga Vjena. “…Studimet i kam krye me bursë të shtetit, në dispozitim të të cilit ndodhem qysh në Gusht 1928, këtu në Tiranë, ku më mban vllau i em…”, shkruante ai në jetëshkrimin e tij të datës 10 prill 1929, përcjellë Kryeministrisë. Por gjatë kohës që priste, ai nuk ndenji pasiv. Kështu, në shkurt të 1929-ës, Gera pati një letërkëmbim me Vlash Dovanën, në Durrës, në përpjekje për themelimin e një banke tregtare. Në njërën nga letrat drejtuar Dovanës, Rrok Gera, theksonte se, një ndër degët në të cilat ai ishte diplomuar në Universitetin e Vjenës, ishte dhe ajo për bankat…!
Ditët kalonin e, më në fund, më 19 maj 1929, Gerës i ofrohet posti i shefit të Seksionit Financiar në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare dhe i zëvendës komisarit për shoqëritë Anonime. Pikërisht në këtë kohë, ai caktohet edhe si delegat i Zyrës së Shtypit pranë Kryeministrisë, që të shoqërojë shkrimtarin e njohur austriak, Friedrich Walisch, në udhëtimin e tij nëpër Shqipëri. (14 AQSh, fondi 803, dosja I-144, viti 1929, fleta 30. A.Q.Sh., Fondi 460 (Firma Dovana), dosja 18, shkurt-mars 1929).
Në bazë të përshtypjeve të këtij udhëtimi, Walisch botoi në Shtutgart, në vitin 1931, librin me titull “Neuland Albanien” (Shqipëria një vend i ri). Wallisch ushqente një simpati të veçantë për vendin tonë dhe nuk ishte rastësi, Rrok Gera, që vepra e tij e parë titullohej “Shqiponjat e Skënderbeut”. Ndonëse ai shkroi dhe vepra të tjera që kishin si temë Shqipërinë, apo Ballkanin, “Neuland Albanien”, mbetet puna më e plotë e Wallisch për Shqipërinë. Në dedikimin e shkruar në librin e tij, dhuruar Gerës, ai shprehte falënderimin dhe e konsideronte atë bashkëpunëtor dhe mik të ngushtë. Po kështu, diku në mes të rreshtave të “Neuland Albanien”, autori shkruante: “…Më shoqëron Rrok Gera, një zyrtar ministrie, një gjysmë vjenez, i kulturuar deri në majë të gishtave, që ka mbaruar shkollën e mesme në Linz, të lartën në Vjenë dhe në moshë të re ka arritur sukses në detyra shtetërore”.
Në një artikull të “Gazetës së Re”, datë 2 korrik 1929, ku shkruhej për një darkë lamtumire të shtruar nga Ministria e Jashtme në Hotel “Continental”, në Tiranë, për nder të shkrimtarit Wallisch dhe bashkëshortes së tij, Rrok Gera përmendet edhe si sekretar i degës së Shoqatës Austri Shqipëri. Po në këtë darkë, Walisch, gjen rastin ta falënderojë sërish Gerën për kujdesin e madh që tregoi në udhëtimin e tyre nëpër vise të Shqipërisë. Dhe vërtet, në faqet e librit të tij “Neuland Albanien”, shkrimtari i njohur austriak, rrëfente shpesh për “peripeci” të ndryshme të udhëtimit, të zgjidhura këto më së miri nga ndërhyrjet e Gerës, të cilin e cilësonte si një shoqërues ideal. Në rreshtat e librit në fjalë, Walisch shkruante për të si një njeri me shumë humor, e që në zona jo dhe aq të sigurta të udhëtimit, mbante lart moralin, duke vërejtur ndërkohë se atje duheshin vendosur njerëz, që mos të kishte më mundësi sulmesh ndaj udhëtarëve.
Një herë tjetër, shkrimtari austriak tregonte se si Rrok Gera, shpërtheu në një predikim moral ndaj një tregtari mashtrues që, deshi t’ia ndërronte mallin zonjës Walisch, sy ndër sy, duke i dhënë një çantë më pak cilësore, krahasuar me atë që i kishte treguar në fillim. “…U desh, – shkruante autori i librit, – që Gera të hidhte në peshore të gjithë dinjitetin e tij si nëpunës i shtetit, që të bindte tregtarin të nxirrte çantën që vlente vërtet, pesë korona”. Në një rast tjetër, ndërsa ktheheshin nga Shkodra, kishin takuar një grup ciganësh që kishin me vete disa arinj. (Friedrisch Walisch: “Neuland Albanian”, Shtutgart 1931, S. 35.). “Në kohën që unë dhe fotografi i Kryeministrisë, po i fotografonim, ciganët filluan të çirreshin duke kërkuar para, dhe u desh përsëri ndërhyrja e Gerës, për të qetësuar situatën”, – shkruante austriaku.
Në një tjetër situatë të pakëndshme gjatë udhëtimit, një shofer kamioni u kishte zënë rrugën dhe nuk kishte ndër mend të lëvizte. “Atëherë, – tregon Walisch, – shoqëruesi ynë i udhëtimit, Rrok Gera, i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij, fillon të flasë me shoferin, së pari në mënyrë të sjellshme dhe pastaj energjikisht, duke vazhduar me artilerinë e rëndë: dinjitetin dhe titujt e udhëtarit austriak, të cilat fillojnë të tingëllojnë gjithnjë e më lart e në mënyrë më madhështore, derisa sa u rritën në shkallën e një titullari me influencë…”. Gera dhe Wallisch, do ta ruanin miqësinë për një kohë të gjatë dhe, për koincidencë, ndërruan jetë pothuaj në një kohë. (Rroku më 28.01.1969 dhe Walisch më 07.02.1969). Përveç Walisch, mbështetjen e Rrok Gerës për nisma të tilla, e mori dhe një grup austriakësh që kishin planifikuar një ekspeditë në Alpet e Shqipërisë. Si profesionistë të vërtetë që ishin, dr. Georg Heinsheimer, dr. Egon Hofmann dhe prof. dr. Heinrich Schatz, realizuan më parë një udhëtim përgatitor, për shkak se po shkonin në një vend që nuk e njihnin fare.
Nisur nga rekomandimet e vlefshme të gjeologut të njohur Ernst Novak, për promovimin e nismës së tyre ata morën fillimisht mbështetjen e Përfaqësisë Diplomatike të Shqipërisë në Vjenë. Më pas, në pranverën e vitit 1930, austriakët erdhën në Shkodër, ku morën informacion të shumtë nga françeskanët (një pjesë e madhe e të cilëve kishte studiuar në Tirol), që njihnin mirë zonat e maleve të veriut të Shqipërisë, ku kishin shërbyer dhe që u premtuan, ndër të tjera miqve nga Austria edhe një udhërrëfyes që dinte të komunikonte në gjuhën gjermane. Shumë të kënaqur për qëndrimin në Shkodër, austriakët lanë “Grand Hotelin” dhe udhëtuan drejt Tiranës. Sikurse shkruanin në artikullin e tyre me titull “Eine Bergfahrt in das nordalbanische Gebirge 1930” (Një ngjitje në malet e Shqipërisë veriore 1930), botuar në “Zeitschrift des Deutschen und Österreichischen Alpenvereins” (Revista e Klubit Alpin gjerman dhe austriak), në kryeqytetin shqiptar, austriakët gjetën mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Rrok Gera, i cili u kujdes që ata të merrnin rekomandimet dhe lejet zyrtare, shumë të nevojshme për udhëtimin e tyre në Veri.
Gjithashtu, ai u kujdes që austriakët të mos paguanin doganë për materialet dhe pajisjet e nevojshme për ekspeditën alpine, që u realizua në gushtin e vitit 1930. Prof. dr. Heinrich Schatz, vlerësonte në artikullin në fjalë, se “…mbështetja e z. Gera, ishte shumë e vlefshme dhe se suksesi i ekspeditës në Alpe, ishte siguruar kryesisht falë ndihmës së tij të çmuar”. Rrok Gera ishte emëruar në postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave, më 18 qershor 1930. Ashtu si një numër intelektualësh të arsimuar në shkolla perëndimore, ai ishte vërtet entuziast në atë kohë për mundësinë e vënies në praktikë të njohurive e koncepteve moderne që kishte përfituar në Austri. Në vjeshtën e vitit 1932, ishin konstatuar probleme në sasitë e pullave që vinin me paketa nga Shoqëria “Stamles”. Drejtoria e Thesarit, u’a bënte të ditur këtë gjë drejtuesve të Ministrisë së Financave.
Nisur nga kjo, Rrok Gera, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, më 27 shtator 1932, i drejtohej me anë të një letre ministrit, duke e informuar atë se sasitë e pullave brenda paketave të vulosura nga “Stamles”, nuk përputheshin me çfarë ishte shënuar mbi paketa, pra kishte diferenca. Sipas Gerës, fajësinë për këtë e kishte kryesisht “Stamles”, e cila nuk kishte respektuar kontratën përkatëse. Ndaj Gera, i përcillte ministrit propozimin për gjobitjen e shoqërisë “Stamles”, si dhe heqjen e vërejtjes me shkrim personelit të ministrisë që, nuk kishte mbikëqyrur në rregull zbatimin e kontratës përkatëse. Pas diskutimeve për këtë çështje, më datë 24.01.1933, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, i drejtohej Drejtorisë së Thesarit me udhëzimin që, në rast se rezultonin mangësi gjërash me vlerë në paketat e shtypura në atë kohë nga shoqëria “Stamles”, kësaj shoqërie duhej t’i ndalej garancia për mospërmbushje të njërit prej kushteve të kontratës.
Gjithashtu, “Eine Bergfahrt in das nordalbanische Gebirge 1930”, “Zeitschrift des Deutschen und Österreichischen Alpenvereins”, Band 62, Jahrgang 1931, Insbruk, S. 172. (A.Q.SH., fondi 178, viti 1932, dosja I-3539, fleta 2). Gera nuk përjashtonte nga përgjegjësia nëpunësit kompetentë që kishin mbikëqyrur transportin, numërimin dhe marrjen në dorëzim të paketave. Për çështjen e pullave, pati dhe një gjyq që zgjati rreth katër vite me radhë (1932-1936), i njohur ndryshe si “Gjyqi i pullave”. Bëhej fjalë për një skandal financiar, lidhur me pullat e monopolit. Gjyqi zhvillohej ndaj një nëpunësi të ministrisë në fjalë, i cili ishte i akuzuar për këtë skandal.
Në gjyq dëshmoi edhe Rrok Gera dhe, lidhur me këtë dëshmi, në gazetën “Besa” të datës 21 tetor 1933, shkruhej se si vetë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, tregoi në rolin e dëshmitarit se, sapo kishte filluar detyrën në dikasterin e financave, kishte kërkuar hartimin e një rregulloreje të brendshme për gjërat me vlerë: “…Z. Gera përgjigjet: Zotnija e tij (i referohej njërit prej të akuzuarve. – Shën. im, A.P.) asht drejtuesi i Thesarit dhe si i tillë, ka në drejtimin e tij, ndër të tjera dhe gjestionin e arkës e të gjanave me vlerë. Kur në qershuer 1930 u emnova Sekretar i Përgjithshëm, kam dasht të vehem në korrent, si për të tjera veprime, edhe mbi gjendjen e gjanave me vlerë.
Kur pashë se gjendja nuk funksiononte në rregull, ju luta ndihmësit të organizatorit, z. Nodari, që të hartonte një rregullore të brendshmesh. Rregullorja e plotësueme në këtë mënyrë iu paraqit prej z. Merlino, ministrit t’athershëm, Z. Kol Thaçi, i cili ia solli Këshillit Kontrollues për pëlqim. Rregullorja e pëlqyeme, së bashku me pasqyrat përkatëse, i’u kthye Ministrisë së Financave dhe në mungesë teme, asht evadue prej Drejtorit të Kontabilitetit, z. Naraçi, dhe me libër dorëzim i asht dorëzue Drejtorisë së Thesarit…”.
I pyetur se, pse nuk u vu në zbatim kjo rregullore, Gera u përgjigj se “…ishte e pamundur, pa pasë plotësue elementët për të ditun gjendjen efektive të gjanave me vleftë…”! Ndërsa, i pyetur se pse nuk ishte marrë ndonjë masë disiplinore mbi vonesat e veprimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave u shpreh se: “…po të qe nevoja që edhe drejtorëve t’u hiqet vërejtje or e çast për t’u kujtue detyrat origjinale të tyre, aparati shtetnuer nuk do të funksiononte kurrsesi…”. Nëpërmjet dëshmisë së Gerës në këtë gjyq, mësojmë diçka edhe për procedurat e shtypjes së pullave të monopoleve dhe vendeve ku ato prodhoheshin: …“Dëshmitari (Rr. Gera – Shën. im, A.P.): Procedura e shitjes asht kjo: Vendoset, bahet nji kontratë me fotografi dhe caktohet nji nëpunës për mbikëqyrjen e veprimeve të shtypjes, për të cilat mbahet çdo ditë nga nji proces-verbal, bahet kolaudimi në Ministrinë e Financave, ku nëpunësi i gjanave me vlerë i merr në dorëzim, në bazën e një procesi të posaçëm.
Shtypje pullash janë të ndryshme, në vjetin 1924 në Milano, në 1925 në Korfuz, në 1927 në Paris. Proceset e shtypjeve së dy të fundit, kam konstatua si anëtar i Komisionit Hetues, se mungojnë krejt. Bile pullat e shtypura në Paris në kohën e ish ministrit Z. Sulejman Starova, kur kam ardhë un në Ministri, kam dëgjue se kanë ndenj pa u dorëzua në korridoret e Ministrisë”. Në kuadrin e reformave të gjithanshme që ndërmerreshin në fillimet e viteve ’30-të në Shqipëri, Ministria e Financave, kishte një vëllim të madh pune për të bërë, para së gjithash në fushën e përgatitjes së ligjeve të reja. Kur Rrok Gera ishte Sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, u përgatitën shumë projektligje të rëndësishme, kryesisht për çështjet e taksave dhe doganave.
Një projektligj tepër i rëndësishëm e vërtet progresiv për reformimin e sistemit tatimor, për të cilin ka kontribuar Rrok Gera, ishte projektligji që kishte si qëllim zëvendësimin e taksës së “prodhimeve tokësore”. Me gjithë përpjekjet e forta e disavjeçare të Gerës, titullarët Ministrisë së Financave, në vitet 1930-1934, nuk e morën në konsideratë miratimin e një projektligji të tillë, edhe pse ishte shumë i rëndësishëm. Vetëm pas ardhjes së Abdurrahman Dibrës, në krye të Ministrisë së Financave, projektligji arriti të miratohej nga Parlamenti në vitin 1935. Sa ka kontribuuar Gera për këtë projektligj, mund të kuptohet lehtë nëpërmjet letrës që ai i dërgonte Kryeministrit Mehdi Frashëri, më 22.07.1936, (A.Q.Sh., fondi 178, Dosja I-1825, viti 1935, fletët 1-6).
Sikurse thamë, ligji “Për zëvendësimin e të dhetës me tatim të zbritun në të holla”, u miratua në parlament dhe më pas u dekretua, duke u konsideruar nga të gjithë, ashtu siç theksohej edhe te botimi “Shqipënija më 1937”, një hap i madh reformues: “…ky hap i madh reformues, karakterizohet nga sakrifici fiskal që shteti vetë mori përsipër me dije dhe dëshirë të plotë, me këtë vetëm e vetëm për hirin e çrrënjosjes së një gjendje shtypëse dhe të padurueshme qi, rëndon tej mbi bujkun katundar nga mërzitinat e dhetarit lakmues, të cilin vetë dispozitat e ligjës anakronike, e mbronin dhe e inkurajonin në abuzimet e tija, në dëmin e katundarit”…! Edhe sot, historianët vlerësojnë zëvendësimin në 1935-ën, të taksës së të dhjetës, duke e cilësuar atë një sukses historik për politikat ekonomike.
Duke u ndalur në këtë çështje, në një botim të tij, historiani i njohur, Beqir Meta shkruan: “…Eliminimi i së dhjetës përbënte një sukses historik të të gjithë politikës ekonomike të shtetit shqiptar, ai ishte hapi më i rëndësishëm progresiv në modernizimin dhe reformimin e sistemit tatimor. Si i tillë, ky ndryshim do të sillte pasoja pozitive me karakter ekonomik dhe social. Në radhë të parë ai frenoi njërin nga antagonizmat më të fuqishme socialë të kohës, midis fshatarësisë dhe sipërmarrësve të së dhjetës, ndikoi për uljen e tensioneve sociale që kishin tronditur vendin prej shumë dekadash. Sy dyti, me ndryshimin e së dhjetës u shkul nga rrënjët një nga plagët më kanceroze të bujqësisë, që po e atrofizonte atë. Efektiviteti i këtij ndryshimi u ndje në vitet që pasuan”.
Pikëpamjet dhe idetë e tij profesionale, Rrok Gera, nuk ngurroi t’i hidhte në letër e t’i botonte në revista dhe gazeta të ndryshme. Për idetë e tij për çështje të financave dhe ekonomisë, ai kishte shkruar që më 1927-ën (Revista “Djalëria”) e më pas në 1929-ën (Gazeta “Bota e Re”), para se të hynte në punë. Kështu, në muajt e parë të vitit 1929, në faqet e “Gazetës së Re”, Gera botoi disa artikuj me karakter ekonomik e financiar, që tregonin, veç të tjerash, se ishte shumë i azhurnuar me tema të tilla, siç ishte dhe buxheti financiar 1929-1930. Kujtojmë se bëhet fjalë për artikuj të shkruar në një kohë kur ai nuk kishte hyrë ende në punë.
Në artikullin “Buxheti i Ri“, Rrok Gera theksonte se …“Pyetja ma me rëndësi: se a i paguan gjithkush taksat si mbas takatit që ka, meriton veçmas studime intensive”… dhe ndërkohë nxirrte si përfundim se: “Asht pra në interes të prosperitetit të përgjithshëm të Shqipërisë, si të kohës së tashme, e asaj t’ardhshme si dhe e domosdoshme prej pikëpamjes së drejtësisë, q’i të studiohen rrugë e mjete të reja, për me bë q’i t’kontribuojnë të gjithë nënshtetasit (si mbas gjendjes që kan) për arkën e shtetit…”. Ndërsa në artikullin me titull: “Ndërrimet në Tarifën Doganore”, ai vërente se tarifat doganore në atë kohë, nuk kishin një regjistër mallrash që të vlente jo vetëm për të gjetur taksën e parashikuar për një mall, por edhe një interpretim të tarifës.
“Kishte me u lypë pra, që ndër ndryshimet që do të bahen në tarifën doganore, të merret edhe sistemi i dy shtyllave. Njëna të përmbajë tarifën e përgjithshme, për ato shtete me të cilët nuk kemi lidhje; tjetra të përmbajë tarifën konvencionale për ato shtete, me të cilët kemi lidhje tarifore, që zbatohen edhe për shtete, me të cilët kemi lidhje tregtare me klauzolën e kombit ma të favorizuam. Me këto ndryshime kishte me i’u bë tregtisë nji shërbim i mirë dhe kishim me diftue se kemi kuptim për formë e rregull…”. Në artikullin: “Zhvillimi i bujqësisë kombëtare – Rëndësia e kreditit për reformën agrare”, Rrok Gera nënvizonte pikërisht se ishte e vështirë që Reforma Agrare të arrinte qëllimin e saj, madje ishte e pamundur të bëhej një reformë themelore, pa organizmin e një institucioni të kreditit kombëtar të bujqësisë….! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016