Nga Arben Pustina
Pjesa e tretë
– Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
PARATHËNIE
Memorie.al / Ky libër synon të përcjellë te publiku imazhin e një njeriu perfekt, i cili jetoi në kohëra të tjera, por që ishte shembulli më i mirë, jo vetëm i asaj që mund të përfaqësojë një njeri i zakonshëm, por, në radhë të parë, si shembulli i një shtetari fisnik, të shquar, të gjithëdijshëm e, mbi të gjitha, të ndershëm. Duke pasur në gjene virtytet fisnike të prejardhjes së tij, duke u formuar si personalitet në një ambient të mrekullueshëm, siç ishte Shkodra e fillimit të shekullit XX-të, dhe duke u diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të Europës, siç ishte ai i Vjenës, Rrok Gera kishte gjithë potencialin për të qenë një ndër figurat e rëndësishme, që i dhanë hov një zhvillimi të vrullshëm nëpërmjet reformave të gjithanshme në Shqipëri, në vitet ’30-të të shekullit të kaluar.
Ky zhvillim arriti kulmin me qeverinë e Mehdi Frashërit, e cilësuar ndoshta si qeveria shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave, e formuar në pjesën më të madhe nga persona jopolitikë, mes të cilëve ishte edhe Rrok Gera. Për 10 vjet, apo më shumë, si ministër apo në funksione të tjera të larta shtetërore, ai punoi me bindje se po ecej në rrugë të drejtë për konsolidimin e shtetit shqiptar, proces për të cilin thoshte se nuk kishte kohë për të humbur. Ekonomist, financier, diplomat, jurist, Gera ishte një specialist që çau përpara drejt majave me profesionalizmin e tij në një ambient ku tarafet e vjetra, që ishin pothuaj mbizotëruese në politikë e në qeverisje, erdhën duke humbur terren përballë njerëzve të rinj e të arsimuar mirë.
KTHIMI NË SHQIPËRI DHE AKTIVIZIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE
Përkundrazi, po t’organizohet krediti, reforma do të kishte me pas nji sukses të plotë e s’kishte me kalue shumë kohë e Shqipnia do t’u bante nji vend me të vërtetë i begatshëm”. Po kjo çështje, me argumente shtesë, trajtohej edhe në artikujt “Zhvillimi i bujqësisë kombëtare 25 “Gazeta e Re”, 5 janar 1929. “Gazeta e Re”, 11 janar 1929. “Gazeta e Re”, 26 janar 1929. Për çfarë krediti ka nevojë bujqësia” dhe “Zhvillimi i Bujqësisë kombëtare – Organizimi i kreditit agrar“. Në artikullin e parë, Gera theksonte se…“po të dishrohet nji zhvillim i përgjithshëm, q’i t’i sjelli nji përparim të përhershëm bujqësis kombëtare, duhet organizue nji institut i kreditit agrar nacjonal, i cili të ndihmojë bujqësinë me kredi të lirë e me afat të gjatë…”!
Në artikullin pasardhës, me të njëjtën temë, Rrok Gera theksonte se: “natyra e bujqësisë lypë përgjithësisht kredit me afat të gjatë, prandaj bjen poshtë edhe kujtimi i disave që menduen me e ndihmue bujqësinë tue përdorë kreditin e Bankës Kombëtare…”. Ai arrinte në përfundimin se duhej patjetër një organizim i kreditit agrar dhe, lidhur me formën që duhej të kishte ky organizim, shtronte pyetjen: Do të mjaftonte një organizim në bazë të kooperativave, apo duhej një Bankë Bujqësie? Duke u shprehur në favor të ngritjes së kësaj të fundit, Gera theksonte se… “po të mendojmë se me të ngrehunit e nji banke të bujqësisë, lehtësohet e shpejtohet aq tepër t’arritunit e mirëvajtjes kombëtare e, se i sigurohet bujqësisë (edhe mbas rregullimit definitiv), nji mbështetje themelore, nuk mundemi mos me shprehë këtu dishirin, që organizacjoni i nji të tillë institutit, të bahet nji orë e ma parë”.
Duke vlerësuar rëndësinë e botimeve shkencore të fushës financiare e ekonomike, në janar 1932, Gera, së bashku me Sokrat Dodbibën, themeloi revistën “Ekonomisti shqiptar”. Në parathënien e numrit të parë të kësaj reviste, shprehej qëllimi i saj në ndihmë të prodhuesve e tregtarëve të vendit:
…“Ekonomisti shqiptar”, botohet si organ i Odave Ekonomike dhe si i tillë ka për qëllim kryesor me mprojtur interesat e tri aktiviteteve prodhues: të tregtis, t’industris e zejtaris, dhe të bujqsis, t’ue u dhanë lëvruesve të këtyne aktiviteteve, gjithë informatat e lehtësit e nevojshme për mbarëvajtjen dhe prosperitetin e tyne. Për me e krye këte qëllim, ‘Ekonomisti’ nuk do të kursehet që të botojë në fletët e veta, informata mbi tregtinë me produktet tona dhe me similentët e tyne nëpër tregjet e huaja ma me randsi dhe raporte konsullore mbretnore mbi çeshtje kësodore, lajme ekonomike e tregtare dhe statistika të ndryshme që interesojnë produktorët tonë. Do të ketë bisedime mbi ligje të reja dhe mbi masat e ndryshme që merren kohë mbas kohe prej qeverisë dhe që i takojnë tregtis, industris, zejtaris dhe bujqsis”.
Në artikullin me titull “Problemi ekonomik i Shqipërisë”, botuar në numrin e parë të kësaj reviste, Rrok Gera pohonte se ekonomia e vendit ishte e sëmurë, por kjo jo aq për faj të krizës botërore, sesa nga mosshfrytëzimi i mundësive që kishte vendi, kryesisht në bujqësi, ose, siç shkruante ai: …“nga një krizë nën-prodhimi”. Sipas Gerës, natyra e krizës ekonomike shqiptare shtronte nevojën që zgjidhja e krizës të bazohej në organizimin e faktorëve të prodhimit, të kapitalit të punës e të tokës, që kështu të arrihej plotësimi i nevojave për konsum të brendshëm dhe për eksport e për stabilizimin e prosperitetit ekonomik të vendit.32 Në artikullin tjetër me titull “Problemi i prodhimit shqiptar”, botuar po në “Ekonomisti shqiptar”, ai theksonte se, për zgjidhjen e problemit të prodhimit në vend, thelbësore ishte përcaktimi nga ana e shtetit i drejtimit që do të merrte ekonomia.
Më tej, Gera vërente se, në përpjekje për balancimin e bilancit tregtar, duhej parë mundësia e shtimit të prodhimeve, të tilla si misër, grurë, elb, si dhe bagëtive e produkteve të tyre, për të cilat thoshte: …“jo vetëm që nuk duhet t‘i importojmë, por duhet t’i eksportojmë në sasi të mëdha, pa marrë parasysh krizën e provokuar sot nga rënia e çmimit të tyre në tregun botëror…”. Në vijim të shtjellimit të pikëpamjeve të tij për këtë çështje, Rrok Gera pohonte se këto probleme, si për bujqësinë edhe për industrinë, kishin të bënin kryesisht me mungesën e kreditit. Më tej, ai shprehte edhe mendimin se ngritja e një institucioni për tregtinë e jashtme do të sillte shumë përfitime në drejtim të përmirësimit të eksportit.
Një tjetër rast ku tregohet se sa vlerësonte Gera botimet në fushën e financave dhe të ekonomisë (kjo dhe për shkak të vakumit që ende ndihej në atë kohë), ishte letra përshëndetëse që ai i drejtonte, më 7 shkurt 1934, Haxhi Shkozës, autorit të librit “Financat e Shqipnis”, në të cilën shkruante: “…I nderti zoti Haxhi. Studjova tekstin e librit që mendoni me publikue mbi Financat e Shqipnis dhe përveç respektit që kam për punën e madhe që keni ba, mund të Ju siguroj se ky libër plotëson nji mungesë që besoj se kurrkush ma tepër se un nuk e ka ndij, sepse në te gjeta të përshkruem përmbledhsisht legjislacionin financjar që ka qenë e asht në fuqi në Mbretnin Shqiptare dhe shumë parime që kanë influencue ate legjislacion. Jam i sigurt se ky libër ka me qenë nji mik i çmueshëm i të gjithë atyne që dishrojnë me plotësue ditunin e tyne mbi gjendjen financjare të shtetit tonë, e jo ma pak të gjithë atyne, që prej natyrës së profesionit që ushtrojnë, ndijnë nevojën me pasë nji vepër që përmbledh legjislacionin financjar të Shqipnis”.
Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave ishte shumë aktiv në negociatat dhe me marrëveshjet e realizuara me përfaqësuesit e Bankës Kombëtare të Shqipërisë (që përfaqësonin kryesisht interesat e grupit financiar italian), si dhe me përfaqësues të shtetit italian. Është fakt që qëllimet ekspansioniste të Romës ndaj Shqipërisë kanë ndeshur vazhdimisht në rezistencën e politikave financiare e ekonomike shqiptare. Një ndër ata që përballë synimeve gllabëruese italiane shikonte gjithmonë dhe pa mëdyshje interesin e vendit të vet, ishte Rrok Gera. Megjithëse shumë i ri, ai do të kishte gjithmonë një rol me shumë rëndësi në negociatat e vazhdueshme me përfaqësuesit e Romës, që kishin të bënin me hua, me pretendime për lehtësira, me kërkesa për bashkimin doganor, me aktivitetin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, etj. Kështu, në atmosferën e nderë që ekzistonte në marrëdhëniet mes dy vendeve, në pranverën e vitit 1932, filluan bisedimet ndërmjet Mbretit Zog dhe ministrit italian në Tiranë, Soragna.
Synimi kryesor i italianëve në këto bisedime ishte arritja e bashkimit doganor, për të cilin Soragna pretendonte se: a) për shkak të rrethanave gjeografike dhe për arsye politike, vetëm Italia mund të ishte një destinacion tregtar efektiv për prodhimet shqiptare; b) sistemi italian për marrëveshjet tregtare, bazuar në klauzolën e vendit më të favorizuar, nuk lejonte që eksportet shqiptare drejt Italisë të merrnin trajtim preferencial kundrejt eksporteve të vendeve të treta; c) reperkusionet (pasojat) e paevitueshme ndërkombëtare e bënin të pamundur çdo lloj rimbursimi (propozim ky i palës shqiptare). Ndaj, sipas ministrit italian, bashkimi doganor ishte e vetmja zgjidhje për të gjitha arsyet që parashtronte më sipër. Mbreti Zog, ndoshta qëllimisht, propozimin e italianëve nuk e kundërshtoi menjëherë në mënyrë kategorike. Përpjekjet e tij në atë kohë, për të marrë hua në vende të tjera, si Britani, Francë, etj., kishin dështuar dhe e vetmja rrugë mbetej Italia.
Në takimin me ministrin italian Soragna (siç shkruante vetë ky i fundit në telegramin nr. 1842/714 të datës 16 korrik 1932, dërguar ministrit të Jashtëm të Italisë, Grandi), Mbreti Zog i propozoi atij si negociator për çështjet e diskutueshme lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Rrok Gera, si dhe Mehdi Frashërin: “…kështu ramë dakort që Mbreti do të vinte në dijeni Mehdi Frashërin dhe unë do të filloja diskutimet me të e, kur të shkonte puna në detaje, do të diskutohej me z. Gera… Gjatë kësaj kohe do të duhej të eliminonim një numër sa më të madh problemesh, jo aq duke i zgjidhur, sesa duke projektuar mundësinë e zgjidhjes së tyre… Gera e Mehdi beu mund të kryenin udhëtime në Romë për problemet më të veçanta.
Negociatat vazhduan për rreth një vit dhe u mbyllën pa një përfundim, për faktin se pala shqiptare, ku, sikurse u tha më sipër, përfshihej edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gera, nuk pranoi bashkimin doganor, projekt të cilin italianët do ta realizonin menjëherë pas pushtimit, me nënshkrimin më 20 prill 1939, në Tiranë, të “Convenzione-Doganale-Valutaria tra il Regno d’Italia e il Regno d’Albania”. Mungesa e theksuar e mjeteve financiare në vitet 1933- 1934 (pasi qeveria e Musolinit shtoi presionet ndaj Shqipërisë duke udhëzuar legatën italiane në Tiranë që të pezullonte pagimin e mandateve të huas 10-vjeçare prej 100 milionë fr. ar), bëri që autoritetet shqiptare të mendonin për gjetjen e disa rrugëve dhe mënyrave për plotësimin e këtyre mungesave. Kështu, ndër të tjera u mendua për: a) emetimin e një huaje të brendshme, b) emetimin e monedhave divizionale, c) marrjen e huave në formë paradhënieje nga kompanitë e mëdha italiane e shqiptare që ushtronin aktivitetin në vendin tonë dhe ç) sigurimin e mjeteve financiare nëpërmjet një huaje të përkohshme nga ana e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Nuk e dimë saktësisht se sa kontribut kishte ai në projektet në fjalë, por nga dokumentacioni i shumtë që gjendet në Arkivin e Shtetit, dhe sidomos nga letrat që Drejtori i Përgjithshëm i BKSh-së me seli në Durrës, Xhulio Gaudenzi, i dërgonte në Romë këshilltarit delegat të Bankës, Amedeo Gambino, del se Rrok Gera, ka pasur një rol kryesor në përpjekjet dhe negociatat për realizimin e këtyre planeve. Ishin përpjekje intensive dhe shumë të ndërlikuara, pasi gjithmonë, kur ishte fjala për zhvillime të fushës financiare në Shqipëri, BKSh-ja ndiqte pa mëdyshje direktivat e Romës. Kështu, në një letër të datës 23 prill 1934, Gaudenzi i shkruante Gambinos se, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gera, i kishte bërë të ditur se ishte ngarkuar nga ministri i Financave që, në emër të qeverisë shqiptare, të kërkonte nga BKSh-ja një hua që mund të shkonte deri në 2.500.000 fr. ari.
Sipas Gaudenzit, Rrok Gera kishte deklaruar se kjo shifër mund të varionte sipas kritereve të Bankës, të përcaktuara nga Konvencioni i 1925-ës. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave kishte theksuar më tej se qeveria shqiptare ishte e gatshme të jepte të gjitha të dhënat e bilancit të saj që Banka mund t’i kërkonte si dhe nuk përjashtonte mundësinë e dhënies së garancive për këtë hua. Ndërsa i kishte dhënë përgjigje Gerës, duke i thënë se lidhur me çështjen do t’i drejtohej Komitetit Administrativ të Bankës, në letrën e tij drejtuar Gambinos, Gaudenzi shprehte habinë se si, për një gjë kaq me rëndësi, siç ishte kërkesa për një hua të madhe, ishte ngarkuar Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, ndërkohë që zakonisht, madje për gjëra shumë më pak të rëndësishme, ishin vetë ministrat e Financave që ndërhynin. Në përputhje me politikat e Romës, zyrtarët e lartë të BKSh-së ndoqën praktikën e zvarritjes pa fund të diskutimeve për çështjen në fjalë.
Në takimin e radhës, zhvilluar më 4 shtator 1934 me Gerën, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Drejtori i Përgjithshëm i BKSh-së, Gaudezi, i bëri atij të ditur se Presidenca e Bankës, kishte menduar se një kredi prej 300.000 fr. ari do të përmbushte nevojat imediate të shtetit shqiptar, por shuma e ofruar, mjaft modeste krahasuar me çfarë ishte kërkuar, duket se nuk u mor në konsideratë nga qeveria shqiptare, pasi de facto ishte një refuzim për të dhënë hua. Të njëjtën shumë prej 300.000 fr. ari premtoi formalisht edhe mbledhja e Këshillit Administrativ të Bankës, mbajtur në Romë, më 5 tetor 1934. Sikurse thamë, një tjetër masë (ndoshta më e rëndësishmja), e projektuar në kuadër të përpjekjeve për të dalë nga vështirësitë financiare, ishte ajo për mobilizimin e burimeve të brendshme nëpërmjet një huaje të brendshme. Edhe për këtë projekt, Rrok Gera ishte protagonist në përgatitje dhe në negociata, ndërkohë që vendimet përfundimtare merreshin nga një komision treministror.
Fillimisht, ideja për emetimin e bonove shqiptare të thesarit ishte hedhur nga Mark Kakarriqi, kreu i Dhomës së Tregtisë Shkodër, në një artikull të tij botuar në revistën “Minerva”. Për pakënaqësinë e madhe të drejtuesve të BKSh-së, nisur nga nevojat për burime financiare, qeveria shqiptare e mbështeti këtë ide. Në një promemorie informative të Bankës, lidhur me emetimin e bonove shqiptare të thesarit, flitet për një takim të mbajtur nga fundi i korrikut 1934, ndërmjet Rrok Gerës dhe kreut të BKSh-së, Gaudenzi, ku u diskutua pikërisht për mundësinë e zbatimit të projektit për bonot e thesarit. Edhe një herë tjetër, drejtuesit italianë të BKSh-së kërkuan ta zvarrisnin çështjen duke nxjerrë gjithfarë pretendimesh. Por në një tjetër takim Gera-Gaudezi, mbajtur ditët e para të gushtit, ky i fundit deklaroi se Banka nuk përjashtonte mundësinë që ta mbështeste kërkesën për emetimin e bonove shqiptare të thesarit.
Pak më vonë, Banka kishte marrë vesh se Këshilli i Ministrave kishte hartuar në mënyrë definitive projektin për emetimin e bonove të thesarit. Kjo konfirmohet edhe në një letër të mesit të shtatorit 1934, ku Rrok Gera, i shkruante Gaudenzit se, pas bisedimeve që ata të dy kishin zhvilluar më 4 shtator, ministri i Financave kishte dhënë miratimin për ratifikimin e projektit për bonot e thesarit, bazuar edhe në vërejtjet që kishte bërë Gaudenzi. Ndër të tjera, projekti parashikonte që shuma e emetimit të bonove të ishte në masën prej 6.000.000 fr. ari. Por, me gjithë përpjekjet e autoriteteve shqiptare, drejtuesit italianë të Bankës vazhduan ta sabotonin projektin nëpërmjet paraqitjes së një numri të madh kërkesash e pretekstesh, duke vepruar kështu në përputhje me orientimet e Romës, për të mos lejuar që shteti shqiptar të lehtësonte, në njëfarë mënyre, problemet financiare të tij.
Me qëllim promovimin e projekteve shqiptare: a) për marrjen e huas nga BKSh-ja, b) emetimin e bonove të thesarit dhe c) koniacionin e monedhave divizionale, Rrok Gera ndërmori një mision në Romë, drejt së cilës ai u nis me anije, në mëngjesin e 2 tetorit 1934. Me gjithë përpjekjet e tij, në mbledhjen e Këshillit Administrativ të Bankës Kombëtare me seli në Romë, mbajtur me 5 tetor 1934, u tha se duhej një studim më i thellë i kushteve dhe modaliteteve, ndonëse u vendos që të mos i thuhej “jo” kërkesës së qeverisë shqiptare për ecurinë e projekteve. Ndonëse përpjekja për marrjen e një huaje nga BKSh-ja si dhe ajo për emetimin e bonove të thesarit nuk patën sukses, duhet thënë se angazhimi i zyrtarëve shqiptarë për këto çështje ishte shumë i madh, pavarësisht se ata nuk mund të bënin shumë, kur ishte fjala për projekte që vareshin nga BKSh-ja.
Masa tjetër që qeveria shqiptare kishte menduar për përmirësimin e financave të saj, ajo për koniacionin e monedhave divizionale, ishte një çështje që debatohej prej vitesh në Shqipëri dhe që kishte në qendër të problemit zëvendësimin e monedhave të vjetra të argjendit, që ishin me shumicë në qarkullim. Mbajtja e tyre në qarkullim sillte humbje, për shkak të rënies së vazhdueshme të vlerës së argjendit në tregjet e huaja. Në vitet 1926-1927, Banka nxori në qarkullim monedha të reja dhe filloi të blinte monedhat e vjetra, por më pas u detyrua të tërhiqej, për shkak të problemeve që u krijuan në treg, si dhe për shkak se qeveria shqiptare kërkonte që monedha e argjendit të qarkullonte në bazë të vlerave të saj në tregun e brendshëm dhe ashtu si në të kaluarën, Shqipëria duhej të kishte një sistem të pastër bimetalist. Si kundërveprim, Banka filloi të zëvendësonte monedhat e saj të argjendit me nxjerrjen në masë të madhe të monedhave të nikelit. Sipas Gino Borgattas, problemi mbeti i pazgjidhur deri në vitin 1935.
Ndërsa sipas një tjetër autori të njohur, Alesandro Roselli, sa i përket monedhave divizionale, qeveria shqiptare deklaronte se vepronte në interesin e popullit, në përpjekjet për të mbuluar vakumin që shkaktohej nga mungesa e monedhave në qarkullim dhe, nga ana tjetër, duket se kërkonte të rishikonte ligjin përkatës, me qëllim që të rriste pjesën e saj të fitimit, duke ia lënë Bankës Kombëtare peshën e humbjeve, që mund të vinin nga zhvleftësimi i mëtejshëm i argjendit. Në verën e vitit 1934, kur problemi i mungesës së monedhave në qarkullim u bë edhe më i mprehtë, për ta negociuar këtë çështje me drejtuesit e BKSh-së u ngarkua Rrok Gera, atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave. Në korrespondencën e shumtë të kreut të BKSh[1]së, Gaudenzi, me këshilltarin delegat në Romë, Gambino, del e qartë gjithë këmbëngulja e autoriteteve shqiptare për të realizuar marrëveshjen për koniacionin e monedhave të argjendit dhe bronzit.
Në letrën e datës 22 qershor 1934, Gaudenzi i shkruante Gambinos, se një ditë më parë ministri i Financave, Dibra, i kishte thënë se ai dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Rrok Gera, kishin shqyrtuar gjithë dokumentacionin përkatës, përfshi këtu dhe negociatat e filluara e ato të pezulluara deri atëherë, apo marrëveshjet e pazbatuara. Në vijim të negociatave për koniacionin, Gaudenzi i shkruante më tej Gambinos se më 25 korrik 1934 ishte takuar me zotin Gera, i cili i kishte bërë të ditur se ishte ngarkuar nga ministri i Financave, Dibra, për të hartuar një projektmarrëveshje monetare për t’ia përcjellë BKSh-së, që bazohej në ligjin përkatës të vitit 1925 dhe që parashikonte koniacionin e monedhave me disa seri, deri në një vlerë limit prej 3 milionë fr. ari, ndërkohë që parashikohej edhe që qeveria shqiptare të merrte një pjesë të konsiderueshme të fitimit që do të vinte nga koniacioni i monedhave. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016