Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjetepesë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Maji është goxha i bukur! Po ato qenë ditë të veçanta, Zoti na u bë krah! Si rrallëherë në lugun e Spaçit, dielli shigjetonte rreze të ngrohta, zogjtë të joshnin me cicërimat dhe piruetat dashurore, fluturat laramane flatronin në ajrin limpid, ndërsa aroma e luleve të akacieve bri kapanonit mbi abis, ndillte luzma bletësh që zukatnin pa pra. Gjelbërimi i pemëve skeletike që bënin majë aty-këtu në shpatet rrjepacukë, të këndellte shikimin, teksa tej horizontit ku shkriheshin kreshtat e Munellës me të Kalimashit, kaltërsia i ngjiste një deti qiellor, ku lundronin shqiponjat krenare.
Dhuratat bujare dhe hijeshitë që blatonte natyra, s’iu gëzohej dot syri i të burgosurve politikë, sepse i eklipsonte dhuna dhe ploja komuniste, që kish pllakosur popullin e vuajtur shqiptar. Ndërsa orët zvarriteshin, ngjarjet rrokulliseshin vrullshëm.
U rrit rezistenca, por u shtua makthi për çdo ndodhte më pas! Me kalimin e orëve, revolta po merrte tiparet e kryengritjes pa drejtim qendror dhe tepër kaotike. Secili vepronte sipas intuitës apo, ndërmerrnin aksione sporadike, në grupe tre-katër vetash. Ndër më efikasin do veçoja thyerjen e qelive, ku vuanin dënimin dymbëdhjetë të izoluar.
Në tarracën e epërme, ushtarët qëllonin pa paralajmërim, kësisoj të izoluarit ishin peng i komandës. Çudi si s’u vajti mendja, ta shfrytëzonin avantazhin që u jepte pozicioni?! Megalomanët mbase s’u kujtuan se mund të dilte ndonjë i krisur, që të rrezikonte jetën dhe të kuturiste nën breshërinë e plumbave!
S’e di kujt i lindi ideja të parit, edhe ata që më informuan s’ishin të sigurt! Jam i bindur se të dënuarit e vjetër evokuan eksperiencën dhe rastet analogë, ndonëse s’ngjasonte me asnjë, dhe dhanë orientimin: “Duhen shpëtuar pa derman, të ndaluarit në biruca”! Një shkëndijë deshi “Floriri” i Korçës, Ulsi Pashollari, që ndërmori aktin final dhe shpëtoi jetën e dymbëdhjetë bashkëvuajtësve!
Ai u pajis me një palë darë e një levë dhe aty rreth orës nëntë, preu telat e rrethimit, bash nën karakollin e rojës, ku kapanoni i epërm ngjishej pas birucave, rrëshqiti gjer te dyert dhe shqeu kyçet me levë. Të ndaluarit u ndanë më dysh, gjashtë mësynë territorin nga shkallët e dheut, nga vrima që hapi Ulsiu. Kur i pikasi ushtari dha alarmin: “Ndal se do qëlloj”, por e humbi toruan dhe shtiu kuturu, pozicioni i prirët i shpëtoi bashkëvuajtësit nga asgjësimi.
Të tjerët e kujtuan lojë dhe nisën të qëllonin për sport, që të shtinin panikun në radhët e tona. Kjo kuturi e suksesshme, shënoi fitoren e dytë dhe dështimin i radhës nëpër ushtarakët. Mbas aktit heroik të Ulsiut të vogël, me zemër luani, që meriton një përmendore, bash në vendin ku lartoheshin qelitë e izolimit, oratorët spontanë ndërronin njëri-tjetrin, mbi tarracën e dusheve, kurse agoraja i brohoriste dhe hidhte parulla politike. Pak nga pak, revolta po merrte trajtën e kryengritjes.
Mes këtyre zhvillimeve, na njoftuan të dilnim në sipërfaqe. Vakanca nënkuptonte, se diç e veçantë kish ngjarë. Por çfarë konkretisht, s’mund ta imagjinonte as kiromatni më i suksesshëm.
“Ç’të ketë ndodhur Mexhit”? – iu drejtova kolegut, kur po hiqnim zvarrë pas vagonin bosh.
“Allahu e di”! – ma ktheu ai dhe shtoi: – “Do Zoti s’ka viktima”! Ndërkaq ndërhyri Feimi, që vinte pas nesh:
“Padyshim do ketë ngjarë diçka e hatashme, gjersa po na kthejnë para mbarimit të turnin”!
“Kaq keq të jenë pleksur punët”?! – u merakosa unë.
“E di ç’ke ti byrazer, mbyll gojën dhe mos u përzje, se edhe dy muaj të kan’ë mbetur” – Feimi kaptoi shinat dhe hyri në një orti, të fshihte barominat.
“Në më lënçin”! – ia pata dyshimtar.
“Dëgjoje Feimin, or mëjk! Qyr hallin, na ler na, që kena nga një qerre –burg”! – i mbajti iso Mexhiti, rrotulloi vagonin mbi pjatinën e fundit dhe dolëm jashtë.
Terr. Gryka e Gurth-Spaçit nxinte, teksa përroi llapëtinte nga dritat pa numër. “Kra-kra-kra-krak” – gjëmonin bataretë dhe fishekët gjurmëlënës, qëllonin yjet në firmament. “Kra-kra-kra-krak” – iu përgjigjeshin përgjatë rrethimit, deri në kojkën më të lartë.
“Ja vdekje, ja liri”! “Poshtë komunizmi”! “Rroftë Shqipëria e lire”! “Ne s’jemi skllevër, po jemi martirë”, flladi pranveror përcillte jehonën e brohoritjeve frenetike.
“E paskan ba fora miqtë tanë, Allahu i ndihtë”! – Mexhiti bashkoi duart, sikur falej në xhami.
“Amin”! – ia kthyem njëzëri unë dhe Feimi.
“Çdo ndodh tani”? – u interesova unë.
“E di ç’ke ti byrazer, hap sytë dhe mos u përzje, se edhe dy muaj të kanë mbetur” – përsëriti Feimi, këshillën e mëparshme.
“Dëgjoje Feimin or mëjk, qyr hallin” dhe i mbajti iso Mexhiti, të njëjtën frazë.
Meraku i miqve: “Byrazer hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj të kanë mbetur”! më ndiqte si hajmali qysh nga mëngjesi, por unë s’i shmangesha dot ambientit ku kalova pesë vjet, as njerëzve që më mëkuan përbuzjen për dhunën që ushtronin mbi ne, më injektuan ndjenjën e lirisë dhe shpresën për avenirin e Shqipërisë, siç mëkuan dozën e urrejtjes për komunizmin dhe për maskarallëqet që rridhnin prej tij.
Tash që mbërriti momenti krucial për t’i shpalosur, ata më këshillonin: “Byrazer hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj të kanë mbetur”, por unë i përkisja tërësisë spaçiane, në çdo këndvështrim, isha pjesë e antikomunistëve, që s’bënin kompromis moral dhe politik me të keqen! Shkëputja në këto çaste dramatike, do ishte mallkim që do më ndiqte edhe në pasjet! Gjithë brigada, priste policin shoqërues te depoja e veglave, por ai s’po dukej kund.
“Mos vallë na grumbulluan jashtë galerive, të na eliminojë në terr? Apo ndonjë i marrë solli urdhrin e ndërprerjes së punës para orarit zyrtar dhe tani duhej të paguajmë lajthitjen e tij”?!
Këto dilema pa përgjigje, na shqetësuan të tërë. Vështronim në loçke të syrit Rrokun, brigadierin e burgosur, po ai heshtte krye varur.
“Rrok, cili e solli urdhrin për të dalë nga galeria”? – guxoi Myslim Iljazi nga Kolonja.
“Ku ta di vetë, kështu më thane”! – ia ktheu Rroku, me sytë gjetiu.
“Cili të tha, bre”?
“Nuk e di”!
Teksa po vrisnim mendjen të gjenim emisarin e sihariqit, nga thellësia e lugut mbërriti jehona e parullave të padëgjuara në Shqipërinë Socialiste: “Ja vdekje, ja liri”! “Poshtë komunizmi”! “Rroftë Shqipëria e lirë, s’jemi armiq, po jemi martirë”, etj., shoqëruar me brohoritje që shpuan luginën e Gurth Spaçit dhe morën terma lartësive të Munellës e teposhtë’ ultësirës së Fanit. Kolegët rrekeshin të fshihnin emocionet, por iu ndrisnin fytyrat nuk di nga ç’dritë e fshehtë.
Më gufuan zemrën, parullat: “Ja vdekje, ja liri”! “Poshtë komunizmi”! “Rroftë Shqipëria e lire”! “Ne s’jemi armiq, po jemi martirë”! etj., por një hare pa skaj më pushtoi, kur gjëmoi gryka e galerisë së poshtme: “Poshtë komunizmi”! “Rrnoftë Shqipnia e lirë”! – mirditori trim, Ndrec Çoku, iu përgjigj jehonës kampit. “Ja vdekje, ja liri”! – ia ktheu doktor Astriti, zërin e të cilit, do ta dalloja ndër në njëmijë të tjerë.
Kaloi bajagi gjatë, gjersa ia behën Jak “Xhentili” dhe Mark “Mustakuqi”, pa kapa e të trembur për vdekje, ndonëse shquheshin për korrektesë në marrëdhënie me të dënuarit politikë.
Ndërkaq thirrjet: “Ja vdekje, ja liri”! “Poshtë komunizmi”! “Rroftë Shqipëria e lire”! “Ne s’jemi armiq, po jemi martirë”, etj., do na shoqëronin gjer nën shkallët e shtufit. Te porta ndërlidhëse, na priti një tjetër çudi, s’na kontrolloi kush, sa na numëruan, morën të përpjetën. Në kamp na pritën me këngë patriotike dhe brohoritje entuziaste, teksa mbi podiumin e improvizuar në tarracën e dusheve, ligjëronin oratorët.
E mbajta frymën drejt e në dhomë, ku gjeta Tomorin rrethuar nga dhjetëra shokë. “Të paskan nxjerrë, or mik”?
“Po”, – m’u hodh në qafë.
U çmallëm dhe prita sa u larguan shumica, hoqa çizmet dhe u sheshova mbi shtrat.
“U nxorën të gjithë nga qelitë”?
“Po”! – ma ktheu lakonik dhe vijoi bisedën me të tjerët.
“Kur kështu”?
“Para ndonjë gjysmë ore”!
Kujtova se komanda e kish ndërmarrë këtë hap në shenjë kompromisi, po fragmenti që do pasonte, s’përkonte me asnjë hamendësim, përkundrazi.
“Epo shyqyr, diçka paskan reflektuar”! – urova unë. “Ore, ke lajthitur ti”? – Tomori bëri të habiturin.
“Po cili u liroi atëherë”?!
“Ulsi Pashollari”!
“Ç’flet!? Ku i gjeti çelësat Ulsiu”? – u çudita unë.
“I shqeu kyçet me levë”!
“Si the, si”!?
“Kështu pra”!
“Dhe ata s’ju qëlluan”!?
“Na shtinë që ç’ke me të, po s’qe e thënë të vdisnim, na ruajti Zoti”! – më pa me sytë e skuqur.
Ndërkaq mbërriti nga kuzhina private Tomor Balliu, me një tenxhere skromë, e sheshoi mbi jatakun tim, në një tabak kompensate dhe na ftoi:
“Ejani të hani, lërini për më vonë muhabetet”! Kur s’ia vuri kush veshin, shtoi:
“Hajt se u bëre tezgene, o qyq! Zoti e di edhe sa mund të rezistosh”! – iu kthye Tomorit. Vërtet ai ishte ligur për ibret, sa i varej këmisha si letër e zhubravitur.
“Si ta ketë shkruar Zoti! Breshëritë ma prenë oreksin, sa ndihem i vdekur tani”!
“Harroji dhe ktheju normalitetit”! – moralizova unë.
“Një llaf goje, po picirin e kësaj mbrëmje, do t’ia rrëfej varrit”!
Ndërsa fliste, e mbyti kolla. I zgjata pagurin, piu dy gllënjka dhe m’u kthye:
“I mbushe enët”?
“Jo, sapo erdha nga puna”!
“Shpejto, se kur të kujtohesh zotërote, do ta kenë prerë ujin me vakt”!
“A thua”! – bëra të habiturin.
“S’i paske njohur komunistët! Janë më zi se anadollakët, që iu prisnin ujin kështjellarëve. Por atyre iu lejohej çdo prapësi, kurse katilët tanë, s’duan t’ia dinë për pjellat e tyre, jo më për armiqtë e marksizmit. Kemi për t’u gdhirë pa ujë, pa bukë dhe të rrethuar nga ushtarët e forcave speciale”.
Kish pasur të drejtë Tomori; sabahu na gjeti nën dhjetëfish rrethim, ndërsa nga birat e sulinës, rridhte ndryshk i murrmë!
“Pse flet me kaq siguri? Mbase gjer nesër do t’i vijnë mendtë dhe do ndërmarrin ndonjë lëshim minimal, për të përmirësuar marrëdhëniet një farë mase”. E ngava qëllimisht për të dëgjuar xhevahire, ndonëse e dija se ligjërata s’përkonte me mendimet e tij. Por duket atë mbrëmje, s’ua kishte ngenë qyfyreve sepse, më rrëfeu derën:
“Lëre imagjinatën vëllaçko dhe nisu për ujë! Por para se të ikësh, dëgjomë një këshillë miqësore: mos u përzje në këto punë, se edhe dy muaj të kanë mbetur”!
Mbas këshillë-qortimit, rrëmbeva bucelën prej dru bredhi, që ma kish dhuruar Ram Tahiri nga Rugova, hodha në qafë dy-tre pagurë dhe renda vrap. Në krye të sheshit Luan Koka me Esat Kalën, diç diskutonin nën zë.
“Mirëmbrëma, miq”! – i ngjatjetova.
“Dre-e, për në ç’stan qenke nisur me tërë këto bucela”! – u tall Esati, kur më pa me ushkurët në qafë.
“Po shkoj për ujë, se mund ta presin”, – ia ktheva.
“Mbush enët dhe mos u sorollat nëpër kamp”! – Luani më ra shpatullave dhe shtoi: – “Hap sytë vëlla, s’i dihet fundi kësaj pune, mos u ngatërro, se edhe dy muaj të kanë mbetur”.
Mbusha enët dhe rrugës së kthimit, i rashë nga kuzhina private. Rrëzë infermierisë së Kosovrastit, sa s’u plasa me do hije që diç zvarritnin. Ndala paksa në distancë sepse, u rrija larg sherreve, ngaqë shpresoja të lirohesha pas dy muajsh e pak dhe vura veshin të dëgjoja, për ç’bëhej fjalë.
“Të erdhi sahati, t’i paguash spiunllëqet deri më një, o maskara”!
Ca rënkime të mbytura pasuan kërcënimin dhe grupi mori teposhtën për te lavanderia e Bozhos. Në dritën buzë rrëpirës, njoha ca tropojanë dhe pukjanë, që tërhiqnin rrëshqanthi një patriotin e tyre.
“Tash po e hedhim në tela, ta shlyejë me kokë tradhtinë”! – u ngrit zëri i parë.
Një tjetër hije, rendte i ndërkryer bri murit të zyrës teknike duke vikatur: – “Prani, bre”! – kaloi para hundës sime dhe iu preu udhën: – “Çasht kjo marre, burra”? – ua hoqi duarsh dhe vijoi: – “Ma parë më vrisni mua”! – ishte Muharrem Isufi, një krahinor i tyre.
“Spiuni e meriton ndëshkimin, or mik”! – u hodh një nga linçuesit.
“Sherrin e ka me mua dhe Bajramin, neve na ka ba keq! Ama tash typet me i lanë pas çështjet personale, sepse këtë synojnë armiqtë, duan me e kthye revoltën, në dava ordinerësh”.
Gjesti i Muharremit, i shtangu të pranishmit njësh me mua, që i ndiqja nga distanca.
“Çdo me thanë kjo”?! – pyeti i çuditur një nga ndëshkuesit.
“Do me thane, që s’duhet me i çue dam përpjekjet tona”! – ngriti denoncuesin në këmbë dhe e përqafoi. – “Tash falju revoltës dhe ik në punën tate”!
Po ç’ishte ky mllef që i shtyu patriotët e Muharrem Isufin, të vepronin kësisoj dhe ku e kishte zanafillën? Historia nisi para dy javësh, kur dy tropojanë dhe një pukjan, Muharrem Isufi, spiuni (që për etikë s’po ia përmend emrin, ndonëse bashkëvuajtësit e kohës e dinë cili është) dhe Bajram Furriku, kishin sajuar një plan arratisjeje, që dështoi falë informatorit.
Atëbotë s’dyshonte kush, madje edhe pasi i ndrynë në biruca, e konsideronin burrë zotni. Po kur e shtruan në infermieri, me pretekstin se ishte i sëmurë, rast unik në gjithë historinë tridhjetë vjeçare të burgjeve politikë, ku të nxirrnin nga qelia vetëm të vdekur, atëherë e pikasën kush i dorëzoi miqtë dhe pas kësaj, e ndoqi urrejtja dhe përbuzja e bashkëvuajtësve.
Kur Ulsi Pashollari shqeu qelitë, mes dymbëdhjetë të shpëtuarve ishin edhe Muharrem Isufi me Bajram Furrikun. Shokët u çmallën me ta dhe mësynë infermierinë, pa dijeninë e të dëmtuarve, rrëmbyen spiunin nga shtrati ku strukej dhe nisën “vallen” ndëshkimore, që përshkrova më sipër. Por në çastin final, dikush njoftoi Muharremin, që ua hoqi duarsh dhe i shpëtoi jetën, njëherësh ndërpreu edhe zinxhirin e hakmarrjeve, që mund të shtriheshin te të ngjashmit, po edhe famën e revoltës.
Duke iu referuar këtij rasti, Komiteti Ndërkrahinor, nxori një qarkore, që dënonte ashpër ngjarjet e kësaj natyre. Qysh nga ai çast, spiunët dolën nga birat ku qenë strukur dhe u bënë pjesë e revoltës, madje disa u treguan aq aktivë, sa i ndëshkuan së dyti dhe pas kësaj, përfunduan në burgun e Burrelit.
Arif Neza, me të cilin kisha punuar rreth gjashtë muaj në zonën e tretë, u shkëput nga grupi i linçuesve, më hodhi dorën mbi sup dhe me këshilloi:
“Rrihu larg sherreve, Çim djali, se edhe pak të kanë mbetur! Pa kjo mesele, s’mbyllet pa kurban”! E falënderova për kujdesin dhe u ndamë për t’u ri takuar pas tetëmbëdhjetë vjetësh.
Mora terma shkallët për te klinika e Met Karakashit, (do mjekoja një dhëmballë të infektuar, sepse s’dihej ç’rrjedhë mund të merrte e nesërmja), por bri kovaçhanës së Qazim Vulës, dikush bërtiti:
“Ç’deshe me kët levë në derën e dyqanit, o zog kurve”? – njoha zërin e Shuaip Seitit, që u ngrit kërcënues: – “Fol, hajn i çelbun, se ta po ta këpus kryet”!
Para dyqanit, pashë Shuaipin, Demir Pojanin, Jonus Norjen, Marash Gjokën dhe Bedri Çokun, që kishin shtruar ndër këmbë Ferit Lopën dhe një të panjohur, ndërsa Qazim Vula, me Sadri Ahmetin, e ndiqnin skenën, nga pragu i kovaçhanës. U avita dhe i pyeta ç’po ngjiste.
“Ferit Lopa me një mikun e vet, tentuan me shqye dyqanin, por i kapi grupi i mbrojtjes dhe tash po u bajnë gjyqin”, – më shpjegoi Sadriu.
“Do ta mbrojmë dyqanin me jetë, sidomos tani që kampi është në duart tona”! – vijoi predikimin Bedriu. – “Sepse s’jemi ordinerë, t’iu japim shans të na padisin për hajdutë, ndaj na del detyrë parësore, ta ruajmë më shumë se sendet vetjake”.
“Po ky është mall komunistësh, bre! Ata na morën ymrin, juve u ardhka keq”! – protestoi Feriti.
“Ta mbyllim këtë muhabet. Cili pajtohet me mendimin tim, që Feriti me mikun e tij, të ruajnë dyqanin, për sa kohë do jemi në këtë situate”? – propozimi i Bedriut u aprovua unanimisht, madje edhe nga Sadriu, unë dhe Qazimi, që u bëmë rastësisht pjesë e gjyqit komedi.
“Vendimi merr fuqi ekzekutive nga ky çast, cili e shkel, do ndëshkohet maksimalisht nga Kryesia e Komitetit Krahinor. E kuptove, o zoti Ferit”? – dha pretencën Bedriu.
“Pasha Zotin, ba m’u prek dyqani, ta po ja këpus kryet, si zog mice”! – kërcënoi sërishmi Shuaipi. Më bëri përshtypje ky gjyq i pazakontë, sidomos lajmi për themelimin e Komitetit Krahinor, që në pak minuta, e dëgjova së dyti, nënkuptonte se Revolta, po shndërrohej në Kryengritje të organizuar.
Me t’u mbyllur procedura, Shuaipi m’u qas dhe më këshilloi:
“Mos u ekspozo vëlla, na i lër neve këto punë, se edhe dy muaj të kanë mbetur”!
Meraku i miqve: “Byrazer hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj të kanë mbetur”, m’u var si hajmali qysh nga mëngjesi, deri në orët e vona, madje s’do më ndahej as ditët në vijim.
Dëshira e bashkëvuajtësve për të më parë jashtë dyerve të burgut, s’ishte çështje vullneti dhe s’varej prej tyre, por nga autoritetet dhe nga pasojat që do prodhonte kjo plojë. Pa bërë pesë hapa, u përballa me Aleko Zoton dhe me Zef Jushin
“Pa shih, pa shih, na paskan dalë poetët për havale”? – i nguca me kast.
“Po diskutojmë me Aresin, për fatin e luftës! Hyr mbrenda, i dashtun dhe mbulo kryet, se edhe dy muaj burg…”, – Zefi sa s’më nguli gishtat në sy.
“O Zot, fillove avazin edhe ti”? – e ndërpreva pa dashje.
“Ore njeri, këta do bëjnë namin…” – përsëriti Lekua shprehjen që kisha dëgjuar disa herë atë ditë.
“Ika. Natën e mirë”! – ia preva shkurt dhe mora shkallët, por nga pas më ndoqi zëri i poetit: “Me sa i njoh unë komunistët, do bëjnë namin, or mik…”!
Shprehja e Lekos ishte identike me të doktorit, e pazakontë m’u duk sjellja e Zefit, poetit haluçinant që hazdisej pas fyellit të Orfeut. Fjalia e tij: “I dashtun, hyr brenda dhe mbulo kryet se edhe dy muaj burg …, etj”l më bindën se diç e veçantë po trokiste në lugun e Gurth Spaçit. Fakti që i kish zbritur pegasit, ai që voziste mbi re dhe zvarritej krah nesh, vdektarve mjeranë, tregonte përmasat e frikshme të tragjedisë që po luhej atje! Memorie.al