Përkthyer nga Sara Molla
Memorie.al publikon dy dëshmitë e rralla të personave të fundit që u arratisën nga territori i Gjermanisë Lindore, drejt asaj Perëndimore. Këto arratisje u kryen në muajt e fundit të ekzistencës së Murit të Berlinit, ku me mijëra do të ishin qytetarët e Berlinit Lindor të cilët përgjatë viteve do të ndërmerrnin akte të guximshme të kalimit të kufirit, për në botën perëndimore, duke vënë në rrezik edhe jetët e tyre. Shumë ia dolën, ndërsa shumë të tjerë jo. Rastet e botuara në prestigjiozen britanike The Indipendent, paraqesin historitë pikante të Hans Peter Spitzer dhe Mario Wachtler-it, të cilat ishin të fundit në vazhdën e mijëra të tillave brenda kufirit natyror të një kombi….
Në verën e vitit 1989, pak njerëz dyshuan se Gjermania Lindore ishte pak javë larg nga kolapsi. Kështu që në Berlin, Hans-Peter Spitzner ishte gati të rrezikonte jetën e tij dhe të së bijës për të ikur përtej Murit. Dhe në veri, Mario Wächtler po përgatitej, për një notim 20 milje, drejt lirisë përmes Balltikut…
Në fillim pati një pa besueshmëri. Shumë shpejt i dha rrugë jubileut të egër dhe lotëve të një gëzimi të pakufizuar, tërësisht të papritur. Rënia e Murit të Berlinit, vite më parë, ndryshoi botën tonë: ajo përfundoi Luftën e Ftohtë dhe mbetet ngjarja më sizmike politike në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai ra vetëm disa minuta pas mesnatës, më 9 nëntor 1989. Në pikën e kryqëzimit Bornholmer Strasse, rojet kufitare të Gjermanisë Lindore u përballën me një turmë të madhe dhe gjithnjë e më të zemëruar, prej 20,000 banorësh të Berlinit Lindor, që brohorisnin, “Hapeni portën”. Rojet kishin frikë për jetën e tyre. Pasi u përpoqën të kontaktonte me eprorin e tyre, por pa marrë asnjë përgjigje, zyrtari përgjegjës më në fund u dorëzua dhe urdhëroi që barrierat të hapeshin. “Ne po hapim një përmbytje tani,” njoftoi ai. Një valë njerëzore e berlinezëve Lindorë u derdh në Berlin Perëndimor. Brenda orës, shtatë pikat e kalimit në mur, ishin hapur dhe një festë gjigande që ishte në lëvizje të plotë, në rrugët e Berlinit Perëndimor.
Rënia e komunizmit në Evropë kishte filluar. Muri ishte një përbindësh dhe në të njëjtën kohë, reklama më e keqe e komunizmit që në fillesat e tij. Ishte një sinjal që socializmi i Gjermanisë Lindore, kishte dështuar. Para se të ndërtohej në orët e para të 13 gushtit 1961, më shumë se 3.5 milion gjermanë të Lindjes, ishin nisur në këmbë, për në Gjermaninë Perëndimore. Atë verë, Gjermania Lindore nuk kishte as punëtorë të mjaftueshëm fermash për të marrë të korrat.
Shumë e argumentojnë se regjimi duhej të ndërtonte murin. E vetmja mundësi tjetër e saj, do të ishte të pranonte falimentimin e saj moral, politik, ekonomik dhe të jepte dorëheqjen. Kjo ishte diçka që edhe Kremlini ishte në ankth, dhe duhej parandaluar me çdo kusht. Edhe liderët perëndimorë e pranuan me ngulm: 1961 ishte kulmi i Luftës së Ftohtë. Muri stabilizoi një situatë të pasigurt në Evropë dhe mbajti gjurmët e parashikimit, të një Lufte të Tretë Botërore. Filloi si tel me gjemba, më pas erdhën blloqet e çelikut dhe më pas, një pengesë prej 13 metrash e lartë e betonit, që u përshtat me një tub të rrumbullakët, për ta bërë të vështirë kalimin. Ishte e vëzhguar gjatë gjithë kohës nga rojet me kallashnikov dhe ishte e pajisur me kulla vrojtimi e prozhektorë kërkimi. Ajo rrethoi Berlinin Perëndimor, ndërsa motra e saj e shëmtuar – kufiri i Periferisë së Hekurt nga Gjermania Lindore – ndau shtetin komunist nga Gjermania Kapitaliste Perëndimore.
Muri bleu stabilitetin e Luftës së Ftohtë, me një çmim të egër njerëzor. Nuk ka një bilanc përfundimtar të vdekjeve, por sipas vlerësimeve më të fundit, 718 njerëz vdiqën ose në mur ose në kufirin e brendshëm gjerman, duke u përpjekur të shpëtonin për në Perëndim. Qindra u qëlluan për vdekje, të tjerët pësuan lëndime të tmerrshme, nga armët e zjarrit që ishin rreshtuar në kufi. Personi i fundit që vdiq në mur ishte 21-vjeçari i Gjermanisë Lindore, Chris Gueffroy. Ai u qëllua në zemër nga një plumb i një roje kufitare, ndërsa u përpoq të shpëtonte drejt Berlinit Perëndimor, më 5 shkurt 1989 – vetëm nëntë muaj para se muri të zhdukej nga historia. Rënia e murit ribashkoi gjermanët dhe familjet e tyre, por kjo u bë kundrejt një çmimi.
Shumë gjermano-lindorë, ende e shohin ribashkimin e mëpasshëm të vendit të tyre në vitin 1990, si një shembull i kapitalizmit në rastin më të keq të tij. Dhjetëra mijëra humbën profesionet e tyre, ndërsa kolektivizimi i shtetit komunist, u shpërbë. Dy milionë gjermanë të Lindjes, kanë emigruar në Perëndim që nga ribashkimi, shumica dërrmuese në kërkim të vendeve të punës (një migrim që u ndalua vetëm vitin e kaluar, kur numrat që ktheheshin u barazuan me ata që largoheshin) – duke rezultuar në braktisjen e dhjetëra mijëra shtëpive në Lindje. Por në mesin e gjermanëve lindorë, që kanë provuar periudhën e Murit të Berlinit, janë shumë pak që do ta dëshironin të ktheheshin përsëri. Shumica e vlerësojnë demokracinë që ata kanë fituar dhe krenohen me faktin se Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, nuk është vetëm një Lindore si ata, por edhe një nga udhëheqëset më të njohura të Gjermanisë ndonjëherë. Për një gjeneratë krejt të re, muri është thjesht një histori. Hans-Peter Spitzner – historia e të cilit njihet si gjermani i fundit Lindor, që mund të kalojë përtej murit, mund të lexohet e plotë. Ai pohon se Gjermania e ribashkuar, sot është “Gjermania më e mirë, që gjermanët kanë pasur ndonjëherë”.
Hans-Peter dhe Peggy Spitzner: Njerëzit e fundit që kaluan murin
Në orën katër të mëngjesit në portën e tij u ndjen një seri trokitjesh të shoqëruara me zë të lartë, që e bëri Hans-Peter Spitzner të kuptojë se duhej të ikte nga Gjermania Lindore. Lakuriq dhe gjysmë i fjetur, ai e hapi portën, në banesën me dy dhoma në Karl-Marx Stadt. Në derë ishin katër persona me rroba civile. Njëri prej tyre tha fjalët: “kontrolli i shtëpisë”. Vizitorët ishin pjesëtarë të policisë sekrete Stasi. Spitzner, qëndroi duke u lëkundur në dhomën e gjumit, ndërsa oficerët kontrollonin banesën e tij. Atij iu tha të vishej dhe të shkonte në pjesën e pasme të një Lade, të parkuar jashtë. Ata e çuan atë në Shtabin e Stasi-t. “Unë u paralizova nga frika dhe tronditja”, kujton Spitzner, tani 60 vjeç. “Nuk e dija se çfarë po ndodhte ose çfarë duhej të kisha bërë”. Spitzneri u urdhërua të fuste një copë lecke në xhep. Që më vonë do të mësonte se ishte për t’u dhënë mundësi qenëve nuhatës, që të njihnin erën e tij. Një llambë e ndritshme iu shty në fytyrë. “Pas një minute apo më shumë, kishte vetëm shkëlqim”, thotë ai. Qëndrova në dhomë për tre orë. U kontrollova, fotografova dhe mu morën shenjat e gishtërinjve. Që në atë moment e kuptova, se do të isha nën survejim të plotë. Krimi i tij? Një mësues, Spitzner kishte kapërcyer përtej murit, të gjithë kolegët e sindikatës së tij. E dija se nuk mund të vazhdoja të jetoja kështu”, thotë ai. “Diçka duhej të ndryshonte. Pyetja ishte, çfarë?” Përgjigja, disi e veçantë, u dha nga një gazetë komuniste. Aty përshkruheshin sesi ushtarët nga fuqitë aleate të Britanisë, Francës dhe SHBA-së, që ishin stacionuar në Berlinin Perëndimor, dyshohet se “spiunonin” jashtë Gjermanisë Lindore.
Sipas marrëveshjeve të pasluftës, Aleatëve iu lejua hyrje e lirë në Lindje. Gazeta pretendoi se ata ndryshuan markat e tyre perëndimore, për paratë Lindore me norma të favorshme dhe zhveshën dyqanet e Berlinit Lindor. Shkrimtari vuri në dukje, duke kaluar, se makinat e ushtarëve aleatë, nuk u kontrolluan nga autoritetet Lindore. “Mendova, nëse Aleatët mund të merrnin sende shtëpiake, ata mund të merrnin njerëz në shtëpi”, thotë Spitzner. Peteri dhe gruaja e tij Ingrid, filluan të mendojnë seriozisht për arratisjen në korrik 1989. Pastaj Ingridit papritmas iu dha leja të udhëtonte në Austri, për ditëlindjen e 65-të, të tezes së saj. Politika e Gjermanisë Lindore ishte fleksibël në lidhje me personat e martuar e me fëmijë që udhëtonin, vetëm sepse kjo mund të mbetej peng i familjeve të tyre.
Spitzner, vendosi të shpëtojë me vajzën e tij dhe më pas të takohet Ingridin në Perëndim. Ai nuk tha për planin e tij. Ai thjesht i shpjegoi Peggy, se ata do të “takonin mamanë”. Më 16 gusht 1989, Spitzner dhe Peggy, udhëtuan 120 milje në Berlinin Lindor. Ata kaluan dy ditët e ardhshme duke u varur rreth stacionit të autobusit kryesor, duke iu lutur shoferëve, që t’i çonin ata në Perëndim në dhomën e bagazheve të autobusëve të tyre. “Të gjithë thanë se ishte shumë e rrezikshme. Deri në fund të ditës së dytë, unë isha gati për tu nisur për në shtëpi, kur vura re një Toyota Camry të zezë, me targa amerikane. Një ushtar amerikan me uniformë ishte duke na parë”. Ushtari i ri, Eric Yaw, mori disa sekonda për të marrë në konsideratë propozimin tonë, para se të thoshte, “Në rregull, do ta bëj”. Peggy u ngjit në kabinë me dy mbajtëse së bashku me babain e saj. Të dy u shtrënguan së bashku. “Unë thjesht kujtoj se ishte errësirë dhe nxehtë. “Mendova se ishte një aventurë”, thotë Peggy, tani 32 vjeç. Pas 20 minutash, makina u tërhoq në Kontrollin Charlie, pika kryesore e kalimit për ushtarët aleatë, përmes Murit të Berlinit. Spitzner dhe Peggy, dëgjuan tingullin e çizmeve të rojeve që po afroheshin. Spitzner ishte i bindur se ata ishin zbuluar nga skanuesit e nxehtësisë. Nëse do të kapeshin, do të arrestoheshin. Nëse ata ikin, do të qëlloheshin. “Atëherë dëgjova thirrjen e rojes dhe makina u ngrit. Ishte një makinë e zezë dhe ishte aq nxehtë sa skaneri nuk mund të na lokalizonte”. Camry shpejt u ndal dhe bagazhi u hap. Spitzner dhe Peggy, u ndezën në diell, ndërsa Eric u tha atyre: “Ne jemi në Perëndim, ju mund të dilni tani”.
Spitzner, ishte i kënaqur por gjithashtu i duhej të tregonte Ingridit që të mos kthehej më në Gjermaninë Lindore. Ajo nuk ishte në hotelin ku po qëndronte. “Unë diktova një mesazh të furishëm për recepsionistin e hotelit”. Ingridi më në fund e mori atë dhe fluturoi për në Berlinin Perëndimor, për t’u bashkuar me Spitzner dhe Peggy. Familja u kthye në Lindje pas bashkimit në 1990-ën. Ata tani jetojnë në një shtëpi të bollshme moderne, në periferi të asaj që ishte në Karl-Marx Stadt që tani quhet Chemnitz. Peteri dhe jep akoma mësim. Ai u bë një këshilltar i qytetit dhe anëtar i Partisë Kristian-Demokrate të Kancelares Angela Merkel. Ndonjëherë ai shikon ish-oficerët e Stasit, që dikur e bënë jetën e tij ferr në Lindje. “Ata zakonisht përpiqen të më shohin mua”, thotë ai. “Por unë nuk i urrej për atë që bënë”. Me gjithë vështirësitë me të cilat janë përballur shumë në Lindje, që nga ribashkimi, Hans-Peter Spitzner mbetet i bindur se, “Gjermania e ribashkuar sot, është Gjermania më e mirë që kemi pasur ndonjëherë”. Megjithatë Peggy nuk është aq e sigurtpër këtë. Tani ajo punon si mbikëqyrëse e qendrave të thirrjeve dhe jeton me të dashurin e saj, në një apartament të vogël në Leipzig. “Kapitalizmi mund të ketë fituar në Gjermani, por nuk jam e bindur që i ka të gjitha përgjigjet – duhet të ketë diçka më shumë sesa thjesht fitim atje”, thotë ajo. Eric Yaw ishte përjashtuar nga ushtria amerikane, për ndihmën e dhënë, Spitzners. Yaw, ka kohë që ka lënë ushtrinë amerikane dhe tani jeton në një komunitet Mormon, afër San Franciskos. Ai vizitoi Hans-Peter në Chemnitz,në fillim të këtij viti për të festuar ditëlindjen e tij të 60-të. “Eric, gjithmonë thotë se nëse do të ballafaqohej me të njëjtën situatë, do ta bënte atë përsëri,” thotë Spitzner.
Mario Wächtler: Personi i fundit që shpëtoi nga Gjermania Lindore
Arratisja nga Perdja e Hekurt, ishte rrallë një sport spektatorësh. Por, me gjithë rreziqet e tmerrshme për jetën, arratisja e Mario Wächtler nga Gjermania Lindore, pothuajse mund të përshkruhet si e tillë. Ajo përfundoi me 1.500 njerëz, që e brohorisnin atë ndërsa ai i shmangej një patrullimi të armatosur. Wächtler, ishte 24 vjeç kur ai u bë personi i fundit që shpëtoi nga Gjermania Lindore, më 2 shtator 1989, dy muaj para rënies së murit. Ishte një arratisje e planifikuar me përpikëri, e realizuar me aftësi fizike dhe saktësi ushtarake, sikur të ishte një komando SAS. “Unë kisha dashur të dilja nga Gjermania Lindore si adoleshent,” më thotë Wächtler, tani 49 vjeç, nga shtëpia e tij në qytetin Winsen, afër Hanoverit, ku ai ka jetuar që prej ikjes së tij. “Rojet e kufirit më tërhoqën nga një tren, që shkonte drejt Perëndimit kur isha vetëm 15 vjeç. Deri në kohën kur kisha mbushur të njëzetat e hershme dhe kisha mbaruar praktikën si mekanik i makinave, kuptova që nën komunizëm, gjërat nuk do të ndryshonin për pjesën tjetër të jetës time. Duhej të dilja”. Me profesion kujdestar pishinash, në qytetin e tij të lindjes Karl-Marx Stadt, Wächtler vendosi të “notonte në liri” përgjatë 20 miljeve të Balltikut, duke ndarë kështu Lindjen Komuniste nga Perëndimi Kapitalist.
Ai zgjodhi të fillojë arratisjen e tij nga një gji i gjerë, me rërë në bregdetin e Gjermanisë Lindore, në perëndim të portit Wismar. “Vendi ishte një resort pushimesh dhe përtej ujit, mund të shihnim Gjermaninë Perëndimore dhe tragetet që shkonin drejt Skandinavisë. Kishte anije patrullimi të armatosur dhe kulla vrojtimi, të pajisura me dritat e kërkimit, për të ndaluar njerëzit të iknin, por unë isha i bindur se duhet të jetë e mundur të notosh, përtej Perëndimit, “thotë Wächtler. Ai kaloi çdo fundjavë në stërvitje për arratisjen e tij, në një rezervuar katër milje të gjatë, në afërsi të shtëpisë së tij, megjithëse ai nuk mund të blinte rroba banjoje në Karl-Marx Stadt. “Më duhej të udhëtoja në Berlinin Lindor për të blerë një kostum banje dhe madje edhe atëherë i vetmi në dispozicion, në madhësinë time, ishte me mëngë të shkurtra”. Wächtler, mbuloi pjesët e ekspozuara të trupit të tij, me bojë të zezë . “Unë nuk guxoja të veja syze, pasi xhami do të pasqyrohej nëse kapesha nga dritat e kontrollit të rojeve të kufijve”. Ai kaloi disa ditë para përpjekjes së tij të arratisjes, duke studiuar tabelat e motit dhe duke u siguruar që kushtet të ishin sa më të përsosura, që të ishte e mundur. Më 2 shtator, vëllai i tij e përcolli në brigjet e Balltikut me makinë. Deti ishte pothuajse i qetë. Temperatura e ujit ishte rreth 18 gradë. Ndërsa binte nata, dritat e vendpushimit të plazhit të Gjermanisë Perëndimore të Timandorfer Strand, rreth 20 milje distancë larg, filluan të ndizen. Wächtler rrëshqet në ujë menjëherë, pas orës 11 të natës. Përshtatja e tij fizike ishte deri në përsosmëri dhe ai ndjehej mirë. Kur, kaloi një pjesë të rrugës të përfshirë nga dritat e kontrollit të rojeve kufitare në breg, u zhyt nën ujë. “Unë e kisha llogaritur distancën në mënyrë korrekte, por nuk mendoja se do të zgjaste kaq shumë”, thotë ai. Ndërsa agimi u nda, ai ishte akoma duke notuar. Pa mbulesën e errësirës, ai tani ishte në rrezik të kapej nga një prej shumë anijeve të patrullës të Gjermanisë Lindore. Frika më e keqe e Wächtler u shfaq, ishte rreth fillimit të mëngjesit. Ende në ujë, Mario, pa një anije patrullimi që afrohej nga 400 jardë larg. “Zemra ime më ngriu nga frika”. Mario Wachtler, u zhyt. Varka e patrullimit kaloi, ndërsa ekuipazhi i saj nuk kishte arritur ta vërente atë. Deri në orët e vona të mëngjesit, Wächtler kishte arritur në korsinë e transportit detar, që kalonte midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimit. Kapiteni i Peter Pan, i një trageti të Gjermanisë Perëndimore, që kthehej nga Trelleborg në Suedi, me 1.500 pasagjerë në bord, thjesht e vuri re atë në ujë. Ai ndaloi motorët dhe uli një varkë shpëtimi – por manovra u vu re nga kapiteni i një anije patrullimi të Gjermanisë Lindore aty pranë. Filloi një garë e furishme për Wächtlerin. Varka e shpëtimit e Peter Pan shpejtonte drejt tij, e ndjekur nga anija e Gjermanisë Lindore. Kapiteni i Peter Pan, kishte njoftuar pasagjerët e tij dhe ata ishin rreshtuar në pjesët kryesore të tragetit, duke duartrokitur dhe brohoritur atë notues. Varka e shpëtimit e Peter Pan, erdhi e para drejt Wächtler. “Më kujtohet gjallëria kur kisha hipur në bordin e anijes. Pasagjerët po duartrokisnin për mua. Më dhanë një çantë të mbushur me rreth 6,000 marka të Gjermanisë Perëndimore”. Wächtler shkoi të bashkohej me xhaxhain e tij në Hanover. Tani ai drejton një shërbim të ambulancës private dhe ka 40 të punësuar. Mario, jeton me gruan e tij dhe dy fëmijët e rritur, në shtëpinë që ndërtoi vetë në Winsen. “30 vitet e shkuara kanë kaluar kaq shpejt”, thotë ai. “Kur kthehem në atë që ishte Gjermania Lindore, vështirë se duket se shteti i vjetër komunist, ka ekzistuar ndonjëherë. Por unë kurrë nuk do të kthehesha për të jetuar më atje”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016