Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi I ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që përkasin një dosje voluminoze me siglën “Tepër secret”, ku ndodhet një korrespodencë në mes krerëve më të lartë të regjimit komunist të asaj kohe, si: Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj, të cilët me anë të relacioneve të ndryshme dhe raport-informacioneve të përpiluara prej tyre, i bëjnë me dije udhëheqjes së lartë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me situatën e vështirë politike dhe ekonomike që po kalonte vendi ynë, para dhe pas prishjes së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake me Republikën Popullore të Kinës. Korespondenca e plotë në mes drejtuesve kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komiteteve të Partisë dhe atyre Ekzekutive të rretheve, si dhe Degëve të Punëve të Brendshme në qytete të ndryshme, për bisedat e komentet pozitive dhe ato negative që bëheshin nga njerëz të ndryshëm, si intelektualë, punëtorë, ushtarakë dhe fshatarësia kooperativiste, si dhe nga “elementët e deklasuar dhe armiq”, lidhur me situatën në të cilën ndodhej vendi pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë, me Republikën Popullore të Kinës dhe çdo të ndodhte pas kësaj me vendin e vogël komunist të Ballkanit, që propagandonte se ‘do të ndërtonte socializmin, vetëm me forcat e veta’?!
Në fillimin e vitit 1978, si rezultat i përkeqësimit të marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë komuniste me Republikën Popullore të Kinës, gjë e cila kishte filluar të merrte të çarën e parë që nga fillimi i viteve ’70-të kur Kina Popullore e Mao Ce Dunit me anët të “politikës së ping-pongut” filloj të afrohej me SHBA-ve dhe priti në Pekin sekretarin e Departamentit të Shtetit, Henry Kissinger dhe më pas Presidentin Nikson, duket se Tirana zyrtare “vuri alarmin”. Veç të tjerash, kjo gjë duket qartë edhe nga një numër i madh dokumentesh zyrtare të asaj kohe, ku ndodhen korrespondencat “Tepër secrete” të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministrisë se Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe Komiteteve të Partive e atyre Ekzekutive në rrethe dhe Degëve të Punëve të Brendshme, në të cilat pasqyrohet qartë jo vetëm qëndrimi zyrtar i udhëheqjes së lartë të PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, por në përgjithësi edhe ai i shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare, (intelektualë, punëtorë, fshatarësia kooperativiste, ushtarakë, nxënësit e shkollave dhe studentët, komunistë, “elementë të deklasuar dhe armiq”, etj.), ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze, lidhur me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve politike, ekonomike, dhe ushtarake prej saj në 28 korrikun e vitit 1978.
Kështu, ish-aleati më i afërt i Tiranës zyrtare që nga fillimi i viteve ‘60-të, Kina komuniste e Mao Ce Dunit, befas do të shndërrohej në armikun më të madh ideologjik të saj, pas SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo gjë duket qartë nëpër rreshtat e këtyre dokumenteve që mbajnë siglën “Tepër sekret”, ku vërehet frika e madhe dhe paranoja e thellë që ka mbërthyer regjimin komunist dhe krerët më të lartë të udhëheqjes së saj, që nga: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj., e deri poshtë në bazën e atij pushteti me zyrtarët e pushtetit lokal, të cilët e trasmetonin atë ankth e pasiguri, tek njerëzit e thjeshtë, nxënësit e shkollave, punëtorët, e deri tek fshatarësia kooperativiste.
Këto dokumente që shohin për herë të parë dritën e botimit nga Memorie.al, janë një pasqyrë e qartë e gjendjes dhe e situatës së nderë në të cilën ndodhej asokohe regjimi komunist dhe Tirana zyrtare, sidomos pas “Letrës së hapur”, drejtuar udhëheqjes kineze, që akuzonte atë për “tradhti të lartë ndaj kursit dhe vijës së marksizëm-leninizmit”. Në kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, ku udhëheqja e lartë e regjimit komunist, e ngritur e gjitha në një alarm, ka mobilizuar të gjithë makinerinë shtetërore dhe strukturat e saj, me në krye Sigurimin e Shtetit, për ta mbajtur situatën nën kontroll të plotë. Dhe kryesisht duke survejuar kundërshtarë politik të saj, të cilat i konsideronte si ”element të deklasuar dhe armiq të klasës”, gjë e cila zë një vend kryesor në këto raport-informacione, ku organet e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu dhe zëvëndsave të tij, si Feçor Shehu, Rexhep Kolli etj., informojnë me detaje udhëheqjen e lartë, kryesisht, Hysni Kapon, (anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i K.Q. të PPSH-së, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së proletariatit’) për gjithçka që fliste dhe komentonte “armiku i klasës”, në çdo rreth të vendit, si dhe komentet pozitive që bëheshin edhe prej tyre.
Kjo gjë dhe të tjera, duken më së miri në këto dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, ku ish ”vëllezërit kinezë”, që asokohe punonin në Shqipëri, si kuadro dhe specialist në vepra të ndryshme industriale nga Jugu në Veri të vendit, si: Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Uzina e Ferro-kromit në Burrel, Fabrika e Letrës në Lezhë, Baza Ushtarake e Pashalimanit, Uzina e Tankeve dhe Artilerisë në Shish-Tufinë, Uzina e Municioneve Luftarake në Mjekës të Elbasanit, Uzina e Prodhimit të Armëve në Poliçan, etj., tashmë janë kthyer në “agjent, sabotatorë e komplotist” dhe përgjohen kudo dhe në çdo hap të tyre. Paisjet, armatimet dhe gjithë teknologjia ushtarake, duke filluar nga tanket, avionët, nëndetëset, silurat, artileria e rëndë, etj., me të cilat Republika Popullore e Kinës prej vitesh kishte furnizuar falas Shqipërinë komuniste, tashmë rezultonin “me defekti të rënda” dhe të sabotuara nga “revizionistët kinezë”.
Një gjë e tillë, pra ajo “tablo sinoptike” që po kalonte regjimi komunist para dhe pas prishjes me Kinën, identik, ishte parë disa herë ndër vite, kur Tirana zyrtare me në krye Enver Hoxhën, vendoste të shkëpuste marrëdhëniet me shtetet që deri në momentin e fundit i kishte pasur “aleatet” më të ngushta të saj, si Anglo-amerikanët, Jugosllavia e Titos e Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe atyre që e pasuan atë, si Hurshovi, Brezhnjevi, etj.
Seria e “miqve-armiq”, nisi me misionet anglo-amerikane, të cilat derisa u dëbuan nga vendi në nëntor të vitit 1946, ishin “çlirimtarë dhe kontribues të vërtetë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ndërsa më pas u kthyen në vendet dhe shtetet më të urryera dhe më të padëshiruara për komunistët shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhte me jugosllavët, të cilët kur u dëbuan nga Shqipëria në vitin 1948-‘49, u konsideruan “revizionistë dhe agjentë të Perëndimit”. Për të vijuar më pas me “vëllezërit sovjetikë të baba Stalinit”, aleatin më të ngushtë të Shqipërisë komuniste të cilët pas vitit 1961, u konsideruan nga Tirana zyrtare, si “revizionistët më të rrezikshëm që kishte njohur bota deri në atë kohë”. Dhe kjo gjë, do të përsëritej identik edhe me kinezët, gjë e cila u bë publike zyrtarisht, atë fund-korriku të nxehtë të vitit 1978, kur pas “Letrës së Hapur” të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Këshillit të Ministrave të Republika Popullore të Shqipërisë, dërguar qeverisë kineze dhe Partisë Komuniste të Kinës, Kina tërhoqi nga Shqipëria të gjithë specialistët e saj, civilë dhe ushtarakë?!
Relacioni i sekretarit të Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes, Ali Vukatana, dërguar Gafur Çuçit, instruktorit për anën ushtarake pranë aparatit të Komitetin Qendror të PPSH-së
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Sekret
KOMITETI I PARTISE SE MBROJTJES POPULLORE Nr.556/1….prot.
Tiranë, më 15.6.1978
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
Grupit të instruktorëve për çështjet organizative të partisë në Ushtri
Shokut Gafur Çuçi
Tiranë
Siç ju kemi informuar dhe më parë, specialistët kinezë që ndodhen në Porto-Palermo Himarë, jo vetëm që nuk dalin në punë, por janë të interesuar të informohen për probleme të ndryshme.
Gjatë lëvizjeve të tyre nga vend-banimi për në objektet e punës, për në Tiranë, në fshatrat përreth e gjatë kthimit, pyesin për objekte të ndryshme ushtarake dhe civile dhe synojnë që të hyjnë në polemika më shoqëruesin nëpërmjet përkthyesit të tyre.
Kështu p.sh në fillim të muajit Qershor, gjatë kthimit për në Tiranë në afërsi të Himarës, pyesni; “Si quhet ndërtesa ku është vendosur ky reparti i ri, barakë apo tendë”? “Ushtarët për çfarë kanë ardhur për të na ndihmuar ne apo jo”?
Mbasi ju dha përgjigje nga shoqëruesi për tipin e ndërtesës, u sqarua se edhe ushtarët kanë ardhur në ndihmë të repartit tonë. Gjithashtu në vazhdim të rrugës, përkthyesi kinez i thotë shoqëruesit se: meqenëse FIFA e futbollit nuk e ka përzënë Taivanin nga ky aktivitet, Kina ka refuzuar të marrë pjesë në kampionatin botëror.
Më datën 2.6.1978 kur shoqëruesi ynë u takua me përkthyesin Li, ai kishte shpjeguar se: ishte duke lexuar një libër historik për Kinën e viteve 1850-1870. Në këtë periudhë vazhdon përkthyesi Li, në Kinë kanë filluar të futen kapitalet e huaja të Anglisë, Japonisë, Spanjës, Italisë, Gjermanisë etj., dhe së bashku me to, në Kinë kanë filluar të futen dhe drogat, si marihuana, heroina, narkotikët e ndryshëm të cilat përdoreshin nga funksionarët e lartë kinezë që viheshin në gjumë prej tyre.
Dhe pikërisht në këtë kohë, janë nënshkruar marrëveshje ndërmjet Kinës dhe Rusisë dhe vendeve të tjera në dëm të Kinës. Në këtë kohë dalin parti të tjera kineze që i kundërshtojnë këto marrëveshje, pra qeveria e atëhershme e Kinës, filloi të ndahej në dy parti, njëra për të bashkëpunuar me këto shtete dhe tjetra i kundërshtonte.
Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit të VI-të të Bashkimit të Grave të Shqipërisë, nga ana e tyre u ndoq me shumë interesim shtypi jonë. Në fillim gazetat i lexonin dhe i linin në vendin e caktuar si gjithmonë, ndërsa në datën 4.6.1978, i morën të gjitha gazetat të datave 1.2.3.4. në dhomën e fjetjes dhe të nesërmen të gjitha ato që bënin fjalë për Kongresin e VIII-të, i kthyen përsëri, gjë që nuk kishte ndodhur më parë gjatë leximit të gazetave!
Gjatë këtyre ditëve, përkthyesi Li e pyeti shoqëruesin tonë se: çfarë kuptimi kanë fjalët “kërbaç dhe tellall”, që kishte lexuar në gazetë nga materialet e Kongresit të BGSH-së, sepse sipas tij, vetëm këto dy fjalë nuk kishte kuptuar?
Më datën 4.6.1978, kinezët kërkuan të shkonin në fshatin Piqeras dhe gjatë rrugës i thanë shoqëruesit tonë se: do të shkojmë të blejmë makina mishi, mbasi që nga viti 1976 dhe sidomos kur vdiqën Çu dhe Mao e këtej, në Kinë nuk ka patur makina mishi, bile dhe birrë SHANGAI, sepse katërshja i kishte hequr ato na prodhimi, kanë mbyllur fabrikat dhe lanë disa fabrika të vogla për të përballuar kontratat e ndryshme. Dhe ato pak që prodhohen, dalin me defekte të ndryshme. Nga ana e shoqëruesit tone, nuk u ndërhy në këtë çështje.
Specialistët kinezë dalin në punë në interval 2-3 ditëve. Për punën nuk flasin fare vetëm kontrollojnë se çfarë ndryshimesh janë bërë në objekt.
Qëndrimi i shokëve tanë ndaj specialistëve kinezë ka qenë korrekt, megjithatë nga ana jonë është porositur Byroja e Partisë dhe Komanda e Detashment, që të ndjekin me vigjilencë veprimet dhe qëndrimet e tyre. Kohët e fundit, në zbatim të porosive që dha shoku Hysni, në objektin e Porto-Palermos u punua me anë të qendrës së zërit disa materiale të botuara në shtypin tonë për “teorinë e tre botëve”.
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE SE MMP
(ALI VUKATANA)
Relacioni i Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, për problemet me specialistët kinezë në bazën ushtarake të Pashalimanit
PARTIA E PUNES SE SHQIPERISE Sekret
KOMITETI I PARTISE SE MINISTRISE
MBROJTJES POPULLORE
Tiranë, më 20.7.1978
Nr. 660/1
Lënda; Informacion; Mbi qëndrimin e specialistëve kinezë në objektin e Porto-Palermos
KOMITETIT QENDROR TE PPSH-së
SHOKUT GAFUR ÇUÇI
Grupit të instruktorëve për çështje organizative të partisë në Ushtri
Tiranë
Më datën 8.7.1978 specialistët kinezë, mbasi u kthyen nga Tirana kërkuan takim me shokët drejtues të objektit të Porto-Palermos. Në takimin që u bë sipas kërkesës së tyre, midis shokëve tanë dhe specialistëve kinezë u zhvillua një bisedë në të cilën kinezët i hodhën faj palës sonë, për mosrealizim të detyrave në objekt.
Siç ju kemi informuar dhe më parë, nga ana jonë u është kërkuar kinezëve vazhdimisht për të zbatuar marrëveshjet e kontratat e ndryshme që lidheshin me ndërtimin e objektit si dhe për të kapërcyer vështirësitë që lindin gjatë punimeve, por ata në fillim premtonin se do të vinin ndihmat nga pala projektuese, më vonë thanë se drejtohuni zyrtarisht në ambasadë dhe në fund nuk dalin në punë fare apo dalin vetëm për të parë.
Në bisedën e zhvilluar kinezët, ngritën se muajt e fundit kanë qenë pa punë, se punimet po i vazhdonin vetë, prandaj na krijoni kushte transporti që të shkojmë në Tiranë, sepse neve i kemi qëndruat besnikë marrëveshjes, për vështirësitë që lindin në objekt, neve do të sjellim specialistët, por juve i keni penguar duke i vazhduar punimet sipas variantit tuaj, etj.
Shokët tanë që muar pjesë në këto biseda, u thanë se juve keni ardhur këtu sipas marrëveshjes dypalëshe dhe keni detyrime të cilat duhet t’i përmbushni. Projektet tuaja nuk janë të plota dhe me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme, nuk dërguat projektet për vazhdimin e më tejshem të punimeve, por u tërhoqët duke thënë se: “nuk jemi të aftë për t’u dhënë rrugëzgjidhje”, “njohja e njeriut është e kufizuar”, “literatura nuk jep ndonjë zgjidhje”, se “thellimi në prezencën e ujërave nuk është problem”, e më vonë nuk e zgjidhët, etj.
Të gjitha këto bënë atë që gjatë vitit 1977, neve nuk kemi bërë asgjë në lidhje me detyrat e thellimit. Prandaj nuk u kemi penguar ne, por juve megjithëse i keni pasur mundësitë për të vazhduar thellimet, qëllimisht i keni penguar duke i zvarritur detyrat që kishit. Përpara këtyre pengesave dhe vështirësive, neve nuk mund të prisnim akoma, por vazhduam punën sipas variantit tonë dhe për këtë nuk ju thamë juve se nuk pranojmë mendimet dhe ndihmën tuaj.
Më poshtë specialistët kinezë ngritën problemin se: në letrën tonë dërguar qeverisë së tyre, na keni akuzuar se po ju dëmtojmë mbrojtjen, “kjo është kujdesi e vonuar”, thoshit me përbuzje dhe ironi. “Gjatë këtyre 24 vjetëve, qeveria dhe ushtria jonë u ka dhënë vendit tuaj pa interes. Këtë e shikon qartë populli shqiptar dhe juve”.
Shokët tanë u thanë se ndihmat i kemi marrë nga djersa e popullit kinez, me të cilët na lidh një miqësi e pathyeshme. Kjo ka qenë reciproke, juve dhe të tjerëve nuk duhet t’u shkojë në mëndje se ne kemi lypur, për këtë ka dokumente të Partisë dhe të shokut Enver Hoxha, se neve as e kemi shtrirë dhe as do t’ua shtrijmë dorën të tjerëve. Ndihma që ju ka dhënë juve Partia dhe populli ynë është internacionaliste.
Neve po mbrojmë marksizëm-leninizmin dhe Kinën, duke bërë një luftë parimore dhëmbë për dhëmbë me imperializmin dhe revizionizmin. Kjo nuk krahasohet me disa materiale, dhe ato kanë qenë gjysmake dhe jo në kohë. Edhe këtu në objektin tonë, ju nuk i keni përmbushur kontratat për materiale. Pra e vërteta është ajo që thotë Partia jonë dhe jo ajo që thoni juve.
Më poshtë ata insistuan dhe bënë polemikë në lidhje me letrën që Shtabi i Përgjithshëm ka shprehur një të vërtetë marksiste-leniniste, sepse zbatimin e planit të punimeve, ju e vonuat mbi një vit, se shkaktar të zvarritjeve të punimeve jeni juve dhe jo neve. Në këtë mënyrë jua hodhën poshtë të gjitha pretendimet që kishin ata./Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT TW PARTISE
ALI VUKATANA
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016