Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një relacioni i Ministrit të Punëve të Jashtme të asaj kohe, Nesti Nase, lidhur me vizitën që bëri në Shqipëri në janar të vitit 1974, një grupi luftëtarësh palestinezë të kryesuar nga koloneli Sead Sayel , anëtar i Këshillit Revolucionar dhe i Këshillit Ushtarak të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (e njohur ndryshe si organizata “Al-Fatah”, që ishte dhe krahu i armatosur i O.Ç.P-së) të udhëhequr nga lideri, Yasser Arafat. Të gjitha detajet e asaj vizite sekrete të delegacionit palestinez në Shqipëri, ku koloneli Sayel i kërkoi ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Ballukut, ‘ndihma në armatime dhe teknikë luftarake, si dhe mundësinë e ardhjes në Shqipëri të një numri të madh ‘luftëtarësh palestinezë’, duke u akorduar atyre bursa që të stërviteshin në shkollat dhe akademinë ushtarake, për të përgatitur kuadro dhe teknikë të ndryshëm për aviacionin, marinën, përdorimin e radarëve, artilerinë, xhenion, mirëmbajtjen e mjeteve luftarake’.
Historia 46 vjeçare e ekzistencës së regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, mes shumë anëve të errëta të saj, do të kishte edhe trajnimin ushtarak të dhjetëra organizatave dhe grupimeve terroriste, nga mbarë bota në territorin e saj. Përgjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri, të shumta do të ishin organizatat dhe grupimet të ashtuquajtura “Revolucionare”, të cilat do të strehoheshin dhe do të stërviteshin në vendin tonë, duke marrë një eksperiencë të mjaftueshme në teknikat dhe taktikat e luftës guerilje, nga repartet e posaçme speciale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Brendshme. Ndryshe nga organizatat e tjera, OÇP-së palestineze (Organizata për Çlirimin e Palestinës), dhe veçanërisht krahut të saj të armatosur “Al-Fatah”, do t’i kushtohej një vëmendje e veçantë nga ana e shtetit shqiptar, pasi palestinezët dhe kauza e tyre për çlirimin nga Izraeli, do të përkraheshin vazhdimisht, në mënyrë të fuqishme nga Enver Hoxha dhe regjimi i tij. Vizita e parë e rëndësishme e një zyrtari të autoritetit palestinez në Shqipëri, daton në korrikun e 1970-ës, kur Khalil Al Wazir, i njohur ndryshe dhe si Abu Jihad (zv/i Jaser Arafatit në OÇP-ës,) do të qëndronte për më se një javë në Tiranë dhe Vlorë, ku do të pritej personalisht nga Enver Hoxha, kryeministri Mehmet Shehu dhe Ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku. Grupet e ndryshme, që ata do të sillnin në Shqipëri, do përvetësonin të gjithë eksperiencën e luftës guerilje dhe të gjitha etapat e ndërtimit të një sistemi socialist në vend, në kushtet e Luftës së Ftohtë.
Raport-informacioni i Ministrit Nesti Nase, lidhur me vizitën në Shqipëri, të delegacionit palestinez
Dje arriti në vendin tonë delegacioni palestinez i “Al-Fatah”-ut, me në krye kolonelin Sead Sajel, anëtar i Këshillit Revolucionar dhe i Këshillit Ushtarak të organizatës. Në përbërje të delegacionit janë edhe dy ushtarakë të tjerë si dhe shefi i zyrës së informacionit në Damask.
Kryetari i delegacionit tha se qëllimi i vizitës së tyre ishte për të shkëmbyer mendime mbi marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Lëvizjes Palestineze, për të informuar udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit tonë mbi problemet e Revolucionit Palestinez dhe për të përfituar nga eksperienca jonë. Shprehu dëshirën që të takohet dhe të bisedojë me veteranë të Luftës sonë Nacionalçlirimtare për disa probleme me karakter ushtarak, të asistojë në ndonjë stërvitje ushtarake dhe të bëjë disa vizita të tjera për të njohur vendin.
Delegacioni do të dorëzojë një mesazh të Arafatit drejtuar shokut Enver, në të cilin shprehen falënderimet për përkrahjen që i ka dhënë vendi ynë çështjes së popullit palestinez, dhe përshkruhet shkurtimisht lufta e popullit palestinez në etapën e tanishme. Në vizitën e kortezisë që delegacioni i bëri shokut Beqir Balluku, Saed Sajel shprehu kënaqësinë e tij që viziton Shqipërinë dhe foli shkurtimisht e në vija të përgjithshme për luftën e popullit palestinez. Me këtë rast preku dhe goditjet që i janë bërë lëvizjes palestineze nga reaksioni arab. Me emër përmendi vetëm regjimin reaksionar të mbretit të Jordanisë. Kryetari i delegacionit tha gjithashtu, se kundër popullit palestinez janë bërë e po bëhen shumë komplote dhe se ata janë të vendosur që të qëndrojnë e t’i përballojnë vështirësitë, duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre.
Ai tha se duan që t’i forcojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe se për ta eksperienca shqiptare është një fener ndriçues, dhe midis popullit palestinez e shqiptar ka shumë gjëra të përbashkëta. Mbasi shprehu falënderimin për përkrahjen që i ka dhënë populli ynë luftës së popullit palestinez, Sead Sajel foli për respektin që ata kanë për qëndrimet e Qeverisë dhe Partisë sonë. Ai tha se Partia e Punës së Shqipërisë, në gjithçka që ka bërë ka vërtetuar drejtësinë e vijës së saj, se Shqipëria, edhe kur u la vetëm nga të tjerët, vazhdoi ndërtimin e socializmit.
Në fjalën e shkurtër të përshëndetjes gjatë darkës që u dha për nder të delegacionit, Sead Sajel shprehu edhe njëherë ndjenjat e miqësisë për popullin tonë. Duke folur për ndihmën që i japin popujt arabë luftës së popullit palestinez, ai tha se: “Popujt arabë sakrifikojnë shumë për çështjen palestineze. Populli palestinez shpreson shumë se, në të ardhmen, popujt arabë do të bëjnë edhe më shumë se kanë bërë deri tani për çështjen e popullit të Palestinës”.
Sot paradite, shoku Beqir Balluku zhvilloi bisedime me delegacionin palestinez. Kryetari i delegacionit shkurtimisht foli për vështirësitë e shumta që po kalon e ka kaluar Lëvizja Palestineze që nga sulmet e reaksionit jordanez në shtator të vitit 1970. “Në këto luftime, tha ai, palestinezët pësuan goditje të rënda dhe patën rreth 30.000 viktima midis luftëtarëve dhe popullsisë civile, sidomos në kampet e refugjatëve. Kjo situatë i detyroi palestinezët që t’i largojnë bazat e tyre nga Jordania dhe të përqendrohen në Liban dhe Siri”. “Por edhe këtu, – tha Sead Sajel, – Revolucioni Palestinez nuk ka qenë i lirë të veprojë”.
Libani dhe Siria i kanë penguar veprimet e palestinezëve në zonat kufitare me Izraelin me arsyetimin se kjo mund të komplikonte gjendjen dhe se ushtria libaneze e siriane nuk ishin të përgatitura për luftë. Në këto kushte, lëvizja e përqendroi veprimtarinë e saj kryesisht në zonat e okupuara nga Izraeli.
Sead Sajel përmendi si fitore politike të Lëvizjes Palestineze faktin që ajo u thirr në Konferencën e Vendeve të Paangazhuara, që u mbajt në Algjer vitin e kaluar, dhe njohjen pak kohë më parë nga Konferenca e Vendeve Arabe e nivelit të lartë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, si e vetmja përfaqësuese e popullit palestinez. Lidhur me luftën e tetorit të vitit 1973 kundër Izraelit, Sead Sajel tha se Lëvizja Palestineze vuri një pjesë të forcave të saj nën komandën siriane në Golan dhe një pjesë nën komandën egjiptiane në Sinai. Pjesa më e madhe e forcave palestineze kanë pësuar shumë dëme se kanë qenë të armatosur kryesisht me armë të lehta, përballë mjeteve të blinduara të armikut. Mbretit Hysein i’u kërkua që të lërë mënjanë të kaluarën dhe t’i lejonte palestinezët që të luftonin nga territori i Jordanisë. Por mbreti refuzoi kategorikisht.
Palestinezët u përpoqën që të kalonin grupe pa dijeninë e Jordanisë. Shumë prej tyre janë kapur dhe ndodhen akoma në burgjet jordaneze. Kur mbas luftës u shtrua çështja e Konferencës së Paqes dhe zgjidhja politike e Lëvizjes Palestineze, e cila si gjithnjë luftoi kundër dy armiqve: sionizmit dhe reaksionit arab, për të përcaktuar rrugën e saj vendosi të mbështetej në forcat dhe mendimin e popullit palestinez për bashkëpunimin me vendet arabe dhe me përkrahjen dhe këshillat e miqve.
Saed Sajel tha se armiku sionist dhe aleatët e tij imperialist, e dinë mirë se populli palestinez nuk do dhe nuk do të lejojë që të kthehet përsëri nën sundimin e Mbretit Hysein. Rezistenca është e vendosur që të sigurojë vazhdimin e luftës së armatosur të popullit palestinez dhe nuk do të bëjë asnjë lëshim për sa i përket tërësisë së tokës së tij. Populli palestinez refuzon që të bashkëpunojë me mbretin Hysein tani.
Ky nuk është një qëndrim sektar, por kontradiktat që ka Lëvizja Palestineze me regjimin jordanez janë njësoj me kontradiktat që ajo ka me armikun sionist.
Në përgjithësi, në shpjegimin e gjendjes së tanishme, Sead Sajel foli edhe për gjëra të njohura. Nuk preku problemet e gjendjes së brendshme palestineze, as qëndrimet që ajo mban ndaj ngjarjeve të fundit, sidomos Konferencës së Gjenevës, marrëveshjen për angazhimin e forcave ushtarake midis Egjiptit dhe Izraelit. Mbasi dha një tablo për problemin e Lëvizjes Palestineze, Sead Sajel paraqiti disa kërkesa:
- Në Tiranë të hapet një Byro Informacioni e Organizatës për Çlirimin e Palestinës.
- Sipas mundësive që ka Shqipëria, t’u jepet ndihmë në mjete ushtarake, si armë e materiale të tjera, medikamente dhe furnizime të ndryshme.
- T’u jepet mundësia një numri kuadrosh palestineze që të bëjmë përgatitje dhe stërvitje ushtarake në Shqipëri. T’u akordohet një numër bursash në shkollat dhe akademinë ushtarake, për të përgatitur kuadro dhe teknikë të ndryshëm për aviacionin, marinën, përdorimin e radarëve, artilerinë, xhenion, mirëmbajtjen e mjeteve luftarake.
- Të shikohet mundësia e hapjes së një ambasade shqiptare në Damask. Kjo do të ndihmojë për të mbajtur lidhje të rregullta. Delegacioni Palestinez që ishte në vitin 1970, kishte ngritur këtë problem.
Mbasi është kthyer nga Shqipëria, këtë e ka biseduar edhe me Hafez Asadin, dhe ai është shprehur në favor të hapjes së ambasadës në Damask. Në fund, Saed Sajel tha: “E dimë se disa nga studentët tanë të dërguar për studime në Shqipëri, kanë bërë veprime abuzive. Për këtë ju paraqesim keqardhjen dhe ju kërkojmë ndjesë zyrtarisht. Ne nuk jemi takuar me studentët që kanë qenë këtu dhe akoma nuk jemi takuar me studentët që janë në Tiranë. Ne duam që studentët tanë të kenë sjellje të mira. Në rast se ndonjë nga studentët tanë nuk do të respektojë rregullat, ne do të dëshironim që ju ta nisnit menjëherë te ne”.
Shoku Beqir, mbasi falënderoi Saed Sajelin për ato që i foli për qëndrimin e Republikës Popullore të Shqipërisë ndaj luftës dhe çështjes së popullit palestinez, i foli mbi luftën dhe eksperiencën e Partisë dhe vendit tonë në luftë me armiqtë e ndryshëm.
I shprehu gjithashtu pikëpamjet dhe qëndrimet tona mbi veprimtarinë anti-arabe dhe anti-palestineze të sionistëve izraelitë, imperialistëve amerikanë e bashkëpunëtorëve të tyre dhe reaksionit arab, sidomos regjimit të mbretit Hysein. Duke i konfirmuar ndjenjën e miqësisë së popullit shqiptar, Partisë dhe Qeverisë sonë për popullin palestinez dhe duke e siguruar për përkrahjen tonë të vazhdueshme, shoku Beqir i tha se qeveria jonë dëshiron t’i ndihmojë me gjithë zemër sa më shumë luftëtarët palestinezë, por Shqipëria është një vend i vogël, me mundësi materiale jo shumë të mëdha.
Për kërkesat e parashtruara nga Saed Sajel, shoku Beqir i tha se ato do të studiohen dhe do të jepet një përgjigje për to.
Delegacioni do të largohet ditën e mërkurë, më 5 shkurt 1974. Tiranë, më 1 shkurt 1974./Memorie.al
Nesti Nase
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016