Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtëdhjetepesë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Zoti e di, moj nënë”! – reprezaljet e Sigurimit dhe vala e arrestimeve, s’garantonte kënd nga ri-dënimi, jo më të shpresoje lirimin.
“Loke, e din partëja, kur i fut dhe i qet rrobt prej burgu”! – ndërhyri polici dhe m’u shkrydh: – “Or tëj, shpejt mbrend”! – me shtyu mua dhe i hapi shteg vigut, që ta fusnin në makinë. Gjer te shesh pushimi, eca me kokën pas, atje ndala, këqyra prindërit që ishin ngurosur pak metra larg portës dhe bashkova majat e gishtave, t’iu dërgoja një puthje, por dy bulëza gjaku më ranë mbi buzë. I lëpiva dhe ndjeva pulsin e jetës.
“Nëna na ushqen nëntë muaj me gjakun e saj, na sjell në jetë, mes një lumë gjaku dhe na mëkon me tharmin e gjakut, qumështin dhe më pas e më pas dhuron gjakun, për lumturinë e pjellës”!
Duke filozofuar kësisoj, më rrethuan miqtë dhe nisën të pyesnin për të rejat nga bota e lirë. Por më panë duarbosh dhe u interesuan të mësonin, ç’kishte ngjarë. Ndërsa po u tregoja hollësirat, ca pika gjaku ranë mbi cigaren që mbaja në dorë dhe e fikën.
“Po ky gjak”? – u interesua Tomor Balliu.
“U çora të kafazi i portës”.
“Qenke sakatu or burrë, lypet me e mjeku pa vonesë”! – Ahmet Islami, i vikati infermierit që kaloi aty pari:
“O Vani, a ban me e mjeku një fije kët”?
“Silleni në infermieri”! – u gjegj ai dhe vijoi rrugën.
“Me dy-tre shokë, mësyva klinikën e Kosovrastit, ku ishte rrëmujë, si rrallëherë”.
“Ç’e mirë u solli”? – mjeku çoi kryet nga një regjistër ku diç shënonte, po kur pa gjakun që kullonte rrëke, ngeli gojëhapur. – “Ku qenke çarë kaq thellë, or djalë”?
“Te telat e rrethimit”, – ia ktheva.
“Ç’kërkove atje, apo t’u mërzit jeta dhe deshe ndonjë koqe plumbi”? – uli sërish kryet dhe diç shtoi në regjistër: – “O djalë, hap sytë, se edhe pak të ka mbetur”!
“Ishte në takim me prindërit”, – sqaroi Tomori.
“Ha-ah, kujtova se i mori koka erë”! – dhe iu kthye Vanit: – “Shihe sa të mbyll dokumentet e qyqarit, që nisëm në spital”.
“Ç’e gjeti Jorgon, që e transportuan urgjent”? – u interesua Ahmeti.
“I plasi apendesiti. Ka rrezik infeksioni, po ishalla e shpëton Zoti, se është ende i ri”! – dhe vijoi shkrimin mbi regjistër. Vani më përdrodhi parakrahun, seç gërvishti me pincetë, që më përcëlloi sa më rrodhën lot.
“Paska çarje të thella, doktor”! – diç e ftohtë më akulloi zemrën.
Mjeku shkoi një fill të trashë si zorrë, në një gjilpërë të kthyer si fëndyell këpucari, e zhyti në një anë, e puthiti në tjetrën dhe shtrëngoi spangon, gjersa lidhi nyjën e fundit.
“Bëji tetanosin, telat e ndryshkur rrezikojnë infeksionin” – urdhëroi dhe goja iu hap për gjumë. Vani më ngriti këmishën dhe më nguli agen në lëkurën e barkut. O Zot sa më dhembi, më fort se krahu!
“Në daç shtrihu këtu, në daç në shtrat, pas gjysmë ore të vjen radha”, – dhe kaloi te tjetri.
“Pse, paskam ende”?!
“Edhe dy copë. Por mos u shqetëso, mbase të rregullon doktori nja dy ditë raport”. Pas gjysmë ore dola nga dhoma, bëra tjetrën, dhe tjetrën. Të nesërmen, raportit mjekësor, s’ia fishkëlleu kush, policët më qitën në punë, me dorë të qepur.
“N’punë, or tëj! Asha idealin e Partëjs, tash po e sheh ç’ka po t’gjen, ba mos me kap normën”! – kërcëlliu dhëmbët Pjetër Koka.
“Jam me raport”! – iu gjegja dhe i zgjata letrën.
“Tash po ta tregoj veta raportin”! – e rrëmbeu dhe e shqeu çikra-çikra.
“Eja, leri llafet”! – Caci më mori për krahu.
Gjithë ato ditë shokët u detyruan të bënin edhe normën time, gjersa m’u mbyll plaga. Por situata të pazakonta, temperojnë karakteret, bash si uji që kalit metalin.
Rrëfimi i Ymerit
Me Ymerin, që dibranët e thërrisnin “Imer”, ndërsa të tjerët “suedezi”, pothuaj s’njihesha. Por ditët, kur u detyrua të bënte veç minatorit, edhe vagonistin, sepse isha i dëmtuar, shpalosi vetitë e malësorit fisnik dhe të sakrificës:
“Ani he burrë, po punojnë të na, gjer të shërohesh! A do ta bajshit ju punën teme, ba me kenë unë i sëmutë? Pa dyshim do ta banit”! me këtë pyetje-përgjigje retorike., justifikoi mundimin. Ymeri ishte i thinjur komplet, si t’i kish kaluar të pesëdhjetat, kur në fakt ishte tridhjetë vjeç. Tiparet e zymta dhe fjalët e kursyera, i merrnim si shenjë pendese, për kthimin e pamotivuar nga Suedia.
Aty nga fund vitet pesëdhjetë, u arratis në moshë fare të re. Me mbështetjen e disa kosovarëve, ia doli të emigronte në Suedi, ku u sistemua për bukuri. Në mjedisin e ri e mirëpritën dhe e orientuan drejt zanateve. Djaloshi me inteligjencën natyrale, përftoi në kohë rekord një xhumbë specialitetesh dhe u bë i njohur, sa e kërkonin me qiri, ama edhe ai ua shpërblente me cilësi dhe rendiment të lartë.
Kësisoj kaluan mbi dhjetë vjet, kohë gjatë së cilës shtoi pasurinë, por po humbte rininë. Tashmë tridhjetëvjeçar, e konsideronte veten të vjetër, për të pritur ende, ndaj lipsej të krijonte familje. Jo se në Suedi mungonin vajzat, por Ymeri tradicional, donte grua për shtëpi dhe nënë që t’i rriste fëmijët. Qyr andej e, qyr këtej, s’po i dilte në shteg.
Një koleg i sapo kthyer nga Parisi, i kërkoi një ditë të bënte përkthyesin, në pavijonet e një panairi. “Më zuri qymyri me një zeshkane perri, që për fat të keq, s’dinte suedisht, po kur lexova “Albania”, m’u kujtove ti! Të lutem më ndihmo të komunikoj, me bukuroshen mesdhetare”!
Kjo qe pak a shumë kërkesa e kolegut, që kish bërë aq shumë për të. Ndaj Ymeri, s’u mendua dy herë, por i premtoi në çast dhe të nesërmen që në sabah, u nisën drejt Francës. Në panairin evropian, u takuan me një grup shqiptarësh, që Zoti e di s’i ia kishin dalë, të hapnin atë pavijon mes bollëkut parisien. Gjithsesi s’e vrau t’i gjente përgjigje pyetjes që e mundoi, sepse i përmalluar për vendin dhe patriotët, u dha aq shumë pas tyre, sa harroi misionin për të cilin kish lenë punën.
Madje e braktisi “detyrën”, qysh se vajza ia preu: “Jo! S’jam këtu për të gjetur dashurinë, apo për të krijuar familje, sepse i kam në vendin tim, por për të përfaqësuar Shqipërinë socialiste”! Natyrisht, kolegu pas përgjigjes negative, u kthye në Suedi, kurse Ymeri e luti, të rrinte edhe ca ditë me bashkëkombësit, që të jemi të sinqertë, iu krip muhabeti.
Ai iu bënte pyetje, ata i gjegjeshin me superlative, për përparimin kulturor dhe politikën e drejtë që ndiqte partia, për forcimin e ekonomisë socialiste. Ndër të tjera i dhuruan një mori revistash të ilustruara, me njerëz të qeshur dhe të lumtur, që iu gëzoheshin mirësive socialiste, si askund në botë.
Ditët e fundit, Ymeri u interesua të mësonte se si i trajtonin ata që dëshironin të riktheheshin në atdhe, me dëshirën e tyre. I mirëprisnin apo i ndëshkonin? Sigurisht naivi Ymer, i besoi patriotët që e ngopën me rrena, se gjoja, askush s’do ta arrestonte dhe dënonte, për krimin e arratisjes. “Partia është zemërgjerë, me ata që s’i kanë lyer duart me gjak, madje s’ua prek as pasurinë e vënë me djersë, se mund të zgjedhë të jetojë, ku të dëshirojë, brenda territorit shqiptar” dhe të tjera dokrra, pa fund.
Qyqari Ymer, u ngazëllye sa e harroi gjendjen që kish lënë para dhjetë vjetësh, kur ish arratisur. I hëngri përrallat për prosperitetin e vendit ku kish lindur dhe ish rritur, dhe bash si skajnorët periferikë, ku zor se mbërrijnë të rejat të pa deformuara, shpresonte në mirëpritjen që do t’i rezervonin autoritetet dhe e ndau mendjen, të kthehej në “Atdheun e dashtun, ku i kish ranun koka”.
Në ambasadë në Paris, e pritën bajagi mirë. E pajisën me dokumente dhe e ftuan të kthehej një sahat e më parë, me gjithë mallin dhe paratë e fituara në emigracion. Kjo dashamirësi, ia davariti dilemën që ngriti krye në subkonshiencën e të arratisurit.
U rikthye turravrap në qytezën suedeze, me mendjen dhallë. Iu prish gjumi, madje ia vari punës dhe kërkoi shkëputjen, që për hir të vërtetës, s’deshën t’ia jepnin, por u detyruan para këmbënguljes së tij. I plotësuan një rekomandim pozitiv, që e shoqëruan edhe me një dorë të majme parash, si shpërblim për shërbimin e pakursyer ndaj kompanisë dhe e përcollën me respekt të veçantë.
Në ngut e sipër, mbushi një kamion plaçka, siguroi paratë në një simotër të bankës Shqipërisë dhe e mbajti frymën në Bari. Atëbotë s’funksiononin linja tragetesh, si sot. Në pritje të mauneve për në Durrës, bujti në një hotel, që e frekuentonin shqiptarët e ikur lashtë, apo të arratisur rishtarë, ku u njoh me një pjesë syresh dhe iu rrëfeu arsyen, përse gjendej atje. Të njohurit e dizaprovuan njëzëri, disa u revoltuan dhe e morën për spiun të Kundërzbulimit shqiptar, të tjerët e bojkotuan. Kur e këshilluan të tërhiqej nga kjo kuturi e rrezikshme dhe ai s’i dëgjoi, e braktisën në fatin që zgjodhi.
Kësisoj, mes peripecive pacak, mbërriti në Durrës, por plaçkat mbetën në Bari. Për momentin, e sistemuan në hotel “Vollga”, (gjersa të përfundonte procedura e imbarkimit të mallrave), por edhe pas dy ditësh, procedura s’kishte nisur. Të afërmit e këshilluan të vinte në Tiranë, ku mund të interesohej pranë ndonjë të madhi, madje deri te Nexhmije Hoxha, që siç pretendonin ata, kishin një lidhje të largët gjaku.
Pra me rrobat e trupit, nja dy valixhe dhe ca para xhepi, që përbënin një të qindtën e prokopisë emigratore, Ymeri kapi kryeqytetin, ku burokracia ia pruri në majë të hundës. Kur ngriti zërin, dashamirët e këshilluan të qetësohej dhe të tregohej i durueshëm, sepse shpejt do zgjidheshin mosmarrëveshjet.
Po edhe pas javës, “mosmarrëveshjet” s’po mermin udhë, s’patën sukses as ndërhyrjet e miqve lart. Askush s’u bë i gjallë, përjashto Bankën e Shtetit, që i dha një sasi parash, që e ngrohën një farë soji. Në këto kushte, mori sërishmi udhën e Durrësit, që të informohej në burim, po s’i dhanë përgjigje, veç sa e mbajtën me ujë të ngrohtë:
“Bagazhet mund të mbërrijnë nga ora në orë, në mos sot ,apo nesër, për dy tri-ditë”, – kaq i thanë. Përgjigja as mish as peshk, e sikletosi të gjorin Ymer, që s’diti ku ta plaste kokën. Realiteti i paralajmëruar e dëshpëroi dhe nisi të bluante gjithë ç’i kishin thënë të arratisurit rishtarë, në hotelin e Barit. Kur iu ndërmendën miqtë e Parisit, e mblodhi disi dhe u kthye në Tiranë i lehtësuar. Mësyu Ministrinë e Jashtme, por e degdisën në dikasterin e Tregtisë së Jashtme, ku sërish ndeshi murin e heshtjes.
I mbytur në dëshpërim të thellë, gati pësoi depresion. Humbja e prokopisë, sidomos vrasja e shpresës për të ardhmen, i tronditën besimin edhe te të afërmit e vet. Bash në këto ujëra, ia behën në hotelin ku kishin zënë vend, dy burra me pardesy të bardha, që u paraqitën si përfaqësues të Ministrisë së Transportit Detar dhe i dhanë një re-çifutë, ku përshkruhej saktësisht ngarkesa që kish mbërritur në port. I gëzuar sa s’ka, firmosi shpejt dhe u nis fill pas lajmëtarëve.
Por e ndalën në hyrjen e portit, me pretekstin se ishte zonë e ndaluar. Pasi protestoi, e nisën në Degën e Brendshme, demek ta pajisnin me fletë-hyrje. Pas derës, e prisnin dy pardesytë e bardha, që i kishin marrë firmën, tash i vunë prangat, në emër të popullit dhe përfundoi nga Suedia, në biruca. Pas ca muajsh i bënë gjyqin, ku e akuzuan për spiunazh dhe e dënuan pesëmbëdhjetë vjet, si “armik të popullit” dhe “tradhtar të Atdheut”. Qysh atëherë, mbi fytyrën zeshkane, iu ndeh tisi i zisë, që s’përkonte kund me cilësorin; “suedezi”.
“Po koka ban, trupi pëson, mirë të më bahet bre! Isha bajagi mirë në Suedi, deshta nuse shqiptare dhe ata më martun, njitu në Spaç”, qortonte veten qyqari Ymer. Gjer nga fundi i qershorit, s’pati ndonjë zhvillim për t’u përmendur, përjashto dajakun e grupit ndëshkimor dhe torturat psikologjike, që na shkaktoi leximi i detyruar. Më 29 apo 30 qershor 1973, nisi farsa e gjyqeve e të arrestuarve, si shkaktarë të revoltës.
Pos dymbëdhjetë të parëve, që i dënoi Gjyqi Special në 23 maj, katër me vdekje dhe tetë, me nga 25 vjet, mbi tetëdhjetë të tjerë, prisnin në birucat e Koci Xoxes. Natyrisht nëse do dëshironin, mund t’i kalonin të gjithë në një seancë, fundja dënimet i kishin paracaktuar dhe dëshmitarët i kishin gati, por lipseshin ndarë në grupe, për arsye sigurie dhe për bujë. Kësisoj e nisën me njëzetëshen që përfshinte projektuesit e Flamurit dhe dëmtuesit e stendave të emulacionit, të cilëve iu dhanë dënime drastike, që varionin, nga 13, në 25 vjet, vetëm dy, mundën t’i shpëtonin ridënimit.
Sa përfunduan gjyqin, i rikthyen në Spaç, të sakatuar nga torturat e të drobitur nga mundimet dhe i caktuan qysh të nesërmen, në frontet nga i shkëputën tri javë më parë, veçse tashmë i ngritën në detyrë, i emëruan minatorë, paçka se pjesa dërrmuese, mezi mbaheshin në këmbë.
Javën e ardhshme, vijuan me grupin e dytë, edhe me ta e njëjta procedurë, i dënuan nga 13, deri 25 vjet. Më pas edhe grupin tjetër, edhe tjetrin dhe përfundimisht plotësuan shifrën, rreth 1.700 vjet burg, ose afër, dy mijëvjeçarë. Vlen te theksohet, se në të gjitha seancat gjyqësore, ishin të njëjtët dëshmitarë.
Pra, siç përmenda, dëshmitarët ishin ca policë mjeranë dhe trupa e spiunëve të burgut. Madje, me këtë rast, Sigurimi i Shtetit aplikoi aksiomën kineze: “Miu ha miun”, që konsiston në luftën biologjike, brenda llojit: (sipas marinarëve të lashtë kinezë, që transportonin drithëra me anije, të cilat i sulmonin koloni minjsh, që iu dëmtonin ngarkesën.
Për këtë arsye, rrisnin minj në kushte kafazi, i linin pa ngrënë, gjersa telekoseshin, pastaj iu jepnin mish miu. Ky ushqim i përsëritur, ditë pas dite, iu lezetosej aq shumë minjve luftëtarë, sa s’pranonin të hanin tjetër. Sapo i imbarkonin nëpër anije, iu suleshin të ngjashmëve në birat ku fshiheshin dhe i gllabëronin me gjithë eshtra. I shfarosnin të gjithë, duke u kthyer në gardianë të pavullnetshëm).
Bazuar te kjo metodë, Sigurimi i Shtetit, ndërseu ca policë rrogëtarë, deri te mjeranët lapangjozë, Medi Noku, Agostin Peçi, Muhamet Kosovrasti, Thanas Theodhoraqi, Ilia Dhima, Zenel Balliu, Pandeli Pjetri, Miltjadh Papa, Hilmi Ffreskina, e ndonjë tjetër, që s’më bije në hatër, që dëshmuan me paturpësi kundër bashkëvuajtësve, duke fituar urrejtjen dhe përbuzjen kolektive.
Mbështetur në rrëfimet e miqve, që iu nënshtruan hetuesisë speciale dhe më pas procesit gjyqësor, i akuzuan me përjashtime të pakta, për kundërshtim aktiv të autoriteteve, për grupazhe të strukturuara kriminale dhe për terrorizëm. Natyrisht, këto nene nisnin nga minimumi dhjetë vjet, gjer në dënim me vdekje, po gjyqet e njëpasnjëshme, për arsye të panjohura, s’aplikuan dënime kapitale, iu dhanë nga 13, gjer në 25 vjet, mbi tetëdhjete vetëve, rrjedhimisht dënim me vdekje të avashtë, sepse askënd s’e liruan, pa plotësuar 20 vjet e përpjetë, kurse të fundit, i liruan në vitin 1990, falë pluralizmit politik.
A mund të haset tjetër kund, një marrëzi e tillë? Është bash si të dënosh 51 breza, po të supozosh 3 breza, në një shekull! Në këtë drejtim, regjimi i Enver Hoxhës, kapërceu Xhingis K’hanin, sepse as në Egjiptin e lashtë, as në Greqinë antike, as në Romën e vjetër, s’ndeshet kjo batërdi tragjike!
Me këto masa drakoniane, komunistët synonin të terrorizonin popullin dhe të përjetësoheshin në pushtet, por rezultoi krejt e kundërta, pos armiqve realë, fituan edhe urrejtjen e pjesës së heshtur. Paskëtaj nisën luftën për pushtet dhe hëngrën kokat shoq me shoq, në grindjet mes vetit. Statistikat e pas revoltës, qesin një shumatore tronditëse, grupet do pasonin me rregullsi kronologjike dhe kokat e anëtareve të Byrosë Politike, do binin aq dendur, sa pas vdekjes së diktatorit, ish-shokët e vjetër, mund t’i numëroje me gishtat e njërës dorë.
Pra, Revolta e Spaçit, i tronditi themelet pushtetit, bash si lëvizja tektonike, përshpejtoi kalbëzimin dhe më pas rënien e regjimit tiranik. Kësisoj, po përmbushej profecia e doktorit shkrimtar: “Kjo ngjarje, duhej të ndodhte medoemos, për t’i rrëfyer botës, se liria nuk vdes edhe pse lëngon prej tridhjetë vjetësh, nën dhunën me të egër që ka njohur njerëzimi. Historia kombëtare, do pasurohet me një fakt unik, që do t’i japë efektet mbrapa, do tronditë themelet e regjimit dhe do afrojë fundin e tij!. ”
Jehona e kësaj tirade, do zgjaste edhe dy dekada, gjersa të ndër-kallej në mendjet dhe zemrat e çdo shqiptari, e kështu do jepte reperkusionet në fillim-vitet nëntëdhjetë! Po shuhen yjet që ndritën në natën e gjatë komuniste! Data 9 mars, 2018, në mbrëmje mora lajmin e hidhur, të ndarjes nga jeta te mikut të burgut, Neim Pashai. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016