Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjë e cila asokohe u ndie shumë tek studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri. Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin Akademitë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit, Drejtësisë, etj., patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.
I n f o r m a c i o n
Mbi disa biseda që kam zhvilluar në Moskë me persona të ndryshëm.
Në bisedën me profesoreshën e gjuhës ruse, të quajtur Nina Aleksejevna, kur e pyeta për përgatitjet e festës së 1 Majit, ajo nuk kishte bërë asnjë përgatitje, u shpreh tekstualisht kështu: “Nëpër magazinat e Moskës, ka të paktën një javë që nuk gjen asgjë. Nuk ka as sallam, as gjalpë, as djathë, as fruta, dhe mungojnë shumë ushqime të tjera”.
Ajo, tha se në magazina, nuk ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë që po ndodh sot. Për të marrë një produkt në magazinë, duhet të presësh shumë kohë dhe në disa raste në përfundim, nuk merr asgjë. Kështu vetë vetiu kanë filluar dhe pëshpëritjet në popull, madje këtë aspekt ajo na e tha disi me pasion.
Në biseda të tjera, kemi biseduar rreth marrëdhënieve tona me Bashkimin Sovjetik. Për masat e marra nga qeveria sovjetike e kryesuar nga Hrushovi, kundër vendit tonë, ajo nuk shprehesh kundër argumenteve dhe arsyetimeve që ne i tregonim, por as nuk fliste hapur.
Kur ajo mori vesh lajmin për vendimin e partisë dhe qeverisë sonë, për t’i tërhequr të gjithë studentët shqiptarë nga territori i Bashkimit Sovjetik, ajo nuk e quajti të drejtë dhe tha që përveçse dy studentëve që u përjashtuan, të tjerët mund të kishin qëndruar për të vazhduar mësimet.
Gjatë kohës së ndarjes, me rastin e largimit tonë, ajo na tha që të mos trishtoheshim, pasi me siguri do të ri takoheshin për të vazhduar përsëri studimet.
Nina, ishte shumë e interesuar për gjërat që i shpjegonim ne në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe midis RPSH-së dhe BRSS-së, dhe aprovonte materialet që i’a jepnin neve, ku tregohej qëndrimi i qeverisë sovjetike ndaj asaj shqiptare. Burri i saj i quajtur Juri, punonte në organet e shtypit si korrespondent.
Ndërsa profesoresha e gjeografisë, e quajtur Aloshina, hapte shpesh biseda që kishin të bënin me qëndrimin që Partia e Punës së Shqipërisë, kishte ndaj Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Bashkëshorti i saj ishte kolonel në një sektor të ushtrisë.
Ajo, e mburrte me fjalë të mëdha Hrushovin si një njeri të paqes, dhe që luftonte për lumturinë e popullit sovjetik, etj. Aloshina, deklaronte se kishte shumë frikë nga lufta dhe se kohët e fundit ishte shfaqur si një fanatike e madhe në mbrojtje të ideve të Hrushovit.
Kur ne i komunikuam vendimin e partisë dhe qeverisë sonë për ndërprerjen përfundimtare të studimeve dhe ikjen për në Shqipëri, ajo ngeli e habitur dhe deklaroi se: nuk ishte në dijeni të këtij urdhri dhe se kërkonte të na bindte që të mos e respektonim këtë urdhër.
Kjo, kuptohet që ishte e udhëzuar nga Shefi i Fakultetit dhe kërkonte të përçante studentët dhe sikur me 4-5 vetë, të rifillonte mësimin. Por ku e pa që nuk ja doli, u tërhoq përfundimisht.
Shumë qëndrim të keq ka mbajtur ajo, sidomos në diskutimet që kishin të bënin dhe me marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Kur ne, e kundërshtonim me fakte dhe argumente në lidhje me këto marrëdhënie, aj, na thoshte se: do të kërkonte sqarime më lart. Kjo pedagoge ishte dhe anëtare partie.
Ndërsa, profesoresha që jepte mësimin e gjuhës ruse (4 orë në javë) “nën frymën e bisedave të lira”, na tregonte se kur ajo kishte punuar në një institut shkencor për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ishte njohur për situatën e relative të mira midis RPSH-së dhe BRSS-së, qëndrimi i saj kishte qenë i habitshëm. Ajo, na fliste në mënyrë negative rreth qëndrimit zyrtar që ne kishim kundër revizionistëve jugosllavë.
Por kujtime të mira, unë ruaj absolutisht për dy nëpunëse të shkollës ku ne ishim. Një quhej Ana Vasilevna, ndërsa tjetra Zhenia (mbiemri nuk më kujtohet). Ato, flisnin me simpati të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Madje kur ato morën vesh qëndrimin dhe sulmin që po i bënte qeveria sovjetike kombit tone, qëndrimi i tyre ka qenë shumë i mire, sepse ata flisnin hapur dhe me të madhe, kundër Hrushovit.
Ana me kurajo e karakterizonte atë si llafazan, njeri që çfarë thoshte sot, nuk e thoshte nesër, aktiviteti i tij në udhëheqje nuk ka qenë kurrë i njohur si Stalini. Qëkur ka ardhur në fuqi Hrushovi, gjendja ekonomike e popullit, është përkeqësuar shumë në krahasim kur në krye të vendit ishte për pak kohë Malenkovi.
Ana Vasilevna më tregoi se përveç Moskës, gjendja ekonomike më e keqe ishte në qytetet e tjera. Ajo, më tregoi një rast kur një i njohuri i saj, i kishte kërkuar në një letër që t’i dërgonte pak gjalp, djath, sallam, që fëmijët të mos sëmureshin nga mungesa e këtyre ushqimeve bazike. Dhe unë, tha ajo, menjëherë ja dërgova ato me postë.
Ana më tregoi se në popull ka shumë pakënaqësi, se njerëzit nuk e besojnë më Hrushovin, se në vendin tonë janë shtuar vjedhjet, papunësia, vagabondazhi, kriminaliteti, etj.
Rinia sovjetike po shkon drejt një rruge pa krye. Dhe kjo ka filluar të ndodhi qëkur këta, filluan politikën me pajtimit me revizionistët jugosllavë.
Kur neve shkuam dhe i dhamë lajmin se ishim duke u larguar përgjithmonë, ata u mërzitën dhe filluan që të shajnë njëzëri Hrushovin. Madje Ana, kur ishte duke shfletuar një revistë dhe aty gjen fotografinë e Hrushovit, e godet atë me grusht.
Ndërsa përgjegjësja e klubit të shkollës, e quajtur Olja, kur mori vesh për largimin tone, u trishtua shumë. Në momentin kur unë dhe shoku Fahri Kraja shkuam për ta qetësuar, ajo na tha që dhe ne të mos mërziteshim, pasi shumë shpejt kjo punë, do të zgjidhej dhe ne do të riktheheshim përsëri atje.
Olja, kishte një simpati të madhe për shqiptarët. Në një rast kur ne po dilnim shëtitje në parkun ‘Gorki’ të Moskës, ajo erdhi dhe na tregoi vendin ku punoi dhe vdiq Lenini.
Ju shqiptarët, na thoshte ajo, jeni njerëz shumë besnikë dhe të sinqertë në raport me studentët e kombësive të tjera. Çekosllovakët janë shumë mendjemëdhenj, ata nuk duan t’ia dinë për njeri, na u shpreh ajo.
Polakët janë njerëz të arrogantë dhe sado që ne i kemi ndihmuar, ata sillen si mosmirënjohës. Ushqejnë ndjenja negative karshi nesh po dhe ne ju kundërpërgjigjemi në shumë raste.
Edhe rumunët janë të pabesë dhe gjatë luftës ata së bashku me gjermanët, okupuan gjysmën e Ukrainës dhe bënë krime në popull. Për sa i përket shumicës së personelit të shkollës, janë prekur pa masë kur morën vesh që ne do iknim përfundimisht për në atdhe.
Ata, u hidhëruan dhe na thonin që të mos mërziteshim pasi së shpejti do të riktheheshim për të studiuar së bashku. Me këto gjeste që bënin, tregonin prekje të thellë.
Qëndrim shumë të poshtë ka mbajtur karshi nesh, ka mbajtur Shefi i Fakultetit, Kolonel Grigorjevi. Ai me ne është treguar i ftohtë dhe shumë i ashpër.
Për sa i përket studentëve të tjerë në shkollë, si çekët, rumunët, polakët, etj, janë treguar gjithashtu të ftohtë kundrejt ne shqiptarëve me ndonjë përjashtim të rrallë në radhët e tyre.
Më të ngrohtë dhe të afrueshëm me ne, kanë qenë vietnamezët. /Memorie.al
Kolonel Limoz Tare
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016