Dashnor Kaloçi
Pjesa e dhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjë e cila asokohe u ndie shumë tek studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri. Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin Akademitë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit, Drejtësisë, etj., patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.
R e l a c i o n
(Mbi disa bisedime në Moskë)
Me mësueset në përgjithësi kemi biseduar dhe u kemi treguar mbi qëndrimin e Partisë sonë, dhe masat e padrejta që ka marrë Hrushovi kundër vendit tonë mbas Mbledhjes së Bukureshtit dhe sidomos pas asaj të Moskës. Mësuesit në përgjithësi janë dakord me mendimet tona me përjashtim të asaj të gjeografisë që mburr Hrushovin, duke thënë se ai lufton për paqen.
Pedagogia e gjuhës ruse, Nina Aleksejevna, më thoshte se prishja e marrëdhënieve mes nesh nuk është e mirë, por ne nuk kemi se çfarë të bëjmë. Ajo, fliste me dashuri për Leninin dhe Stalinin dhe më tregoi një rast që kur Hrushovi kishte shkuar në Jerevan, kishte qenë i detyruar që të fliste mirë për Stalinin, se nuk kishte nga t’ja mbante.
Në veçanti kemi biseduar në praktikën mësimore me mësuesen e gjuhës ruse, Maria Ivanovna. Ajo, na dëgjonte me vëmendje. Në një bisedë që po bënim lidhur me çështjen e dërgimit të miellit, ajo foli drejtë, por më vonë tha se edhe Hrushovi duhet kuptuar se miellin nuk mund t’jua japi të gjithëve.
Pyetjeve tona: sesi shpjegohet se një ndër akuzat që i drejtoheshin Stalinit, ishte se ai kishte dalë mbi strukturat e partisë dhe shtetit, dhe se kishte shkelur kolegjialitetin, etj. Po tani praktikisht pse po veprohet në të njëjtën mënyrë?!
Pedagogia, u shpreh më keq se atëherë. Kur ne i thamë sesi qëndronte puna me Zhukovin, që kur ai ishte me vizitë në vendin tonë, u përjashtua nga Presidiumi dhe u hoq nga Këshilli Mbrojtjes?!
Ajo më tha se: kjo ishte e drejtë por ne nuk kishim se ç’të bënim. Kësaj ne i kemi treguar çdo gjë, që nga ndërhyrjet e Pospellovit në Kongresin e III të Partisë, e deri tek ikja e bazës ushtarake. Pasi ne i shpjeguam këto gjëra ajo, gati sa nuk qau dhe na deklaroi se: ne nuk i dinim këto gjëra. Ne, dimë vetëm se shoku Enver Hoxha na kritikoi padrejtësisht ne si vend në Mbledhjen e Moskës, se ai nuk na ka ndihmuar, dhe po përgatit popullin shqiptar për luftë, etj.
Për këtë arsye, i dhashë raportin e shokut Enver mbajtur në Kongresin e IV të PPSH-së, të shtypur në rusisht. Mbasi ajo e lexoi, u habit nga përmbajtja e fjalëve të ngrohta në drejtim të miqësisë me BRSS-së. Maria, fliste më mirë për jugosllavët.
Asaj, ne i dhamë broshurën mbi burgjet dhe kampet e Jugosllavisë. Na pyeti se nga i dinim këto gjëra, dhe a janë të vërteta fjalët që thuhen mbi pushkatimin e njerëzve atje?!
I thamë se janë më se të vërteta dhe për këtë arsye Hrushovi, nuk na lejon që ta botojmë këtë tek “Pravda”. Në diskutimin që u bë rreth filmit “Qielli i pastër”, ne këtë film, e kritikuam shumë dhe thamë që ky film, ishte një turp për Bashkimin Sovjetik. Ne, i thamë se për nga përmbajtja ky film, ishte njëlloj me fjalimin e Titos, apo të imperialistëve amerikanë, që flisnin kundër pushtetit të sovjetëve.
Të njëjtin mendim për këtë film, ushqenin dhe profesorët tanë, madje pedagogia e gjuhës ruse, na tha se Hrushovi pasi e kishte parë filmin, ishte shprehur se: “Kishim kohë që e prisnim një film të tillë”.
Ne me profesorët, diskutonim gjithçka dhe u tregonim atyre çdo gjë që shkruante shtypi ynë. U tregonim dhe për gjyqin e komplotistëve që po zhvillohej ato ditë në Tiranë dhe i theksuam se “Pravda”, nuk shkruante gjë rreth këtij gjyqi.
Tek shkolla, ishte bërë rregull për disa vjet, që në festën e çlirimit, organizoheshin biseda të lira me studentët e kombësive të tjera, dhe me prezencën e mësuesëve tanë. Tek ne, erdhën hungarezët, çekët, rumunët, etj. Pas mbarimit të bisedës, bëheshin pyetje dhe një nga pyetjet që unë bëra, ishte: sesi silleshin jugosllavët në kufi?!
Hungarezët, folën hapur se: jugosllavët punonin kundër tyre duke i’u dërguar diversantë në kufi, madje dhe se ata kishin përgatitur kundërrevolucionin hungarez në vitin 1956, etj. Majori Totov, tha se gjatë Kongresit të XX të PK të Bashkimit Sovjetik, u fol për zbutjen e luftës së klasave, ndërsa për Rakoshin, fliste me admirim. Rumuni, tha se edhe kundër tyre nuk kishte pasur provokacione nga ana e jugosllavëve, ndërsa për çështjen e Dezhit, nuk dinte gjë.
Edhe pasi ikën mësuesit, rumun na tha që: edhe ndaj tyre jugosllavët dërgonin agjentë e diversantë në kufi, por këto diskutime, nuk mund t’i bëjmë në sy të profesorëve tanë, sepse Hrushovi po ndjek një politikë miqësie me Titon.
Edhe ne i thashë, po punojmë për një gjë të tillë, por ama gjatë Konferencës së Tiranës, jugosllavët organizuan një agjenturë të tërë kundër nesh dhe Partia jonë s’mund të heshti para këtij fakti. Ne këtë, e demaskuam në sy të 81 partive në Moskë.
Rumuni, më tha se: në vendin e tij kjo çështje nuk ishte zgjidhur akoma.
Unë i thashë se tek ne shtyp dhe radioja, flasin gjithë ditën kundër revizionizmit jugosllav, ndërsa ai më tha që: në Rumani ka akoma njerëz që janë të dyzuar, nëse do të duhet të flasin apo të mos flasin kundër Titos. Ata, po përpiqen me të gjitha forcat kundër nesh, ndërsa ne sillemi butë me ta.
Sekretarit të Organizatës së Partisë të grupit të çekëve, nuk i’a bëmë këtë pyetje, dhe në prani të sovjetikëve, ai nuk foli shumë. Por, pasi u larguan ata, ai erdhi dhe na tha që: jugosllavët punojnë edhe kundër çekosllovakëve.
Në pushim unë isha vetëm me Kapiten Hajdar Gjinin. Na afrohet çeku dhe na thotë tekstualisht që: neve nuk na lejohet që të flasim hapur, në sy të profesorëve sovjetikë. Ai, na tregoi një rast për aktivitetin agjenturor të një punonjësi të legatës jugosllave në Pragë. Ai na tha gjithashtu se në kufirin polak, neve na vijnë shumë agjentë dhe diversantë që kryejnë akte spiunazhi kundër Çekosllovakisë. Ata, organizohen nga kleri katolik polak.
Ne, qëllimisht i’u kemi bërë pyetje studentëve të Demokracive Popullore, në sy të profesorëve sovjetikë, për t’u treguar atyre se jugosllavët, nuk punojnë vetëm kundër Shqipërisë, por kundër gjithë kampit socialist në tërësi. Në këto bisedime profesorët, i’u thoshin atyre se: jugosllavët shkonin keq vetëm me Shqipërinë. Por tani, ata morën vesh se Beogradi zyrtar dërgonte agjentë kundër të gjithë vendeve socialiste.
Ne, mësuesve sovjetikë u kemi bërë pyetje se: përse Hrushovi, këmben telegrame me Titon, kur këtë të fundit Mbledhja e Moskës e cilësoi tradhtar të marksizmit?! Në 17 Prill 1961, në klasën tonë gjejmë një oficer sovjetik që po studionte. Aty isha unë, së bashku me Major Azem Gërxhaliun, dhe Toger Andon Çerepin. Ai, pasi na ndigjoi që ne nuk flisnim rusisht, na tha që: të zhvendosem diku tjetër, pasi mund t’ju pengoj.
I thamë se: mund të vazhdonte që të studionte aty, pasi nuk na pengonte. Më vonë, pasi i treguam që ishim shqiptarë, na pyeti se çfarë po ndodh ndërmjet Shqipërisë dhe vendit të tij?! Ai, theksoi gjithashtu, se Shqipëria kohët e fundit, e kishte sulmuar pa të drejtë Bashkimin Sovjetik.
Kur ne e pyetëm, se: për çfarë e kishte kritikuar shoku Enver, Bashkimin Sovjetik, ai na tha se ne ishim ankuar gjoja duke thënë se Moska, nuk po na ndihmon si vend i vogël që jemi.
Atëherë unë bashkë me Azemin, pasi Andoni iku, i treguam sovjetikut qëndrimin e Partisë sonë ndaj ndërhyrjeve të padrejta të Hrushovit ndaj nesh, për kritikët e shokut Enver në Mbledhjen e Moskës, për tërheqjen e bazës ushtarako-detare, për qëndrimin ndaj Panajot Plakut, për gjyqin ndaj komplotistëve, por që “Pravda” nuk shkruan asgjë, etj.
I fola gjithashtu dhe për ikjen e papritur dhe jo korrekte të këshilltarëve dhe specialistëve sovjetikë nga Shqipëria. I treguam gjithashtu dhe për çështjen e miellit, dhe për mos respektimin e kolegjialitetit, si në rastin e shkarkimit të Zhukovit.
Për të gjitha këto, ai u detyrua që të pohonte dhe të na thoshte se: ne kishim plotësisht të drejtë.
Unë i thashë të gjitha të vërtetat në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Theksova se Hrushovi dhe gazeta “Pravda” e cilësojnë Titon, hero dhe patriot të ndershëm, ndërsa shtypi jonë, e demaskon dita ditës atë për revizionizmin e tij. Po kështu i deklarova se: Hrushovi nuk duhet të ndihmojë Naserin e Nehrunë, të cilët persekutojnë komunistët, apo Kenedin e De Golin, të cilët janë pothuajse në gjendje lufte me BRSS-në. Ai, duhet të ndihmojë pa rezerva, vendet e kampit socialist.
Në fund, oficeri sovjetik pasi dëgjoi tërë këto argumente, u prek shumë dhe na tha se: nuk i kishte marrë vesh më parë këto gjëra. Ai, na kërkoi raportin e shokut Enver të shtypur në rusisht, që kishte mbajtur në Kongresin e IV të PPSH. Pas 3-4 ditësh, e takuam përsëri këtë oficerin sovjetik dhe i’a dhamë raportin.
Këtë here, ai na tha që: jo të gjitha argumentet që i kishim thënë atë ditë, ishin të vërteta, pasi udhëheqja sovjetike, ishte për një zbutje të marrëdhënieve me jugosllavët, ndërsa vetëm udhëheqja shqiptare, ishte me idetë e vjetra ndaj rrymës revizioniste.
Atëherë, unë i thashë se: udhëheqja jonë respekton dhe zbaton drejt parimet bazë të marksizëm-leninizmit dhe do të vdesim duke mbrojtur mësimet e klasikëve të socializmit. Ne, revizionistët nuk i thërrasim dot shokë, ato do t’i cilësojmë ashtu siç i cilësonte Lenini dhe Stalini, renegatë e tradhtarë.
Në fund, pas mbarimit të bisedës, ai u pendua dhe më tha se: ju pavarësisht të gjithave, keni të drejtë dhe se jeni në rrugën e duhur.
Ne komunistëve këtu në Moskë, na ka ndihmuar shumë dhe mbrojtja që i bëmë ideve tona duke vënë me shpatulla për muri të gjithë ata që shfaqnin mosbesim ndaj nesh. Sepse partia jonë neve, na kishte treguar çdo gjë dhe ne ishim të armatosur mirë për mbrojtjen ideologjike të saj.
Me këtë përmbajtje janë dakord, Major Azem Gërxhaliu, dhe Toger Andon Çerepi. /Memorie.al
Me nderime
Kapiteni i I-rë
Velo Marko
Tiranë më 18.6.1961
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016