Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor “Tepër sekret” me korrespodencën sekrete të Ministrisë së Punëve të Jashtme me ambasadën shqiptare ne Ankara në vitin 1973, lidhur me aktivitetin e dy agjentëve të Zbulimit Shqiptar, Nevzat Koka dhe Lefter Sava, të cilët Turqia i akuzonte se kishin mbledhur informata sekrete për instalimet raketore të NATOS, ku midis të tjerash thuhet: “Nevzat Koka nëpërmjet kasapit, Ramazan Bekollari, që në vitin 1961 është njohur me diplomatin shqiptar Gaqo Mborja dhe rekomandimin e tij edhe me konsullin, Lik Seiti. Kurse Lefter Sava, ka marrë udhëzime nga diplomatët, Mehmet Çaka dhe Simon Qirici”.
Arrestimi para disa muajsh i pastorit amerikan Andrew Brunson që shërbente prej rreth dy dekadash në Turqi dhe që u akuza se “ka bashkëpunuar me grupin puçist që organizoi grushtin e shtetit në 2016-ën”, apo ai i dy ushtarakëve grek, Angelos Mitrodis dhe Demetrios Kouklitzis, që u akuzuan për spiunazh në dëm të Turqisë, duket se nuk janë raste sporadike që kanë ndodhur me qeverinë e Ankarasë. Të tilla “probleme” Ankaraja zyrtare ka pasur vazhdimisht edhe para viteve ’90-të pothuaj me të gjithë fqinjët dhe vendet afër saj, pa përjashtuar këtu as Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, ku jo pak herë diplomatët e saj akuzoheshin se mbështetnin, inkurajonin e financonin agjentë të ndryshëm të rekrutuar në radhët e emigracionit shqiptar.
Kjo veç të tjerash bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore që i përkasin fillimit të viteve ’70-të, kur shërbimet sekrete turke, MIT dhe veçanërisht krahu i armatosur i saj apo siç njiheshin ndryshe “Ujqërit gri” (Kundër- Zbulimi i Turqisë, që merrej dhe operonte kryesisht ndaj aktivitetit të zbulimeve të vendeve komuniste të Evropës Lindore), arrestuan dhe nxorën para gjyqit ushtarak, dy shtetas turq me origjinë shqiptare, (Nevzat Koka dhe Lefter Sava), të cilët akuzoheshin për aktivitet spiunazhi në dëm të Turqisë, duke zhvilluar propagandë dhe duke mbledhur informata me karakter sekret mbi instalimet raketore të NATO-s në Turqi. Madje jo vetëm kaq, por ata akuzoheshin se kishin zhvilluar veprimtari spiunazhi edhe në dëm të fqinjëve të Turqisë, siç ishin Greqia, Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik.
Arrestimi i Kokës dhe Savës, ka ndodhur pak kohë pas grushtit të shtetit që rrëzoi qeverinë turke ne vitin 1971, (pas muajsh dhune dhe trazirash në vend), ku gjenerali i ushtrisë, Memduh Tagmac i dha ultimatum kryeministrit Sulejman Demirel, duke e detyruar atë të linte postin. Në këtë atmosferë u zhvillua edhe gjyqi ndaj dy emigrantëve shqiptarë, i cili bëri bujë të madhe, pasi ai u përcoll rregullisht edhe nga shtypi vendas, ku disa prej gazetave më të mëdha, si p.sh. “Xhumhurjet”, apo “Aksham”, pasqyruan në faqet e tyre shumë seanca gjyqësore, duke cituar edhe pjesën më të madhe të akt-akuzës së prokurorit ushtarak, Sirri Akbai, i cili bënte përgjegjës Shqipërinë komuniste duke akuzuar me emra konkret disa nga diplomatët shqiptarë të akredituar në përfaqësinë e Ankarasë, si: Gaqo Mborja e Mehmet Çaka (kuadro të lartë të Zbulimit Shqiptarë, që në atë kohë drejtohej nga Jonuz Mersini), apo vetë Konsullin e Përgjithshëm, Lik Seiti.
Dhe në mbyllje të këtyre shkrimeve, gazetat turke citonin edhe dënimet e dhëna nga prokurori Akbai për dy të pandehurit “agjentë të Shqipërisë Komuniste”, me vdekje për Nevzat Kokën dhe me 5 vjet burgim, për Lefter Savën. Po të kemi parasysh të kaluarën dhe aktivitetin e dy emigrantëve shqiptarë të vendosur në Turqi që nga periudha e Monarkisë së Zogut, në pamje të parë duket se dënimet që ka kërkuar prokurori ushtarak turk, janë dhënë në invers. Kjo pasi, sipas disa burimeve mjaft të besueshme, (ish-kuadro të Zbulimit Shqiptar), Nevzat Koka ishte një i panjohur, ndërsa Lefter Sava, ishte një “aktivist” dhe emër mjaft i njohur i diasporës shqiptare në Turqi, (nëpunës i Shoqatës “Vëllazëria shqiptaro-turke”) i pranishëm në të gjitha festat apo pritjet e ndryshme që jepte ambasada shqiptare në Ankara.
Po kështu, Sava ishte një nga krerët kryesor të diasporës komuniste shqiptare në Turqi, që “luftonte” kundër grupimit të mërgatës antikomuniste në Turqi, të kryesuar prej Qazim Prodanit. Nisur edhe nga këto, Lefter Sava ishte një eksponent mjaft i preferuar i regjimit komunist të Tiranës, i cili thirrej dhe vinte në festat zyrtare apo përvjetorët e ndryshëm që zhvilloheshin në Shqipëri. Por për më shumë lidhur me këto, na njohin këto dokumente që publikohen për herë të parë ekskluzivisht për Memorie.al
Ministrisë së Punëve të Jashtme
T i r a n ë
I gjithë shtypi i sotëm turk në faqe të parë me germa të mëdha dhe të shoqëruara me fotografi të marra nga salla e gjyqit shkruan mbi pretencën e prokurorit ndaj të akuzuarve Nevzat Koka dhe Lefter Sava si “agjentë të Shqipërisë” për “tradhti të lartë kundra Turqisë dhe për veprime spiunazhi kundër Greqisë, Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik”.
Gazeta “Xhumhurjet”, ndërmjet të tjerave shkruan: “Prokurori njoftoi për organizimin e aktivitetit të spiunazhit nga diplomatët shqiptarë. Për këtë çështje, prokurori foli: “Sado që Shqipëria me Turqinë nuk janë komshi, veçanërisht qenia e Turqisë në NATO dhe marrëdhëniet e afërta të Shqipërisë me Rusinë dhe tani me Kinën e kuqe, kanë bërë që nëpunësit shqiptarë të merren me aktivitete spiunazhi, për t’u informuar me instalimet e NATO-s, detyra për t’u informuar mbi instalimet e NATO-s, u ishte ngarkuar personave me origjinë shqiptare të ardhur aty prej kohësh në Turqi. Ata janë urdhëruar të krijojnë lidhje me institucionet e NATO-s. Deri në vitin 1961, për zhvillimin e aktivitetit të tyre të Zbulimit, nëpunësit e përfaqësive shqiptare i merrnin direktivat nga Bashkimi Sovjetik. Mbas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me të, ata hoqën dorë për një kohë nga interesimi për të dhëna ushtarake. Duke filluar nga viti 1970, ata filluan të interesohen vetë për emrat dhe adresat e personave që janë oficerë me origjinë shqiptare në ushtrinë turke. Për të vënë në jetë këtë veprimtari ata bënë përgatitjet e rëndësishme”.
Gazeta “Aksham”, ndërmjet të tjerash shkruan: “Një prokuror ushtarak, Sirri Akbai, lexoi në gjyq akt-akuzën të përbërë prej 25 faqesh. Për të pandehurin Nevzat Noka, në bazë të ligjit 56/1 të Kodit Penal turk, neni 133/2 dhe 12 që akuzohet për “tradhti të mbrojtjes kombëtare”, kërkoi dënimin me vdekje. Prokurori ushtarak në faqen 8 foli më gjerësisht për vënien në jetë të aktivitetit të zbulimit nga Shqipëria komuniste. Këtu më poshtë po rreshtojmë këto aktivitete”
- Aktiviteti propagandistik.
- Aktiviteti për të mësuar sekretet ushtarake dhe politike mbi Turqinë.
- Aktiviteti zbulimi kundër Greqisë.
Më tutje, aktakuza jep hollësira mbi aktivitetin spiunazhit. Mbasi flitet shkurtimisht mbi të dhënat biografike të Nevzat Kokës, gazeta shkruan:
I pandehuri është njohur me nëpunësin e ambasadës shqiptare, Gaqo Mborja, në vitin 1961 nëpërmjet kasapit Ramazan Bekollari. Me anë të Gaqo Mborjes ai është njohur me Konsullin shqiptar, Lik Seiti. Më vonë ai ka marrë udhëzime prej këtyre dy personave për t’u informuar mbi sistemin e raketave në Turqi”.
Ndërsa për Lefter Savën, gazeta shkruan:
“Në vitin 1970 është bërë nëpunës i shoqatës “Vëllazëria shqiptaro-turke” dhe atje ka zhvilluar propagandë komuniste për Shqipërinë. Për këtë ai ka marrë udhëzime nga Mehmet Çaka dhe Simon Qirici. Në të njëjtën kohë ai ka zhvilluar veprimtari spiunazhi kundër komshive tanë, Bashkimit Sovjetik dhe Greqisë”.
Më poshtë gazeta vazhdon:”Prokurori ushtarak në bazë të ligjit të Kodit penal Nr. 133 dhe 80 për zhvillimin e veprimtarisë së spiunazhit në favor të një shteti të huaj kundër shteteve të tjera të huaj, kërkoi për Lefter Savën dënimin me 5 vjet burgim”.
Gazetat njoftojnë se seanca tjetër e gjyqit është shtyrë për më datën 22 maj 1972.
Ankara më 12 maj 1972 Ambasada
……………………………………………………………………………………………………………………
Drejtorisë së Dytë Tiranë, më 18 maj 1972
INFORMACION TAKIMI
Më 18 maj 1972 shoku Musin Kroi priti në takim të ngarkuarin me punë a.i. të Turqisë, Arbak, me kërkesën e tij.
Arbak tha se e kërkoi këtë takim në vijim të bisedës së parë që pati me shokun Musin. Ai vuri në dukje se pas asaj bisede dërgoi menjëherë informacionet përkatëse qendrës dhe se tani ka përgjigjen e Ministrisë së tij lidhur me çështjet që u ngritën nga ana e shokut Musin. Arbak tha se ka marrë një përgjigje të tillë që mund të konsiderohet pozitive. Më poshtë ay tha:
Nga sa ma kanë njoftuar çështja për të cilën ne biseduam nuk është një rast i ri. Si pasojë e hetimeve të bëra nga autoritetet turke kundrejt Lefter Savës dhe Nazmi Kokës, ata u arrestuan që më 9 gusht 1971 për aktivitet armiqësor spiunazhi. Gjatë hetimeve ata kanë pranuar se kanë qenë në lidhje me Simon Qiricin. Tani rasti i tyre i është paraqitur gjyqit ushtarak për shkak të natyrës së tij dhe procesi gjyqësor vazhdon.
Përsa u përket gazetave ato kanë shkruar sepse gjyqi organizoi një seancë të re. Në fakt lajmet e shtypit nuk kanë qenë kurrë një fushatë kundër Shqipërisë dhe nuk kanë kaluar kufirin e lajmeve të përditshme. Është fakt se gazetat nuk e kanë përmendur këtë çështje përsëri, pas ditës kur u bë seanca e gjyqit. Dihet se në vendin tonë gjyqet dhe shtypi janë të lirë dhe pavarur, prandaj një ndërhyrje në këtë çështje nga ana e qeverisë është e pamundur. Përveç kësaj MPJ e jona nuk është dakord në pikëpamjen tuaja ekstreme që fushata propagandistike drejtohet kundër diplomatëve shqiptarë në Turqi dhe që këta janë objekt i kësaj fushate.
Marrëdhëniet e mira dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve tona, në fakt krijojnë atmosferën e një propaganda antishqiptare në vendin tonë.
Duke marrë fjalën shoku Musin i tha të ngarkuarit me punë se mori shënim për sa tha. I tha se pikëpamja e jonë është ajo që është bërë e njohur në takimin e mëparshëm, dhe që i është paraqitur edhe sekretarit të përgjithshëm të MPJ turke nga ana e ambasadorit tonë atje, Ulvi Lulo, se nuk është mirë që të merren nën mbrojtje organet e shtypit për ato që kanë shkruar kundër vendit tonë e diplomatëve tanë, të nxitura nga ato forca që duan të fusin pyka në marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve tona.
Shoku Musin i përmendi Arabakut se në frymën e politikës parimore të qeverisë sonë dhe të marrëdhënieve miqësore, vendi ynë ka përkrahur Turqinë në çështjen e Qipros kur shumë vende të tjera mbajtën një qëndrim kundër saj, dhe se ne kemi punuar gjithnjë për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve. Çështja e lartpërmendur nuk do të pengojë zhvillimin e mirë të këtyre marrëdhënieve dhe ato forca që duan t’i pengojnë këto marrëdhënie nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Në këtë çështje sikurse deklaroi edhe zoti i ngarkuar me punë, ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët.
Arabak falenderoi për fjalët e shokut Musin. Ai tha se ky rast është bërë i qartë dhe njëkohësisht këtu tek ju, si dhe në Turqi nga ana e sekretarit të përgjithshëm të MPJ, tek Ulvi Lulo. Ai tha se ata e çmojnë qëndrimin miqësor të vendit tonë edhe në momentet e vështira të tyre dhe se edhe ata nisen nga dëshira e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendve. Arabak ripohoi se çka ndodhur i përket së kaluarës, dhe se ajo mbaroi dhe se kjo gjë nuk mund të bëhet pengesë në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Ai vuri në dukje se edhe ata që mendojnë se ato forca që mundohen të krijojnë vështirësi në marrëdhëniet midis dy vendeve, nuk do t’ia arrijnë qëllimit të tyre.
Nga përgjigjja e Arabakut duket se ndërhyrja tonë ka pasur efekt dhe se qeveria turke duket se ka ndërhyrë që kjo çështje të mos shkojë më tej./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016