Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dokumente tepër sekrete të Departamentit amerikan të Shtetit, të cilat hedhin dritë mbi veprimtarinë diplomatike të SHBA-ve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në 1948-ën, për të ndaluar qeverinë komuniste të Tiranës të kryesuar nga Enver Hoxha, në ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Greqisë dhe ndihmat ushtarake që ajo i jepte gueriljeve komuniste të gjeneralit Markos Vafeiadis. Si dhe notat e protestës që Tirana zyrtare paraqiste pranë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku ajo ankohej se po ndërhynin në punët e brendshme të saj.
Për pesë vjet me radhë, nga 1945-sa e deri në ‘49-ën, kohë në të cilën zgjati lufta civile në Greqi e cila u zhvillua ndërmjet forcave qeveritare (ELLAS) të kryeministrit Caldaris dhe atyre guerilje partizane komuniste (EAM) të komanduara nga gjenerali Markos Vafeiadis), qeveria komuniste e Tiranës e kryesuar prej Enver Hoxhës, jo vetëm që u përzje në punët e brendshme të Greqisë, por ajo i dha një përkrahje dhe ndihmë të madhe forcave komuniste greke të gjeneralit Markos, të cilat konsistonin në: teknikë e pajisje ushtarake, ushqime, veshmbathje etj. Jo vetëm kaq, por gjatë atyre pesë viteve, territori shqiptar dhe portet e saja u bënë bazat kryesore ku shkarkoheshin me mijra ton mallra ushqimore dhe teknikë luftarake, që vinin këtu nëpërmjet vendeve komuniste të Europës Lindore, të kryesuara prej Bashkimit Sovjetik. Ndihma të cilat ishin të destinuara për forcat guerilje komuniste greke të gjeneralit Markos Vafjadhis. Qëndrimi i qeverisë komuniste të Tiranës, ndaj problemeve që po kalonte Greqia në atë kohë, u bë problem deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Asambleja e Përgjithshme e saj, mori disa herë në shqyrtim ankesat e qeverisë greke, ndaj ndërhyrjeve të Tiranës zyrtare në punët e brendshme të qeverisë greke, duke paralajmëruar disa herë qeverinë e Enver Hoxhës që të hiqte dorë nga ato veprime. Po kështu për të parandaluar veprimtarinë e Tiranës zyrtare në punët e brendshme të Greqisë, si dhe të disa shteteve të tjera komuniste të Ballkanit dhe Europës Lindore, asokohe u angazhua edhe qeveria e SHBA-ës, e cila së bashku me disa nga aleatët e saj, si Anglia, Franca, Italia etj, bëri të gjitha demarshet politike, diplomatike, e ushtarake për të ndihmuar forcat qeveritare greke, në luftën e tyre ndaj forcave komuniste që asokohe kontrollonin 1/3 e territorit të Greqisë. Përpjekjet e qeverisë së SHBA-ës dhe aleatëve të saj në ndihmë të Athinës zyrtare në vitet 1945-‘49, shihen qartë edhe në një sërë dokumentesh arkivore si: raporte, telegrame, radiograme, rezoluta, memorandume, etj, të Departamentit të Shtetit, dërguar ambasadave apo misioneve të saja ushtarake, të akredituara në vende të ndryshme të botës. Një pjesë prej këtyre dokumenteve (në vitet që pasuan), janë gjetur dhe përkthyer nga qeveria komuniste e Tiranës, me idenë për t’i bërë publike në një libër të veçantë, ku “do demaskohej veprimtaria e imperialistëve amerikanë dhe veglave të tyre në përpjekjet për të penguar ndihmën internacionaliste, që u jepnin luftës partizane në Greqi popujt e Shqipërisë dhe Bullgarisë, dhe tradhtisë së Jugosllavisë titiste, sidomos pas rezolucionit të Informbyrosë”.
Çështja e kufirit Grek në OKB. – Iniciativa e SHBA-së
Në këtë kapitull trajtohet veprimtaria politike-diplomatike e Departamentit të Shtetit në vitin 1948 lidhur me diskutimin në Asamblenë e Përgjithshme dhe Komisionin e Pestë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të çështjes së kufirit grek. Në dokumentacionin e shumtë, që përmban ky kapitull, në raportet, radiogramet e telegramet e Departamentit të Shtetit apo të ambasadave e misioneve diplomatike dhe ushtarake amerikane jashtë shtetit, pasqyrohet gjerësisht gjithë politika dhe veprimtaria politike e SHBA-së lidhur me shtypjen e lëvizjes partizane në Greqi dhe vendosjen në atë vend, të pushtetit të borgjezisë vendase që do t’i shërbente interesave dhe synimeve ekspansioniste dhe hegjemoniste të SHBA-së në Greqi. Në to pasqyrohet veprimtaria politiko-diplomatike për të manipuluar OKB-në e për ta përdoruar atë si instrument të politikës së diktatit e të ndërhyrjes në punët e brendshme të popujve të tjerë. Kjo del qartë në manipulimin e OKB-së nga SHBA në çështjen e pranimit si anëtare e OKB-së të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të ish-kampit socialist , si dhe makinacionet dhe veprimtarinë në kulisa në OKB për redaktimin dhe adoptimin e rezolutave amerikane ose shteteve të tjera, vegla të imperializmit amerikan lidhur me çështjen greke, apo në krijimin e përdorimin e organizmave të OKB-së, siç ishte UNSKOB (Komiteti Special i OKB-së për Ballkanin), si instrumente të politikës ose ndërhyrjes e të presionit të SHBA-ve kundër interesave dhe popujve të Ballkanit. Lidhur me këtë çështje, në këto dokumenta pasqyrohet veprimtaria e Departamentit të Shtetit të SHBA-së në drejtim të koordinimit të veprimeve politike e diplomatike të SHBA-ve me ato të qeverisë kuislinge greke dhe të vendeve të tjera aleate, si në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ashtu dhe në kuadrin e marrëdhënieve e të kontakteve të aleatëve me BS dhe vendet Ballkanike. Në shumicën e raporteve qarkore dhe të radiogrameve të Departamentit të Shtetit, gjinden direktivat dhe udhëzimet e dhëna prej tij ambasadave e misioneve amerikane apo përfaqësuesve amerikanë në UNSKOB, etj, për qëndrimet e taktikat që do të përdorin apo tekste rezolutash, raportesh apo memorandumesh që do të përfshiheshin në dokumentet e OKB-së e të organeve e agjencive të saj, lidhur me çështjen greke dhe Ballkanin. Në pjesën dërmuese të dokumenteve të këtij kapitulli, vendin kryesor e zënë ato që kanë të bëjnë me veprimtarinë politiko-diplomatike e ushtarake të SHBA-së në Greqi dhe luftën partizane të popullit grek e ndihmën e dhënë atyre nga vendet fqinje, sidomos nga Shqipëria dhe Bullgaria. Në këtë të fundit, në radiogramet qarkore ose të veçanta dhe në raportet e Departamentit të Shtetit e të misioneve amerikane në Ballkan, spikat qëndrimi i diferencuar që ata mbanin me dënimin publik ose në OKB ndaj ndihmës internacionaliste që i jepnin luftës partizane në Greqi, popujt e Shqipërisë dhe Bullgarisë, e “ndihmës” nga Jugosllavia titiste, sidomos pas rezolucionit të Informbyrosë dhe daljes hapur të tradhtisë së titistëve të Beogradit. Në shumë nga materialet dokumentare të këtij kapitulli del në pah qëndrimi shumë i ashpër e më armiqësor i SHBA-së ndaj vendit tonë dhe ndihmës internacionaliste e vëllazërore të popullit tonë, për luftën partizane çlirimtare të popullit grek. Prandaj edhe në direktivat e udhëzimet e Departamentit amerikan të Shtetit, vendin kryesor zënë ato që kanë të bëjnë me presionet dhe ndërhyrjet e tyre ndaj vendit tonë nëpërmjet veprimtarive politike e diplomatike të aleatëve të SHBA-së dhe Greqisë, siç është rasti i pengimit të pranimit të Shqipërisë në OKB, nxitja e demarsheve diplomatike pranë qeverisë sonë nga ana e qeverive të Francës etj. Më poshtë po japim tekstet e përkthyera të disa radiogrameve dhe telegrameve sekrete të këmbyera midis Departamentit të Shtetit dhe misioneve amerikane jashtë shtetit, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tyre që përmendëm pak më sipër.
Departamenti i Shtetit: A do ta njohë Shqipëria juntën e Markosit?
“501.BB Balkan/1-348, Telegram
Zëvendës sekretari i Shtetit drejtuar Përfaqësuesit të SHBA-ve në UNSCOB. (Kirk.) në Selanik.
Sekret. Washington. 3 janar 1948 2. Balcam. 63.
Departamenti e konsideron rezolutën e UNSCOB-it të dobishme si paralajmërim dhe si bazën e veprimeve të mundshme në të ardhmen. Në pritje të zhvillimeve të mëdha të mëtejshme roli më i mirë që mund të luante UNSCOB do të ishte mbledhja e të dhënave autentike lidhur me ndihmën që i jepet Markos-it (Markos Vafeiadis president dhe ministër i luftës i “Qeverisë së Parë Demokratike Provizore të Greqisë”) nga burime të huaja. Shpresojmë se lidhur me këtë, komiteti do të bëjë çdo përpjekje dhe përpara se të mbërrijë aty personeli i plotë dhe pajisjet. Së shpejti do t’u jepen udhëzime se ç’vendim do të merrni lidhur me pajisjet. Në qoftë se Shqipëria, Bullgaria ose Jugosllavia do ta njihnin juntën e Markosit (Departamenti kërkon të evitohet përdorimi i fjalës qeveri) si kryengritje, palë luftuese ose si qeveri, ju duhet të propozoni ose të mbështesni një rezolutë në të cilën të thuhet se ky veprim është në kundërshtim të drejtpërdrejt me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të 21 tetorit 1947. Në rast se përveç njohjes ka të dhëna që flasin për vazhdim ose shtim të ndihmave për Juntën, çdo raport i UNSCOB-it që të theksojë se një ndihmë e tillë përbën një agresion ose një shkelje tjetër të Kartës, duhet të përfshijë jo vetëm çështjen mbi faktet mbi bazën e të dhënave të mbledhura, por edhe një vlerësim të kujdesshëm të pasojave që rrjedhin sipas Kartës. Për këtë arsye, në mënyrë që të sigurojmë liri të veprimeve taktike në OKB dhe të koordinojmë sa më mirë pozitën e SHBA-së në UNSCOB me politikën e SHBA, Departamenti do dëshironte t’i lihej mundësinë për të studiuar tekstin e çdo lloj rezolute lidhur me njohjen e juntës apo të ndihmave për të parë se rezolutat të adaptohen përfundimisht nga UNSCOB-i. Në qoftë se UNSCOB siguron të dhëna të qarta se Shqipëria, Bullgaria, ose Jugosllavia po i shtojnë ndihmat, por nuk po i shoqërojnë ato me njohjen e Juntës, atëhere ju duhet të propozoni që të gjitha faktet t’i dërgohen menjëherë në një raport Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së me kërkesën që të t’ua shpërndajë atë shteteve anëtare. Në këtë rast Departamenti do të preferonte që Komiteti t’i shmangej dhunës së rekomandimeve të veçanta, për të lejuar kështu që të ndiqesh një elasticitet veprimi.
Dërguar Selanikut, përsëritur Athinës, Londrës, Beogradit, Sofjes.
(Marshall)
SHBA-ja: Qeveria Shqiptare po mbështet gueriljet greke
Telegrami i Zëvendës sekretarit të Shtetit për Gerald Drew në Selanik. I Kufizuar. Washington, 2 prill 1948. 86. Balcam 131 për Z. Drew.
Departamenti është plotësisht dakord me përpjekjet për të siguruar veprime të vazhdueshme të UNSCOB-it lidhur me protestat shqiptare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (referohuni telegramit Combal 127) Me ambasadën greke kemi biseduar sipas pikëve që u kërkuan. Ne mendojmë që komunikimi që i bëri pala shqiptare Sekretarit të Përgjithshëm më 17 mars, na jep rastin që UNSCOB-i, t’i kundërpërgjigjet drejtpërsëdrejti qeverisë shqiptare duke vënë në dukje se ai komunikim pasqyron mungesën e sinqeritetit nga ana e qeverisë shqiptare si dhe duke nxjerrë në pah të gjitha përpjekjet pajtuese të UNSCOB-it dhe intrasigjencën shqiptare. Deklaratat që do të bëjë UNSCOB-i mund të përfshijë dhe një aluzion ndaj kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësi në OKB si dhe të pasqyrojë mospërputhjen midis qëndrimit shqiptar ndaj UNSCOB-it dhe qëndrimit kooperues e bashkëpunues që kërkon Karta. Departamenti është tepër i interesuar për të dhënat mbi veprimtarinë ushtarake në Shqipëri dhe rekomandon që deklarata e UNSCOB-it të përfshijë të dhënat e mësipërme për të bërë çfarëdo efekti. Ky problem të shtrohet në vija të përgjithshme si vijon: “UNSCOB-i është tepër i shqetësuar për të dhënat që flasin për veprimtarinë ushtarake që zhvillohet në Shqipëri në përgatitjen për mbështetjen në shkallë të gjerë të gueriljeve greke. UNSCOB-i shpreson me sinqeritet se këto të dhëna nuk qëndrojnë sepse po të ishin të vërteta, UNSCOB-i do të jetë i detyruar të drejtojë urgjentisht vëmendjen e OKB-së për pasojat serioze që mund të sjellin veprime të tilla. Ne sugjerojmë që ky komunikim të transmetohet si drejtpërsëdrejti ashtu dhe nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm dhe t’i jepet publicitet i gjerë.
(Dërguar Selanikut, Tel. Nr. 86 për Komitetin e Ballkanit. Nr. 131: përsëritur Beogradit Nr. 148, Londrës 1146, Parisit 1074, Moskës 346. (LOVETT)
I njohur gjithashtu si Telegrami Nr. 131, datë 31 mars, ora 4 pasdite nga Selaniku: protestat shqiptare kishin të bënin me “provokacionet greke” dhe kishin për qëllim të informonin Sekretarin e Përgjithshëm dhe opinionin publik
(501.BB Balkan 13-3148).
Shënim: Gerald A. Drew-Zëvëndës përfaqsues i SHBA-së në UNSCOB
(Komiteti Special i OKB-së për Ballkanin)
Asambleja e OKB-së: Shqipëria të mos lejojë gueriljet greke në tokën e saj
“501. BB Balkan 18-948: Telegram Sekretari i Shtetit drejtuar Zotit Artur W. Parsons në Athinë. Sekret. Washington, 9 gusht, 1948. Balcom 197. U sugjerojmë që t’i rekomandoni UNSCOB-it t’i drejtojë menjëherë një notë të drejtpërdrejtë Shqipërisë në përputhje me orientimet e më poshtme: UNSCOB-i ka mbajtur shënim për faktin se Ushtria Greke është angazhuar në operacione ofensive kundër forcave guerile të vendosura shumë afër kufirit shqiptar. Në rast të arritjes së suksesit nga Ushtria Greke, ka të ngjarë që disa, ose të gjitha këto forca mund të përpiqen të shpëtojnë duke kaluar kufirin për në Shqipëri. Në ushtrim të funksioneve të tij, në përpjekje për të zhvilluar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe në frymën e Asamblesë së Përgjithshme të datës 21 tetor 1947, e cila i bëri thirrje Shqipërisë që të mos ndërmarrë asnjë veprim që të shkojë në ndihmë të gueriljeve. UNSCOB pret që Shqipëria ose të mos lejojë kalimin e gueriljeve që kërkojnë të hyjnë në Shqipëri, ose t’i çarmatosë apo t’i internojë këta guerilje në përputhje me parimet e njohura të së drejtës ndërkombëtare”. Në qoftë se skuadrat e vëzhguesve të UNSCOB-it kanë raportuar ndërkohë për raste të kalimit në Shqipëri të gueriljeve që marrin arratinë, atëhere në atë notë të bëhet aluzion për këtë fakt. Një notë e tillë do të bënte që ta vinte para përgjegjësisë Shqipërinë në rast se forcat e arratisura të ktheheshin përsëri në Greqi. Një notë e kësaj natyre mund t’i transmetohet direkt qeverisë shqiptare dhe një kopje t’i dërgohet Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për informim.
(Marshall)
- Ky mesazh iu dërgua edhe ambasadës në Greqi me numër 1131)
Qeveria e Tiranës: SHBA-ja po na bën presion
Lidhur me përpjekjet e SHBA-së për të bërë presion mbi vendin tonë për të ndërprerë ndihmën internacionaliste për lëvizjen partizane në Greqi, vlejnë të përmenden dy dokumente të kapitullit në fjalë.
- Me një memorandum të datës 18 gusht drejtuar dy funksionarëve të Drejtorisë për Çështjet e Evropës Jugore, Leonard I. Cromie i Drejtorisë për çështjet e Greqisë, Turqisë dhe Iranit, në Departamentin e Shtetit theksonte se: “Me 10 gusht, ambasadori grek i bëri një vizitë Lovettit (zëvendës sekretar i shtetit) dhe kërkoi që SHBA:
- a) ose të kërkojë ndërhyrjen e rusëve tek shqiptarët për të arritur çarmatosjen dhe internimin e gueriljeve të arratisur.
- b) ose t’u bëhet shqiptarëve një kërkesë direkte trepalëshe, SHBA-Angli-Francë, nëpërmjet ministrit francez (në Tiranë) po për të njëjtin qëllim”. Zoti Cromie bënte të ditur se Departamenti i Shtetit i kishte dhënë udhëzim zotit Parsons që të propozonte në UNSCOB që të bëhej një demarsh po në këtë frymë, si rezultat i të cilit u arrit rezoluta e UNSCOB-it e datës 12 gusht. Ai shënonte gjithashtu mendimin që zotëronte në Departamentin e Shtetit se ky veprim do t’i kënaqte grekët; por më 17 gusht, ambasadori grek mori takim me z. Jernmegan dhe paraqiti një kërkesë tjetër për një demarsh drejtpërdrejtë trepalësh. (808.00/8-1848)
- “501. BB Balkan/9-248: Telegram
Sekretari i Shtetit drejtuar ambasadës në Francë
Sekret. Washington, 2 shtator 1948. Urgjente. 3425.
Ndonëse Departamenti është dakord që të bëhet pranë Tiranës demarshi trepalësh i propozuar (Telegrami i Departamentit Nr. 3358. datë 28 gusht) ai duhet të tregohet i rezervuar porsa i takon një demarshi të mëtejshëm të mundshëm ndaj Moskës. Megjithëse, me sa duket, në Athinë, tashmë ka dalë në shesh çështja, Departamenti sugjeron që çështja e demarshit në fjalë të mos publikohet deri sa të merret përgjigja shqiptare ose të kalojë një kohë e nevojshme për përgjigjen me qëllim që të rritet sadopak mundësia për një përgjigje të favorshme nga Shqipëria. Departamenti është i mendimit se ky demarsh nuk duhet të drejtohet në mënyrë të ngushtë e specifike në çarmatosjen dhe internimin e gueriljeve greke në Shqipëri, sepse një anim i tillë mund të pre-supozonte një njohje të gueriljeve, si palë ndërluftuese, nga e cila do të lindte nevoja e gjetjes së detyrimeve specifike sipas të drejtës ndërkombëtare për çarmatosjen dhe internimin e tyre. Përkundrazi, ai demarsh duhet të jetë i përgjithshëm dhe me synimin që të arrijë në atë që Shqipëria të ndërmarrë hapat e duhura në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare, për të penguar shpërthimin e ekspeditave të armatosura nga territori i Shqipërisë kundër qeverisë greke. Kemi frikë se demarshi, siç është formuluar në projekt-udhëzimet franceze (telegrami i ambasadës Nr. 4424, datë 25 gusht), do të sillte si rezultat thjesht një përgjigje ekuivokë të Shqipërisë sikurse ajo tashmë është duke i çarmatosur dhe internuar gueriljet greke. Për të parandaluar një përgjigje të tillë, ministri francez mund t’u referohet pretendimeve shqiptare të bëra lidhur me këtë çështje në notën e Shqipërisë të datës 24 gusht drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, të OKB-së dhe emisionit të po asaj dite të Radio Tiranës që përmendte ç’armatosjen dhe internimin e 1322 gueriljeve që kishin kaluar kufirin kohët e fundit. Ndërsa të pranojë mundësinë që disa guerilje në fakt janë çarmatosur dhe internuar, ai mund të theksojë se ka të dhëna që flasin për lëvizje të gueriljeve kohët e fundit nga Gramozi për në Shqipëri, numri i të cilëve i takon në mënyrë të ndjeshme shifrat e përmendura në notën shqiptare dhe në emisionin e Radio Tiranës, numër ky që ndoshta arrin në 5.000 vetë, dhe se ka të dhëna të sigurta që një numër i madh prej tyre janë futur përsëri në Greqi në pika të tjera kufitare. Për shembull rreth 1.200 vetë llogariten të kenë arritur në rajonin e Vicit nëpërmjet Shqipërisë. Vëzhguesit e UNSCOB-it kanë vënë re personalisht se në rrugën Bozhigrad-Bilisht, paralel me kufirin në Shqipëri ka patur një trafik të madh e jo normal gjatë natës dhe me 21 gusht ata kanë qenë vetë dëshmitarë të një sulmi të fuqishëm të shpërthyer nga gueriljet nga territori shqiptar kundër forcave të Ushtrisë Kombëtare Greke ne territorin e Greqisë, megjithëse posta kufitare shqiptare ndodhej afër vendit të ngjarjes. Ministri francez mund të përfundonte duke thënë se nën dritën e fakteve të tilla Shqipëria do të bindte opinionin botëror se, siç pretendon, ajo nuk ndërhyn në punët e brendshme të Greqisë, duke lejuar, siç ka barë vazhdimisht Greqia, UNSCOB-in të bënte inspektimin e rajonit, në përputhje me kërkesën e veçantë të Asamblesë së Përgjithshme në trajtimin e çështjes së kufijve të Greqisë. Departamenti është më se i mendimit se Ministri francez duhet t’i vërë në dukje qeverisë shqiptare se demarshi i saj në emër të SHBA-së, Anglisë dhe Francës bëhet për të dhënë mbështetjen e plotë diplomatike tre qeverive në punën e organeve të OKB-së që merren me rastin e Greqisë dhe se ai pasqyron pozitën e fortë që do të mbajnë të tre qeveritë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1948 për të përkrahur UNSCOB-in. Departamenti e kupton se ky propozim ndryshon disi nga pozita angleze (Tel. i ambasadës Nr. 4423, datë 26 gusht) dhe e vlerëson objektivin taktik të Anglisë për të sugjeruar që të hiqet referenca për UNSCOB-in. Megjithatë Departamenti mendon se do të ishte një gabim i madh nga pikëpamje e strategjisë diplomatike të tregosh se të quajturit “vende satelite” ka bërë që Fuqitë Perëndimore të lëkunden në mbështetjen për OKB-në si instrument i paqes. Në rast se shqiptarët e hedhin poshtë propozimin për një inspektim nga ana e UNSCOB-it, gjë që pritet, ministri francez në Tiranë është e nevojshme t’i pyesë ata në se kanë ndonjë propozim tjetër konstruktiv për të bërë, për të arritur verifikimin objektiv të veprimeve shqiptare. Kuptohet që ky propozim të bëhet në përputhje me detyrën e OKB-së për ruajtjen paqes. Është e kuptueshme që ministri francez duhet t’i lihet dorë e lirë në formulimin e demarshit dhe sugjerimet e mësipërme nuk synojnë ta detyrojnë Ministrinë e Jashtme të Francës, t’i përmbahet një formulimi të caktuar të udhëzimeve. Përkundrazi, këto sugjerime janë më tepër me qëllim që të theksohet me tepër mënyra e paraqitjes së çështjes nëpërmjet këtij demarshi, i cili, sipas mendimit të Departamentit, ose do të sjellë si rezultat një veprim të favorshëm nga ana e Shqipërisë, ose, çka është më e mundshme, të na sigurojë një demonstrim të qartë para opinionin publik të refuzimit shqiptar për të lejuar një hetim të plotë të sjelljes dhe veprimeve të Shqipërisë. Lutemi diskutimi mi sa sipër urgjentisht me Ministrinë e Jashtme të Francës dhe Foreign Office e Anglisë dhe na njoftoni për veprimet e ndërmarra. Në qoftë se e konsideroni të nevojshme për të rregulluar hollësirat, sugjerojmë që të caktoni me ta rrugët e komunikimit me departamentin për çështjet e lartpërmendura ./Memorie.al
(Marshall)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016