Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e katërt
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për-zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Ata pak veta nga klasa jonë që ishim me punë në Kuçovë, bashkë me disa teknikë të tjerë që punonin në ofiçina, në Uzinën e Përpunimit dhe në centralin elektrik, flinim në një barakë të ndërtuar për punëtorët që në kohën e italianëve. Në dhomën ku flija unë, ishin dhe dy veta të tjerë, por kujtoj teknikun e radiostacionit të Kuçovës, një djalë i dashur tiranas, të cilin ne e thërrisnim Pipo.
Ai merrte shpesh radio nga qytetarët dhe a riparonte ato në dhomën tonë, meqë në ato anë nuk gjendej dyqan për riparime radiosh. Por herë pas here, ai linte përjashta pjesë të radios, mbasi kish përfunduar riparimin. Unë e pyesja përse i linte jashtë ato pjesë, e ai, nga që nuk ishte në gjendje t’ua gjente përsëri vendin, më përgjigjej se ishin të tepërta. Ne habiteshim që ato pjesë mungonin, por në tërësi, nuk pengonin funksionimin e radios. Më vonë ky Pipoja, ndoqi një kurs të veçantë dhe u bë një teknik mjaft i mirë për riparim televizorësh dhe radiosh.
Mbi gjithë ngarkesën e madhe, mua më caktuan të jepja njëkohësisht edhe mësime në Tekinkumin e Naftës, në Kuçovë. Drejtor aty prunë ish-nxënësin e Politeknikumit “7 Nëntori”, Gani Qemon, një djalë shumë punëtor, mjaft i gjallë dhe i afruar me nxënësit. Veçse Qemoja kërkonte rregull. Krahas mësimeve për të argëtuar nxënësit, aty organizoheshin mbrëmje të konviktorëve pothuaj çdo të shtunë.
Kështu që kur unë isha i lirë shkoja e kaloja aty disa orë të këndshme, midis kolegëve mësues dhe nxënësve, dhe ndieja një farë çlodhje. Klasa jonë, nuk do ta harrojë kurrë krye-topografin e Kombinatit të Naftës, Nasuf Dizdarin. Ky ishte një djalë nga Shkodra, por tip i gjallë dhe me shumë humor. Sa herë ne beqarët mblidheshim darkave, ai na bënte të qeshnim me lot, me humorin e tij të këndshëm. Nasufi mbeti për ne njeri i dashur, gjatë gjithë kohës së më vonshme, edhe kur ai lëvizi me punë në Tiranë dhe krijoi atje familjen e tij.
Ai na bënte të harronim lodhjen e punës dhe izolimin në të cilën jetonim, mbasi puna dhe mundësitë nuk na lejonin të shkonim në qytetet tona ku ishim lindur, rritur dhe kishim familjet tona. Më kujtohet që një natë, në mensën afër barakës ku flinim, mbasi hëngrëm bukë, ne i’u lutëm që të na tregonte histori nga jeta e tij. Ai imitonte shumë mirë gjuhët e huaja, si rusisht, italisht, hungarisht, greqisht, e të tjera. Pasi ai i pat bërë imitimet, një punonjës i Sigurimit, u afrua tek ne dhe e kërkoi Nasufin në kuzhinë. Siç dukej, dikush nga ata të kuzhinës, kish telefonuar në Degën e Brendshme a në polici dhe ata nuk vonuan fare.
Njeriu i policisë e arrestoi Nasufin dhe e mori me vete në zyrat e Degës së Brendshme të Kuçovës, nën akuzën e antisovjetizmit, meqë ishte tallur me gjuhën ruse, të cilën e flisnin popujt vëllezër të Bashkimit Sovjetik. Na u desh të ngrinim në mes të natës, Drejtorin e Përgjithshëm, Prokop Murrën, ndërsa një pjesë shokësh vajtën në Degën e Punëve të Brendshme për të sqaruar, se në mensë nuk pat asnjë tallje, apo veprim antisovjetik. Me vështirësi pas disa orësh, afër mëngjesit, Nasufin e liruan dhe ai u kthye në banesë mjaft i tronditur.
Mund të duket e çuditshme kjo ngurtësi ndaj shakave, por deri këtu arrinte shtypja e lirisë në vendin tonë, qysh në ato vite të para, gjë që më vonë u bë akoma edhe më e ashpër. Pas dekadash për një shfaqje të tillë humori, mund të bëje shumë e shumë vite burg. Që nga ajo natë Nasufi kurrë më, tërë jetën e tij, nuk i imitoi gjuhët e huaja, as të miqve e as armiqve. Më vonë mund të të merrnin për amerikanofil, për anti-kinez, ashtu si ndryshonte shpesh e papritmas politika e udhëheqjes komuniste shqiptare.
Unë në natyrën time kam qenë shumë i lidhur mbas sportit, dhe tërë jetën megjithëse jetova larg Tiranës, ku linda e kalova fëmijërinë, mbeta një sportdashës apo të themi tifoz i skuadrave të Klubit “17 Nëntori”. Të njëjtin tifozllëk ruajti më vonë edhe djali im Genci, i cili kishte kënaqësi të mbante nëpër sheshe plazhesh e vende pushimesh, fanellën bardhe blu të këtij Klubi. Një herë, në vitet e mëvonshme për mungesë transporti, ai duke kënduar, bëri në këmbë bashkë me një grup të madh tifozësh tiranas, rrugën prej rreth pesë orësh, nga Vlora në Fier, në orët e vona, mbas ndeshjes finale për Kupën e Republikës, që e fituan futbollistët e Tiranës.
Kështu që në Kuçovë bashkë me disa djem të tjerë, kryesisht të ardhur nga Tirana apo qytete të tjerë, ne organizonim aktivitete sportive në basketboll dhe volejboll. Aty ne arritëm të krijonim dy ekipe të mira, mbasi në ato kohë mund të aktivizoheshe dhe në dy lloj sportesh. U bëmë pjesëtarë të kampionatit kombëtar apo të spartakiadave dhe zakonisht renditeshim në vendin e katërt, mbas skuadrave të njohura të “Partizanit”, Tiranës dhe “Dinamos”.
Në këto veprimtari, unë u njoha me pedagogun e kimisë të Teknikumit të Naftës, Ali Hoxhën, sportisti më i mirë në skuadrën tonë. Më vonë me të e bëmë edhe më të ngushtë shoqërinë e miqësinë dhe e shtrimë atë nëpër familjet tona. Ne ruajmë kujtime të mira për këtë familje, si dhe për disa familje të tjera në Kuçovë, ku kaluam një pjesë të mirë të jetës sonë, me marrëdhënie të pastra deri në fund.
Në ndërmarrjen ku punoja unë, rreth viti 1952, erdhi si drejtor Ing. Ramiz Xhabija, i cili kish mbaruar Institutin e Naftës “Gubkin”, në Moskë. Pothuaj se tërë kohën më ka lidhur puna me të, sepse ai mbajti pozita drejtuese në naftë, drejtori i përgjithshëm në Kuçovë, pastaj drejtor dhe zëvendësministër në dikaster. Ishte plot vullnet dhe e dashuronte punën. Tërë jetën ja dedikoj industrisë së naftës, me ato metoda e forma pune që ai kishte.
Vetëm duhet theksuar se, në fazat e hartimit të projekt planeve për nivelet e nxjerrjes së naftës dhe të metrazhit e rezervave të reja, që do të zbuloheshin, tregohej i nxituar, duke përkrahur shifra të larta të parealizueshme. Kjo shpesh e vinte në kontradikta me specialistët e tjerë. Ndofta në këto veprime të tij, ndikonte edhe fakti që ai ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë.
Në këto vite, si drejtorë të përgjithshëm, kanë qenë edhe Kiço Kasapi e Prokop Murra. Me këtë të fundit, më ra rasti më vonë të lidhesha në punë për disa vite, pasi Murra u bë Ministër i Minierave dhe sekretar i Komitetit Qendror, për Industrinë. Pra ai hyri në sferat e larta të udhëheqjes shtetërore…!
Mbetet i paharruar për mua si shembull pozitiv i drejtuesit të ndershëm, që dëgjonte zërin e specialistëve, i afruar me njerëzit dhe që përpiqej t’i largohej konformizmit dhe veprimeve të padrejta, për aq sa i lejohej, Xhavit Hatibi, i cili punoi ca kohë si drejtor i përgjithshëm i naftës, aty rreth viteve gjashtëdhjetë.
Shfaqje negative e mjaft drejtuesve, të ishin ata të vegjël, apo të mëdhenj në industrinë e naftës, ka qenë diskutimi i fryrë e i zhurmshëm. Komunikimi i tyre me njerëzit, në shumicën e rasteve, bëhej me tone të ashpra, me të bërtitura e kërcënime të forta. Natyrisht, në punë çdo njeri ka të metat e tij, sidomos në kushte të diktaturës së egër në industrinë e naftës, ku gjeje vazhdimisht politizim të egër të gabimeve dhe ku zëri i specialistëve, nuk dëgjohej! Ishin udhëheqësit partiakë ata që vendosnin për planifikime e strategji pune.
Dhe ata e kishin në majë të gjuhës cilësimin si veprimtari armiqësore, në qofte se dikush, sado pak u kundër viheshe atyre, sidomos pasi miratoheshin veprimet apo kishin ardhur urdhrat nga lart. Çështja qëndron se në këtë terren, aspak të përshtatshëm për një punë normale specialistësh apo drejtuesish, njeriu vendoste të luftonte deri aq sa mund t’i lejohej, të mbronte kërkesat teknike. Ndërgjegjja e tyre prej shkencëtari pikonte gjak, kur nuk kishin arritur të dëgjoheshin, e tani klithmat politike i ftonin të mbyllnin gojën e të bëheshin mbështetës mjeran, të zgjedhjeve të gabuara të udhëheqjes së partisë, që kundërmonte mediokritet.
Në pjesën më të madhe të kësaj historie të industrisë së naftës në Shqipëri, udhëheqja i mbante veshët të ngrehura, për zërat që vinin nga lart. Ata lart përcaktonin çdo gjë: se si e sa e qysh duhej bërë. Ishin marrëzira me pasoja të rënda për ekonominë e vendit. Por veçanërisht Byroja Politike, ku bënte ligjin prepotenca e sëmurë e diktatorit Enver Hoxha, sidomos mbas viteve shtatëdhjetë, kapërceu çdo normë dhe ishte ajo që diktonte gjithçka. Ata niseshin nga qëllimet e atypëratyshme, për të kapërcyer vështirësitë që kishim nga vetë mbyllja e mbrapshtë që i kishin bërë vendit. Pastaj, kur vinte puna për të gjetur gozhdën, ku të varrin qyrkun e fajit, akuzonin e dënonin njerëz të pafajshëm.
Nga vitet 1953-‘54 filluan të vinë disa specialistë të lartë për naftën, me studime të mbaruara jashtë shtetit, si në Rusi, Rumani, Poloni dhe ashtu, gradualisht, u krijua mundësia, që ne, teknikët, të na dërgonin për studime të larta brenda dhe jashtë vendit. Specialistët e parë të lartë për degën e gjeologjisë e minierave nga Universiteti i Tiranës, dolën në vitin 1959. Mbas një periudhe, pothuaj të gjithë ne teknikët e mesëm, që patëm mbaruar të parën degë minerare dhe kishim punuar vite në naftë, si vlerësim të punës, na u dha e drejta e studimit për shkolla të larta, por tashmë në degë të ndryshme, siç, i caktonte Ministria e Arsimit, sipas nevojave të vendit e jo sipas dëshirës.
Një pjesë e mirë e jonë u dekorua me medalje e urdhra pune. Nga të trembëdhjetë teknikët, na u dha rasti të studiojmë në shkollat e larta për naftë dhe të kthehemi e të punojmë në ndërmarrjet e industrisë së naftës, vetëm katër vetëve, e pikërisht; Protoko Muratit, Niko Goxhobashit, Tomi Kristos, mua dhe teknikut Hasan Hamza, i cili megjithëse ishte një nga nxënësit më të mirë të klasës, hoqi dorë nga vazhdimi i studimeve të larta.
Do ta zinin me gurë dhe më tha, sikur ndonjërit në ato vite, t’i shkrepej e të thoshte se njëzet e tridhjetë vjet më vonë, që të pesë ne, të gjithë ne, të shquarit për punë të mirë, do të përfundonim një ditë në burgje apo të vetë vrarë, si “kriminelë që deshëm të rrëzojmë pushtetin komunist duke sabotuar në industrinë e naftës”!
E dhimbshme deri në vajtim! Por ama duhet ta pranojmë, se kujtdo mund t’i dukej e beftë apo paradoksale kjo gjë, por jo neve! Në asnjë mënyrë neve! Të mos harrojmë se kur, djem pa vënë brisk në faqe, patëm filluar punën në Kombinatin e Naftës në Kuçovë, më 1951, këtë paradoks e ndeshëm të parin: ne gjetëm aty një situatë mjaft të tensionuar. Flitej për “veprimtari sabotuese armiqësore”!
Shumë nga drejtuesit e ndërmarrjeve të naftës, ishin akuzuar si armiq, meqenëse planet nuk ishin realizuar. Ndaj tyre ishin marrë masa burgimi, internimi, pushimi nga puna, ose ulje në përgjegjësi. Po kështu aty ne mësuam, se dhe më parë ishin zhvilluar gjyqe e dënuar deri me pushkatim, inxhinierë të huaj e shqiptarë, si gjeologu i shquar polak, Stanislav Zuber, zbulues i fushës vajgurore të Bakusë dhe personalitet i shquar në arenën ndërkombëtare të gjeologjisë. Ky shkencëtar i naftës, u torturua në mënyrë të egër në Burgun e Ri të Tiranës dhe siç, tregon në romanin e tij, shkrimtari njohur, Petro Marko, profesor Zuberi vdiq nga goditjet në kokë, ku ranë me tërbim shqelmat e hetuesve të tij.
Bashkë me të, u dënuan edhe specialistë të tjerë, të cilët kishin punuar për shumë vite me kompani të huaja në Shqipëri, para çlirimit të saj. Ata u dënuan me akuzën; “sabotatorë në shërbim të shteteve të huaj, e në dëm të pushtetit popullor”! Këto ishin fjalët që gjetëm të thuheshin aty dhe ne nuk ishim në gjendje të gjykonim, për vërtetësinë apo jo të këtyre akuzave. Bile as na shkonte në mëndje, që një gjë të tillë ta vinim në dyshim! Vetëm këtë mund ta them e duhet ta them: ne specialistët gjeologë, vazhduam t’i përdornim hartat e Zuberit.
Gjatë punës sonë për studimet gjeologjike, hartat e Stanislav Zuberit, për nivelin e studimeve stratigrafike të atyre kohëve, ishin dokumente shkencore, me një nivel të arrirë. Ato tregonin se ai ishte një gjeolog, me një përgatitje mjaftë të lartë, me një diapazon të gjerë njohurish të rralla në fushat e gjeologjisë. Pra qysh në vitet e para të pushtetit komunist, në industrinë e naftës, është shuar para kohe jeta e shumë, specialistëve të lartë, me vlera të shquara. Nafta e nxjerrë në Shqipëri që nga fillimet e saj, e sidomos gjatë viteve të diktaturës, kishte në elementët kimike të saj, një përbërës “gjaku”.
Edhe për shumë vite ajo do të vazhdojë të dalë nga nëntoka shqiptare, ashtu e përzierë. Do të ishte shumë, shumë e shtrenjtë gazi dhe nafta tek ne, po të llogaritësh çmimi i “gjakut dhe lotëve” të atyre që punuan e vuajtën për të, të familjeve e fëmijëve të tyre. Fatkeqësisht në fillim ishte e vështirë të kuptohej e vërteta e këtyre dënimeve kapitale, dhe çdo gjë mendohej se këto ngjarje me kaq kishin përfunduar. Ujku i komunizmit shqiptar kishte ende të veshur përsipër lëkurën e qengjit, për të gënjyer njerëzit. Asnjëri prej nesh nuk mendonte se më vonë do të sajoheshin grupe të tjera armiqësore.
Ne jemi dëshmitarë të falsitetit të atyre akuzave dhe ato ishin vetëm aspekte të terrorit të represionit komunist të diktatorit Hoxha, në sektorin e naftës, për të mbajtur njerëzit të punonin e jetonin nën hijen e përditshme të frikës. Ashtu si oktapodi kur nuk ka ushqim, ha këmbët e tija, dhe diktatura komuniste, pasi mbaroi së dënuari e persekutuari specialistët e huaj, ose ata që kishin studiuar në vendet perëndimore, filloi të dënojë specialistët dhe kuadrot që u rritën dhe u edukuan në atë regjim.
Periudha studenteske në Moskë
Me daljen e bursave për jashtë shtetit nga Ministria e Arsimit, në qershor të vitit 1954, unë ndërpreva marrëdhëniet me punën në Kuçovë dhe u ktheva në Tiranë, pranë familjes sime, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore e për të plotësuar të gjithë dokumentet e nevojshme.
Udhëtimin për në Odesë, do ta bënim me vaporin rus të pasagjerëve “Pjetri i Madh”, që do të nisej nga Durrësi. Ishim shumë studentë shqiptarë. Disa udhëtonin për herë të parë, e disa ktheheshin nga pushimet që patën kaluar pranë familjeve, në Shqipëri. Kuptohet që emocionet dhe gëzimi im ishin të mëdha, ngaqë jo vetëm m’u krijua mundësia për të vazhduar studimet për inxhinier, por edhe sepse për herë të pare, po dilja jashtë shtetit, gjë që në vendin tonë ish ngjarje e rrallë.
Dalja e lirë jashtë kufijve të vendit, tek ne nuk lejohej dhe nuk gjeje rroba të mira për t’u veshur. Unë bleva një pallto me copë shajaku, që prodhonte Kombinati i Tekstileve të Tiranës. Kapota kishte një ngjyrë si në te kuqe-vishnje dhe të gërvishte trupin, por unë e mendova të domosdoshme, për klimën e ftohtë të Rusisë. Udhëtimi prej rreth pesë ditësh, ishte mjaft i bukur, sepse, në përgjithësi, sipërfaqja e kaltër e ujërave ishte e qetë dhe përveç në njërën nga ditët, deti nuk na zuri e nuk patëm turbullime.
Gjatë kalimit nëpër Dardanelet, shijuam me sytë tanë pamjen e bukur të qytetit të Stambollit me gjithë ato minaret e xhamive të njohura, për arkitekturën e tyre të riprodhuara aq shumë nëpër fotografi edhe albume edhe në Shqipëri. Ndaluam edhe në portin bullgar të Varnës, ku na lejuan të dalim në rrethinat e portit, për disa orë. Ky udhëtim më la mbresa, sepse ishte e para herë që udhëtoja me vapor. Më pëlqente kur dilja në sheshin e pjesës së përparme të vaporit, ku dëgjohej zhurma e këndshme që krijonte hunda e vaporit, tek çante valët dhe shijoje flladin e freskët, që të përkëdhelte fytyrën. Me të mbërritur në Odesë, na nisën menjëherë, me tren, për në Moskë, udhëtim ky që zgjati afro dy ditë.
Në kryeqytetin sovjetik na pritën përfaqësuesit e ambasadës sonë dhe të administratës së shkollave ruse, që na ndanë si mbas universiteteve, në të cilët ishim paracaktuar për të vazhduar studimet. Pamjet brenda në qytet ishin tepër mbresëlënëse. Për herë të parë po shikoja një qytet të madh, me shumë drita, me ndërtesa kryesisht shumëkatëshe, me arkitekturë të bukur, me rrugë të gjëra e me një qarkullim automjetesh të ndjeshëm, sidomos në krahasim me vendin prej nga ne vinim.
Konvikti i institutit tonë të naftës me emrin e akademikut të njohur “Gubkin”, ishte i përbërë nga disa ndërtesa pesëkatëshe. Ato ishin ndërtuar prej shumë vitesh dhe nuk shquheshin për komoditete. Në çdo dhomë banonim nga katër studentë. Mua më vunë me Abedin Sanxhaktarin, (si shqiptar të detyruar nga rregulli i caktuar prej ambasadës), me një bullgar dhe me një rus. Abedinin e njihja qysh në Shqipëri, ngaqë shkollën e mesme, ai e pat bërë po në degën minerare të Politeknikumit “7 Nëntori”. Të pesë vitet tona të shkollës në Moskë, i kaluam, jo vetëm në të njëjtën klasë të kursit të gjeologjisë, por pothuaj edhe në të njëjtën dhomë konvikti.
Kjo gjë na afroi shumë, aq sa vëllazërisht ndihmonim njeri tjetrin, duke ndarë çdo gjë bashkë. Këtë miqësi të sinqertë ne e vazhduam dhe më vonë, gjatë punës në vendin tonë, në industrinë e naftës. Dy vjet më vonë, na lëvizën nga këto konvikte dhe na vendosën në një godinë të madhe, prej tetëkatësh, të sapo ndërtuar në formë të U-së. Këtu dhomat ishin më të mëdha, më të rehatshme dhe në to, sipas rastit, jetonim herë tre, e herë katër studentë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016