Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një proces – verbal i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila si pikë kryesore të rendit të ditës, kishte “mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike” dhe në atë mbledhje e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari I Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, përveç sekretarëve të Komitetit Qendror si: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, merrnin pjesë edhe disa prej funksionarëve më të lartë të udhëheqjes partiake e shtetërore të asaj kohe, si: Spiro Dede, Abdyl Backa, Ali Vukatana, Sotir Koçollari, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Neritan Babamusta, Dhimitër Shandro, Marash Hajati etj. Proces-verbali i plotë i zhvilimit të mbledhjes me bisedat e diskutimet në mes Ramiz Alisë e udhehqjes së lartë partiake e shtetërore të asaj kohe, me drejtuesit kryesorë nga sektori i krijimtarisë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, të cilët u ndalën gjatë në problemet e kinematografisë shqiptare.
“Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë. Në përgjithësi dhe në vëndet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjisurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjisurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë. Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale. Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjisurë. Përshëmbull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjisurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak….!”
Kështu u shpreh mes të tjerash në fjalën e tij në një nga mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1990, Teodor Laço, asokohe shef i redaksisë së skenarëve në Kinostudion “Shqipëria e Re”, mbledhje me temë “Mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”, e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, ku përveç sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, si Foto Çami, Lenka Çuko dhe Hekuran Isai, ishin të pranishëm edhe pjesa më e madhe e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore e asaj kohe që kishin lidhje direkte apo indirekt me artin e kulturën. Për më shumë se çfarë është diskutuar në atë mbledhje ku përveç Teodor Laços, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, merrnin pjesë dhe regjisori Dhimitër Anagnosti e skenaristi, Nexhati Tafa, na njeh dokumenti në fjalë me proces-verbalin e asaj mbledhje, që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë, duke filluar nga ky numër.
Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me kuadrot e sektorit të krijimtarisë së Kinostudios “Shqipëria e Re”
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk marrin asnjë shpërblim në Kinostudio për filmat që bëjnë?
SHOKU DHIMITËR ANAGNOSTI: Nuk marrin asnjë shpërblim, vetëm dietë marrin, si të gjithë punonjësit. Ne e kemi vështirë të justifikojmë, qoftë dhe ndonjë shpenzim të vogël që bëhet për interes të xhirimit gjatë kohës që aktorët përgatiten për të qenë në gjendje të vazhdojnë xhirimet.
SHOKU RAMIZ ALIA: Për këto lloj shpenzimesh, duhet të merrni dëftesë…?
SHOKU DHIMITËR ANAGNOSTI: Nuk na justifikohen ne as dëftesat. Po të kthehem edhe njëherë te problemi i tregut të filmit tonë jashtë, të cilin nuk e shoh vetëm si një qarkullim idesh, po dhe si një mundësi financiare të madhe për të rinovuar teknikën tonë. Për këtë qëllim duhet të krijohet një organizim i posaçëm, duhet mënjanuar pasiviteti në pritje të letrave dhe korrespodencës. Ky organizim të çojë rregullisht njerëz të specializuar nëpër panaire ku shitet filmi dhe të bëj çmos të shiten filmat tanë. Filmat e botës, për nga niveli dhe tematika, nuk janë më të mirë se shumë nga filmat tanë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë Dhimitër, fjalën e ka Nexhatiu.
SHOKU NEXHATI TAFA: Përveç atyre problemeve që shtruan shokët, mendoj se ndoshta është momenti që kinematografia jonë t’u drejtohet edhe temave të tjera nga letërsia e sotme botërore ne sidomos nga ajo kosovare. Në të njëjtën kohë ajo duhet të vazhdojë të trajtojë me sukses, si deri tani edhe temën patriotike e tema të tjera nga letërsia shqiptare. Siç tregon përvoja e kinematografisë botërore, nga shumë vende janë marrë dhe ekranizuar vepra apo romane të ndryshme që i përkasin letërsisë së vendeve të tjera. Përshembull, francezët xhiruan filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sipas romanit të Kadaresë. Rosi xhiron një film sipas romanit apo tregimeve të Markesit. Kjo është një praktikë e përhershme.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ka ndonjë temë apo roman interesant që mund të merrej nga letërsia botërore?
SHOKU NEXHATI TAFA: Ka shumë të tilla. Do të thosha se shtëpitë tona botuese përgjithësisht po e kryejnë më mirë se ne këtë mision. Ato kanë botuar mjaft vepra nga letërsia kosovare. Për shembull, romani i Rexhep Qoses “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, në 2-3 kapituj të tij të mesit mund të ishte fort i përshtatshëm për një film bashkëkohor.
SHOKU FOTO ÇAMI: Më duket se vetë kosovarët e kanë bërë film këtë roman.
SHOKU NEXHATI TAFA: Kanë realizuar edhe ata një variant.
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Ka edhe shumë romane të tjera historike kosovarë që mund të bëhen filma.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mund të jetë me interes çështja që shtron Nexhatiu. Sa kushton një film?
SHOKU TEODOR LAÇO: Gjashtë milion lekë dhe më shumë.
SHOKU DHIMITËR ANAGNOSTI: Prandaj kjo kontraditë kërkon një zgjidhje. Duhet krijuar një kolektiv i tillë krijues që të realizojë filma cilësorë dhe jo nga ata filma që ekonomisë i kushtojnë dhe nuk i japin gjë nga ana shpirtërore.
SHOKU RAMIZ ALIA: A keni bërë ndonjë llogari, ç’raport ka midis prodhimit dhe të ardhurave në Kinostudio?
SHOKU ALFRED UÇI: Për filmin artistik mbulohen me të ardhura rreth 50-60 përqind të shpenzimeve, por kinostudio ka edhe shpenzime të tjera suplementare…
SHOKU RAMIZ ALIA: Pyetja ime ishte vazhdim i çështjes që shtrojnë Dhimitri dhe Nexhatiu, se duke prodhuar filma me cilësi më të lartë, edhe të ardhurat të jenë më të shumta. Filmat cilësorë sigurojnë të ardhura më të mëdha, prandaj janë me leverdi dhe nga ana ekonomike.
SHOKU PIRRO KONDI: Të mos bëhet garë që të prodhohen sa më shumë filma, se gara është e rrezikshme.
SHOKU ALFRED UÇI: Ne kemi dhe një problem tjetër: gati sa gjysma e filmave artistikë bëhen bardh e zi.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse vazhdojmë të prodhojmë filma bardh e zi?
SHOKU ALFRED UÇI: Vazhdohet, se për të kaluar në prodhimin e filmit me ngjyra, duhen fonde suplementare. Veçse në asnjë vend të botës tani nuk prodhojnë filma bardh e zi.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani as në televizor nuk i shoh dot filmat bardh e zi.
SHOKU SPIRO DEDE: Mbështes shokët për të gjitha problemet që ngrenë. Me shokët e kinostudios kam qenë i lidhur si më përpara, jo vetëm tani që mbuloj këtë sektor. Ata kanë nevojë për specializim të njerëzve, për teknikë të rinovuar, për një strukturë më të mirë të punës. Vitet e fundit po flitet shumë midis shokëve për gjetjen e rrugëzgjidhjeve më konkrete, më të sakta dhe më të shpejta të këtyre problemeve.
Shokët e Kinostudios punojnë, por edhe në këto kushte janë mundësitë për të bërë më shumë. Janë mundësitë që skenarët të kërkohen të cilësisë më të mirë dhe jo të bëhen filma për të plotësuar shifrën vjetore të planit.
Çështja e realizimit të 14 filmave në vit duhet parë, po edhe forcat krijuese në kinostudio nuk janë të pakta. Në qoftë se ka forma që nuk janë shumë të kualifikuara, ose nuk bëjnë atë punë që duhet bërë, atëhere edhe atje të hiqen njerzit e paaftë, siç bëhet në çdo sektor tjetër. Edhe skenaristët që punojnë në kinostudio nuk janë të parët.
Këto çështje shokët e Kinostudios duhet t’i shohin. Është e vërtetë ajo që tha shoku Dhimitër, se kanë mbetur disa forma organizimi që i përkasin kohës kur Kinostudioja prodhonte 3-4 filma në vit. Duhet parë dhe çështja e ristrukturimit.
Ka vite që flitet edhe për shpërblimin e regjisorëve dhe artistëve për vlerat artistike që krijojnë. Për këtë qëllim që mund të përdoren edhe kursimet nga filmat. Kam bashkëpunuar me shokun Viktor dhe me Dhimitrin dhe e di se regjisori në mjaft raste qëndron në studio për ditë të tëra, deri në mëngjes e nuk merr asnjë shpërblim, veç motiveve artistike, që janë morale dhe nga më të mirat që duhet të ketë njeriu. Por megjithë këto motive ne duhet t’i ushqejmë, ato nuk duhet të na pengojnë që të përdorim edhe ndonjë lloj stimuli tjetër për ata njerëz që derdhin pa kursim djersë në punë. Mendoj se janë mundësitë që të përdoren edhe stimujt material, pa qenë nevoja që të investojë shteti. Më mirë të mos prodhojmë një film të dobët që kërkon 800 mijë lekë dhe ato shpenzime të përdoren për stimul material te artistët. Veç kësaj ka vend për t’i parë më mirë preventivat. Shpenzimet për një film të llogariten mbi bazën e një mesatareje. Pse duhen të arrijnë këto shpenzime për çdo film deri në 600-700 mijë lekë? A mund të jenë edhe 400-500 mijë lekë. Specialistët duhet t’i shohin këto probleme dhe të dalin me propozime konkrete edhe në Komitetin e Kulturës e të Arteve që të vendoset të stimulohen që nga regjisori, operatori e të tjerët.
Në Kinostudion tonë ka edhe një problem tjetër që ka të bëjë me mundësinë e ecurisë sa më të shpejtë. Filmat tanë mund të hidhen në video dhe t’i propagandojnë në studio e huaja. Kjo mund të bëhet fare lehtë. Mund të ndiqej edhe më për një praktikë e tillë për ata që vijnë këtu dhe kërkojnë filma shqiptarë.
Kam mendimin që vetë Kinostudioja ka mundësi të bëjë shumë më tepër, për të siguruar specializim më të mirë të njerëzve dhe mjete më të mëdha financiare, përveç atyre që i siguron shteti.
Pashë projekt-vendimin e përgatitur për këtë mbledhje dhe m’u duk se çështjet ishin përcaktuar mirë. Është tjetër problem sa do të jenë mundësitë e shtetit për të bërë rinovimin e Kinostudios. Megjithatë mendoj se vetë me këto forca që ka dhe me rrugët e ndryshme që mund të ndjekë, diçka mund të realizojë duke bashkëpunuar me studio të huaja, duke punuar për ateljet etj. Këto mundësi duhet të shfrytëzohen, ndryshe vendimi që do të merret, do të mbetet përsëri i parealizuar, se ka 10 vjet që ngrihen këto probleme. Një frymë e tillë zvarritjesh të problemeve ekziston një çikë në Kinostudio.
Është shumë e drejtë pyetja që bëtë ju, shoku Ramiz. Në qoftë se do të ndiqet praktika që filmi të zgjasë sa të zgjasë, duke i mbajtur të angazhuar aktorët për ditë të tëra më tej se afatet e parashikuar, edhe teatri dhe institucionet e tjera nuk do të jenë të interesuara ta lënë aktorin të angazhohet nëpër filma. Prandaj, duhet të respektohen afatet e parashikuara.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, qartë. Tjetër jush do të diskutojë?
SHOKU ALFRED UÇI: Desha të thoja nja dy probleme që nuk u prekën këtu. Lidhur me kualifikimin mendoj se Kinostudio ka një përvojë pozitive, po në përgjithësi ai ka ecur në rrugë empirike. Ndoshta përveç nevojave minimale, të domosdoshme për specializimet jashtë shtetit me dy rrugët që u përmendën, do t’u duhej t’i kushtohej vëmendje më e madhe nga ana e Kinostudios dhe Komitetit të Kulturës, studios krijuese që kemi organizuar këto dy vjetët e fundit. Kjo studio nuk e ka shtrirë aktivitetin e vet në të gjitha anët, sepse veç të tjerave, drejtimi i saj atje është bërë nga udhëheqësit artistik, i cili ndjek shumë probleme. Në qoftë se puna do të organizohej mirë, që kjo studio të bëhej një shkollë e vërtetë për kualifikimin e të gjithë personalit, jo vetëm të regjisorëve dhe të skenaristëve, kjo do ta lehtësonte gjithë punën.
Mendoj se kësaj çështje do t’i japin rëndësi të madhe, siç i është dhënë në disa institucione të tjera, si në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Teatrin Kombëtar etj.
Një problem tjetër që qëndron i pazgjidhur në Kinostudio, është ai i shpërpjestimit që ekziston midis sektorëve që prodhojnë filmin dhe sektorëve të shpërndarjes së filmit. Mbas përdorimit të shumë formave të organizimit, kohët e fundit sektori i përhapjes së filmit varet nga Kinostudioja. Mirëpo, në fakt kinematë në rrethe varen nga Komiteti Ekzekutiv. Kështu që ka një ndarje midis interesimit të për prodhimin e filmave dhe interesimit për shpërndarjen e tyre.
Gjendja e kinemave nëpër rrethe, në përgjithësi, është jashtëzakonisht e keqe. Duhet të lidhen medoemos këto dy hallka, që kinostudioja të jetë e interesuar, jo vetëm për prodhimin, por dhe për shpërndarjen e filmit. Pengesa që ekziston, është administrative. Komitetet Ekzekutive të rretheve duke patur shumë probleme, nuk u kushtojnë gati asnjë vëmendje mirëmbajtjes së kinemave, pajisjeve të tyre dhe përgjithësisht shfrytëzimit të aparaturave.
Mendoj se degët e filmit të jenë në varësi të drejtpërdrejt nga kinostudioja. Sigurisht, ato mund të përgjigjen edhe para komiteteve ekzekutive të rretheve, siç përgjigjen të gjitha institucionet.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mos është barrë shumë e rrëndë për Kinostudion kjo punë?
SHOKU ALFRED UÇI: Ashtu është. Për këtë qëllim, Kinostudio duhet të ketë aparatin e vet, se tani 2-3 veta ka.
SHOKU RAMIZ ALIA: Megjithëse mund të ketë apparat, më duket e vështirë të merret Kinostudioja me kinematë e Kolonjës apo të Himarës.
SHOKU ALFRED UÇI: Vetë Kinostudioja e kërkon tani një organizim të tillë dhe e quan të nevojshme që të ketë një ballafaqim midis të ardhurave dhe shpenzimeve. Ndryshe, nëpër rrethe do të vazhdohet të mos ketë më asnjë interes për kinematë. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016