Nga Enver MEMISHAJ
-Tre desantët u vunë në shërbim të Sigurimit, kurse Et’hem Zyber Likaj nga Lepenica, nuk pranoi të dorzohej, por luftoi deri sa u vra-
Memorie.al / Tefik Zyber Likaj ishte një fshatar i varfër nga Lepenica e Vlorës, sikundër pohojnë vetë komunistët në raportin e tyre të datës 2 prill 1945, ishte i çveshur nga çdo pasuri, por ai kishte një zemër të madhe atdhetare. Ishte djalë i vetëm i Zyber Likaj. Një pjes e këtij fisi mbajtën më vonë mbiemrin Myslymaj. Babaj tij, për shumë arsye nuk kishte mundësi të bënte diçka për kujtimin e djalit tij të vetëm. Njerëzit e afërt të tij që patën mundësi të mos e linin të humbiste emëri këtij djaloshi trim, nuk bënë asgje për të, dikur nga frika, por edhe sot në liri, askush nuk u kujtua për të. Me qëllim që emri i bukur i Tefik Likajt të mos fshihet nga kujtesa, pra të mos vdesë, siç thotë shkrimtaria e shquar me famë botërore Isabel Alende, por të kujtohet nga të afërmit, fshatarët e tij trima dhe nga të gjithë ata që e duan këtë vend, po e kujtoj me këtë artikull, këtë djal trim, me zemër të madhe, që luftoi për lirinë dhe vdiq për Shqipërinë, në moshën 25 vjeçare.
- Desantët.
Për rreth tre vjet, nga 1949 deri në 1952, Shqipëria ishte në qendër të vëmendjes të shërbimeve sekrete Anglo – Amerikane, si dhe të fqinjëve. Agjentë dhe grupe zbuluesish zbarkonin në Shqipëri nga toka, ajri dhe deti. Synimi i tyre, ishte të bënin të mundur, rrëzimin e regjimit komunist. Por gati të gjitha këto përpjekje të agjenturave të huaja në bashkëpunim me emigracionin politik shqiptar që dëshironin rënien e regjimit komunist, dështuan. Kjo në saje të diktaturës dhe terrorit të vendosur në Shqipëri, lojës së shërbimeve sekrete shqiptare, të cilat arritën t’i neutralizonin gati të gjitha grupet diversioniste që mësyn në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. Ende është i diskutueshëm roli i agjentit të famshëm anglez, Kim Filbi, në dështimin dhe eliminimin e grupeve diversionuiste të hedhur në Shqipëri. Zbarkimi parë në Shqipëri është bërë në shkurt të vitit 1949 në malet e Mirditës.
Zbarkimi i dytë me një grup prej katër vetash dhe disa parashuta me materiale për ta, zbarkoi me parashutë nga ajri, i nisur nga zbulimi italian, rreth orës 22 e 30 minuta të datës 8 korrik të vitit 1949, në vendin e quajtur “Arat e Verdha, midis katundeve Progonat dhe Golem të Tepelenës. Në mëngjesin e datës 9 korrik, desantët, pasi i fshehën materialet, muarën me vete ushqim dhe një radio transmetuese portative dhe u nisën për në malin e Progonatit. Në kërkim të ujit për të pirë, ata takuan në udhë një djalë të ri me kafshë, ngarkuar me ujë, që shkonte në stanin e tij. Ata i thanë djalit se ishin ushtarë të Brigadës së Sigurimit të Shtetit dhe i kërkuan atij ujë, por Myrto Kurra babai i djalit, që ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, njohu njërin nga desantët, bashkëfshatarin e tij, Et`hem Çakon. Myrto Kurra, me gjithë premtimet se nuk do t`i spiunonte, me t`u larguar desantët, nisi djalin në Postën e Policisë, që që ishte 3 orë larg.
Me të marrë njoftimin, Dega e Punëve të Brendshme Tepelenë, Gjirokastër dhe Vlorë, nën komandën e një oficeri me përvojë të Ministrisë së Brendshme, që mbërriti në Tepelenë më 9 korrik, kombinuan veprimet për të kapur apo asgjësuar desantët. Më datën 10 korrik 1949, rreth orës 23 e 30 minuta, ndërsa grupi desantëve ishte kthyer për të pirë ujë në një burim afër Progonatit, u ndesh me forcat e Sigurimit. Pas një përpjekje të shkurtër, desantët mundën të çanin rrethimin dhe u larguan, por jo në grup. Ata u shpërndarë duke lënë në vend një automatik, harta topografike, xhaketa dhe plaçka të tjera. Të nesërmen më datën 11 korrik, një nga desantët u paraqit në stanin e një bariu nga Progonati, i cili pasi premtoi se do ta fshihte dhe mbronte vrapoi dhe e spiunoi te forcat e Sigurimit, të cilin e rrethuan dhe i bënë thirrje të dorëzohej, pasi nuk kishte shpëtim.
Ai u përgjigj me armë, por pas një rezistence të shkurtër u dorëzua pa bërë rezistencë dhe deklaroi se ishte Kasem Zhupa nga fshati Kopaçez i rrethit të Sarandës. Duke u gdhirë 12 korriku, forcat e policisë dhe fshatarët e Kuçit të Vlorës, rrethuan dhe u bënë thirrje të dorëzoheshin dy desantëve të tjerë, të cilët edhe u dorëzuan pa bërë përpjekje me armë. Ata deklaruan se ishin: Et`hem Çako nga Progonati dhe Llukman Myftiu, shqiptar nga Maqedonia. Desanti i katërt, që ishte ndarë nga grupi në përpjekjen që u bë më datën 10 korrik 1949, në udhëtim e sipër, ndofta për t`u fshehur në fshatin e tij, në Lepenicë të rrethit të Vlorës, apo tek ndonjë mik i tij, i kërkoi ndihmë një bariu nga Kuçi, i cili pranoi ta ndihmonte dhe e fshehu, por pas fjalës së dhënë, ky spiun i Sigurimit të Shtetit shkoi me vrap dhe e spiunoi.
Më datën 12 korrik 1949, desanti i katërt, u rrethua nga forca të shumta të Sigurimit, të Mbrojtjes, të Policisë dhe të popullit dhe iu kërkua të dorëzohet, duke i thënë se shokët e tij ishin dorëzuar dhe duke i bërë edhe premtime të shumta. Premtimeve të komunistëve, ai iu përgjigj me armë. Ai nuk pranoi të dorëzohet në duar e tyre dhe për këtë qëndroi dhe luftoi përmbi dy orë, kur edhe iu mbaruan fishekët, në përpjekje për të çarë rrethimin ai u vra barbarisht. Ky ishte trimi dhe atdhetari, Tefik Likaj nga Lepenica e Vlorës. Në fund të muajt maj 1950, para gjyqit Et`hem Çakua, ka deponuar se; “Nga ora një e mesit të natës të 10 korrikut, ramë në përpjekje në një përrua afër Progonatit, që këtu na u shkëput Tefik Likaj, të cilin nuk e pamë më, po kështu ndodhi edhe me Kasëm Zhupën”.
Kështu forcat e Sigurimit të Shtetit, në saj të pabesisë së fshatarëve, ndryshe nga tradita dhe zakonet shqiptare, që miku nuk dorëzohet si dhe spiunimit të bashkëpunëtorëve të tij, pas tre ditë e gjysëm, kishin në duart e tyre të lyera me gjak shqiptari, grupin që kishte zbarkuar më 8 korrik të vitit 1949, prej katër vetash: Et`hem Çako, përgjegjës i grupit dhe shifrant. Ai kishte lindur në vitin 1905, në Progonat në Tepelenës. Ish-nënoficer xhandarmërie dhe roje finance. Në vitin 1942, aderoj në organizatën e Ballit Kombëtar dhe pati funksione drejtuese në Delvinë. U arratis së bashku me gjermanët në Gjermani dhe më vonë në Itali.
Llukman Myftiu, zëvendës përgjegjës dhe zëvendës shifrant. Ai kishte lindur në katundin Dobrush, Maqedoni me kombësi shqiptare. Për t`i shpëtuar shtypjes serbe, u arratisur nga Maqedonia në vitin 1946. Kasëm Zhupa, radist i grupit. Ai kishte lindur në vitin 1923, në katundin Kopaçez të Sarandës. Gjatë Luftës, ai kishte shërbyer në radhët e milicisë, deri në kapitullimin e Italisë dhe më pas ka milituar në radhët e Ballit Kombëtar. Arratisur në vitin 1944. Në vitin 1945, kreu një kurs spiunazhi në Grac të Austrisë, pastaj shkoi në Itali, ku u bashkua me Ballin Kombëtar. Tefik Likaj, ndihmës radist dhe përgjegjës materiali. Ai kishte lindur në Lepenicë të Vlorës në vitin 1924. Si gjithë fshati tij, ai ishte një nga ushtarët dhe aktivistët e shquar të Ballit Kombëtar, si dhe anëtar i njësiteve guerile të Ballit Kombëtar të qytetit të Vlorës. Ai u arratis në fund të vitit 1944, në Itali.
- Kush ishte Tefik Likaj?
Tefik Likaj, ishte një djalë me pak shkollë, por me një zemër të madhe atdhetare dhe inteligjencë të lartë natyrale. Kjo bëri që ai që në fillimet e Lëvizjes Antifashiste, të ishte një nga aktivistët dhe luftëtarët e parë kundër fashizmit italian. Ai luftoi trimërisht në Luftën e Gjormit, 31 dhjetor 1942, deri më 2 janar 1943, kundër fashizmit italian. Sapo filluan mosmarrëveshjet ndërmjet Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar, Tefik Likaj me zgjuarsinë që e karakterizonte, u bë një nga ushtarët e vendosur të Ballit Kombëtar. Ai mori pjesë në të gjithë luftimet antifashiste që kanë kryer forcat e Ballit Kombëtar të Vlorës.
Komandanti i Ballit, Hysni Lepenica, me mendjemprehtësinë që e karakterizonte dalloi tek Tefik Likaj vetitë e një luftëtari trim dhe atdhetari besnik dhe prandaj e mori me vete dhe e mbajti pranë vetes si roje sypafjetur të tij. Tefik Likaj, e justifikoi besnikërinë e komandantit, jo vetëm gjatë Luftës, por edhe në çastet e fundit të jetës së tij, ai nuk pranoi të dorëzohej i gjallë tek komunistët.
Xhemil Beharaj, duke folur për Vakthi Shemen (1950 -1990), nga Fieri, kompozitorin e këngës së njohur “Bardhësi”, tregon për një rast interesant. Vakthiu talentin e kishte trashëguar nga babai tij, Tefik Sheme, i cili kur i binte violinës, bilbilat uleshin mbi supet e tij. Tefiku e kishte mësuar violinën nga Bilbil Vlora, i njohur në atë kohë si violinist. Më tutje, Xhemil Beharaj vazhdon: “Në kohën e luftës, 1939 – 1944, beu i zonës së Roskovecit, Isa Toska, kishte kapur rob Tefik Lepenicën dhe do ta varte. Ka qenë prill ose maj, tregojnë fëmijët e Vakthiut, Erjoni dhe Iliri, pasi e kanë histori të treguar nga vetë gjyshi i tyre, Tefik Sheme. Ai tregonte se ishte duke u kthyer nga një drekë, ku ishte ftuar me saze. Kur mori vesh për robin Tefik Lepenica, mbajti këmbët dhe iu drejtua Isa Toskës me fjalët:
– Ç`ke o Isa bej. Lere se bën mëkat.
Beu ia kishte kthyer:
– Tefik aga, unë e fal në qoftë se ti i bie violinës dhe ul bilbilat mbi supet e tu.
Isa beu mendonte se kjo gjë nuk do të ndodhte.
Tefiku nisi menjëherë një melodi me vaj, duke i rënë shumë ëmbël violinës. Një bilbil që ndodhej aty pranë në një pemë shkon dhe i ulet mbi sup Tefikut.
Isa Toska u habit dhe e la të lirë Tefik Lepenicën, por i thotë:
– Mos mendo se po të zura prap, s`do të të var. Ik. Sot e ke jetën nga Tefik Sheme”.
Kështu ky djalosh 19 vjeçar, nuk iu nda për asnjë ditë Komandantit legjendar Hysni Lepenica dhe luftoi me trimëri për lirinë e vendit të tij. Në fund të vitit 1944, Tefik Likaj, së bashku me shumë luftëtarë të Ballit Kombëtar të Vlorës, emigroi jashtë vendit, me dhimbje që atdheun e kishte lënë nën diktaturën komuniste.
- Shpronësimi i Tefik Likaj
Pushteti komunist, masën e parë që mori ishte burgimi dhe shpronësimi i “armiqve të popullit”, pra kundërshtarëve të tij politik. I tillë konsiderohej edhe Tefik Likaj. Për interesa të lexuesit, po japim të plotë vendimin e sekuestrimit të pasurisë së Tefik Zyber Likaj:
Vendim Nr. 59 datë 22.6.1945
”Mbi sekuestrimin e pasurisë të të arratisurit politik kriminel luftë Tefik Zyberi nga katundi Lepenicë i nënprefekturës së Kotës”. Komiteti Ekzekutiv i nënprefekturës së Kotës, tue marrë parasysh se nga informatat e sigurta që ka ky Komitet, ashtu edhe nga hetimet që janë kryer prej Komisionit, mbi zbulimin e krimeve dhe të kriminelëve të luftës në këtë rreth, i quajturi Tefik Zyberi nga e banues në katundin Lepenic, ndodhet në arrati jashtë ose brenda shtetit për arsye politike. Tue marrë parasysh nenet 1 dhe 2 të ligjës datë 15 dhjetor 1944, mbi konfiskimin e pasurisë private të të arratisurve politik;
U r d h ë r o n:
Sekuestrimin e pasurisë të sipërpërmendurit Tefik Zyberi kudo që ndodhet dhe në dorën e cilitdo që të jetë, tu qenë të detyruar në-dorasit t`ia dorëzojnë këtij Komiteti. Pasuria përshkruhet në raportin bashkangjitur këtij vendimi.
Drashovicë, më 22.6.1945
Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Kotës.
Raport
“Tefik Zyberi nga katundi Lepenicë.
I arratisur me okupatorin më 15 tetor 1944. Vendbanimi i tij në Vlorë. Aktiviteti tij politik: Xhandar i qeverisë kuislinga. Gjendja familjare: Është i zhveshur nga të gjitha. Drashovicë, më 2.4.1945. Komisioni për Regjistrimin dhe Administrimin e Pasurive të të Arratisurve Politik të Nënprefekturës së Kotës.
- Tefik Likaj në emigracion.
Tefik Likaj, fillimisht ka qenë në kampin e Reggio Emilia, Itali në shoqëri të Sami Ngucaj dhe nën kujdesin e fshatarëve të tij, më të mëdhenj në moshë, Nebi dhe Hysen Lepenica. Ky djalë trim dhe inteligjent, kishte rënë në sy të Mid`hat Frashërit i cili e mbante me dashuri pranë vetes. Kjo gjë duket edhe nga një fotografi që Tefik Likaj, ka bërë me udhëheqësin e Ballit Kombëtar Mid`hat Frashërin. Ai ishte i betuar për luftën kundër komunizmit dhe i betuar për të mos rënë i gjallë në duart e tyre, gjë që e provoi duke dhënë jetën me armë në dorë në një moshë të re 25 vjeçare. Mbi bazën e kësaj bindje dhe vendimi ai pranoi të hidhej me parashutë në Shqipëri për të marrë informacione dhe për të ngritur baza agjitacioni dhe propagandë, kundër sistemit diktatorial komunist.
Me porosi të Mid`hat Frashërit, Qenan Hyska, një nga komandantët e Ballit Kombëtar të Vlorës, e bindi Tefikun, për t`u hedhur në Shqipëri. Po kështu edhe Et`hem Çakua, Llukman Myftiu dhe Kasem Zhupa, pranuan të hidheshin në Shqipëri, bazuar në urrejtjen që kishin ndaj sistemit diktatorial komunist dhe u lidhën me Zbulimin Italian, nëpërmjet De Agostinit, kuadër me përvojë i këtij Zbulimi. Të katër të përmendurit, u vendosën në një vilë që emërtohej “Linda”, në një vend të fshehtë, 8 kilometra larg qytetit të Barit. Këtu ata kryen një kurs, që filloi më 2 janar të vitit 1949 dhe përfundojë më 7 korrik, po të këtij viti.
Në kurs, mësuan për mënyrën e rekrutimit të agjenturës në Shqipëri, përdorimi radios transmetuese, përdorimi i shifrës sekrete, shifrim e deshifrim, etj.
Për t`u hedhur në Shqipëri, grupi u pajis në mënyrë të përsosur. Vetëm me materialet që kishte marrë me vete grupi, kish mundësi të jetonte dhe vepronte pa kërkuar asgjë, për 6 muaj, ndërsa ndërlidhjen, mund ta mbante nëpërmjet radios, më tepër se dy vjet. Për transmetim dhe informacion, grupi ishte pajisur me kode sekrete p.sh. “Të fala Filipit”, do të thoshte: “Jemi mirë me shëndet, radiot s`punojnë”, etj. Po kështu, secili anëtar i grupit, identifikohej me pseudonime: Et`hem Çakua = “Fiore Guizeppe”, Kasëm Zhupa = “Moska”, Llukman Myftiu = “Fusko”, Tefik Likaj = “Bomba”. Të katër desantët, ishin pajisur me letra njoftim fallco. Tefik Likaj, kishte letër njoftimi me emrin Hysen Ademaj. Secili prej tyre, mbante një hartë topografike, busull, elektrik dore. Rroba civile dhe rroba ushtarake, 50 napolona flori dhe ushqim për 6 muaj. Armatimi tyre: një automatik gjerman me 4 karikatorë dhe 240 fishekë, një revolver italian me 14 fishekë dhe 4 granata amerikane. Të gjitha këto materiale ranë në duart e Sigurimit të Shtetit.
- Radioloja “Buza e Bredhit”
Të tre desantët që u dorëzuan tek Sigurimi i Shtetit: Et`hem Çako, Llukman Myftiu dhe Kasem Zhupa, bazuar edhe në dokumentet dhe materialet e kapura, treguan gjithçka për qëllimin e ardhjes në Shqipëri dhe për të shpëtuar jetën e tyre, pranuan të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit. Drejtuesit e lartë të Organet e Sigurimit te Shtetit, Kadri Hazbiu me pseudonimin “Besniku” dhe Mehmet Shehu, e shfrytëzuan këtë rast dhe organizuan radiolojën; “Buza e Bredhit”, me qëllim që të mësonin veprimtarin e Zbulimit Italian, të depërtonin në emigracionin politik shqiptar dhe të kapnin të arratisur të tjerë, si dhe të përfitonin materiale, për të cilat ishin shumë të varfër.
Radioloja “Buza e Bredhit”, është e para lojë e ndërmarrë nga organet e Sigurimit të Shtetit. Ajo u zhvillua prej 15 korrikut 1949, deri më 1 nëntor 1949.
Zbulimi Italian ra në këtë kurth dhe nuk besonte se “Fiore Guizeppe”, alias Et’hem Çako, të ishte kapur i gjalle nga organet e Sigurimit te Shtetit Shqiptar. Për ta vërtetuar këtë, ata dërguan në Shqipëri me anën e Zbulimit Grek, një grup prej 14 vetash me shqiptarë, të kryesuar nga Izet Vrazhdo. Nga ky grup, mezi shpëtuan të gjallë 7 vetë, me Izet Vrazhdon, të cilët kaluan në Greqi. Shtatë vetë të tjerë, u asgjësuan apo u dorëzuan. Por edhe Izet Vrazhdo, si rezultat i radio-lojës, u fut në burg nga Zbulimi Grek. Në sajë të radio-lojës, jo vetëm Zbulimi Italian, por edhe Zbulimi Grek, filloi të mos kishte besim tek desantët që kishin dërguar vetë në Shqipëri. Gjendja e “Fiore Guizeppes” mbeti e errët për spiunazhin italian dhe radioloja vazhdoi me sukses, edhe për disa kohë. Ata dërguan municione ushqime, medikamente, veshmbathje për “Fioren”, të cilin e kujtonin se ndodhej i lire, në malet e Shqipërisë.
Për organizimin e këtij kurthi, duhej shmangur demaskimi publik që kishte bërë Kryetari i Degës Punëve të Brendshme të Vlorës, i cili me t`u kapur Et`hem Çakua dhe Llukman Myftiu, i nxuarrën përpara popullit, për të bërë sipas zakonit çnjerëzor komunist, demaskimin publik të tyre. Me qëllim që populli të bindej se desantët nuk ishin kapur, u publikua se ata që ishin demaskuar përpara popullit, nuk ishin diversantë, por udhëtarë që shkonin në punë të tyre dhe gabimisht ishin arrestuar dhe për të bindur popullin, ose më mirë për ta gënjyer atë, Sigurimi organizoi ndjekje në shkallë të gjerë me masat e popullit, për të kapur “diversantët”! Këto veprime, bënë që populli të besonte se Et`hem Çakua me shokë, nuk ishte kapur, por vepronte i lirë nëpër male. Në ditët e para të shtatorit 1949, hyri nga Greqia edhe grupi Izet Vrazhdos, që përbëhej prej 14 vetash dhe ishte ndarë në katër grupe, në krahinën e Kurveleshit dhe Lumit të Vlorës, ndërmjet të tjerave edhe me qëllim që të merrte informata, për grupin e Et`hem Çakos.
Mbas disa ditësh që grupi kishte hyrë në Shqipëri, agjenti i Sigurimit të Shtetit, “Manushaqia”, nga Gjirokastra, ra në kontakt me desantin Manxhar Hoxha nga katundi Kolonjë i Gjirokastrës, pjesëtar i grupit të Izet Vrazhdos. Agjenti “Manushaqia”, sipas porosive që kishte marrë prej oficerëve të Sigurimit, i tha Manxhar Hoxhës, se: “Kapia e Et`hem Çakos, nuk ishte e vërtetë, por Sigurimi, për të bërë që Et`hemit të mos i besohej dhe të mos ndihmohej nga populli, ka hapur fjalë se është kapur. Ai që u demaskua përpara popullit, nuk ishte Et`hemi me shokët e tij, por dy ushtarë të veshur si diversantë. Këto ia kish thënë një fis i Et`hemit në Tepelenë”.
Pas këtij takimi, “Manushaqia” u raportoi shefave të tij dhe shtoi se Manxhari, e kishte besuar dhe e kishte shpërblyer me një napolon flori, të cilin ia morën oficerët e Sigurimit! “Manushaqia”, u tha shefave të tij, se sapo mbarova bisedën me Manxhar Hoxhën, ai shkroi diçka në një letër ia dha një desanti tjetër dhe i tha transmetoje. Në këtë mënyrë, Sigurimi u bind se Manxhar Hoxha, i kishte raportuar qendrës se; Et`hem Çakua nuk ishte kapur. Ky ishte sukses i parë i Sigurimit. Agjenti “Manushaqia”, me dredhi, e futi në kurth grupin prej katër vetëve të Manxhar Hoxhës. Ata nuk pranuan të dorëzohen dhe pas përpjekjeve me armë, u vranë Manxhari me dy shokë të tij, i katërti u dorëzua.
Nga deponimet e këtij desanti, Sigurimi mori të dhëna të hollësishme, veçanërisht njoftimin që i ishte bërë se; Et`hem Çakua, ishte shëndosh e mirë dhe në veprim, kështu që Sigurimi, mund të vazhdonte lojën e tij. Si rezultat i informacioneve të spiunëve të Sigurimit, u arrit të vriteshin edhe tre anëtar të tjerë, të grupit të Izet Vrazhdos. Në këto rrethana, Izeti u detyrua të kthehej në Greqi, me 7 vetë që shpëtuan të gjallë.
Pasi Izeti u kthye në Greqi, Sigurimi i Shtetit, urdhëroi Et`hem Çakon, tashmë agjent i tyre, që t’i transmetonte Zbulimit Italian se në Shqipëri, kishte mbërritur grupi Izet Vrazhdos, prej 14 vetash, se Izeti ishte takuar me oficerë të Sigurimit Shqiptar, në Qishbardhë të Vlorës dhe si rezultat, ishin vrarë 7 vetë të grupit të tij, dhe se ai Izeti, kryente dopio rol. Sigurimi i Shtetit, ia kishte arritur qëllimit të tij djallëzor, Izeti me të mbërritur në Greqi u burgos dhe rreth fatit të tij pati shumë mjegull. Pas këtyre veprimeve, Sigurimi i Shtetit synonte ta vinte Et`hem Çakon, në lidhje me Legatën Italiane në Tiranë. Për të arritur këtë synim, Sigurimi duhet të organizonte takimin e Et`hem Çakos, me nënën e tij në Progonat, së cilës Et`hemi i tha se ishte i lirë dhe vepronte në male dhe i kishte dhënë asaj edhe një napolon flori, po kështu u organizua edhe takimi tij me gruan në Durrës.
Këto takime u kryen, sepse Zbulimi Italian, me agjentë të dërguar në Shqipëri, mund të takonte nënën apo gruan e Et`hem Çakos, për të marrë informacion, rreth veprimtarisë së tij. Pas këtyre takimeve, për të besuar në lojën që organizonte Sigurimi i Shtetit, në mbrëmjen e 2 shtatorit 1949, organizoi gjoja një përpjekje me armë me një grup diversantësh në Bënç të Tepelenës.
Në përfundim të “përpjekjes”, forcat e Sigurimit kaluan triumfalisht, në mënyrë demonstrative në mes të fshatit, duke patur mbi një mushkë “një trup njeriu”, të një diversanti të vrarë, të cilin e varrosën në afërsi të këtij fshati, pranë Postës së Policisë, me qëllim që varri të mos hapej nga askush. Papagallët e Sigurimit, popullarizuan “përpjekjen” dhe “vrasjen” e diversantit, profka të cilat populli i besoi.
Për të konfirmuar suksesin e përpjekjes së 2 shtatorit, Sigurimi, më 6 shtator 1949, botoi në gazetën “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme:
“Në mbrëmjen e datës 2.9.1952, ndërmjet katundeve Bënç e Lekdush të rrethit të Tepelenës, nga organet e Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me forcat e Mbrojtjes së Popullit, u vra armiku i popullit dhe spiuni i imperializmit, Tefik Likaj (Zyberaj) nga katundi Lepenicë e Vlorës. I përmenduri, qysh me krijimin e forcave bashibozuke të Ballit Kombëtar, ka marrë pjesë aktive me armë në dorë, kundra Luftës Nacionalçlirimtare, duke qenë roje besnike e kriminelit me damkë, Hysni Lepenica, me vonë anëtar i njësiteve guerile të Ballit Kombëtar për qytetin e Vlorës…”!
Më poshtë, komunikata vazhdon me gjuhë komuniste të shpifjeve te paskrupullta, me sharje dhe me numrin e krimeve të pa numërta, që kishte kryer ky djalosh 20 vjeçar, në vitin 1944… dhe se ai kishte përfunduar në prehrin e imperializmit Italian, kundër vendit të tij…!
Gjithçka që thuhej në këtë komunikatë për Tefik Likajn, ishte gënjeshtër dhe hipokrizi, karakteristike komuniste. Ai ishte një ushtar trim i Ballit Kombëtar, roje sy pafjetur i Komandantit të tij Hysni Lepenica. Tefik Likaj, nuk mund të akuzohej për asnjë krim dhe që ishte vrarë më 12 korrik 1949, duke luftuar trimërisht, për të mos rënë i gjallë në duar të komunistëve. Oficerët kriminel, e kishin zhveshur duke i marrë të gjitha rrobat e trupit, e lanë vetëm me brekë dhe e kishin varrosur duke e shtirë me shqelma në gropën e varrit, në vendin që edhe u vra. Varri tij humbi përgjithmonë.
Sigurimit të Shtetit, për të vazhduar radiolojën “Buza e Bredhit”, i erdhën në ndihmë edhe dokumentet që iu kapën katër diversantëve të vrarë në krahinën e Vlorës, në nëntor të vitit 1949. Në dokumentet e tyre, transmetuar Zbulimit Italian, ata raportonin se, nuk kishin pasur mundësi të informoheshin me saktësi, mbi fatin e grupit të Et`hem Çakos dhe premtonin se do të punonin në këtë drejtim. Radioloja e Sigurimit të Shtetit, e organizuar me kontributin e Et`hem Çakos, Kasem Zhupës dhe Llukman Myftiut, u ndërpre nga tradhtia e një oficeri të Sigurimit, i cili kishte marrë dijeni për radiolojën, disa ditë më parë se të fillonte afati caktuar, për takimin e Et`hem Çakos me agjentë të Legatës Italiane. Ky oficer, kishte shkuar në Itali me shërbim dhe i kishte dhënë gjithçka Zbulimit italian. Informacionet e tij, përcaktuan mbylljen e radio-lojës.
Në fund të muajt maj të vitit 1950, Et`hem Çako, Kasem Zhupa dhe Llukman Myftiu, dolën në gjyq të hapët propagandistik. Trupi gjykues komunist, përbëhej nga: Kryetar, kolonel Shuaip Panariti, anëtar, kapiten Vangjel Korça, kapiten Nonda Papuli.
Të tre të pandehurit, u bënë qesharak përpara popullit, aq sa kuptohej sheshazi, se ata gënjenin apo deklaronin ato që u kërkonte Sigurimi i Shtetit. Në përfundim, Gjykata vendosi që Et`hem Çakua, Kasem Zhupa dhe Llukman Myftiu, të dënoheshin me vdekje. Ekzekutimi i dënimit me vdekje për të tre, të bëhej me pushkatim. Ky vendim është i formës së prerë. Tiranë më 6 qershor 1950. Sigurimi i Shtetit, (sepse në fakt ai i vendoste dënimet), u fali jetën, por i dënoi me burgime të rënda dhe ata u kalbën në burg. Vetëm Et`hemi, mundi të dilte dhe të banonte në Durrës, duke mbetur deri në fund, agjent i Sigurimit të Shtetit. Memorie.al
Marrë nga gazetadielli.com
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016