Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore me siglën sekret, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, të cilat i përkasin vitit 1977 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet një korrespodencë midis ambasadës shqiptare në Vjenë dhe aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së (sektorit të Jashtëm), ku bëhet fjalë për një material me komentet që ka bërë Radio “Evropa e Lirë”, lidhur me kontradiktat dhe prishjen e marrëdhënieve zyrtare në mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Në dokumentet në fjalë, ambasadori shqiptar Zihni Haskaj, fillimisht shpjegon rrethanat se si u bë e mundur, gjetja e atij materiali që u sigurua nëpërmjet shefit të zyrës së agjencisë franceze të lajmeve në Vjenë, të cilit mundi t’ja merrte fshehtas dhe fotokopjonte, Wilfred Graff, miku i vendit tonë dhe një prej pjesëtarëve të Shoqatës së Miqësisë Austri Shqipëri. Sipas ambasadorit Haskaj, materiali që u transmetuar nga Radio “Evropa e Lirë”, ishte përgatitur nga gazetari Luis Zanga, në të cilin midis të tjerash, thuhej: Këtu Hua-ja, e zëvendëson gjuhën e drejtpërdrejtë, me një analizë M-L të luftës së fundit për pushtet në Shqipëri. Sigurisht që shqiptarët nuk kanë nevojë për të patur një kopje të fjalimit të Hua-së, për të provuar lidhjen kineze me elementët e spastruar. Vetë kryeministri Mehmet Shehu, ishte ai që, në nëntor të vitit 1977, dha të kuptojë për lidhjen e Pekinit me opozitën në Tiranë, kur ai tha: “Ne e dimë fare mirë dhe e kemi dokumentuar origjinën e penjve, të komplotit puçist të Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit dhe të puçistëve të tjerë, të cilët donin të përmbysnin diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosnin këtu një regjim borgjezo-revizionist.
Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ambasadori shqiptar në Vjenë, Zihni Haskaj, dërguar Sektorit të Jashtëm pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me komentet e Radios “Evropa e Lirë”, për prishjen e marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë me Kinën
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
Ambasada e RPSSH Austri
Nr. 54
Vjenë më 7.4.1978
KOMITETIT QENDROR të PPSH
(Sektorit të Jashtëm)
MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
T I R A N Ë
Së bashku me këtë shkresë, po ju dërgojmë një informacion të një materiali të Radios “Europa e Lirë”, që bën fjalë mbi marrëdhëniet tona me Kinën. Po kështu po ju dërgojmë fotokopjen e këtij materiali që na e dërgoi miku Wilfried Graff.
Ambasadori
(Zihni Haskaj)
I N F O R M A C I O N
Mbi një material të Radios “Europa e Lirë”
Në vazhdim të telegramit tonë, më poshtë po japim përmbajtjen e materialit që është përgatitur dhe shpërndarë nga redaktorët dhe personeli politik i radios “Europa e Lirë”.
Ai, bën fjalë për një fjalim të ministrit të jashtëm kinez Huan Hua, të mbajtur në datën 30.7.1977. Sikurse ju kemi njoftuar rreth këtij materiali, na ka folur Wilfried Graff, anëtar i shoqatës së miqësisë Austri-Shqipëri.
Këtë material, e dispononin shefi i zyrës së agjensisë franceze të lajmeve këtu. Duke qenë se Graff punon atje ai, ka mundur që të fotokopjojë në mënyrë të fshehtë materialin, dhe na e dorëzoi neve.
Ky material, është përgatitur nga Luis Zanga i cili, komenton marrëdhëniet tona me Kinën, duke i’u referuar tekstualisht fjalimit të Huas.
Në këtë material, thuhet: “Fjalimi i Huasë përmban 42.000 fjalë dhe është mbajtur në 30.7.1977, përpara kuadrove partiakë, politikë, dhe ushtarakë, kinezë. Hua, trajton 10 çështje dhe konkretisht marrëdhënien e re të Kinës me Jugosllavinë, pas vizitës së Titos, dhe grindjen me Shqipërinë.
Materiali, ka qarkulluar në Perëndim dhe thuhet se gjithçka është e vërtetë. Ai, ishte një fjalim i jashtëzakonshëm. Hua e fillonte fjalimin mbi mosmarrëveshjet me Shqipërinë, duke iu referuar artikullit të 7 Korrikut të shpërndarë nga ambasada shqiptare në Pekin.
Ai thekson se, shtypi kinez nuk kishte botuar ndonjë artikull porse, në të ardhmen Pekini, do të botonte artikuj të huaj për të sqaruar disa probleme të caktuara. Kjo ishte një referencë ndaj atyre partive komuniste m-l që morën anën e Kinës. Në këtë mënyrë shtypi kinez, filloi që të botojë artikuj për “teorinë e tri botëve”.
Huan Hua theksoi se sipas udhëzimeve të Hua Kuo Fenit, e të Ten Hsiao Pinit, nuk do të botoheshin artikuj që hidhnin poshtë pikëpamjet e gabuara të shqiptarëve. Një qëndrim i tillë sipas Hua-së, do të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm të divergjencave si dhe konfuzionin në lëvizjen komuniste ndërkombëtare.
Mënyra me të cilën Huan Hua-ja, u përpoq t’ju bënte përshtypje dëgjuesve mbi shkakun dhe origjinën e konfliktit me Shqipërinë, është interesante. Meqenëse ne, thekson Huan Hua-ja, nuk donim që të jepnim një shkak për të çoroditur miqtë tanë si dhe për të gëzuar armiqtë tanë, kemi ndjekur porosinë e kryetarit Mao, për të ruajtur miqësinë midis shqiptarëve dhe kinezëve.
Ndërsa kemi bërë gjithçka për të bindur PPSH-në ne, kemi dashur që të mos hyjmë në polemikë me shqiptarët. Shumë shokë, u habitën për polemikën. Disa shokë që punojnë në drejtoritë e punëve të jashtme, kanë adoptuar qëndrimet e politikanëve borgjezë, që gëzohen me fatkeqësinë e të tjerëve, e që kanë thënë se java e dytë e Korrikut, ishte një javë e zezë për ne.
Ata, kanë nxjerrë këtë aforizëm që: “Miku ynë në jug, është futur në burg, shoku ynë i armëve në Perëndim, është hedhur kundër nesh, dhe breshka ka marrë rrugën nga pala tjetër”. Siç duket i referohet Ali Bhutos i cili, u përmbys nga një grusht shteti, grindjen midis Shqipërisë dhe Kinës, si dhe rastin e pilotit kinez që u arratis në Tajvan me një “Mig-19”.
Ky citim ka rëndësi sepse problemi shqiptar, është një element i rëndësishëm në luftën për pushtet që zhvillohet në Kinë midis fitimtarëve dhe të mundurve. Këta të fundit, përfaqësohen nga “Banda e të Katërve” të cilët, deri në gjysmën e dytë të vitit 1977, vazhdonin të tregonin shenja rezistence.
Ai njëkohësisht, paraqet dhe gjendjen në të cilën ndodhet udhëheqja e re e Pekinit, lidhur me qëndrimin ndaj Shqipërisë. Një prishje e hapur me Shqipërinë, nga shumë vetë në Kinë, do të konsiderohej një tradhti ndaj mësimeve të Mao-s. Kjo dilemë, mund të shpjegojë gjerësisht lojën e maces me miun që po luhet, nga të dy palët.
Huan Hua-ja vazhdoi të shpjegonte se dikur ekzistonte një fjalë e urtë që kritikohej nga KQ i PKK, e cila thoshte: “Najlone për Korenë, ndërtesa moderne për Shqipërinë, si dhe armë për Vietnamin e Kamboxhian. Këto na thithin djersën e gjakun, ndërsa ne kullosim bagëtitë në male. Tani që kemi harxhuar gjakun dhe djersën, këta të tre që i’u bëmë mirë, na braktisën”.
Ka shumë që në Kinë thonë: “Tani që Koreja ka siguruar naljonet tona, ka ndryshuar shumë, Shqipëria e ka harruar nënën e vet që kur u bë me ndërtesa të stilit perëndimor, dhe Vietnami me Kamboxhian, pasi siguruan armët, filluan luftën midis tyre”.
Kjo na ka shkaktuar një humbje të prestigjit tonë kombëtar. Këto pikëpamje janë të dëmshme prandaj ne, duhet ti qartësojmë ato. Nëse shpjegimet e mia nuk janë të mjaftueshme atëherë ato, shtojini ju. Ajo që siç duket kërkonte ministri i jashtëm, ishte që të nxiste problemin e ndihmave.
Ai, duket se qëllimisht ju referua këtij problem, duke bërë fjalë së pari për kundërshtimin nga ana e KQ (ka mundësi në kohën e Maos), nga ata që ishin kundër ndihmës së huaj dhe të cilët më vonë pranuan. Huja, duket se në këtë leksion, ka përgatitur terrenin për ndalimin e ndihmës ekonomike për Shqipërinë, e cila është ndalur tani, duke gjykuar gjendjen serioze ekonomike për të cilën po flitet në Tiranë.
Pastaj ai u hodh në një diskutim të fortë ideologjik, duke kritikuar fort politikën e Enver Hoxhës. Ai tha se Shqipëria ka përvetësuar Revolucionin Kulturor, duke çuar kuadrot në punë fizike, duke hequr gradat, etj., dhe kjo gjë ishte një fazë e rëndësishme e komunistëve shqiptarë.
Pavarësisht këtyre gjërave, udhëheqja komuniste shqiptare, nuk e shkatërroi strukturën e partisë dhe atë shoqërore të vendit. Me përjashtim të shkatërrimit të fesë, revolucioni kulturor shqiptar, nuk u përfshi nga kaotizmi kinez. Për Shqipërinë, ndryshimet radikale ndodhën shumë vonë, në mesin e viteve ’70-të, kur u bënë spastrimet rrënjësore të niveleve të larta shtetërore.
Kështu Shqipëria, kaloi në rrugën e ekstremizmit të majtë ndërkohë që Kina, po zbatonte politikën pragmatiste të moderuar. Ky zhvillim i tillë sigurisht që do të shkaktonte një përplasje të tillë midis dy ish miqve.
Fjalimi i Hua-së, të tërheq vëmendjen se aty nënkuptohet që gjatë periudhës së fundit të historisë shqiptare ka një lidhje kineze e cila, ka të bëjë me këto shqetësime: “Pavarësisht këtyre masave Shqipëria, ka neglizhuar konstruksionin teorik të marksizëm-leninizmit.
Duke trajtuar divergjencat ideologjike brenda Partisë, shqiptarët nuk arritën që të zgjidhnin problemet. Përkundrazi ata e shuan luftën, si dhe i fryjtën disa kontradiktave jo antagoniste, duke i kthyer në antagoniste. Kjo ka shkaktuar përhapjen e gjerë të sulmeve ndaj disa anëtarëve të shkëlqyer të PPSH-së, si dhe i ka shkaktuar humbje të rënda vetë partisë”.
Këtu Huaja, e zëvendëson gjuhën e drejtpërdrejtë, me një analizë M-L të luftës së fundit për pushtet në Shqipëri. T’u referohesh atyreve, që janë përmbytur duke i quajtur anëtarët “të shkëlqyer” të Partisë Shqiptare, nuk është vetëm një konfrontim ndaj Enver Hoxhës, personalisht, por edhe pohim i parë indirekt, kinez, për ekzistencën e një krahu pro-kineze në hierarkinë shqiptare. Sigurisht që shqiptarët nuk kanë nevojë për të patur një kopje të fjalimit të Hua-së, për të provuar lidhjen kineze me elementët e spastruar. Vetë kryeministri Mehmet Shehu, ishte ai që, në nëntor të vitit 1977, dha të kuptojë për lidhjen e Pekinit me opozitën në Tiranë, kur ai tha:
“Ne e dimë fare mirë dhe e kemi dokumentuar origjinën e penjëve të komplotit puçist të Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit dhe të puçistëve të tjerë, të cilët donin të përmbysnin diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosnin këtë një regjim borgjezo-revizionist. Këta, penjë, gjenden shumë larg, tej kufijve të Shqipërisë”. (-‘Zëri i Popullit”, 30 nëntor 1977-)
Huaja, bile shkoj aq larg sa të përmendte me emër disa nga anëtarët “e shkëlqyer”, të cilët ishin përmbysur. Këta janë pikërisht ata të cilët, Hoxha, në Kongresin e VII-të të Partisë, i akuzoi si “puçistë” që komplotonin për të sabotuar ekonominë dhe për përpjekjet për të futur në vend reformat “revizioniste”:
“P.sh., ne kemi shpërndarë në disa njësi, fjalimin e Enver Hoxhës, mbajtur në Byronë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, si dhe disa materiale, lidhur me problemin shqiptar. Do të shikohet se duke trajtuar problemin e Beqir Ballukut dhe të Avdyl Këllezit, ajo që kanë bërë shqiptarët, kishte për qëllim të theksonte kontradiktat, duke i zmadhuar divergjencat ideologjike e, duke i kthyer ato në çështje midis mikut dhe armikut. Ne gjithashtu, kemi studiuar me kujdes të dhënat mbi Petrit Dumen dhe Xhafer Spahiun, si dhe mbi Haxhi Lleshin”.
Balluku, ishte anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes Popullore, Këllezi, ishte anëtar i Byrosë Politike dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe President i Shoqërisë së Miqësisë Kinë-Shqipëri, kurse Dume, ishte kandidat i Byrosë Politike dhe Shefi Shtabit të Përgjithshëm. Të tre së bashku me disa të tjerë, u spastruan dhe ka pasur shumë zëra se Balluku, është ekzekutuar. Përmendja e dy emrave të tjerë, është për t’u habitur.
Xhafer Spahiu, e humbi postin e tij si zv/kryetar i Këshillit të Ministrave, dhe në Kongresin e VII-të, ai u ul nga Kandidat i Byrosë Politike, në anëtar i Komitetit Qendror. Megjithatë, në vitin 1976, ai u bë ministër i Industrisë dhe Minierave. Haxhi Lleshi, një anëtar i Komitetit Qendror prej një kohe shumë të gjatë, është kryetar shteti. Ka mundësi, që kinezët, të nënkuptojnë rolin e tij në luftën e brendshme për pushtet, duke qenë si kryetar shteti dhe ka mundësi që veprimtarinë e tij, ta quajnë të dëmshme në drejtim të marrëdhënieve shtetërore midis dy vendeve.
Shpërndarja e fjalimit të Hoxhës dhe materialeve të tjera në “disa njësi” në Kinë, mund të tregojë se udhëheqja e Pekinit, e ka shfrytëzuar shembullin shqiptar, për të konsoliduar pushtetin e vet brenda vendit. Ata mund të bëjnë një paralelizëm, midis metodave diktatoriale të Hoxhës në çështjen e trajtimit të kundërshtarëve të tij në Parti, me politikën radikale të “Bandës të të katërtëve”, në Kinë.
Termi “njësi”, duket që i referohet njësiteve ushtarake, të cilët po pajisen me materiale origjinale që tregon metodat unike të Hoxhës në çështjen e spastrimeve në nivele të larta ushtarake në Shqipëri. Në këtë mënyrë, udhëheqja e re kineze, kërkon gjithashtu të justifikojë veprimin e saj ndaj shqiptarëve, duke u thënë elementëve që akoma dyshojnë, brenda Partisë Komuniste Kineze, çfarë prisni ju nga njerëz që përdorin të tilla metoda?
Në leksionin e tij, ministri i Jashtëm kinez, nxori dy konkluzione se si duhej trajtuar problemi shqiptar:
- Ne respektojmë sovranitetin e PPSH-së dhe nuk do të ndërhyjmë në punët e saj të brendshme.
- Duke e parë problemin nga pikëpamja e lëvizjes komuniste, ndërkombëtare, ne kemi të drejtë, të paraqesim ato pikëpamje dhe mendime, që ndryshojnë nga të tyret, me qëllim që të mbrojmë interesat e gjithë lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe miqësinë vëllazërore midis partive të Kinës dhe të Shqipërisë. Ne i kemi ofruar pikëpamjet tona, nëse do t’i pranojnë ata ose jo, kjo është një çështje tjetër. P.sh., në qoftë se ne e konsideruam fjalimin e Haxhi Lleshit në dëm të miqësisë Kino-Shqiptare, ne do të deklarojmë pikëpamjet tona, i pranojnë ata, apo jo.
Fjalimi i Hua-së u mbajt verën e kaluar, dhe nga zhvillimet e mëvonshme, kryesisht mbas deklaratave të rëndësishme që u bënë gjatë muajit nëntor në Shqipëri, dhe që acaruan më tepër marrëdhënieve midis dy palëve, duket që shqiptarët, nuk ua vënë veshin argumenteve kineze. Huaja ishte i sigurt, se përgjigja nga Tirana do të ishte negative.
Problemi i tij kryesor, duke folur për çështjen shqiptare, ishte që të bindte, dëgjuesit e tij, se përçarja me komunistët shqiptarë, nuk ishte shkaktuar nga kursi i ri i udhëheqjes kineze, por nga qëndrimi i ashpër, kokëfortë dhe mosmirënjohës i udhëheqësit Hoxha. Rëndësia e fjalimit të Hua-së, qëndron jo vetëm në faktin që ai hedh dritë mbi shkaqet e grindjes Kino-Shqiptare, por gjithashtu, në faktin se problemi shqiptar, ka luajtur një rol në luftën për pushtet në Pekin.
Ka mundësi, të jetë fjalimi i Lleshit, mbajtur me rastin e 32 vjetorit të çlirimit të vendit. Fjalimi i bënte jehonë vijës së Kongresit të VII-të të Partisë. (“Zëri i Popullit”, 30.11.1976)
AMBASADORI
Zihni Haskaj
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016