Nga Prof. i Asoc. Klejd Këlliçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në kapërcyellin e viteve nëntëdhjetë, shumë familje shqiptare u përballën me tregime hera herës traumatike, ku sidomos fëmijët, shumë prej tyre të rritur, zbulonin se kishin vëllezër e motra ‘jashtë shtetit’. Për shoqërinë e familjen shqiptare, që ruajti dhe gjatë komunizmit elementë të fortë tradicionalizmi, ky duhej të ishte një event traumatik, ndonëse shpejt u kthye në ngjarje gëzimi, ku baballarët njihnin e takonin fëmijët e mbetur në vendet lindore, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Këto, tashmë familje të zgjeruara, dikur pjesë e imagjinarit fantastik shqiptar për botën e huaj, u shfaqën vetëm në vitet nëntëdhjetë, si pjesë e pashmangshme e hapjes së Shqipërisë me botën.
Sikurse dhe për prindin, udhëheqësit i jepen dy informacione esenciale, prejardhja shoqërore dhe familja. I.K., shkruan se gruaja e tij, është me origjinë fshatare dhe është rrobaqepëse, njeri i shtresës së thjeshtë dhe që nuk ka të afërm të tjerë në Bashkimin Sovjetik. R.C., kandidat për anëtar partie, shkruan po kështu, se gruaja e tij, është ‘tamam si shqiptare….e pjekur dhe shumë e sjellshme’, punëtore e dalluar që plotëson konditat për t’u pranuar në shoqërinë socialiste.
Autorët e dy letrave, tregojnë se në vendimin e martesës në rastin e parë dhe fejesës në të dytin, i kanë njohur partneret e tyre me autoritetet shqiptare. R.C., shkruan se; sekretari i organizatës bazë të partisë, ka thirrur gruan e tij, sipas orientimeve dhe “ajo është sqaru për çdo gja”, në kuptimin e asaj çka e priste në Shqipëri.
Përpos dëshirës e dashurisë të pastër, që autorët e letrave theksojnë dëshirën e bashkëshorteve të tyre, për të qenë qytetare të denja e besnike të shtetit shqiptar. Kjo besnikëri, shprehet dhe vetë nga vajzat, të cilat tregojnë përmes letrave, efektet e para të transformimit në subjekte të shqiptarizuara, dhe ku elementi kryesor, është gjuha, ndërsa struktura i përgjigjet asaj, që është cilësuar si; e “folura bolshevike”. Shumë prej letër shkrueseve, shkruajnë shqip, ndoshta të ndihmuara nga bashkëshortët e tyre.
Letrat, sidomos ato të qytetarëve sovjetike, kanë ngjashmëri të madhe në strukturë me ato të burrave dhe kjo provon dhe “humusin” të njëjtë, në të cilin ato gatiten. Dashuria e sinqertë e gruas sovjetike, I.B., për burrin shqiptar, derdhet mbi familjen e këtij të fundit dhe më pas mbi Partinë e Punës, ndaj ajo nënvizon: “Unë kam ëndrra të bëhem gjymtyrë e denjë, në Partia e Punës e Shqipërisë”.
Mbi gratë, pretendohet transformimi tashmë i një vendi dhe shoqërie e cila, ruan të patretur dhe transformuar tiparet e hershme të stalinizmit. Në vijim të letrës së gruas, R.C., shkruan se martesa e tij, do të jetë një fitore e madhe për partinë, duke nënkuptuar pikërisht transformimin, jo vetëm etnik të gruas, por dhe dorëzimin e saj politik, pranimin e rrugës së drejtë të Partisë, në përplasjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik.
Krejt të kundërta nga letrat e grave sovjetike, janë ato të vendeve lindore. H.D., qytetare çekosllovake, mjaftohet me shkrimin e një kërkese të thjeshtë, në të cilën përveç shpresës për realizimin e martesës, ajo së bashku me bashkëshortin, do të krijonte një familje, ku do të mbretëronte dashuria për të dy vendet. V.B., po çekosllovake dhe llogaritare në një kooperativë bujqësore, shprehet e gatshme të vijë dhe të ndërtojë socializmin në Shqipëri, sikurse do të bënte në çdo vend tjetër, sa kohë që qëllimi e objektivi i shoqërive socialiste, mbetet i njëjtë.
Apeli bëhet me gjuhën tipike të socializmit internacionalist, më tepër se si një dorëzim pa kushte, ndaj socializmit shqiptar. Gruas i duket e habitshme, të mos lejohet një martesë mes dy qytetarëve, që vijnë nga shoqëri, të cilat ndërtohen mbi parimin e dashurisë, së njeriut për njeriun. E vetmja nuance paternaliste e letrës, është ajo ku i bëhet apel ndjeshmërisë së Enver Hoxhës dhe dashurisë së tij për njerëzit e thjeshtë, sikurse dhe letërshkruesit.
Për të ndërtuar një raport sa më autentik, vajzat dhe gratë, përpiqen të distancohen nga ato gra sovjetike, të cilat janë larguar, kanë lënë bashkëshortët dhe janë kthyer në Bashkimin Sovjetik. Si për të prekur ndjeshmërinë e një shoqërie në zgrip të modernitetit, lidhur me familjen dhe rolin e gruas, qytetaret sovjetike, përpiqen të zhvishen nga identitetet e tyre, e të asociohen me ato shqiptare.
Përgjigje, zgjidhje dhe shteti i dyzuar!
Përgjigjet e letrave, nuk janë as sistematike dhe as të organizuara në dosjen përkatëse. Pjesa dërrmuese e letrave, të cilat i dërgohen Enver Hoxhës, nuk marrin përgjigje, të paktën personale. Ato u përcillen autoriteteve përkatëse, organeve të Komitetit Qendror të P.P.Sh-së, ose u transmetohen qendrave përkatëse, me të cilat letërshkruesi ka qenë në kontakt. Letrat e drejtuara Hoxhës dhe specifikisht ato të studentëve, janë qartësisht shpresa e fundit e tyre, për zgjidhje të problemit. Specifikisht ata shkruajnë, se përpos përgjigjeve zyrtare të refuzimeve të dhënieve të vizave apo lejeve të martesave, nga ana e organeve zyrtare, ato nuk marrin ndonjë shpjegim tjetër, përveç mospranimit apo moskthimit të përgjigjes. Po kështu, duhet parë si punon letërkëmbimi mes dy palëve, për të kuptuar strukturën dualiste, të shtetit socialist shqiptar.
Pjesa dërrmuese e letrave apo lutjeve katalogohen dhe i dërgohen në mos për dijeni E. Hoxhës, sekretarisë së tij, pavarësisht se praktika institucionale e bën të qartë pengesën e panegociueshme të moslejimit të martesave dhe ardhjes së grave sovjetike apo polake në Shqipëri. Shpesh ato shoqërohen me dy përgjigje, atë zyrtare dhe jo zyrtare, kalimin tek autoritetet kompetente, Ministria e Jashtme apo Ambasada shqiptare në Moskë si dhe orientimin in-formal që i bëhet këtyre institucioneve, për të mos lejuar dhe pranuar kërkesa të tilla.
Në rastin e dytë, është e qartë që institucionet përkatëse nuk mund të veprojnë apo të mos veprojnë, pa pasur orientimet përkatëse se si veprojnë me rastet, pavarësisht se praktika zyrtare është e qartë dhe sidomos pas orientimeve që bllokojnë gradualisht martesat apo transferimet e qytetarëve të huaj në Shqipëri nga viti 1958 e tutje, kur marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike fillojnë të ftohen.
Pas një letre të gjatë, përmes të cilës H.G., ndërhyn t’i jepet mundësia djalit student, të martohet me një bashkë-studentë polake, ai thirret në Komitetin Qendror, ku sqarohet për çështjen e refuzimin lejimit të martesës dhe pse refuzon arsyet që i jepen. Për shtetin shqiptar të huajt janë burim konstant shqetësimi, sidomos gratë sovjetike, dhe akoma më shumë ato që martohen me ushtarakë. Arsyet janë ato të paranojës dhe pasigurisë, por dhe ato të thyerjes së komunikimit thuajse total, me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera lindore.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se letërshkruesit heqin dorë, e tërhiqen lehtë. Strategjitë për arritjen e qëllimit, bashkimit me bashkëshortët, janë të ndryshme, që nga prezantimi dhe deklarata e besnikërisë së bashkëshortes, zbrazja e saj nga çdo lidhje me vendin e origjinës dhe pranimi pa kusht dhe diskutim i realitetit social-politik në Shqipëri, deri te kërkesa pa lutje, e së drejtës së mohuar të martesës. Letërshkruesit nuk i drejtohen vetëm Enver Hoxhës, por dhe autoriteteve të tjera dhe sikurse u tha, Hoxha mbetet mundësia e fundit për t’u eksploruar, por dhe ajo më delikatja.
Nëse për autoritetet është e thjeshtë të prodhojnë përgjigje negative, nisur nga baza ligjore apo urdhrat, për autoritetin udhëheqës, kjo nuk është e lehtë. Pak raste shënohen, më shumë se tre deri në katër lutje drejtuar Enver Hoxhës, ku shprehet vazhdimisht dyshimi se letrat parendëse, nuk kanë arritur në destinacion dhe për këtë letërshkruesit në disa raste, këmbëngulin në kërkesat e tyre. Ata madje, japin alternativa për zgjidhjen e problemeve, kur e kanë të qartë dhe kuptuar se nuk do të mund të bashkohen me njeri tjetrin.
Ndonëse Enver Hoxha, apo sekretariati i tij, refuzojnë se kanë mundësi t’u përgjigjen letrave, ato orientojnë organet përkatëse të merren me to dhe madje, të mundohen t’i ndalojnë letërshkruesit të shkruajnë. Kështu Hoxha, shkruan me laps të kuq anash…”të sqarohet ose të informohen qendrat e punës dhe organizatat bazë dhe ta këshillojnë letër shkruesin, të heqë dorë nga apelet”. Në anën tjetër, refuzimet justifikohen si një formë mbrojtjeje dhe përgjegjësie nga ana e shtetit shqiptar, për qytetarët e tij. Një ish- studente shqiptare në Poloni, arrin të martohet me një qytetar polak, por nuk lejohet të transferohet pranë burrit.
Në logjikën e paternalizmit shqiptar, pavarësisht predikimit të barazisë, gruaja duhej të shkonte dhe të punonte aty ku punonte dhe burri. Në rastin e T.B., transferimi i saj në Poloni, nuk lejohet. Enver Hoxha, i gjendur përballë letrave dhe kërkesave të vazhdueshme të T.B.-së, shkruan anash letrës me lapës të kuq, justifikimin dhe pengimit të largimit të vajzës pranë burrit, me pretekstin e përgjegjësisë së mbrojtjes së qytetarëve të vet. Mbrojtja në këtë drejtim, vepronte në raport me dyshimet dhe paranojën e qëndrimit të qytetarëve shqiptarë dhe sidomos grave, në vendet e Bllokut Lindor.
Gratë sovjetike apo ato të vendeve lindore që jetonin në Shqipëri, shihen si problem politik dhe për këtë ndalohen ardhjet e reja, sidomos nga viti 1958 e tutje. Paranoja për të huajt, është e pranishme kudo dhe, për më tepër, ajo shtohet në rastin e martesave e sidomos të grave sovjetike. Shumë prej tyre jetojnë në Shqipëri prej vitesh dhe në kuadrin e ftohjes mes dy vendeve, ato kthehen në një subjekt tejet të dyshuar, e potencialisht armiqësor.
Në bisedën që zyrtarët shqiptarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kanë me sekretarin e dytë të Ambasadës Sovjetike në Tiranë, shprehen shqetësime të shumta, në lidhje me gratë sovjetike dhe kontaktet e shpeshta që ambasada ka me to, përmes “Klubit Sovjetik”. Hamendësimet e zyrtarëve shqiptarë lidhen, ndonëse të pashprehura, me paranojën e spiunazhit dhe mundësitë që prania e grave sovjetike, u jep zyrtarëve diplomatikë, t’i takojnë kudo dhe kurdo. Për këtë, gjenden forma e mënyra pengimi, deri në përndjekje dhe dëbime.
Pas një letre të një gruaje sovjetike të ndarë nga burri shqiptar, Kadri Hazbiu, ministër i Brendshëm, i shkruan E. Hoxhës duke i paraqitur taktikat e praktikat e ndjekura me gratë e huaja, sidomos me ato që akoma nuk kanë marrë shtetësinë shqiptare. Ministri shkruan se ka dy mënyra se si mund të veprohet me gratë e huaja dhe sidomos me ato që nuk kanë shtetësinë shqiptare: e para ishte depërtimi ose dhënia e lejes për pushime në vendin e origjinës dhe e refuzimi më pas i vizës së hyrjes.
Ndërveprimi me letërshkruesit, është kështu informal dhe ku më tepër se sa përgjigja negative, të paktën nga Komiteti Qendror, ofrohen takime me të interesuarit, apo u jepen sugjerime institucioneve të tjera, t’i bindin letërshkruesit të heqin dorë nga kërkesa. Të tilla janë dhe sugjerimet që bën vetë Enver Hoxha, në cepat e letrave, si sugjerim për autoritetet që duhet t’u përgjigjen atyre. Në rastin e një qytetareje shqiptare, që kërkon të martohet me një gjermano-lindor, shkruhet; “të mos lejohet”, duke hedhur dyshime mbi letërshkruesit dhe qëllimet e tyre të vërteta. Po kështu, orientimi për një qytetare sovjetike të martuar me një gjeneral të ushtrisë shqiptare, Tahir Kadareja, të dënuar pas Konferencës së Tiranës, (1956), është ai i qartë: “Të spastrohet që këndej, dhe të largohet në vendin e vet”!
Qartë dhe pavarësisht mungesës së një përgjigje personale nga Hoxha, autoritetet shqiptare, ishin jo vetëm në dijeni, por edhe kishin një orientim të qartë, se si të vepronin me letrat. Të parat kishin karakter privat dhe të dytat publik dhe ku tregohej esenca e modernes dhe së mirës kolektive dhe jo e qëllimit privat. Natyra e letrave të studentëve, ose qytetarëve të tjerë, mbi martesat me të huajt, hyn në kategorinë e lutjeve private, përmes të cilave kërkohet jo një e drejtë, por favori i drejtpërdrejtë i autoritetit, që ushtronte sovranitetin.
H.G., babai i një prej studentëve, pretendon se të birit, i është bërë një padrejtësi dhe se shumë prej shokëve të tij, i kanë marrë ndërkohë gratë nga vendet lindore dhe se vetëm Enver Hoxha, mund ta zgjidhë situatën. P.G., kërkon me këmbëngulje të lejohet martesa, sa kohë që nuk është thyer ndonjë rregull dhe, për më tepër, pengesat nuk janë të natyrës ligjore, por janë thjesht orientime dhe nuk duhet të pengojnë këtë të drejtën legjitime.
Nëse pjesa më e madhe lutjeve, mundohen të prekin ndjeshmërinë familjare të udhëheqësit, në raste të rralla, ato kthehen dhe në instrumente denoncimi të mangësive të institucioneve shqiptare, tejzgjatjes së proceseve administrative, të cilat janë dhe shkaku i pengesave. S.I., i drejtohet Hoxhës, për të kërkuar ndihmë, por dhe për të akuzuar ambasadën shqiptare në Moskë, si fajtore edhe të qëllimshme të pengimit e të lejimit të ardhjes së bashkëshortes së tij në Shqipëri.
Letrat që i shkruhen udhëheqësit, janë sipërmarrje jo të lehta dhe gjithmonë pozicionohen si përpjekje përfundimtare të letër shkruesve, ose evidentojnë fatalizmin e hallit që i ka prekur dhe identifikojnë Enver Hoxhën, si zgjedhësin e vetëm të problemeve të tyre. Kjo formë, përkon me një lloj garancie që letërshkruesi, i kërkon letër marrësit, garanci mos-ndëshkimi për një kërkesë, të cilën ai është i paaftë ta gjykojë si të denjë, për t’u marrë parasysh nga Enver Hoxha.
Përfundime
Nuk është e mundur të bëhet një lidhje e qartë mes letrave dhe fatit të shumë prej studentëve, kërkesat e të cilëve për të sjellë gratë e tyre në Shqipëri, u refuzuan. Shumë dorëzohen nga presionet e vazhdueshme që marrin përmes këshillimit, nga vetë organet qendrorë të partisë, organizatat bazë, ose qendrat e punës. Pezullimi e prerja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, preu dhe mundësitë e komunikimit të bashkëshortëve.
Kjo ndodhi dhe me gratë e vendeve të tjera lindore, me të cilat, edhe pse formalisht Shqipëria, kishte marrëdhënie diplomatike, kontaktet private monitoroheshin me rreptësi nga Sigurimi i Shtetit. Disa prej tyre, u dënuan vite më vonë, sikurse në rastin e “grupit të agjentëve polakë”. Është e vështirë të thuhet, nëse ka një lidhje të drejtpërdrejt, mes kërkesave të tyre për t’u martuar me gra të huaja dhe persekutimit të tyre të mëvonshëm! Natyrisht që letrat dhe ekspozimi ndaj autoriteteve, do të luante një rol në këtë.
Të paktën katër ish-studentë të cilët, u munduan të sillnin në Shqipëri gratë e tyre nga Polonia, në kapërcyellin e viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, u dënuan në vitin 1975. Gjatë gjithë kësaj periudhe, siç dhe citohet nga historiania Lalaj, një pjesë e tyre u munduan të mbanin lidhje me gratë përmes kanaleve të tërthorta dhe për këtë ata survejoheshin nga Sigurimi. Përpjekja e ruajtjes së lidhjeve, ishte një tregues i mjaftueshëm, për t’u përndjekur nga nga autoritetet shtetërore. Shumë prej tyre, braktisën çdo shpresë, se do të takoheshin ndonjëherë me gratë e fëmijët e tyre dhe thuajse të gjithë vijuan me jetën e zakonshme, duke u martuar sërish.
Për disa prej tyre, pasja e një lidhje të tillë, do të ishte një “njollë”, e cila mund të kthehej në mëkat politik dhe të tjerë, nuk do ta përmendnin kurrë. Disa arritën dhe patën fatin, t’i mbanin gratë në Shqipëri, të jetonin një jetë komode brenda logjikës, se gjithmonë mund të ishin subjekt i ndonjë persekutimi të mundshëm, nga autoritetet shtetërore. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016