Nga Belina Budini
Pjesa e tretë
Memorie.al / Një letër mund të të rrokullisë jetën dhe kjo ndodhi me Koço Tashkon, protagonistin e komunizmit shqiptar të viteve të para, të diplomuarit në Harvard, mandej të joshurit nga idetë komuniste dhe pinjollit të një prej familjeve fisnike korçare të kohës, asaj të Tashkove. Bëhet fjalë për një letër të cilën Koço Tashko ia drejtoi Kominternit (Internacionales Komuniste) por që në Komintern nuk arriti kurrë. E destinuar për të njoftuar këtë organizatë që bashkonte dhe drejtonte gjithë partitë komuniste të botës dhe që e kishte qendrën në Moskë, ajo mbërriti aty ku nuk duhej. Në duart e Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit. Fatalitet.
Letra e Koço Tashkos dërguar Kominternit
– Lufta Nacional-çlirimtare dhe marrëdhëniet me nacionalistët –
Proklamatat dhe traktet që dolën pas formimit të Partisë, për një kohë të gjatë ishin aq të gjata e, të rënda në lëndë, sa edhe vetë anëtarët e Partisë, e kishin zor të këndonin dhe është konstatuar që shumë anëtarë nuk i kanë kënduar. Një pjesë e madhe, pjesa e parë e këtyre botimeve, fliste mbi gjendjen internacionale dhe luftën e Bashkimit Sovjetik.
Nuk kam dyshim që sado që Ushtria e Kuqe është sot popullarizuesi më i madh i Bashkimit Sovjetik, prapë mbetet një nga detyrat tona kryesore të popullarizojmë me mjetet tona BRSS-në, në luftën e tij dhe gjendjen internacionale. Nga ana tjetër nuk duhet harruar që, sa na përket neve, sektori i luftës sonë është këtu brenda, në Shqipëri.
Komitetet qarkore kanë botuar përditë komunikatat e Ushtrisë së Kuqe, por mbi çështjet e sektorit tonë për një kohë shumë të gjatë nuk folëm asnjë fjalë, as në ato komunikata, as në ndonjë buletin të veçantë.
Miqtë e Partisë kishin një etje për të kënduar diçka e për të mësuar diçka për problemet e brendshme, mirëpo botimet tona në çështjet e brendshme merreshin me përgjithësime. Propagandës së armikut për Kosovën, për fenë, për familjen, për pronën private e të tjera, ne nuk i përgjigjeshim. Problemet ekonomike të vendit nuk ishin të studiuara dhe mbeten akoma të pastudiuara. Historinë tonë revolucionare dhe anti-imperialiste, që ka qenë në thelb katundare, nuk e përmendim.
Asnjë fjalë për Haxhi Qamilin e njohur si udhëheqës i katundarëve që luftuan njëkohësisht për tokë kundër feudalizmit dhe kundër ndërhyrjes së huaj në Shqipëri. Qeveria e Durrësit, në të cilën kish marrë pjesë Mustafa Kruja dhe që ishte edicioni i parë dhe pothuaj i përpiktë i qeverisë së sotme. Kongresi i Lushnjes, shembull i bashkimit të forcave nacionale për të përgatitur luftën kundër zaptuesit italian dhe lufta që i bëri Mustafa Kruja këtij Kongresi.
Lufta e Vlorës si edicion i luftës së armatosur që po përgatisim kundër zaptuesit sot. Lufta e rinisë, e Shoqërisë Bashkimi, lidhja e saj me katundarinë, simpatia e saj për Bashkimin Sovjetik, origjina e Partisë në anëtarët e saj. Lufta e demonstratat e 7 prillit 1939 dhe dallaveret e Italisë me anën e agjentëve të saj shqiptarë, për të përgatitur zaptimin e Shqipërisë e të tjera.
Si rezultat anëtarët e Partisë dhe simpatizantët e organizuar u bënë “specialistë” të gjendjes internacionale dhe xhahilë të gjendjes dhe të historisë revolucionare shqiptare. Kështu që akuza e armikut që ne jemi agjentë të të huajve, mundi të gjejë kredi.
Nga gushti, kur ushtria gjermane pati sukseset e saj provizore, traktet dhe botimet e Partisë (veç komunikatës) dolën pa asnjë përmendje të gjendjes së jashtme, d.m.th., morën karakterin e një polemike me plot objektiva dhe invektiva (vërejtje dhe akuza, shënim redaktimi) kundër qeverisë së Mustafa Krujës.
Por momentum i “majtizmit” që anëtarët e Partisë e kishin marrë nga vija e përgjithshme e Komitetit Qendror, vazhdoi (nuk jam në mejtim me shokun Miladin që gabimet e “majtizmit” rrjedhin nga individë të anëtarësisë, por jam i mejtimit që sado që ndodhen shumë anëtarë që “majtizmin” e kanë trashëgim nga grupet e “teorive të kuadrove”, prapë Komitetit Qendror i bie përgjegjësia, jo vetëm për mos-luftimin e këtyre trashëgimeve “majtiste”, por edhe për ushqimin dhe inkurajimin e “majtizmit” me anën e vijës së përgjithshme, siç tregova më lart e si do të tregoj më poshtë.
Komiteti Qendror inkurajoi përkthimin e këngëve të revolucioneve sociale në Rusi, Francë e gjetkë. Vepër e mirë për stërvitjen e kuadrove dhe simpatizantëve, por e dëmshme, se këta kuadro dhe simpatizantë venë në katundet e Shqipërisë (unë njoh vetëm rrethet e Pezës) dhe ua këndojnë katundarëve, si fukarenjve ashtu edhe agallarëve, këngët e revolucionit social dhe jo revolucionit Nacional-Çlirimtar e Antifashist.
Katundarët e Pezës, si rezultat i këngëve dhe i mënyrës së propagandës sonë, kanë qenë krejt të qartë në këtë pike, që ne jemi komunistë që luftojmë për komunizmin dhe jo komunistë që garantojnë e jemi të vetmit që mund të garantojmë çlirimin e plotë kombëtar dhe lumturinë e katundarisë.
Pra nuk duhet të çuditemi pse më 29 shtator, kur u atakua Peza prej fashizmit, katundarët në shumicën e madhe u treguan pasonjësit e Shyqyri Pezës (kompromisaxhiut), pjesa tjetër e Myslimit dhe asnjë i Partisë.
Me këtë rast më kujtohet edhe fraza e përsëritur përditë e shokut Dushan: “këngë kombëtare, demonstratë”. Mirëpo, shoku Dushan duhet të ketë kuptuar tani, që parulla e kundërt për të përqeshur mënyrën ose taktikën tonë, para formimit të Partisë në lëvizjen tonë të masave, u bë kështu: “Këngë e Komunës së Parisit”.
Nuk ka popull në aksionet dhe demonstratat e Partisë Komuniste Shqiptare. Nga ana tjetër, duhet të përmend që në kohët e fundit shokët filluan t’u japin fjalë nacionalçlirimtare melodive të këngëve ruse, frënge, etj.
Qëndrimi i Komitetit Qendror karshi Myslym Pezës, ka qenë që në fillim negativ. Mbaj mend që u formulua prej shokut Miladin kështu: “Neve na duhen çetat tona partizane, nuk mundemi të humbasim kohë e material për një kriminel”. Për fat të keq nuk mund të gjesh një nacionalist me guxim, i cili të mos ketë bërë krime. Edhe më të mirët, janë bijtë e sistemit feudal, që ka pasur dhe akoma ka Shqipëria.
Por vetëm një sektar mund të harrojë rëndësinë nacional-çlirimtare të 20-30 katundeve në rrethet e Pezës, ku Myslimi ka pasur influencë të madhe. Këto katunde ndodhen në zemrën strategjike të Shqipërisë, në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan, komandojnë rrugët (arteriet) kryesore të fashizmit, janë 4-6 orë larg më këmbë, nga kryeqyteti.
Ky rajon u ndesh me fashizmin (pa ndihmën e komunistëve vetëm me katundarë dhe me të arratisur ushtarë e kriminelë) në korrik të 1941 e deri në fund të shkurtit 1942 çeta e Myslimit ndenji ilegale në kodrat e Pezës dhe fashizmi nuk guxoi ta ndjekë. Atje u mblodhën komunistë dhe ushtarë të arratisur.
Duke mos pasur milicë shqiptarë për të shtypur çetën e Myslimit, italianët ofruan një kompromis, të cilin vëllai i Myslimit, Shyqyriu, e pranoi në shkurt të 1942. Kompromisi ishte që Shyqyriu të ruajë qetësinë në Pezë dhe, si shkëmbim, qeveria të mos ketë të drejtë të mbajë fuqi të armatosura, polici e xhandarmëri, në Pezë.
Në rajonin e Pezës, pra, u formua një soj republike në zemër të fashizmit. Myslimi nuk e pranoi kompromisin, por përfitoi nga autonomia. Lidhjet me Partinë Komuniste Shqiptare, i pranoi në bazën e besës shqiptare, pranoi pothuaj çdo gjë që i propozonte Partia.
Shokët, teknikën, strehimin e çetave, ushqimin e tyre, bërjen e lidhjeve, për kalimin më tutje dhe përcjelljen e tyre me njerëzit e tij, përcjelljen e shokëve, strehimin e konferencave nacionalçlirimtare, strehimin e Komitetit Qendror, krijimin e një depoje armësh e municionesh (kjo u bë me para jo të Partisë), strehimin e shokëve të nisur për aksion ose të kthyer nga aksioni.
Myslimi bëri edhe disa aksione me njerëzit e tij të bashkuar me shokët tanë. Por shoku Miladin nuk ishte i kënaqur me kaq, se aksionet e Myslimit ishin me të vërtetë shumë të pakta, por jo më të pakta se aksionet e çetave partizane, para gushtit 1942. Myslimi nuk refuzoi të shtonte aksionet, por ngulte këmbë vetëm në këto pika:
Që të mos jetë i vetmi që bën aksione, që kështu të mos ngrejë Peza tërë barrën e reaksionit fashist, që aksionet të bëhen pak larg nga rajoni i tij, që të mos i ngarkohen atij drejtpërdrejt dhe këtë e kërkoi për arsyen se ai e ndjente, që katundarët nuk ishin gati për me përballue konsekuencat dhe se, sikundër thamë më lart, aksionet në Shqipëri nuk kishin marrë akoma karakter të gjerë.
Unë jam i bindur që me një interesim të gjallë të Partisë, Myslimi do të kishte bërë shumë më tepër, d.m.th. influenca e partisë te ai do të triumfonte, kundër influencës së vëllait të tij, Shyqyriut. Mirëpo partia u mjaftua me të 300 napolonat që i dha Myslymit, për ushqimin e 20-30 shokëve dhe simpatizantëve ilegalë, që kish atje 8 muaj rresht, ndihmë që u dha se u kërkua me këmbëngulje.
Gjer nga mesi i majit, Komiteti Qendror nuk ishte i interesuar as për celulën e Pezës. Gjer atëherë kjo celulë merrte urdhra kontradiktore nga Komiteti Qendror e nga Komiteti Qarkor, veç urdhrave dhe direktivave të individëve komunistë të dëgjuar, që vinin atje kur kishin nevojë ose, në kalim e sipër.
Në maj u interesua Komiteti Qendror për këtë çetë, por edhe kjo rastësisht, me rastin që u mblodhën atje anëtarë ilegalë të Komitetit Qendror, të Komitetit Qarkor e, të tjerë që vanë atje për strehim, në ditët e tradhtisë së provokatorit Ludovik.
Me kapjen e dokumenteve dhe trakteve që provonin se në Pezë u mbajt konferenca e Partisë me nacionalistët, fashizmi i ra Pezës. Mblodhi 6 mijë milicë e ushtarë italianë, që t’i bjerë Pezës. Përdori tanke, topa dhe 14 aeroplanë bombardues dhe mitralues. Tërheqja e çetës u bë rastësisht pa humbje të mëdha (1 shok dhe një katundar të vrarë), humbjet e armikut në njerëz ishin po aq.
Terror i madh në katundet: djegie, plaçkitje, vrasje, çnderime. Myslimi sot ndodhet në male ilegal, me një çetë të vogël. Asnjë katundar nuk e pasoi, një pjesë e mirë e simpatizojnë, shumica janë me Shyqyrinë, nga i cili shpresojnë për një kompromis të ri (Shyqyriun po e mban prefekti i Tiranës në besë). Nuk mund të bëj profecira, por tani më duket se Myslimi në Pezë, nuk ka qenë më i vlefshëm se Myslimi në mal.
Në Tiranë ka filluar përsëri një valë terrori, fashizmi beson se këtë radhë nuk do të ketë ku të fshihen kuadrot komuniste jashtë Tiranës, as brenda në Tiranë, se populli nuk po i mban më komunistët. Këto ditë në Tiranë humbën katër shokë, nga më të mirët.
Shoku Miladin refuzoi të kuptojë jo vetëm rëndësinë nacional-çlirimtare të Myslimit, por edhe të personaliteteve të tjerë shqiptarë që kanë qenë viktima të fashizmit. Në muajin mars isha në Korçë dhe atje mësova se Mustafa Kruja goditi Muharrem Bajraktarin dhe Bazin e Canit. Pas një lufte të shkurtër, fashizmi brohoriti një fitore të madhe.
Dy javë më vonë, kur kthehem në Tiranë, pyes shokë të Komitetit Qendror, se çfarë qëndrimi mbajti partia karshi këtyre viktimave të fashizmit, viktima me rëndësi të dorës së parë ndër popullsinë e Krujës, Matit e Malësive verilindore. Partia nuk kish marrë asnjë qëndrim se, sikundër më tha një shok i Komitetit Qendror të Rinisë dhe i Komitetit Qendror të Partisë (shoku më aktiv, njëkohësisht më sektar, në të cilin bazohej shoku Miladin (bëhet fjalë për Qemal Stafën, shënim redaktimi), nuk na duhen ne këta nacionalistë, se këta nesër do të jenë armiqtë tanë”.
Unë insistova që Komitetit Qendror duhej menjëherë, flakë për flakë, të lëshonte një trakt në favor të tyre si shenjë solidariteti dhe t’u propozonte ndihmë në njerëz; insistova që trakti të lëshohej edhe tani, sado vonë. Trakti u lëshua pas një muaj e gjysmë (maj) dhe pas një censure të shokut të Komitetit Qendror që përmenda më lart, i cili deshi t’i hiqte emrat e Bazit të Canit dhe të Muharrem Bajraktarit, nga trakti.
Kur qëndrimi ynë ka qenë pasiv, qëndrimi i sehirxhiut “orthodoks” karshi atyre nacionalistëve që luftohen prej fashizmit me armë në betejë të hapur, akoma më negativ ka qenë qëndrimi karshi elementëve nacionalistë, që burgosen dhe internohen. Vetëm një herë është thënë një fjalë e mirë (maj 1942) për një nga këta nacionalistë, për Mehdi Frashërin, të cilin fashizmi e ka internuar në Itali dhe me anën e shtypit ka thënë, se e ka dërguar në Itali për mision.
Kjo fjalë e mirë për Mehdi Frashërin, u tha në komunikatën e Komitetit Qarkor të Tiranës, vetëm pse e kërkoi me këmbëngulje Mustafa Gjinishi, domethënë si një koncesion. Çdo largim nga sektarizmi është bërë si koncesion mua ose ndonjë tjetri, domethënë si rezultat i kritikave të mia, kritika që shoku Miladin i ka interpretuar si të bëra me qëllim që të hyjë në Komitetin Qendror. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm