Nga Julia GJIKA
Pjesa e parë
Memorie.al / Në shkurt të vitit 2011, një shqiptar mik i familjes sonë, zoti Evgjen Merlika, më dërgoi një fletë të gazetës “New York Times”, në të cilën ishte fotografuar vajza e tij Edira, në daljen nga sfilata e firmës “Ralph Lauren”, për të cilën ajo punon. Fotografi ishte Bill Cunningham, 82-vjeçari reporter më i njohur i kësaj gazete. Mu mbush zemra me gëzim, për faktin që një vajzë e re shqiptare, tërhoqi vëmendjen e tij e, akoma më tepër më lindi kurioziteti të di diçka më tepër për këtë vajzë, për të cilën pata lexuar disa rreshta, në kujtimet e babait në librin e botuar në Shqipëri, “Një jetë në diktaturë”. Nëpërmjet babait u lidha me Edirën e zbulova, që ajo punon si menaxhere në fushën e modës, që në vitin 2000, pasi u laureua në Universitetin ‘Bocconi’, në Milano.
Ne vitin 2005 kishte marrë pjesë në shkrimin e librit “Në kërkim të një horizonti të ri kulturor” (autori është Ardian Ndreca) duke përshkruar punën e saj dhe pastaj në vitin 2006, ka mbajtur një rubrikë në revistën “Spektër”, mbi gratë e famshme për stilin në botë. Fatkeqësisht pas 3 numrash, rubrika e saj u mbyll sepse, siç ja shpjegoi redaksia, shqiptarët nuk janë të interesuar në historinë e stilit, por më tepër ata duan të dinë çfarë është në trend, çfarë ngjyrash pëlqehen e, çfarë veshjesh.
Edira, nuk pranoi të shkruante diçka të ndryshme nga ideja e saj sepse, ajo beson që Shqipëria sot, ka nevojë të mësoje historinë e stilit, sepse shija e së bukurës e së rafinuarës, nuk vjen nga mundësia e harxhimit të parasë por, nga një ndjenjë e shpirtit, që krijohet e kultivohet me kohë. Kultura, nuk është kurrë tepër.
Kjo është intervista që ajo më dërgoi, me shpresën që arritjet e saja, të jenë frymëzim e shpresë për të rinjtë shqiptarë në Shqipëri e kudo në botë, të cilët duhet të besojnë se asgjë nuk është e pamundur, në qoftë se dëshirohet e ndiqet me punë serioze e të ndershme.
E kaluara është e rëndësishme, por shpresa në të ardhmen, është akoma më e rëndësishme për brezin e ri. Duke lexuar këtë intervistë, ndjeva një dhimbje therëse për të kaluarën e saj dhe një revoltë, për faktin që vlerat e përmendura prej saj, nuk zënë asnjë vend në Shqipërinë e pas diktaturës.
Në shumicën e gazetave, revistave, kanaleve televizive në Shqipërinë e sotme, vijohet t’u bëhet jehonë bëmave të njerëzve, që punuan për forcimin e diktaturës komuniste, sikur ajo të ishte një kohë suksesesh të mëdha, sikur këta njerëz ishin e janë heronj, etj.!
Nga ana tjetër vendin e parë në fame, e kanë pjesëtarët e “Vëllait të madh” (Big Brother) e të tjera emisione që mbeten larg vlerave të vërteta e, ngulin në mendjen e rinisë, një pamje të shtrembëruar të suksesit.
Edira është stërmbesa e Mustafa Merlika Krujës, atdhetar, i cili i kishte shërbyer atdheut me përkushtim 29 vjet (1910-1939) dhe u konsiderua armik e tradhtar, sepse pranoi të shërbente vetëm 13 muaj, si kryeministër i Shqipërisë së pushtuar nga fashizmi italian, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.
Ai u dënua me vdekje në mungesë, prej gjyqit të popullit më 1945, kurse familjarët u trajtuan mizorisht, burgjeve e kampeve të përqendrimit në kohën e diktaturës. Si këto viktima, ka pasur shumë…! Jeta e tyre duhet njohur, për ta duhet shkruar, shpesh e më shpesh.
Njohja e vuajtjeve të tyre, e qëndresës së tyre, do të na ndihmojë të bëhemi qytetarë më të lirë, më demokratë, më të vlefshëm për shoqërinë dhe atdheun. Ma sa duket fara e mirë, nuk prishet e kështu sot mund të flasim me krenari, për stërmbesën e Mustafa Krujës që, brenda mundësive të veta, jep kontributin për ngritjen e dinjitetit shqiptar, në botën në të cilën ajo jeton.
Edira Merlika, lindi në Lushnjë më 29 qershor 1976, e jetoi në një kamp internimi në Grabian të atij rrethi, deri në moshën 14-vjeçare. Është vajza e parë e Evgjen Merlikës, nipi i Mustafa Merlika Krujës, dhe Teuta Agollit, të cilët përveç saj, patën edhe një vajzë, Elenën, e një djalë, Besandrin. Prindët punonin si punëtorë bujqësie. E ëma, rrobaqepëse për pasion, është e para që i përcjell dashurinë për stofrat, qëndisjet dhe gjithçka që i përket botës së veshmbathjes. Ajo dhe gjyshja italiane, e diplomuar në letërsi, do të jenë modelet e saj të vetme të stilit, gjatë fëmijërisë.
Më 1990 vjen në Itali, ku shkruhet në një Lice Klasik, prej atij në Universitetin ‘Luigi Boçoni’ të Milanos, ku diplomohet në Ekonomi Aziendale, me specializimin ‘Fashion Management’ dhe një tezë mbi pozicionimin e një marke luksi. Njëherësh thellon vetë kulturën e modës duke studiuar Historinë e Veshjeve e të Modës, thellim që vazhdon gjithmonë me një pasion të pamasë.
Mbas diplomimit, arrin të sendërtojë ëndrrën për të punuar në botën e modës, duke filluar nga ‘Costume National’, për të kaluar disa muaj më vonë tek ‘Valentino’, e pastaj tek ‘Ralph Lauren’, ku sot është drejtoreshe e koleksioneve të gruas për Europën. Jeton e punon në Milano.
Znj. Edira, si mund të më përmblidhni punën tuaj?
-Unë punoj në sektorin që quhet Merchandising. Merrem me përmbajtjen e koleksioneve, që ndjek së bashku me stilistët që në lindje, për t’u siguruar që po krijojmë diçka, që do të pëlqejë e do të shitet. Pas vizatimit të koleksionit, vendos buxhetin e harxhimit, mbi çdo veshje që krijojmë. Kjo është ana më e vështirë, sepse kemi të bëjmë me shifra shumë të larta.
Natyrisht, kërkohet ndjenjë e shijes dhe e stilit e pastaj, sigurisht aftësi me numrat. Gjithmonë mendojmë, se çfarë do të veshin njerëzit pas 12 muajsh, e pra duhet një farë vizioni i së ardhmes. Sigurisht nuk është e lehtë, si grua e nënë, të jem shpesh larg familjes për shkak të punës, por me ndihmën e prindërve, arrij të sistemoj gjithçka.
–Si është një ditë tipike në zyrë? Po kur udhëton?
Arrij në punë ne orën 9, pas 50 minutash në tren, sepse banoj jashtë qytetit. Zakonisht kohën e trenit, ja kushtoj leximit ose punës. Gjatë ditës, kam zakonisht mbledhje, njëra pas tjetrës, me pjesëtarët e grupit tim të punës. Zakonisht, koha e vetme që kam për vete, është ora e drekës në qoftë se edhe ajo nuk zihet me punë. Dreka zgjat jo më tepër se 10 minuta. Pastaj mbledhje përsëri, deri në orën 6. Në atë orë dal sepse, dua të vrapoj në shtëpi, tek familja ime.
Kur udhëtoj në Evropë, zakonisht zgjohem në orën 5.30, për të marrë fluturimin e parë. Një shofer më shoqëron në aeroport e pastaj, vjen të më marrë në darkë. Jemi bërë miq tanimë. Zakonisht gjysma e kohës, i kushtohet vizitave të dyqaneve e, gjysma mbledhjeve. Koha nuk mjafton kurrë, për të kuptuar të rejat e fushës sonë.
Kur shkoj në New York, nisem në mëngjes nga ora 10., 8 orë fluturimi e kurrë arrij, vrapoj në hotel, ndërrohem, bëj pak tualet për të fshehur sytë e kuq nga fluturimi e, jam gati për dy mbledhje përpara darkës. Duke shpresuar që të paktën darkën, t’a kaloj siç dua, por ndonjëherë kjo është e pamundur sepse, jemi me klientë e duhet të jemi në formë. Nga ora 10 e New Yorkut, që për mua është ora 6 e mëngjesit, mund të kthehem në hotel.
Ndonjëherë kur nuk jam kaq e zënë, përdor kohën e lirë për të bërë shopping, ose më mirë akoma, për të vizituar vendet. Shpesh herë më thonë, që kjo punë është fantastike sepse, nuk e dinë se sa forcë fizike e mendore duhet, që të jesh gjithmonë në maksimumin e vetes, nga ana fizike e të përgatitjes, për të mos folur për anën diplomatike.
Si vendosët të hyni në fushën e menaxhimit të modës?
-Fusha e modës dhe e stilit, është pjesë e fushës më të madhe të bukurisë. Siç thotë Dostojevskij: Bukuria do ta shpëtoje botën. Megjithëse jam e bindur që ai flet për bukurinë shpirtërore, besoj se ka diçka të mirë e të lartë, edhe për ndjenjën estetike. Që kur isha e vogël, kam pasur një prirje për të kundruar veshjet, bukurinë, që pothuajse gjithmonë lidhet me ëmbëlsinë në kujtimet e mia.
Kam pasur fatin të kem pranë si modele në këtë fushë, gratë e familjes sime. E para, stërgjyshja ime nga ana e babit, Caje Merlika, grua fisnike në shpirt e në trup. Gjithmonë e veshur me te zeza (i vdiq djali i katërt, Besimi, më 1944, në moshën 19 vjeçare, së shkretës nënë), me lëkurë të bardhë si bora, aspak llafazane, e zhytur në kujtimet e saj, pra asnjëherë e vetme, e dashuruar mbas nesh.
Pastaj gjyshja ime Elena Gjika, gruaja më e jashtëzakonshme që kam parë. Nuk ishte vetëm me kulturë e me sjellje të shkëlqyer, e cila kur fliste, ua mbyllte gojën burrave në shoqërinë maskiliste shqiptare, por dhe me një shije të veçantë, të prirur mbi thjeshtësinë e sjellë në kulm (less is more) që nuk kuptohej aspak në Shqipërinë e asaj kohe, ku stili nuk njihej.
Duke kujtuar veshjet e saj e, duke parë fotografitë, më duket se kam para meje një pararendëse të veshjeve të Armanit, ose të Pradës së viteve të arta. Ajo kishte mbetur e lidhur me vitet ‘40-të të shekullit XX-të, vitet më të bukura të jetës së saj, e kështu vdiq. Pastaj vjen nëna ime, flladi i pranverës që hyri në familjen Merlika, me fytyrën e një zane.
Kurrë ajo, nuk u paraqit në tryezë, pa bërë një tualet të lehtë e, pa u veshur në mënyrë të shkëlqyer. Sapo kthehej nga fusha e balta, i kushtonte kohën e duhur tualetit të saj e, si me magji, shndërrohej në një zonjë të mrekullueshme. Kishte një mënyrë të veçantë në kombinimin e ngjyrave, krejt ndryshe nga nënat e shoqeve të mia. Un e vështroja pa folur e, kënaqesha me bukurinë e saj.
Megjithëse komunizmi i vuri si detyrë vendit, të shkelte estetikën e bukurinë, si shprehje të huaja mikroborgjeze, me ne nuk arriti të fitojë. Nëna ime mësoi të qepte, sepse nuk duronte dot që vajzat e saja, të visheshin me rrobat standarde të MAPO-ve tona. Gjithçka që vishnim ne, krijohej nga duart e saj e të gjyshes. Natyrisht, ishim fëmijët e veshur më mirë, edhe si pasojë e rrobave, që njerëzit e gjyshes dhe xhaxhai i babit me të shoqen, na dërgonin bujarisht, me gjithë doganën e lartë që na detyronte shteti të paguanim.
Kjo bëhej shkak për akoma më shumë urrejtje, për disa shpirtra të këqij njerëzish, që jetonin rreth nesh. Unë isha ndihmësja e nënës në rrobaqepësi. Mësova, që në moshën pesë vjeçe, të qep e qëndis, e kështu nëna qepte me makinë e unë, e ndihmoja me dorë. Në pak kohë, ajo u bë një nga rrobaqepëset më të njohura në Grabjan. Un isha “këshilltare”, për modelet që do të qepnim. Kështu u njoha me stofrat.
Kur erdha në Itali fillova të shoh revistat e dyqanet e dëshiroja të bëhesha stiliste. Vazhdova t’i thelloj njohuritë në fushën e modës në kohën e lirë, për zbavitje. Kur mbarova Liceun, desha të shkoj në Londër, për të studiuar stilizëm, por babai dhe nëna nuk deshën. “Studio ekonomi – më thanë – e pastaj bëj çfarë të duash”. Kështu përfundova në Boçoni, universiteti më i mirë në Itali për ekonomi, me gjithë koston e lartë që kërkonte e që paguajta edhe falë bursave që fitova.
Kur mbarova Boçonin, që është një ‘business administration school’, e kuptova që rruga ime do të ishte një tjetër. Do të punoja në fushën e modës, jo si stiliste, por si menaxhere. Nuk do të isha ajo që vizatonte, por ajo që merrej me organizimin e biznesit. Ky është boshti kryesor i veprimtarisë sime sot.
A ke marrë pjese në sfilata dhe në cilat firma?
Ka 11 vjet që marr pjesë rregullisht në sfilatat e firmave për të cilat kam punuar, ‘Valentino’ e ‘Ralph Lauren’. Përveç këtyre, kam marrë pjesë në sfilata të tjera, si; ‘Alexander McQueen’, ‘Versace’, ‘Puçi’.
Ka personazhe që të kanë lënë mbresa, gjatë këtyre viteve?
Sigurisht. Disa prej tyre nuk janë të njohur, por mund të them që kam pasur fatin të punoj në një rreth njerëzish, shumë të përgatitur nga ana kulturore e nga ana e menaxhimit, njerëz te ndriçuar nga të cilët, kam mësuar shumë. Nga personazhet e njohur më e veçanta, ishte e ndjera Isabella Bloë. Kur arrinte tek sfilatat e ‘Valentinos’, të gjithë sytë ishin për të. Dukej sikur vinte nga një bote tjetër.
Pastaj Anna Ëintour, drejtoreshën e ‘Vogue’ të Amerikës, grua e akullt. Gjatë sfilatave, shoh shpesh fytyrën e saj duke pritur një buzëqeshje të vogël, që zakonisht nuk arrin. Nga burrat, ai që më ka lëne një mbresë të vëçantë, është Tom Ford, burri absolutisht më elegant që kam parë. Edhe ai duket sikur i përket një bote tjetër.
Kur jeni martuar, ku e njohët bashkëshortin, si quhet?
-Burri im, quhet Graeme Hepburn, është francez nga nëna e, skocez nga babai. Jemi njohur në vitin 2006 e, jemi martuar në 2010. Kur punoja në ‘Valentino’, ishim në të njëjtin pallat e shiheshim gjithmonë në ashensor, deri sa një ditë, një e njohur e të dyve, na organizoi një takim. Kisha menduar veten si grua që nuk do të martohej kurrë, por si gjithmonë, jeta na bën surpriza.
A jeni inkurajuar nga bashkëshorti në punën tuaj?
-Patjetër ai më përkrah shumë. Ëndrra e tij, është që të arrij të fitoj, aq sa të kemi mundësi, që ai të rrijë në shtëpi me Alexandrin e, fëmijët e tjerë, që Zoti mund të na dërgojë.
Si quhet vogëlushi juaj, sa vjeç është, ku ka lindur?
-Alexander Hepburn, djali ynë, lindi më 23 qershor 2009, në qytetin Angera afër Sesto Calende, ku jetojmë ne. Sot është gati tre vjeç. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm