Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetedy
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Prandaj ecuria e pjesës hyri shpejt në shtratin e saj. Në provën e përgjithshme përpara publikut lushnjar, shfaqja u cilësua nga “specialistet”, si arritje e suksesshme dhe u përshëndet nxehtësisht nga spektatorët. Anëtarët e komisionit vendor u ndjenë të lehtësuar që ia dolën mbanë dhe nuk dështuan. Por prapë prisnin me ankth vlerësimin e shefit të madh të Partisë. U liruan krejtësisht nga ngërçi i tendosjes, kur sekretari i Parë i tha kryetarit të komisionit, t’i përcjellë trupës amatore përgëzimet personale, për faktin se me mjete të thjeshta skenike dhe brenda një kohe të shkurtër, ngjitën në skenë një shfaqje të mirëfilltë teatrale!
Fjalët e ngrohta të shefit të madh të Partisë për trupën tonë amatore, por sidomos qëndrimi i tij dashamirës ndaj meje dhe familjes sime, (të cilin ma bëri të njohur në mirëbesim ndihmësi i sekretarit të parë), ndikuan të rikthehesha më pranë moshës rinore, të merrja pjesë krejt i çlirët gjatë shakave, në pushimet mes provave, dhe për herë të parë pas 3 viteve, nuk më dukej më vetja i vetmuar, i shpërfillur nga shoqëria dhe të njohurit! Megjithatë, akoma nuk qe hedhur hapi drejt afrimit me motrën e madhe, duke krijuar paradoksin më të habitshëm, ngaqë vendndodhja e ngrehinës së saj të banimit, qe gati e ngjitur me shtëpinë e kulturës!
Që të kryhej kjo lëvizje disa centimetra duhej një shtysë e fuqishme nga dikush me peshë e ndikim, e cila të zotëronte energjinë e duhur për të shkrirë akullin e trashë të luftës së klasave dhe të na siguronte se s’do ketë pasoja të hidhura pas kthesës së mbarë, kur u ndez drita jeshile. Këtë barrë mjaft delikate e të vështirë, e mori përsipër ndihmësi i sekretarit të parë. Ky kreu me zgjuarsi dhe pjekuri ndërmjetësimin e duhur tek burri i motrës: i shpjegoi këtij se erdhi koha ta ftonte kunatin në shtëpi, pasi s’mund të vazhdohet me qëndrimin e mëparshëm në kushtet e reja, kur vëllai i gruas tuaj, vjen për ditë në shtëpinë e kulturës, fare pranë jush.
– “Shoku Qemal më porositi t’ju them: nuk është aspak njerëzore që djemtë e tu, ta shohin dajën kaq pranë dhe të mos ndjejnë përqafimet e përkëdheljet e tij! Prandaj si kryetar familje dhe prind i fëmijëve, të takon ty ta ftosh për darkë, në shtëpi. Shokut Qemal do t’i bëhet shumë qejfi, që jo vetëm një natë, por gjatë gjithë kohës së provave, të qëndrojë në shtëpinë tuaj…! Bashkëshorti i motrës u mallëngjye dhe u përlot nga ky sihariq! Pas këtij çasti, në sytë e tij sekretari i parë i Komitetit të Partisë, mori trajta të mrekullueshme njerëzore, të cilat nuk i kishte vërejtur tek asnjë nga paraardhësit e mëparshëm.
Ky qëndrim hapi një dritare të re në botëkuptimin e tij klasor, filloi ta shihte nga tjetër këndvështrim luftën e klasave, si sekretar i organizatës bazë të Partisë, disa herë më të zbutur ndaj njerëzve të afërt, që dënohen pa kryer asnjë faj dhe cilësohen “armiq”, kur në të vërtetë janë pjesëtarë të ndershëm e dinjitozë të kësaj shoqërie, zotërojnë energji pozitive, janë të gatshëm të shpalosin aftësitë e tyre në dobi të Atdheut!
Bashkëshorti i motrës bënte pjesë tek komunistët idealistë, me bindje të rrënjosura thellé e verbërisht ndaj komunizmit, si e ardhmja e vetme më e ndritur dhe paqësore për mbarë njerëzimin. Ndaj, duke qenë besimtar idealist, i kryente me përkushtim të gjitha detyrat partiake e shtetërore, përfaqësonte shembullin më të përkryer të nëpunësit të shtetit, shquhej si prind i kujdesshëm e i dhimbsur dhe familjar mjaft i ndershëm!
Nën brejtjen e një pendese të pafajshme, pas këshillës së ndihmësit të sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, ai i tha pastrueses së Shtëpisë së Kulturës, të njoftonte kunatin e tij, se; pas provave e pres në shtëpi! Përmes këtij qëndrimi kërkonte falje, pse gjaté muajve të shkuar, u tregua kaq i largët dhe “i egër”. Gati njësoj sikur të më thoshte drejt në sy:
“E pafalshme nga ana ime, që e detyroja veten të sillesha kundër ndjenjave dhe dëshirës dhe vazhdimisht i ndrydhja mendimet në brendësi të qenies time! Ti nuk e merr dot me mënd, sa shumë vështirësi ndjeja kur matesha të binaja gruan time dhe motrën tënde, pse neve na kërkohet me kaq ngulm mohimi i gjakut”!
Edhe sot tronditem kur e përfytyroj atë mbrëmje të paharruar, i pështjelluar nga ndjesi kaq të forta në çastin që përqafova motrën e madhe! U përlotëm dhe u ngashëryem gjatë, si fëmijë! Ndërkaq djemtë e rritur shihnin prindërit me qortim të heshtur, gati i fajësonin sikur këta ishin shkaktarët e vërtetë të kësaj ndarjeje kaq të dhimbshme e të pakuptimtë!
Madje nuk e fshihnin të vërtetën e ashpër: po të bënit ju të dy përpjekje, të përcillnit jehonën e dëshirës deri në veshin e sekretarit të parë, nëpërmjet ndihmësit të tij, afrimi do të ndodhte më shpejt! Por edhe ndaj meje ndjeheshit të ndrydhur e të turpëruar nga fyerja e pendesës, që nuk e dëgjuan thirrjen e gjakut. Sepse edhe këtyre u takonte të vinin në lëvizje ndjesitë prindërore, me arsyetimin se gjyshja, daja dhe teta, janë krejtësisht të pafajshëm, ndaj duhen mbajtur afër.
Për të mos u lënduar, bashkëbisedimi nuk preku çështjen e frikshme të arratisjes, edhe pse të gjithë i yshtte kureshtja nga brenda, të gërmonim misterin e ikjes, për të shkarkuar një pjesë të barrës së rëndë shtypëse, e cila përçau familjen, i vendosi pjesëtarët në barrikada kundërshtare, na detyroi të shihemi me sy armiqësor! Biseda jonë përfshiu vitet e kaluara, kur djemtë ishin ende fëmijë dhe unë vija shpesh në shtëpinë e tyre, për të luajtur me zagarët e gjahut, deri kur u largova nga qyteti i Lushnjes për në gjimnazin e Shkodrës.
Më pas muhabeti kaloi vetvetiu tek gjendja e shëndetit të nënës “kusur madhe”, se cilës jo vetëm nuk po i sosen kurrë hallet e nuk po i pakësohen dhimbjet, përkundrazi, gjema e fundit e bëri gjysmë njeriu, sepse përveç vuajtjeve në ato kushte të tmerrshme jetese, përjeton në brendësi dhe “zhdukjen” e djalit!…
Sido të përfliten në mjedise e të jepen munxa lart e poshtë, dhe nga vetë goja e nënës të përdoren fyerje të rënda kundër birit, (për kryerjen e aktit të papërgjegjshëm, arratisjen, me të cilin i vuri njollën familjes së Thanas Shytit, shkatërroi jetët e nënës, vëllait e motrës), prapë diku në thellësi të shpirtit të saj, mbetet një pjesë e dhimbjes, sepse u ngjiz dhe doli nga ky trup, u ushqye me gjakun e saj, e mëkoi me qumështin e gjirit, duke shpresuar që kur të rritet, do ta ndihmojë shtëpinë e jo të katandiset në mosmirënjohës e bukë-shkelur, sa t’i vërë flakën e shpërbërjes, të tregohet egoist i tërbuar e i pamëshirshëm, sa hodhi në erë pa pikë ngurrimi, ëndrrat e motrës dhe vëllait, në moshën e lulëzimit të vrullshëm, kur kjo përgatitej të krijonte familjen e saj, ndërsa vëllai i vogël gjendej në pragun e kthesës së madhe, drejt njohjes së tij si shkrimtar!…
Pavarësisht nga nisja e bashkëbisedimit dhe premtimi i heshtur, të mos ceknim plagën tonë të përbashkët, arratisjen, krejt papritur kjo marrëveshje pësoi ndryshim kursi dhe mori drejtim të padëshiruar, jo për të shfryrë mllefet e dufin kundër “keqbërësit”, sepse çfarë u bë nuk zhbëhej më.
Por si pjesëtarë të familjes prindërore, donim të sqaronim e saktësonim pikën më misterioze të këtij veprimi, që qarkullonte pothuaj kudo në formë hamendësimi: mos ndoshta ajo çfarë ndodhi, arratisja e vëllait tonë, mund të jete lojë e kurdisur nga Sigurimi i Shtetit, nisur nga fakti se ky, gjatë kohës kur punonte si piktor në Drejtorinë e Kufirit, merrte dhe instruksione për detyrën e fshehtë. (Për më tepër, kishin si bazë mbështetëse të arratisjes strehën e xhaxhait ne Amerikë).
Por pas vërejtjes së ashpër të sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, në adresë të kryetarit të Degës së Brendshme, “të mos trajtohet familja Shyti, njësoj si e një krimineli!’, pati ndarje në dy grupime rreth kësaj hamendjeje: një pjesë besuan më shumë dhe u bindën se piktori patjetër ishte dërguar nga shërbimet tona të fshehta.
Tani, pas afro 3 vjetësh (kur ai me marifetet e tij, i ka humbur gjurmët dhe domosdo ka ndryshuar pamjen e jashtme, emrin e mbiemrin, ka mësuar rrjedhshëm gjuhën e folur vendase), ustallarët e këtushëm të këtyre punëve, kanë vënë në dijeni shefin e madh të Partisë: mbaroi afati i torturave për tre pjesëtarët e familjes Shyti, në kasollen e lopës!
Sepse, askujt nuk ia mban tek ne, të luajë me zjarrin që të bën shkrumb e hi, të dalë hapur kundër Komisionit Qeveritar, të japë urdhër të futet një i deklasuar, pa triske fronti, në grupin e teatrit!… Edhe sikur të jetë aktor me famë të madhe, nuk mund t’i bëhet ky lëshim, e jo pastaj një amator!
Grupimi i dytë, (më i pakët në numër, por i kthjellët në arsyetim), e hodhi poshtë hamendësimin se piktori ishte agjent i infiltruar nga Sigurimi i Shtetit, duke e mbështetur kundërshtinë tërësisht në faktin e zbutjes së luftës së klasave, për familjen Shyti. Sipas tyre, duhet të ndodhte e kundërta, ashpërsimi, të rriteshin në maksimum vuajtjet, për t’i detyruar 3 pjesëtarët të vjellin vrer kundër regjimit të pushtetit popullor, pasi vetëm nëpërmjet këtij qëndrimi bëhen më të besueshëm për kundër zbulimin e huaj, që punon tinëzisht këtu dhe ndjek çdo lëvizje të tërthorte, që lidhet me “agjentin” e infiltruar.
Debati rreth këtyre dy hamendjeve vazhdoi edhe pas ngrënies së darkës. Vetëm kur e kuptuam se këto dyshime, nuk japin asgjë me të mirë nga ajo që na dha sekretari i Parë me qëndrimin e tij të guximshëm, njerëzor, e ndërpremë shqyrtimin e kësaj çështjeje. Për ne kishte rëndësi që u hoq “shtetrrethimi” për banorët e kasolles së lopës dhe mund të vijmë në çdo kohë në shtëpinë e motrës së madhe, pa marre leje nga Dega e Brendshme, pa i shqetësuar këta se do kenë pasoja të rënda. Nënës i shkëlqyen sytë, kur i tregova për kthesën e mbarë të familjes sonë!
– “Ja një provë e gjallë që vërteton se Perëndia lart në qiell, i ndihmon njerëzit e pafajshëm, kur e sheh që ligësia behet e babëzitur…” – tha ajo duke bërë kryq përpara ikonës së Shën Mërisë. – Ta merrte mendja ty, se në krye të Komitetit të Partisë, gjendet një drejtues kaq shpirtmadh, i drejtë dhe i guximshëm?!… Sikundër thuhet, s’ka pyll pa derra, po kaq e vërtete dhe e kundërta: edhe aty ku sundon ligësia, gjallon e mira”.
– “Këtë thënie profetike do ta regjistroj në kujtesën time, që ta përdor në gojën e një gruaje të mençur”, – ia ktheva unë duke e përqafuar.
– “Këto janë punët e tua, ore bir… – shtoi ajo përmes një psherëtime të thellë. – Ndjehem e lehtësuar që e dëgjoj pas tre vjetësh kërkesën për të shkruar”!
– “Kjo dëshirë vazhdimisht gjendet brenda meje, edhe athere kur ata besuan se ligësia satanike e mbyti”! – theksova unë. – “Ajo nuk ndahet kurrë nga shpirti dhe mendja ime. Shpresoj të vijë çasti i bekuar, që të shpërthejë”!…
– “Patjetër do të vijë! Perëndia Mëshirë-madhe do na ndihmojë të rregullohet ky vend, edhe pse ne na duket mjaft e largët dita që besimi i nëmur nga heretikët, do rikthehet prapë tek ne”!… – vuri në dukje ajo me bindje, për të më dhënë zemër. – “Për familjen tonë shenjat e para të mbara u dhanë: ti takove shokët e shoqet! Vajte në shtëpinë e sat motre! Me ndërhyrjen e sekretarit të Parë, shpresojmë të ikim nga kasollja e lopës! Dhe me ndihmën e këtij burri shpirtmadh, do të të japin punë tjetër, krahas asaj që do lëvizim lirshëm, si njerëz e, jo si skllevër, siç kemi qenë këta 3 vjet…”!
– “Atëhere le ta nisim nga lëvizja e lirë, për të cilën jemi kaq shumë të dëshiruar…”- shtova unë me buzëqeshje. – Bëni gati ndërresat e brendshme, veshjet, se nesër do shkojmë tek vajza jote e madhe”!…
– “Ta tha vetë ajo, apo ia kërkove ti”? – pyeti ajo me vështrim ngulmonjës. Këtë dëshirë e shprehu i pari dhëndri”! – shtova unë mjaft i kënaqur.
– “Qoftë i bekuar”! – psherëtiu ajo duke bërë kryq.
– “Do të të lutem për një gjë, edhe pse jam i bindur që e ke vetë parasysh: mos e zini fare në gojë arratisjen e vulë-humburit, pasi ky ngacmim, sjell vetvetiu mllefet e mëparshme, qe ti m’i ke shprehur mua. Vajza juaj e madhe dhe motra jonë, nuk duhet t’i dëgjoje këto mllefe, pasi kjo ju acaron të dyve, kur keni nevojë vetëm për ngrohtësi e dashuri”!
– “Më vjen mirë që e dëgjoj prej teje këtë këshillë, sepse po matesha unë ta thosha ty, që ta kishe parasysh në muhabet e sipër, meqë gjuha vete atje ku dhëmb dhëmbi”! – tha nëna me vështrim të ëmbël. – “Koka e falur nuk pritet! – thotë një fjalë e urtë. Nuk e vë në mëdyshje që dhëndri dhe ime bijë, motra jote e madhe, e kanë ndjerë thellë pendesën.
Sepse njësoj si unë, këta janë prindër, përjetojnë po të njëjtat dhimbje e tronditje, kur fëmijëve u ndodhin paudhësi e prapësi. Nënat kudo të jenë, për çdo rast e në çdo kohë, mbeten nëna. Fëmijët ndryshojnë kur rriten. Prova juaj më e madhe ndaj nënës, shihet kur lindin fëmijët e tu.
Pas këtij bashkëbisedimi të ngrohtë me nënën, shkova tek këndi im i librave, për të kaluar edhe një here në sitën e mendjes time, gjithë sa ndodhi ditët e fundit, sepse më dukej si ylber i praruar, që shfaqet krejt befas në qiell, pasi janë zbrazur rrebeshe të njëpasnjëshme dhe rrezaton me madhështi mrekullinë e shpirtit njerëzor!
Më shumë se çdo gjë më la mbresa të fuqishme e të pashlyera prania e mendësisë së dyzuar tek sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, drejtuesi më i rëndësishëm në rreth, përçuesi i ideologjisë dhe politikës së Partisë Komuniste, (e njohur botërisht si ateiste, me mision të nxiste luftën e klasave, armiqësinë mes pjesëtarëve të së njëjtës familje, pse mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri), i cili krejt papritur shfaqet me botëkuptim të kundërt, hedh poshtë vizionin e egër nihilist, na befasoi të gjithëve me vezullimin e ylberit njerëzor të shpirtmadhësisë, sa mbetëm të shtangur duke pyetur veten: ka mundësi të ekzistoje një simbioze kaq e çuditshme?…
Pikërisht kjo kundërshti ndezi në vatrën time të arsyetimit, një mendim të frikshëm, drithërues: mos ka patur në marrjen e Vendimit të Komisionit Qeveritar të Internim-Dëbimeve, për mua dhe familjen Shyti, një shtysë të jashtme ligësie nga dashakeqës të fushës se letrave, me ndikim të fuqishëm tek njeri nga anëtarët më me peshë, qe barra mizore e ndëshkimit të barte sa më tepër vuajtje e përpëlitje të skëterrshme, të tejngopura me urrejtje satanike, për të përdhosur skajshmërisht deri në nënshtrim përçmues qëndresën time, sa të detyrohem nën trysninë e llahtarshme të ferrit komunist, t’i përgjërohem fatit orë e çast, vetëm për mbijetesën trupore, e duke qenë i shkrehur nga lodhja e sforcuar, të mos mbetet asnjë minutë e lirë, ta përfytyroj veten shkrimtar?!…Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
All rights to this material are exclusively and irrevocably owned by “Memorie.al”, in accordance with Law No. 35/2016 “On Author’s Rights and Related Rights”. It is strictly prohibited to copy, publish, distribute, or transfer this material without the authorization of “Memorie.al”; otherwise, any violator will be held liable under Article 179 of Law 35/2016.