Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të tre vajzave gjermane, Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, sekretare dhe daktilografiste të Komandantit të Përgjithshëm gjerman në Shqipëri, gjeneralit Fiztum, të cilat më 5 shtator të vitit 1944, teksa ishin duke u larguar nga Shqipëria me një autokolonë gjermane, u kapën rob në rrugën Kukës-Prizren nga një kompani partizane që kishte zënë pritë aty dhe më pas me urdhër të Enver Hoxhës u mbajtën peng në Tiranë, në tentativë për t’i shkëmbyer me dhjetëra të burgosur që mbaheshin të izoluar në Kampin e Prishtinës. Si u kryen negociatat për një marrëveshje për shkëmbimin e tyre nga ana e të dërguarit të Enver Hoxhës dhe përkthyesit të Gestapos në Tiranë, Petraq Pekmezi, i cili tre ditë para çlirimit të Tiranës, u ekzekutua nga një skuadër partizane në shtëpinë e tij buzë Lanës, dhe fati tragjik i tre vajzave që vuajtën kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë komuniste, deri në vitin 1955 kur u lidh marrëveshja Hrushov-Adenaur për shkëmbimin e robërve…
Historia e trishtë e tre vajzave gjermane, Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, të cilat u kapën nga një pritë partizane në rrugën Kukës-Prizren më 5 shtator të vitit 1944 teksa largoheshin nga Shqipëria për në Jugosllavi dhe më pas u mbajtën peng për t’u shkëmbyer me disa dhjetëra komunistë dhe partizanë shqiptarë dhe jugosllavë që mbaheshin të internuar në Kapin e Prishtinës në bazë të një marrëveshje që Enver Hoxha bëri me komandën gjermane, gjë e cila solli dhe ekzekutimin e 104 të dënuarave shqiptarë të atij kampi pas mos respektimit të marrëveshjes nga ana e Enverit, ka qenë e njohur për shumë nga familjet “reaksionare”, si: Gjonmarkaj, Dema, Mulleti, Kola, Merlika, Pervizi, Dine, Melyshi, Dosti, Kupi, Mirakaj, Radi, Çela, etj., etj, të cilat kanë qenë të internuara në kampet e fushave të Myzeqesë, si: Savër, Bedat, Plug, Gradishtë etj., etj., ku kanë qenë dhe tre “vajzat gjermane”.
Shumë pjesëtar të këtyre familjeve që kanë qenë të internuar aty deri në vitin 1991 kur dhe u shemb regjimi komunist, kanë pasur rastin të punojnë me ato tre vajza apo i kanë njohur nga afër gjatë kohës që vuanin internimin bashkë me to në kampet e punës së detyruar në fushat e Myzeqesë, i kujtojnë me shumë respekt ato, si vajza me kulturë dhe shumë të edukuara, tepër të sjellshme, korrekte në punë dhe ambientin shoqëror që krijuan ato vite që ishin aty dhe të gjithë pa përjashtim flasin fjalët më të mira për to. Në ato kampe të internimit të fushave të Myzeqesë, kishte edhe shumë shtetas të huaj të tjerë që vuanin dënimin, si prifti Italian, Jak Gardini, etj, por tre vajzat gjermane, ishin shumë më ndryshe se ato, kjo gjë ndoshta edhe për shkak të afrimitetit dhe miqësisë që kishin krijuar me bashkëvuajtësit e tyre shqiptarë që ishin aty.
Një nga ato të internuar që ka qëndruar shumë kohë pranë tre vajzave gjermane në kampin e internimit të Savrës së Lushnjes, si me banim ashtu dhe në frontet e punës, ka qenë Reshit Mulleti, i biri i Prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulletit, (i njohur më shumë edhe prej komedisë “Prefekti” të Besim Levonjës), i cili ka qëndruar në internim së bashku me nënën e tij, Hajrie Kusi Mulleti, deri në vitin 1991. Në dëshmitë e tij, që Shiti na i ka dhënë në fillimin e viteve ‘90-të dhe deri sa ndërroi jetë, ai kujtonte se më shumë kishte pasur miqësi e shoqëri me Elsa Koch, e cila ishte dhe më e shoqëruar se dy shoqet e veta, Irmgrand dhe Erna, të cilat rrinin më shumë bashkë. Shit Mulleti kujtonte një ngjarje që ka ndodhur diku aty nga viti 1953-1954, e cila u bë shkas që Elsa Koch të ri arrestohej nga Sigurimi i Shtetit dhe të mbahej për tre muaj në qelitë e Degës së Brendshme të Lushnjes dhe Tiranës. Dhe shkak për këtë gjë, u bënë një palë çizme, apo më saktë një bisedë e hapur në mes një grupi të internuarve që në një moment pushimi diskutuan edhe për çizmet që ata mbanin veshur gjithë kohën, të cilët në periudhën e dimrit iu ngjisnin baltën dhe ua vështirësonin edhe më tepër punën.
Nisur nga kjo gjë, Shit Mulleti na tregonte se në një letër që i bëri asokohe xhaxhait të tij që ishte i arratisur në Itali, (Hysni Mulleti), i shkroi që t’i dërgonte dhe nja dy palë çizme, një për vete dhe një për nënën e tij, Hajrien, gjë të cilën xhaxhai ua plotësoi menjëherë. Ardhja e atyre dy palë çizmeve në kampin e Savrës ishte një ngjarje jo e zakontë dhe për disa ditë ato u bënë objekt bisedash e diskutimesh në mesin e të internuarve, ku ishte dhe vajza gjermane, Elsa Koch (në fakt ajo ishte austriake nga Graz, por njihej si “vajza gjermane”), e cila në mes të tjerash gjatë një bisede u tregoi bashkëvuajtëse se ajo kishte një palë çizme lëkure shumë të mira që i kishte blerë kur kishte qenë në Ukrainë, para se të vinte në Shqipëri. Ato çizme ajo i mbante në barakën e saj ku jetonte dhe nuk i vishte asnjëherë, as në punë dhe as në ditët e pushimit, pasi i vinte zor që të dilte me to, në një kohë kur të gjithë bashkëvuajtësit e tjerë mbanin çizme llastiku të grisura që u futej balta dhe uji brenda.
Elsa ju tregonte se ato çizme kushtonin shumë shtrenjtë, pasi ishin bërë me lëkurë tigri dhe prodhoheshin në mënyrë artizanale në Ukrainë ku ato i mbanin zonjat që i përkisnin shtresës së lartë të shoqërisë, duke i veshur ato me raste të veçanta. Kaq ishte pak a shumë biseda e Elsa Koch për çizmet dhe ajo gjë fatkeqësisht do t’i kushtonte jo pak asaj. Shit Mulleti na tregonte, se dikush…., i kishte dërguar ato fjalë të saj atje “ku duhej”, dhe pas disa ditësh aty në kamp, ja behën disa punonjës të Sigurimit të Shtetit, të cilët e morën me vete Elsën dhe e mbajtën për gati tre muaj në qelitë e Degës së Brendshme të Leshnjes dhe Tiranës, ku thuhej se për ta marrë në pyetje atë, kishin ardhur dy ushtarakë të lartë (një gjeneral dhe një kolonel i KGB-së) enkas nga Bashkimi Sovjetik. Gjithë hetuesia ndaj saj bëhej për të vetmin fakt se ajo kishte treguar se dikur kishte qenë në Ukrainë, dhe oficerët e lartë të KGB-së donin të dinin më shumë rreth atij fakti.
Nuk dihet më shumë se çfarë e kanë pyetur Elsën dy oficerët e KGB-së dhe çfarë përgjigjesh i’u ka dhënë ajo, por fakt është se pas tre muajsh ajo u lirua dhe u kthye përsëri në kampin e Savrës, duke vazhduar përsëri ritualin e përditshëm “punë-barakë-punë” ashti si të gjithë bashkëvuajtësit e saj, por kësaj here, më fjalëpakë. Shit Mulleti tregonte se ajo kurrë nuk shprehu zemërim për asnjërin lidhur me atë që i kishte ndodhur, madje nuk foli kurrë për atë gjë dhe arsyen se përse e kishin thirrur, gjë e cila në kamp u mësua shumë vonë. Gjithnjë sipas dëshmive të Shit Mulletit, Elsa Koch, ishte shumë e pasionuar pas librave dhe lexonte në atë pak kohë që i mbetej pas pune dhe një nga ata që jepte dhe merrte libra, ishte një kushëri i Shitit, një djalë i ri nga fisi Stërmasi, që kishte mbaruar studimet jashtë. Madje Shiti linte të kuptohej se midis tyre kishte lindur edhe një dashuri e fshehtë, pasi ata të gjithë kohën rrinin bashkë dhe kur u lirua ai djali nga familja Stërmasi, Elsa shkonte vazhdimisht te nëna e Shitit, Hajria dhe pyeste shumë për të.
Shit Mulleti kujtonte edhe lirimin nga internimi të Elsës dhe dy shoqeve të saja, Irmgrand Tennius dhe Erna Schuber, gjë e cila ndodhi diku nga fundi i qershorit i vitit 1956, pasi disa muaj më pare, ishte firmosur në Moskë, “Marrëveshja Hrushov-Adenauer”, për lirimin dhe shkëmbimin e të gjithë robërve të Luftës së Dytë Botërore që mbaheshin ende të izoluar në “dy kampet” përkatëse. Në atë kohë, bashkë me tre vajzat gjermane, u lirua dhe prifti Italian Giacomo Gardini, i cili ashtu si dhe Elsa, pas riatdhesimit në Itali, shkroi një libër me titull “Dhet vjet në Shqipni”, ku përshkruante me detaje historinë e tij të dhimbshme e kalvarin në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ai kaloi 10 vite.
Një nga të internuarat e tjera që ka pasur shumë shoqëri me vajzën gjermane, Elsa Koch, ka qenë Vera Dema,(e bija e kolonel, Hysni Demës, ish-komandant i Xhandarmërisë Shqiptare në periudhën e pushtimit gjerman të vendit), madje Vera ka qenë shoqja më e ngushtë e Elsës. Ashtu si dhe Shit Mulleti, edhe Vera Dema na ka dëshmuar publikisht në shtyp (Gazeta Shqiptare, viti 2002), për vuajtjet e saj dhe të familjes në kampet e internimit, si dhe shoqërinë e ngushtë që ajo ka pasur me Elsa Koch. Madje Vera na ka dhuruar edhe një kartolinë, të cilën asaj ja kishte dërguar Elsa Koch nga Viena, (më 4 shtator 1956) pak kohë pasi ajo ishte riatdhesuar në vendin e saj, në Graz. Këtë kartolinë që Elsa Koch e ka shkruar me dorën e saj në shqip, po e publikojmë ekskluzivisht në këtë shkrim për Memorie.al, ndërsa kartolinën origjinale, me lejen e familjes Dema, ua kemi dhuruar Konsullatës Austriake në qytetin e Shkodrës, (ku Konsulli i nderit, z. Gjergj Liqejza e ka vendosur në një mini muze që ai ka bërë prej vitesh dhe vazhdon ta pasurojë me objekte të ndryshme që i përkasin marrëdhënieve shqiptaro-austriake), pasi aty ka më shumë vlera dhe interes për publikun e gjerë.
Si Vera Dema ashtu dhe Shit Mullelti, por edhe disa nga bashkëvuajtësit e tjerë, na kanë dëshmuar momentet e lirimit të tre vajzave gjermane nga Kampi i Savrës, (fundi i qershorit 1956) të cilat kanë qenë tepër prekëse. Elsa Koch morri me vete shumë libra dhe midis tyre disa tekste të gjuhës shqipe, duke u thënë disa bashkëvuajtësve të saj në mirëbesim, se në atdheun e saj ajo do t’i kushtohej perfeksionimit të gjuhës shqipe dhe përkthimeve. Përveç kartolinës që Elsa i dërgoi shoqes së saj të ngushtë, Vera Demës, thuhet se ajo i dërgoi edhe një letër autoriteteve shqiptare, ku u kërkonte që të bëhej e mundur që ajo të dërgonte në Shqipëri rreth 70 dyshekë me ajër, të cilat i kishte siguruar te Kryqi i Kuq në qytetin e saj, në Graz, me qëllim që ato të dërgoheshin në Burgun e Burrelit. Por kjo “dhuratë” e Elsës, jo vetëm që nuk u aprovua kurrë, por dhe ajo shënoi edhe letrën e fundit që Elsa Koch nisi në Shqipëri, pasi “organet kompetente”, ia kthenin mbrapsht letrat, me shënimin “adresa e marrësit nuk është e saktë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016