Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Minator i parë në Qaf-Bar dhe një ofertë
Transferimi në Qaf-Bar, doli i mbarë për mua. Kur më komunikuan se do të isha i vetmi minator, për të gjithë minierën, në fillim e mora me frikë. Në Spaç isha minatori më i keq, mezi bëja normën, ndërsa këtu, më duhej të plotësoja me bira, të gjitha frontet e kërkimit, si edhe të gjitha frontet e prodhimit, apo shembjet, si i quanim në gjuhën e minierës, ku kishte nevojë për bira të thella, që arrinin nga 3, deri ne 4, ose 5 metra thellësi. Në Spaç, këto lloj birash, i bënin minatorët e prodhimit, d.m.th., të shembjeve.
Ata bënin edhe birat në galeritë vertikale, që i quanim furnele. I shihja si supremen ata minatorë në Spaç, si Fadil Hyka, Bedri Blloshmi, Tom Ndoja, e plot të tjerë. Veç vështirësive dhe lodhjes që kërkonte ky specialitet, edhe rreziku për jetën, ishte më i madh, sepse duhej të punoje gjithmonë në rrezik, jashtë pjesës së galerisë, ku ishe i mbrojtur nga armatimi prej druri, ose betoni.
Më eci mirë; puna ime matej me sasinë e prodhimit, që nxirrte brigada. Para se të filloja punën me martel, kontrolloja frontet, i shoqëruar nga inxhinieri i minierës dhe brigadieri. Njëri nga ata të dy, më caktonte frontet ku duhej të bëja birat. Puna ime, po jepte rezultate te mira, inxhinieri ishte entuziast për mua, ia mora dorën dhe u bëra thuajse i pavarur. Shpesh vendosja vetë, ku duhej të bëja birat. Kur u shtuan brigadat me njerëz të rinj, që sillnin nga Spaçi, Zejmeni, etj., u shtuan edhe minatorët. Falë namit që më kish dale, si minator i shkëlqyer(!), m’u la mua, muajt e parë, të zgjidhja minatorët e tjerë.
I pari që më kërkoi të ndërhyja që të fillonte si minator, ishte Gëzim Medolli, me Tom Ndojën. Për fat, shef i Zyrës Teknike, ishte miku im, Dalip Zhaboli, të cilin e njihja qysh në kampin e Ballshit dhe nuk ma prishte kurrë. Komanda, siç e kam thënë, vinte si komandë e një kampi ordinerësh, e kishte mendjen vetëm te plani dhe plani ishte në dorë të minatorëve; nëse birat që bënin ata, jepnin bollshëm mineral, realizimi i planit, ishte i garantuar. Na thirri komisari i kampit, të gjithë ne minatorët, në mbledhje:
– “Dy llafe kam me ju minatorët. Më thoni çfarë ju duhet, t’jua jap dhe të mos kemi llafe pastaj, dua pllanin unë. Fol ti me mustaqe, se ty të kemi të parin e minatorëve këtu”! – m’u drejtua mua.
– “Në qoftë se do planin, zoti komisar, na rregullo ushqimin. Gramaturat të jenë në rregull. E dyta; dyqani na shet vetëm 100 gr. kafe në muaj. Jep urdhër, që për minatorët, të bëhet e pakta 500 gr., vaj ulliri 1 litër. Veç kësaj edhe fruta, sipas stinëve. Na plotëso këto dhe planin e ke në xhep”, – ishte përgjigja ime
U spërdrodh pak, jo; “vendi është në vështirësi, populli po pi kafe elbi”, por na i dha fjalën, që do të përpiqej. Të them të drejtën, e mbajti fjalën dhe na i plotësoi të gjitha kërkesat. Më erdhën edhe plot shokë të tjerë, me kalimin e ditëve: erdhi Aladini, Visari, Nuro Hoti, Agim Agaraj, Shefqet Kau, por më mirë të mos përpiqem t’i kujtoj të gjithë, se kam frikë se mos më shpëton ndonjë emër prej tyre. Ishim si një familje e madhe. Policët silleshin me respekt me ne. Rregullat e kampit i zbatonim, me planin ishim në rregull, ç’duhej më tepër?! Polic shoqërues i brigadës ku punoja unë, ishte gjithnjë Beqir Biu.
Një ditë shpëtova për mrekulli nga vdekja, sepse për pak, më zuri nën vete një ortek shkëmbinjsh, tek po bëja disa bira të thella, 4 metërshe. Polic Beqiri, ishte në afërsi të vendit ku ndodhi shembja dhe më ndihmoi të dilja, nga vendi ku isha bllokuar. Isha rrëzuar, kandili me karbit, më kishte mbetur ndën gurë, por unë nuk e humba gjakftohtësinë. U ngrita me ndihmën e tij dhe u ulëm në një vend të sigurt, më tej, për të ndezur nga një cigare. U kontrollova, s’kisha pësuar gjë, veç ndonjë gërvishtje të vogël. Beqiri më tha:
– “Më dëgjo Maks, kam kohë që e bluaj në mendje, diçka. Unë i kam mundësitë me të ndihmue, me të qit nga miniera. Ktu i len kockat, për pak gjë. Je i ri. Më nigjo mu. Ti e din, që kam për grue, motrën e komandantit të kampit, pra fjala ime, asht ligj ktu. Edhe pak, shefi i kuzhinës, lirohet. Në vend të tij, du me vu Aladinin dhe ty, në ven të Aladinit, te bukët. Shefi i kuzhinës, ka dhomën e vet, larg pallatit ku flejn të dënumit, kemi rast me pi ndoj got raki, rahat. Kam respekt për ty dhe Aladinin. Ç’ke ti, ma lej mu në dorë kte punë. Si thu”?!
– “Jo, Beqo, nuk është punë që bëhet. Nuk dua. Ty të faleminderit për fjalët e mira dhe, me të thënë të drejtën, ta quaj nderin të kryer prej teje, zene se u bë. Por e fillova si minator dhe dua ta mbyll si minator burgun. Ti nuk e di, si funksionon burgu politik. Deri sot, ke qenë polic burgu ordiner. Në kampet politike, është ndryshe. Nuk t’i them dot të gjitha, besoj më kupton. Unë jam i dënuar politik, ti je polic. Në më do të mirën mua, më mbaj gjithmonë minator në brigadën tënde dhe do të ta di shumë për nder”.
– “Po unë për të mirën tate e kam, o burr i dheut. S’ka pesë minuta, që shpëtove kot nga vdekja! Ah ta dish ti, sa vetë kam nxjerr copash unë, prej galerive…”?!
– “Si të jetë e shkruar Beqo. Kam edhe 7-8 vjet burg akoma. Nuk më bëhet vonë. Edhe njëherë të them: faleminderit për fjalën e mirë”. – “Si t’dush. Unë për të mirë e pata”,-dhe iku qejfprishur.
INTERMEXO IV
Nga bota e lirë, në burgjet komuniste të Enver Hoxhës
- Nga Parisi në Spaç – “francezët”
…Në vitin ’79 dy vëllezër shqiptarë, që jetonin prej vitesh në Francë, kërkojnë të riatdhesohen. Janë me origjinë nga një fshat i Kukësit, në kufi me Prizrenin. Aty nga vitet ’60-të, dy vëllezërit, atëherë 10-12 vjeç, po kullosnin delet si gjithmonë. Dikush, që ishte nisur për t’u arratisur, i merr me vete, si udhërrëfyes. Binden dhe e shoqërojnë, deri në kufi. Nga frika e qortimit të prindërve, nuk kthehen më në shtëpi dhe vazhdojnë rrugën me të arratisurin. Përfundojnë në Francë H. dhe Z. Spahiu. Mbarojnë arsimin e detyrueshëm, rriten si francezë. Martohen me vajza shqiptare.
Jetojnë në Paris, të lumtur me familjet e tyre: njeri ka dy fëmijë, tjetri tre. Shqipërinë e njohin vetëm nga revista propagandistike “Shqipëria Sot” dhe nga ato kujtime fëmijërie, që malli i kishte fshirë pjesën e hidhur. Vendosën të kthehen në atdhe, nuk kishin kryer asnjë krim. Ishin të mitur, kur një më i rritur se ata, i detyroi të kalonin kufirin. Ambasadori shqiptar në Paris, i siguron; se i pret një jetë e lumtur në atdhe. Pa mbushur muajin nga dita që shkelin në atdheun e dashur, të dy vëllezërit Spahiu arrestohen, dënohen nga 10 vjet dhe i sjellin në Spaç.
Akuza ishte e përhershmja: “agjitacion e propagandë”. Gratë dhe fëmijët, i kanë në internim në fshatrat e Myzeqesë. Një ditë, të dy vëllezërit, bëjnë takim me familjet. Kanë ardhur gratë dhe fëmijët, më i madhi është 14 vjeç, i lindur dhe rritur në Paris. I uroj për takimin dhe sipas zakonit, i pyes: “Si i kishit nga shtëpia? Fëmijët ishin mirë”?
– “E ça me të thanë, bre vlla…?! Djali i madh, më tha që do të alarmojë opinionin publik, gazetat, TV…! Do organizojë protesta, e ku po di vet, se babën dhe axhën, ia kan shti pa të drejtë në burg…! Zot, ma pshto..!. Asht i vogël, bre vlla…! A thu ma shtijn në burg, në këtë moshë…”?!
2- “Suedezë”, “amerikanë” e të tjerë në burgjet tona
Kam njohur plot në kampet ku kam vuajtur dënimin, njerëz që kanë qenë arratisur jashtë shtetit dhe për arsye të ndryshme, janë kthyer më dëshirën e tyre në Shqipëri. Merret vesh, me t’u kthyer, i priste burgu. Në kampin e Spaçit, ka qenë Qani M., korçar, që ka jetuar disa vjet në USA. Më tha që e kishte njohur, xhaxhanë e nënës sime, atje. Qaniu, merrej me shitblerje veturash të përdorura.
Ky ishte profesioni i tij: qëmtonte nëpër gazeta, kush kish makinë për të shitur, e blinte për t’ia shitur më shtrenjtë, dikujt tjetër. Edhe njerëzit që pat njohur, i kujtonte nga veturat qe kishin patur. “E mbaj mend, Maks, xhaxhanë e nënës suaj. Ka patur një veturë ‘Lincoln’ dhe me të, na solli Fan Nolin në festën e flamurit në Boston…! Një makinë e shkëlqyer, por nuk bën për në Evropë, sepse është tepër e gjatë”!
…Emrin nuk ia dinë të gjithë Qaniut, më shumë e njohin si “amerikani”. U kthye në vitin 1963, pas amnistisë që bëri shteti shqiptar një vit më parë, sipas së cilës, mund të ktheheshin në Shqipëri, të gjithë ata që “nuk kanë lyer duart me gjak, gjatë Luftës”. E rrasën në burg, ndonjë vit pasi u kthye në atdhe, “amerikanin”.
Në Spaç, janë edhe dy “suedezë”, me origjinë nga një fshat i Vlorës. Me biografi të mirë që të dy. Njëri pat studiuar në Berlin (ish Gjermania Lindore) për urbanistikë, tjetri pat kryer shërbimin ushtarak, në kufi. Qenë shokë të ngushtë, që fëmijë. Pasi mori diplomën “shkëlqyeshëm”, inxhinier urbanist, u kthye në Vlorë, shkoi edhe në fshatin e tij. Shoku i tij, pat mbaruar ushtrinë dhe punonte në kooperativën bujqësore. Sa herë takoheshin, të dy shokët, bisedonin për jetën që bëhej jashtë:
– “More, po edhe Gjermania Lindore, është shtet socialist, si ne, po këtu, nuk të lenë të bësh asgjë, mor të keqen! Çfarë jete bëhet atje dhe çfarë jete, bëhet këtu…”?! E ndanë mendjen, për t’u arratisur. – “Ç’ke ti, e njoh kufirin me sy mbyllur unë”, tha ish-kufitari. Kaluan në Jugosllavi dhe që aty në Suedi, në Stokholm. Atij që pat studiuar në Berlin, iu njoh diploma si e vlefshme dhe filloi punë, në Zyrën e Urbanistikës në Bashkinë e Stokholmit. Mundi të sistemonte edhe shokun e vet, në një punë ku fitonte mirë. Ishin për bukuri, punonin, fitonin, dashuronin, shëtisnin nëpër Evropë, por nuk ishin të lumtur. U mungonte vendi i tyre, prindërit, motrat, vëllezërit, shokët.
“Po sikur t’u kenë bërë gjë, pas arratisjes sonë”?! Asnjë lidhje nuk kishin me Shqipërinë, asnjë letër, për telefon, as që mendohej në ato vite. Vendosën të kthehen të dy. – “Do themi jemi bërë pishmën, që ikëm, na falni. E ç’do na bëjnë fundja, sos vramë njeri, a derbardhë”! Shkuan në Berlinin Lindor. Ambasada shqiptare aty, mbulonte edhe Suedinë në atë kohë. Ambasadori nuk pranoi t’i priste. Por dy shokët, nuk u dorëzuan. Shkuan me pushime në Itali. Shkuan edhe te ambasada jonë, në Romë, disa herë, por më kot! Një nga shoferët e ambasadës, i kishte pyetur se; ç’hall kishin. “Duam të kthehemi në atdhe”, i thanë. “Ju dokeni mut”, – u tha shoferi, – “pse mor, trapat e lalës, tuj qenë rahat n’Suedi, ju kruhet suma, me shku në burg, me komët tuja”?!
U trembën, por nuk e ndërruan mendjen. Vendosën të ktheheshin një nga një. I pari që do të vinte, do t’i dërgonte një foto të vetën në këmbë shokut që do të priste në Itali, në qoftë se situate, do të ishte në rregull. Në se do të dërgonte një foto ulur, do të thoshte “çka”, shtrirë, do të thoshte “keq”. Nëse brenda javës, s’do të kishte foto, kuptohet: “Jam në burg, kthehu në Suedi”. Më në fund ambasadori i priti, i përgëzoi për vendimin që patën marrë dhe u lëshoi vizat, për në Shqipëri. E pritën të parin në Rinas. Filluan ta rrahin që aty në aeroport. Pa ndjenja, e pa veten në burg. Prapë tortura, elektroshok, rrahje me bisht kazme…! “Ku është shoku jot, pse nuk erdhi?! Do të marrim shpirtin, po s’fole! Në internim, do ta ngordhim gjithë fisin…!”
E pastruan nga gjaku, e veshën dhe i bënë një foto të bukur në këmbë, para kalit të Skënderbeut. Pas disa ditësh, erdhi edhe tjetri. U dënuan: njëri 15, tjetri 12 vjet burg.
3 – Vjen “suedezi” i tretë…!
Në fillim të vitit 1980, autoburgu solli edhe një “suedez” tjetër. Hiqmeti u njoh që në fillim me të, ma prezantoi edhe mua. E quajnë Dilaver H. dhe është dibran. Është shumë i çorientuar Dilaveri, megjithëse hetuesia “e ka ndihmuar”, që ta kuptojë se ku gjendet. Tregon se gjatë hetuesisë, hetuesi e merrte në pyetje, i veshur me kostumet dhe këmishët e Dilaverit…! “Ty nuk të duhen më”, i pat thënë.
Kur po mbaronte gjimnazin, Dilaveri ëndërronte të shkonte në universitet, për gjuhët e huaja, por e drejta e studimit, nuk i doli. U mërzit shumë. Priti edhe një vit. Miqtë e plakut, nuk mbaruan punë, si i patën premtuar. Kufirin e kishte afër, ashtu i mërzitur si ishte, u arratis. Nga Jugosllavia, kaloi në Suedi. U vendos në qytetin me emrin Malmoe. Filloi punë në një firmë që riparonte dhe zëvendësonte bravat e dyerve, në banesat private. Jetonte mirë. Me që ishte një tip flegmatik, u përshtat shpejt në shoqërinë suedeze. “Janë njerëz të mirë suedezët,” tregonte ai, – “naivë, besojnë si fëmijë, çfarëdo që t’u thuash. Nuk njohin mashtrimet, gënjeshtrat, që janë të zakonshme për ne, apo një italian, p.sh”!
U njoh dhe u dashurua me një vendase. U martua me të. Ishte e bija e kryetarit të bashkisë së qytetit. “Bënim jetë filmash,” -thosh Dilua. “I ndërronim veturat, si të ishte moda, për nga ngjyra, marka, tipi”! E shoqja vërtet që ishte e pasur, por edhe Dilua, fitonte mirë. “Një verë”, – tregonte, – “shëtitëm të gjithë Evropën, duke ndjekur vijën bregdetare, me një ‘Citroen’ të bardhë, ishin shumë në modë atë vit. Mbërritëm në Ulqin. Shkuam deri afër kufirit me gruan dhe i premtova’ që një ditë do te shkonim bashkë në Shqipëri. Nuk kisha asgjë kundër regjimit komunist. Familja ime ishte shumë e lidhur me partinë dhe pushtetin. E vetmja njollë në biografi, ishte arratisja ime. Unë me ambasadën shqiptare në Stokholm, kisha marrëdhënie të mira.
Më thërrisnin gjithmonë, kur kishin nevojë për ndonjë përkthyes. Kur erdhi Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve, i kam shoqëruar unë. Edhe Vaçe Zelën, unë e shoqërova, madje i dhashë edhe tekstin e një kënge suedeze, ia përktheva edhe në shqip. E mësoi brenda ditës Vaçja. Kur e këndoi në mbrëmje, në koncertin që dha ansambli në Stokholm, la nam. U tërbuan suedezët, pas Vaçes…! Unë me gruan, ishim në radhën e parë. Edhe në intervistën që dha Kadareja, për një gazetë dhe TV suedez, përkthyesi isha vetë. Kisha shpresa se një ditë, do të më lejonin të kthehesha. Gruaja mendonte, të kalonim gjysmën e vitit në Shqipëri, gjysmën në Suedi. (“Pirdh, o Dilo, pirdh,” i thoshte Hiqmeti).
…Nga një kancer galopant, kishte vdekur brenda muajit gruaja e Dilos
– “M’u mërzit jeta, – thosh Dilaveri – jetoja kot, si në mjegull, pa gruan. Duheshim shumë, kisha kujtime të mrekullueshme me të. Gjithçka shihja, ma kujtonte: çdo këngë që dëgjoja, çdo film, çdo pemë, rrugë…! Vendosa të kthehem në Shqipëri. I shita të gjitha: vetura, shtëpi, vila dhe i bëra të gjitha para. Vura në bankë, më shumë se gjysmë milion dollarë. Një mik kosovar, më tha: ‘Mos bre, e kan me të shti në burg e, kanë me t’i marr të tana, çka të kesh, edhe brekt kan me t’i vjedh. Ke m’i ra murit me kry, mor hajvan. E di mir çka u punojn kosovarëve, që jan kthy atje, por po e shof, se të kokan pjerdh trut, vallahi’! Ambasadori ma dha vizën menjëherë. Mendova të bëja një vizitë turistike, meqë kisha pasaportë suedeze.
Mendova: jam shtetas suedez, krim nuk kam kryer në Shqipëri, po m’u mbush mendja, po qëndroj… por nuk e pata vënë re shënimin te vula, që pat vënë te viza e pasaportës ambasadori. Ma treguan në Rinas. Kishte shkruar: ‘Arsyeja e vizitës: Riatdhesim’. Pata sjellë 7 valixhe të mëdha me plaçkat e mia: 15 kostume, kush e di sa këmisha e kravata, dhurata për njerëzit e mi, bizhuteritë e sime shoqeje. Kur më nxorën në kaush, d.m.th., në burgun e Tiranës, para se të vija në Spaç, më dhanë një si thes të vjetër: merri plaçkat e tua, më thanë. Brenda kishte vetëm një palë pantallona xhins, të vjetra dhe shumë të përdorura dhe dy triko të trasha leshi. M’u kujtua kosovari, kur më tha se edhe brekët, kishin me m’i vjedh… nga njëzet palë, më mbetën vetëm ato që kisha mbathur”.
– “Mos u mërzit, i – tha Hiqmeti, – sidoqoftë ke gjysmë milioni dollarë. Do të dalësh dikur nga burgu”.
– “Jo, mor Hiqmet, jo…! Nuk kam asgjë tani. Kur më morën në Rinas, më dërguan në fillim në një zyrë në Ministrinë e Brendshme. Aty më detyruan të firmos një dokument, për bankën time, ku thuhej se e gjithë pasuria ime kalon, me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë, në pronësi të shtetit shqiptar. Por i kam shkruar një letër Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Burgjeve, që më janë vjedhur bagazhet e mia dhe m’i kanë marrë paratë, me mashtrim”.
– “Ahahaha, kjo është e bukur! I je ankuar Ali Babait, se të kanë vjedhur hajdutët e tij! Qenke lodhur kot mor qyq. Aman, si të tha ai kosovari në Suedi, si të tha?! Te kokan pjerdh trut, vallahi”?!
Erdhi Drejtori i Burgjeve, Kasëm Kaçi, në Spaç. Thirri Dilaverin në takim. Shkoi Dilaveri gjithë qejf.
– “Ti je Dilaver H., që ke bërë këto letra”?!
– “Si urdhëroni. Unë jam dhe dua t’ju them zoti drejtor se…”!
– “Mbylle halen, se po flas unë njëherë! Pa më thuaj, si erdhe zotrote nga Suedia këtu. Të sollëm ne lidhur, apo erdhe me dëshirën tënde, hë”?!
– “Erdha me dëshirën time, por…”!
– “E po ça mutin kërkon atëherë!? Ik ore pirdhu, se na çave bythën! Ik të thashë, hec. Ik me këmbët e tua, se ka edhe ndryshe, e di ti…”!
– “Si urdhëroni, e di…”!
Zbriti Dilaveri në kamp. Nuk dukej dhe aq i mërzitur. Dukej më shumë i tronditur: “Nuk më besohet… ky qenka një shtet që u drejtoka nga rrugaçët”?! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016