Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëmbëdhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Tre muajt e kësaj vere kaluan më shpejt dhe më lehtë nga pandehma e fillimit, kur mora rrugën për në shtëpi, pas njoftimit të befasishëm nga drejtori i Gjimnazit, me shpjegimin se nuk paraqitet nevoja të jap provimet e fundvitit për faktin se notat i kam të gjitha pesa. Prandaj vendimi i Këshillit Pedagogjik, duhet kuptuar si shprehje falënderimi ndaj përmbushjes së një detyrimi që u përkiste disa profesorëve të shkollës. Kur i shkoj ndërmend si u shtjelluan të gjitha skenat, nga çasti i njoftimit të pazakontë deri tani, që po afron dita e kthimit për në qytetin verior të studimit, më duket si ëndërr.
Por më e çuditshme më duket ndjesia ime e brendshme, e cila ende nuk e pranon që im atë, nuk gjallon mes nesh dhe brenda meje vërtitet pandehma sikur ka shkuar diku, për të kryer një shërbim, ndaj pas njëfarë kohe do kthehet! Ose gjendet në një spital kurimi, i specializuar për astmën bronkiale, ku i kanë dhënë shpresa të plota përmirësimi. Duke u mbështetur mbi këtë pandehme, krijohet bindja se pas disa muajve, mund të mbërrijë në drejtorinë e Gjimnazit një njoftim i dytë, krejt ndryshe nga i pari, për të më vënë në dijeni se shëndeti i babait, po jep shenja shërimi, ndaj duhet ta zbojë nga vetja shqetësimin e keq, se sëmundja po i rëndohet.
Parë nga ky këndvështrim, gjithë sa ndodhi duhej pranuar si gjendje halucinacioni, e vërteta ka qenë krejt ndryshe, me përjashtim të disa çasteve, kur astma bronkiale e mundoi deri në sfilitje. Sepse dukuri të tilla, mund t’i ndodhin kujtdo, duke patur parasysh se sëmundjet janë bashkudhëtare të jetës së njeriut, pjesë të saj përbërëse, që kapërcehen me vullnet dhe kurim të vazhduar intensiv. Prandaj ashtu si u mësova këto tetë vjet, pa praninë e vëllait të dytë, (të cilin e kam dashur më shumë se çdo vëlla e motër tjetër në familje), duke e bindur veten se ai gjendet diku, punon e jeton në një vend të panjohur, do mundohem dalëngadalë të shkul pak nga pak prej përfytyrimit, çfarë pashë në truallin e Kishës së Golemit, dy varre, at e bir pranë njëri-tjetrit, mbuluar me kurora lulesh.
Ndoshta ky tjetërsim i përfytyrimit me krijohej edhe nga lehtësimi i gjendjes shpirtërore: më vinte mirë që nëna i kishte rralluar qarjet, kur rrinte e vetmuar në odë. Ndjehesha gjithashtu i kënaqur, si e kalonte kohën e lirë, pasi mbaronte punët e shtëpisë dhe gatimin, duke biseduar me zë të ulët me fotografitë, e vetmja mënyrë për të mbushur boshllëkun e dhimbjes dhe afruar shpirtrat e tyre pranë saj. Një ditë ajo më habiti me arsyetimin, kur e pyeta pse i shikon kaq shpesh fotografitë:
– “Akoma nuk e di pse mendja e njeriut e ka shpikur fotografinë”?!… – ma ktheu ajo me ton qortimi. – “Atëherë po ta them unë: për të përjetësuar secili veten, kur trupërisht nuk do jetë më. Të parët e të parëve tanë, e kanë patur mjaft të vështirë të lënë prapa diçka nga vetja e tyre, si kujtim. Kurse ne kemi fatin ta ruajmë shëmbëlltyrën tonë. – Njerëzimi gjithnjë ecën përpara. Brezi ynë dhe të tjerët pas nesh kanë mundësi të ruajnë zërin, lëvizjet, njësoj sikur janë të gjallë”! – shtova unë.
“Jo të gjithë! – kundërshtoi ajo. – Këtë privilegj e kanën vetëm ata që bredhin lart e poshtë me vetura dhe rrojnë si pashallarët qëmoti. Kurse fukarai, s’e ngop as barkun me bukë, përderisa mbetet i shpërfillur dhe i përbuzur nga shoqëria me gjallje, pas vdekjes, humbet si kripa në ujë”!
– “Ndoshta do vijë një kohë që njerëzit e thjeshtë të gëzojnë sadopak nga këto privilegje të ndaluara tani për vegjëlinë e fukarenjtë”! – ia ktheva unë.
– “Shkoftë llafi yt në vesh të Perëndisë, ore bir”! – tha ajo duke bërë kryq.
Shpeshherë, kur kthehesha nga puna, pasi hanim drekë dhe uleshim të dy në nim për t’u çmallur, nëna vazhdimisht e niste bisedën me kujtimet e viteve të Luftës, me zinë e tmerrshme të bukës dhe fukarallëkun drithërues, që i detyronte mjeranët të shndërrohen në barngrënës e të endeshin si lypsarë. Këto tema të dhimbshme, ajo i përmendte enkas që të kujtonte babanë, sa shumë përpjekje bënte për të ndihmuar të vetmuarit e këputur të qytetit, duke i ushqyer dhe mbathur!
– “Ishte kaq i dhënë pas fukarenjve, sa kur ndodhte ta kundërshtonim, unë ose motra jote e madhe, pasi ne të dyja i përballonim mbi kurrizin tonë telashet, babai yt na tërhiqte vërejtje të rëndë”, – tha ajo me ton qortues për veten e saj, që të tregonte sa lart qëndronte ai ndaj tyre! – “Sidomos na bëri për ujë të ftohtë, kur vendosi të strehonte, vishte e ushqente qyqarin Vasil, të krimbur me morra.
Për herë të parë përdori kërcënim të hapur, pasi në shtëpi nuk e kishte zakon të fliste me zë të lartë! Këtë e bëri vetëm për të na urdhëruar të zbatojmë porositë e tij. Dhe nuk u mjaftua me qortimin e parë. Kur vumë kazanin e madh me ujë mbi zjarr, na tha me ton komandues: pasi të lahet, rrobat e tij të digjen! U habitëm që po atë ditë, pruri në shtëpi ndërresa të reja, kostum shajaku, këpucë, çorape, shapkë! Dhe u fal para ikonës së Jezu Krishtit:
‘Qofsh e bekuar, o Perëndi Mëshirë madhe, që më tregove rrugën e ndritur të Birit tënd, si duhet të veprojë një besimtar për të kryer një shërbim njerëzor, t’i japë mundësi një mjerani të braktisur të provojë shijen e kënaqësisë’!- tha ai sy përlotur, duke bërë kryq. Shumë rrallë mund të gjendet një i dytë, kaq zemërbardhë si yt atë”!… – theksoi ajo duke psherëtirë.
Çdo herë që nëna përmendte bamirësitë e babait, për të ndihmuar fukarenjtë e qytetit, mua më dilte parasysh fëmijëria, më vinin ndërmend bisedat e tij me shokët dhe miqtë, kur këta ndodheshin në dyqan për të shkëmbyer mendime mes njëri-tjetrit. Babai nxehej, nuk e duronte dot babëzinë dhe shpirtngushtësinë e disa të kamurve, të cilët e kalojnë kohën me orgjira nëpër kazino dhe kurrë nuk u shkon mendja, t’u japin mjeranëve mbeturinat e sallave të tyre, sa për të shuar një pjesë të urisë gërryese, kur ndërkohë për qentë e macet, blejnë në dyqan mish dhe peshk të freskët!
– “Pse Perëndia bënë sehir dhe nuk ua tregon vendin këtyre delenxhinjve”?!… – ndërhynte i revoltuar shofer Llambi. – “Por kot nuk thonë: nuk bie rrufeja në hale”!
– “E pse duhet të merret Perëndia me ligësitë tona, kur na ka dhënë mendje, sy e veshë, që t’i shohim marrëdhëniet tona me dhimbje”? – ia ktheu babai.
– “Derrat e majmur njohin vetëm grykësinë e babëzitur. Ndaj derri do plumb në lule të ballit, se saçmat vetëm e pickojnë”- shtoi shofer Llambi. – “Mendja dhe shpirti janë të lidhur në mënyrë të ndërsjellë” – shpjegoi më tej im atë.
– “Kur Perëndia e di që i ligu e përdor mendjen për të bërë krime e poshtërsia, dhe s’ka zemër njeriu, vret e pret si i teket, pse ia jep këtij fatin e të mirit, kur duhet të ndodhë e kundërta”? – ngulmoi Llambi.
– “Nuk ua jep Perëndia, por Satanai. Ky i ushqen mercenarët e vet me gjakun e fukarenjve”!
– “Po shteti, sehir bën”?! – u nxeh shoferi.
– “Pjesa më e madhe e pushtetarëve janë mercenarë të Satanait. Ndaj fukarenjtë nuk gjejnë përkrahje, kur trokasin në zyrat e shtetit. Synimi kryesor i pushtetarëve, është të pasurohen mbi kurrizin e popullit. Formalisht mes pushtetarëve ndodhin kacafytje mashtruese, sa për t’i hedhur hi syve vegjëlisë. Në të vërtetë zënkat dhe sharjet, bëhen për të ndarë prenë sipas ligjit të xhunglës: më të fortit i takon pjesa e luanit. Ndërsa çakejtë, edhe pse kuisin më shumë se të tjerët, u gëzohen kërmave”!… – theksoi babai me ton të nervozuar.
– “Këta e dinë qe ne, njerëzit e thjeshtë, përbëjmë skotën e presë së tyre dhe sado të zhurmojmë e llomotisim, nuk kafshojmë. Sepse pushtetarët zotërojnë jo vetëm gjithë pasurinë tonë, por na komandojnë muskujt, shpirtin, mendjen! Dhe jo vetëm brezit tonë. Por që në fillesat e para, kur u hodh ideja e shtetit, si mjet i domosdoshëm për të disiplinuar turmat, lindi njëkohësisht mendimi i zhvatjes, pasurimi i pakicës sunduese mbi shumicën e nënshtruar. Kështu u formua një simbiozë e pandarë mes shtetit dhe synimit të pushtetarëve.
Pikërisht këtu e ka burimin lufta e ashpër që bëhet, mes forcave politike për të ardhur në pushtet, duke përdorur të gjitha format: forcën, mashtrimin, blerjen e votës, nënshtrimin. Prandaj, tek të gjitha formacionet shoqërore të kohëve të ndryshme, mbeti e pandryshuar simbioza e shtetit me pushtetarët, pavarësisht veshjes së jashtme, që shërben si fasade mashtrimi, dhe herë pas here pëson tjetërsime”, – përfundoi im atë shpjegimin e tij.
Ky arsyetim u ngulit thellë në kujtesën time, për të më shërbyer si fener ndriçues dhe udhërrëfyesës në çastet më të vështira të jetës, si të vetëpërmbahem në marrjen e vendimit të duhur, sidomos kur rastësia më jep të shtymën e, më hedh në një udhëkryq të panjohur. Në një fare mënyre, ky arsyetim i përqasej thënies së nënës, e cila gjatë një bashkëbisedimi, theksoi diçka të rëndësishme: “Me vjen mirë që në shumë gjëra i ke ngjarë babait: nga mendja, sjellja dhe dëshira për të ndihmuar të tjerët! Por i lutem Zotit të mos kesh fatin e tij të hidhur”!
Atëherë nuk e kuptova çfarë kishte ajo parasysh me “fatin e hidhur”. Kryesisht ecurinë e shëndetit, të mos më brejnë përbrenda sëmundje të frikshme? Apo ecurinë në jetë, karrierën pas mbarimit të studimeve, nëse dhuntitë e mia natyrore do përputhen me ushtrimin e veprimtarisë, apo do shpërfillem nga kasta politike dhe elita e intelektualëve të privilegjuar, të cilët mbajnë veshur si parzmore autoritetin e të paprekshmit, bëjnë ligjin dhe përcaktojnë listën e të llastuarve, ata që duhen mbajtur afër për të ngritur famën e “Korifenjve”, përtej aftësive e meritave, që turma të çoroditet e t’i mbushet mendja se këta i përkasin majës së Piramidës, u takon të përkrahen, mbështeten e financohen nga shteti i Diktaturës së Proletariatit, pasi askush më mirë nuk di ti thurë lavde e ditirambe Komunizmit dhe Zeusit të Gjithëpushtetshëm?
Nuk i jepja dot përgjigje pyetjes së dytë, sepse sapo kisha nisur shkëputjen nga jetesa me familjen prindërore, ndaj nuk mund të parashikohej ecuria e të ardhmes time. Nga unë vareshin vetëm mbarëvajtja në mësime dhe ushtrimi i aftësive me dhunti natyrore. Të tjerat, ato më kryesoret, do t’i përcaktojnë të panjohurat.
Këtë ka patur parasysh nëna, kur tha: “I lutem Zotit të mos kesh fatin e hidhur të babait”! Sepse tërësia e të panjohurave formon fatin e njeriut. Ndaj askush nuk e di saktësisht çfarë e pret qoftë dhe pas një minute, pasi befasia na ndjek pas vazhdimisht, ajo shfaqet me forma e trajta nga më të çuditshme. Im atë më tregoi një herë në dyqan diçka, që më trullosi, për të ilustruar si ndërthuren fatet e njerëzve, një ndodhi e vërtetë, jo trillim fantazie:
(Një pushtetar i fuqishëm po vriste mendjen të gjente një përkrahës kokëshkretë, me kuraje e guxim çmendurak, për t’i vënë fre ambicies së tmerrshme të kundërshtarit politik, i cili me krahë marrjet tinëzare, i binte në qafë dhe s’e linte rehat ta milte shtetin sipas grykësisë së tij të babëzitur. Dhe kur e kuptoi se nuk do t’ia dilte dot në krye, t’ia mbyllte zgurdhën sharlatanit të paepur për pushtet, u vu në kërkim të gjetjes së një kokëshkreti guximtar, që e urrente për vdekje kundërshtarin e tij, sa nuk ngopej edhe po ta shihte në hell. Një ditë krejt papritur u hodh përpjetë, duke thërritur; “Eureka”!
Pa e zgjatur i telefonoi menjëherë “shpëtimtarit”, që ndodhej në emigracion, për t’i kumtuar sihariqin më të pabesuar, duke i thënë: “Ta gëzosh kolltukun e ministrit! Të pres të vish sa më shpejt i pispillosur, si dhëndër”! Në fillim, fatlumturi iu duk kjo telefonatë si mirazh zanor, i kishin bërë veshët, pasi kurrsesi s’ka mundësi t’ia sjellin kaq shpejt e lehtësisht postin e ministrit, nëpërmjet një telefonate, kur ambiciozët përdorin mori ndërhyrjesh dhe premtojnë shuma marramendëse, për t’u ulur në këtë kolltuk. Prandaj nisi të qëmtojë ku rreh çekani i pushtetarit të fuqishëm, për ç’qëllim e thërret ta bëjë anëtar të kabinetit të tij?!
Fatlumturi i njihte hollësisht të dy, si pushtetarin e fuqishëm dhe kundërshtarin e tij pareli, dinte sa dhëmbë e dhëmballë kishin në gojë, deri tek imtësitë më të padukshme nga jeta e tyre familjare e personale, njihte të gjitha veset dhe dobësitë, aq sa mund ti sfidonte në të ardhmen, pasi të ngulte thellë piketat në truallin e pushtetit. Kur e shqyrtoi katërcipërisht situatën e propozuar dhe u sigurua se do ta arrinte synimin e parashikuar, u nis me avion i veshur kreko, me kostume të shtrenjta dhe mbërriti i krekosur me pompozitet. Ashtu si shpresonte, u prit në aeroport nga pushtetari i fuqishëm. Madje kjo madhështi e pazakontë, u përforcua brenda pak ditëve, duke i habitur të gjithë, kur iu dorëzua haptazi karta e bardhë dhe u ndërsye të veprojë, me tërë vrundullin e tij!
Besimi i tepruar i pushtetarit të fuqishëm ndaj tij i solli ndërmend ministrit, përrallën e fshatarit me gjarprin e ngrirë, të cilin e gjeti në rrugë dhe nën yshtjen e një ngacmimi të brendshëm, e futi në kraharor ta ngrohte me trupin e tij, me mendimin mos e rimerrte veten e gjallërohej, sepse i duhej për qëllimet e mbrapshta. Por kur zvarranikut filloi t’i lëvrijë gjaku dhe ndjeu se e kishte marrë uria, i dha një të pickuar në zemër fshatarit mendjelehtë, si “shpërblim” që e shpëtoi nga ngrirja!
Pikërisht kjo përrall i shërbeu ministrit si nxitëse për të projektuar në kokën e tij skenarin krahëmarrëse, si t’ia rrëmbente pushtetin “bamirësit mendjelehtë”. Para së gjithash, pa u ndjerë dhe tinëzisht, ai forcoi çdo ditë e më shumë pozitat e tij financiare, duke e ditur që me ndihmën e tyre, ngjiten shkallët në hierarkinë e pushtetit. Dhe nuk u mjaftua vetëm me kaq. Guximi i ambicies e çoi shumë larg: të nxirrte krejtësisht jashtë loje Mendjemadhin fodull, sepse nuk e duronte dot vetëbesimin e tij mburracak, se historia këtej e tutje shkruhet, duke u mbështetur tek bëmat aventurore të pushtetarit të fuqishëm! Më pas do t’i vinte radha t’i vërsulej kundërshtarit sharlatan, që ta godiste në pikat më nevralgjike, të cilat ia dinte prej kohësh, dhe besonte me siguri absolute, se një ditë do ta gjunjëzonte…)
– “Edhe pse duket si trill fantazie, në të vërtetë është ngjarje reale, tregon si ndërthuren fatet e njerëzve…”- tha në fund babai, kur mbaroi rrëfimin e tij interesant.
– “Po pushtetari i fuqishëm si përfundoi”? – e pyeta unë me kureshtje.
– “Prej çastit që të hyn vetja në qejf e të krijohet bindja se je udhëheqës, kur realisht je një aventurier me pushtet, futet vetvetiu verbërisht në vorbullat e vetasgjësimit, nga ku s’del dot më. Ndaj një ditë pa tjetër do ta pësosh, si breshka tek nallbani, e do të vihet festja sipas kokës! – ma ktheu babai. – Sepse kokën e budallait gjithnjë e ha ujku. Kuptohet, pas goditjes tinëzare nga ana e ministrit, ish-pushtetari i fuqishëm, u katandis në lolo: u flak si hedhurinë nga politika, mbeti me gisht në gojë, iu shkërmoq kështjella prej rëre! Ndërsa i privilegjuari i djeshëm, në sajë të makinacioneve mafioze, arriti ta futë në dorën e tij grupimin politik, të cilin para pak kohësh e shpërfillte, aq sa nuk pranonte të bëhej as anëtar i thjeshtë”!
Sa herë me ngacmonte thënia e nënës; “i lutem Zotit të mos kesh fatin e hidhur të babait”! më vinin ndërmend rrëfimet, këshillat dhe mësimet e tij të vyera. Pastaj vetvetiu shfaqej pyetja: “Ç’pika të përbashkëta do ketë karriera ime, me fatin e tim eti”? Këtu ngecja, sepse nuk dija nga ta nisja përgjigjen për të bërë krahasimin, ngaqë deri në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, mungonin tërësisht të dhënat rreth fëmijërisë dhe adoleshencës së babait.
Ndërkaq fëmijëria jonë, duke qenë e pështjelluar me shumë shqetësime, për moshën tonë të brishtë, nuk na mundësonte të krijonim afërsi me prindërit tanë, para së gjithash me babanë. Kështu që nuk na binte rasti të futeshim deri në hollësira kureshtare, pasi këtyre, shumë rrallë u ndodhte të kishin orë të lirë.
Javën e parafundit të gushtit, i thash drejtorit të shkollës ta ndërprisja detyrën e shkruesit të Amzës së re, pasi më duhet të përgatitesha për kthimin në konvikt. Drejtori më përgëzoi për punën e pastër shembullore, pasi shfletoi nga fillimi deri në fund bllokun e madh.
– “I a vlen, ke qejf ta shohësh, tamam dokument për shkollën ‘Model’”! – shprehu ai vlerësimin e tij me kënaqësi të hapur. – Sot do shkoj në seksionin e Arsimit, të tërheq shumën që të takon për dy muaj e gjysmë. Nesër rreth orës dhjetë, mund të vish për të firmosur borderonë dhe të futësh në xhep fitimin tënd të parë.
Ky çast do të mbetet në kujtesë si diçka e çmuar, edhe pasi të përfundosh studimet e larta dhe të emërohesh në punë, jo vetëm pse është paga e parë me djersën e ballit, por shërben si provë e pavarësisë ndaj vetvetes, se e dashuron punën dhe je i gatshëm t’i përkushtohesh asaj, mban mbi shpatullat e tua peshën e rëndë të përgjegjësisë, je i përgjegjshëm ndaj kërkesës së kryerjes së detyrës”, – tha drejtori. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016